• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË- ALI PODRIMJA – POET I MADH I RANGUT EVROPIAN

January 14, 2014 by dgreca

NGA JAN MICHAŁ STUCHLY (POLONI)*/

Poet i madh, melankolik, patriot dhe një njeri i thjeshtë – ky ishte Ali Podrimja, që më mbeti në kujtesën time, poet lirik i rallë i revoltës, i  dhembjes dhe vuajtjes njerëzore, i njohur dhe i çmuar jasht kufijve të atdheut të vet, një poet i papërsëritshëm në artin e vet brilant poetik, që e ngriti poezinë shqipe në majet e poezisë evropiane.

         Poezinë e Ali Podrimjes  pata rastin  ta lexoj për herë të parë në revistën e njohur letrare polake „Literatura na świecie” (Letërsia botërore”) qysh në vitin 1979 në polonisht, të përkthyer nga miku im, poeti dhe përkthyesi i njohur Mazllum Saneja. Ndërkaq, veprën e tij më të plotë poetike e kam hasur më vonë në librin e botuar aq të bukur  te edicionit „Pogranicze” „Flaka e vjedhur”( në përkthim të Mazllum Sanejes dhe të Ewa  Śmietańskes) , të poetit tashmë të njohur në Evropë. Ali Podrimja na paraqet botën paralele, të thjeshtë dhe homogjene, të ndërlikuar dhe komplekse, botën që është një  „planet i mërguar” që „ vetëton”, një botë përplot gjarpërinj dhe luanë, një botë e të vetmuarëve dhe e atyre të kërkuarëve. Poezia – letërsia kërkojnë nga shkrimtari një përkushtim të tërë të flijuar e besnik dhe një vetëdije  të thellë kombëtare. Problemet vetjake madje ato më personale dhe intime bëhen dhe ngriten në çështje të përgjithshme të shoqërisë, gama e të cilave është e gjërë dhe komplekse. E këtillë është poezia e Ali Podrimjes, të cilën e karakterizon një gamë e gjërë e problematikës dhe një shumëllojshmëri e mjetëve shprehëse.

Në poezinë e tij Podrimja nuk shtron vetëm probleme të ekzistencës kombëtare, po vete  edhe më larg, duke shtruar dhe kapur probleme universale të njerëzimit, qofshin ato evropiane , botërore , kozmike, ku luftojnë në mes vete Zoti dhe Djalli, ndonëse nganjëherë nuk dihet se kush është Zot a Djall. Ali Podrimja gjithnjë është ballafaquar duke luftuar në mënyrë të paepur me fatin dhe historinë, gjithnjë ballëlart, me guxim, nder dhe dinjitet, i vetëdishmë  për “mjerimin njerëzor”, duke ditur se mund të jetohet edhe me “litar rreth kokes”.

Ndërkaq, shkruaj këtu edhe për thjeshtësine dhe qartësinë kreative, që është një punë e vështirë në të shkruarit çfarë ndodh me magjistarin e poezisë jo vetëm shqipe Ali Podrimjen, i cili si një magjistar i fjalës poetike krijoi gjuhën moderne poetike në tërë historinë e letërsisë shqipe. Konciziteti, shprehjet lakonike me shkurtime të rrufeshme, kontrapunktet, oksimoronet, personifikimet, ndryshueshmëria e rrëfimit, pikat e befasishme kulmore me ato mendime te bukura, të thella, të cilat gjatë leximit zëmë  t’i njohim si fragmente të mendimeve tona.

Dhe shtrohet pyetja  me cilët poetë ka ngjashmëri Ali Podrimja dhe kush është më i afërt përkah mënyra e të menduarit, me format e përshkrimit etj me poetin e madh shqiptar. Duke lexuar me kujdes dhe kënaqësi veprën e plotë poetike “Flaka e  vjedhur” në polonisht të Podrimjes në një përkthim brilant të Mazllum Sanejës më përfytyrohen poetët e mëdhenj botëror Federico Garcia Lorca, Paul Eluard, Pablo Neruda, Salvatore Quasimodo apo Konstantinos Kawafis si dhe poetët tanë Czeslaw Milosz dhe Zbigniew Herbert.

Si përfundim, mund të theksoj se kjo poezi tronditëse dhe rrëqethëse lexohet si një tragjikë e thellë, e përjetuar e një liriku ekzistencial, që dëshmon fillimin e një epoke të re në zhvillimin e formës dhe gjuhës poetike jo vetëm në letërsinë shqipe…

 Sa keq,  që nuk arrita ta njoh fizikisht poetin Ali Podrimja, i cili më në fund e mbaroi udhëtimin e vet prometeik ne atdheun e artit të poezisë , ashtu fillikat i vetëm.

Do ta përfundoja këtë shkrim për poetin Ali Podrimja me vargjet e një poezie antologjike të poetit të madh polak Zbigniew Herbert, kur ia lë porosinë si një dhiatë heroit të vet Zotit Cogito:

       “ Shko se vetëm kështu do të pranohesh në rrethin e kafkave të ftohta

          Në rrethin e stërgjyshërve të tu: Gilgameshit Hektorit Rolandit

          Mbrojtësve të mbretërisë pa kufij dhe qytetit të hirave

          Bëhu besnik Shko”!

*Jan Michal Stuchly, poet dhe piktor polak – deri me sot ka bere bukur shume per afirmimin e letersise shqipe ne hapesiren kulturore te Polonise, duke botuar panorama te tera ne gazeta dhe revista letrare polake.
* (Përktheu nga polonishtja:Mazllum Saneja, i gjate vitit 2013 perktheu dy libra shqip ne polonisht: librat me poezi te zgjedhura te poeteve te njohur Fatos Arapi (“Me jepni nje emer” dhe  Agim Gjakova (“Saga flurore”, perurimi i te cilit u be ne mes te majit 2013 ne Varshave). Nderkaq, perurimi i librit me poezi te zgjedhura te Fatos Arapit do te behet ne maj te ketij viti. 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ali Podrimja, Jan Michal Stuchly, Mazllem Seneja, Poloni

Jan Michał Stuchly – Poet i një ndjeshmërie të thellë

January 11, 2014 by dgreca

ESSE NGA MAZLLUM SANEJA*/ Varshavë/

        E nis këtë shkrim për poetin dhe piktorin Jan Michał Stuchly, duke cituar fjalët e dy poetëve të mëdhenj: poetin e madh të romantizmit polak Cyprian Kamil Norwid, i cili me të drejtë shkori se, “e bukura është formë e dashurisë”  dhe, poetin e simbolizmit frëng Mallarme, i cili tha se “synimi i botës, është krjimi i një libri të bukur”.

Megjithatë, edhe në kohën e sotme, këto dy konstatime tingëllojnë si mendime aktuale përsa i përket krijimtarisë të poetit  Jan Michal Stuchly.

“Në përvojën time, poezia  lind nga një gjendje e veçantë, të cilën do ta quaja si një errësirë të brendshme” – shkroi me të drejtë  qysh në vitin 1936 poeti dhe eseisti i njohur polak, Mieczysław Jastrun, apo siç shkroi diku poeti i njohur frëng i simbolizmit Novalis: “Poezia e vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse një lidhje shpirtërore”. Njëqind vite më vonë, poeti bashkëkohës frëng Valery kështu shkroi për poezinë:  “përpiqet të krijojë në ne, një gjendje dhe, këtë gjendje të jashtëzakonshme të ngre deri te njohja e përkryer”.

Poeti ka prirjen e të përshkuarit dhe të kuptuarit e botës dhe, në mënyrë të veçantë të vetëdijës së vet çfarë në të është e fshehur. Poezia – tashmë e shkruar, pastaj ia transmeton lexuesit gjendjen e veçantë të njohjes, e begaton në brendësi, natyrisht, me sa mundet të zgjojë në të barabar mbresa të forta.

Vëllimi poetik i fundit i poetit Jan Michał Stuchly dëshmon , se ai gjithnjë më thellë e kupton domosdoshmërinë poetike dhe shoqërore të dialogut të vet. Ai gjithnjë përpiqet, që në krijimtarinë e vet të ngre në kohë, në histori: një botë më të bukur e më të mirë, dhe një botë më favorizuese për njeriun. Ai iu përket atyre poetëve, për të cilët poeti anglez P.B.Shelly thotë me të drejtë se “janë ligjdhënësit e papranueshëm të botës”.

Poeti e vështron peizazhin e vërtetë përmes shprehjës së pikturimit të njeriut, nëpërmes transformimit dhe dukurive të natyrës. Që t’i besojmë poetit, duhet vështruar botën përmes optikës së vështrimit të tij, t’i bindemi vështrimit të tij dhe të mos i frikësohemi  këlthitjes të mahnitjes.

Poetika e poetit Jan Michał Stuchly synon gjithnjë më shumë kah bashkimi, pikë-takimi më i saktë dhe më i rafinuar  i shprehjes së drejtpërdrejtë, të thjeshtësisë të gjuhës, dukshmërisë – me forcën e imazhit konkret, nëpërmes të së cilës shpreh botën e ndjenjave.

Poezia e poetit Jan Michał Stuchly është pa mëdyshje një fenomen i jashtëzakonshëm, si përkah  lloji ashtu edhe përkah tematika. Kjo është një lirikë diskursive-filozofike dhe metafizike. Në qendër të vëmendjes të kësaj poezie gjenden dy momente: ajo në të cilën vetëdija zë të shërbejë me shqisa dhe, ajo me të cilën shqisat e braktisin. Këtu është e gjithë-pranishme barabar  si jeta ashtu dhe vdekja, të cilat pareshtur e shoqërojnë poetin, këmba-këmbës.

Jan Michał Stuchly  është, para së gjithash, poet i dhembjes ekzistenciale, poet i dhembshurisë, i ndjeshëm në mënyrë të veçantë karshi padrejtësive dhe ligësive njerëzore. Poezinë e tij e karakterizon një ndjenjë e thellë dhe frymë shpirtërore dhe, njëherazi një thjeshtësi në mjetet shprehëse.

A thua unë di

e Ti

gjithnjë thua

di

 

Unë nuk di

kush di

e Ti

gjithnjë thua akoma

di

nuk di

kur

e ti

në heshtje qan

pyes

kush je ti

Zot apo Poet

pikërisht dëgjoj

diku jehonën

dhe kjo është

e vërteta

(„ Nuk di”)

 

Thjeshtësia e poezisë e poetit Jan Michał Stuchly është një thjeshtësi kreative, thjeshtësi vazhdimisht e kuptueshme.

Panta rei

une dhe kalimi i kohës

 

kalimi i kohës

dhe jo vetëm koha e papërfytyrueshme

 

unë megjithatë e kaloj kohën

sepse ashtu e deshi Zoti im

duke i dhënë secilit shpresë

 

Ndaj

provoje ta shfrytëzosh

 

 

(“Kalimi i kohës”)

 

*                  *                          *

 

 

Memeci

në çalimin e vet këlthet

të shurdhërit

vetëm qetësia

kokën ia trazon

i verbëri

veç vështrimit

me të gjitha shqisat e tjera

sheh dhe dallon

derisa njeriu i shëndoshë

nuk kupton deri në fund

se sa i lumtur i pasur është

me të gjitha ankesat e shumta të përditshmërisë

 

(“Në mendime”)

 

 

*                                *                                  *

 

nuk di

çfarë di

 

derisa ti

gjithnjë di

 

nuk di

kush

diku

ku

kur

 

dhe ti

prapë di

 

pyes

me druajtje

kush je

e ti

tashmë e di

a thua e di

 

 

 

 

 

Poet

vetëm ty të lejohet

duke mos ditur

di

 

(“Dyshim … siguri “)

 

Është kjo një poezi individuale, që e karakterizon individualitetin e tij prej poeti të veçant, ngase përfytyrimi metafizik i poetit është saktësisht i ndërlidhur me problematikën ekzistenciale dhe të përjetuar thellë në shpirtin e trazuar të poetit.

Poeti Jan Michał Stuchli ndonëse e shikon botën dhe njerëzit me një distancë, ai nuk qëndron indiferent karshi dramës njerëzore.

Jan Michał Stuchly si një poet i pjekur, shpreh mendimet e hidhura mbi shekullin e qytetërimit  të zbulimeve teknike, i cili njëherazi u bë një shekull i shfarosjeve dhe krimeve masive, ku në fund të shekullit XX njeriu u shndërruar në egërsirë. Së këtejmi, ai hidhërimi,dhembja dhe vuajtja e poetit të ndjeshëm, i cili është i vetëdishëm, se përmes artit të vet, nuk e ndryshon dot këtë botë, nuk e shpëton nga gama e së keqes dhe e dhembjes.

Dobësia dhe plogështia karshi indiferencës të qytetërimit të sotëm lind dhe krijon hidhërimin, ndjenjën e zbrazëtirës dhe shqetësimin.

Poezia e tij e afirmon të Mirën, Mirësinë, Dhembshurinë, po, a thua këtë zë diku në një skaj të botës,këlthitjen e mbytur të poetit – sikur “ Këlthitjen” e Frikës të piktorit të njohur Edvard Munchit a thua e dëgjon ndokush? Apo si në poezinë e poetit tonë Jan Michał Stuchly “Këlthitja ime”:

Njeri

Ti i vetmi në mes të qenieve të gjalla

I zoti të bësh zgjedhjen

ndërmjet të mirës e të keqes

Sa bukur për këtë shkruan kritiku dhe eseisti i njohu polak Jerzy Kwiatkowski: “Jetojmë në një epokë të magjepsur me të keqen, në një epokë e cila ka degraduar dhe, është e privuar të përqesh dhe të përbuz nocionet e tilla çfarë janë: E Mira, Mirësia, Dhembshuria, Mëshira …

E keqja, agresioni, vrazhdësia, mizoria vazhdojnë të tërheqin imagjinatën e shkrimtarëve, krijuesve të filmit, regjisorëve, studiuesve të kulturës …”

Është me të vërtetë një ngjarje befasuese se si poeti Jan Michał Stuchly në poezitë e veta, në një mënyrë të veçantë, në vëllimin poetik të fundit ” Licentia Poetica” ka mundur me sukses të mbyll, në mënyrën e vet, vizionin  e vetëm të njerëzimit dhe vizionin e vetëdijes.

Mjafton  të lexojmë këtu me vëmendje poezitë e shkelqyera dhe të mrekullueshme: „A thua”,”Kalimi i kohës”,”Këlthitja ime”,”Kronos”, „Njeriu”, „Nuk di”, „Përditshmëria”, „I kredhur në mendime”, „Dyshimi … siguria”,  „Sekrete të lëna” etj. që përbëjnë një tërësi të shkëlqyer poetike.

Paralelisht me trishtimin, dhembjen dhe vdekjen, në poezinë e poetit Jan Michał Stuchly gjejmë edhe elementin poetik e të kërkuarit – të kërkuarit e shpresës, ringjalljes të jetës,besimit dhe ngritjes të sistemit të vlerave njerëzore. Zatën kjo është kredoja poetike e poetit Jan Michał Stuchly.

Dhe, një ideal i tillë i artit në kohën e sotme, më duket veçanërisht i çmueshëm dhe i bukur.(* Jan Michał Stuchly: „La Grande Reportage” Galeria 2010, Racibórz 2010 )

Varshave, Fillimi i janarit 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Jan Michał Stuchly. poet i ndjeshmerise, Mazllum Seneja, se thelle

Shqipja i asht veshë per parzëm

January 10, 2014 by dgreca

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Ka disa vite që Shqipja ia ka mberthye edhe krahët e nuk e lè me lujtë vendit…/

Shqipja i asht veshë per parzëm…/

Ajo e frymzon…Ka shkrue…Edhe vazhdon me shkrue…/

Shqipja me dy krenat e veta asht kafazi i krahnorit të Tij, që e mbushë me frymë…

Ky Burrë ka dy palë mushkni…Prandej, nuk e ndijnë kurrë mungesen e frymëmarrjes…

Po, as frikën nuk e njeh! Mburoja e Tij ngjason me parzmorën e Kastriotit…

Shkrimet e Tij të duken sikur janë shkrue me ngjyren e Flamurit…

Dhe shkelqejnë nga ngjyra e puplave të krahëve të Shqipes,

Asht bash Shqipja e çerdheve të Maleve të Bajram Currit…

A e njihni kush asht?

Asht Miku i të gjithë Atyne që kanë Zemer Shqiptare,

Asht ZEQIR LUSHAJ.

Rrnosh sa Shqipja Yte… që t’ ka rrokë aq fort, o Zeqir Lushaj!

Melbourne, Janar 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: asht ves, Fritz radovani, per parzem, shqipja, Zeqir lushaj

ME KOKEN PAS…

January 8, 2014 by dgreca

Shkruan: Marjana Bulku/

Eshtë i pashmangshëm akti i të kthyerit të kokës prapa kur ikën prej nga një vend që ka qënë mjedisi yt. Sa më tepër i largohesh,aq më shumë i kthehesh me një shikim, kujtim, mall,brengë,dëshirë rikthimi. Kështu vepruan të gjitha Ata, para nesh, ndoshta edhe ato pas nesh, ndonëse uroj që kjo ”hemoragji” disa shekullore që zanafillat i ka me 250 000 shqiptarët e parë të ikur menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, të mos vazhdojë më edhe pse histori liderësh të mëdhenj që bien po përsëriten . Është i paharruar përqafimi i fundit me shtëpinë, njerëzit e dashur, të paharrueshme përpjekjet e një jete të gjatë që nuk janë vetëm kujtime,por edhe lumenj djerse, biseda të ngrohta,të nxehta,të ftohta,,,me miq, nga ata që koha i ve në provë. E pamundur të ecësh me ritmin e një jete që vrapon pa menduar për atë ritëm që të ndiqte dhe e ndiqje rrugës së gjatë për të ndërtuar atë që është piksynimi i cdo qelize shoqërore(familje), jetesën apo ndoshta edhe mbijetesën. Unë ëndërrova Shqipërinë Zonjë! Nuk e gjeta kurrë në fjalime pompoze,parrulla shkruar me aq mund faqeve malesh,muresh,,, Nuk më mjaftuan vargjet e Naimit. Ishte shumë larg për tia numëruar majat, lisat, bagëtinë, dhimbjet ,historitë jo vetëm ato të lashtat e vetëm malli ndonjëherë nuk mjafton… Nuk arrita ta takoj atë as në vargjet e Cajupit, ishte shumë i brengosur për tia zbuluar nurin,edhe pse traditat, mangësite e zullumet ia dinte si askush tjetër dhe satira e tij ther. E kërkova në vargjet e Serembes dhe zbulova dramën e trefishtë shqiptare , atë të shqiptarit këtu, atje, pa atdhe. U dashurova me veprën e Martin Camajt edhe pse ftohtësia hermetike e izolimit e ndau nga lexuesit e vet dekadash. ”Kur të vdes do të bahem bar” më rrëfen se sa e pamundur ishte ëndrra për ta parë,takuar atë Shqipërinë Zonjë. Duke ëndërruar Shqipërinw Zonjë përshkova tej e per tej Fishtën , Konicën,Poradecin… Dhe në këmbim të ëndrrës mora brengën e Fishtës deri ne dëshpërim,tragjizmin e Pashko Vasos, multidimensionalitetin e Konicës si thesarin e kultures shqiptare që nëse e zbulon mbart jo pak vezullime të asaj Shqipërie Zonje që cdokush do donte ta shihte, e ndoshta arsyjet pse nuk mundem ta shihnim.Yjet që vallëzojnë përmbi liqenin e qetë e të trazuar të Poradecit gdhendën përfundimisht një qytet shqiptar që duhet vizituar dhe ndoshta vargu piktoresk i dha emrin, madhështine, magjinë … Kur më merr malli për Shqipërinë Zonjë i drejtohem gjithmonë një rafti me libra,,, Ekskursioneve fotografike nuk u besoj me… sepse aty nuk e gjej kurrë ate zonjën Shqipëri ku syri është subjektiv, gënjeshtar, e shpesh here joshet nga vezullime e shkëlqime të rreme. Mendja ime kërkon fjalën, atë që gdhend shqiptarin e mirë, të hijshëm, të ndershëm,punëtor, familjar, të besës, trimin, të drejtin ,të përvuajturin, atë që ringrihet mbi padrejtesinë për të mos u viktimizuar, por edhe atë që nuk bën protagonistin duke u viktimizuar… Kërkimi është i vështirë…Botimet shqiptare jane intensifikuar vitet e fundit. Personazhet jane shumuar,por jo fatet që përgjithësojnë. Të gjithë shkruajnë, por pak e dëgjojmë dhe lexojme njëri-tjetrin, reklama shet produktin dhe jo gjithmonë atë më të mirë. Multipromocion…dhe në kushtet e mungesës së oponencës në botim lexuesi e ka të vështirë të jetë kritik e të mireorientohet në tregun kaotik. Liria e përzgjedhjes ndonjëhere ”vret” dhe viktima zakonisht është e ardhmja… Prandaj unë dua të lexoj për Shqipërinë Zonjë, t’ju tregoj fëmijëve të mi që po rriten këtu(larg Shqipërisë), miqve që nuk e njohin Shqipërinë ,atë zonjën , legjendaren,krenaren,,, Kur multimedia nxin prej lajmesh që shokojnë,,,intensifikoj kërkimin dhe shfletoj paragrafe që dua ti ndaj me të tjerë,tekste dhe autore që i mbaj udhëtimeve si pjesëza të identitetit tim të copëzuar tashmë në kohë dhe hapësirë. A nuk është kjo ”drama” e cdo shqiptari brenda dhe jasht Shqipërise në epoken e globalizmit ku liria e lëvizjes shpërngul dhe lëviz vlerat e identitetit tonë?! Veprat e shkruara janë një produkt i mirë që flasin ,gdhendin, ndërtojnë imazhe që mund ti shohësh,përjetosh edhe pse larg në kohë dhe distancë…Vlerat që na bashkojnë, ato që jetojnë më gjatë se ne janë aty nëpër fletët e shumta të një libri që ti e zgjedh jo spontanisht nëpër tregun kaotik. ”Në kostumet e tyre ,gratë shqiptare janë tw shkëlqyera me një hijeshi të jashtëzakonshme dhe të bukur.Qëndisma të pacmuara të dantellave,mëndafshit dhe ngjyrave të shndritëshme e zbukurojnë pamjen e tyre krejt ,krejt tw vecantë” -kështu do të shkruante amerikani Charld Telford Erickson mikut të tij gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri… ”Këtu shoh burra që janë aq krenare për vendin e tyre ku besnikeria ,vyrtytet dhe pastërtia morale në jetë kurrë nuk mund të vihet në dyshim” ( citim nga ”Jeta e jashtë zakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson kushtuar Shqipërise” nga Mal Berisha fq 30, fq 33). Përpara se të themi përshëndetje dhe lamtumirë në një botë jo të përkryer le të ndalemi e të kujtohemi se ekzistojnë gjurme të të mirës, thelbi i fshehtë i të cilës nuk duhet braktisur edhe nëse endet andej -këtej, ekzistojnë disa”fluturime” që mundësojne formësimin e saj . Kur duam që veten ta shohim të bukur dhe realiteti sillet kërcënueshwm ,nëpër mendje sjell letërsi ,autorë, artistë , akte të thjeshta plot kuptim që edhe pse nuk janë në fokusin e mediave dhe vemendjes ,kujtesa njerëzore duhet ti krijojë terren që Shqiperia Zonjë, ajo që ndoshta unë nuk e gjeta dot. që kurrë nuk na e ndërtoi politika dhe qevetitë , le të jetë akt i krijimtarise humane në cdo fushë.Këtë po, ne mundemi ta zhvillojmë edhe në biseda të thjeshta. Të bukurën në cdo gjë! Faleminderit të gjithë atyre që mundësojnë me shpirt dhe vepra një gjë të tillë. Janar 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku, Me Koken pas

MUSTAFA DELIALLISI PËR KOMB E ATDHE

January 8, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Shijaku,ai vend i vogël rreth 25 kilometra në perëdnim të Tiranës,ka mbetur në memorien e kombit tonë,për luftërat e parreshtura ndaj armiqëve shekullorë si strehë e vazhdueshme e ndjenjave atdhetare, shtëpitë e këtij qyteti të vogël,veçanërisht në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore,do të shëndrroheshin në karakolle të qëndresës emblematike shqiptare.Bijtë më të mirë të qytetit,do të prisnin me pushkë okupatorin italian por njëherazi ata nuk do të gënjeheshin prej mashtrimeve sllavoortodokse. Përkundrazi duke rrëmbyer pushkën në krah,ata u përballën sa me pushtuesit që erdhën në vatrat shqiptare aq edhe me farën e urryer komuniste e importuar prej urraleve,ku komunistët shqiptare  faleshin jo para zotit, por para beogradit.Por ndër trimat e mëdhenj të nacionalizmit shqiptar të Shijakut,ka mbetur i gjallë dhe i pavdekshëm edhe kujtimi i burrit Mustafa Deliallisis.

Lindi në gushtin e vitit 1911,në qytetin e Shijakut.I jati Dalip Deliallisi pati marë pjesë në përcjelljen e Ismail Qemal Vlorës,për në Kuvendin historik të nëndorit 1912,me trima të tjerë të Durrësit.Ai,në vitin 1913,në bashkëpunim edhe me Sali Gjukën,janë nismëtarët e çeljes së shkollës së parë shqipe në Shijak,në pranverën e vitit 1913.Ndërsa në trazirat e vitit 1914,atëherë kur Esat Pashë Totani dhe përkrahësit e tij,kërkonin të merrnin pushtetin me kinse  kryengritjen fshatare të Haxhi Qamilit,Dali bej Deliallisi do të renditej në krah të atdhetarëve të tillë shqiptar si Ismail Qemali,Mustafa Kruja,Mid’hat Frashëri,Eqrem Vlora,Mufid bej Libohova etj.., të cilët donin ta shihnin Shqipërinë të pavarur nga Beogradi e për më tej të renditur në botën e civilizuar perëndimore.Forcat esadiste tentuan disa herë rresht të bënin për vete Dalip Beun,por ky asesi nuk pranoi.Ka qenë kjo arsyeja që me largimin e princ Vidit nga Shqipëria,atëherë kur dy-tri muaj qeverisnin rebelët e Haxhi Qamilit,Dalip bej Deliallisin e arrestuan me gjithë djemtë e tij dhe u dha urdhëri për t’i pushkatuar.Kanë qenë sigurisht disa shqiptarë të ndershëm të cilët duke njohur Dalipin si bartës të shqiptarizmës, e shmangën gjakderdhjen duke u arratisur në pyjet e Librazhdit, së bashku me fëmijët.

Mustafai do të fillonte mësimet në shkollën qytetëse të Shijakut,atë shkollë që pat ngritur me kontributin e vet financiar dhe mendor,Dali bej Deliallisi.I fundit nga djemtë,ai do të ndihej i rrethuar nga dashuria e vëllezërve më të mëdhenj,Ganiut,Ymerit,Masarit,Kapllanit dhe Jakupit, sidomos pas vdekjes së babait të tij,në vitin 1918.Ndonëse në shkollë të gjithë mësuesit e donin si djali i vogël i Dalip beut,Mustafai askurrë nuk e shpërdori këtë dashuri,për  t’u shndrruar në një djalë kapadai.Përkundrazi,në plot raste ai merrte shokët e klasës së tij,në shtëpi dhe nënë Tushja jo vetëm që ju shtronte dreka të bollshme por u jepte  edhe nga një torbë me ushqime për t’i çuar në shtëpitë e tyre.Ai do të donte ata shok vuajtjesh,njësoj si vëllezërit e tij më të mëdhenj dhe po ashtu do t’i nderonte.Në verën e vitit 1924,pasi mbaroi me rezulltate të mira shkollën qytetëse në vendlindje,Mustafai i grishur edhe prej vëllezërve të vet,merr rrugën për në Shkodër.Aty do të fillonte mësimet në gjimnazin e famshëm të qytetit,i cili ishte shndruar në vatër të shqiptarizmës. Veçanërisht në shoqërinë e vëllezërve Kazazi,Mustafai do të mësonte mbi betejat e lavdishme të shkodranëve si për mbrojtjen e qytetit të tyre në fillim të shekullit,ashtu edhe për luftimet në ndihmë të vëllezërve shqiptarë në tokat arbërore të Plavës e Gucisë.Ndonëse gjimnazi i Shkodrës asaj kohe kryente veprimtari të shumta kulturore e artistike,biri i Shijakut do t’i pëlqenin së tepërmi vizitat në kalanë e qytetit,apo ato në Tuz e Ulqin ku takohej me vëllezërit e tij të gjakut.Pas mbarimit të shkollës së mesme në Shkodër ( veçanërisht me propozimin e vëllait,Ganiut i cili pat mbaruar shkollën e lartë ushtarake në Stamboll) Mustafai vendos ti futej studimeve ushtarake.Ai shkon në Tiranë dhe në vitet 1928-1929 ndjek aty Shkollën e Plotësimit të Oficerëve.

Në këtë shkollë biri i Shijakut njihet përveç të tjerave edhe me trimin e shquar të Kosovës,Ali Riza Kosova,i cili përpara se t’u mësonte nxënësve të tij artin ushtarak popullorë dhe teoritë e luftës moderne,u kujtonte atyre se kufijtë e Shqipërisë nuk ishin ato të vitit 1913 por akoma më të hershëm dhe u mbante të ndezur shpresat se një ditë përmes pendës e pushkës së shqiptarëve,këta kufij do të rimereshin.Trup Gajtë,me shikim të vendosur,biri i Shijakut i cili që në fëmijërinë e parë pat vendosur të bëhej komit dhe dilte maleve,tani dallohej ndër të tjerët,sidomos për përvetsimin e dijeve ushtarake dhe manifestimin në praktikë të tyre.Në fund të kësaj shkolle,Mustafa Deliallisi merr gradën e togerit dhe pret emërtimin në detyrë.Sidoqoftë me gjithë tematikën që përmbante,Shkolla e Plotsimit të Oficerëve në Tiranë,nuk mund t’i paiste kursantët e vet me dijenintë e duhura.Për këtë arsye i shtyrë edhe nga vëllezërit e tij,Mustafai merr rrugën për Itali,duke nisur studimet në Akademinë e Lartë Ushtarake,në Torino.”Në Itali,Mustafai kishte pritur me padurim t’a mbaronte shkollën që të kthhej në atdhe dhe të jepte ndihmesën e vet,si tërë studentët e tjerë shqiptarë që kishin mbaruar shkollat evropiane.Si antifashist dhe nacionalist njëherësh,në çastin e betimit tradicional,oficeri i ri,refuzoi puthjen e flamurit italian.Pikërisht këtë fashistët nuk do t’ia falnin kurrë,ashtu sikundër edhe Mustafait,urrejtja për ta nuk i rreshti asnjëherë”.(A.Faja”Trimi plumbin e fundit e ruan për vete””Omska”-Tiranë 2000,faqe 26-27)

Në fillim të viteve 30-të të shekullit që lamë pas,me urdhër të Ministrisë së Luftës Shqiptare,Mustafa Deliallisi,caktohet si komandant i degës ushtarake në Burrel.Ndonëse Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë,pati graduar mjaft prej burrave të Matit,edhe fjala e Mustafait bënte vend në vatrat e matjanëve.Burrat e Matit shihnin tek Mustafa Deliallisi jo vetëm oficerin kërkues të disiplinës ushtarake,por edhe trimin që ngarendëte në kufijtë e Shqipërisë,për t’u bërë ballë krejt provokacioneve serbe.Ka qenë pikërisht trimëria e tij,që në vitin 1940,me krijimin e Komisariatit Civil për Tokat e Lirueme,biri i Shijakut caktohet në funksionin e komandantit të trupave të ushtrisë shqiptare,në tervat etnike në Mal të Zi.Gjatë qëndrimit të tij si pos komandant në Ulqin,Mustafa Deliallisi do të merrte në mbrojtje të gjithë shqiptarët e atyre viseve të cilët ç’prej vitit 1880,ndjenin në supe peshën e rëndë të robërisë malazeze.Ai ngriti në Ulqin e Tuz flamurin shqiptar dhe u kujdes që shiptarët etnikë të mësonin gjuhën e nënës së tyre.Kanë qenë këto arsyet që në marsin e vitit 1941,forcat malazeze në bashkëpunim me ato italiane organizuan një pritë kundër tij,por falë trimërisë Mustafa Deliallisi i plagosur mundi të shkojë në rrethina të Shkodrës ku u strehua dhe mjekua tek miqtë e dikurshëm të tij,vëllezërit Kazazi.Duke njohur autoritetin e madh që Mustafa Deliallisi gëzonte në Shijak e rrethina,në fillim të vitit 1942,Mustafa Kruja e cakton me detyrë në qarkkomandën e qytetit të Durrësit.Vetë funksioni që kryente do ta çonte burrin trim të Shijakut të njihej lagje me lagje e shtëpi më shtëpi,jo vetëm në Durrës por sidomos në Vorë,Pezë e Shijak.Gjatë takimeve të tij në Pezë me Kajo Karafilin dhe Myslim Pezën,ata do t’i paraqisnin një “antiitalian” të tërbuar Mehmet Shehun.Por ky që në bisedën e parë që bëri me Mustafain u shpreh hapur se legalistët dhe ballistët ishin armiq të komunizmit dhe nacionalçlirimtarëve,burri i Shijakut do të vazhdonte tanimë lidhjet e tij me Abaz Kupin për të ringjallur idetë monarkiste dhe për të luftuar që Mbreti Zog të vinte sërish në atdhe,si simbol i bashkimit të shqiptarëve në luftë ndaj okupatorit dhe mortajës komuniste.Vetë dokumentat e historiografisë komuniste në bëjnë me dije se “Elementë kryesorë kundër çetës së Pezës përbëhen prej armiqve personal të familjes Peza,që janë Deliallisët në Shijak dhe Iahja Mancaku në Ndroq”(Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë,Fondi “Konferenca e Pezës” dosja 195,fleta 4 ).Në të vërtetë këto familje ishin armike të komunizmit dhe jo familjes Peza,pasi vëllanë e Myslimit,Shyqëriun,i cili ishte komandant i një çete nacionaliste,Mustafa Deliallisi,ruajti deri në fund respektin dhe mirënjohjen e thellë të tij.Në nëdnorin e vitit 1943,menjëherë pas kapitullimit të ushtrisë italaine,komunistët e klikës së Tiranës,të yshtur nga Beogradi,filluan nga sulmet e tyre konfrontuese ndaj forcave gjermane.Këto sulme në të vërtetë nuk mund t’i kundërviheshin divizioneve gjermane por në thelb kërkonin djegjen e qyteteve të Shqipërisë pasi komanda gjermane ishte shprehur qartë,që për çdo ushtarë të vrarë të saj,do të vriste dhjetë shqiptarë e do digjte vendin.Komunistët e pezës,me anë të fijeve të tyre në Shijak,u përpoqën të luanin edhe në atë qytet vallen makabre  të rrënimit e të shfarosjes por falë zgjuarsisë së Mustafa Deliallisit nuk ia arritën dot qëllimit.Kapiteni i xhandarmërisë së Shijakut duke ndjekur me fanatizëm urdhërat e Ministrit të Brendshëm Xhafer Deva,u përpoq të shmang sa më shumë konfliktet e shqiptarëve me komandën gjermane,madje u përballë vetëm në dy-tri raste me bandat komuniste të klikës beograd-Tiranë.Në fillim të vitit 1944,ishte pikërisht kjo bandë që kërkoi t’i bënte atentat Mustafa Deliallisit por pa sukses.Atentatori një djalosh 18 vjeçar nga rrethina e Shijakut,u mbajt i burgosur vetëm 24 orë e më pas u lirua me urdhër direkt të Mustafait.

Ndërkaq marsi i vitit 1944,shënoi betejën e parë të hapur të nacionalçlirimtarëve shqiptarë kundër forcave mbretërore të Lëvizjes së Legalitetit,të kryesuara prej majorit legjendar Abaz Kupi.Tashmë ishte e qartë se klika komuniste e Tiranës,nuk pati dalë në mal për të luftuar okupatorin,por shprazte disa pushkë aty-këtu dhe deklaronte se nuk do ta ndante pushtetin as me “Ballin Kombëtar” dhe as me “Lëvizjen e Legalitetit”.Për më tej në pranverën dhe verën e vitit 1944,lufta vëllavrasëse e inicuar nga Beogradi merrte qindra e mijëra jetë njerëzish të pafajshëm,ndërsa gjermanët sodisnin këtë akt makabër të tragjedisë shqiptare.Mustafa Deliallisis në bashkëpunim të ngushtë me Abaz Kupin fillon nga organizimi i çetave legaliste në zonën e Durrësit,Ndroqit dhe Shijakut,të bindur se lëvizja mbretërore do të ishte përcaktuese për fatet e ardhshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ushtarak me horizont të gjërë e sidomos i prirur për luftën dhe kauzën e drejtë të kufijve etnike shqiptare,Mustafai do të bashkëpunonte ngushtësisht dhe me Rexhep Mitrovicën,Bedri Pejanin, Xhafer Devën e Fuad Dibrën për të vënë në jetë vendimet historike të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.Gjatë kësaj periudhe,si kudo edhe në shijak patën nisur idetë komuniste.Mandej traktatet e tyre,të futura nën derë,në errësirën e natës bënin fjalë për “armiq” dhe “tradhëtarë” si Mustafa Deliallisi etj.Disa të tilla shpërndaheshin kohë pas kohe sidomos në shkollën qytetëse të Shijakut,atë që e pat ngritur decenie më parë,me aq mund e sakrifica,vetë i jati i Mustafait.Burri nga Shijaku,jo vetëm që nuk u hakmorr ndaj mësuesve të shkollës,por edhe gjente kohë,pa rënë në sy,t’u kumtonte atyre për përallat e rrejshme të komunistëve.Madje edhe kur nga komanda ushtarake gjermane i kërkohej kapitenit të xhandarmërisë shqiptare,Mustafai të jepte informacion mbi propagandën komuniste në shkollë,ky duke numëruar rreth 20 mësues shkruante ; “Janë  me sjellje të mirë morale e politike”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 470,viti 1944, dosja 2,fleta1 ). Njëherazi,janë me dhjetra njerëz që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë për burrin nga Shijaku me zemër të madhe,burrë i cili deri në fund lultoi vëllavrasjen midis shqiptarëve.

Në shtator-tetor 1944,në krye të çetës legaliste të Shijakut,Mustafa Deliallisi shkon në Pezë,duke kryer një varg aksionesh kundër gjermanëve.Duhet thënë së në këto aksione të përbashkëta me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin,ngjallën shpresën tek mijëra shqiptarë të ndershëm,për misionin e madh të nacionalizmit.Por,pikërisht në këto momente,makina dhunuese e internacionalizmit proletar,filloi të godase më fortë se kurrë shqiptarizmën e kulluar të “Ballit Kombëtar” dhe “Lëvizjes së Legalitetit”.Preza u shndrrua në një arenë përleshjes të egra ku ditën nisën  të bombardojnë gjermanët,ndërsa natën forcat komuniste vinin deri në rrethina të Kalasë duke djegur shtëpitë e fshatarëve që ishin shndrruar në baza nacionaliste.Edhe në këto momente kaq tragjike, Mustafa Deliallisi do të tregohej kurdoherë i pjekur dhe i matur.Ai do të njihej pos të tjerve në këto luftime edhe me burra të tillë të shquar si Gaqo Gogo,Mid’hat Frashëri,Ali bej Këlcyra,Abaz Ermenji etj.Në bashkëpunim të ngushtë sidomos me kapedanin tjetër mbretëror Xhemal Gjergjin,ai për javë të tëra,do të ishte mburojë e sigurtë e Prezës prej sulmeve të komunistëve të Tiranës.Në ditët e para të nëndorit 1944,ndërsa po organizonte burrat e Shijakut pas një luftimi të ashpër,dikush e kërkon Mustafa Deliallisin të shkojë fshehurazi në një shtëpi në pezë.Aty gjen korierin nacionalçlirimtar me një letër të Dali Ndreut,i cili ishte caktuar si komandant i Shatbit për Tiranën.Daliu, e pati njohur Mustafain që në Akademinë Ushtarake në Torino,ku kishin qenë shokë klase.Për më tej duke njohur besën dhe burërinë e shijakasit,Dali Ndreu pati pirë gjak me Mustafanë duke u bërë vëlla.Me anë të një letre ky e fton Mustafanë të linte idealin mbretërorë dhe ti bashkohej lëvizjes nacionalçlirimtare,duke mos u gënjyer nga “përallat me mbretin Zog”. Mustafai pasi  elexoi letërn,drodhi një cigare dhe i tha korrierit partizan”Se kush është gënjyer,unë apo Daliu,do ta provojë historia.Por unë s’mundem me u vu nën urdhëra të beogradit.Jeta kurrë s’do më dhimbset me e dhanë për Atdhe e Mbret!”.

Në mënyrë barbare ashtu siç e kishin zakon komunistët,vetëm dy ditë pas kësaj përgjigjjeje,ata vrasin tradhëtisht vëllezërit e Mustafait,Kapllanin dhe Jakupin.Dy varre do të çeleshin brenda një dite në shtëpinë e Deliallisit në Shijak dhe mijëra banorë të qytetit do të merrnin pjesë në përcjelljen e tyre.Duke u ndarë me vëllezërit e tij të shtrenjtë,në heshtje Mustafa Deliallisi betohej se do të mbetej deri në çastin e mbramë një luftëtar i paepur kundër mortajës komuniste.Ai do të vazhdonte luftimet në krye të çetës së tij,jo vetëm në Prezë por deri në Laç,Lezhë e Mirditë,tanimë kundër nacionalçlirimtarëve vrastarë,emri i Mustafa Deliallisit përcillej ndërkaq me respekt në krejt lëvizjen mbretërore shqiptare si një prej mbështetësve të Abaz Kupit në Durrës e rrethina. Me largimin e ushtrisë gjermane në nëndorin e vitit 1944 ( ajo që më pas u quajt fitorja legjendare e komunistëve të shtetit amë ) ishin me dhjetra nacionalistë që muarën rrugën e mërgimit.Mustafa Deliallisi,shkoi vetëm për një natë në shtëpi,në janarin e vitit 1945 dhe i tha nënës e gruas se nuk kishte ndërmend të largohej por do të luftonte me armë në dorë kundër komunistëve.Ai i përqafoi në mesnatën e ftohtë të janarit nënën,gruan dhe fëmijët i bindur se nuk do t’i shihte më,kërkoi uratën e nënës.”Perëndija të ndihmoftë”kish mundur t’i thoshte nënë Tushja.Dhe prej atij momenti, për trimin Mustafa Deliallisi do të niste jeta plot rreziqe e kaçakut.Ai mbretërori që pati shkelur flamurin italian,që pati luftuar përkrah Abaz Kupit më 7 prill 1939,u shëndrrua në simbol të bashkimit të popullit të Shijakut pa dallim idesh,ai që kreu sa e sa aksione kundër gjermanëve nga Preza deri në Shkodër,tani duhej t’i fshihej dorës tradhëtare të komunistëve shqiptarë.Shijaku, Durrësi,Rrogozhina e Ndroqi u bënë vendet e shenjta që ruanin kaçakun dhe burrin Mustafa Deliallisi.Me dhjetra herë forcat e sigurimit famkeq të shtetit komunist,i zunë pritë trimit të Shijakut,por si doli fitimtar duke qenë trim,ushtarak me përvojë dhe ngase njihte mjaft mirë terrenin,dalëngadalë,Mustafa Deliallisi po shndrrohej në legjendë për krejt nacionalistët në Shqipërinë e mesme.Ndërsa në verin e vitit 1945,klika komuniste e tiranës,bastis shtëpinë e Mustafait në Shijak dhe internon në rrethina të beratit nënën,gruan dhe fëmijët e tij.Kalvari i tyre do të fillonte atje për të vazhduar pesë decenie me radhë.Ndërkaq shtëpia kasollë në rrethina të beratit ruhej prej gjithfarë strukturash të sigurimit famëkeq shqiptar,nga frika se mos shkonte aty Mustafai dhe i merrte me vete fëmijët e gruan.Por burri i Shijakut e ndjente se s’do të kish asnjë mundësi t’i shihte së paku për disa çaste të afërmit e vet.Ai endej nëpër pyjet e Shqipërisë së mesme,i mbrojtur kurdoherë nga populli i asaj zone,i cili shihte tek Mustafai mishërimin e antikomunizmit të papërkulur deri në vdekje.

Kështu deri në çastin e mbramë,në 18 dhjetor 1948,i rrethuar nga qindra forca të ardhura enkas nga Tirana,në një prej shtëpive të Shijakut,plumbi gjen zemrën e burrit.Vdekja e Mustafa Deliallisit u tregonte komunistëve të Tiranës,se ideali kapërcen jetën fizike për të jetur përfundimish në memorien e Kombit dhe shtratin e Atdheut.Kostoja e një nacionalisti asht sublimja,por morali e shenjta e tij.

Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugen Shhehu, Mustafa Deliallisi, per Komb e Atdhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 605
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT