30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT ENVER HOXHA, ARDHJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI/
Saimir Maloku, i përndjekur dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 9 vite, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Rrëzimit të Simboleve Komuniste, i rrëfen ekskluzivisht gazetarit Sokol Paja për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, 20 shkurtin e vitit 1991, rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë dhe djegien publike të librave të tij. Sipas Malokut 20 shkurti është shembja e totalitarizmit shqiptar dhe fitorja e demokracisë në Shqipëri.
20 SHKURT VITIT 1991 SHEMBJA E TOTALITARIZMIT, FITORJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI.
Më datë 20 Shkurt të vitit 1991 u organizua një miting i madh i popullit të Tiranës me rreth 100 mijë veta në Qytetin e Studentëve në përkrahje të Grevës së Urisë të rreth 900 studentëve si dhe kundër regjimit të egër komunist. Unë kisha një urrejtje të madhe ndaj këtij regjimi totalitar dhe kërkoja të hakmerresha ndaj figures së diktatorit Hoxha. Kjo gjë m’u bë mua si dhe shtresës së gjerë të të persekutuarve politikë realitet në këtë ditë të shënuar historike. Jam krenar në jetë që sikur të ishte profeci e Zotit, pata shansin dhe fatin e madh historik që në ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 unë, i përkrahur nga një grup i madh të persekutuarish politikë, sindikalistë dhe nga mijëra protestues të kryeqytetit udhëhoqa turmën e parë dhe më kryesore të popullit të Tiranës nga godina e Radio – Televizionit Shqiptar drejt Sheshit “Skënderbej”. Në ato momente tepër delikate dhe të rrezikshme, unë, për të realizuar idealin tim dhe të popullit që thashë në gjyq, shpalosa vetitë më të mira të ushtarakut si strategjia e menjëhershme, këmbëngulja dhe guximi i madh, humanizmi im i lartë për të shmangur gjakderdhjen e mundshme si dhe urrejtjen tepër të madhe si ish-i burgosur politik që kisha për diktatorin Hoxha dhe regjimin komunist. Atë ditë një djalosh, i ri dhe jetim, me një rrip mëndafshi të kuq në ballë dhe rreth kokës, më solli një parullë rreth 3 metra të gjatë, ku shkruhej: LIRI DEMOKRACI. Ky djalosh, i quajtur Albert Risilia, e kishte bërë këtë parullë me perdet e dritareve të dhomës në Konviktin e shkollës ku banonte, duke e ngjyrosur me bojë këpucësh. Pasi vumë këtë parullë të madhe në krye të turmës unë, i shkëputur pak metra nga turma dhe si prijës i saj, i shoqëruar nga një fotoreporter i huaj, i bëja thirrje protestuesve të rrëzonim monumentin e E. Hoxhës si dhe të digjnim mijëra libra të tij në mes të Tiranës. Nuk harroja në ato çaste grisjen dhe djegien e dhjetëra librave artistike si dhe të Librave të Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze që kishin bërë oficerët e Sigurimit të Shtetit në shtëpinë time pas arrestimit. Ishte Jezu Krishti që më frymëzonte të hakmerresha ndaj këtij regjimi të urryer që dogji e grisi librat fetarë. Kështu, populli do të tregonte urrejtjen ndaj regjimit dhe do ta përqafonte përsëri fenë.
DJEGIA E MIJËRA LIBRAVE TË DIKTATORIT ENVER HOXHA
Gjithashtu, unë nxitja popullin protestues të digjte librat e diktatorit Hoxha dhe si hakmarrje ndaj tij për djegien e qindra mijëra librave fetare nga militantët komunistë në vitin 1967, kur me ligjin monstruoz të shtetit u hoq feja. Populli ka një shprehje: “Çfarë të keqe do të bësh, atë do ta pësosh po vetë”. Dhe kështu ndodhi me djegien e mijëra librave të diktatorit E. Hoxha. Me këtë veprim tepër të guximshëm, unë isha i vetëdijshëm se mund të arrestohesha përsëri për veprimtari të theksuar armiqësore dhe të përsëritur për të dytën herë kundër shtetit komunist dhe të pushkatohesha si nxitës ekstremist i turmës së protestuesve për rrëzimin e monumentit dhe si nxitës kryesor i trazirave popullore. Por, nga ana tjetër unë, i përkrahur nga dhjetëra shokë dhe shoqe, kryesisht të persekutuar politikë, shmangëm një masakër të madhe të mundshme, ku mund të ishin vrarë me qindra protestues të pafajshëm. Kjo për arsye se populli kërkonte të futej me forcë në Bllokun Qeveritar, ku ishin me qindra gardistë dhe policë të armatosur rëndë dhe mbi 20 tanke dhe autoblinda dhe gati 50 mitralozë të rëndë. Me këtë rast falënderoj z. Bujar Kore, operator televiziv dhe znj. Tefta Radi – gazetare e Televizionit Shqiptar, të cilët si të njohurit e mi, më vunë në dijeni për këtë gjë. Kjo sepse ata para një ore kishin qenë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (e Punës) aty, në Bllokun Qeveritar. Informacioni i dhënë prej tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se turma e madhe e protestuesve do të tentonte të futej me forcë në Bllokun e vilave të pushtetarëve dhe në godinën kryesore të Komitetit Qendror, ushtria, do të qëllonte ndaj mijëra protestuesve atëherë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Bllokut Qeveritar dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) do të ishte mbushur me qindra të vrarë e të plagosur. Përfytyroni çfarë pasojash tepër katastrofike për Shqipërinë do të kishte kjo gjakderdhje e mundshme, kryesisht ndaj shtresës të persekutuarve politikë duke na kujtuar gjenocidin e tmerrshëm në Kamboxhia të Khmerëve të Kuq ndaj popullatës me kombësi vietnameze në vitin 1975.
USHTRIA ËSHTË ME NE. USHTARËT JANË VËLLEZËRIT TANË
Gjithashtu 6 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u kapën nga protestuesit dhe në këto momente të vështira unë dhe shumë të persekutuar politikë nuk lejuam që ata të masakroheshin nga protestues ekstremistë dhe provokatorë. Falë ndërhyrjes tonë energjike, ne i lame ushtarët të lirë, duke bërtitur: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Më vonë njëri nga këta ushtarët e liruar nga ne protestuesit, sa herë më takonte, më falënderonte për ndihmën që i dhamë në atë ditë trazirash (e filmuar). Itinerari i lëvizjes së turmës tonë të protestuesve niste nga mbrapa “Piramidës” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Skënderbej”. Në tarracat e shumë ministrive kishte ushtarë me pushkë snajper, të cilët mund të më qëllonin dhe të më asgjësonin mua nga çasti në çast si udhëheqës i turmës së madhe të protestuesve. Kjo për arsye se unë isha pesë apo gjashtë metra i vendosur në krye të turmës së protestuesve dhe i nxisja ata me parulla të shumta politike kundër regjimit komunist. Pastaj, të gjithë protestuesit brohoritnin një zëri dhe fuqishëm po këto parulla politike. Pra, u thye heshtja dhe frika e popullit të Tiranës ndaj regjimit komunist. Por Zoti më ndihmoi dhe një masakër e tillë nuk ndodhi. Kam besim që fotot e bëra nga fotoreporteri i huaj që më shoqëronte mua, ku isha si prijës i turmës së protestuesve, një ditë do të jepen në media.
GUXIMI ËSHTË FILLIMI I FITORES
Unë dhe gjithë turma e protestuesve në ato çaste marshimi ishim tepër të gëzuar, sepse erdhi dita që populli i Tiranës t’i jepte dënimin e merituar diktatorit Hoxha dhe regjimit gjakatar komunist. Në ato çaste më kujtoheshin fjalët e Plutarkut, filozof grek: “Guximi është fillimi i fitores”. Turma jonë e protestuesve ishte turma më energjike dhe më kryesore që mbërriti e para në Sheshin “Skënderbej” dhe zumë vend pranë monumentit të diktatorit komunist. Pastaj erdhën edhe tri turma të tjera protestuesish. Aty, në sheshin kryesor, u bë një përleshje e ashpër e popullit me Forcat e Policisë dhe të Ushtrisë si dhe me Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto forca policore ishin të pajisura me fishekë manovër stërvitjeje dhe jo vdekjeprurës. Policia përdori aty kundër popullit protestues makinën zjarrfikëse me pompa uji, disa makina policie me sirena të fuqishme dhe shumë qen kufiri. Në momentin që sapo rrëzohej monumenti nga turma e protestuesve, m’u shfaq papritur si në ëndërr portreti i Jezu Krishtit, i cili sikur thoshte për të më frymëzuar: “Shko Saimir dhe godite këtë kriminel të madh komunist që ndaloi besimin fetar dhe vrau e torturoi popullin e pafajshëm në Shqipëri”. Kjo ishte arsyeja kryesore dhe e jashtëzakonshme që unë u vërsula si shqiponjë dhe isha qytetari i parë që godita dhe pështyva kokën e monumentit të diktatorit komunist. Në ato momente mua m’u duk vetja sikur vendosa flamurin e Demokracisë mbi kokën e diktatorit komunist Hoxha dhe që shënoi rrëzimin e Komunizmit në Shqipëri. Ky ishte një fat i jashtëzakonshëm për mua dhe i rrallë në botë. Tri vajza dhe gra të persekutuara politike, me lot gëzimi në sy, më përshëndetën dhe më përqafuan gjithë entuziazëm në atë moment të jashtëzakonshëm historik. Ishte si një dëshirë e Jezu Krishtit që çasti më historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar të fotografohej nga fotografi i mrekullueshëm z. Armando Babani, i cili ishte edhe fotoreporteri i një agjencie amerikane lajmesh. Sot ai punon e jeton me familjen e tij në Gjermani. Unë dhe bashkëvuajtësit e mi e falënderojmë atë, që na lejoi të botohej në kopertinën dhe në faqet e librit tim kjo foto me vlera të jashtëzakonshme historike ku unë përpara mijëra protestuesve jam duke goditur dhe pështyrë kokën e monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha. Kjo foto i tregoi mbarë njerëzimit mallkimin e madh që i dha Zoti këtij diktatori komunist, që hoqi fenë nga Shqipëria. I takon Presidentit të Republikës ta dekorojë z. Armando Babani për këto foto, që u vlerësua nga mediat ndërkombëtare si edhe për kontributin e tij në pasqyrimin e Lëvizjeve Demokratike në vendin tonë. Në atë çast, rreth 100 mijë protestues ishin në ekstazë nga gëzimi i madh dhe në të njëjtën kohë bërtisnin: “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!”, “Fitore – Fitore”, “Enver – Hitler”. Pastaj unë bëra dy apo tre herë kryqin dhe nisa të falënderoja Jezu Krishtin duke u shprehur: “Faleminderit o Zot që shporre Komunizmin nga Shqipëria!” Ja sa kuptimplote është shprehja: “Qesh mirë ai që qesh i fundit”. Në atë moment m’u kujtuan përsëri çastet e fundit të gjyqit tim kur unë në gjuhën angleze i lutesha Jezu Krishtit: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!” si dhe këndoja këngën amerikane “Let’s Tëist Again”. Tani kjo ishte si kënga e Fitores së Demokracisë në Shqipëri .
LIRIA, DEMOKRACIA DHE NJË SAKRIFICË FAMILJARE
Isha tepër krenar sepse edhe dy fëmijët e mi, dy dhe katër vjeç, ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite tepër të rëndësishme. Makina zjarrfikëse e Policisë para godinës së Liceut Artistik kishte lagur me bojë të kuqe gruan dhe dy djemtë e mi dhe ata të tre dukeshin si indianët me pupla të kuqe të xhunglave të Amazonës. Babai i gruas time gjatë protestës ishte plagosur rëndë në kokë dhe mbas disa muajve vdiq. Atë nuk e vrau ushtari gjerman gjatë luftës, ndërsa vdekjen e tij e shkaktoi Policia Komuniste duke qëlluar me gurë protestuesit. Plani ynë për të djegur librat e diktatorit Hoxha në Librarinë “Flora” nuk u realizua atë ditë, sepse në tarracat e pallateve aty pranë saj kishte shumë ushtarë të pajisur me pushkë snajper. Të nesërmen pasdite, rreth orës 17.00 pra më 21 Shkurt të vitit1991, unë dhe një grup i madh të persekutuarish politikë, kryesisht të Rrugës së Kavajës dhe të lagjes së Kombinatit si edhe dhjetëra protestues të tjerë ndezëm një zjarr të madh duke grisur dhe djegur me mijëra libra të diktatorit që ndodheshin në Librarinë e madhe “Flora” në mes të kryeqytetit. Kjo ishte si hakmarrje e popullit të kryeqytetit ndaj diktatorit Hoxha, që në vitin 1967 urdhëroi djegien e librave fetarë në formë publike. Ishte Jezu Krishti ai që më dha mua këtë ide për djegien e librave dhe rrëzimin e monumentit të diktatorit, që unë ta thosha në fund të gjyqit tim hapur para popullit: “Jeta tregoi se kush beson te Zoti dhe i lutet Atij për të mirën e popullit, Zoti, në të ardhmen, ia plotëson dëshirën”. Pra, edhe Zoti plotësoi dëshirën time që i kërkova më 28 gusht të vitit 1976, në gjyqin tim. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjyqësore të gjyqit ndaj meje, dokumente të cilat janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë isha tepër i gëzuar dhe i lumtur sepse populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ishte protagonisti kryesor për rrëzimin e monumentit të Diktatorit, të simboleve komuniste si dhe të djegies së mijëra librave të tij. Krahas djegies së mijëra librave, protestuesit rreth orës 12.00 hoqën edhe parullën e madhe 50 metra të gjatë ku shkruhej: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” nga tarraca e Pallatit të Kulturës, që ishte dhe godina më e madhe kulturore e Tiranës në atë kohë. Një ditë më parë, në çastin e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës, agjencitë dhe stacionet e radiove dhe televizive të vendeve të botës dhanë njoftimin për këtë ngjarje tepër të rëndësishme që simbolizoi përmbysjen e diktaturës në vendin më të egër komunist të Evropës dhe shënoi fitoren e Demokracisë në vendin tonë.
KAMBANA E DEMOKRACISË GJËMOI DHE U DËGJUA NË ÇDO SKAJ TË SHQIPËRISË
Unë isha tepër i gëzuar sepse para popullit tonë u hap rruga që çdo qytetar i saj të gëzojë jetën, lumturinë, arsimimin dhe të drejtat e tij siç çdo qytetar europian. Gjithashtu porta e Evropës u hap për popullin tonë, të cilën e kishte mbyllur për 47 vite diktatori Hoxha dhe regjimi i urryer komunist. Kambana e Demokracisë gjëmoi dhe u dëgjua në çdo skaj të Shqipërisë. Tani ishim qytetarë të Shqipërisë dhe të Evropës. Shqiponja dykrenore shqiptare fluturonte e lirë në çdo skaj të kontinentit europian. Feja dhe funksionimi i objekteve fetare u vendos përsëri. Tani populli shqiptar i lutej Zotit që t’i bekonte ata për një jetë të re, pa vuajtje dhe plot gëzim. Në ditët në vazhdim, gjatë natës, Policia Komuniste arrestoi me dhjetëra protestues. Unë dhe shokët e mi ato ditë u detyruam të fshiheshim. Gjithashtu, unë i shkurtova shumë flokët, ndryshova veshje, mbaja syze të errëta që të mos njihesha nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Lëvizjet demokratike që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës e goditën rëndë sistemin komunist. Në këto vende brenda një kohe të shkurtër fitoi demokracia dhe u përmbys komunizmi. Populli demokrat i Shqipërisë, me veprimet e tij tepër të guximshme, në këtë ditë, më të shënuarën e Demokracisë, ia preu kokën gjarprit komunist, i cili kishte helmuar shpirtin e tij me ideologjinë marksiste – leniniste. Prandaj, i takon këtij populli, si protagonisti kryesor i kësaj revolte, të emërtojë dhe ta festojë me madhështi këtë ditë të shënuar si dhe të demaskojë nostalgjikët e fundit të Komunizmit, që janë bërë pengesa kryesore për ecjen përpara të Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo të kujton shprehjen e famshme të Napoleon Bonapartit: “Mos u përballni me popullin, por bashkohuni me të, sepse do jeni gjithmonë të fituar”. Fjalimin që mbajta në gjyqin tim dikur, se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit, populli i Tiranës e realizoi me sukses duke e quajtur dhe duke bërtitur për diktatorin komunist: “Enver – Hitler”! “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!” “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë Komunizmi” “Liri – Demokraci”etj.
STUDENTËT E GREVËS SË URISË
Kontribut mjaft të madh në këtë ditë të shënuar dha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili organizoi Grevën e Përgjithshme në Tiranë. Kjo grevë bëri që të gjithë punonjesit e Kryeqytetit u grumbulluan në Qytetin Studenti. Bazuar në informacionet e mediave dhe të Sigurimit të Shtetit si dhe të popullit të Kryeqytetit bashkë me mua, atë ditë dhanë një kontribut të madh edhe qytetarët protestues dhe studentët e Grevës së Urisë si: Rajmonda Bulku, Gëzim Kalaja, Eqerem Kavaja, Blendi Gonxhe, Fiqiri Xibri, Gëzim Shima, Sami Karriqi, Hajredin Fratari, Lulzim Brahja, Skënder Topi, Fatmir Merkoçi, Artur Zadrima, Petro Luarasi, Ardian Heta, Astrit Hatellari, Gjovalin Çokani, Albert Risilia, Agron Spaho dhe vëllai i tij Besniku, Ridvan Peshkëpia, Arben Lika, Shinasi Rama, Blendi Fevziu, Edvin Shvarc, Mesila Doda, Kujtim Çashku, Neritan Ceka, Ilirjan Abazi, Arjan Manahasa, Gëzim Vojka, Kreshnik Ndreu, Ferdinand Temali, Met Ibrahimi, Merita Bejo , Ahmet Kalaja, Ilir Dizdari, Durim Hoxha, Naim Qyqja, Hajrije Hasani, Gani Lami, Xhemal Zhuri, Sulo Jaupaj, Sanije Vojka, Lida Bezhani, Hygert Borova, Vera Rada, Lindita Hamiti, Liljana Llapaj, Pranvera Bodinaku etj., sepse ne shmangëm gjakderdhjen e madhe në popull dhe rrëzuam monumentin e diktatorit si dhe simbolet e tjera të komunizmit. Një kontribut të madh në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve dhanë edhe operatorët e Televizionit Bujar Kore, Fatmir Çepani, Agim Buxheli dhe gazetarja Tefta Radi si dhe fotoreporterët Armando Babani,Gani Xhengo, Ali Begeja, Kujtim Çashku, Roland Tasho, Lulzim Lika dhe Besim Fusha. Shumica e këtyre qytetarëve protestues të mësipërm janë nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë të Kryeqytetit. Në ato ditë Policia dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi me dhjetëra protestues, të cilët u dënuan nga gjykatat komuniste. Populli ka respekt të madh për këta qytetarë të nderuar për kontributin e tyre në atë ditë të shënuar të Demokracisë. Pothuajse të gjithë këta protestues dhe punonjës të mediave janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhra e medalje. Veprimet e mia të guximshme gjatë ditëve të 20 dhe 21 Shkurtit të vitit 1991 ishin si një hakmarrje ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Greva e Urisë së minatorëve të Minierës së Valiasit më 16 Maj të vitit 1991 si dhe Greva e përgjithshme kombëtare e ish-të dënuarve politikë më 30 Shtator të vitit 1991 i dha përsëri një goditje të rëndë diktaturës komuniste, e cila ishte në grahmat e fundit të saj. Monumenti i Stalinit u hoq në Tiranë më vonë nga Qeveria. Më parë ishte hequr edhe monumenti i Leninit.