• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Uashingtoni paralajmëron protestuesit të mos sjellin armë dhe të mos provokojnë dhunë

January 5, 2021 by dgreca

Kryebashkiakja Muriel Bowser./

Zyrtarët e qytetit në Uashington i paralajmëruan të hënën mbështetësit e Presidentit Donald Trump që të mos sjellin armë në protestat e kësaj jave kundër çertifikimit nga Kongresi të humbjes së tij, ndërsa janë thirrur për ndihmë edhe trupat e Gardës Kombëtare për të ruajtur rendin.

“Kemi marrë disa informacione se ka individë që synojnë të sjellin armë në qytetin tonë dhe kjo nuk do të tolerohet,” tha për median Shefi i Policisë Metropolitane Robert Contee, ndërsa shtoi se ata që do të bënin një gjë të tillë, ose që të provokonin dhunë, do të arrestohen.

Më shumë se 300 trupa do të mbështesin qeverinë e qytetit, duke siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmuar shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësve, thuhet në një deklaratë të Gardës Kombëtare të Uashingtonit. Në përpjekje do të marrin pjesë edhe forcat e rendit nga disa agjenci federale dhe shtetërore, tha zoti Contee.

Kryeqyteti amerikan ka disa nga ligjet më të rrepta për armët dhe ndalon mbajtjen hapur të armëve ose mbajtjen pa leje të pistoletës.

Mijëra mbështetës të zotit Trump, përfshi disa nacionalistë të ekstremit të djathtë, që kanë mbajtur hapur armët në protesta në vende të tjera, pritet të bashkohen në kryeqytetin amerikan duke filluar nga e marta për të kundërshtuar çertifikimin nga Kongresi të mërkurën të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga demokrati Joe Biden.

Zoti Contee tha se protestat mund të jenë më të mëdha se ato të nëntorit dhe dhjetorit, gjatë të cilave pati përleshje me thika dhe përplasje të tjera, ndërsa qindra pjestarë të grupit “Proud Boys” që e cilësojnë veten “shovinistë perëndimorë” dhe besnikë të tjerë të zotit Trump, u përleshën me kundër-protestuesit dhe kërkoni të përlesheshin me aktivistë të “antifës”(anti-fashistët) dhe aktivistë të lëvizjes “Black Lives Matter”.

Të hënën, policia metropolitane arrestoi udhëheqësin e grupit “Proud Boys”, Henry “Enrique” Tarrio dhe ngriti akuza ndaj tij për shkatërrim prone në lidhje me një protestë të mëparshme. Tarrio kishte në zotërim dy karrikatore me kapacitet të lartë në kohën e arrestimit, tha policia ndërsa ngirit akuza edhe për këtë rast.

TRUMP DO TË FLASË NË TUBIM

Presidenti Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në tubimet e kësaj jave, duke shkruar në Twitter të dielën se, “Do të jem aty” dhe të premten shkroi “Do të jetë e madhe”. Disa tubime janë planifikuar për të mërkurën, përfshi një pranë Kongresit amerikan.

Shtëpia e Bardhë nuk ka ofruar ndonjë agjendë zyrtare, por një individ i informuar mbi planet tha se Presidenti Trump do të flasë para mbështetësve me 6 janar në parkun që ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti pretendon në mënyrë të gabuar se zoti Biden i fitoi zgjedhjet përmes manipulimit masiv të votave, edhe pse dhjetëra vendime gjykatash federale dhe shtetërore, zyrtarë shtetërorë të zgjedhjeve nga të dy partitë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë gjetur ndonjë mashtrim të madh.

Në bazë të kushtetutës Kongresi duhet të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, në atë që normalisht do të ishte një formalitet i mbikëqyrur nga Zëvendës Presidenti Mike Pence.

Por të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 ligjvënës republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve janë zotuar të votojnë kundër çertifikimit të fitores së zotit Biden, duke cituar pretendimet e Presidentit Trump për mashtrime zgjedhore.

Përpjekja e tyre nuk do të ndryshojë rezultatin, tha në një konferencë shtypi Kryebashkiakja demokrate e Uashingtonit Muriel Bowser.

“Kushtetuta jonë do të qëndrojë. Joe Biden dhe Kamala Harris do të jenë presidenti dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara kur të inaugurohen me 20 janar”. Zonja Bowser u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit, ku dritaret e zyrave, restoranteve dhe hoteleve janë ende të mbuluara me dërrasa që nga protestat e verës kundër dhunës racore.

Para arrestimit të tij, Tarrio i grupit “Proud Boys” tha në median sociale se një numër rekod anëtarësh do të marrin pjesë, duke sugjeruar se ata mund të vishen me të zeza sikurse aktivistët e antifës. “Ne do të jemi të panjohur dhe do të shpërndahemi në qendër të Uashingtonit në grupe të vogla,” tha ai.

Hoteli Harrington dhe restoranti Harrys përkarshi, të frekuentura nga pjestarë të grupit “Proud Boys” gjatë protestave të mëparshme, do të mbyllen të martën dhe të mërkurën. “Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë ndodh jashtë hotelit, ne po ndërmarrim hapa shtesë për të mbrojtur sigurinë e vizitorëve, mysafirëve dhe punonjësve tanë,” thuhet në faqen e hotelit në internet.(Marrë nga Reuters– kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Kryebashkiakja Muriel Bowser, Paralajmerimi

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË KROACI

January 5, 2021 by dgreca

Melita Oreskovic, mësuese e Gjuhës Shqipe në Kroaci, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Kroaci nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Melita Oreskovic bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË KROACI

Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Kroaci është i inkuadruar në sistemin arsimor të Kroacisë dhe zhvillohet sipas modelit C, është lëndë në sistemin e arsimit tetëvjeçar dhe të mesëm. Në shumicën e shkollave mësimi mbahet ditën e shtunë 4-6 orë mësimore me 3 nivele, në grupe heterogjene, ndërsa në 3 shkolla mbahet gjatë ditëve të tjera të javës duke iu përshtatur orarit mësimor të nxënësve. Librat e mësimit shqip sipas dy botimeve i ka mundësuar ish Ministria e Diasporës së Kosovës dhe tani Qendra e Botimeve për Diasporën të Shqipërisë.  

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE

Mësimi mbahet në 17 shkolla, në qytetet e Zagrebit, Velika Goricës, Rijekës, Bjellovarit, Osijekut, Karllovacit, Zarës, Pullës, Medulinit, Rovinjës, Pozhegut, ku japin mësim 7 mësues. Numri i nxënësve që ndjekin mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare është i vogël. Numri total i shqiptarëve në Kroaci është 17. 513, ndërsa numri i nxënësve që ndjekim mësimin është vetëm 7% e numrit të nxënësve shqiptarë të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme. Shkollat shqipe përgatisin nxënësit në drejtim të përvetësimit të gjuhës ametare shqipe, të njohjes së historisë së shqiptarëve, të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor e trashëgimisë kombëtare sipas kurrikulës së mesimit shqip në diasporë, të hartuar nga ministritë e arsimit të Shqipërisë e Kosovës. Fillimet e para të mësimit shqip në Kroaci janë më të hershme, datojnë në vitet 1901-1903 në Shkollën Normale e Shkollën Femërore të Arbëneshit të Zarës dhe kanë dhënë mësim Pashk Bardhi, Shtefen Gjeçovi, Antun Paluca, Nikolla Rrota e Pal Gjergji. Ndërsa sot në Arbënesh të Zarës dr.sc. Maximiljana Barančić punon që gjuha arbëneshe, e cila rrezikohet të humbasë, mos të zhduket e të trashëgohet në breza, profesorja iu mëson femijëve gjuhën arbëneshe në kursin që ajo organizon prej disa vitesh në Zarë. Mësimi i gjuhës shqipe në Kroaci në shekullin e XXI ka filluar prej vitit 1992 në Zagreb dhe më pas edhe në qytetet e tjera dhe është organizuar nga Unioni dhe bashkësitë shqiptare në Kroaci për shumë vite me rradhë. Ndërsa prej vitit 2008 filloi mësimi i gjuhës shqipe e kulturës shqiptare në shkollat tetëvjeçare dhe në vitin 2016 filloi në gjimnazin e Zarës.

MËSIMI SHQIP SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË KROACI.

Frekuentimi i mirë nga nxënësit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe sipas modelit C sigurisht që ndihmon në mësimin e gjuhës amëtare. Kur mësimi organizohet në nivelin e duhur metodik nuk shkakton mbingarkesë mendore për nxënësit. Gjithashtu veprimtaritë jashtëkurrikulare, dramatizimet, lojrat popullore, ekskursionet në vendlindje dhe veprimtarite e tjera festive e argëtuese shërbejnë si shlodhje për nxënësit, por dhe i mundësojnë atyre që të vazhdojnë të komunikojnë në gjuhën shqipe. Identitetin kombëtar tek nxënësit tanë vazhdojmë ta kultivojmë duke organizuar projekte si: “Sport, festë-traditë”; “Të luajmë së bashku”; Shfaqjet teatrale: “Çimi dhe roboti budalla”, “Djali dhe shqiponja”, “Kthimi i Skenderbeut në Krujë”; Pjesëmarrje e manifestimet e pakicave kombëtare; Shënimet e 7-8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amëtare, festat kombëtare e tjerë. 

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË KROACI

Kroacia është një nga shtetet më të përparuara që me ligj kushtetues garanton të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, përkatësisht sipas nenit 7 e 11 të Ligjit Kushtetues për të drejtat e pakicave kombëtare të Republikës së Kroacisë, garatohet dhe e drejta e pakicave kombëtare për edukim e arsimim në gjuhën amtare. Në Kroaci nga 22 pakica kombëtare të njohura, 10 prej tyre kanë të organizuar mësimin e gjuhëve amëtare në kopshtet e fëmijëve, shkollat tetëvjeçare dhe të mesme. Mësimi financohet nga shteti kroat nëpërmjet Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit. Pakicat kombëtare janë një pasuri me vlerë në Kroaci dhe multikulturalizmi është i pranishëm pothuajse në të gjitha prefekturat e veçanërisht në kryeqytetin e Zagrebit. 

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË KROACI

Shqiptarët në Kroaci kanë ardhur në periudha të ndryshme, në kohën e sundimit Venedikas, sundimit Osman prej rrethinave të Shkodrës në Zarë, më vonë në kohën e Jugosllavisë për arsye ekonomike e politike emigruan prej Kosovës e Maqedonisë. Shqiptarët janë të integruar në jetën ekonomike, kulturore, politike e shoqërore kroate. Shumica janë zejtarë, biznesmenë, punëtorë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë intelektualët shqiptarë: ekonomistë, profesorë, gazetarë, aktorë, mjekë, juristë, mesues e tjerë, që gëzojnë respektin e shoqërisë kroate. Jetën kulturore të shqiptarëve e mbushin edhe shoqatat aktive shqiptare që krijojnë dhe promovojnë kulturën e vërtetë shqiptare, artin bashkëkohor në Kroaci me profesionalizëm si: Klubi i femrave shqiptare “Mbretëresha Teuta”; Shoqata Teatrale Shqiptare “Mërgimtari”- Teatri Shqiptar, ndërsa shoqatat e tjera kontribuojnë në festimin e festave kombëtare.  

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR SHQIPTARËT E USA

Shqiptarëve të USA-ës, si dhe gjithë bashkatdhetarëve iu dretohem që të mos harrojnë vendin e tyre, të mos harrojnë gjuhën, të trashëgojnë ndër breza gjuhën, kulturën, traditat, zakonet, doket, por edhe të jenë krijues, të prezantojnë në vendin ku jetojnë më të mirën e kulturës dhe artit shqiptar, të mbeshtesin autorët dhe krijuesit e diasporës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Melita Oreskovic, Shkollat shqipe Kroaci, Sokol Paja

Përgjithmonë mirënjohje për Kongresistin Eliot Engel

January 4, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/ Kongresisti dhe miku i madh i shqiptarëve, njëri prej mbështetevse më të dalluar në Kongresin amerikan të të drejtave të shqiptarëve kudo, Eliot Engel, i dha fund karierës së tij politike në Washington, si anëtar i Kongresit dhe Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme, pas 32 vjetësh në Kongresisn e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16 mandate nga votuesit në zonën elektorale numër 16 në New York , për herë të parë në moshën 41 vjeçare.

Në fjalimin e tij lamtumirës që e mbajti në Kongres me 17 dhjetor, Eliot Engel tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar dhe veçanërisht, vitet e fundit, si kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kongresit. Ai, në fjalën e tij, rrëfeu se kur e kishte filluar karieren e tij në Kongresin amerikan, në vitin 1989, Kryetari i atëhershëm i Kongresit, Tom Foley, i kishte kërkuar që të jepte tri preferencat e tij se në cilin komision të Kongresist do të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjiga e tij kishte qenë se dëshironte vetëm të shërbente në Komisionin e Jashtëm të Kongresit, me shpresë se, eventualisht, do të caktohej anëtar i këtij komisioni.

Ai tha se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për çështje ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Ai tregoi se gjyshërit dhe gjyshet e tij ishin imigrantë nga Ukraina, të cilët kishin emigruar në Amerikë për të shpëtuar jetët e tyre dhe të familjes, përndryshe me siguri do të ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.

“Amerika ka qenë dhe është një strehim për njerëzit e vuajtur”, theksoi Engel.

Ai kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ditët studentore në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur mësonte për Amerikën, si një fener i lirisë dhe demokracisë në botë, për të luftuar dhe për të kundërshtuar regjimIn dhe ideologjinë komuniste shtypëse. Por, bindjet e tij u formuan gjatë viteve të rinisë së tij nga babai i tij, një antikomunist i përbindur.

Engel tha se ka besuar dhe beson se Amerika mundet dhe duhet të jetë një forcë për të mirën në botë dhe se beson bindshëm në vlerat amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, kudo në botë.

Ishin këto vlera dhe bindje që në vitin 1989 e bënë kongresistin e ardhshëm që të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në fjalimin e tij lamtumirës në Kongres, Zoti Engel përmendi shumë nga arritjet dhe sukseset në karierën e tij 32-vjeçare në fushën e politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme, duke e filluar listën e gjatë me interesimin dhe veprimtarinë e tij për çeshtjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare, për të cilën qysh prej fillimit mendonte të luante një rol “për të ndryshuar gjendjen” për të mirë atje, siç u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, z. Engel e përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Harry Bajraktari, njeriun që e kishte njoftuar për gjendjen e rëndë në Kosovë, në atë kohë, njeriun që e njohu me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet ky që do t’i qëndronte pranë dhe do ta mbështeste deri në ditën e fundit të karierës së tij.

Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë në krye të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.

“Unë gjithmonë e kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin, në veçanti për Kosovën”, nënvijoi z. Engel, në fjalimin e tij lamtumirës, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Në vitin 1999, unë e kam mbështetur fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje që tashmë e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam vazhduar të jem një kampion i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës.

  1. Engel i tha gazetës “The Washington Post“ se angazhimi i tij për Kosovën ishte angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”.

Në qoftë se më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pasur nderin dhe privilegjin ta njihja nga afër, por edhe të punoja me z. Engel dhe me stafin e tij, sidomos gjatë kohës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve më të vendosur dhe më parimorë të Kongresit amerikan kur vinte puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi.

E kam thënë edhe herë të tjera se është e vërtetë se, sidomos gjatë 50 vjetëve të fundit, shqiptarët kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga të dyja partitë kryesore – republikanë e demokratë – nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur ta vemë në dukje, nga koha në kohë. Por, mund të them me bindje të plotë se, asnjë politikan amerikan tjetër, me gjithë qëllimet e mira dhe punën e tyre të mirë që kanë bërë për shqiptarët ndër vite, nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh – si një kauzë të tij morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, si çështje të lirive dhe të drejtave themelore dhe të dinjitetit njerëzor.

Thonë se mënyra më e mirë që ta njohësh dikë është të udhëtosh me të. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC), gjatë mandatit tim, kishte vendosur që së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel të bënte një turne në trojet shqiptare, për t’u njohur më mirë me problemet e shqiptarëve në trojet e veta. Vizita, e vetmja e këtij lloji për të cilën gazeta Illyria e Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me udhëheqësit shqiptarë, i pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi, nga data 2 deri më 10 korrik 2005. Në atë kohë, Kongresisti Engel e kryesonte grupin e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus) me anëtarë demokratë dhe republikanë. Duke u këthyer nga vizita që bëmë në trojet shqiptare, ndodhi që, në në fund të vizitës, në Aeroplan në rrugë për në Nju Jork të isha vetëm unë me Zotin Engel dhe me djalin e tij, ashtu që pata mundësi të bisedoja gjerë e gjatë për hallet tona, në një atmosferë më të relaksuar dhe joformale. Më kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pakursyer, sidomos për marrëdhëniet e KKSHA-s me Kongresin, duke më thënë se zyra e tij ishte e hapur për mua, si drejtor i NAAC-ut, dhe se stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin tim, kurdo që të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.

Fatkeqësisht, me largimin e kongresiststit Eliot Engel nga Kongresi, interesat dhe çështjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues të nivelit dhe të interesimit siç ishte Eliot Engel për 32 vjet. Me largimin e z. Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara humbin shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm sepse ai i njihte mirë punët e Ballkanit, por sepse kishte vërtet një përafërsi me shqiptarët dhe një përkushtim të madh ndaj të drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave. Mungesa e tij në Kongres, shtron nevojën urgjente për një ndërmarrje të re të komunitetit shqiptarm si edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që të bëjnë një shqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë largimi i zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, një boshllëk që mund të ketë pasoja serioze për situatën e përgjithshme në Ballkan dhe për marrëdhëniet deri tani të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe dy shteteve shqiptare.

Thank You, Congressman Engel, për gjithë ndihmën që keni dhënë dhe për kujdesin që keni treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tri dekadave të kaluara!

Falënderime dhe mirënjohje përgjithmonë, z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të drejtat e Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta shekullore!

Falënderimet tona të përjetëshme dhe mirënjohja jonë e përgjithmonëshm për Ju, z. Engel!

Faqja e parë e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005

Kronika e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005 për vizitën e delegacjonit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) dhe Kongresistit Eliot Engel

Eliot Engel ne pritje te Ibrahim Rugova, 2005

Eliot Engel në Kuvendin e Kosovës, 2005

Eliot Engel në takim me Sali Berishën, 2005

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, Frank shkreli, Mirenjohje

Në drejtimin e Vatrës Shqiptaret në Jacksonville Florida festuan ndërrimin e viteve

January 4, 2021 by dgreca

Nga Lek Gjoka/ Jacksonville- Florida/

Ishin orët e fundit të 2020. Viti me i trishtë për gjithë njerëzimin në shekullin e XXI-të. Një virus që shpertheu në Kinën komuniste me shpejtësi u përhap në planetin tokë dukë ngujuar miliarda banorë dhe shkaktuar mbi 1 milion e 800 mije të vdekur,në SHBA mbi 351 mije te vdekur. Lajmet e mira për nisjen e vaksinimit të coronavirusit sikur kanë kthyer pak buzëqeshje njërëzore. Ndërrimi i viteve është një festë tradicionale ku një pjesë e festojnë në familje, një pjesë nëpër restorante e dikush nepër sheshe koncertesh por ky vit ndryshoi gjithçka. Dega e Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA” në Jacksonville Florida nën drejtimin e kryetarit të saj Adriatik Spahiu u mundua që të sjellë pak buzëqeshje shpirtërore ku në restorante MandalounMediterraneanCuisine mblodhi dhjetëra shqiptarë për të festuar ndërrimin e moteve. Hareje e kesaj natë u shtua me pjesmarrjen e këngëtares se talentuar GretaTafa dhe dj Serafin Daka. Pronari i restorantit MandalounMediterraneanCuisine falenderoi z. Adriatik Spahiu dhe të gjithë pjesmarrësit që zgjodhen restorantin e tij për festimin e festes së vitit të ri dukë ndihmuar edhe financiarisht në këtë kohë pandemie restorantin e tij. Me pas Zoti Spahiu falenderoi pjesmarrësit si dhe ngullëlloi familjen Miloti për ndarjen nga jeta nga coronavirus familjarin e tij 52 vjeçar i cili erdhi me vizë turistike tek i vëllai dhe tani po kthehet i vdekur në Shqipëri. Por jeta vazhdon dhe do të vazhdojë.

Vallja sikur e fshehu përkohësisht trishtimin e sjellë nga ky virus dhe dukej se gjithçka po ecte në të njëjtat shina të jetës si dikur. Këngëtarja GretaTafa i entuziazmoi dhe i gezoi pa masë të pranishmit sepse megjithëse është nga Jugu interpretoi plot talent këngët shkodranë, tiranëse,tropojanë, kosovare etj.,duke sjellë një copëz aromë Shqipërie mu në mes të Floridës. Orët vraponin, ku dukej sikur 2020 dontë të largohej sa me shpejt si një vit i trishtë dhe pa e kuptuar erdhi mesnata. Viti i ri 2021 trokiti plot gëzim ku të gjithë të pranishmit tokën gotat me shampanjë dukë uruar njëri-tjetrin për një vit të ri me suksese të mëtejshme familjare. Minutat e 2021 sikur e ndaluan disi vrapin.Vallja nuk dinte të lodhej. Edhe të pranishmit nuk donin të largoheshin nga vallet e hareja sepse iu dukej shpirtërisht sikur ishin në vendlindje. Dhe ja erdhi 2021. Shqiptaret në Jacksonville Florida dukë falenderuar Vatren dhe kryetarin e saj festuan plot gezim ndërrimin e mot moteve duke shpresuar që coronavirusi të zhdukej dhe jeta të kthehet përsëri në shinat e dikurshme të  udhëtimit jetesor .

Lek Gjoka

Jacksonville Florida

Janar 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Lek Gjoka, Vatra Jacksonville, Viti I Ri 2021

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË KANADA

January 4, 2021 by dgreca

Dr. Adriana Fishta Bejko, Ambasadore e Kombit, Sekretare e Pёrgjithshme e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs, mësuese e Gjuhës Shqipe në Kanada, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Kanada nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Dr. Adriana Fishta Bejko bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË KANADA

Si unё ashtu edhe kolegёt e mi tё nderuar qё punojnё pёr ruajtjen e gjuhёs sonё u jemi shumё mirёnjohёs bashkёkombёsve tanё qё n’a japin njё besim tё tillё duke shtuar emrat tonё nё listёn shumё dinjitoze tё Rilindasve tanё qё luftuan pёr kёtё gjuhё “perёndije”. Ne e kemi marrё kёtё detyrё me shumё pёrgjegjёsi dhe seriozitet, megjithёse jemi tё bindur qё nuk ёshtё e lehtё pёr shumё arsye – shkollave shqipe nё diasporё u mungon njё strukturё e unifikuar shkencore, didaktike dhe linguistike pёr faktin qё deri tani pёrvoja ka qenё, pa dyshim, mbi baza patriotike por amatoreske, dhe me shumё “folklorizёm” nё mёsimdhёnie, plane mёsimore, tekste etj. Vihet re njё mungesё e theksuar bashkёpunimi nё mes tё institucioneve pёrkatёse nё tё dy vendet tona, Shqipёri dhe Kosovё. Qeveritё tona kanё tendencёn t’i marrin gjёrat pak “shtruar”, por koha nuk pret; gjёndja e mёsimit tё gjuhёs shqipe nё diasporё ёshtё laramane, mёsimi i shqipes nё shumё raste nuk ёshtё prioritet pёr prindёrit, etj. Tё gjitha kёto e bёjnё njё rrezik real asimilimin e brezit tё dytё dhe brezit tё tretё tё fёmijёve tanё. Duke u mbёshtetur nё sa mё sipёr, edhe shkollat shqipe nё Kanada (atje ku ekzistojnё) janë kryesisht falё dёshirёs sё mirё tё bashkёatdhetarёve patriotё tё cilёve u qan zemra pёr vendin Amё dhe gjuhёn tonё. Situata ёshtё shumё e ndryshme nё provinca tё ndryshme tё Kanadasё. Pёr shёmbull, nё Ontario, gjuha shqipe konsiderohet si gjuhё e dytё dhe qeveria u siguron edhe lokalin edhe i paguan mёsuesit e gjuhёs shqipe. Por nё nёntё provincat e tjera qeveria Kanadeze nuk jep asnjё lloj mbёshtetje dhe ҫdo gjё organizohet nga shoqatat Shqiptaro-Kanadeze.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Nga informacionet jo shumë të sakta qё kam, di qё shkolla ka nё disa qytete nё Ontario, nё Calgary, nё Halifax, nё Winnipeg, nё Regina, por fatkeqёsisht nё disa qytete tё tjera shoqatat me gjithё pёrpjekjet e tyre janё detyruar t’i mbyllin shkollat pёr mungesё pjesmarrje. Ky ёshtё njё fakt shqetёsues qё po e hasim jo rrallё nё Kanada. Mund tё flas mё konkretisht pёr shkollёn tonё nё Calgary. Shkolla shqipe “Foleja e Shqiponjave” nё Calgary ёshtё organizuar mbi baza shkencore dhe didaktike nga mё tё mirat dhe ka njё mbёshtetje tё mrekullueshme nga bordi i shoqatёs me kryetar Ilir Kuqin. Puna e shkollёs drejtohet nga njё bord me bashkëatdhetarё tё mrekullueshёm dhe tё specializuar nё fushёn e arsimit, tё cilёt marrin pjesё nё kёtё forum pёr tё shërbyer dhe jo pёr fjalё boshe. Bashkёpunimi model i kёtij bordi ka sjellё si rezultat faktin qё ne punojmё me njё Plan Mёsimor Kornizё tё detajuar pёr ҫdo javё dhe temё mujore, Librin e Prindit, Librin e Mёsuesit, Gazetёn e Shkollёs, etj. Pra, pavarёsisht se numri i nxёnёsve ёshtё i vogёl, struktura ёshtё e kualifikuar si pёr njё shkollё me 500 fёmijё. Edhe shkolla jonё po e vuan mungesёn e interesit tё prindёrve dhe sidomos kёto kohёt e fundit. Gjёndja e Covid-19 n’a detyron qё pёr kёtё vit mёsimi tё bёhet online dhe ne tё jemi krijues nё mёsimdhёnie. Risitё pёr kёtё vit janё: Mёsimdhёnie cilёsore dhe me synime pedagogjike e gjuhёsore tё matshme dhe tё qarta nё kushtet e mёsimit online; Si rezultat i sponsorizimit tё shkollёs nga dyqani BestBuy, qё n’a sjellё kompjutera, softwere dhe vullnetarё, do t’a kthejmё mёsimin nё baza digjitale, fakt qё do tё tёrheqё mё shumё fёmijё dhe do tё japё rezultate mё tё mira. Mёsuesit do tё pёrgatisin plane mёsimore tё detajuara dhe me objektiva tё qarta pёr ҫdo orё mёsimi dhe do tё shfrytёzojnё platforma digjitale si “school me” etj.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË KANADA

Ruajtja e identitetit ёshtё e lidhur nё mёnyrё tё pazgjidhshme me ruajtjen e gjuhёs shqipe. Për këtë mua nuk më zë gjumi sepse diaspora e re rrezikohet seriozisht nga asimilimi. Diaspora e vjetër e ka ruajtur me dinjitet identitetin shqiptar në kushte shumë më të vështira se sa sot. Një shëmbull i mrekullueshëm për ruajtjen e identitetit në diasporë është komuniteti arbëresh në Itali. Ky komunitet daton në shekullin e XV kur tokat e tyre u pushtuan nga otomanët dhe ata ikën si refugjatë në perandorinë e Napolit. Megjithatë, fshatrat arbëreshe në Itali ruajnë edhe sot gjuhën dhe traditat, 600 vjet pas largimit të tyre dhe janë krenarë për gjakun e tyre shqiptar. Edukimi i fëmijëve fillon në familje dhe mësuesi i parë është prindi. Eshtë fatkeqësi e dyfishtë kur prindërit u flasin vetёm gjuhën e vendit pritës fëmijëve. Kjo për faktin që disa prindër pretendojnë se duhet t’i flasin (pёr shembull) anglisht fëmijëve që t’i ndihmojnë të “integrohet” në shkollat kanadeze. Miq të nderuar, ju dua dhe ju respektoj, por mos e gënjeni veten me ëndrra të tilla në diell. Si specialiste dhe studiuese shkencore e anglishtes ju njoftoj se niveli i anglishtes tuaj (të mësuar pa shkuar në kurse akademike) mund të mjaftojë vetёm për të mbijetuar në komunikimin e përditshëm, por nuk është gjuha akademike që fëmijët duhet të përdorin në shkollë. Prandaj, duke u folur fëmijëve me një anglishte “të ҫalё” e me shumë gabime, në vend që t’i ndihmoni, në fakt i dëmtoni. Ajo që është edhe mё e dhimbshme, është fakti që fëmijët tanë humbasin njohuritë për prejardhjen e tyre të ndritur dhe perlat natyrore të vendit të tyre. Në mënyrë të veҫantë, është shqetёsuese dhimbja që u shkaktoni gjyshërve, dajave, hallave etj qё jetojnё nё Atdhe, të cilët i privoni nga nevoja humane e komunikimit me nipërit dhe mbesat e tyre.

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË KANADA

Kudo marrëdhёniet me vendet pritëse janë komplekse dhe kjo informon edhe praktikat e gjuhës dhe identitetit të emigrantëve. Pёr hir tё sё vёrtetёs, duhet thënë se marrëdhёniet zyrtare nё mes tё dy vendeve tona duket sikur kishin njё “cool off” pёr disa vite dhe investimet Kanadeze nё Shqipёri mund tё konsiderohen shumё modeste – nё vitin 2018 eksportet ishin vetёm $39.3 million, kurse importet nga Shqipёria ishin vetёm 12.3 million. Natyrisht edhe numri modest i komunitetit shqiptar në Kanada, nuk e vendos gjuhën shqipe në qendrën e vëmendjes së qeverisë Kanadeze si një nga “heritage languages”. Megjithatё, kohёt e fundit duket njё intensifikim i kёtyre marrëdhёnieve. Duhet theksuar se kjo ёshtё, ndёrmjet tё tjerave, nё sajё tё punёs sё palodhur tё ambasadorit tonё, z. Muca dhe stafit tё tij, si dhe punёs sё njё numёr shoqatash qё kanё arritur tё ndёrtojnё marrëdhёnie shumё pozitive me institucione drejtuese nё Kanada. Jam e mendimit qё edhe ҫdo Shqiptar nё mёnyrё individuale, me ndershmёrinё, korrektesёn dhe dinjitetin e tij/saj nё vendet ku punon e forcon reputacioni pozitiv pёr Shqipёrinё. Kjo është tipike për komunitetin shqiptar në Kanada.

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË KANADA

Sfida e parё nё kёtё drejtim ёshtё ruajtja e identitetit kombёtar, nёpёrmjet ruajtjes sё Gjuhёs Shqipe. Kanadaja ёshtё i vetmi vёnd nё botё qё ka njё nen tё veçantё nё Kushtetutё pёr tё garantuar mbrojtjen e kulturave dhe gjuhёve të ndryshme nё kёtё vend. Si rezultat, ndryshe nga ndonjё vend tjetёr nё botё, Diaspora Shqiptare nё Kanada nuk ka asnjё arsye pse mos tё rregjistrojё 100%  tё fёmijёve tё moshёs shkollore nё shkollat Shqipe. Aty fёmijёt tanё jo vetёm do tё mbajnё tё gjallё gjuhёn por do tё mёsojnë kulturёn dhe historinё tonё, do tё luajnё me shokёt shqiptar dhe do tё mbajnё tё gjallё “komunitetin” shqiptar edhe nё tё ardhmen. Këtu dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë disa shoqata në qytete të ndryshme, të cilat kanë bashkëpunuar me pushtetin lokal pёr ngritjen e flamurit shqiptar, bustin e Skënderbeut, bustit të Nënë Terezës nё qendër të qytetit, dhe në mënyrë të veҫantë, Shoqata e Torontos që në bashkëpunim me parlamentin e Ontarios e kanё shpallur muajin Nёntor, Muajin e Kulturёs Shqiptare. Megjithatë, roli dhe pesha e komunitetit shqiptar, si i tillë, është mjaft modest. Ndërsa, kontributi individual i bashkëatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme të jetës në Kanada është i shkëlqyer, gjë që i bën nder kombit tonё.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Ju falёnderoj qё n’a jepet mundёsia tё ndajmё disa mendime me lexuesit tuaj. Gjithashtu, pёrfitoj nga rasti tё falёnderoj Gazetёn “Dielli” nё New York pёr artikujt interesant qё boton dhe pёr kontributin e vyer nё ndihmё tё Diasporёs Shqiptare. Qё nё fillim dua tё theksoj se detyra pёr ruajtjen e gjuhёs shqipe nё kuadrin e detyrave tё tjera si anëtare e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs (KKD) ёshtё sa privilegj aq edhe pёrgjegjёsi qytetare pёr mua. Ju përshëndes të gjithëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Adriana Fishta Bejko, gjuha shqipe, Kanada, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT