• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS…

June 24, 2021 by dgreca

– PARA 30 VITEVE, MEDIA E KOSOVËS PËR VIZITËN E BEJKER NË SHQIPËRI/

-Para 30 viteve Gazeta “Bujku” e 23 Qershor 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS/

-Si u raportua për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në Tiranë në qershorin e vitit 1991 nga gazeta e vetme shqipe në atë kohë në Kosovë, derisa kufiri me Shqipërinë ishte i hekurt, ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 Mars 1996/

-Sot gjeta në arkivin e digjitalizuar të gazetës “Bujku” se çka shkruante në 23 Qershor 1991 për vizitën historike…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 23 Qershor 2021/ Para 30 viteve, në 22 Qershorin e vitit 1991 për të përcjellë vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë  nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam në Shqipëri reporterin special Avni Spahiu, si dhe ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt të Kosovës me Shqipërinë, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumicën rajoneve kosovare. Fotot i patëm bërë nga transmetimet e Televizionit Shqiptar, nuk kishte asnjë mundësi teknike në atë kohë t’i marrim nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare, me të cilën kishim nisur bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996,  duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Sot gjeta në arkivin e digjitalizuar të gazetës “Bujku” se, në 23 Qershor 1991 kryetituj në ballinë ishin: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS –  VIZITA E BEJKERIT NË SHQIPËRI U NDOQ ME INTERESIM NË KOSOVË.

Në ballinë paralajmëroheshin raportimet për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë gjerësisht në faqet 8 e 9, ku kryetituj janë: SHQIPËRIA KA MBËSHTETJEN E SHBA-ve, AMERIKANËT JANË ME SHQIPTARË, SHQIPTARËT JANË ME AMERIKANË – AMERIKA PO KTHEHET NË SHQIPËRI. Janë këto citime nga fjalimet e Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhejms Bejker. MOMENT HISTORIK PËR SHQIPËRINË, është një titull tjetër…

Po në ballinë me titull BISEDUAM SI MIQ botohej Deklarata për gazetën “Bujku” e Dr. Ibrahim Rugovës pas takimit me Xhejms Bejkerin, ku në nëntitull theksohej: Sekretarit Amerikan të Shtetit iu dorëzua mesazhi i partive politike shqiptare me kërkesat e tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë dhe në Jugosllavi. Në tekst njoftohej se takimi, ku ishin lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Adem Demaçi  dhe kryetari i Partisë Parlamentare të Kosovës Veton Surroi, ishte mbajtur  me 21 Qershor 1991 në një hotel në Beograd, gjatë vizitës që Bejker kishte edhe në Jugosllavi.

Në ballinë të gazetës “Bujku” paralajmërohej edhe shkrimi: SHKOLLAT SHQIPE NË MËRGATË – KUNDËR ASIMILIMIT.

Dhe, mes tjerash, një titull tjetër ishte: LUTJE PËR PAQE, QETËSI E LIRI…

“Bujku” ishte gazetë e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, isha themeluesi-kryeredaktori i saj në atë kohë. Ishte gazeta e vetme e përditshme shqipe ne Kosovë dhe edhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradiconale shqiptare kosovare Rilindja nga regjimi okupator serb.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, shtypi i Kosoves, vizita e Xhejms Bejker

“NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” NË VATËR

June 23, 2021 by dgreca

-“NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” MBOLDHI NË VATËR STUDIUES, AMBASADOR, KLERIKË, GAZETARË, ISH DEPUTETE, BASHKATDHETARË NGA TROJET ETNIKE-

  • Studiuesit: Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, ambasador Mal Berisha, Dr. Tahir Kukaj, autorja e librit PhD Ines Angeli Murzaku, presidenti i Nderit i Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë së Vatrës Marjan Cubi, Profesori i Muzikës nga Gjilani Izet Kallaba, editori i Diellit Dalip Greca, moderatori Sokol Paja, diskutuan rreth librit dhe përcollën mesazhe krenarie për Shenjtëreshën Nënë Tereza, si Shenjte me gjak shqiptar.

Nga Sokol PAJA – DIELLI

Të Martën më 22 Qershor 2021, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u promovua libri “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” e PhD Ines Angeli Murzaku. Në promovimin kushtuar shqiptares më të madhe, humanistes me famë botërore Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë, nderuan me pjesëmarrje aktive Ambasadorë, përfaqësues fetarë, ish deputetë, gazetarë, studiues, albanologë, shkrimtarë, mësues, veprimtarë të shquar të diasporës shqiptare në USA, autoritetet më të larta drejtuese të VATRËS etj. Një atmosferë festive, vëllazërore dhe patriotike, një takim mbresëlënës në përkujtim të jetës dhe veprës së Nënës së Dashurisë së Zotit ndaj njerëzve, na riktheu edhe një herë pas në shërbimin dhe sakrificat e Nënë Terezës ndaj njerëzve të periferisë dhe mbi të gjitha na ngjalli krenarinë se toka jonë e bekuar shqiptare, kombi ynë i vogël i dha botës një Shenjtore të madhe. Ceremonia e promovimit u hap nga Presidenti i Nderit të VATRËS z.Agim Rexhaj i cili foli rreth rëndësisë së botimit shkencor kushtuar jetës, veprës e misionit të Nënë Terezës mbi tokë. Ai bashkëndau disa eksperienca personale të vizitës së Nënë Terezës në Pejë dhe momente të tjera që kanë të bëjnë me lumturimin dhe shenjtërimin e Nënë Terezës. Nënkryetari i VATRËS Dr. Pashko Camaj në promovim tha se te Nënë Tereza shqiptarët shohin jo vetëm një shenjtore, shohin jo vetëm një dritë udhëzuese shpirtërore, por shohin motrën, nënën, e cila erdhi si njëra nga njerëzit dhe që përfaqëson të gjithë ne njerëzit pa dallime fetare. “Nënë Tereza përfaqëson më të mirën në të gjithë ne, është një simbol i asaj që ne si popull tregojmë çdo ditë, harmoni jo thjesht e fjalës pa vlerë për ne ‘tolerancë’ që mbase është e zbatueshme për të tjerët, po, por jo për ne shqiptarët. Për ne, ishte dhe do të jetë gjithmonë, harmonia dhe njerëzit e çdo feje, pjesa tjetër e botës mbase mund të mësojnë prej nesh, se harmonia është gjithmonë më e preferuar. Në atë harmoni, ne shohim veprën e Zotit, ne shohim dashurinë e Zotit për njerëzit e vet – përmes veprave dhe fjalëve të Nënës Terezë, në lutjet më të thjeshta, na kujtojnë dritën e ndritshme që vazhdon të udhëheqë botën dhe popullin tonë” deklaroi Dr. Camaj. Ambasador Mal Berisha theksoi në promovim se Nënë Tereza është një nder emrat më të spikatur e më të dalluar që ne si komb i paraqitemi botës. Ne si popull përqafojmë teorinë e “soft power” që do të thotë pushteti i butë, pushteti i shpirtit ku ne i paraqesim botës vlerat tona si komb i vogël. Sipas Ambasador Berishës, diplomacia në rastin e simboleve të veçanta të Kombit shqiptar si Skënderbeu, Kostandini i Madh, katër Papët me origjinë shqiptare të Vatikanit etj, janë figura të përmasave të jashtëzakonshme që na lartësojnë ne si komb. Z.Berisha theksoi domosdoshmërinë e promovimit jo vetëm në diplomaci politike por në çdo kanal tjetër komunikimi të figurave të famshme shqiptare pasi ato janë identitet dhe krenari kombëtare. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku duke qenë se autorja e librit vjen nga bota akademike dhe materia e saj është histori religjioni, libri vjen i plotë dhe i përtypshëm për çdo njeri, te të cilido formimi dhe i detajuar me ngjarje, fakte e interpretime të plota, shtjelluara më së miri tematikat e rëndësishme të jetës së humanistes shqiptare me famë botërore që prej fëmijërisë së saj, misioni religjioz në Indi dhe në shumë vende të ndryshme të botës. “Titulli i librit që unë dua ta them në shqip se më tingullon më bukur dhe e ndiej më afër Nënë Terezen, “Shenjtorja e periferive”, pikërisht këtu ka një filozofi të thellë, pra se si një njeri nga periferitë e botës, një shqiptare për nga origjina e saj arrin të pushtojë botën, jo me luftë, as me shpatë por vetëm me dashuri, urtësi dhe përkushtim ndaj njerëzve në nevojë. Ajo gjatë gjithë jetës asnjëherë nuk hoqi dorë nga veprimtaria e saj e gjërë. Këtu citoj thënien e Nënë Terezës: “Jeta është vetëm një dhe unë dua ta shpenzoj duke mbjellur dashuri deri në ditën e fundit të jetës time që do të marr frymë, kur ne të vdesim do të marrim me vete vetëm valixhen e bamirësisë dhe unë do të kërkoj ta mbush sa të kem mundësi” përfundoi kumtesën e tij studiuesi Dr. Paulin Marku. Profesoresha PhD Ines Murzaku shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe u ndje e vlerësuar nga pjesëmarrja masive dhe interesi për botimin e saj rreth Shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Profesoresha Murzaku u ndal specifikisht te shkrimet që gazeta prestigjioze “New York Times” kishte sulmuar Nënë Terezën duke e quajtur urdhërin e saj fetar si kult. Gazeta “New York Times” kujtoi Profesoresha Ines Murzaku së fundmi botoi një pjesë të opinionit me titull: “A ishte Nënë Tereza një udhëheqëse kulti?” Ai i cilësoi Misionarët e Bamirësisë ( MC ) si kult dhe Shën Nënë Tereza si më shumë një udhëheqëse kulti sesa një shenjtore e Kishës Katolike. Artikulli përmban intervista nga motrat që kanë lënë Misionarët e Bamirësisë dhe tregojnë, ose më mirë, “riciklojnë” historitë e tyre (shumë nga këto histori janë botuar më parë). Rimarketingu i këtyre akuzave të vjetra, të rrëzuara, sipas Profesoreshës Ines Murzaku i jep audiencës një mënyrë të re për t’u mashtruar nga informacioni i vjetër dhe “kultura e anulimit” kërcënon të shkatërrojë reputacionin e një prej grave më të dashura të shekullit XX. Sulmi ndaj Nënë Terezës si udhëheqëse e kultit ngre sipas Profesoreshës Ines Murzaku një pyetje themelore: Si mund të përkufizohen kultet? Ish – anëtarja e MC Mary Johnson pranon në intervistën për podcast se “dikush nuk e di gjithmonë se ku të vendosë kufirin midis fesë dhe kultit”, megjithëse ajo vazhdimisht vë vijën në anën e kultit, kur përshkruan Misionarët e Bamirësisë. Studiuesit nuk pajtohen në përcaktimin e kultit dhe praktikat e rrjedhura të kultit. Disa studiues të shkencave shoqërore sipas profesorësh Murzaku sugjerojnë që të shmanget përdorimi i fjalës në të gjithë literaturën akademike dhe të gjejnë përdorimin mediatik të termit shumë problematik cilësoi Profesoresha Murzaku. Në fund të paraqitjes porositi Prof. Ines Murzaku njësoj si Nënë Tereza: “Bëj gjëra të vogla me shumë dashuri. Fillo nga familja, duaje familjen, pastaj tek komshiu, duaje komshiun. Këtë do të bënte Nënë Tereza. Ajo nuk donte të përzihej me ideologji, nuk donte të përzihej me politikë. Kjo Nënë që edhe nga trupi ishte e vogël, arriti gjëra shumë të mëdha me këtë metodologji. Dhe nga e mësoi këtë? Nga periferia. Ballkani dhe ne si shqiptarë kemi shumë për të ofruar. Ajo i kishte mësuar të gjitha në laboratorin e Ballkanit. Ishte ndeshur me fe të ndryshme, kishte shumë shokë myslimanë, ortodoksë, njerëz të etnive të ndryshme” përfundoi paraqitjen e saj për pjesëmarrësit Prof. Ines Murzaku. Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York deklaroi në promovim se Nënë Tereza nuk u bë e famshme se ishte shqiptare por u bë Shenjtore për atë që ajo i dha njerëzimit. Çdo shqiptar krenohet dhe nderohet për punën e Nënë Terezës. Imam Kukaj u ndal te zgjimi kombëtar i shqiptarëve, rritja e ndërgjegjes fetare dhe atdhetare ku përmendi “Lahutën e Malësisë” si një kryevepër të shqiptarisë dhe At Gjergj Fishtën si atin e saj. Komunistët nuk i lanë shqiptarët në trojet e tyre të njihen me Nënë Terezën, misionin dhe veprimtarinë e saj. Sipas z.Kukaj, Zoti i madh, personave të mëdhenj si Nënë Tereza u jep shpirt, energji, besim dhe forcë të posaçme që ti shërbejnë njeriut. Imam Kukaj u bëri thirrje intelektualëve shqiptarë që të promovojnë Nënë Terezën, Lahutën e Malësisë, persekutimin e klerikëve në komunizëm, qëndresën e klerit me dinjitet e vetmohim, pasi ata ishin njerëz të mëdhenj, shqiptarë patriot të pavdekshëm. “Është krenari e veçantë ti tregojmë botës me veprat tona, me besimin tonë, me punën tonë se kush është Nënë Tereza. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza na tregon se çfarë është sakrifica e humanizmi deri në vetmohim. Nëse Nënë Tereza do ishte gjallë nuk do kishte kaq shumë varfëri në trojet e shqiptarëve. Nënë Tëreza u qëndroi parimeve të shenjta të Zotit. Kjo shenjtore është shembulli ynë më i mirë në botë. Nënë Tereza është shembulli ideal sesi u qëndrohet besnik parimeve të pa ndryshueshme” përfundoi fjalimin e tij Imam Tahir Kukaj. Kandidati për Këshillin Bashkiak të New Yorkut Avokat Aleksander Mici gjatë fjalës në promovimin e librit deklaroi se shqiptarët i dhanë botës një Shenjtore të veçantë, shembull të dashurisë, sakrificës dhe shërbimit ndaj njerëzve. Sipas z.Mici Nënë Tereza u dha dinjitet e shërbim njerëzve pa dallim, deri në vetmohim. Avokat Mici ftoi shqiptarët që të angazhohen më shumë politikisht dhe të jenë vetë përcaktues për fatet e tyre në vendimmarrjen politike të qytetit duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre shqiptarë në këto zgjedhje. Editori i Diellit z.Dalip Greca u ndal te kontributi i shkodranes së ndjerë, humanistes së madhe Lume Juka si motër e devoshme e Nënë Terezës dhe organizimit të Paradës së Shqiptaro dheArberesheve në Avenunë e 6-të në New York që në vitin 69’ ku prijëse ishte Lume Juka, nje nga motrat e perkushtuara te Nene Terezes. Z.Greca u ndal dhe te rëndësia e këtij botimi rreth figurës së shqiptarës së shquar Nënë Tereza. Arkëtari i VATRËS Marjan Cubi u ndal tek ndihma e madhe që ka dhënë për ndërtimin e shtatoreve të Nënë Terezës në Kosovë dhe te jeta e vepra e Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit. Profesori i Muzikës nga Gjilani Izet Kallaba, recitoi një poezi që kishte shkruar për Nënë Terezën dhe i dhuroi Bibliotekës së VATRËS librin e tij të muzikës dhe teksteve të larmishme të këngëve. Studiuesi Prend Qeta u ndal të karakteri shkencor i librit dhe e vlerësoi botimin për Nënë Terezën. Në thelb, botimi “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënë Terezës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve. Për Nënë Terezën Zoti, besa-nderi, mikpritja janë të gjitha cilësi të cilat vijnë natyrshëm për një Shqiptar dhe këto ajo diti me zgjuarsi e vetëmohim t’ja transmetojë gjithë botës. Libri i profesoreshës së Historisë Kishtare dhe themelueses së Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey PhD Ines Murzaku ngjalli shumë interes për të pranishmit e shumtë dhe autorja deklaroi se edhe ajo vetë ishte prekur thellë nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës dhe është në proces të shkrimit të një tjetër libri rreth Shenjtores së madhe shqiptare Nënë Tereza. 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mother Teresa, SHENJTORJA E PERIFERIVE, Sokol Paja

Austria, partner strategjik i Kosovës

June 22, 2021 by dgreca

-Presidentja Osmani: Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërm të Republikës së Kosovës. Diaspora e Kosovës në Austri përbën urë të fortë miqësie ndërmjet dy shteteve/*

PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri, me ftesë të Presidentit austriak, Alexander Van der Bellen,. 

Pas nderimeve më të larta shtetërore, takimin e parë Presidentja Osmani e ka realizuar me Presidentin austriak, Alexander Van der Bellen. 

Të dy bashkëbiseduesit kanë përmendur marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e tyre. Me këtë rast, Presidentja Osmani falënderoi përzemërsisht Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë.

“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit me Presidentin Van der Bellen.

Duke u fokusuar te mundësitë e reja për bashkëpunim, përveç bashkëpunimit në fushën e investimeve ekonomike, arsimit, si dhe bashkëpunimin kulturor, Presidentja Osmani theksoi se fokus i veçantë i kësaj vizite është edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të Agjendës së Gjelbër.

Presidentja Osmani ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Në lidhje me Dialogun, Presidentja Osmani ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktual.

Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Gjatë qëndrimit në Austri, Presidentja Osmani do të takoj edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Është paraparë një takim me  Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërsa në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit.

Per me shume fotografi shihni ne Facebook: Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Alexander Van der Bellen, Presidentit austriak, Presidentja Vjosa Osmani

KRYETARI I VATRËS, NË MBËSHTETJE TË KANDIDATIT PËR KONGRES COLIN SCHMITT

June 22, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA- DIELLI/

Të Hënën më datë 21 Qershor 2021 në New York, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt mbështetën fuqishëm kandidatin për Kongres Colin Schmitt. Patriotë shqiptaro-amerikanë, miq, të ftuar, biznesmenë, media, specialistë fushatash elektorale, lobues dhe përfaqësuesit më në zë të komunitetit shqiptar në New York dhe jo vetëm, organizuan një mbrëmje festive të udhëhequr nga kryetari i VATRËS z.Berisha në mbështetje të pakursyer ndaj kandidatit për Kongres Colin Schmitt i cili kandidon në Zonën 18-të New Jorkut. Takimi i shumëpritur ishte shumë emocionues për vlerësimin që kandidati për Kongres Colin Schmitt kishte për shqiptarët të cilëve u premtoi se tek ai do të kishin një mik dhe një zë të fuqishëm në Uashington. Mbështetja për kandidatin Colin Schmitt është një shenjë vlerësimi dhe respekti që kandidati për Kongres Schmitt ka ndaj komunitetit Shqiptaro-Amerikan, tha z.Berisha i cili siguroi se kjo kandidaturë është e duhura për të ringritur jo vetëm zonën lokale por edhe ekonominë kombëtare. Fitorja e z. Schmitt tha kryetari i VATRËS do të përkthehet në një sukses të madh edhe për shqiptaro-amerikanët. Kandidati për Kongres Colin Schmitt në hapje të takimit elektoral u ndal te platforma e tij elektorale ku në themel të programit janë: Rehabilitimi i ekonomisë lokale e rajonale, krijimi i vendeve të punës, forcimi i sigurisë së jetës, përkrahja ndaj policisë dhe organeve ligjzbatuese dhe rritja e sigurisë publike. “Shqiptarët do ta kenë zërin e tyre të fortë në Uashington. Unë do të loboj fuqishëm për çështje shqiptare në Uashington. Unë do ta mbështes pavarësinë e Kosovës dhe do loboj që Kosova të njihet dhe nga ato shtete që ende nuk e kanë njohur. Tek unë do keni një mik të madh dhe një lobues të fortë. Nëse fitoj, të gjithëve ju që jeni këtu sonte do u ftoj në betimin tim në Kongres. Nuk do ju braktis kurrë dhe do jem përherë në krahun tuaj. Na duhet një komb i bashkuar, jo një komb i ndarë. Amerika nuk ka nevojë për politika socialiste që shkatërrojnë vendin por për vende pune, zhvillim ekonomik dhe sigurinë e fortë publike” tha ndër të tjera kandidati për Kongres Colin Schmitt. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha pasi falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë shqiptaro-amerikanë ndër të tjera tha: “Është koha të ringrihemi. Është koha të mendojmë për familjet tona, për ekonominë tonë, sigurinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Miku im Colin Schmitt është kandidati i duhur për të ardhmen, një mik i shqiptarëve, do ta forcojë lidhjen e miqësisë shqiptaro amerikane. Te kandidati për Kongres Colin Schmitt shohim një investim amerikan afatgjatë për çështjen shqiptare. Shqiptarët i dedikojnë një mirënjohje të thellë Administratës Amerikane që nga koha e Presidentit Uillson 100 vjet më parë e deri më sot. Mirënjohje Presidentëve Bush, mikut të madh të shqiptarëve Bob Dole e mbështetësve të panumërt që shqiptarët kanë pasur në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nëse s’do kishim mbrojtjen dhe mbështetjen e Amerikës, ne nuk do ekzistonim si shtet e mbase as si komb” u shpreh kryetari i VATRËS. Takimi u mbyll me një darkë solemne të shtruar nga kryetari  z.Elmi Berisha me premtimin e mbajtjes së një miqësie të fortë të kandidadit për Kongres Colin Schmitt me shqiptaro-amerikanët të cilët i vlerësoi dhe i quajti faktor shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje. 

Filed Under: Featured Tagged With: Colin SCHMITT, Elmi Berisha, Mbeshtetje

KOSOVE- Promovohet rrëfimi trilogjik “Kthimi” i autorit Dodë Gjergji

June 19, 2021 by dgreca

Me tingujt e pianos dhe të violinës  kënga “Songs my Mother tought me”, të interpretuar nga studentët e akademisë së muzikës Anamarija Nulleshi dhe Mal Limani, filloi manifestimi kulturor i promovimit të rrëfimit trilogjik “Kthimi” i autorit Dodë Gjergji, në pranin e miqve e dashamirëve të librit në Qendrën Bogdanipolis, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Manifestimi i organizuar nga Shtëpia Botuese “Drita”, botuese e kësaj trilogjie, në bashkëpunim me botimet “55” të Tiranës, u përshëndet nga botuesit, z. Don Fatmir Koliqi, drejtor i Dritës, i cili e cilësoi “Kthimin” një vademekum të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor, që do të mbetet i tillë për kohë të gjatë, dhe falënderoi bashkëpunëtorët e tij që e kanë realizuar këtë vepër, posaçërisht z. Valdet Hashani, për pikturat e ballinës, Gojart Sejdiun për dizajnin dhe shtypshkronjën, ndërsa z. Fahri Balliu, përgjegjësi i “55”, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e botimit të kësaj vepre të rëndësishme që bartë mesazh për rilindje në identitet dhe për të vërtetën e shqiptarëve.

Në pjesën e përshëndetjes ishin përfaqësues të bashkësive fetare që përgëzuan me fjalë këtë festë të kulturës; kryegjyshi botëror dhe kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Sh. T. Haxhi Edmond Brahimaj, pastori z. Fehmi Cakolli, kryetar i Unionit të Kishave Protestante Ungjillore të Kosovës dhe SH. T. Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension.

Pas këtyre fjalëve miradije e dashamirësie dhe këngës “Ave Maria” e kënduar nga vokalistja Ekzona Hoxha, e shoqëruar në piano nga Anamaria dhe Mali në violinë, u bë prezantimi i rrëfimit nga dy shkrimtar të njohur të letrave shqipe.  

I pari prezantues ishte z. Gani Mehmetaj, shkrimtar, publicisit, laureat i çmimit letrar “Kadare 2021” për romanin e tij “Zogjtë e qyqes”, i cili vlerësoi se “Romani “Kthimi” i Dodë Gjergjit, në tri vëllime që autori e quan rrëfim, me temën e vet është ndër veprat më tronditëse për shpirtëri e tragjedi në një cep të Dardanisë. Por është edhe rrëfim për të kaluarën dhe të tashmen tonë: identitetin kombëtar e shpirtëror, fatin e fatkeqësinë. Kush jemi dhe kush ishim? Rrëfimi të mbanë pezull, është dinamik, shpalon pjesë nga historia jonë e dhimbshme, ka një galeri protagonistesh, fatet e të cilëve ndërthuren, ka shumë detaje të njohura e më pak të njohura, ka dramën që zhvillohet para teje me shpejtësi filmi.” Kumtesën e plotë të z. Ganiut mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/2021/06/18/roman-per-burrat-e-beses-martiret-e-kardakut/.

Prezantuesi i dytë ishte shkrimtari i njohur z. Ibrahim Kadriu, autor me më shumë se 40 vepra letrare, i cili e konsideroi veprën “Kthimi” si roman të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv për rrënjët identitare të popullit tonë. Edhe kumtesën e tij të plotë mund ta lexoni në këtë link:   http://www.drita.info/2021/06/18/roman-i-ndergjegjesimit-individual-dhe-kolektiv-per-rrenjet/

Këtë festë të librit e pasuruan një grup i studentëve të Pastoralit studentor të Prishtinës, të cilët kënduan këngën “Mos u tremb”, të shoqëruar në piano nga Don Shtjefën Dodes.

Në fund të prezantimit, foli edhe autori Dodë Gjergji, i cili falënderoi bashkëpunëtorët e tij që e kanë inkurajuar dhe mbështetur, kurse prezantuesit për fjalët vlerësuese për veprën e tij.

Krejt në fund ishte e rezervuar një kohë për diskutim dhe pyetje nga pjesëmarrësit, nga audienca.  Kjo festë e bukur e librit, e cila u transmetua livestreaming në faqen e Dritës në facebook dhe nga mediet tjera të vendit tonë, përfundoi me një koktej rasti në Agorá të Qendrës, gjatë së cilës pjesëmarrësit kanë uruar autorin dhe kanë patur mundësi të marrin firmën e tij./drita.info

Filed Under: Featured Tagged With: “Kthimi”, i autorit Dodë Gjergji, KOSOVE- Promovohet, rrëfimi trilogjik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT