Nga Marjana Bulku/ New York/
Atyre nuk ju pëlqen liria ime. Kurrë nuk ju ka pëlqyer…As kur isha në bankat e shkollës,as kur duhej të isha e lirë për të zgjedhur një profesion që garantonte të ardhmen,as kur ajo(liria )u legalizua edhe në kushtetutë. Nuk ju ka pëlqyer kurrë liria e një njeriu të mirë, të drejtë ,korrekt, sepse…po sikur të krijoheshin shumë të tillë pastaj!!! Cfarë të bënin me ta?! E për cfarë mund t’ju duheshin fundja?Po sikur mijëra shpirtra të lirë të vrarë për një fjalë goje,për një dëshirë të pamundur,për një ëndërr të ndaluar të rebeloheshin nga mungesa e gjatë e lirisë e të kërkonin shpagim?!
Liri?
Ndoshta e kane urryer konceptin e lirisë, fundja nuk kanë pasur asgjë kundra meje,teje,jush, atyre shumë si unë që lirinë – rregull e kanë kyc në jetën e tyre shpirtërore, familjare, shoqërore.
Nuk ju pëlqeu liria ime për të ndërtuar me djersë me nder, me pastërti.
Nuk ju pëlqeu liria ime për ti thënë të vërtetat,për ti mbrojtur ato.
Nuk ju pëlqeu liria ime për tu kujdesur për njeriun në nevojë, për atë që kërkon një dorë ndihme e kujdesi.
Liria ime është e drejta ime për të dëgjuar atë që flet drejt dhe shtrembër, atë që hesht dhe fshihet, atë që shpif dhe gënjen…Jam e lirë që për sejcilin të duartrokas, flas, mbështes, kundërshtoj, shmang.
Kjo është LIRIA ime që edhe nëse nuk ju pëlqen, ajo është sa shpirtrore, aq edhe deklarative , sa e dukshme aq edhe e pashpallur ,por përherë prezente si ajri që na ushqen me jëtë.
Liria ime!!!…Mos ndoshta i bënte të tjerët të ndjeheshin më të lirë ,prandaj dhe nuk duhej njohur,pranuar,respektuar.Ma mohuan lirinë. Ma shanë, dhunuan, deformuan m’u përpara syve të mij dhe mijopisë së tyre. Më thanë se nuk kam të drejtë të jem, të kem ,të mund.
Në fakt liria ime kishte dhe ka në thelb njeriun, jetën,pastërtinë morale, familjare,mendore,ka në thelb edukimin e vlerave më të mira nga familja ,shkolla, shoqëria.Liria ime ëndërronte ,por nuk mbeti vetëm një ëndërr. Përmes punës ne ndërtuam atë që kishim ëndërruar. Dhe produkti i ëndrrës tonë është atje, syzgjuar ,i pagjumë nga braktisja, i pasigurt nga largësitë që distanca mjergullon.
Ti trembesh Lirisë është njësoj si të kesh frikë nga jeta ,nga kjo dhuratë e bukur që kërkon përkujdesje e dashuri që në embrion. Ta duash lirinë, ta shpjegosh se si ajo vjen në jetë dhe se si kërkon vazhdimisht përkujdesje dhe përgjegjësi është mision jo misionarësh por dinjitarësh që jeta skalit me prova dhe sprova.
Lirisë mund t’i trembesh kur nuk e njeh atë, kur je rritur me mllefin e një urrejtje të pa kuptimtë dhe frikën që të nxit ankthi përndjekës i gabimeve të pafund në fshehtësi dhe joliri. Gjithcka e bukur lind nga liria: Vargu,fjala,harmonia,dashuria,jeta,respekti,mirenjohja. Eshtë kahu tjetër cdo medaljeje.
Eshtë shumë e shtrenjtë ,aq sa nuk blihet as në treg dhe as në panaire. Eshtë si një thesar i trashëguar brezash…Prandaj luftohet për të. Kronologjitë historike dëshmojnë se e drejta e mohuar padrejtësisht kur fitohet quhet LIRI.
Atyre nuk ju pëlqente liria ime për të besuar në një Zot, duke respektuar besimin e tjetrit, pa e përbuzur atë, pa ia imponuar të mijat principe, pa dhunuar të tyret ,përvecse në rastet kur ato janë perverse dhe kundërshtimi është detyrim lirie.
Ka disa Liri që trembin.Ka disa joliri që bashkëjetojnë me njeriun C’paradoks !
Liria ime nuk më tremb, ajo robëron ligësinë, padrejtësinë.Ajo ndërton besimin, shpresën.
Eshtë e bukur liria ime!Ajo nuk dhunon,as përcudnon,përkundrazi u shpall luftë atyre sepse liria ime është e jetës liri.
Marjana Bulku (gusht 2014)