• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTAT PËR VRASJEN E GEORGE FLOYD DHE KLODIAN RASHËS- PARALELIZMA

December 13, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi/Nëse benzina mbi zjarr e padrejtësive racore në SHBA dhe të dhunës së policisë që mbërtheu vendin, pavarësisht se nuk ishte implikim i tij direkt dhe indirekt çoi dhe në humbjen e Trumpit në zgjedhje. Po në Shqipëri, ç’ mund të ndodhë ?

Vrasja e 25 vjeçarit, Klodian Rasha pranë banesës së tij, teksa në dorë mbante dy hurma, dhe po i ikte me vrap policisë për të mos marrë gjobën 30 mijë lekëshe për shkak të kalimit të orarit të lejuar, është në vetvete një ngjarje mjaft tronditëse, për të shkaktuar reagim e indinjatë e ngjashme me atë nëntë minutat në qafën e George Floyd kur thërriste në grahmat e fundit nënën. Po akoma më shumë, ndryshe nga protestat në Amerikë , e gjitha u kthye në një revoltë që shpërtheu në rrugë, në bulevard e tek portat e kryeministrisë, nga sjella e ministrit Sandër Lleshajt, e Edi Ramës, e qeverisë, dhe mediave të saj, pas kësaj ngjarje tragjike. 

Manipulimi i vrasjes 

Në fillim pati përpjekje për të manipuluar vendngjarjen, dhe opinionin publik, ku në komunikatat e policisë u shkrua se i ndjeri pati armë, se armën e kish hedhur. Më pas mediat e qeverisë, u hodhën në sulm duke i bërë biografinë viktimës, ku e sollën si person me precedent penal dhe të rrezikshëm. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, nuk pati asnjë reagim nga Edi Rama. Vetëm kur ai u kthye me urgjencë për të bërë ata që quhet  “damage remedy “ dhe plotësoi shpejt e shpejt njërën nga kërkesat e protestuesve  duke bërë Ministrin Sandër Leshaj me detyrim përcaktim të japë dorëheqjen. Po pse Rama lëshoi Leshajn dhe nuk e lëshon shefin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliun? Pyetja qëndron. 

Në po të  njëjtën ditë kur ndodhi kjo vrasje në SHBA njoftohej nga CNN , se 17- vjeçarja  Darnella Frazier që regjistroi me telefonin e saj celular ngjarjen e 25 Majit, ku u vra George  Floyd u nderua me çmimin PEN. 17-vjeçarja kishte dalë në dyqan me kushëririn e saj më të ri, atë ditë kur pa një burrë të prangosur dhe me fytyrë për tokë. Ajo kapi ish oficerin e policisë së Minneapolis Derek Chauvin duke shtypur gjurin në qafën e George Floyd për gati nëntë minuta – cilat do të ishin momentet e fundit të Floyd. Ajo shpërndau videon në mediat sociale dhe shumë shpejt u pa në të gjithë botën. Kjo shkaktoi ndryshime në komunitetin e saj lokal, duke çuar në pushimin nga puna të katër oficerëve të përfshirë, një ndalim të policëve të policisë dhe një hetim federal. Ai gjithashtu u bë katalizatori për një lëvizje globale të drejtësisë racore.” Me asgjë më shumë se një celular dhe guxim të dukshëm, Darnella ndryshoi rrjedhën e historisë në SHBA, duke shkaktuar një lëvizje të guximshme duke kërkuar fund të racizmit dhe dhunës sistemike ndaj zezakëve nga duart e policisë,” tha CEO, i PEN America, Suzanne Nossel në një deklaratë.

Rama zjarrvënës dhe zjarrfikës 

Nëse benzina mbi zjarr e padrejtësive racore në SHBA dhe të dhunës së policisë që mbërtheu vendin, pavarësisht se nuk ishte implikim i tij direkt dhe indirekt çoi dhe në humbjen e Trumpit në zgjedhje. Po në Shqipëri  ç’ mund të ndodhë. Edi Rama u kthye me urgjencë nga Amerika, asnjë lajm për marrjen e ndonjë vaksine. Se nga ana tjetër edhe pse tani për tani Amerika, as kompania prodhuese Pfizer nuk pa kontrata me vendet e tjera.  Po Rama pas ca shopingjeve në New York, i hypi avionit duarbosh dhe u kthye në Tiranën që kishte marrë zjarr. Por a nuk mund ai ta shuajë zjarrin që ka ndezur vetë?    

Një njeri u vra nuk ka rëndësi ngjyra, një qenie njerëzore e pafajshme humbi jetën në duart e policisë dhe duart e atyre diktatorëve dhe tiranëve të vegjël që i “ fuqizoi” dhe i nxori në dukje Covidi. Ato nëntë minuta në qafën e George Floyd i vunë flakwn Amerikës. Kurse, benzina mbi zjarr në Shqipëri ishte qëndrimi cinik i Ministrit Lleshaj, i cili nuk denjoi të mbante asnjë përgjegjësi për ngjarjen, dhe aq më pak të kërkonte falje kur qe koha. Dhe në mënyrë të paprecedentë, ishte i fundit që foli për një ngjarje ku është i përfshirë institucionalisht drejtpërdrejt dhe dorëheqja e tij me “ detyrim përcaktim”, nuk është nder për të dhe as zgjidhja.

Gjenerali u tregua një ushtar në duart e Ramës

 Gjenerali u tregua një ushtar në duart e Ramës dha dorëheqjen kur iu kërkua. Vrasja ka nisur qysh se policia është bërë agresive dhe është lëshuar me nerva e arrogancë ndaj qytetarëve. Kjo histori është brumosur me planin për të dhunuar e sunduar. Me gaz lotsjellës në protestë. Me gaz lotsjellës për t’i nxjerrë burra, gra e fëmijë, natën e në mes të dimrit nga streha e tyre në Astir. Me policinë që rreth brutalisht të riun me biçikletë në kodrat e liqenit, e më pas fajëson të ëmën dhe e qorton publikisht për moralin e saj.

Kjo dhunë që po vazhdon me ditë ishte kulmim, produkt i një dhune që është manifestuar pa asnjë pendesë nga gjenerali ministër e nga shefi i tij, kur vunë poshtë çizmes të rinj e studentë që kërkonin të mbronin Teatrin, apo kur u sulën me tabor ushtarak e forca speciale ndaj artistëve në mes të errësirës. Ngjarja tragjike, është pikërisht pasojë e kësaj sjellje armiqësore, fodulle, nëpërkëmbëse që drejtuesit e policisë nën orientimin dhe frymëzimin e rilindjes, kanë kohë që manifestojnë ndaj njerëzve. Nuk ka asnjë dyshim, se shumë miq të qeverisë, deputetë, ose ministra, të fortë, apo kriminelë me lidhje lart, kanë qenë edhe ata jashtë në mbrëmjen e asaj nate përtej orës 22.00, po asnjëri nuk është ndaluar, lajmëruar, gjobitur, apo përndjekur nga policia.

I gjithë ky mekanizëm i vënë në punë, duke shpërfillur kështu një viktimë të pafajshme dhe dinjitetin e tij, duke fyer familjarët, duke injoruar dhimbjen e tyre dhe të shoqërisë, bëri që spontanisht mijëra të rinj kryesisht, mes tyre vajza e gra, të mblidhen që të nesërmen pasdite në orën 4, në një rezistencë të pashoqe, deri kur policia bën atë që është e preferuara tashmë e gjeneralit ish-ministër, hedhja e gazit lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Zemërimi disa orësh tregoi se arroganca e rilindjes e ka mbushur kupën, pakënaqësia është akumuluar aq shumë, sa shpërthimi mund të dalë jashtë kontrollit nga çasti në çast.  As vizita hipokrite në shtëpinë e të vrarit se mbulon dot këtë arrogancë.

Pse nuk e pyet veten Rama, përse ka kaq shumë të rinj dhe adoleshentë? 

Rama fajëson opozitën me atë zhargonin tij gjoja popullor të cilin e quan gojëtari,  “se Meta me Berishën duan të venë Lulin në fron dhe thesarin t’ia japin Monikës”. Këto paradigma si dhe ato me “zazan” apo me “timon” të përsëritura shpesh deri në neveri, sipas 10 pikave të propagandës së Gëbelsit, nuk ngjisin tani. Aq më pak tek të rinjtë protestues. Ata vandalët që i quan Rama rrezik ngatërrojnë dhe Ramën me Lulin dhe Metën me Berishën. Rama nuk po arrin të kuptojë se ata nuk janë fëmijët e opozitarëve që po e sulmojnë. Ai është mësuar të luajë me opozitën si macja me miun. Nuk e kupton se këta të rinj nuk janë të gjithë fëmijë të opozitarëve. Thirrja që bëri Edi Rama prindërve opozitarë që të mbajnë larg fëmijët e tyre nga tubimet e protestës, është sa qesharake aq dhe naive. Kryeministri nuk po e kupton që të rinjtë janë të frustruar dhe nuk po e duan. Frustrimin e ka shtuar pandemia, të pa punë , pa para , pa mundësi për të pirë një kafe, kafenetë janë mbyllur, ata nuk dijnë si të shfrehen, është si tenxherja me presion që është gati të shpërthejë.   Ata janë krenarë kur i etiketojnë si “barbarë”, edhe pse e ndjejnë se të tillë nuk i quan vetëm politika. Ata arrijnë ta kapin se si të tillë i sheh një pjesë më e gjerë e shoqërisë. Se si të tillë perceptohen prej asaj shtresës të mesme gri, që ndoshta nuk është e implikuar në vjedhjet dhe krimet e pushtetit, por që përfiton minimalisht nga avantazhet që pikojnë prej tyre, duke u shndërruar në indiferente.

Zemërimi i pashpresë shkon përtej një polici, ministri apo politikani

Në këtë kuptim, revolta e tyre e errët, zemërimi i tyre i pashpresë shkon përtej një polici, një ministri apo një politikani. Këto protesta si edhe ato në Amerikë u organizuan spontanisht, por natyrisht që ka në mes të turmave edhe elementë të infiltruar ashtu siç ka edhe persona të inkriminuar se “ujku mjegull do” vjedhës dhe grabitës.  Natyrisht politika kërkon t’i përdorë për interesat e saj. Ashtu si dhe Partia Demokrate në SHBA i përdori si Antifan dhe “Black life matters“, asnjë fjalë kundër tyre në Konventën Demokrate, vetën kur pa nga sondazhet që po humbin vende në Kongres thanë ndonjë fjalë kundër dhunës dhe grabitjeve dhe parullave “defund the police”.   Por shumica e atyre protestuesve si në ShBA dhe në Shqipëri janë kundër presionit dhe dhunës që shkakton mungesa e lirisë në normat e ngurta jo shkencore të gjoja mbajtjes nën hyqëm të pandemisë së Covidit me dhunë policore. Ç’ kuptim ka p.sh. ndalimi qarkullimi pas orës 22 , mos vallë virusi nuk ngjitet natën , apo dalja me autoblinda me mitralozë kundër virusit qysh nga fillimi i pandemisë në mars (?!)

Loja e politikanëve dhe zemërimi i turmave

Forcat kryesore politike kërkojnë të përfitojnë kapital nga këto protesta po shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e ngjarjeve, ndërsa Presidenti Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për të ndryshim të madh, sepse të rinjtë po braktisin vendin, të dëshpëruar nga varfëria dhe papunësia.  Në pamje të parë presidenti duket se ka të drejtë, por dhe ai është vetë pjesë e asaj politike që çoi në këtë gjendje. Në Tiranë vazhdojnë reagimet politike nga institucionet shtetërore dhe partiake për protestat që kanë përfshirë vendin pas vrasjes së një të riu 25-vjeçar nga një patrullë policie në periferi të kryeqytetit. Pas disa ditë protestash në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës, figurat kryesore të shtetit dhe politikës vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësit e këtyre ngjarjeve. Rama e akuzoi presidentin dhe politikanë të opozitës si organizatorë dhe nxitës të këtyre tubimeve. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se protesta e ditës së 5-të në Tiranë për vrasjen e të riut Klodian Rasha ishte model, paqësore dhe që mori duartrokitjen e qytetarëve që ndaluan makinat e tyre në trafikun e Tiranës gjatë kohës së marshimit drejt Drejtorisë së Policisë. Bardhi thotë se kaq ka mjaftuar pasi mbështetja e qytetarëve të Tiranës e tërboi sot Edi Ramën, duke i rrëzuar cilësimin 4-ditor , që i bënte të rinjve shqiptarë si “huliganë”dhe “të blerë”. “Urdhri për të sulmuar protestuesit pa asnjë shkak është kriminal dhe provokon dhunë. Çdo pengesë për një protestë paqësore apo ndalimi i qytetarëve pa kryer asnjë akt dhune është i paligjshëm. Helmimi masiv i Tiranës me gaz lotsjellës dhe dhuna ndaj fëmijëve është banditizëm shtetëror. Dhunën po e nxit Edi Rama. Arsyeja e vetme është frika që tashmë shumica e shqiptarëve nuk e pranon dhe po kundërshton arrogancën, dhunën dhe keqqeverisjen e tij 7 vjeçare”. 

Polici që vrau të riun 25-vjecar Klodian Rasha mesnatën e të hënës doli sot para gjykatës, ku u konfirmua masa e arrestit të tij me burg. Përfaqësitë diplomatike të SHBA, BE dhe OSBE bëri thirrje për hetim të ngjarjes, gjakftohtësi në protesta dhe distancim nga dhuna gjatë tubimeve. Por ato përsëritën të njëjtat akuza të qeverisë së fajin e kanë liderë të kaluar të opozitës. Por aktualisht kjo nuk është realiste kjo është një lëvizje popullore si ajo e armëve kimike e mbani mend si protestuesit se qasën asokohe Berishën. Vetëm se tani janë më shumë të rinj që Rilindja u ka vrarë shpresat.

Nga Lleshaj tek Rama 

Edi Rama mendon se e ka luksin që, neverinë, revoltën, zemëratën ndaj policisë dhe sjelljes së tij, ta mbajë në kurriz dhe madje ta transferojë edhe tek zyra e tij. Po nuk mendojnë kështu njerëzit. Ndaj, protesta, nga dorëheqja e Lleshajt, tashmë kërkon largimin kryepolicit të shtetit policor Ardi Veliu edhe të vetë Ramës.

Pas ngjarjes ku një 25-vjeçar u vra nga policia në mënyrë të panevojshme, të pajustifikueshme, për shkak të shkeljes së orarit të qarkullimit, në derën e banesës së tij, kanë reaguar publikisht politikanë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, dhe miliona qytetarë sipas mënyrës së tyre, kryesisht në rrjetet sociale. Disa kanë heshtur, kryesisht qeveritarët. Po heshtja që ka rënë më shumë në sy ka qenë e Ministrit të Brendshëm. Sandër Lleshaj, duke mos reaguar, ka mbajtur një qëndrim. Dhe cili mund të ishte qëndrimi në këtë rast? A mund të kishte pozicionim tjetër pos dënimit të asaj që ka ndodhur? Me gjasë po! Është gërmuar shumë, duke sajuar disa variante, duke e nxjerrë viktimën me precedent, duke e paraqitur me armë, duke e vizatuar si të rrezikshëm. Pra, ka pasur një përpjekje të ethshme për të krijuar një front kundër tij. Dhe heshtja, e ka hedhur Lleshajn, në atë anë. Kur doli se të gjitha marifetet shkuan dëm, dhe ngjarja u pa se ishte e pajustifikueshme në asnjë drejtim, pra kur rezultoi se kishim të bënim me një vrasje, me një krim, ministrit nuk i ngeli gjë tjetër, dhe sot, pas dy ditësh u shfaq në publik. Me një deklaratë të shkurtër, ku në thelb ai lan duart, e heq përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se qenka detyrë e autoriteteve, pra e drejtësisë, ta shërbejë këtë rast. Ta zgjidhë! T’i japë drejtim!

Pra, ai nuk ka fare të bëjë, askund dhe me asgjë. Ministri përfshihet në mesazhin e tij, vetëm kur i shprehu ngushëllimet. Po pse vallë duheshin 40 orë për t’u shprehur ngushëllimet familjarëve? Pse ministri i Brendshëm, ishte i fundit që e bëri, ja pse dorëheqja e tij nuk është e ndjerë është e sforcuar dhe e zgjidhur si rruga e mesme edhe mes përplasjeve personale që kishte pasur me kryeministrin.

Ndërkohë ndërsa shqiptarët janë të tronditur, kreu i qeverisë bënte pazar në rrugët e Nju Jorkut.

“Çdo shqiptar është tronditur nga ekzekutimi i Klodjan Rashës në derën e shtëpisë. Dhimbja dhe zemërimi na ka përfshirë të gjithëve. Ndërkohë Edi Rama vazhdonte shopingun luksoz rrugëve të New York-ut. Nuk gjeti kohë as të ngushëllojë familjen dhe as të dënojë krimin makabër. Boll më!” – shkruante Bardhi numri 2 i PD-së.

Rama i lyp lobit grek një foto me Bidenin

Rama  reklamoi se po shkonte në New York për te gjetur vaksinat, Po pse duhej një kryeministër të bëjë punën e Ministrisë se Shëndetësisë apo te agjentit  tregtar? Thjesht për të treguar se po bënte gjithçka për “popullin” . Apo pse Edi Rama është para zgjedhjeve dhe do, siç bëri me Obamën, të bënte edhe nje foto me Presidentin e zgjedhur Biden. Dhe për pushtetin nuk ka rëndësi mjeti. Ai ishte në një takim dreke madje me klerikun greko ortodoks Alexandros , i cili njihet për afërsinë e tij me administratën demokrate.  I biri i tij, Michalis Karloutsos ka dhe një kompani lobimi të afërt me rrethet pranë Biden-it. Burime nga lobi grek ne SHBA bëjnë me dije se patriarku i NY ishte fare pranë qëllimit për të siguruar një foto takim Rama- Biden.  Por Biden nuk ndodhej në orë të mirë, pas deklaratës të FBI që po hetonte të birin e tij, Hunter Biden. Po pse Rama do të kërkonte ndihmë nga lobi grek dhe jo nga bashkatdhetarët e tij? Pse nuk u takua me shqiptarët pro Bidenit. Ata do të përpiqeshin me çdo mjet për këtë mundësi.  A se keni vënë re se sa hera kryeministri shqiptar Edi Rama  vjen në SHBA e shmang diasporën shqiptare. Nuk dihet se sa një gjë e tillë do ta ndihmojë qeverinë shqiptare të sigurojë më shpejt vaksinën apo puna e vaksinës duket se “ishte loja!.

Vetvendosje si Antifa

Në Shqipëri nga ana tjetër Qendra në Tiranë e Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar për vrasjen e Klodian Rashës. Ajo thotë se rrethanat që çuan deri te kjo vrasje nuk janë zbardhur. Vetëvendosje nënvizon se Shqipëria sundohet prej kohësh nga një shtet policor. “Këtë e ndjejnë të gjithë ata që e kundërshtojnë arbitraritetin e këtij pushteti, si dhe të gjithë atyre që u shtypen çdo ditë të drejtat nën dhunën strukturore dhe direkte të këtij regjimi” – thotë deklarata që më pas bën një kërkesë të qartë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri reagonte i bashkohej kërkesës së qytetarëve për dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj dhe kryepolicit të shtetit policor Ardi Veliu. Këta dy pushtetarë e kanë humbur prej kohësh besimin e publikut dhe legjitimitetin, nga urdhrat që ata kanë dhënë për aksione policore ku janë përdorur mjete dhe dhunë shproporcionale ndaj qytetarëve që kanë protestuar në mbrojtje të kauzave publike. Largimi i këtyre dy pushtetarëve të shtetit policor është hapi i parë për të fituar besimin e publikut dhe për të vendosur drejtësi” – thuhet në deklaratë.

Është interesant si lëvizja kundër racizmit ne SHBA u mobilizua nga grupet e majta si “Antifa” dhe “Black life maters” dhe në Shqipëri po mbështet po nga një lëvizje e majtë si ‘Vetëvendosje”. Opozita jashtë parlamentare vetëm po bën vetëm burizanin, pasi kjo lëvizje proteste nuk është një akt politik, por  është diçka më shumë.  

Djegjia e PS së Shkodrës si Rajshtagu

Vrasja nga policia e 25-vjeçarit rreth orës 2 të mëngjesit në derën e shtëpisë, është një ngjarje që nuk ndodhi thjesht për shkak të dinamikës aty për aty, por për fat të keq, ka nisur shumë më herët. Protesta e Tiranës, që ka zgjatur disa ditë ato janë zgjeruar edhe në Durrës, Korçë, Elbasan Lushnje dhe Shkodër, është shenjë e qartë se qytetarët nuk do ta durojnë shtetin policor. Dekori i prishur në qendër të Tiranës edhe disa qyteteve është njësim i gjendjes së qytetarëve me qendrën e kryeqytetit. Objektet e dëmtuara ishin shprehje e qartë e revoltës që buron nga një situatë padrejtësie e thellë. Eshtë një kohë për të tërhequr të gjithë njerëzit së bashku … është një kohë për të dëgjuar. Boll me provokime. Zëra me influencë në Shqipëri, thonë se Rama po përdor provokimin. Djegia e selisë së PS në Shkodër nga disa adoleshentë në prani të policisë që nuk ndërhyri duket si djegia e Rajshtagut, për të akuzuar opozitën në rastin e Shkodrës kryebashkiaken dhe PD-në .  Disa burime thonë se kjo është dora e Ramës e krerëve të Rilindjes për të justifikuar mbajtjen e dorës së fortë policore me sebepin e Pandemisë deri për zgjedhje.

Vandalizmi si dukuri e përbashkët 

Protestat e këtyre ditëve janë një shkarkim mllefi e dufi, jo për një vdekje, por për një gjendje të mbartur prej vitesh e vitesh. Dhuna e atyre të rinjve e adoleshentëve, nuk është barbarizmi i vandalëve që thyen zbukurimet e festës, por paralajmërimi i fundit për të ndryshuar një shoqëri që funksionon si godinë e shembur, e njëjta gjë dhe në protestat në Amerikë, si në Mineapolis , si në New York, Washinton apo Seatle. “Vetëm duke e parë në sy dhe duke e kuptuar si duhet këtë klithmë “vandalizmi”, ne mund t’i qetësojmë edhe indiferentët që shqetësohen nga “barbarët”. Ndërsa duke ngritur alibi të shtrembëta dhe duke dhënë përgjigje të gabuara, vetëm do ta shumojmë virusin e mllefit që tashmë na është futur në trup. E nëse nuk do dimë t’i lexojmë mesazhet e këtyre ditëve, që verbëria e dhunës dhe përçartja e urrejtjes i bën vështirë të dekriptueshme, ajo që kemi parë deri më tani do të na duket lule”, komentonte analisti Andi Bushati.

Nëse nuk i themi ndal dhunës sistematike të programuar nga lart, sado që të ankohemi, do ta kemi të pamundur të neutralizojmë kundërefektin e saj. E nëse vazhdojmë kështu, përmbysja e slitës së babagjyshit do të na duket një shaka, ndërsa nxjerrja për bythësh e Edi Ramës nga kryeministria, s’do na ngushëllojë aspak, se atëherë do kenë marrë flakë edhe zyrat, rezidencat, butikët dhe qendrat tona tregtare. A nuk ndodhi në mjaft qytete amerikane kështu?

Është një kohë për të mësuar

Është një kohë për të mësuar, kur padrejtësitë vazhdojnë pavarësisht përparimit me vite.  Është koha për ndryshim. Dëgjoni këtë apel te lëvizjeve për George Floyd , sa reale janë për ato çka ndodhin tani  në Tiranë dhe Shqipëri. 

“Le të qëndrojmë së bashku, krah për krah, të mbajnë duart me çdo njeri, sepse së bashku ne ngrihemi dhe do të qëndrojmë me drejtësi dhe fuqi përgjithmonë, në mënyrë që të mund të marrim frymë në paqe në liri.”

PO PROTESTAVE, JO DHUNES !

Filed Under: Featured Tagged With: Klodian Rasha-George Floyd, Paralelizem, Rafael Floqi

LUSHNJA, MODELI I PROTESTES…

December 13, 2020 by dgreca

Shqiperia po proteston ne shenje zemrimi per ate çfare ndodhi ne Tirane , ku polici i mori jeten 25 vjeçarit Klodian Rasha. Duket se doreheqja e Ministrit Sander Lleshaj nuk i ka qetesuar protestuesit. Kemi pare protesta te zemruara, te shoqeruara me shkaterrime, ne Tirane e qytete te ndryshme te vendit, siç kemi pare dhe gaz nga policia dhe shume te arrestuar.. .

.Natyrisht shkaterrimet nuk jane te shendetshme per Demokracine, Protestat PO. …Sot Lushnjaret dhane nje leksion demokracie per protestat paqsore me kulture demokratike. Vetem Flamuj Kombetar dhe thirrje kunder qeverise…. 

Ja information qe dergio per Gazeten DIELLI, gazetari Shkelqim Bylykbashi: Partia Demokratike Lushnje ka organizuar nje proteste model si nga pjesemarrja po ashtu edhe nga qytetaria! Mijera banore te qytetit dhe simpatizante te se djathtes se bashkuar kane shprehur indinjaten e tyre ndaj qeverise dhe kryeministrit Rama! Me parullat “Rama IK”!, “E duam Shqiperine si Europa”, “Qeveri e Krimit” etj protestuesit kane pershkruar shetitoren nga stadiumi tek sheshi ne qender te qytetit. Pjesemarrja e rinise dhe grave ishte nje tjeter simbol i protestes per qellimin e saj politik, social, shoqeror e ekonomik.  “Lushnja nuk i Nenshtrohet Diktatures”! Me kete moto u nis dhe u mbyll kjo proteste qytetare dhe paqesore! Nese nuk protestojme nuk mund te fitojme te drejtat tona qytetare! Kjo qeveri eshte e kapur nga krimi, mafia dhe oligarket! Se bashku do t’ja dalim! Fitore ne 25 prill!

Filed Under: Featured Tagged With: proteste, Shkelqim Bylykbashi

Protesta në Shkodër…

December 12, 2020 by dgreca

Nga Gresa Kraja/*

Një efektiv i Policisë së Shqipërisë ka mbetur i plagosur gjatë përleshjeve me protestuesit në qytetin e Shkodrës, pasi këta të fundit thyen dhe i vunë zjarrin orendive të selisë së Partisë Socialiste në këtë qytet. Marshimi i thirrur në Shkodër për protestë ndaj vrasjes së Klodian Rashës nga një polic në një lagje të Tiranës, përshkallëzoi në dhunë kur një grup të rinjsh iu drejtua mesditën e së shtunës selisë së Partisë Socialiste. Policia reagoi duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka akuzuar opozitën për keqpërdorim dhe abuzim të të miturve.

“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme”, ka shkruar Rama.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nga Partia Demokratike, me anë të një statusi në Facebook, ka reaguar lidhur me ngjarjen. Ajo ka thënë se të rinjtë nuk ishin pjesë e protestuesve, ndërsa theksoi se pasi ka parë përshkallëzimin e situatës ka njoftuar autoritetet e policisë.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime”, shkruan Voltana Ademi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Partisë Socialiste kanë thënë se ngjarja është nxitur nga opozita. Drejtuesi i shtabit elektoral të socialistëve për qarkun Shkodër, Ilir Beqja tha se tashmë pas djegies së selisë së PS-së protestat nuk kanë më lidhje me vrasjen e Klodian Rashës.

Shqipëria që disa ditë po përballet me protestues që kërkojnë drejtësi për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një polic. Policia ka bërë të ditur se 87 protestues u arrestuan përgjatë tre ditëve të protestave. Ata kanë thënë se Klodian Rasha ka thyer orën policore kundër pandemisë, ka qenë i armatosur dhe ka bërë disa lëvizje të dyshimta.

Miq dhe familjarë të Rashës kanë thënë se ai nuk ka qenë i armatosur. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, dha dorëheqje pas vrasjes së 25-vjeçarit duke thënë se “vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike”.

* Evropa e Lire/ Fotografite-Kortezi MAPO

Filed Under: Featured Tagged With: Gresa Kraja, protestat, shkoder

AMBASADA AMERIKANE NË TIRANË U KËRKON PALËVE TË REFUZOJNË DHUNËN

December 11, 2020 by dgreca

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të riut Klodian Rasha, duke e vlerësuar një tragjedi vdekjen e tij.

Ambasada publikoi një deklaratë, ku thuhet se ambasadorja Yuri Kim ka folur sot me kryeministrin Edi Rama, drejtorin e policisë Ardi Veliu, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi për të diskutuar të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e drejtuesve.

Ajo ka nënvizuar në këto biseda, sipas deklaratës, se “ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë për të siguruar një hetim të plotë dhe transparent për incidentin, për të ushtruar kufizim në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike dhe për të siguruar llogaridhënie në të gjitha rastet.

“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të tregojnë aftësinë e tyre për të udhëhequr në mënyrë të përgjegjshme, duke përfshirë refuzimin e dhunës. Ata që kanë qenë në pushtet në të kaluarën, nuk duhet të kompensojnë gabimet e kaluara duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme” – thuhet në deklaratë.

Ambasada Amerikane u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen, në mbajtjen e përgjegjësive të tyre, në mënyrë që të drejtat e gjithë popullit shqiptar të mbrohen dhe zërat e tyre, përfshirë në protestë, të jenë në gjendje të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë.

Ambasadori i BE-së shkroi në rrjetet sociale se ishte shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit dhe ngushë​lloi familjen e të​ riut Klodian Rasha.

“Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët” – shkroi ambasadori Soreca.

Edhe OSBE reagoi se “ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Prania e OSBE-së në Shqipëri shprehu keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e të riut Klodian Rasha dhe besimin se ajo do të hetohet si duhet.

“Ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë” – deklaroi OSBE-ja.

Ndërkaq, në Tiranë, Durrës e Fier vazhdojnë për të tretën ditë protestat, që shpërthyen pas vrasjes së një të riu nga policia mesnatën e të hënën pranë banesës së tij.

Në rrjetet sociale protestuesit kërkuan vazhdimin e protestave dhe ashtu ndodhi.

Policia shpërndau me ujë dhe gaz lotsjellës protestuesit e mbledhur para kryeministrisë, dhe ata u zhvendosën në zona të tjera. Po ashtu kanë nisur arrestime nga policia.

Tubimi sot nisi me thirrjet “Poshtë Diktatura” dhe “Rama, ik”. Protestuesit kërkuan reformimin e forcave të rendit dhe largimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Por kryeministri Edi Rama deklaroi se drejtori i përgjithshëm i policisë nuk do të largohet nga detyra.

Policia bëri të ditur se ka marrë si të arrestuar 59 protestues dhe janë nën hetim janë 116 pjesëmarrës në protesta.

Forcat e rendit kanë shoqëruar edhe të mitur nga mesi i protestuesve, të cilët më pas janë liruar, ndaj u ka kërkuar familjarëve të shmangin bashkimin e fëmijëve të mitur me protestuesit e rritur.

Ministri i punëve të brendshme dha dorëheqjen e parevokueshme një natë më parë, por largimi i tij nga detyra nuk e uli ritmin e protestave, përkundrazi ato u bënë edhe më energjike e më të dhunshme.

Ministria e brendshme, ministria e financave dhe një seri institucionesh të tjera publike pranë sheshit Skënderbej dhe shëtitores Dëshmorët e Kombit pësuan jo pak dëme në fasadat e tyre, kryesisht thyerje dyersh dhe dritaresh, mes të cilave e pësuan edhe Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtar.

Po ashtu janë dëmtuar jo pak semaforë në kryqëzime, reklama dhe ndricues të rrugëve e trotuarëve, kazanë mbeturinash, pra, objekte publike të administruara nga bashkia, ndërsa protestuesit nuk kanë prekur dyqane apo prona private.

Protesta nisën dy ditë më parë pas vrasjes mesnatën e të hënës nga policia të të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha, i cili nuk iu bind patrullës së shërbimit, por u largua me vrap.

Familjarët e tij pohuan se djali kishte dalë vetëm për të blerë një paketë cigare dhe faji i tij i vetëm ishte se nuk kishte maskë anti-covid dhe gjendej jashtë banesës pas mesnate, vrapoi për t’iu shmangur gjobës, megjithatë u vra afër hyrjes së shtëpisë.

Polici që vrau të riun 25-vjecar Klodian Rasha mesnatën e të hënës doli sot para gjykatës, ku u konfirmua masa e arrestit të tij me burg.

Ndërsa qeveria dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë e këtyre ngjarjeve.

Opozita akuzoi qeverinë, kryeministrin, ministrin e brendshëm që po frymëzojnë dhunën në radhët e policisë, gjë që solli edhe vrasjen e të riut 25 vjecar Klodian Rasha, krahas shumë e shumë raste të tjera dhune ndaj qytetarëve kudo nëpë Shqipëri.

Ndërsa kryeminstri Rama shpërndau pak më parë një tjetër mesazh në rrjetet sociale, ku sërish akuzoi presidentin e republikës dhe drejtuesit e opozitës si nxitës dhe orkestrues të dhunës.

Për t’u shënuar është edhe se protestat shpërthyen në kohën kur epidemia Covid-19 po shton përditë e më tepër rastet e qytetarëve të infektuar dhe atyre që po humbin jetën.

Në rrugë e sheshe dalin e përplasen mes tyre qindra qytetarë e policë pa maska sanitare, gjë që sipas mjekëve, edhe këto protesta do të shtojnë infektimet, ashtu si ka ndodhur edhe me protestat e majit, kur u shkatërrua Teatri Kombëtar, dhe policët u përleshën me qytetarët, që mbronin atë.(Sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasada amerikane, deklarate, Protesta ne Tirana

FAN S. NOLI: VASIL PANI, NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS…

December 11, 2020 by dgreca

KUJTOJMË KRYETARIN E VATRËS–Me 11 dhjetor 1947,si sot 73 vite të shkuara,  u nda nga jeta Vasil Pani, ish kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se ” Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”…

-VAJTIMI I VATRANËVE: AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!….

NGA DALIP GRECA*

Vasil Pani ne rinine e tij.

         Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë tek u përhap si vetëtimë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas  qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Vatrën e ngrohtë shqiptare në Amerikë?!…

Vasil Pani dhe e shoqja…

Fatkeqsisht lajmi, edhe pse nuk pritej, ishte i vërtetë. Vatranin e Dimrit dhe të Beharit(sipas fjalorit të vatranëve të vjetër) e kishte lënë zemra. Si çdo ditë tjetër atë ditë dhjetori të acartë që kishte ardhe me borë e erë  të  fortë, Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, për ta hapur për klientët, por zemra e la sapo ngriti qepenin dhe hapi derën…

Shtepia e Paneve…

        Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën: Vasili nuk jeton më!….”

Delegatet e Kuvendit te Vatres , mes delegateve edhe Faik Konica dhe Vasil Pani….

     Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin e sapodalë nga shtypshkronja. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.

          Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi….kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës.

         Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes , ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri. Faiku kishte qenë mik edhe me Vasilin, por edhe me babanë e tij Josif Panin.

    AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!

 Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej në Diellin e Vatrës editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”.  Esseja elegjike është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut.Në rreshtat e editorialit nuk vajton vetëm shpirti i Panaritit, por ndjehet dhimbja e vatranëve. Gazetari Panariti e trondit lexuesin, te imponon një drithërimë në shtat tek vajton me penë: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor  1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”

    Vatranët e kishin të pamundur që të besonin të vërtetën se nuk do ta shihnin më Vasilin të gjallë, nuk do të bisedonin më me të, të këshilloheshin për punët e Vatrës dhe për punët e Shqipërisë.

    Vasil  Pani ishte ndër vatranët e orës së parë, ndërkohë që në vitet 1912-14 ai, ende djalë i parritur mirë, 15-17 vjecar, u pagëzua si luftëtar i lirisë kundër grekëve që kishin mësy Korçën e tij të dashur. Ai ndjehej krenar që kishte qenë luftëtar i Themistokli Gërmenjit.

    Në elegjinë që botonte Dielli, Vasili përshkruhet me fjalë të përzgjedhura si patriot, si njeri fisnik, si vatran besnik.

    Panariti e mbyll elegjinë me këto rreshta:” Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik,Vatra humbet një figurë të shquar, shoqja e tij humbet një shok besnik, dhe të ndershëm, fëmijët humbasin një baba të dashur e të dhembshur.”

Në kohën kur ndërroi jetë Vasil Pani ishte arkëtar i Vatrës, ndërkohë që për një 25 vjet ai i kishte kryer radhazi edhe detyrën e kryetarit të Vatrës, dhe të zyrtarit të qendrës, edhe disa herë të arkëtarit.

Shkëpusim nga Dielli I 24 dhjetorit 1947:”Vasili për një çerek shekulli i ka shërbyer Vatrës si anëtar besnik, si kryetar dhe si arkëtar. Gjithnjë njeri besnik, gjithnjë njeri i ndershëm, gjithnjë njeri pa ambicje personale.”

                                      PËRCJELLJA

     Në Diellin e së mërkurës, 24 dhjetor 1947, botohet e plotë kronika e përcjelljes së Vasil Panit nën titullin”Miqtë dhe shokët përcuallën Vasil Panin në jetën e përtejshme”, dhe me nëntitullin” Shërbimet funerale u bënë prej hirësisë së Tij, Imzot Nolit. Një shumicë e madhe mori pjesë në varrim”.

   Përcjellja u bë ditën e hënë me 15 dhjetor. Ceremonia u mbajt në Kryekishën e Shën Gjergjit, në adresën: 20 Emerald St…Boston , MA, në ora 2 pasdite. Kronika e përcjell plot dhimbje ceremoninë. Kisha ishte e mbushur plot. Njerëzit qanin mikun e tyre të mirë, që familjen e kishte lënë në Atdheun e largët. Ceremoninë fetare e udhëhoqi Imzot Noli i ndihmuar nga Arkimandriti At Thimi Theodhos dhe at Sokrat Sotir. Kurora të shumta lulesh mbulonin arkivolin ku prehej përjetësisht trupi i pajetë i Vasilit.Kishin ardhur vatranë nga qytete të largme për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, vatranit besnik. Nga Nju Jorku qanin mbi arkivol Kemal Veisel,Shefqet Bença dhe Ahmet Kutchi; nga Waterbury Mehmet Tosun, Ramo Zvezda dhe Hysen Fazo; nga Worcesteri kryetari i Vatrës, Vangjel Sotir , dhe Ligor Stefi. Shumë të tjerë kishin udhëtuar nga kolonitë e tjera të New Englandit, të cilët ishin aq shumë, sa lista do të ishte e tepër e gjatë.Vasil Pani u varros në Mount Auburn Cemetery, Watertoën, Mass.

 Dreka e fundit u shtrua në restorantin e tij, aty ku kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe ku i pushoi së rrahuri zemra. “Court House Lunch”,  restoranti i Vasil Panit në East Cambridge, Massschusetts, nuk ishte thjeshtë një vend ngrënie, por aty mblidheshin shqiptarët dhe  qanin hallet e kombit. E kishin pagëzuar atë si Institut Kombëtar. 

     Në këtë restorant Vasili kishte punuar për 25 vjet me radhë. Shumë rrallë, shkruante Dielli nëpasvdekjen e tij, mbaronin Kuvendet e Vatrës pa ngrënë një drekë ose një darkë në Court House Lunch, restorantin e Vasil Panit. Faik Konica, miku më i ngushtë i Vasilit, e kishte si shtëpinë e tij këtë restorant. Court House Lunch ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e vatranëve, që vinin nga drejtime të ndryshme. Në atë restorant, kushedi se sa herë ishte biseduar fati i lëvizjes shqiptare dhe fati i Shqipërisë. Vetë Vasili, si shkruan në shkrimin përcjellës Dielli, ishte një thesar anekdotash, të mbledhura nga bisedimet që bëheshin në restorantin e tij. Dhe atë ditë, në drekën e fundit, ai u kujtua po aty, në restorantin e tij.

VASIL PANI NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS

    Në fjalën që mbajti Hirësia e Tij  Imzot Noli, tha mes të tjerave se :Vasil Pani kishte qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës-kurdoherë i pari në kishën Kombëtare, që në organizimin e saj, i pari edhe në Vatër. Vasil Pani, nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga ne, këtu në Amerikë-Vasili e trashëgoi shqiptarizmën nga babai, Josif Pani.

    Vasili, tha Imzot Noli, bashkë me dardharët e tjerë, mori pjesë në botimin e gazetës “KOMBI” prej Sotir Pecit. Që ahere e gjer sot, Vasili s’hoqi dorë nga shqiptarizma. Që kur u njoh me Faik Konicën, Vasili u bë mik i tij besnik dhe qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij.

    Në përcjelljen që iu bë Vasil Pani foli edhe bashkëfshatari i  të ndjerit, dardhari; James Keko, kryetar i Shoqatës Dardhare. Fjala e tij qe prekse:” I dashur Vasil:Të gjithë dardharët jemi mbledhur rreth teje të pikëlluar dhe me lot në sy, që të japim përshëndetjet e fundit dhe të përcjellim në banesën e përjetshme. Dardha po vajton humbjen e birit të saj të shquar. Familja jote cfilitet për humbjen e përkujdestarit të saj t’adhurueshëm….

Vasil Pani la pas gruan, djalin Sotir Pani(e pat parë vetëm kur ishte 2 vjeç,  tashti Sotiri jeton në Boston dhe ka publikuar një libër kushtuar atit të tij), la vajzën, që nuk e pa dot me sy, nënën, dhe tri motra.

            KUSH ISHTE VASIL PANI?

Shënimet biografike të Sotir Panit janë përcjellë në Diellin e 31 dhjetorit 1947. Kishte lindur në Dardhë të Korçës me 1895. Në Amerikë kishte emigruar në vitin 1907. Pra ishte  vetëm 12 vjeç. Ishte me gjithë të Atin, Josifin, një patriot i orëve të para, kryetar i Shoqerise “Besa-besë “ dhe botues i disa gazetave, që më 1913 u kthye në Dardhë. Vasili ishte rrëmbyer në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare sapo shkeli në tokën amerikane. Merr pjesë në fushatën për  shkollën Normale të Elbasanit, ku dhuron kursimet e veta dhe Dielli e përhiron me një shkrim të veçantë sepse ai ishte më i vogli dhurues, 14 vjec. Në vitin 1912 kthehet në Shqipëri si luftëtar i Lirisë kundër bandave greke. Ishte luftëtar i çetës së  Themistokli Gërmenjit. Është kohë kaotike në Shqipërinë e paspavarësisë. Grekërit me një krah , turmat haxhiqamiliste e esadiste në anën tjetër, e kishin bërë të mjegulluar të nesërmen e Shqipërisë. U kthye në Amerikë më 1914. Aso kohe gazeta “Sazani” pat shkruar fjalë të ëmbla, tepër vlerësuese për të birin e atdhetarit Josif Pani, Vasilin, që ishte pagëzuar në zjarrin e luftës për liri. Pas sigurimit të Pavarësisë së Shqipërisë, Vasil Pani bëri dhe dy udhëtime të tjera në Shqipëri. Udhëtimin e fundit e bëri më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në koleksionet e Diellit gjenden dhe urimet dërguar prej Tij Mbretit Zog si dhe telegramet e urimit dërguar nga Mbreti.

Për vite me radhë, 25 vjet, ka qenë i zgjedhur në Komisionin Drejtues të Vatrës,  si zyrtar, anëtar i Komisionit, Kryetar i Vatrës,arkëtar i saj etj.

Dielli shkroi ato ditë se : Vatra, po të mos kishte qenë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonin miqt’ e Vasilit dhe e pranonin kundërshtarët e Vatrës.

Dielli arkiv-Dhjetor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vasil Panin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT