• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Marrëzia e radhës e “Rilindjes”- Shëmbet Shkolla Amerikane

July 13, 2020 by dgreca

-Shëmbet shkolla bujqësore amerikane “Charles Telford Erickson”/

Nga: Mal Berisha/

E themeluar me 20.09.1925, ajo bashkë me Shkollën Teknike “Harry Fultz”, ishte dëshmia e parë e Investimeve Amerikane në Shqipëri dhe vatra e edukimit të mijëra agronomëve, veterinerëve, zooteknikëve dhe speciaistëve të bujqësisë shqiptare;

Themelet e saj ishin ndërtuar me një donacion prej 10.000 dollarësh të dhënë nga Presidenti i 31- të amerikan, Herbert Hoover;

Më 1925 shkolla quhej Instituti Shqiptaro – Amerikan, deri më 1939; Më pas Teknikumi Bujqësor “Ylli i Kuq”; Në vitin 2012 mori emrin Shkolla Profesionale “Charles Telford Erickson”.

Enver Hoxha në librin e tij “Rreziku Anglo – Amerikan për Shqipërinë” kishte deklaruar: “Kurrë nuk do të shkelin më këtu armiq të Shqipërisë siç ka bërë Charles Telford Erickson”, pra themeluesi i kësaj shkolle.

Herë pas here shkoi dhe vizitoi shkollën Bujqësore “Charles Telford Erickson”, në Golem, pasi më duket sikur aty gjej gjurmët e lëna nga një njeri që e deshi Shqipërinë me gjithë forcën e shpirtit, duke bërë sakrificat më të mëdha deri në humbjen e një fëmije dhe të bashkëshortes. Këto ditë korriku ndërkohë që isha me pushime në Qerret, mendova të shkoja edhe një herë, veç të tjerash,  të bëja edhe një donacion me librat që kam shkruar për këtë shkollë.  Ajo çfarë pashë aty, më tmerroi.

Rrënimi i trashëgimisë tonë Shqiptaro – Amerikane

Në vijim të shkatërrimit të trashëgimisë perëndimore dhe të akteve vandaliste, këto ditë është shembur simboli i parë i mardhënjeve Shqiptaro – Amerikane:  Instituti Bujqësor Amerikan i Kavajës, i themeluar me datën 20 Shtator 1925. Ky akt është kryer në kohë Pandemie, në shkelje të çdo ligji dhe rregulli dhe në heshtje të plotë, jashtë syve të publikut, fshehurazi dhe për interesa të mafias së ndërtimit, pranë qeverisë.

Kujdesi i Legatës Amerikane në Tiranë për atë  shkollë:

Më 28 Korrik 1922 në Tiranë pat filluar punën Legata Amerikane. Ministri i parë amerikan ishte Ulyses Grand – Smith. Në stafin e tij bënin pjesë Rodgers, J. Donals,  sekretar i Parë,  Minor Georg dhe Charles Telford Erickson, zyrtar të legatës, ndërsa nga stafi lokal ishte Kol Kuqali, i cili u pushkatua në vitin 1947 nga rregjimi i Enver Hoxhës.

Hapja e Legatës  Amerikane  u prit me gëzim të madh si  rrjedhojë e një simpatie të madhe që ishte krijuar në Shqipëri për Amerikën, për shkak të mbrojtjes që Presidenti Wilson i bëri Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris, 1919. Nga ana tjetër shqiptarët kishin arritur të fitonin simpatinë e Amerikës nëpërmjet të Federatës Pan – Shqiptare, “VATRA”.

Ishte VATRA që e kishte dërguar pranë delegacionit shqiptar të drejtuar nga Turkhan Pasha në Konferencën e Paqës në Paris, misionarin e shquar dhe mikun e jashtëzakonëshëm të Shqipërisë, Charles Telford Erickson, një diplomat të cilit i takoi edhe nderi që të merrej me hapjen e Legatës Amerikane në Tiranë, në vitin 1922-1923.

Kush ishte Charles Telford Erickson:        

Për herë të parë, Erickson erdhi në Shqipëri bashkë me të shoqen Carry – in dhe tre fëmijë, në vitin 1908 dhe qëndroi deri në vitin1937, herë në Shqipëri dhe herë jashtë saj, por pa reshtur së punuari për vendin tonë, gjë që e bëri edhe pas largimit, deri sa vdiq në moshën 99 vjeçare, në vitin 1966. Ai jetoi pak kohë në Korçë dhe më pas një vit në Tiranë, 1908 – 1909. Që aty u dëbua prej turqëve dhe u vendos në Elbasan, 1909 – 1912, ku hapi një shkollë shqipe. Aty u shtua me dy vajza por i vdiq djali i madh. Në vitin 1912 pushtuesit serbë e arrestuan në Durrës dhe e dëbuan  si  armik i Serbisë dhe mik i shqiptarëve. Në vitin 1913, u kthye në Shqipëri si korrespendent i revistës angleze “The Economist” ku shkruajti një seri artikujsh për Shqipërinë dhe Kosovën.  Erickson iu përgjigj  ftesës së “VATRËS” për t’ju bashkëngjitur delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin1919.

Historia e mbrojtjes së Shqipërisë nga Presidenti i 28-të amerikan, Woodrow Wilson në Konferencën e Paqës në Paris, është e lidhur plotësisht me veprën e Erickson-it pasi ai për 15 ditë rresht e “bombardoi” Presidentin Wilson me letra, duke i shpjeguar se kush janë shqiptarët, ndërsa i tregon edhe për lakmitë e fqinjëve tanë në ato kohëra. Me 24 Prill 1919, Wilson lëshon deklaratë në mbrojtje të Shqipërisë.

Më 20 Shtator 1925 Erickson inaguron Institutin Shqiptaro –  Amerikan të Bujqësisë, në Golem të Kavajës. Ai sjell mësues nga Amerika dhe e drejton shkollën për vite të tëra.

Në vitin 1931, për kontributin e vyer që kishte dhënë ndaj Shqipërisë, Mbreti Zog i I – rë e dekoron me Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut. Erickson pasi largohet nga Shqipëria u caktua nga VATRA si vëzhgues në Konferencën Themeluese të Kombeve të Bashkuara, në San Francisko, në vitin 1945. Më pas ai shkruan pesë libra nën një titull të përbashkët: “Shqipëria – Enigma e Ballkanit” të cilat mbetën të pabotuara në fondin e tij, në Yale University Divinity Library, në Hartford, Connecticut, në Amerikë. Autori i këtij shkrimi ka patur nderin t’i zbulojë, t’i përkthejë, dhe t’i botojë në një libër tre volumesh në vitin 2012.

Midis tërë këtyre gjërave që ai bëri për vendin tonë ishte hapja e asaj shkolle  si dhe një shkollë tjetër për vajza, në Kavajë.

Një histori e shkurtër e Shkollës “Charles Telford Erickson” në Golem, Kavajë.

Themeluesi i kësaj shkolle ka patur miqësi me Fan Nolin. Ty dy kishin ardhur në Shqipëri nga Amerika dhe të dy pajtoheshin se arsimimi në Shqipëri mbetej me të vërtetë prapa asaj çfarë kishin bërë vendet e tjera ballkanike.

Më 15 nëntor 1921, Fan Noli, në postin e Ministrit të Jashtëm,  i kërkoi Erickson-it të paraqiste me shkrim një propozim, ku të përqendrohej në ato zona ku arsimi shqiptar duhej të luante një rol kryesor në shoqëri. Disa ditë më vonë, ai bashkë me Ali Cungun, i paraqitën qeverisë shqiptare propozimin për ndërtimin e shkollës së Kavajës.  Më 16 Tetor 1922 qeveria shqiptare i komunikoi Erickson-it se në përgjithësi ata e miratonin idenë e tij për një Kolegj Bujqësor, megjithëse, siç theksohej, qeveria ende nuk ishte në situatë të përshtatshme financiare.

Meqë financimet për këtë projekt do të vinin nga ShBA-ja, Erickson-i i kërkoi qeverisë t’i jepte ndonjë zonë që ishte në pronësi të shtetit, ku të ngrihej Kolegji Kombëtar i Bujqësisë, me një fermë model dhe stacion eksperimental pranë tij.

Me datën 8 Mars 1922, Kryeministri i kohës, Ahmet Zogu, e informoi Erickson-in se atij i lejohej të zgjidhte nga një listë prej tetë ose dhjetë fermash më të mira në pronësi të shtetit, për ta ngritur shkollën. Më 4 korrik 1922, Erickson-i u njoftua se qeveria i kishte dhënë lejen për tokën e Kavajës. Më 28 maj 1923, Parlamenti Shqiptar i dha miratimin përfundimtar projektit të Erickson-it. Në veçanti, Erickson-i i ishte mirënjohës përpjekjeve personale të Ahmet Zogut, i cili, që në fillim, kuptoi ndikimin potencial që do të kishte projekti i tij.

Erickson-i u nis për mbledhje fondesh në Shtetet e Bashkuara, por Zogu i kërkoi atij që të themelonte edhe një shkollë vajzash, sepse, sipas tij, “në qoftë se Shqipëria donte të kishte sukses në proçesin e ndërtimit të shtetit, edhe gratë duhej të ndihmonin me kontributin dhe përpjekjet e tyre.”

Më 4 shkurt 1924, Erickson-i i dërgoi kolonelit Ernest T. Bisknell një letër dhe një kopje bashkëngjitur, të memorandumit mbi shkollën, në të cilën i shpjegonte qeverisë amerikane se qeveria shqiptare e kishte caktuar atë të themelonte Shkollën Amerikane – Shqiptare të Bujqësisë, e cila do të mbështetej financiarisht prej një Bordi Amerikan të besuarish. Erickson-i u vu në kontakt me Herbert Hoover-in, në atë kohë Sekretar i Shtetit për Tregtinë, i cili më vonë u bë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 9 shkurt të vitit 1924, Erickson-i, në një letër që i dërgonte Hoover-it theksonte se nevoja më e madhe e menjëhershme e Shqipërisë ishte modernizimi i bujqësisë së saj.   Erickson-i i shkruan me aq dhimbje dhe simpati për shqiptarët, sa askush tjetër nuk kishte bërë:

“Shqiptarët janë njerëz të tillë që më mirë vdesin sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërimin e vet, sesa të qahen… ata janë një popull tragjik, por një racë heroike”.

Departamenti i Shtetit, më 11 shkurt 1924, e miratoi hapjen e shkollës. Në të thuhej:

“…Projekti i z. Erickson për themelimin e një shkolle për mësimdhënien në fushën e bujqësisë dhe tregtisë në Shqipëri ka miratimin tonë që buron nga zemra.”  

Duke qenë plotësisht i kënaqur me raportin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, Herbert Hoover vendosi t’i jepte mbështetjen e tij këtij projekti, duke dhënë një donacion prej 10.000 dollarësh, nga llogaria e tij personale, në kushte anonime, me kusht që brenda një viti, Erickson-i të mblidhte edhe një shtesë prej 100.000 dollarësh të tjerë për shkollën.

Erickson-i mblodhi 350.000 dollarë, erdhi dhe  e ndërtoi shkollën bujqësore. Ajo ishte shkolla më e organizuar në Shqipëri dhe njëra prej tre shkollave të huaja të cilat Mbreti Zog nuk i mbylli gjatë “Reformës Ivanaj”, në vitin 1933, për shkak të frymës kombëtare që kishte zbatuar Erickson- i dhe stafi i tij.

Pas ardhjes në fuqi të komunistëve, emri i amerikanëve u zhduk nga faqja e dheut, ndërsa emri  i Erickson – it u ndalua me urdhër të diktatorit. Shkolla e vijoi punën, tanimë nën emërtimin komunist: “Ylli i Kuq”.

Në vitin 2012, me rastin e promovimit të librit historik: “Ch.T.Erickson – Një Amerikan që i kushtoi jetën Shqipërisë”, arrita të sillja në Shqipëri, mbesën e Erickson- it, Mery Morris, nipat e tij, Paul Erickson, i riu, dhe Donald Jonson i biri i Grace Erickson, e lindur në Shqipëri në vitin 1913. Me atë rast, Ministria e Arsmit e emëroi shkollën:

Shkolla Bujqësore “Charles Telford Erickson”.

Sot në hyrjen kryesore të kompleksit shkollor është vënë një tabelë me inicialet:

“Republika e Shqipërisë, M.M.S.R., SHKOLLA PROFESIONALE “Charles Telford Erickson”  Golem Kavajë, 20.09.1925. Ndërsa në hyrjen e shkollës së re ajo mban iniciale të tjera me të njejtën titull: M.A.SH.

Një investim shumë i mirë i Fondit të Zhvillimit ka sjellë ndërtimin e një shkollë të re, brenda këtij kompleksi bujqësor. Por toka e shkollës është tkurrur prej ndërtimeve agresive duke mos iu lënë vend nxënësve as për fiskulturë e jo më për parcela eksperimentale.

Ndërtesa 95 vjeçare e Shkollës Profesionale “Charles Telford Erickson, pëson fatin e Teatrit Kombëtar

Ndërtesa e vjetër,  e ndërtuar nga amerikanët, ishte në gjendje shumë të mirë dhe u kthye në konvikt. Ajo mbarte jo vetëm vlera përdorimi por më shumë se aq edhe vlera historike. Natyrsht që mosha 95 vjeçare e ndërtesës mund të ketë kërkuar riparime dhe mirëmbajtje. Por në vazhdën e tendencës dhe joshjes së papërmbajtshme për të zhdukur çdo gjë nga tradita jonë përendimore, “Rilindja” vendosi t’i rezervojë edhe asaj shkolle fatin e Teatrit Kombëtar.

Momenti ishte ideal: Pandemia dhe zona disi jashtë syve dhe vemëndjes së njerëzve. Kështu u plotësua edhe një kërkesë e mafias së ndërtimit nëpërmjet të zyrtarëve të korruptuar të lidhur me të.

Shembja e asaj ndërtese përbën një atak të turpshëm ndaj historisë së mardhënjeve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shkon në një vijë me atë që Enver Hoxha pati thënë për Erickson-in.

Dua të kujtoj këtu fjalën e Ambasadorit Amerikan Herman Bernstein, mbajtur tek ajo shkollë me rastin e inagurimit të një shtese, me datën 2 Prill 1933: Ai midis tjerash thotë:

“Unë jam posaçërisht i lumtur të shoh këtë kontribut të çmuar  të ndihmës bujare të ardhur nga Amerika e të sjellur këtu në këtë vend të vogël buzë Adriatikut, me njerëz të lashtë, e përsëri të rinj. Fondacioni që ka mbledhur fonde për këtë shkollë iu ka zgjatur dorën vëllazërore të bashkëpunimit me dëshirën e mirë dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë, larg nga çfarëdo motivi egoist apo agjende të fshehtë.”

Nuk e di nëse stafi i sotëm i Ambasadës Amerikane është njohur me këtë akt vandal – anti – amerikan të autoriteteve të sotme shqiptare, por natyrisht që ajo do të njoftohet edhe në rrugë formale edhe nëpërmjet të këtij shkrimi.

Ndërkohë, organet e Prokurorisë duhet të fillojnë menjëherë hetimin: Kush e prishi, kush e vlerësoi se duhej prishur, përse është prishur pa asnjë njoftim, a është njoftuar Ambasada Amerikane e cila ka patur dhe duhet të ketë shumë interes për këtë simbol të Amerikës në Shqipëri?

Nga të dhënat e para mua më rezulton se shkolla është prishur, veç tjerash sepse:

1 – Strehimi i studentëve i ka kaluar një firme private e lidhur me qeverinë, e cila ka një hotel aty afër, e që përfiton  para korruptive  nga buxheti i shtetit;

2.- Një ndërtues i fuqishëm do të ndërtojë aty me lejet e agjensive qeveritare, në një nga zonat më piktoreske të bregdetit tonë.

3.- Agjensia e ALUIZM – it, si vegël e Rilindjes anti perëndim,  ka një interes të veçantë në shkatërrimin e kësaj vepre të trashëgimisë tonë kulturore dhe politike, në përmbushje të agjendës rilindase alla Teatri Kombëtar.

95 vjet Histori Shqiptaro – Amerikane tani gjenden nën rrënojat e “Rilindjes”.

O Zot në çfarë kohe po jetojmë!

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, Shembete shkolla“Charles Telford Erickson

NEW YORKU DREJTË ÇLIRIMIT PËRFUNDIMTAR PREJ COVID-19

July 13, 2020 by dgreca

Dr. Sulejam Çelaj, drejtor i pavionit të kardiologjisë në spitalin St. Barnabas në Bronx- New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, për përballjen me COVID-19. Me Dr. Sulejam Çelaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

NEW YORKU PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

Në ditët e stome fatbardhësisht po shohim një rënie drastike të pacientëve të rinj që diagnostifikohen me covid. Nuk kemi pacientë të rinj, është një fat i madh që një metropol milionësh të ketë një rënie kaq të theksuar. Shifrat tregojnë për një rënie të infektimeve drastike dhe fataliteteve. Ky është një virus i ri dhe është shumë e vështirë për ta kuptuar sjelljen e tij. Mjekët në media po nxitojnë të bëjnë deklarata dhe të arrrijnë në përfundime pasi po flasin me supozime, hamendësime, ide, pa asnjë bazë apo fakt shkencor. Duhet të jemi tepër të kujdesshëm me deklaratat sidomos në këtë periudhë ku rreziku i dizinformimit është shumë i madh. Informimi jo i saktë shkakton panik të madh te publiku. Duhet të jemi shumë të matur në çdo konstatim. Kjo virozë ka pas kulmin dhe ka arrit zbritjen tashmë. Për mënyrën sesi po përhapet në metropole të tjera amerikane dëshmon për natyrën tejet specifike të këtij virusi i cili po përhapet në kohë të nxehtë, kohë në të cilën nuk përhapen viruset e tjera. Ky është një tregues shumë interesant dhe delikat për vazhdimin e pandemisë. Shfaqja dhe ecuria e virusit në Neë York ishte në formë piramide. Unë besoj fort se tashmë e kemi kaluar.

VIRUSI KA NDRYSHUAR MODELIN E TË JETUARIT

Është e padiskutueshme që pandemia ka ndryshuar edhe sjelljen tonë, jetën tonë dhe mbi të gjitha konceptin për tjetrin, konceptin për botën, për besimin dhe për veten. U bë distancim fizik dhe social. Njerëzit u frikësuan dhe nuk komunikojnë më si më parë. Nuk janë më si më parë. Bota ka ndryshuar në mënyrë të paprecedentë. Në luftëra njerëzit dhe shtetasit amerikanë kanë punuar, jeta ka vazhduar, nuk ka pasur këtë bllokim radikal botëror. Sot jeta është në një bllokim total. Nuk ka lëvizur asgjë prej muajsh. Gjithçka e reduktuar dhe asnjëherë si më përpara. Pasoja e parë e rëndë për njerëzit, shoqërinë dhe shtetin është pasoja ekonomike. Virusi solli një dërrmim ekonomik, psikologjik i paiamgjinueshëm. Secilit nga ne i mungon jeta sociale dhe mënyra e të jetuarit si përpara pandemisë. S’ka komunikim, s’ka informim, s’ka debat. Jemi në një situatë të paimagjinueshme. Në të ardhmen pasojat e krizës do të jenë të pallogaritshme. Qyteti i Neë Yorkut shpëtoi dhe u çlirua se njerëzit u larguan nga qyteti dhe ikën në shtete apo rezidenca të dyta apo të treta. Kjo uli kontaktet dhe dendësinë e popullsisë. Shifrat kanë treguar se kanë ndërruar jetë personat me problem të theksura të shëndetit dhe me imunitet të dobët. Nevojitet një kujdes i shtuar i secilit nga ne.

A DO TË ZHDUKET VIRUSI PËRGJITHMONË?

Ndoshta do të duhet të bashkëjetojmë dhe të mësohemi me virusin për një kohë të gjatë, mbase përgjithmonë. Ky do të kthehet në një virus normal si viruset e tjera, duhet të përgatitemi dhe mësojmë të bashkëjetojmë normalisht ashtu si sot me viruset që na rrethojnë ngado. Uroj dhe shpresoj që virusi të ndalojë dhe jeta të vazhdojë. Do të na duhen 1-2 dekada për të shkuar aty ku ishim para pandemisë. Është urgjente rifillimi i aktiviteteve të jetës e punës si më përpara. Sa më shumë të vonojmë të fillojmë rikthimin në normalitet aq më ngadalë do ta marrim veten ekonomikisht, fizikisht, psikologjikisht e shpirtërisht.

KUR DO TA KEMI VAKSINËN ANTI-COVID?

Kompanitë farmaceutike dhe shkecëtarët në mbarë globin po punojnë fort për gjetjen e vaksinës. Fitimet e kompanisë do të jenë në miliarda dollarë, ndaj ka një garë të shpejtë në këtë drejtim. Vaksinimi mbase do te jetë mënyra e vetme se bashku me imunitetin kolektiv për ta parandaluar këtë pandemi globale. Duhet të kemi guxim për tu përballur me virusin. U pa modeli suedez. Ata guxuan dhe fituan. Edhe ne duhet të mos përballemi me frikë por të sakrifikojmë në mënyrë që të mos rrezikojme ardhmërinë e brezave, stabilitetin ekonomik e social të shtetit dhe mbi të gjitha të ardhmen e fëmijëve tanë. Duhet të marrim rrisk. Duhet të sakrifikojmë një numër të caktuar të popullatës. Kjo çliron jetën e njerëzve, ekonominë, siguron një zhvillim dhe kohezion të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha shmang përplasjet e tmerrshme që po ndodhin përditë në Amerikë, Kosovë e Shqipëri. Grupe që përplasen pakuptim. Duhet të shmangim rrymat, ndarjet dhe përplasjet. Aktiviteti fiziki, intelektual, ekonomik shpëton shoqëritë nga kriza.

SHQIPËRIA NË PANDEMI

Në fillim Shqipëria reagoi shumë mirë me masat. Me kalimin e kohës mbyllja u kthye në problem, ishte shumë e gjatë dhe nuk ishte e nevojshme aq shumë si periudhë kohore. Duhej të hapej dhe të shikohej sesi ndryshonin shifrat. Shumica e njerëzve infektohen dhe nuk paraqesin simptoma, qeveria nuk duhej të nisej nga rastet e infektimit por nga rastet që qytetarët kishin nevojë për shtrim në spital apo të intuboheshin. Neë Yorku ishte i mbyllur por shumë njerëz dolën parqeve. Edhe pse ka pasur në dukje një rritje të shifrave në Tiranë sidomos, prapë se prapë janë shumë të vogla, për momentin janë në normalitet. Shqipëria dhe Kosova ende nuk e kanë kaluar kulmin e pandemisë, mbase këto shifra tregojnë këtë. Ky është një virus i ri dhe gjithçka në lidhje me të ardhmen duket shumë e vështirë për ta përcaktuar me siguri absolute pasi mungon eksperienca e të kaluarit një herë të këtij virusi.

A DO KETË VALË TË DYTË?

Të gjithë flasIn për një valë të dytë e të tretë si këtu në USA dhe Shqipëri e Kosovë por të gjithë supozojnë duke thënë: unë mendoj, unë do të thoja, mbase, ka mundësi etj, askush nuk flet me bindje si pasojë e mos njohjes së më përparshme, për mua të gjitha opsionet janë të hapura. Shumica e njerëzve në gjykimin tim e kanë kaluar dhe janë imun tashmë. Çdo vit ka valë të ndryshme të gripit e nuk e bëjmë kaq të madhe, po pse të flaism kaq shumë për valën e dytë të Covid kur ende s’kemi fakte shkencore veç supozime?

NJË MESAZH PËR TË GJITHË SHQIPTARËT

U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë që të mos stresohen. Stresi është armiku më i madh i njeriut. Stresi ul imunitetin dhe ulja e imunitetit na ekspozon lehtësisht ndaj të gjitha sëmundjeve. Virusi nuk mund të parandalohet as të zhduket veç nëse izolojmë jetën tonë në shtëpi dhe në këtë mënyrë do kemi humbur dhe sensin e të jetuarit. Duhet të vazhdojmë jetën normale. Të mbajmë higjenë të lartë. Nëse keni simpotoma izolohuni, në kushtet më të rënda shkoni te mjeku, shmangni panikun dhe stresin. Shifrat tregojnë se vitin që shkoi më shumë njerëz kanë vdekur nga gripi se Corona virusi, ndaj ska ansjë arsye ta bëjmë kaq tragjike. Aktiviteti fizik është shumë i domosdoshëm për secilin prej jush. Larg duhanit. Larg fast-food se po shkaktojnë obezitet dhe vdekshmëri të tmerrshme. Obeziteti është zanafillla e të gjitha sëmundjeve që i shfaqen njeriut. Njerëzit kanë vdekur nga ushqyerja e gabuar ndaj duhet të keni shumë kujdes se çfarë konsumoni. Duhet të dilni në parqe, biseda me miq, frekuentoni të njëjtën jetë si përpara pandemisë, vetëm kështu do i kthehemi normalitetit. 

Filed Under: Featured Tagged With: clirim prej COVID-19, Dr. Sulejman Celaj, New Yorku

KRIJOHET DEGA E RE E VATRËS NË MANHATTAN

July 11, 2020 by dgreca

Të shtunën, 11 Korrik 2020, në mesditë, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, u organizua ceremonia e themelimit të degës së re të Manhattanit.Një pjesë e anëtarëve, punojnë ose jetojnë në Manhattan, ishin të pranishëm në sallë. Shumica ishin të rinj në moshë dhe vinin nga shtresa e të përndjekurëve politik.

Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha. Ai i përgëzoi organizatorët e themelimit të degës, grupin nismëtar me në krye z. Agustin Mirakaj(anëtar i Kryesisë së Federatës), i ndihmuar dhe nga nënkryetari Ervin Dine. Z. Berisha tha se kjo ishte mbledhja e parë në mjediset e Vatrës pas 4 muaj izolim për shkak të Pandemisë së Koronavirusit dhe ishte një ditë e rëndësishme.Krijimi i degës, tha ai, ishte paralajmëruar prej kohësh pas Kuvendit të 19 Janarit 2020 dhe sot u bë fakt i kryer. Degë të tilla ne do të ngremë sapo të normalizohet situata e daljes nga Pandemia edhe në Teksas e shtete të tjera. Kryetari Berisha u uroi mirëseardhjen vatranëve të rinj.

-Ne do të vazhdojmë edhe në ardhmen procesin e krijimit të degëve të reja, por në përshtatje me Kushtetutën e VATRËS. Asnjëherë nuk do të lejojmë që individë të pa autorizuar, të veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës dhe me ligjet e vendit ku jetojmë-,tha Berisha.

 Më pas ka përshëndetur dhe Presidenti i nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj, i cili pasi uroi organizatorët e krijimit të degës, e cilësoi 11 Korrikun 2020, si një ditë historike për Vatrën, e cila rikthehet në Manhattan pas tri dekadash, kur zyrat e Vatrës me kryetar të ndjerin Arshi Pipa ishin vendosur në ndërtesën ku punonte arkëtari i sotshëm i Vatrës, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi,i cili përballoi me shpenzimet e veta dhe qeranë e zyrës.

Z. Rexhaj e falenderoi z. Agustin Mirakaj për nismën dhe i uroi  vatranët e degës së re.

Krijuesi i degës, anëtari i Kryesisë së Vatrës z. Agustin Mirakaj, ka përshëndetur pjesmarrësit dhe mbështetësit dhe të gjithë ata që iu përgjigjën nismës së tij. Në fjalën përshëndetse Mirakaj ndër të tjera tha: Dallimi midis së kaluarës dhe së ardhmes nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Asgjë nuk është e shkëputur. Dje, sot dhe nesër nuk janë rastësi, ato janë të lidhura në një rreth pa mbarim. Gjithçka është e lidhur. Ne jemi vazhdimësia.Mendoj, tha ai, se ne që e duam Shqipërinë jemi shumë. Ne e krijojmë degën sepse duam Shqipërinë, duam Kombin dhe u shërbejmë atyre,ashtu si paraadhësit tanë. Detyra e degës më të re : VATRA MANHATTAN BRANCH është të çoi Misionin e Vatrës përpara, ashtu si e kërkon ajo, me dinjitet dhe përkushtim….Anija nuk rri në vend , ecën vetëm përpara. Detyra është të shkojë në destinacion. Në këtë pozicion jemi dhe ne, të gjithë bashkë, për ta çuar VATRËN përpara duke ndjekur vijën e saj të palëkundshme në mbrojtje të Shqipërisë Demokratike….Sot gjithçka ka të bëjë me angazhimin e të rinjve me potencial për ndryshimin. Për të shkuar përpara është e domosdoshme që udhëheqësit dhe stafi të përshtaten dhe të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe efikase me një brez të ri profesionistësh dhe motivues. Kemi kohë që e kemi nisë procesin-po e bëjmë realitet ditën e sotme pas shumë pune e mundimesh.

 Teknologjia është e ardhmja, ne mund ta përdorim atë me afikasitet për të ndërtuar të ardhmen e Vatrës.

Mirakaj raportoi: Një detyrë e rëndësishme e vënë nga Kryesia dhe Kryetari Elmi Berisha është hapja e website të Vatrës www.federatavatra.org

Ky website afron realitetin dhe përshpejton aftësinë për komunikim të drejtpërdrejt me vatranët dhe shqiptarët kudo ku jetojnë.

Ai e mbylli fjalimin e vet përshëndetës me fjalët: Dita po vjen, VATRA do të lulëzojë!

Z. Mirakaj u duartrokit dhe u përshëndet gjatë nga pjesmarrësit.

Në emër të kryesisë së re përshëndeti Viktor Vorfi, i cili tha se VATRA është e shenjtët për shqiptarët dhe krijimi i degës së re sot është vazhdimësi e punës së paraardhëse dhe çuarja më tej e saj prej nesh. Ai kërkoi duartrokitje për secilin të propozuar për në kryesinë e degës.

U duartrokitën: Agustin Mirakaj-Kryetar i degës; Eduard Aranitasi-Nënkryetar; Ilirjan Blloshmi-Sekretar, Viktor Vorfi –anëtar i Kryesisë, Muharrem Bajraktari-anëtar i Kryesisë, Mikel Ndoci-anëtar i Kryesisë, Damian Previzi-anëtar i Kryesisë, avokat Hasan Metuku-anëtar i Kryesisë.

Dega e nisi funksionimin me 26 anëtarë, me pikësyimimi që së shpejti do të regjistrohen edhe anëtarë të rinj, me synimin që brenda vitit numri i të anëtarësuarve ta kalojë shifrën 60.

Kryesia e re propozoi që z. Agim Rexhaj, të jetë anëtar Nderi i saj. Propozimi u miratua me duartrokitje.

Në emër të kryesisë të sapo miratuar përshëndeti sekretari Ilirjan Blloshmi.

Kryetari Elmi Berisha, duke përshëndetur kryesinë e re të degës tha: Kjo degë e re paralajmëron shtimin e degëve të tjera në hartën e Vatrës.Unë mendoj se Ju do na sillni në Vatër risi të reja, ide të reja, duke ruajtur të shenjtë Frymën Kombëtare të VATRËS.

Z. Berisha, edhe njëherë tërhoqi vëmendjen për inisiativën antiligjore të një grupi të vogël ish vatranësh, që pretendojën se kanë ngritur një degë në Staten Island. Askush nuk mund të ngrejë degë pa marrë autorizimin e Kryetarit dhe kryesisë së Vatrës. Dega e njoftuar në facebook është jashtë çdo baze ligjore, duke e shqyrtuar aktin në përballje me Kushtetutën e VATRËS dhe me Ligjet e këtij vendi.

Presidenti i Nderit z. Agim Rexhaj kërkoi një qëndrim të ashpër ndaj shkelsëve të Kushtetutës së Vatrës. Edhe z. Ibrahim Kolari,anëtar i Kryesisë, kërkoi qëndrim ndaj këtij veprimi.

Sekretarja e Vatrës znj. Nazo Veliu uroi degën e re, kryesinë e saj dhe shprehu besimin se askush nuk do të ketë sukses në përçarjen e Federatës VATRA apo në tentativën e një grupi të jashtligjshëm që synon shkatërrimin e saj.

Kryeredaktori i Diellit, pasi uroi krijimin e  degës dhe kryesinë e re, informoi për përpjekjet maksimale të redaksisë së Diellit në kohën e Pandemisë, që Dielli online, Dielli fb të funksiononin pa ndërprerje. Ai evidentoi punën e mrekullushme, të palodhur dhe profesioniste të gazetarit Sokol Paja,i cili gjatë këtyre katër muajëve të Pandemisë, ka bashkuar rreth DIELLIT mendjet e mençura shqiptare të shpërndara në Botë, mjekëve,infermiereve,studiuesve,shkencëtarëve, gati në të gjithë kontinentet. Sjellja e tyre në faqet e Dillit ka rritur praninë e Vatrës dhe të vetë Diellit në shumë shtete. Pjesmarrësit e shpërblyen me duartrokitje gazetarin Sokol Paja.

 Nënkryetari i Vatrës Ervin Dine pasi uroi degën e re, kryetarin Mirakaj dhe kryesinë e sapozgjedhur, falenderoi të gjithë të anëtarësuarit në degën e re.

Sipas Kushtetutës së Vatrës, dega e re u pajis me librin e protokollit dhe blloqet e pagesave. Veprimtaria u filmua nag Radio Televizioni 21 nga gazetari Halil Mula.

Takimin e ka mbyllë kryetari Berisha.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Agustin Mirakaj, Dega ne Manhattan

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

July 11, 2020 by dgreca

Geriolda Topi, MD, PhD, Shërbimi i Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit Spitali Universitar i Skånes, Malmö, Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Suedisë dhe gjëndjen e shqiptarëve në Malmo, Suedi. Me Dr. Geriolda Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. *

SUEDIA PËRBALLË COVID-19

Suedia është vendi i vetëm që ndoqi një strategji të hapur ndaj virusit Covid-19 me qëllimin për të krijuar imunitetin e popullatës duke shmangur kështu një valë të dytë të epidemisë dhe duke u përpjekur të ruajë “normalitetin e jetës” edhe gjatë kohës së pandemisë. Fakti që Suedia ndoqi strategjinë e ekspozimit ndaj Covid-19, nuk do të thotë që nuk u morën masa parandaluese për të zvogëluar shpejtësinë e përhapjes së virusit në popullatë. Njerëzit kanë tentuar të vazhdojnë aktivitetet e përditshme duke zbatuar rregullat e higjenës dhe distancimit social në punë, supermarkete, transport publik etj, dhe duke u mësuar të “bashkëjetojnë” me situatën e Covidit. Shumë persona kanë punuar nga shtëpia për të shmangur mbipopullimin e institucioneve. Çerdhet, duke zbatuar me përpikmëri rregullat e nxjerra nga autoriteti i shëndetit publik, nuk janë mbyllur asnjë ditë, pasi nuk ka patur dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore që fëmijët mund të infektohen apo të jenë transmetues të virusit. Aktualisht numri i të vdekurve nga Covid-19 ka rënë në mënyrë drastike, krahasur me muajin Prill-Maj ku ky nunër arriti kulmin e tij, duke u barazuar me nivelet e vdekshmërisë së viteve të kaluara. Me po të njëtin proporcion është ulur edhe numri i personave të infektuar që kërkojnë hospitalizim në njësinë e terapisë intensive. Nëse i referohemi numrit të të infektuarve, duket sikur ka një rritje, por që në fakt nuk është një rritje reale, pasi nga muaji Mars e deri në Maj Suedia nuk ka testuar çdo individ që shfaqë shënjat e sëmundjes. Kjo për shkak të ndjekjes së strategjisë së immunizimit të popullatës, ku çdo person që shfaqte shënja të ngjashme me virusin SARS-CoV-2, apriori konsiderohej i infektuar duke u instruktuar që të qëndronte në shtëpi dhe të shmangte kontaktet me personat e kategorisë “risk group”. Të vetmit individë që janë testuar në fillimin e pandemisë kanë qenë individët simptomatikë të kategorisë “risk group” dhe individët që shfaqnin simptoma të rënda të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes dhe kërkonin hospitalizim. Në fillim të qershorit numri i testimve u rrit për disa arsye: nevojës për të menaxhuar më mirë situatën, ku shumë institucione përfshirë edhe ato shëndetësore u pajisën me teste për të gjithë punonjësit e tyre; studimet e kryera veçanërisht në regjionin e Stockholmit, që ka qenë edhe epiqendra e Covid-19 në Suedi; hapjes së qendrave private ku çdo individ ka mundësinë të kryejë testin serologjik, për të parë praninë e antitrupave ndaj virusit në fjalë, kundrejt pagesës 50 euro.

TRAJTIMET ME MEDIKAMENTE TE PACIENTËT E PREKUR

Suedia, që kur mori vendimin për të ndjekur strategjinë e imunizimit të popullatës, nuk po i mban shpresat tek vaksina. Realizimi i një vaksine të sigurtë dhe efektive është një proces i komplikuar, që kërkon shumë studime eksperimentale të shumta dhe një kohë të gjatë për tu realizuar. Për të mos harruar riskun e çdo vaksine për efekte anësore, të cilat mund të jenë edhe të paparashikuara. Kjo për arsyen se studimet e ashtuquajtura clinical trials, shumë rrallë zhvillohen në individë të shëndoshë (që është kontigjenti target për vaksinën), që zakonisht paguhen për pjesëmarrjen në studim dhe që janë shumë të pakët në numër. Zakonisht individët e përfshirë vullnetarisht në clinical trials që kanë për bazë testimin e ilaçeve apo qoftë edhe vaksinave të reja, janë persona me sëmundje terminale apo kronike, të cilët nuk kanë se çfarë të humbin. Një shembull ku vaksina ndaj një virusi nuk ka rezultuar e sigurtë është edhe rasti i vaksinës kundër gripit të derrit H1N1, e cila shkaktoi narkolepsi në shumë individë, përfshirë edhe fëmijët, disa vite pas administrimit. Sidoqoftë, kërkimet në fushën e vaksinës ndaj Covid-19 janë duke u zhvilluar intensivisht, por personalisht mendoj që do të duhet akoma kohë që vaksina të aprovohet si një mjet profilaktike efikas dhe të sigurtë. Suedia është një vend me një mjekësi konservative përsa i përket përdorimit të medikamenteve tek pacientët. Nuk përdoret asnjë preparat që është akoma në fazë eksperimentale dhe që nuk është aprovuar ende si një preparat i efikas dhe i sigurtë. Për këtë arsye trajtimi i individëve me pneumoni nga virusi SARS-CoV-2 ka përfshirë kryesisht dhe në linja të përgjithshme trajtimin suportiv (oksigjenoterapi dhe të gjitha masat e tjera për të mbajtur stabël parametrat vitale), trajtimin me medikamente që hollojnë gjakun dhe parandalojnë formimin e trombeve në enët e gjakut (pasi në të gjitha studimet e bëra dhe evidencat e deritanishme është parë që SARS-CoV-2 e rrit riskun për trombozë), trajtimi me kortizonikun Dexamethasone, (i cili në një studim të bërë në një grup pacientësh në Suedi rezultoi shumë efektive) si dhe dhënien e antibiotikeve me spektër të gjërë veprimi si profilaksi tek individët me risk për të bërë infeksione sekondare. Sigurisht që këto linja të përgjithshme trajtimi janë përshtaur sipas specifikave dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese të secilit pacient. Hydroxychloroquine apo chloroquine nuk është përdorur në Suedi për trajtimin e pacientëve me Covid-19, me aq sa kam unë dijeni në spitalin ku punoj, por as në spitalet e tjera me informatat që kam marrë nga kolegë të ndryshëm.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Në Malmö, qyteti ku unë jetoj, ka shumë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Kosovës, por nuk janë të pakët edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Nuk kam dijeni për statistika apo shifra përsa i përket infektimit apo vdekshmërisë së shqiptareve në Suedi nga Covid-19. Në rrethin e miqve dhe të njohurve shqiptarë që unë kam në Malmo por edhe në qytete të tjera të Suedisë, fatmirësisht nuk ka patur asnjë person që të ketë patur simptoma të rënda apo të jetë testuar pozitiv me covid-19. Në spitalin ku punoj kam hasur vetëm dy pacientë shqiptarë me covid-19, një burrë dhe një grua të grupmoshës 50-60 vjeç, të shtruar në shërbimin e sëmundjeve infektive. Të dy këta pacientë nuk paten komplikacione të rënda dhe u shëruan plotësisht, duke dalë nga spitali negativ për covid-19.

MODELI QË NDOQI SUEDIA PËR TË PËRBALLUAR PANDEMINË GLOBALE

Çdo shtet ndërmerr politika të caktuara shëndetësore në bazë të specifikave të popullatës dhe kapaciteteve që ka për ta përballuar një situatë specifike. Mendoj që modeli suedez ka qenë i duhuri për një vend si Suedia (që ka një shtrirje të madhe horizontale dhe një dendësi të vogël të popullsisë, kapacitete të larta në numër shtretërish dhe burimesh spitalore, kapacitete të larta të personelit mjekësor rezervë, dhe sigurisht kapacitet të lartë financiar), por që pati disa pika të dobëta të cilat mund të ishin menaxhuar më mirë. I tillë ishte menaxhimi i shtëpive dhe azileve të pleqve, pasi këtu ndodhi edhe numri më i madh i vdekjeve. Statistikat tregojnë se numrin më të madh të individëve që u hospitalizuan me covid-19 e përbën grupmosha 50-64 vjeç. Por vdekshmëria në këtë grupmoshë është shumë shumë e vogël, më pak se 5% e vdekjeve totale nga covid-19. Grupmosha me numrin më të lartë të vdekjeve, që përbën rreth 95% të vdekjeve totale nga covid-19, është 75-85 vjec ku pjesa më e madhe e tyre i përket azileve. Nëse situata në azile dhe shtëpitë e pleqeve do të ishte menaxhuar më mirë, me masa parandaluese më të rrepta dhe testim të çdo individi që shfaqte simptoma të kollës apo temperaturë, bilanci i vdekjeve në Suedi do të ishte shumë më i vogël. Një nga masat që ja vlen të përmendet si shembull është informimi i saktë dhe shumë adekuat i popullatës rreth virusit SARS-CoV-2, jo vetëm nëpër mjet medias, por duke ngritur ekipe të specializuara të cilat shkuan në çdo institucion duke informuar njerëzit mbi rrugët e transmetimit të virusit, shenjat klinike, grupet e riskuara, çfarë do ti ndodhte individit nëse do infektohej, dhe mbi të gjitha mbi masat parandaluese dhe se si individët mund të ruanin distancimin social në qendrat e punës apo në transportin publik. Kjo gjë bëri që të shmangej paniku, masat parandaluese të pranoheshin më lehtë dhe njerëzit të arrinin të vazhdonin përditshmërinë e tyre duke mbrojtur veten dhe të tjerët. Një tjetër pikë e strategjisë suedeze që ja vlen të përmendet, është realizimi i studimeve të mirëfillta shkencore nga qendrat kërmimore të vendit, përpara marrjes së vendimeve dhe ndryshimit të strategjive. Për shembull, Suedia, ndryshe nga shumë shtete të tjera,po heziton të fillojë testimin masiv në popullatë me teste serologjike për të parë praninë e antitrupave kundër covid-19, sepse studimet e bëra deri tani kanë treguar që këto teste kanë një fals-negativitet të konsiderueshëm. Kjo do të thotë që edhe pse një individ mund të jetë infektuar, ai mund të rezultojë negativ për antitrupa kundër SARS-CoV-2. Kjo sepse individi e ka kaluar pa shënja ose me shënja të lehta sëmundjen, dhe niveli i antitrupave të formuar është shumë i ulët për tu dedektuar nga testi në fjalë. Një studim i bërë së fundmi në Stockholm, tregoi se në një grup të madh pacientësh me covid-19, vetëm 15% kishin zhvillur antitrupa ndaj virusit. Pjesa tjetër e pacientëve kishin zhvilluar një lloj tjetër përgjigjeje imunitare nëpërmjet qelizave citotoksike T, të cilat njohin dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara pa qenë nevoja e formimit të antitrupave. Për shkak të fals-negativitetit të testeve serologjike, është e vështirë të thuhet me siguri nëse aktualisht, 4 muaj nga fillimi i pandemisë, Suedia e ka arritur apo jo imunizimin e popullatës me anë të modelit që ka ndjekur. Sidoqoftë, e përmenda edhe më lart, numri i vdekjve në muajin Korrik ka rënë në mënyrë drastike, dhe ky është një tregues i mirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Së pari, do të doja të përshëndesja të gjithë diasporën në USA, e cila gjithnjë është shquar për sensin e bashkimit dhe atë patriotik, duke organizuar evente dhe nisma që promovojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe vlerat e tyre. Gjithnjë kam menduar që lidhjet e tokës mëmë me diasporën jo vetëm në USA por edhe më gjërë, duhet të jenë të forta pasi vetëm të bashkuar zëri i shqiptareve mund të dëgjohet edhe më fort në botë. Së dyti, duke qënë në një kohë të vështirë pandemie, mezashi im sensibilizues do të ishte që të ndjekin dhe zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat dhe këshillat e nxjerra nga autoritetet vendase. Veçanërisht të ruajnë distancimin fizik së paku 2m, me personat jashtë familjes, gjë të cilën ne shqiptarët e kemi pak të vështirë për shkak të natyrës së dashur dhe eksperive që kemi. Dhe diçka tjetër, të cilën e kam vënë re që neglizhohet në përgjithësi nga të gjithë njerëzit, tështitja në këndin e bërrylit. Është një veprim shumë i thjeshtë por me vlerë të madhe, pasi shmag kontaminimin e sendeve dhe përsonave përreth. Dora është pjesa më e lëvizshme e trupit, dhe nëse do të vendosim dorën përpara kur tështijmë atëherë do të kontaminojmë çdo gjë në vendin ku jemi. Kjo është edhe një nga arsyet përse duart duhet ti lajmë sa më shpesh që të mundemi.

KUSH ËSHTË PHD.GERIOLDA TOPI

Geriolda Topi është mjeke nga Tirana që aktualisht jeton dhe punon në Suedi. Është e martuar, bashkëshorti gjithashtu mjek, dhe ka një vajzë 3 vjeçare. Është diplomuar si mjeke në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 2012, ku është diplomuar me medalje ari për rezultate të shkëlqyera. Më pas u zhvendos në Rotterdam të Hollandës për studimet Master, ku në 2013 mori titullin MSc në Clinical Epidemiology, Erasmus University. U rikthye në Tiranë ku punoi një vit si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në lëndën e Anatomisë Normale dhe Epidemiologjisë. Në 2015 u zhvendos drejt Suedisë për të kryer doktoraturën në fushën e endokrinologjisë dhe kancerit në Universitetin e Lundit në Malmö. Në pranverë të 2020 mori titullin PhD. Aktualisht punon si mjeke në shërbimin e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit në Spitali Universitar të Skånës në Malmö, dhe në të njëjtën kohë është e angazhuar me kërkim shkencor në Departamentin e Mjekësisë Translative në Universiteti i Lundit. Që prej kohës që kryente doktoraturën është angazhuar edhe në mësimdhënie me studentët e mjekësisë së Universiteti të Lundit ku zhvillon lëndën PBL (Problem Based Learning). Është fituese e dy bursave të rëndësishme EraËeb dhe Basileus, si dhe e disa çmime në konferenca midis të cilave edhe çmimi për prezantimin më të mirë oral. Është autore e librit “Estrogen receptors and inflammation in colorectal cancer. Role in prognosis and therapeutic opportunities, si dhe autore apo bashke-autore e një sërë artikujsh në PubMed të botuara në revista prestigjoze. Ka qënë anëtare e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë dhe e Rrjetit të Studentëve Ekselentë nga viti 2008 deri në 2012. Që prej vitit 2016 është anëtare e AACR-American Association of Cancer Research.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Geriolda Topi, MD, Sokol Paja, Suedi

SREBRENICA NDODHI EDHE NË KOSOVË-KUJTESË

July 11, 2020 by dgreca

-Si para çerek shekulli në Srebrenicë gjenocidi i forcave kriminale serbe ndodhi edhe në Kosovë/

-Në institucionet e Kosovës, pritje për përfaqësuesit e komunitetit boshnjak/

-Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani: Gjenocidi në Srebrenicë nuk është dhimbje vetëm për boshnjakët, nuk ka paqe në rajon pa drejtësi për viktimat/

-“Tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë”, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili, në emër të Qeverisë dhe për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie kërkoi që sot, në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje/

-Në korrik të vitit 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën/

-Prof. Dr. Zejnullah Gruda, ekspert i së drejtës ndërkombëtare: Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 11 Korrik 2020/ Masakra në Bosnjë e Srebrenicës e para çerek shekulli – 11 korrikut 1995përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat kriminale serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 21 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në 25 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, të kryer nga regjimi serb, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në një takim përfaqësues të komunitetit boshnjak.
Ajo ka thënë se te dy popujt bashkëndjejnë shkaku i një pjese të përbashkët të historisë.
“Kërkesa për drejtësi për Srebrenicën është e obligim i joni si shtet fqinj me Bosnje e Hercegovinën. Gjenocidi në Srebrenicë nuk është dhimbje vetëm për boshnjakët, por edhe për të gjithë njerëzit që mendojnë racionalisht”, është shprehur kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, i gjithë rajoni nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka drejtësi për viktimat.
Përfaqësuesi i komunitetit boshnjak, deputeti i Kuvendit të Kosovës Rasim Demiri ka vlerësuar mbështetjen e kryetares Osmani ndaj këtij komuniteti.
Të dy palët u dakorduan që përkundër situatës jo të favorshme politike, miqësia ndërmjet të dy shteteve duhet të kultivohet.​
 Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti përfaqësuesit e komunitetit boshnjak të Kosovës, të cilëve u printe Rasim Demiri, kryetar i koalicionit VAKAT dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Takimi u mbajt në prag të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë 8372 civilë boshnjakë.
“Tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë”, tha kryeministri Hoti, i cili, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie, kërkoi që sot në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje.
Ndërsa, duke folur për gjendjen e sotme si pasojë e pandemisë COVID 19, Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë komunitetin boshnjak të Kosovës, por edhe të Sanxhakut për ta përballuar këtë sfidë të rëndë.

PARA 22 VITESH,NË KORRIK 1998 RAPORTOJA: NË KOSOVË PO NDODH BOSNJA, NË RAHOVEC PO NDODH SREBRENICA

“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 22 vitesh, në korrik të vitit 1998.
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 22 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, në 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Në raportimet për situatën në Rahovec para 21 viteve, në 23 korrik në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat;mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur, Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”

24 KORRIK 1998: RUGOVA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBETARE PËR KOSOVËN

Në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën-raportoja: “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

EKSPERTI I SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE, PROF. DR. ZEJNULLAH GRUDA: NË KOSOVË KANË NDODHUR KRIME LUFTE, KRIME KUNDËR NJERËZIMIT DHE AKTE GJENOCIDI TË FORCAVE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.
Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
 “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:
“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Këtu është personeli mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…
Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë,gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë… Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.
Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të sëmurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve çka është shkelje e jashtëzakonshme…”
 “Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rënda”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.
“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukë gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë civilë shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës në Kosovë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

MESAZHI I KRYEMINISTRIT HOTI ME RASTIN E 25-VJETORIT TË GJENOCIDIT NË SREBRENICË

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti:

Sot, në 25-vjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë, lutemi për 8372 viktimat civile boshnjake, të cilët u ekzekutuan pamëshirshëm nga Ushtria e Republikës Serbe të Ratko Mlladiqit.
Barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 në Srebrenicë, paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë dhe për fat të keq ato ndodhën! I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera.
Por, ndonëse me vonesë, pasi kishin ndodhur shumë gjakderdhje, ndërsa qindra-mijëra jetë njerëzish ishin shuar, bota demokratike ndërhyri për t’i shpëtuar popujt e shtypur dhe për ta ndalur njëherë e përgjithmonë makinerinë e Millosheviqit.
Populli i Kosovës, që e përjetoi edhe vetë gjenocidin serb gjatë viteve 1998-’99, bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës!
Zoti i bekoftë viktimat;Srebrenicës!
Zoti i bekoftë popujt liridashës kudo në botë!
* Fotografite I gjeni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Srebenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT