• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

John Ratcliffe, Drejtor i Inteligjencës Kombëtare

May 21, 2020 by dgreca

Senati amerikan konfirmon emërimin e John Ratcliffe si Drejtor të Inteligjencës Kombëtare/

Senati amerikan e ka konfirmuar emërimin e John Ratcliffe si Drejtor të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së.

Më 20 shtator 2019, presidenti amerikan, Donald Trump, e emëroi ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Por, vetë ambasadori Grenell pati thënë përmes një postimi në Twitter, se nuk do të jetë për një kohë të gjatë në atë post.

“Presidenti do të njoftojë të emëruarin (jo mua) së shpejti”, kishte shkruar Grenell.

Posti i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare duhet të konfirmohet nga Senati amerikan.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).

Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Drejtori I I Inteligejnces Kombetare, John Ratcliffe

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

May 21, 2020 by dgreca

Nga Sokol PAJA/*

 “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt.

Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Ferri komunista, mbijetesa, Saimir Maloku, Sokol Paja

MAJI 1996-, PRANVERA E PRANISË AMERIKANE NË KOSOVË

May 21, 2020 by dgreca

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/

-Para 24 viteve, në 22 Maj 1996,  Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi në kryeqytetin e Kosovës/

-Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996/

-Në 12 Janar 1996, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/

-Diplomatët Amerikanë në Kosovë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – në 12 Shkurtin 2002 editorial dhe fjalë përshëndetëse në festën e 57 vjetorit,  intervistë ekskluzive në prag të 2005-tës të jubileut të 60 vjetorit/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  22 Maj 2020/ Para 24 viteve, në majin 1996 ishte pranvera e fillimit të pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Atëherë, zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën  (Michael McClellan) në 22 Majin e vitit 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Dhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë kështu vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Hapja e Përfaqësisë Amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 12 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 4 Korrik 2019 Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes që u mbajt për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur edhe u zhvillua  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Ndërkohë, Ushtarët Amerikanë mbështesin KFOR-in qe 21 vjet. Trupat Amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Tradicionalisht në Kosovë festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin hiatorik 2008.

Diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan), për të cilin kam raportuar që nga dita e parë e ardhjes në 22 Maj 1996 duke qenë edhe në konferencat e tij për shtyp, ishte edhe në festën e 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, ku e kam shumë mirëpritur si kryetar i Këshillit Drejtues e kryeredaktor i gazetës, e ku ishin edhe Shefi i Zyrës së Gjermanisë, Michael Schmunk  shefi i Zyrës së Shqipërisë Vladimir Prela dhe shumë pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve edhe simboli i rezistencës kombëtare shqiptare Adem Demaçi.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis (John Menzis), Shef i Misionit – Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis. 

Në akadminë solemne të  festës së gazetës  tradicionale e historike të Kosovës Rilindja në emër të Zyrës Amerikane dhe Ambasadorit Amerikan  John Menzis përshëndeti diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan).

Ai fillimisht tha: “Zonja dhe zotrinjë, është nder i madh për mua të marrë pjesë në përvjetorin e 57-të të ‘Rilindjes’. Në emër ta ambasadorit Menzis, të SHBA-ve në Kosovë, ju përgëzoj për punën tuaj që keni bërë në gazetën e parë në gjuhën shqipe në Kosovë…”

Diplomati Amerikan Mekllellën pasi foli edhe për përvojat e vendit të tij dhe rolin e rëndësishëm të gazetës Rilindja dhe mediave tjera në Kosovë,  u shpreh se,  “…sikurse Ambasadori Menzis në artikullin e ballinës së ‘Rilindjes’, mediat po ashtu duhet të mbështesin vizionin demokratik për përpjekjet e sundimit të ligjit në tërë Kosovën”

Dhe, duke përfunduar  fjalën në festën  e 57-vjetorit të gazetës Rilindja diplomari i parë Amerikan në Kosovë, Mekllellën theksoi:

“Zonja dhe zotrinjë, në emër të Ambasadorit John Menzis dhe të Zyrës së SHBA-ve, ju uroj këtë përvjetor të lartë e të rëndësishëm. Edhe pse ‘Rilindja’ është më e vjetra në Kosovë, ajo është e re në zemër dhe në rolin e saj në Kosovë, është e freskët dhe plot jetë. Jam shumë i lumtur që mund ta them ketë: Në të ardhmen do të përpiqemi të bashkëpunojmë me ‘Rilindjen’ edhe shumë dekada në Kosovë”.

Diplomati Amerikan Mekllellën citohej kështu në raportin e gjerë të gazetës nga festa me titull “’Rilindja’ – laborator i gazetarisë shqiptare në Kosovë”.

“Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në numrin special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg (Filip Golldberg) që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citoja diplomatin amerikan në ballinën e gazetës Rilindja e në titull të intervistës,  ku Ambasadori Amerikan Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati Amerikan Godlberg në intervistën ekskluzive që për gazetën Rilindja e zhvillova i shumë mirëpritur në Zyrën Amerikanë në Kosovë.

Intervista pas 8 pyetjeve e përgjigjeve përmbyllej kështu:

“9.    RILINDJA: Z. Golldberg, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë, që e vlerësojmë edhe si përkrahje për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, e cila për shkaqet që dihen ndodhet në situatën çfarë është, dhe që Jubileun e vet të 60-vjetorit në Vitin e Ri 2005 pret ta ketë edhe festë të ridaljes. Kemi nderin dhe kënaqësinë të Ju ftojmë në këtë festë, e cila urojmë të ndodhë sa më shpejt.

GOLLDBERG:  Dëshiroj të falënderoj “Rilindjen” që ka kërkuar intervistë nga unë, e edhe më shumë dëshiroj që lexuesve tuaj t’u them URIME FESTA (e thotë në shqip). Dhe, ju uroj juve dhe gjithë njerëzve në Kosovë Kërshëndellat  dhe Vitin e Ri dhe vitin 2005 plot paqe, përparim dhe shpresë për të ardhmen.”

Nën kryetitullin “Kosova pret Vitin e Pavarësisë” gazeta Rilindja në ballinë botonte edhe foto e shkrim nga takimi i fundvitit 2004 që kisha me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe të 600 vjetorit të Kryeheroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

**********

Speech on the Occasion of 57 Years of “Rilindja” Newspaper in Kosovo

By: Michael McClellan
Public Affairs Officer, USOP
Delivered 12 February 2002
Pristina

Ladies and Gentlemen, it is a great honor for me to be here with you today on the occasion of Rilindja’s 57th anniversary. On behalf of Amb. John Menzies and the entire U.S. Office Pristina, I congratulate each and every one of you for the work and success that the first and oldest Albanian-language newspaper in Kosovo has had in publishing continuously since 1945.

In the United States, our system of government has three branches – the Executive branch, that is the White House and the various Departments or Ministries, the Congress, composed of the House of Representatives and the Senate, and the Judiciary, that is the federal courts and the Supreme Court. But we often speak of the press as being the “fourth branch” in the sense that it speaks for the people in watching over the functions and activities of the three branches of government.

Here in Kosovo, the role of the media as the “watchdog of government” is more important than ever. Once the people have expressed their democratic will in the elections, it is up to the media and civic organizations to work day-to-day to ensure that the voice of the people continues to be heard and to hold the elected leaders responsible to the people who put them in office. But, as Amb. Menzies said on the front-page of today’s Rilindja, the media must also uphold the democratic vision of society and support efforts to establish the rule of law and civil society throughout Kosovo. In other words, the media must be a watchdog not only on the government, but also on those elements of society that would seek to undermine the democratic values that Kosovars are working so hard to establish.

The role of Rilindja and other media in Kosovo is vital, perhaps more so today than ever before. The media must be a forum for the exchange and expression of responsible opinion and a means for educating the population about the practices and values of democracy and civil society. As building blocks of society, the media play a vitally important role in establishing good, responsible institutions of self-rule in Kosovo.Again, ladies and gentlemen, on behalf of Amb. John Menzies and the U.S. Office, I congratulate you on this highly important anniversary. Even if Rilindja is the oldest paper in Kosovo, it is still young at heart and its vision of its role in Kosovo should always be fresh and vigorous and full of life. I am very happy to say that it is.

Thank you for your kind invitation to join you on this special occasion and we look forward to many more decades of cooperation with Rilindja in Kosovo!

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kosove, Maj 1996, Pranvera Amerikanen

PËRKUJTOHEN DITËT E QËNDRESËS ANTIKOMUNISTE NË SHKODËR, SPAÇ E QAFË BAR

May 20, 2020 by dgreca

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në një intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare VATRA, New York, deklaroi: “Të dënohen krimet e komunistëve dhe komunistët që janë ende në pushtet” /

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Drejtësi dhe Paqe dhe Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni përkujtimi në Shkodër, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë, në nder të qëndrestarëve ndaj regjimit komunist. Takimi u zhvillua pranë memorialit që i kushtohet të njëjtës ditë, në nder e respekt të të gjithë shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. Në data 20-21-22 maj për çdo vit përkujtohen “Ditët e Qëndresës“ antikomuniste në Shqipëri. Ky është një aktivitet që synon të përkujtojë qëndresën antikomuniste të popullit e kombit shqiptar gjatë diktaturës. Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë  u shpreh se “Kemi zgjedhur datat 20 dhe 21 maj që janë edhe fillimin e dy revoltave antikomuniste nga më të guximshmet të  burgosurve politike në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit që tronditet themelet e reagimit komunist. Kemi zgjedhë Shkodrën së pari se ka një memorial dinjitar kushtuar qëndresës sonë antikomuniste dhe si një nga qytetet e krahinat ku qëndresa ndaj komandimit ishte dhe është më e fortë se kudo në Shqipëri. Nga kryengritja e Malësisë, Postribës deri tek hedhja në erë bustit të Stalinit dhe maskara komuniste e 2 prillit janë me qindra ngjarje mijëra protagoniste martirë të pushkatuar, të burgosur, internuar, vrarë në kufi për shkak të qëndresës ndaj diktaturës më gjakatare në Evropë”- shpjegoi z.Çika.   

DEDIKIM PËR QËNDRESTARËT

Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë “ditët e qëndresës i kushtohen të gjithë shqiptareve që i qëndruan diktuarës  në mënyra nga më të ndryshmet duke sakrifikuar për ketë veten e familjen. U kushtohet të vrarëve me dhe pa gjyq, të burgosurve politike, të internuarve sidomos atyre të kampeve të shfarosjes në Tepelenë, Kamëz, Krujë etje, të dëbuarve politikë, kulakëve dhe të gjithë të tjerëve që pësuan forma nga më të ndryshme persekutimi. Përkujtojmë me respekt nënat, gratë e vajzat që me sakrificë përballuan të persekutimin duke ndjekur në burgje bijtë e bijat e burgosura, vëllezërit e burrat e tyre ndërkohë që me mundim e nën presion  duhet të ushqenin e edukonin fëmijët që jo në pak arrestuar u vdisnin nga vuajtjet e uria të gjitha këto, vetëm e vetëm pse nuk iu përkulën të keqes me të madhe të popullit e kombit tonë, komunizmit. Slogani jonë është: Ne nuk harrojmë. Dhe në këto ditë ne kujtojmë krimet e komunizmit dhe drejtojmë gishtin tek autorët e tyre që jo vetëm nuk u ndëshkua kurrë por edhe janë në pushtet në nivelet më të larta të tij”. 

KRIMINELËT E DIKTATURËS ENDE NË PUSHTET

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë lëshoi alarmin për kriminelët komunistë që ende bëjnë drejtësi në 30 vite demokraci. Ai bëri thirrje për hetime dhe pastrime prej komunistëve të sistemit drejtësisë, qeverisë dhe hallkave të tjera të administrimit të pushtetit në Shqipëri. “Në parlament në qeverie, drejtësi, siguri kombëtare e civile etje. Të bindur që nëse nuk do të ketë drejtësi shpirtrat e martireve tanë nuk do të mund të qetësohen por edhe për faktin së autorët e krimeve të komunizmit ende në pushtet mund dhe vazhojnë të kryejnë krime duke përdorur pushtetin shtetëror ne e  theksojmë mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit si problemin më të madh historik e aktual të vendit. Demokraci, liria, prona të tjera të drejta themelore të njeriut janë fiktive e të kërcënuara vazhdimisht deri sa autoret e shkeljes së tyre dje dhe sot janë jo vetëm të pa ndëshkuar por edhe në pushtet”- u shpreh Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë. 

TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Dënimi i krimeve të komunizmit është shëndërruar në një betejë pa kthim për antikomunistët shqiptarë. Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë: “Fatkeqësisht çdo përpjekje jonë juridike për të dënuar krimet e komunizmit është bllokuar nga drejtësia drejtuesit e së cilës janë në konflikt interesi pasi ata vetë ose prindërit e tyre autorë krimesh të komunizmit. Prokuroria ka bllokuar hetimin disa kallëzimeve penale për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ku mund të përmend Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike dhe ndaj ish drejtorit të Burgut të Qafë Barit Edmond Caja. Në këto kushte beteja jonë ka qenë dhe mbetet poetike, mediatike e historike pa asnjë kompromis me komunistët persekutorë. Ne në këto ditë përkujtojmë martirët tanë dhe këmbëngulim që ata të jenë modelet  e brezit të ri dhe jo kriminelët e njeriu i ri që u imponon si model shkolla dhe propaganda në Shqipëri. Nderim në jetë të jetëve qëndresës sonë antikomuniste dhe martirëve tanë” – deklaroi z.Çika.

MEMORIALI…

TË MOS HARROJMË TË SHKUARËN

Voltana Ademi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër në aktivitetin për “Ditët e qëndresës”, mbajti këtë qëndrim institucional: “Ditët e Qendresës” në Shkodrën simbol të antikomunizmit, simbol të përballjes me diktaturat dhe neodiktaturat. Një vit nga kthimi i një borxhi për të persekutuarit dhe të përndjekurit, një vit nga vendosja e Memorialit kushtuar persekucionit dhe sakrificave të shkodranëve e shqiptarëve në 45 vite diktaturë. Në fund të një viti të vështirë për Shkodrën e Shqipërinë, që sot rrezikohen më shumë se kurrë në këto 30 vite të humbasin atë çfarë kanë arritur me shumë sakrifica e mund: Lirinë dhe Demokracinë. Sot, një ditë simbol dhe si thirrje për bashkim për të mos harruar të shkuarën, që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shkodër e Shqipëri jo si ajo që përjetuam ne. Përpjekja e nisur në 1990-ën me etërit, duhet të vazhdojë me largimin e bijve për të zhbllokuar edhe rrugën tonë drejtë Europës së Bashkuar” – përfundoi Ademi.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Cika, Qafe-Bari, Sokol Paja, Spaci

EXODUS, 1947-ANIJA QË NGRIT NJË SHTET

May 19, 2020 by dgreca

Shkruan QEMAL AGAJ/ DIELLI/

8 Maj, 1945, shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore. Fitorja u festua me  marshime gazmore nëpër bulevardet  e kryeqyteteve të Europës. Puthje në TIME SQUARE, New York. Konferencë Paqe në Paris , 1946, Gjyqi  Ushtarak Ndërkomëtar në Nuremberg,  1945 – 1946, ku 22 udhëheqës Nazist u gjykuan, nga të cilët 12 u dënuan me varje, por për mijëra që shpëtuan nga Kampet e Përqëndrimeve  Naziste, lufta për të mbijetuar ishte akoma larg.

Pas mbarimit të luftës ishin rreth 50.000 Jewish në Gjermani dhe Austri, dhe numuri rritej nga të shpërngulurit drejt perëndimit nga Polonia dhe të tjera zona ndën kontrollin e  Rusisë sovjetike. Duke udhëtuar nëpër rrënojat e Europës, të shpërngulur nga shtëpitë e tyre , shpesh pa familje, pasuri, apo diku ku të ktheheshin, këta  mbijetues shikonin drejtë Palestinës, për një vend që t’a  quanin Atdhe.

Ishte Korrik, 1947. 4515 burra, gra dhe fëmijë, shumica prej tyre mbijetues të Holocaust,  ngarkuar në  170  kamiona, udhëtuan nga Polonia dhe Gjermania  përmes Francës drejtë Mesdheut. Gjatë natës , në portin Sete në Jug të Francës, u imbarkuan në anije. Anija, e njohur si President Warfield, që në ditët e saj të mira kishte shërbyer si  anije qejfi  dhe që  gjatë luftës u përdor për transport furnizimi gjatë invazionit në Normandi, u ble pas luftës në mënyrë sekrete  nga shoqata Israelito – Amerikane (Jewish Agency)  për  40.000 dollarë në portin Baltimore me një mision, –  në vend që të përdornin  anije të vogla me qindra emigrant  klandestin drejtë Palestinës,  vendosën se ishte koha të fillonin të lëviznin me mijëra.

Ndërtuar në 1918 – tashmë  e shkatërruar, nga Baltimore, anija  mori lundrimin drejt Italisë, ku u riparua dhe u furnizua që të mund të merrte sa më shumë pasagjer. Në mëngjesin e 11 Korrikut, 1947, ndën komandën e anëtarëve të Haganah*,  Jewish Agency for Israel* dhe 35 vullnetarë amerikanë, shumë prej tyre mbështetës të Zionizmit*, anija e riquajtur EXODUS, me flamur Honduras dhe me dokumenta udhëtimi për në Stamboll, doli në Mesdhe. 

 Në 18 Korrik, rreth 20 km. pranë brigjeve, duke qënë akoma në ujra ndërkombëtare, EXODUS u rrethua nga  anije luftarake Britanike.  Britanikët u munduan të ndalojnë anijen  edhe pse jashtë ujrave territoriale të kontrolluara prej tyre. Pasagjerët dhe grupi drejtues refuzuan urdhërat e Britanikëve, refuzim ky që çoi në përleshje me armë, që zgjati rreth tre orë ku u vranë, dy refugjatë, një vullnetar amerikan dhe u plagosën 200 të tjerë.

Beteja mes ushtarëve Britanik dhe mbijetuesve  të pambrojtur, por të vendosur  të Holocaust, tregoi dobësinë e Britanisë së fuqishme. Pasagjerët mendonin se sapo të shkelnin në Haifa do transferoheshin në kampet e refugjatëve në Qipro. Por Ministri i Jashtëm  Britanik, Ernest Bevin vendosi  t’a bëj shembull  EXODUS,  ’’Duhej t’ju jepnin një mësim refugjatëve, Jewish Agency dhe agjentëve të tyre në botë, në përpjekje të tjera për të shkuar në Palestinë.’‘  Të dëshpëruar, pranë atdheut të ëndërruar, në 19 Korrik, të gjithë refugjatët u rimbarkuan në tre anije, që filluan udhëtim mbrapsht në Francë. Në portin Port- de Bouc, në Jug të Francës, refugjatët kundërshtuan të zbrisnin dhe qëndruan në anije me gjithë  vapën e madhe, kushtet e vështira sanitare dhe pakësimin e ushqimit. Pasi autoritetet Franceze refuzuan të përdornin forcë për të zbritur pasagjerët nga anijet, në 22 Gusht, anija u nis drejt Hamburg-ut, në atë kohë Zonë e Okupuar ndën kontrollin Britanik.

Rivendosje me forcë e mbijetuesve të Holocaust  në një kamp  Gjerman, shkaktoi një revoltë ndërkombëtare. Reagimi i ashpër i opinionit botëror detyroi Britaninë të ndrroi qëndrim. Emigrantët nga Hamburg-u, u transferuan  në kampet e refugjatëve në Qipro.

 Gjendja e mjeruar e pasagjerëve të Exodus, dhe trajtimi  çnjerëzor që ata jetuan, nxiti  simpati dhe mbështetje për çeshtjen  Zioniste  dhe  u bë simbol për nevojën e popullit Jewish të qeverisnin vehtëvehten në një  atdhe të tyre.

Historia e EXODUS, ishte historia e një drame njerëzore, një histori konfliktesh politike, një histori e  të dobëtit  kundër  të fuqishmit, refugjatësh  Jewish kundër Britanisë. Historia e vërtetë e EXODUS, ishte në fakt një mikrokozmos  e historisë së shtetit të Israelit. 

Ajo që ndodhi me EXODUS  tërhoqi vëmendjen e organizmave  ndërkombëtare në zgjidhjen përfundimtare për qindra mijëra refugjatë Jewish, që kërkonin strehim pas Luftës së Dytë Botërore dhe krijimin e shteti i ri të Israelit.  

Kjo është një nga arësyet që historia e EXODUS, 1947 mori përmasa biblike.

Përse Britanikët ndalonin emigrimin 

Jewish në Palestinë ?

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në 2 Nëntor, 1917, Qeveria Britanike, publikoi një deklaratë ku njoftonte mbështetje  për stabilizimin e një ‘’National Home for  the Jewish People’’  në Palestinë, në atë kohë një rajon Otoman me një minoritet të vogël  popullsie Jewish. Deklarata e  quajtur, ‘’Belfour Declaration’’ u propozua nga Sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Belfour, ku  midis të tjerash shkruhej: ‘’Palestina të njihej gjithashtu si  Jewish National Home, me lirinë e emigrimit të popullt  Jewish nga të gjitha vendet e tjera, ku do të gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare dhe civile; një Status që të garantonte kompanitë Jewish; qeveri lokale të zgjedhur nga popullata Jewish, dhe gjuha Hebrew të njihej zyrtarisht.

Pasi Britania pushtoi Palestinën në fund të 1917-ës, mbështetur nga SH.B. A, dhe Franca, Britanisë ju garantua një Mandat për Palestinën që u aprovua nga Lidhja e Kombeve në 24 Qershor, 1922.  Një nga kushtet e Mandatit ishte respektimi  i  Belfour Declaration, që  u bë në fakt një njohje zyrtare për një  pjesë  territoriale në Palestinë  me popullatë Jewish.

Në Maj, 1939, Britania publikoi të ashtuquajturën, ‘’ The White Paper,’’  që shfuqizonte premtimet e saj ndaj popullit  Israelit sipas ‘’ Belfour Declaration.’’  Pas kësaj, emigrimi Jewish do të limitizohej për pesë vjet dhe çdo kërkesë për emigrim do të aprovohej nga autoritetet Arabe. Në vazhdim, vinte kufizime në blerje tokash  nga Jewish.

Jewish Agency, reagoi  ashpër  për  hedhjen  poshtë të Belfour Declaration. Në Shtator ,1939, Ben Gurion, kryetari i Jewish Agency, deklaroi:    ‘’Ne do të luftojmë luftën kundër Hitlerit sikur të mos kishte’ White Paper,’ dhe do të luftojmë  ’ The White Paper ’ sikur të mos kishte luftë.’’

Fjalët e rrepta të Ben Gurion në 1939, i dhanë tonin politikës dhe operacionit të Agjensisë Israelite gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kur Partia Laburiste Britanike hypi në fuqi në Qershor, 1945, Zionstët  u entusiazmuan nga platforma e tyre që includonte pa ekuivoke çështje e ngritjes së një shteti  Israelit. Në  një konferencë të Partisë Laburiste, Hug Dalton, politikan i shquar, shpjegoi se: ‘’ Është nga ana morale gabim dhe politikisht e pambështetur, të ndalohet hyrja e çdo Jewish që dëshëron të shkoj në Palestinë.’’ Ai vazhdoi : ‘’ Britania në bashkëpunim me SH.B.A. dhe Rusinë Sovjetike, duhe të mbështesin një politikë , që do të na jap një shtet të gëzuar, të lirë dhe me  prosperitet në Palestinë.’’

Por jo shumë kohë  pas kësaj, Qeveria  Laburiste, plotësisht dhe në mënyrë kategorike, mohoi  premtimet e partisë së saj dhe ju nënshtrua  Arabëve. Orientimet e reja  pro-Arabe u motivuan nga perceptime interesash. Britania e Madhe donte të ruante mardhëniet me shtetet Arabe,  për të mbrojtur interesat e saj politike dhe ekonomike.

Por në çdo shkallë, për një parti që pretendonte  se mbështeste  drejtësinë sociale dhe dinjitetin e njeriut, për një shtet që ishte në krye të fronit kundër nazizmit, të toruronte më të torturuarit, që jo vetëm humbën gjithëçka por edhe 6 milion të pafajshën gjetën  vdekjen, ky qëndrim  ishte i pahijshëm, amoral dhe pse jo, kriminal. Ngritja e opinionit publik kundër adoptimit të White Paper nga Qeveria e re nxiti revoltë në Britani dhe jashtë saj. Në këto rrethana, Qeveria Laburiste, vendosi të përfundonte Mandatin  e vitit 1922 mbi Palestinën dhe e hodhi çeshtjen  Palestineze në Kombet e Bashkuara.

Në 29 Nëntor, 1947, O.K.B., aprovoi rezolutën  për përfundimin e Mandatit të Britanisë mbi Palestinën  dhe  ndarjen e territorit Palestines midis një shteti  Arab dhe një shteti të ri – Israelit, që hynte në fuqi në 15 Maj, 1948.

Në mesnatën e  14 Maj, 1948, mandati i Britanisë mbaronte. Po atë ditë, në orën 4 mbasdite  përpara Këshilit të Popullit Jewish(Jewish People Council )  në  Muzeumin e Artit në Tel Aviv,  Ben Gurion deklaron zyrtarisht  Indipendencën e Popullit  Jewish dhe krijimin e shtetit të Israelit.

Midis të tjerash deklarata përmbledh:

‘’Shteti i Israelit do të jetë i hapur për emigrantët Jewish. Do të kujdeset për zhvillimin e vendit, për mirëqënien e të gjithëve; do të bazohet në principet e lirisë, drejtësisë dhe paqes, sipas vizioneve të profetëve të Israelit; do të ruaj barazi absolute të të drejtave politike dhe sociale për të gjithë qytetarët, pa dallim besimi, rrace dhe seksi; do të garantoj lirinë e besimit, ndërgjegjes, gjuhës, edukimit dhe kulturës; do të ruaj vendet e shenjta të të gjithë besimeve fetare dhe do të jetë besnike e Kartes së Kombeve të Bashkuara.’’

 Një ditë pas shpalljes së Indipendencës, një koalicion ushtarak Arab, përbër nga Egjypti, Siria, Jordania, Libani dhe Iraku invaduan Israelin. Kjo shënon luftën e parë midis vendeve Arabe dhe shtetit të posakrijuar të Israelit.

Me gjithë superioritetin numerik të Aleancës  Arabe,  Israelitët  të pregatitura nga Haganah,  mbrojtën vehten dhe fituan. Në Janar , 1949, me ndërhyrjen e O.K.B. u vendos armëpushimi. Kur Britania njohu shtetin e ri të Israelit në Janar, 1949, refugjatët e grumbulluar në Qipro u shpërngulën në Israel. Fundi i një fillimi të pritur me ankth.

Filmi   ‘’ E X O D U S’’   dhe   G j o n   M I L I

 Filmi ‘’EXODUS’’, është bazuar  në ngjarjet që ndodhën me anijen Exodus në 1947,  kampet e refugjatëve në Qipro,  me  ngjarje lidhur me themelimin e shtetit të Israelit në 1948 dhe konfliktin e parë Arabo- Israelit, përshkruar në librin e shkrimtarit amerikan, Leon Uris, botuar në 1958.

Filmi, i  gjatë  tre orë e gjysëm me regjisor Otto Preminger, 1960, është përshkruar si një film  lufte me të gjitha tiparet e një epike klasike, inkluduar; romancë, idealizëm dhe luftë për liri.

Revista LIFE, ngarkon Gjon Miliin të fotografoj skena  gjatë xhirimit për publikim. Skenat e fotografuara u botuan në Life, 12 Dhjetor, 1960 me titullin:

 ‘’ A  PEOPLE’S   RETURN  TO  THE  PROMISED  LAND.’’ 

–  Photographed  for  LIFE  by  Gjon  Mili.  

‘’Kur Lufta e Dytë Botërore mbaroi, mbijetuesit Jewish të Europës u gjendën të shkatërruar. Ata kishin humbur gjashtë milion njerës në kampet e Hitlerit…Për shumë ishte një humbje shprese. Por shpresa nuk kishte humbur. Shpresa, që ngjallte një te re, është simbolizuar në imazhin e kësaj faqe fotografuar nga Gjon Mili. Qindra mijëra mbijetues ngritën vehten lartë dhe me gjithë bllokadën e anijev Britanike, morën rrugën për Palestinë. Atje, duke mospërfillur pesë ushtri Arabe dhe gjithë logjikëm historike, ata ndërtuan një komb.Tani në film vjen EXODUS, xhiruar për United Artist nga Otto Preminger, bazuar në best-seller të Leon Uris. Filmi shkon më tej se libri në këtë pikë: Një histori treguar me pasion se sa mirë dhe me aftësi Jewish dinë të luftojnë, ai evidenton urrejtjen për violencë  dhe një vajtim për paqe.’’

                                                                                                          Life, 12 Dhjetor, 1960

Nga botimet në LIFE, të tërheqin vëmendjen imazhet me tituj si:

  • Një  luftëtar  i  maskuar –   ‘’Ari Ben Canaan, ( Paul Newman) karshi  minaresë së hollë të El Jazzar. Një Jewish lindur në Palestinë, Ari  është  oficer  në Hagannah, që më vonë u bë ushtria e Israelit .’’
  • Kthim  në  terrorist  –  ‘’Në brigjet e Palestinës, 17 vjeçari Dov Landau (Sal Mineo)  përpara një qendre policore Britanike rrethuar me tela me gjemba. Një mbijetues i kampeve të vdekjes Naziste, mbushur me urrejtje, merr një vendim; ai bashkohet me grupin terrorist klandestin Irgun, si dinamist kundër Britanikëve.’’
  •   Pak  momente  dashurie  jashtë  betejës –‘’ Për një moment, Dov Landau dhe Karen Clement  (Jill     Haworth) -refugjate Jewish nga Gjermania në kampet e Qipros, shtrirë në bar në vendin e tij të vrojtimit.. Në një moment intim, dashuria pothuajse i  rrëmbeu. Por me rreptësi ai thotë: ‘Jo.’ Fillimisht ata duhet të martohen. Atëhere ajo do të jetë  Zonja Landau, një grua e respekktuar. Njerëzit do të ulin kapelet kur ajo të kaloj. Por tani ajo duhet të kthehet në kamp.’’
  • Në vdekje, paqe por…’është koha për të jetuar.’ – ‘’Ditën tjetër gjetën Karen ku e kishte hedhur një Arab, pasi i kishte prerë grykën dhe dov duke qarë me ngashërim mbi të. Ata e varrosën Karen në një varr të përbashkët me një Arab të vrarë për shoqërimin e tij me Jewish. Në ceremoninë e varrimit për të dy, një ushtar Jewish thotë një bekim të pikëlluar: ‘Të vdekurit e ndajnë tokën në paqe….është koha për të jetuar.’’

‘’Shaping  the  FUTURE

 by  remembering the  PAST ‘’

Megjithëse  jehon e EXODUS, një saga kujtuar në libra dhe film, është simbolizuar me Memoriale në Baltimore, në Francë, në Itali edhe në Gjermani, nuk ka pasur një Memorial në vendin ku refugjatët u munduan të arrinin – Israel. 

Me inisiativën e Presidentit të shoqërisë Jewish- Ameikane, Jerry Klinger, në 2017, me rastin e 70 vjetorit të ngjarjes, në Haifa, në portin ku anijet ushtarake Britanike, atakuan dhe ndaluan anijen të ankorohej dhe të lejonte pasagjerëët në tokë,  më së fundi  u ngrit një Memorial. Në ceremoninë e inagurimit, inisiatori i projektit Mr. Klinger midis të tjerash  tha: ‘’Unë ju garantoj se një numur i konsiderueshëm në Israel , në Amerikë dhe kudo, nuk e dinë historinë e vërtetë të EXODUS. Ne duhet të kujtojmë të shkuarën, sepse nëqoftëse nuk kujtojmë të shkuarën, si do të kemi një të ardhme?’

*Haganah  –  Organizatë ushtarake Zioniste në Palestinë, krijuar në 1920  në mbrojtje të revoltave Palestineze kundër vendbanimeve Jewish. E jashtëligjëshme nga autoritetet Britanike. Pas luftës së Dytë botërore u bë forca kryesore mbrojtëse e shtetit të ri të Israelit.                                                                                                                              *Jewish  Agency  for  Israel  –  Një organizatë ndërkombëtare krijuar në 1929  me qendër në Jerusalem. Dedikuar të ruaj dhe forcoj lidhjet mes Jewish në Israel dhe kudo në botë.                                                                                        *Zionizm  –  Një lëvizje nacionaliste që mbështeste  të drejtën e popullit Jewish të kenë shtetin e tyre .

Referencë :

Leon Uris  –  EXODUS,  1958.                                                                                                                                                      Leslie Stein  –  The Hope Fulfilled,  2003                                                                                                                                           LIFE  –  12 Dhjetor,  1960.

Filed Under: Featured Tagged With: Anija, Exodus 1947, Qemal Agaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • 249
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT