• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ…

August 11, 2020 by dgreca

– I PAMUNDËSUAR PËR TA LEXUAR NË CEREMONINË PËRCJELLËSE –

NGA MARJAN CUBI-DIELLI-

Lekë Gojçajn e kisha mik dhe më ka ligështu në shpirt ikja e tij e parakohshme. Na kishte lidhë ngushtësisht në shpirt Shenjtëresha me gjak shqiptar Nënë Tereze dhe Dr. Ibrahim Rugova..

Tek Leka shihja ndërlidhjen e patriotizmit me përkushtimin fetar. E kam parë këtë në shumë momente:

-E kam përjetuar në Vatikan më 1988 në audiencën me Papa Gjon Pali II, ku ishim të pranishëm. Kujtoj se mesazhi i Papës derjtuar shqiptarëve, na mbushi shpirtrat me jetë!

E kam parë tek përpjekjet e Lekës me vëlla Pashkun, për të përjetësuar Nënën Tereze në SHBA dhe Trojet Etnike me Shtatoret, që nisën në të gjallë të saj.

E kam përjetuar, në udhëtimin tonë drejt Kalkutës –Indi dhe pjesmarrjen në homazhe dhe ceremoninë e varrimit të Nënë Terezes-Shtator 1997. Nëna Terezë ndërroi jetë me 5 shtator 1997, ndërsa ceremonia e varrimit do të organizohej me 13 shtator. Ne u nisëm nga aeroporti Kenedy në orën 8 të mbrëmjes të 9 shtatorit dhe arritëm në Kalkuta me 11 shtator. Përgjatë të gjithë udhëtimit Leka fliste plot pasion për jetën dhe përkushtimin e Nënës Terezë mes të varfërve.Me mijëra e mijëra njerëz prisnin në radhë, ndër ta dhe fëmijë të vegjël me lule ndër duar, për të hyrë tek Kisha e Shën Thomait, ku ishte vendosë trupi i Nënë Terezës. Radhët kanë vazhduar për gjashtë ditë. Ishin radhë të pafundme, por njerëzit qëndronin pa u ankuar për lodhjen e pritjeve të gjata.

          Sjell në mendje mëngjesin e 13 shtatorit 1997, kur Leka, më takon dhe më tregon se ka qëndruar pa gjumë tërë natën nga emocionet e forta të shkaktuara nga përjetimi i asaj çfarë kishim parë gjatë atyre ditëve, ku qytetarë nga e gjithë bota nderonin bijën e gjakut shqiptar, nënën e të varfërve të Botës, Nënë Tereza.

Leka kishte thurur në mendjen e tij vargje, që i kushtoheshin Nënë Terezës.Kujtoj:

Oj Kalkuta e Indisë

Je qyteti i varfërisë

Tani u bëre i historisë…

Nënë Tereze, bijë e Shqipërisë

Ti qe drita e fëmijërisë

U bëre Shënjtëreshë e Lumnisë

Lutu për Tokën e Shqiptarisë…!

Homazhe prane arkmortit me Trupin e Pajete te N Terezes-Nga e djathta Pashk e Lek gojcaj, Marjan Cubi, Simon Simolacaj.

Ishin ditë të paharruara ato që kaluam së bashku me vëllezërit Lek dhe Pashko Gojçaj dhe Simon Simolacaj. Në orën 9 të mëngjesit të 13 shtatorit zumë vend në stadiumin e qytetit, ku ishin të pranishëm rreth 25 mijë besimtarë. Kishin ardhë aty kryetarë shtetesh, personalitete të larta fetare dhe qytetare,ishte dhe presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani, Kryeministri i asaj kohe i Kosovës Bujar Bukoshi dhe personalitete të tjerë. Në orën 10 të mëngjesit ushtarakët bartën arkivolin me trupin e Nënës Terezë dhe e vendosën në qendër të stadiumit, ku ishte ndërtuar altari, ku u zhvillua mesha e Dritës. Gjithçka ishte e mbushur me emocione. Krerët e lartë fetarë përcollën Lutje. Më pas personalitete shtetërore vendosën lule, në fillim Kryetari i Shtetit Shqiptar, Prof. Rexhep Meidani. I pranishëm edhe Imzot Rrok Mirdita, shqiptarë nga Europa dhe Amerika, jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga Detroiti.

Me 14 shtator , në orën 3 pasdite , Dom Anton Kçira, ngriti meshë tek varri i Nënë Terezës. Në këtë meshë morëm pjesë edhe ne shqiptarët e Amerikës, shqiptarë nga Gjermania, si dhe Motrat Misionare. Të nesërmen morëm rrugën e kthimit dhe pas 18 orësh fluturim, zbritëm në New York.

    Me Lekën ishim edhe në Rambuje , Shkurt 1999, ishim bashkë me një delegacion në vizitë në Kosovë , menjëherë pas luftës, ishim bashkë në Shqipëri në vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri, të pranishëm në shugurimin e 5 Arqipeshkeve, ndër ta dhe Imzot Rrok Mirdita…Ishim me Lekën dhe bashkatdhetarë të tjerë në nëntor 2000, duke ndjekur zgjedhjet lokale në Kosovë…Gëzim të veçantë provoi Leka me 2 Korrik 2002, në inaugurimin e Shtatores së Nënës Terezë në Prishtinë, kur dr.Rugova çmoi dhe vlerësoi lartë veprën e vëllezërve Gojçaj…

        Do të isha bashkë me Lekën e vëlla Pashkun në Lumturimin e Shejt Nëna Terezë, prill 2003. Në shtator 2010, ne përjetuam bashkë Shejtërimin e Shetjtëreshës Tereze, ndërsa në shtator 2014, shkuam në Tiranë dhe përjetuam vizitën e Papa Françeskut dhe Lumturimin e 39 martirëve.

Unë mendoj se Leka me vëlla janë nga më bujarët e shqiptarëve: Ata nuk kursyen asgjë për Fe e Atdhe: 100 Mijë dollar i dhuruan për ndërtimin e Kishës Zoja e Shkodrës në New York, 100 Mijë dollar i dhuruan për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë; mijëra dollar për Shtatoret e Nënë Terezës në SHBA dhe Trojet Etnike shqiptare, dhuruan për xhamia e teqe, investuan në vendlindje në objekte sociale; ata dhuruan mijëra dollar në fushatat për presidentë, senatorë e Kongresmenë amerikanë, për t’i kyçur e përkushtuar ata në çështjen Shqiptare. Ata dërguan prej Amerike edhe arkmortin për të ndjerin Dr. Ibrahim Rugova.

Rrallë gjenë njerëz të tillë kaq të përkushtuar, bujarë e fisnikë.

Të qoftë e lehtë toka e Amerikës i dashur mik Lek Gjeto Gojçaj!

Pusho në Paqë!

Filed Under: Featured Tagged With: Marjan Cubi, MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ

QENDRA ISLAME & POLICIA E NY, BASHKËPUNIM EDHE NË KOHËN E PANDEMISË

August 10, 2020 by dgreca

QENDRA ISLAME & POLICIA E NY, BASHKËPUNIM EDHE NË KOHËN E PANDEMISË/

Janë të njohura bashkëpunimet mes Qendrës Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island dhe Policisë së New York-ut. Edhe gjatë ditës së sotme, e hënë, 10 gusht 2020, në këtë qendër u organizua shpërndarja  e ndihmave ushqimore për qytetarët. Kjo ngjarje u mbajt nga Federata e Chaplain e Shtetit të New York-ut. Dr. David Olivencia. Unifromat blu të policisë ishin mes besimtarëve. Imam Tahir Kukaj falenderoi policinë dhe përcolli një falenderim të veçantë për Chief of Community Affairs: Jeffry B.Maddrey. Disa nga fotografitë gjatë kësaj veprimtarie,  gazetës Dielli iu mundësuan nga bashkëpunëtori i saj, pjesë e veprimtarisë së përbashkët. (Dielli)-Me shume foto gjeni ne Facebook -Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Imam Tahir Kukaj, policia, Qendra Shqiptare Islame

Rihapja e shkollave në Nju Jork, Kur dhe Si?

August 10, 2020 by dgreca

-Flet për Gazetën DIELLI, drejtuesja Drita Gjongecaj-Intervistoi Marjana Bulku-

Marjana Bulku: Situata pandemike e ka vënë jo pak në vështirësi sistemin e edukimit në përgjithësi, a mund të na i specifikoni disa nga pasojat?

Drita Gjongecaj :Në një mënyrë apo tjetër, pasojat e Covid -19 janë ndjerë në çdo fushë. Në arsim, kjo situatë ka prekur drejtpërdrejt tri kategori njerëzish, punonjësit e arsimit, nxënësit dhe prindërit. Duke qenë se nuk ishin të pregatitur për një situatë të tillë mësuesit dukej sikur të ishin në vitin e parë në profesion; atyre iu desh të adaptoheshim menjëherë me një mënyrë krejt të re mësimdhënie, komunikimi me nxënës, etj. Me 1.1 milion nxënës që ka vetëm qyteti i NY, ky ishte një hap vigan. Edhe ana teknike pati vështirësitë e veta… mësuesit vetë patën shumë gjëra për të mësuar dhe për më tepër, u është dashur t’ua shpjegojnë prindërve hap pas hapi (kjo në shkollat fillore) se si të krijojnë një llogari personale me shkollën, si të hyjnë në platformë e deri në detaje të tjera që kanë të bëjnë me dorëzimin e detyrave të përfunduara. Shkollat tetëvjeçare dhe të mesme edhe para Covid -19 kanë qenë në masë të konsiderueshme të përfshira në një system te tillë por jo gjithkund në të njëjtin nivel. 

Marjana Bulku– Cila nga sfidat mendoni se ka qenë më e vështira ; ajo e fëmijëve, mesuesve apo prindërve dhe familjes?

Drita Gjongecaj:Prindërit ndoshta e kanë pasur më të vështirë këtë periudhë. Duke dashur më të mirën për fëmijët e tyre, ata ishin e janë të shqetësuar nëse po bëjnë aq sa duhet për t’u siguruar atyre nivelin e nevojshëm akademik. Mungesa e njohurive në lëndë të caktuara, kufizimet në përdorimin  e teknologjisë për mësim dhe në disa raste deri tek pamundësia për të shkuar në punë ka shtuar stresin dhe pakënaqësinë me situatën. Shumë familje nuk kanë një pajisje elektronike për çdo fëmijë e kjo është tjetër pengesë pasi ata duhet të presin rradhën. 

Mësuesve iu desh të futen drejtpërdrejt në mësimdhënie në distancë pa trainimim e duhur, pa teknologjinë e kërkuar, pa një program se çfarë do t’u mësojnë fëmijëve dhe pa material të mjaftueshme. Përveć Google Classroom, në një kohë shumë të shkurtër arsimtarët u familjarizuan me disa platforma plotësuese për ta bërë mësimin sa më efektiv. Por edhe sot pas 6 muajsh ka nga ata që kanë vetëm njohuri elementare dhe nuk janë në nivelin e pritshmërive të sotme për sa i përket teknologjisë. 

Po t’i referohemi nxënësve, ata u përballën me pasigurinë në plotësimin  e detyrave, shumë herë pa pasur shpjegimin e mësuesit por duke u përpjekur ta gjejnë zgjidhjen me të lexuar. Me moshat e vogla sidomos është e vështirë pasi ata e kanë të kufizuar kohën e vëmëndjes/përqëndrimit në një aktivitet të caktuar. 

Marjana Bulku – Ju jeni drejtuese arsimi, si po mendohet të nisë ky vit i ri akademik?

Drita Gjongecaj:Guvernatori Cuomo deklaroi se shkollat e New Yorkut do të hapen në shtator ndërkohë që distriktet e shkollat duhet të paraqesin një plan të detajuar se si do të procedojnë. Modeli më i mundshëm është ai hybrid, ku gërshetohet mësimi në klasë me atë në distancë (online). Tëgjitha planet duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Departamenti Shëndetësor. Ndonëse ka akoma shumë pikëpyetje në lidhje me rihapjen e shkollave, direktivat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Centers for Disease Control and Prevention – CDC) do të ndiqen që nga mbajtja e maskave, ruajtja e distancës, dizinfektimi i klasave, etj. 

Departamenti i Arsimit ka nxjerrë disa modele të mënyrës sëgërshetimit të cilat përfshijnë 2-3 ditë mësimi në javë në ambientet e shkollës. Modelet do të kenë variacione të vogla në varësi të numrit të nxënësve duke pasur jo më shumë se 9-12 persona në klasë. Prindërit kanë opsionin e zgjedhjes për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi e të marrin mësimet plotësisht online. Atyre u është dërguar një pyetësor për të ndarë shqetësimet e sugjerimet e tyre si dhe për te bërë përzgjedhjen e modelit arsimor. 

Dita e mësimit për fëmijët do jetë paksa më e shkurtër sesa tradicionalisht (8:30 am-2:00 pm). Raportet tregojnë se vetëm 1% e popullsisë është identifikuar aktualisht si e prekur nga Covid-19. Nëse kjo shifër rritet deri në 3% atëhere vendimi i rihapjes sëshkollave do të rishikohet. 

Sa për ilustrim, ky është një nga variantet që mund të përdoret nëshkollat elementare. 

Modeli 1B

JavaE hënëE MartëE MërkurëE EnjteE Premte
 Grupi D (çdo ditë vetëm online)
1Grupi AGrupi AGrupi AGrupi BGrupi B
2Grupi BGrupi AGrupi AGrupi BGrupi B

Pra, nëse ka vetëm dy grupe (A dhe B) që do ndjekin mësimin edhe në shkollë edhe online, Grupi A do paraqitet në shkollë çdo të martë dhe të mërkurë, ndërsa të hënën do të alternohet me Grupin B. Java e parë – Grupi A; java e dytë – Grupi B e kështu me rradhë. 

Ditët tjera (e enjte, e premte dhe e hëna e 2të, e 4t, etj.) Grupi A zhvillon mësimin online dhe Grupi B në klasë. Në modelin e mësipërm nuk ka grup C. Në grupin D janë të gjithë ata nxënës që kanë zgjedhur ta bëjnë mësimin 100% online dhe nuk paraqiten fare në shkollë. Çdo prind ka të drejtë të zgjedhë vetëm mësimin online nëse do dhe mund ta ndryshojë atë në çdo kohë për t’iu bashkuar mësimit në klasë nëse situata përmirësohet. Mësuesit mbi 65 vjeç apo që kanë probleme shëndetësore kanë të drejtë të aplikojnë dhe nëse miratohen do punojnë vetëm virtualisht. 

Me gjithë masat që po merren shqetësimi dhe pasiguria egziston pasi ka raste në Europë apo edhe disa shtete te Amerikës ku situata është rënduar me shtimin e lëvizjeve. Mbetet per t’u parë nëse vendimet do rishikohen kur t’i afrohemi shtatorit edhe pak më shumë. 

Marjana Bulku – Si drejtuese e shkollës shqipe ‘Children of the eagle” jeni përpjekur që edukimin e gjuhës shqipe ta mbani aktiv edhe gjatë vitit të vështirë akademik që lamë pas, sa efiçente ka qenë teknologjia e re e mësimdhënies së gjuhës shqipe në këtë vit të pazakontë?

Drita Gjongecaj: Kjo situatë ndikon pa dyshim edhe punën e shkollave shqipe. “Children of the Eagle” do funksionojë edhe në vazhdim pavarësisht nga sfidat dhe të panjohurat. Të gjithë mësuesit tanë janë të licensuar për mësimdhënie në krejt shtetin e New Yorkut dhe kanë përgatitjen maksimale për të përmbushur nevojat e nxënësve edhe në kushtet e normalitetit të ri. Në të vërtetë, shkolla jonë nuk e ka ndërprerë mësimin as gjatë muajve të karantinës. Përmes platformës Zoom dhe Google Classroom mësimi u zhvillua rregullisht çdo fundjavë. Fëmijët u ndjenë mirë dhe e prisnim me dëshirë takimin javor. Një ndihmë të madhe na ka dhënë Qendra e Botimeve për Diasporën duke na mundësuar edhe shfrytëzimin e materialeve shqip online përveç texteve mësimore që na janë premtuar të vinë në shtator. 

Marjana Bulku– Seminari mbi metodat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë pati një impakt shumë pozitiv në unifikimin e kontributeve në ndihmë të ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, cila do të jetë ecuria e kësaj veprimtarie kaq produktive? 

Drita Gjongecaj:Seminari  i mësimit të gjuhës shqipe është zhvilluar për dy vjet rrjesht dhe ka sjellë materiale të vlefshme për punën me nxënësit dhe rritjen e efektivitetit. Për arsyet që dihen, Seminari III është shtyrë. Po shikojmë mundësitë e një formati ndryshe në përshtatje me normalitetin e ri dhe po ashtu, kohën kur do të mbahet. Bashkëpunimi sa vjen e bëhet më i gjerë dhe përfshin shkëmbimin e eksperiencës edhe me kolegë jashtë Amerikës. Është bukur të komunikosh mes kolegësh gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja që plotësojnë edhe më mirë nevojat e nxënësve, mësuesve por edhe shumë më tepër se kaq.


Marjana Bulku – Ju falemnderit Drita dhe suksese në sfidat e ardhëshme-

Drita Gjongecaj:Faleminderit per intervisten!

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Marjana Bulku, Rihapja e shkollave në NY

Komuniteti shqiptaro-amerikan përcolli për në amshim, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj

August 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Javën që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të njohur të tij, Lekë Gojçaj.  Megjithëse nën rregulla shumë të kufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.

Leka njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë.  Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do të mbeten — së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë para disa viteve — si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë.  Këtë donin ta bënin me qëllim për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Përveç shtatoreve gjigante qai kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet komunizëm.       

I ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull, “Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri.  Pjesën e parë të të librit ai ia ka kushtuar   shtatoreve të Nenë Terezës që ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në Amerikë.

Suksesin e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij.  Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka ishte shprehur se,“Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete.  Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.  Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program për VOA-n.

Ishte pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin, respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”, siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996, atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, — shënon Lekë Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”. 

Këtë nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare.  Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre në Tuz të Malësisë,  (18 tetor, 1997) që mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë.  Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë — të përzgjedhur me qëllim nga vëllezrit Gojçaj — përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini, ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve, pa dallim. 

Shtatoren e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.  Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.

Shtatorja e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me një grup shqiptaro-amerikanësh.  Premtimi u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës Kushtetuese të Kosovës”.  Në përurimin e shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.

Për shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Strugë.  Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004, kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”  Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.

Pastaj radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej shtatorja e Nenë Terezës.  Për vendosjen e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në Strugë.

I ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë e madhe e tij.  Sipas tij, ai hasi në pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por vetëm nga shtetet anëtare.  Vëllezërit Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës, Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar (nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.

Lekë Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës.  Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”

Në mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që, sipas tij,  “Ishte sfidë për të gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje — që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”.  Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.

Nenë Tereza, atëherë dhe sot, një prej personaliteteve më të admiruara të botës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ..

*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, komuniteti shqiptar, Lek gojcaj, Percollli

HIMNI I UÇK-SË NUK ËSHTË I “SHQIPËRISË SË MADHE”, POR I SHQIPËRISË NATYRALE…

August 9, 2020 by dgreca

 Të mos dezinformohen, të mos frikësohen dhe të mos trazohen ambasadorët e huaj në Prishtinë, kinse nga “rreziku” i trilluar dhe i fantazuar “Shqipëria e Madhe”, sepse kjo “armë atomike” është prodhuar për mbrojtjen e interesave kolonialiste, neokolonialiste dhe militariste të Serbisë së Madhe në tokat autoktone të SHQIPËRISË ETNIKE, të cilën që nga shekulli XIX e quajnë “Velika Albanija-Shqipëria e Madhe”!?

* UÇK-ja mbrohet në Kosovë, JO në Hagë e as në Nyrnberg .

– “KOSOVË-SHQIPËRI, JEMI GJALLë, KUR T’JEMI NJË” !

Shkruan: Prof.Dr. Mehdi HYSENI-DIELLI*-

Prandaj, veteranët e Kosovës, duhet të demantojnë dhe të përtrollisin shpifjen ordinere serbe dhe proserbe, se gjoja BETIMI I UÇK-së qenka bërë për njëfarë “Shqipërie të Madhe”, të falsifikuar, të fabrikuar dhe të imagjinuar nga çetnikët kolonialistë dhe hegjemonistë të “Serbisë së Madhe” të Jovan Stratimiroiviqit, të Vuk Karaxhiqit, të Jovan Cvijiqit, të Vladan Gjorgjeviqit, të Nikola Pashiqit, të Vasa Qubriloviqit, të Ivo Andriqit, të Dobrica Qosiqit, të Vojislav Sheshelit, të Slobodan Milosheviqit, të Aleksandar Vuçiqit, të Ivica Daçiqit, të Aleksandar Vulinit, të Marko Gjuriqit….etj. Kjo është industria e prodhimimit të produktit “Velika Albanija”, e cila, as historikisht, as de fakto e as de jure nuk ka figuruar në Gadishullin Ilirik (ballkanik).
Derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin mbi UÇK-në dhe betimin e saj historik, çlirimtar kombëtar dhe atdhetar shqiptar, askush nuk ka të drejtë ta kontestojë, ta sofistikojë dhe ta mohojë sikurse serbomëdhenjtë vrastarë të mbi 2000 ushtarëve të UÇK-së dhe të mbi 11 mijë shqiptarëve të tjerë civilë, në emër të “Velika Srbija” (1989-1999).
Vetëm maskarenjtë, idiotët, zagarët dhe klyshët e agjenturave serbo-ruse, të ndërsyer nga Beogradi dhe nga Moska, mund ta kontestojnë Ligjin për UÇK-në, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, se shqiptarët e vërtetë jo kurrën e kurrës, sepse Betimi i UÇK-së nuk përmban asnjë element të trilluar dhe të shpifur të së ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe” , ngase as në tokë e as në qiell nuk ekziston një ngrehinë e tillë, e trilluar nga kuazishkenca, nga politika, nga propaganda dhe nga Kisha Ortodokse Serbe antishqiptare dhe anti-SHQIPËRI ETNIKE.
Prandaj, spiunët e vegjël dhe të mëdhenj shqipfolës të shërbimeve dhe të agjneturave të ndryshme antishqiptare në Kosovë, nuk kanë pse t’i trazojnë dhe t’i frikësojnë përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Prishtinë, sepse ata 100 herë më mirë e dinë (sesa spiunët endacakë shqipfolës) se ç’do të thotë “Shqipëri e Madhe” dhe, kush , ku, kur, pse dhe për çfarë qëllimesh dhe interesash e ka fabrikuar atë në kurrizin e mohimit të identitetit nacional, territorial dhe shtetëror të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan . Këtë të vërtetë historike (1878-2020) e dinë edhe Evropa e sotme, edhe ambasadorët e saj në Kosovë, edhe Amerika jonë mike.
Prandaj, e përshëndesim dhe gjithanshmërisht e mbështesim vendimin e Kuvendit të Kosovës, që ka miratuar Ligjin për UÇK-në dhe betimin e saj për Shqipërinë Etnike, e cila as historikisht, as kombëtarisht, as shkencërisht, as ligjërisht nuk njeh kurrfarë “Shqipërie të madhe”, sepse kjo nuk “banon” as në mendjen, as në shpirtin, as në zemrën e asnjë shqiptari qoftë brenda apo jashtë SHQIPËRISË ETNIKE. Kjo është djepi, shtrati dhe foleja e mbarë kombit shqiptar për çlirimin, për shpëtimin dhe për bashkimin e së cilës shqiptarët kanë luftuar brez pas brezi, jo vetëm UÇK-ja dhe dëshmorët e heronjtë e saj, siç ishin Adem Jashari, Hamzë e Shaban Jashari, Zahir Pajaziti, Ilir Konushefci, Agim Ramadani, Fehmi e Gjevë Lladrofci, Luan haradinaj, Adrian Krasniqi, Sali Çeku…e qindra e mijëra luftëtarë të tjerë të rënë dhe të gjallë, që me gjakun dhe me sakrificëne e tyre mbinjerëzore çliruan dhe pavarësuan Kosovën e Shqipërisë Etnike. Kjo është shtëpia jonë, JO “Velika Albanija” e trilluar dhe e fabrikuar nga “Velika Srbija” dhe nga spiunët e saj shqipfolës !

Pra, maskarenjtë dhe bishtat e “Velika Srbija” me gënjeshtrat dhe me shpifjet e tyre politiko-propagandistike antishqiptare, kot e kanë se me armën e tyre-“Velika Albanija”, kurrë nuk do t’ia arijnë qëllimit të tyre të ndyrë anticivilizues, kolonialist dhe imperialist, që t’i heshtin dhe t’i ftohin shqiptarët e vërtetë nga kërkesa e tyre e drejtë nayrore, historike dhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rikthimin e territorve të tyre të Shqipërisë Etnike. Kjo është përmbajtja e BETIMIT TË FLAMURIT TË UÇK-së, jo “Velika Albanija”, “O, kirenarë, o, gomarë…O, hasana, baraba…”, do t’i mallkonte Fan S.Noli ynë i madh, Rilindësi ynë i shquar shqiptar, po, KU ËSHTË AJO “SHQIPËRI E MADHE”, Perëmdia u mallkoftë ?
Këtë të drejtë natyrore, historike dhe kombëtare shqiptare për bashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë Etnike, e dëshmon edhe ky AMANET HISTORIK I PAVDEKSHËM I HEROIT DËSHMOR, ILIR (HALIT) KONUSHEFCI, i cili e flijoi jetën së bashku me Dr. Hazir Malën, duke mos e tradhtuar BETIMIN E UÇK-së:

“KOSOVË-SHQIPËRI,
JEMI GJALLë,
KUR T’JEMI NJË” !

Fundja, kujt i pengon KY HIMN I UÇK-së, prehjen, kënaqësinë, drejtësinë, lirinë dhe ngushëllimin e përjetshëm le ta gjejë nën flamurin e “VELIKA SERBISË-SAMO SLOGA SRBINA SPASHAVA”. Le ta thyejë qafën, duke mos e tradhtuar betimin e Serbisë së Madhe, dhe Kushtetutën e Serbisë, ku thuhet se “Kosova është Serbi” (2006).
Ky është rreziku më i madh dhe permanent jo vetëm për Kosovën dhe për Shqipërinë Etnike, por për gjithë rajonin ballkanik dhe për sigurinë dhe për paqen e mbarë Evropës. Për këtë ditë e natë, duhet “alarmuar” ambasadat e huaja në Prishtinë, jo për HIMNIN ÇLIRIMTAR KOMBËTAR të UÇK-së, sepse UÇK-ja është mike dhe partnere e denjë e Amerikës dhe e Evropës Perëndimore, që e kanë ndihmuar dhe legalizuar si faktor vendimtar për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës. Me një fjalë, as BETIMI KOMBËTAR E AS FLAMURI KOMBËTAR I UÇK-së nuk i sfidon e as nuk i rrezikon ambasadat e huja në Kosovë, POR, përpjekjet, provokimet e përditshme dhe përzierja e vazhdueshme 20-vjeçare e Serbisë së Madhe (Velika Srbija) në çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, me qëllim të zhbërjes së saj si shtet i pavarur dhe sovran. Këtë e dëshmon edhe shkelja (e qëllimshme, disa herë radhazi) e territorit sovran të Kosovës në komunën e Kamenicës (në Karaçevë dhe në disa fshtra të tjera). Për këto ndërhyrje të paligjshme, spiunët e Serbisë, duhet të alarmojnë popullin, institucionet dhe organet kompetente të shtetit të Kosovës, KFOR-in dhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Kosovë, JO kinse për “rrezikun” nga “Shqipëria e madhe”, sepse ajo është një “pordhë e ftohtë” e lëshuar me shekuj nga “Velika Srbija” dhe Kisha Ortodokse Serbe për zhdukjen e shqiptarëve dhe për vrasjen e SHQIPËRISË ETNIKE si “shprehje gjeografike” në Ballkan.
“Velika Srbija” me betimin racist në flamurin e saj shtetëror “Samo Sloga Spashava Srbina” ishte, është dhe, do të jetë flaka dhe zjarri I Ballkanit !
Nën këtë betim dhe, me këtë flamur, serbomëdhenjtë kolonialistë, militaristë dhe hegjemonistë me forcë, me agresione, me shpatë, me pushkë, me topa, me gjenocid ndaj shqiptarëve dhe tokave të tyre etnike kanë krijuar Serbinë e Madhe.
Pra, nga ky betim i Serbisë së Madhe, edhe sot, edhe nesër, duhet të frikësohen jo vetëm shqiptarët e kolonizuar, por të gjithë shqiptarët, tërë Ballkani, si dhe tërë Evropa, mbase “Velika Srbija” është “detonatori” përfalkës i Ballkanit.
Për këtë rrezik potencial, që mund të shprthejë në çdo moment në Kosovë nga ndërhyrja e forcave paramilitare, policore dhe militare serbo-ruse për ta rikthyer Kosovën nën sundimin e egër kolonial dhe gjenocidal, duhet alarmuar përditë diplomatët e ambasadave të huaja në Kosovë, JO për Ligjin e UÇK-së dhe të betimit të saj, të miratuar me plot të drejtë legjitime, ligjore dhe kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës.
*Dergoi per Diellin-autori.

Filed Under: Featured Tagged With: Hymni i UCK, Prof.Dr. Mehdi Hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT