• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JOE DIOGUARDI, 80 VJETORI I LINDJES…

September 24, 2020 by dgreca

Skënderbeu i sodit Joe DioGuardi mbushi tetëdhjetë, ndërsa Komuniteti shqiptar në SHBA, për turp, fjetë !-

 Nga Elida Buçpapaj –

Më 20 shtator 2020 ish Kongresmeni Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes.

Ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan heshti. Heshtën kudo, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut!

Heshtën për të treguar se sa poshtë kanë rënë.

Prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, por sidomos prej 2008, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan  është tjetërsuar, ka dalë nga roli, ka humbur identitetin, ka humbur vitalitetin, nuk ka emra, nuk ka përfaqësues, ka pseudopërfaqësues dhe e ulëta është se ata që pretendojnë se janë kokat kanë mbajtur komunitetin larg nga ish-Kongresmeni Joe DioGuardi!

Për të keqen e kujt? Gjejeni vetë!

Normalisht Komuniteti Shqiptaro-Amerikan mund të organizonte të paktën një Simpozium shkencor me rastin e ditëlindjes së Joe DioGuardit, Skënderbeut të sotshëm të shqiptarëve, të shqiptarëve që tashmë nuk dinë se kush janë dhe janë kthyer në marioneta të Hashim Thaçit, kandidat për Hagë si dhe Edi Ramës, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet duke e kthyer Shqipërinë në diktaturë.

Joe DioGuardi prej 1984 si anëtar i Kongresit Amerikan dhe prej 1989 si President i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bëri të pamundurën, për ta kthyer çështjen shqiptare nga më të panjohurën në metropolin kryesor të politikës, që mbizotërohej nga ndikimi serb, në gjithmonë të pranishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.

Në këto 30 vjet nuk ka asnjë shqiptar që të ketë ndikuar në ndryshimin e rrjedhave të historisë për faktorizimin e shqiptarëve si Kongresmeni Joe DioGuardi.

Nuk ka asnjë shqiptar që t’i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, që të ketë luftuar për liritë e të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve, që të ketë denoncuar krimet serbe të kohës të Milosheviçit, segregacionin antishqiptar në Maqedoni, që të jetë angazhuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi; nuk ka burrë shteti shqiptar si Joe DioGuardi që t’i ketë ndjekur shqiptarët hap pas hapi, nga koha e pushtimit dhe respresionit, konflikteve deri tek sendërtimi i demokracisë dhe lirive me standart Perëndimor!

Askush nuk mund të kishte atë fuqi si Joe DioGuardi për t’i bërë bashkë shqiptarët e prezantuar në Washington D.C; askush nuk mund të kishte shpirtin arbëresh si ish-Kongresmeni Joe DioGuardi  për të sensibilizuar Washongtin DC se çfarë po ndodh në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zit; askush dhe asnjë veç Joe DioGuardi ka patur si mbështetje emrat më të shkëlqyer të Administratave Amerikane prej Presidentit George W.H.Bush e me rradhë; vetëm Joe DioGuardi ka patur atë ndikim tek përfaqësuesit më të lartë të popullit Amerikan që ta donin Kosovën dhe shqiptarët sikur i do Joe DioGuardi.

Nuk ka shqiptar në mbi njëqind vjet histori të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA që të ketë bashkëpunuar me ligjvënës të SHBA për çështje themelore të shqiptarëve sikur Joe DioGuardi që ka bashkëpunuar me kongresmenët Tom Lantos, Ben Gilman, Henry Hyde, Dana Rohrabacher, Ileana Ros-Lehtinen, senatorët Charles Schumer, John McCain , Joe Biden, Bob Dole, Claiborne Pell me gjeneralin Wesley Clark në periudhat më kritike që kalonte kombi, në kriza dhe konflikte në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës etj.

Ish-kongresmeni Joe DioGuardi hyri në kontakt menjëherë me gjithë elitën në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës që e paraqiti në administratën Amerikane.

Joe DiGuardi bashkëpunoi ngushtë me Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Arbër Xhaferin, Zekeria Canën, Zenun Celajn, Bajram Kelmendin, Imzot Mark Sopin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Ramush Haradinajn, Fadil Sulejmanin, Iliaz Halmin, Gjerg Gjokajn, Riza Halimin etj etj.etj.

Askush si Joe DioGuardi nuk ka arritur të mbledhë përpara Shtëpisë të Bardhë e OKB deri në mbi dhjetë mijë veta nga komuniteti shqiptar në praninë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë ku kërkoheshin të drejtat e Kosovës.

Duhen ekipe historianësh të tregojnë 35 vjet histori me protagonist Joe DioGuardi.

Joe DioGuardi bashkë me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte e Ballkanit  nuk ndalen dhe ndjekin hap pas hapi fatin e shqiptarëve në rajon, duke u bërë Avokatët Mbrojtës të tyre.

DioGuardi ka qenë gjithmonë me shqiptarët kudo: në Prishtinë, Gjakovë, Tiranë, Tetovë, Bruksel, Gjenevë, Romë, New York, Washington DC. Ai ishte i pranishëm në varrimin e Enver Hadrit, ishte i pranishëm me Shirley Cloyes kur inagurohet Universiteti i Tetovës; ishte në Hagë kur dëshmon në gjyqin e Milosheviçit dhe nuk ndalet asnjë çast. Ka një sukses dhe ndikim të padiskutueshëm në sajë të kredibilitetit që gëzon. Tom Lantos u kujtonte shqiptarëve gjithmonë t’i ishin mirënjohës JoeDioGuardit!

Nuk ka ndodhur kurrë që në Kongresin dhe Senatin e SHBA në një hark kohor prej 30 vitesh të ketë patur dëshmi, seanca dëgjimore dhe Rezoluta në mbrojtje të shqiptarëve sa këto të votuara e sponsorizuara nga LQSHA me në krye Joe DioGuardi. Zor të besoj se ka patur përpara!

Joe DioGuardi ka krijuar lidhje shumë të forta me Lobin Hebre në SHBA. Kongresmenët Tom Lanos, Ben Gilman ishin hebrej që e respektonin dhe e çmonin pa fund. Me Lobin Hebre ka bashkërenduar aktivite, ekspozita, filma; ka sensibilizuar për rolin që patën shqiptarët gjatë Holokasutit, duke ngritur në piedestal “Besën” dhe tolerancën shqiptare e duke sjellë në SHBA familjarë të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrejtë.

Joe DioGuardi gjithmonë u ka dalë në mbrojtje shqiptarëve, sikur Skënderbeu.

Ishte Joe DioGuardi që në një seancë dëgjimi në Kongres mbrojti UÇK-në pas deklaratës të Ambasadorit Rober Gelbard sipas të cilës UÇK ishte një “Grup terrorist”.

Joe DioGuardi bashkë me Shirley Cloyes dhe LQSHA kanë afër katër dekada që u kanë dalë në mbrojtje shqiptarëve.

Ndërsa shqiptarët nuk e kujtojnë as më 20 shtator, kur mbush 80 vjet!

Joe DioGuardi u krenohet hebrejve për “Besën” shqiptare ndërsa shqiptarët e kanë humbur edhe besën edhe veten se cilët janë.

Sa dekorata janë ndarë në Komunitetin shqiptaro-amerikan nga presidentët e Shqipërisë?

Sa tonelata metal do të bëheshin?

Ndërsa Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe LQSHA nuk kanë marrë asnjë nder e respekt nga shtetet që ata dhanë kontributin e tyre këto shtete të bëheshin.

Vetëm një dekoratë ka nga koha kur ishte Rugova gjallë.

Lajmi tjetër i trishtë është se Joe DioGuardi ka mbi dhjetë vjet që nuk e viziton Kosovën!

JoeDioGuardi që e vizitonte Kosovën në kohë pushtimi, lufte, krizash ka mbi dhjetë vjet që nuk shkon në Kosovë!

A e pyesni veten se përse ? A e gjetët përgjigjen ?

Më në fund!

E vërteta është se Joe DioGuardi nuk e ka pranuar erën e Thaçizmit dhe politikanëve që kanë kapur shtetin; ai ka denoncuar keqqeverisjen, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e liderëve shqiptarë për të vënë në rrezik sovranitetin shtetëror.

Po Komuniteti Shqiptaro-Amerikan çfarë ka ? Që dallohet për organizimin e ballove e mbrëmjeve gala, pse bën sikur e harron Joe DioGuardi-n? Se Joe DioGuardi nuk harrohet!

Joe DioGuardi është aty në New York ! Të harruar janë kush mbjell harresën për Figurat si Joe DioGuardi që i lindin kombit një herë në 100 vjet !

Konferencat shkencore për Skënderbeun e Krujës janë vetëm demagogji, sepse po të ishte gjallë Kalorësi i Krishtërimit, do të silleshin sikur me Skënderbeun e ditëve të sotme, Joe DioGuardin.

Në fund të këtij shkrimi, më duhet të them, se kemi rreth 30 vjet që bashkëpunojmë me DioGuardët, kjo është në nderin tonë.

Joe DioGuardit dhe Shirley i uroj mbi 100 vjet, ndërsa shqiptarëve u dëshiroj që të zgjohen e të dalin nga ky makth kombëtar!

Kur i bëmë urimin direkt Joe-s, ai na u përgjigj tekstualisht:

“Të dashur Elida dhe Skënder. SHUMË FALENDERIME për urimet tuaja dhe vlerësimin tuaj për punën time për GJITHË Shqiptarët. Dhe, Elida, unë e lexova shkrimin tuaj të mrekullueshëm dhe ju vlerësoj të gjithë ju që zbardhni të vërtetën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, sikur do të vazhdoj të bëj me Shirley. Puna ime nuk ka përfunduar ende, edhe nëse i kam mbushur 80 vjeç dje. Nëna ime jetoi deri 95 vjeçe, unë kam genet e forta shqiptare DHE italiane për të vazhduar me Shirley (që mbush 70 vjeç në tetor). Përshëndetje të ngrohta, Joe”

Nuk ka shqiptar e bir shqiptari që të mos i urojë Joe DioGuardit, Skënderbeut të sodit, të ketë gjithmonë pranë Zotin e të mos ndalen bashkë me Shirley duke dhënë kontributin te jashtëzakonshëm për të mirën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, që do të fitojë kur shqiptarët të udhëhiqen nga shtete të së drejtës dhe politikanë të përgjegjshëm. U bëfshin mbi 100 vjeç dhe Shqiptarët t’i nderojnë sikur u takon!

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaçi, Ben Jilman, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova, Ish-Kongresmeni JoeDioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi, Tom Lantos, Zekiria Cana

Vushtrria edhe me Shtatoren e Sheshin Kolonel Ahmet Krasniqi

September 22, 2020 by dgreca

-Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri: Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

VUSHTRRI, 21 Shtator 2020/ Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, kanë marrë pjesë sot në përurimin e Shtatores së Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Sheshit me emrin e tij në qytetin e Vushtrrisë.

Në fjalën e hapje të ceremonisë zyrtare, ku merrte pjesë edhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se Koloneli Ahmet Krasniqi ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare. “Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përshkruhet me disa fjali. Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare”, ka thënë Tahiri.

“Kalasë mijëravjeçare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë, nga sot i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret e Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, e së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, do të ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur”, theksoi kryetari Tahiri.

Ndërsa Vjosa Osmani kryetare e Parlamentit të Kosovës, pikërisht sot në 22 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ka bërë thirrje që të bëhet zbulimi i autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjes së tij.

Zbulimin e kësaj shtatoreje në Vushtrri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vlerësuar ringjallje shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit. “Dita e sotme për të gjithë ne, për të gjithë ata që ja duan të mirën Kosovës shënon rikthimin e Kolenel Ahmet Krasniqit në vendlindje, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit”, ka theksuar kryeministri Hoti.

Ndërsa Anton Quni, ministër i Mbrojtjes që Qeverinë e Kosovës tha se vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit erdhi në momentin kur Brigadat e para operative dhe batalionet e veçanta goditën fuqishëm forcat serbe. “Plumbat e shkrepur në natën e 21 shtatorit mbi trupin e kolonelit ishin plumba kundër lirisë”, ka thënë ministri Quni.

Për veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit ka folur edhe ministri i shëndetësisë Armend Zemaj, njofton komuna e Vushtrrisë.

Shtatorja dhe Sheshi Ahmet Krasniqi në Vushtrri u përuruan në 22-vjetorin e vrasjes së tij që ndodhi në Tiranë në 21 Shtator 1998, e cila ende nuk është zbardhur.

***

Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA përkujtoj: NË shkollën në vendlindjen e Ahmet Krasniqit – fshatin  Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë isha nxënës nga klasa e parë deri në të katërten, udhëtoja nga fshati im i lindjes Strofc, që ishtë afër-fqinj. Për herë të fundit jemi takuar në Prishtinë tek po nisej në udhëtimin drejt misionit të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

MIRË SE VJEN KOLONEL AHMET KRASNIQI NË VUSHTRRI, VICIANËN ANTIKE!

Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri:

Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari i dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Fjalimi i plotë!

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës znj. Vjosa Osmani,
I nderuar Kryeministër i Republikës se Kosovës, z. Avdullah Hoti,
E nderuara familje e Kolonel Ahmet Krasniqi,
Të nderuar Nënkryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar Ministra,
I nderuar Gjeneral i FSK-së z. Rrahman Rama,
I nderuar Guvernator i Kosovës z. Fehmi Mehmeti,
Të nderuar Kryetarë të Komunave,
Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së,
Të respektuar veteranë e invalid të luftës së UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta,
Të nderuar përfaqësues të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë,

Mirë se vini në Vushtrri, Vicianën antike, qytetin e Hasan Prishtinës dhe Kolonel Ahmet Krasniqi.

Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari I dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Jam shumë i privilegjuar që sot zbulojmë bashkë me ju miq të respektuar e bashkë me qytetarët e Vushtrrisë shtatoren e Kolonel Ahmet Krasniqi dhe inagugurojmë sheshin e Kolonelit. Falënderoj të gjithë spektrin politik në Vushtrri që përkrahën me votë në Kuvend të Komunës ngritjen e shtatores dhe sheshit të Kolonelit.

Të nderuara zonja e zotrinjë,

Ahmet Krasniqi, u lind më 15 janar 1948 në Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë.
Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur dhe rritur në gjirin e familjes së patriotit të mirënjohur Aziz Zhilivoda. Shkollën Fillore katër vitet e para i kreu në fshatin e lindjes, pastaj e vazhdoi shkollimin në fshatin Hade dhe në Prishtinë. Gjatë viteve të shkollimit dallohet për veprimtarinë e tij patriotike, si bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm, Metush Krasniqi.

Ahmet Krasniqi, ishte ministri i luftës i emëruar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në krye të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Koloneli i UÇK-së, me përgatitjen e tij ushtarake e patriotike ishte tmerri i armikut. Ai u vra në mënyrë tinëzare më 21 shtator 1998 në Tiranë. Pas vdekjes atij iu dha urdhëri Hero i Kosovës.

Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën Çlirimitare. Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përkshkruhet në disa fjali.
Vendi që kemi zgjedhur për shtatoren e Kolonelit, pranë institucionit të Komunës së Vushtrrisë, është testament për besnikërinë e Kolonelit ndaj institucionit, ndaj Republikës, sespe ai në të vërtet ishte Ministri i luftës i emëruar nga Presidenti Historik I Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe u vra nga dora armike sepse punoi fortë për bashkim e çlirim.
Qytetëarë të dashur të Vushtrrisë,
Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur.

Urime! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri! Lavdi Kolonel Ahmet Krasniqi, Zoti e bekoftë Vushtrrinë e Kosovën.

*Me shume foto gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Ahmet Krasniqi, Behlul Jashari, Shtatorja ne Vushtri

THAÇI I AKORDON MEDALJE PRESIDENCIALE RICHARD GRENELL

September 22, 2020 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.

Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Filed Under: Featured Tagged With: medaljen Presidenciale, per Grenell, Thaçi

SHBA-ja dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit

September 21, 2020 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA”.

Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, sqaroi Boehler.

Ai tha se delegacioni amerikan që po viziton Kosovën përbëhet nga zyrtarë të gjashtë agjencive, duke përfshirë atë të Energjisë, Tregtisë, gjë që, sipas është ngjarje e paprecedent.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti konfirmoi se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.

“Ky është një momentum i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike”, tha Hoti duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit.

Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune dhe se vizita e delegacionit amerikan dëshmon për seriozitetin e presidentit amerikan, Donald Trump.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se është shtyrë personalisht nga presidenti Trump që të vijë në Kosovë dhe të inkurajojë zbatimin e shpejtë të marrëveshjes.

“Ne nuk duam vetëm fjalë boshe, por duam t’i tregojmë popullit të Kosovës, që i kemi aleat të fuqishëm, se duam që të qëndrojmë përkrah jush drejt zhvillimit ekonomik”, tha Grenell.

Ai paralajmëroi se brenda 30 ditësh, ekipet amerikane do të vijnë në Kosovë për dy studime fizibiliteti në fushën e energjisë, projekte që sipas tij do të gjenerojnë mijëra vende të reja pune.

Grenell i reagon opozitës

Në konferencën për media, Grenell e quajti historike marrëveshjen e 4 shtatorit, ndërkaq kundërshtimet që po i bëhen në Prishtinë kësaj marrëveshje, i cilësoi të pabaza.

Sipas tij, gjatë muajve në vazhdim do të shihet se këto nuk janë vetëm fjalë boshe, por që do të sjellin zhvillim ekonomik. Ai kërkoi që të dëgjohet zëri i atyre që mezi po mbijetojnë, e jo vetëm i politikanëve që e kane ‘marr peng’ debatin në Kosovë.

“Ekzsiton një konflikt i perceptuar dhe kjo do të thotë se bizneset amerikane dhe ato evropiane nuk mund të ecin me investime këtu për shkak të luftës politike. Unë shpresoj se individët në Kosovë, familjet, njërzit e zakonshëm, burra e gra që nuk janë politikë, të shprehen dhe të shohin se kjo është një mundësi ekonomike për Kosovën, që të lëmë pas luftërat politike dhe të krijojmë vende të reja pune”, tha Grenell.

Nënshkrimi i kësaj deklarate shënon nisjen në praktikë të zbatimit të asaj çfarë u nënshkrua në më pak se tri javë më parë nga liderët e Kosovës dhe Serbisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim ekonomik.

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.(Kortezi:Shkumbin Ahmetxhekaj-Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: Hoti, marreveshjet

SHTATORI I GJUHËS SHQIPE EDHE NË DIASPORË

September 21, 2020 by dgreca

Shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia rifilloi mësimin-

Shkruan: LLAZAR VERO-Filadelfia-USA*

Shtatori përsëri na dha ditën e parë të shkollës për mësimin e gjuhës amtare fëmijëve të emigrantëve shqiptar.

  Por ky shtator është pak më ndryshe se të mëparshmit: është vazhdimi i vitit të kaluar shkollor. Në mbledhjen e saj me të fundit kryesia e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” vendosi që ky vit shkollor të plotësonte vitin shkollor që u ndërpre për shkak të pandemisë në muajin mars dhe viti i ri shkollor 2020-2021 të filloj në muajin dhjetor 2020. Mësimet do të zhvillohen “online”, ashtu sic veprohet në shkollat publike te shtetit të Pensilvanisë.

   Ky ishte objektivi. Por për realizimin e tij kërkohej shumë punë. Duheshin siguruar kompjutera (laptopë) për mësueset, duhej përgatitur plaforma e mesimit online në google clasroom, duheshin trajnuar mësueset, duhesh testuar dhe siguruar shpejtesia nevojshme e internetit për të gjitha klasat, duhej marrë takime me prindërit e nxënësve,që të njiheshin me situatën dhe të përgatiteshin për këtë formë mësimdhënie… Të gjitha këto detyra që ne i përmblodhëm në 3-4 rreshta, kërkonin organizim dhe punë këmbëngulëse. Kryetari dhe nënkryetarët e shoqatës Bujar Gjoka Rudina Bani e Dritan Matraku mbajtën barrën kryesore të këtyre punëve. Megi Pajolllari dhe Eldion Pajollari morën përsipër gjetjen e kompiuterve falas nga kompania ku punonte Megi. Ing. Ermir Cenaj mori përsipër intalimin e programeve dhe vendosjen në punë të kompjuterave. Mësueset me në krye n/kryetaren Rudina Banin kontaktuan në mënyrë periodike nëpërmjet telefonit me prindërit e fëmijëve për sigurimin e adresave të emailit për secilin nxënës si dhe anëtaren e shoqatës Orela Suku e cila me këto të dhëna ndërtoi të gjithë platformën e mësimit online për secilën klasë në google classroom dhe trajnoi mësueset në këtë program.

   Lajmërimi i shoqatës për fillim (vazhdimin) e vitit shkollor ngjalli interesim dhe përkrahje jo vetëm nga prindërit e nxënësve dhe bashkatdhetarët tanë në Filadelfia dhe me gjërë, por edhe nga shokë dhe miq tanë dhe të shoqatës në Shqipëri, Greqi, Itali, etj. Gazetari dhe miku ynë Sefedin Çela nga Tirana se nga ky lajm “Na jepni krahë edhe neve këtej.”. Një tjetër njeri i letrave, Hekuran Iljazi, në mesazhin e tij shkruan: “Zoti i bekoftë mësimdhënësit, kontribuesit për përpjekjet që të mos harrohet gjuha e bukur shqipe!” Keshtu,me përshëndetje dhe urime vazhdon edhe gazetarja tjeter Vadete Antoni etj.

   Dhe erdhi data 20 Shtator, dita e parë e plotësimit të vitit shkollor 2019-2020. Megjithëse shumë më ndryshe se vitet e mëparshme, kur dita e pare e shkollës ishte një ditë e madhe feste, me prindër dhe fëmijë të veshur bukur, me ceremonin e shkurtër dhe përshendetjet e rastit dhe me këndimin e himnit kombëtar nga të gjithë nxënësit, fillonte dita e pare e shkollës, përsëri edhe kjo ditë pati emocionet e veta. Mësuese dhe nxënës u përshendetën gjithë mall nëpërmjet kompiuterit. Mësuese Rudina nuk harroi të këndonte së bashku me nxënësit edhe himnin kombëtar. Pas kësaj filloi ora e mësimit. Me pak vështirësi në fillim por mënjëherë pranë mësueseve gjendeshin ish antare e kryesise së shoqates dhe përherë e gatshme për ndihmë, Orela Suku, apo ish nxënësit e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Sara Matraku, Arbiona Muzhaqi e Anthoni Thanasi,tani gjimnazista, ose studentë në high school, siç i thonë në Amerikë. Bujari Gjoka dhe Dritan Matraku kalonin nga një kat në tjetrin, nga një klasë në tjetrën derisa cdo gjë u normalizua. Kështu filloi nga puna “Shtatori Gjuhës Shqipe-2020”!

       Në fund të kësaj dite mësueset ishin të kënaqura dhe të çliruara,sikur sapo kishin dalë nga provimi. Mësuesja “veterane” e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Rajmonda Bardhi u shpreh e emocionuar: “pjesëmarrja në mësim e nxënësve të klasës së pestë është për t’u vlerësuar me notën 10. Po kështu edhe për angazhimin në procesin mësimor, korrektësinë në postimin e ushtrimit dhe zgjidhjen e saktë të tij…”. Me entusiazëm folën edhe mësueset e klasës së pare Irini Zenelaj, klasës së dytë Ermira Tusha dhe e klasës së tretë Rudina Bani. Ndërsa mësuesja e klasës së katërt Afërdita Muzhaqi, në mesazhin e saj shkruan: “Një vit i pazakontë kur takimi me nxënësit u bë nëpërmjet ekranit të kompiuterit. Ishin po ato emocione që unë kam provuar cdo vit shkollor. Me to u perzienë edhe shqetësimi se si do të shkonte mësimi “online”. Por shqetësimet u shuan kur para meje, në ekranin e kompiuterit u shfaqen u shfaqen fytyrat e dashura të nxënësve të mi. Në to shihja dëshirën dhe vullnetin për të mësuar gjuhën shqipe.Kjo më jep zemër për të ecur përpara dhe për të mposhtur çdo vështirësi.” Midis këtyre emocioneve, kujtoj se midis nesh, sot për herë të parë që nga dita e parë e shkollës shqipe në Filadelfia, mungonte sekretari i shoqatës Vlashi Fili, Një gëzim familjar, ditëlindja e tij dhe e bashkëshortes Yllka, gjatë javës që shkoi, që i bashkangjiteshin nderimit të tij me titullin “NDERI I QYTETIT TË KUÇOVËS, pak kohë me pare, që e mbajti larg kësaj dite tjetër të bukur.

      Në fund të kësaj dite të veçantë në historinë e shkollës tonë, një falenderim i vecantë u takon prindërve që qëndruan pranë fëmijëve gjatë procesit mësimor në ditën e pare të mësimit “online”!

Por janë me qindra, për të mos thënë me mijëra prindër të rinjë  që akoma e nënvlerësojnë, nevojën, domosdoshmërinë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare, gjuhën tonë të bukur shqipe. Pa kuptuar, në këtë mënyrë ata i kanë ndarë fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat nga prindërit e tyre, nga të afërmit, dhe në fund të fundit, pse mos ta themi,edhe nga atdheu i tyre. Do të vij një ditë që fëmijët, sot të vegjël, do t’i dënojnë për këtë veprim.

         Javën që shkoi dhe sot filluan mësimdhënien shumë shkolla shqipe në Amerikë dhe në Europë. Është SHTATORI I GJUHËS SHQIPE! U urojmë nga zemra për këtë punë të shënjtë! Paçin gëzime dhe mbarësi të gjithë organizuesit,mësuesit, nxënësit dhe prindërit, për ruajtjen e gjuhës së bukur shqipe!

   LLAZAR VERO

Filadelfia,20 Shtator 2020

*Me shume fotografi gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Gjuha Jone, Llazar Vero, SHTATORI I GJUHËS SHQIPE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT