Rreth librit “Si mbijetova në ferrin komunist” të Saimir Reshit Malokut–Tiranë 2020-Shkruan Bardhyl SELIMI*-
Pas vitit 1990, kur u bë e mundur Fjala e Lirë edhe në Shqipëri, u shkruajt pa drojë për të kaluarën komuniste të vendit, që zgjati gati 47 vjet. Sidomos me interes ishin kujtimet e atyre që e vuajtën në kurrizin e vet tmerrin e dhunës së shtetit totalitar enverist. Shumë prej tyre, për fat, ishin me kulturë dhe me mendje të kthjellët, kështu që rrëfimet e tyre ndikonin më fuqishëm në njohjen e të vërtetës së hidhur të së kaluarës komuniste.
Më kanë bërë përshtypje të thellë librat e zotërinjve Zhiti, Tase, Ҫela, Lubonja, Ngjela, Pllumi, etj. Shumë dëshmi të gjalla janë pasqyruar edhe në botimet e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.
Në këtë varg veprash të tilla vjen edhe libri vëllimor i zotit Saimir Maloku, të cilin, për fat, e kam njohur nga afër, pasi është edhe djalë i hallës sonë, Fatime Maloku (Mezini).
Saimiri është vetëm një vit më i ri se unë. Në shtëpinë e tij shkoja shpesh, pasi ajo ndodhej pranë qendrës së Tiranës, në një rrugicë të zonës, që thirret prej vitesh si “Tregu i Ҫamëve”, Ajo është një shtëpi e vjetër tiranase përdhese, me oborr të vogël, por që dallonte nga pastërtia dhe lulet e shumënumurta brenda saj. Babai i Saimirit, Reshit Maloku, ka qenë shok klase i dajës tonë, Mustafa Halil Gjeraku, te Shkolla Teknike Amerikane në kohën e Mbretërisë Shqiptare, e cila shkollë futi në arsimin shqiptar prakticitetin dhe dobishmërinë dhe e ngriti nivelin shkencor të tij. Mjerisht, shumë nga ata që e kryen atë shkollë të madhe u përndoqën mizorisht nga regjimi komunist.
Saimiri mësoi shumë nga i ati, nga kultura e tij, ndonëse vijoi shkollat ushtarake bashkë të vëllanë më të madh, Agimin dhe u bë oficer radiondërlidhjeje. Por ai studioi me zell dhe u shqua në të gjitha ciklet e edukimit, sidomos në studimet universitare në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike. Aty ai u diplomua si inxhinier elektronik me rezultatet më të larta në mësime në atë kohë. Njohuritë e tij Saimiri, menjëherë, i vinte në jetë, në repartin ushtarak ku shërbente, por edhe në shtëpi. Mbi të gjitha, Saimiri i shpëtoi “indoktrinimit” me ideologjinë komuniste, sepse, falë rrëfimeve të babait për botën dhe atyre që dëgjonte në stacionet radiofonike dhe televizive të huaja perëndimore, u njoh me të vërtetën e madhe e të thjeshtë, sipas të cilës, bota ishte shumë më e madhe, më e larmishme, më interesante se ajo ku i kishte mbyllur shqiptarët regjimi enverist. Ky ishte një guxim i jashtëzakonshëm që i karakterizonte njerëz të tillë me shpirt të lirë si Saimiri!
Që në fëmijëri, Saimiri mblidhte dhe shkëmbente pulla postare. Këto pulla ishin një dritare për të parë botën e jashtëme. Nisi korrespondencën me filatelistë të huaj. Kjo korrespondence, deri në fillim të viteve 60, ishte mjaft e përhapur te të rinjtë. Edhe unë veproja kështu. Madje atëhere, kur Shqipëria ishte ende pjesë e Bllokut Socialist, korrespondenca me bashkëmoshatarët nga ky Bllok Socialist sugjerohej nga vetë zyrat e Komiteteve të Rinisë nëpër qytete. Sigurisht, gjuha që përdorej ishte rusishtja e mësuar në shkollat e Shqipërisë që nga mosha 11 vjeç. Pranë shtëpisë së Saimirit ishte një godinë e madhe katërkatëshe ku më vonë aty u bë selia e Ambasadës së Turqisë. Gjatë viteve 1950-1960 aty banonin shumë familje të këshilltarëve ushtarakë sovjetikë. Kjo gjë e ndihmoi Saimirin ta mësonte shpejt gjuhën ruse nga fëmijtë e vegjël të këtyre familjeve të mësipërme.
Por Saimiri kish mësuar nga i ati edhe anglishten. Kështu që, krejt natyrshëm, ai mund të fliste edhe me anglishtfolës. Në vitet e rinisë së tij, këta të fundit mund të ishin vetëm miq të Partisë dhe shtetit tonë komunist. Me këta Saimiri nisi të flasë dhe të korrespondojë pa i shkuar mendja kurrë të bëhej vegël e ndonjë shërbimi të fshehtë armiqësor. Këta miq të huaj apo turista kryesisht britanikë, e ndihmuan atë për të siguruar ilaçet që mungonin për mjekimin e të atit të paralizuar, në vitin 1968.
Ai nuk e mori vesh, që në fillim, se kishte ngjallur dyshime në punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të cilët madje kishin hapur një dosje hetimore me përpunim aktiv 2A si agjenta të mundëshëm të Zbulimit Britanik, për të dhe të atin, sikurse kishin bërë me qindra mijë qytetarë të tjerë. Kjo dosje ishte më e rëndësishme për Sigurimin e Shtetit se bëhej fjalë për një oficer radiondërlidhjeje!
Edukata familiare e Saimirit ishte e shëndoshë, atdhetare, por jo dogmatike. Në shtëpinë e tij dëgjohej vazhdimisht muzikë, popullore dhe e huaj. Kjo për arsye se në vitin 1968 babait të Saimirit iu mundësua që të kish një aparat televizori për ndihmesën e tij të madhe në rindërtimin e Shqipërisë dhe në Sportin e Qitjes. Në atë kohë, shtëpia e Saimir Malokut u bë një qendër e fshehtë e kulturës perëndimore. Sepse aty, pothuaj çdo natë, vinin me dhjetëra qytetarë për të parë emisione italiane dhe jugosllave, si Festivalin Italian të San Remos, ndeshje ndërkombëtare sportive, etj. Në korrik të vitit 1970 Saimiri shpiku një pajisje të vogël elektronike televizive që më vonë u quajt “kanoçe”. Kjo pajisje mundësonte që të shiheshin lirshëm kanalet televizive të huaja. Edhe unë kam dëgjuar atëhere muzikë atje dhe kam parë filma të huaj të bukur që nuk shfaqeshin në ekranet e kinemave dhe televizionit shqiptar. Sepse Saimiri duarartë kishte ndërtuar antena dhe kishte shtuar pajisje të përshtatshme për të marrë dhe përforcuar sinjalet televizive dhe radiofonike. Thjesht për kulturë më të plotë qytetare dhe rinore.
Por si mund të lejonte regjimi i atëhershëm një “herezi” të tillë?! Fakte për veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe Partisë nuk kishin, atëhere o burra t’i sajojmë atij, nëpërmjet kallëzimeve të rreme të informatorëve të fshehtë që hynin e dilnin si “miq” familiarë në shtëpinë e Saimirit. Këtu nisi drama e madhe personale dhe familiare e Saimirit.
Sidoqoftë, Saimiri vijoi të shërbejë aty ku e caktuan, me zell dhe ndershmëri, gjithnjë duke besuar se është i pafajshëm. Por qëlloi edhe një kohë e vështirë, kohë e fushatave spastruese, që përsëriteshin periodikisht, si dikur në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, ashtu edhe në këtë Shqipërinë tonë të vogël por të mbërthyer nga një diktaturë e egër. Qëlloi mesi i vitit 1976! Ishin arrestuar, dënuar, pushkatuar osë burgosur me qindra ushtarakë të lartë dhe të ulët, po ashtu nëpunës të lartë civilë, familjet e të cilëve i internuan në fshatrat më të largëta të vendit tonë. Kishe frikë të shkoje edhe në mbledhjet e përgjithshme të kolektivave, sepse papritur mund të bëheshe viktima e radhës.
Me 3 maj të vitit 1976, Kryeministri kriminel i Shqipërisë, Mehmet Shehu, dha urdhër për arrestimin e Saimir Malokut duke vënë me dorën e tij shënimin: “Të arrestohet! Është armik i poshtër!”
Me 13 maj të po atij viti, para qindra ushtarakëve dhe të tjerëve militantë ekstremistë komunistë, në një sallë shumë të madhe kinemaje dhe mbledhjesh të reapartit ushtarak në Burrel, e arrestuan Saimirin dhe e futën menjëherë në një qeli paraburgimi të nëndheshme të godinës se Policisë. Më mirë të thuash e futën në kështjellën e Ifnit të Marsejës ku mbyllën me pabesi Edmond Dantesin, heroin e njohur nga romani “Konti i Montekristos” i Dumas. Pa dritë, pa ajrim, në lagështi, veshur lehtë, Saimiri përjetoi një tmerr të vërtetë. Shtoi këtu hetuesinë e zgjatur, gjyqin farsë, ku turmat me tru të shpëlarë nga ideologjia sunduese e tregonin me gisht atë si “armik i poshtër, si kriminel i rrezikshëm”, kërkonin varjen apo pushkatimin. Skena të tilla kanë qenë të zakonshme në gjyqet politike që nga 1945 në Shqipërinë komuniste.
Nuk mjaftoi dënimi shumëvjeçar, por me urdhër nga lart, Saimirin nuk e dërguan në burgjet politike sikurse ishte rregulli, por e mbajtën ende edhe për rreth shtatë muaj në atë qeli skëterrë. E trajtuan si një kafshë të egër, në të cilën njeriu u shndërrua nga kushtet e skajshme të vështira (uri, pisllëk, ngricë, veçim i plotë, pa asnjë lidhje me familjen, pa të drejtë ankimi në organet e drejtësisë).
Policia, si ndëshkim, kishte ndaluar ndihmat ushqimore dhe teshat nga familja. Seancat e shumta të hetuesisë fillonin në mes të natës dhe vazhdonin afër gjashtë orë. Ato shoqëroheshin me tortura fizike dhe psikologjike plot fyerje dhe kërcënime.
Një mrekulli ishte që Saimiri nuk vdiq, pasi humbi gjysmën e peshës trupore, shtatë dhembë, shikimin normal, ndjesitë dhe pjesërisht aftësitë mendore.
Kjo bëhej pasi qëllimi kriminal i Sigurimit ishte që Saimirin së bashku me të atin e paralizuar, pasi ta arrestonte këtë të fundit, ta dënonte me vdekje si “agjentë të mundëshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike”.
Plani tjetër i fshehtë i Policisë ishte që Saimiri të vdiste në qelinë e nëndheshme për shkak të kushteve çnjerëzore të jetesës. Por Saimiri, falë sinjalizimit të fshehtë nga një punonjës dashamirës i Policisë, e alarmoi tërë personelin aty. Atëhere kur Saimiri ishte në prag të vdekjes mizore, ia lejuan takimin me familjen
Edhe mjekët me qytetari nuk lejuan që Reshiti, që ecte me karrocë invalidi, të arrestohej.
Por, o Zot, e ëma. Fatimja dhe xhaxhai, Shaban Maloku, që e shoqëronte atë, nuk e njohën fare Saimirin. Ai u dukej si njeri i shpellave, por jo i fuqishëm si këta të fundit, përkundrazi i skeletosur, i mbuluar me lesh në fytyrë e krye, pa dhëmbë, mezi qendronte në këmbë, me erë që kundërmonte nga papastërtia. Kjo vërteton më së miri planin famëkeq të Sigurimit të Shtetit, sepse një hetues në dhomën e hetimit i tha Saimirit, pasi u arrestua: “Na trego, o armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore si spiun i Perëndimit. Ne, fytyrën tënde prej ëngjëlli do ta shndërrojmë në fytyrën e Djallit, që as familja jotr të mos të njohë!”
Me shumë vështirësi u muar vesh e vërteta. Familja kërkoi që i biri të shkonte në burg për të vijuar dënimin atje. O Zot, burgu dukej shumë herë më i mirë se ajo qeli danteske!
Në Burgun e famshëm të Burrelit Saimiri gjeti profesorë, priftërinj, njerëz me kulture, që kishin mbijetuar edhe ata. Mësoi shumë prej tyre. Edhe në Burgun e Ballshit pak më vonë, ndenji disa muaj. Kurse në Burgun- kamp të Spaçit, që është cilësuar si nga më të tmerrshmit në Europë, Saimiri punoi në minierë por edhe ndihmoi me profesionin e vet që jeta e të burgosurve të shijonte pakëz ëmbëlsi, duke dëgjuar këngë që lëshonin altoparlantët e ndrequr nga Saimiri ose filma nga televizorët që mirëmbante inxhinieri ynë.
Punoi Saimiri vite të tëra deri sa, pas më shumë se tetë vitesh, një amnisti e vitit 1985 e përfshiu edhe atë. U kthye në shtëpi, u çmall me të atin i cili kish pritur me kaq shumë shpresë, i plotësoi atij dëshirën për t’u martuar. Pak pas martesës, i ati ndërroi jetë më 6 tetor të vitit 1986. Saimiri punoi në ndërmarrjen e riparim-shërbimeve elektroteknike me kategorinë e parë, dmth me pagën minimale, (atëhere 420 lekë) duke pritur të ndodhte shndërrimi politik edhe në Shqipëri.
Ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 atë e gjejmë në Sheshin Skënderbej, në krye të protestuesve që kërkonin rrëzimin e monumentit të diktatorit Hoxha. Në janar të vitit 1991 Saimiri krijoi Shoqatën e parë të të përndjekurve politikë të Rrugës së Kavajës dhe të shumë rrugëve bashkuese me të dhe vijoi të shërbejë në profesionin e vet, pavarësisht se i ofruan poste në aparatin shtetëror.
Përcolli me interesim zhvillimet politike të vendit, ku mjerisht ish përndjekësit, ish komunistët ekstremistë, si dhe pinjollët e tyre vijonin të shijonin një jetë pa u trazuar, pa ndjerë përgjegjësi morale dhe juridike për krimet e kryera nga ata. Zhgënjimi popullor bëri që mbi 1.2 milionë shqiptarë, ndër ta shumica demokratë, ta braktisnin Shqipërinë për një jetë më të mirë jashtë saj. Qeveritë pluraliste nuk arritën ta bëjnë dekomunistizmin e vendit, përkundrazi ato, me aparatin shtetëror dhe median vetëm përhapnin në forma të rafinuara idenë se socializmi ka qenë një rend më i mirë shoqëror, duke ndikuar fuqishëm në rininë, që nuk e ka përjetuar atë regjim fizikisht.
Për të penguar sado pak këtë revansh të ish komunistëve të veshur me tesha të reja socialiste Saimiri mendoi të shkruante këtë liber, ku janë jo vetëm kujtimet e tij personale por edhe ato të bashkëvuajtësve të tij. Duke pasur parasysh personalitetin e Saimirit, si intelektual dhe profesionist me dije të shumta dhe i lirë nga paragjykimet, dogmat, partishmëritë, sigurisht që do prisnim që libri të pasqyronte shumë fakte të jetës në Shqipëri në të kaluarën komuniste, të përcillte shumë kumte (mesaxhe) të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen.
Në librin e tij Saimiri tregon si arriti të mbijejojë në ferrin komunist për afër 200 ditë në qelinë e nëndheshme të paraburgimit. Ai mbajti lart moralin e tij duke iu lutur Zotit ditë e natë para një kryqi të madh që ai bëri duke gërvishtur murin e qelisë me anën e shtatë dhëmbëve që i ranë nga sëmundja e rëndë e Skorbutit. Gjithashtu ai këndonte apo kërcente muzikën e Legjendave të Rrok end Rollit të viteve 1960-1970.
Më poshtë kam shkëputur disa fragmente nga ky libër.
f.133
Historia gjithmonë do ta kujtojë këtë periudhe dhimbjeje të tmerrshme dhe alarmante që mbolli komunizmi në Shqipëri. Ҫfarë kohe e pabesueshme, tepër tronditëse dhe vëllavrasëse! Kohë kur burri ndahej nga familja dhe pushkatohej edhe pa gjyq….Vëllai spiunonte vëllain, gruaja mohonte burrin dhe komshinjtë denonconin dhe survejonin njëri tjetrin; miku kthehej në armik dhe në informator të Sigurimit të Shtetit. Gjithçka mund të prisje nga kushdo, kudo që të shkoje, në punë, në zyrë, në shkollë, në ushtri etj. Pabesia kishte errësuar sytë dhe mendjet e njerëzve. Të gjithë spiunonin për të mbijetuar.
f. 145
Të shumtë ishin ata qytetarë të cilëve u mohoheshin të drejtat më elementare si e drejta e fjalës, e jetës, e mendimit, e votës, e besimit, e pasurisë, e lëvizjes së lirë dhe e ndërgjegjes etj.
Në mëhallën ku banoja, shkalla e persekutimit komunist ishte mjaft e lartë. Në afro 50 shtëpi pranë shtëpisë sime, kishte 23 të burgosur apo të pushkatuar të tjerë për motive politike si:
Seit Shabani, Profi Ҫoka, Eqerem Mëniku, Muharrem Ferhati, Xhafer Vila, Abdul;a Mëniku, Theodhor Ҫoka, Bujar Bakalli, Kol Sheshi, Ali Bakiu, Qazim Turtulli, Ilia Naçi, Tefik Dashi, Pashko Brahimaj, Muhamet Dashi, Bujar Kokoli, Masar Mëniku, Zyber Naçi, Piro Agohiti, Petro Marqidhi, Adrian Kokoli, Abdyl Selenica e të tjerë.
f. 154
Kushtet e jetesës sime në qelinë e nëndheshme ishin të tmerrshme dhe çnjerëzore, Unë nuk kisha as dyshek, as jorgan, as jastëk, as çarçafë, as peshqir, as rroba, as tesha të tjera për t’u ndërruar, as sapun, as furçe dhëmbësh dhe as shapka këmbësh, as çorape, Brenda qelisë sime unë kisha një gjysmë batanije leshi tepër të vjetër, të hollë e të pistë si dhe një pagur plastik për të pirë ujë apo për të urinuar në të ditën ose natën, sepse derën e qelisë gardianët e policisë nuk e hapnin në të tilla raste të nevojave personale.
f. 157
Një të burgosuri politik hetuesi i tij i kishte thënë: Saimiri, po të mos e pranojë akuzën si agjent i Perëndimit, përveç elektroshokut do t’i fusim korrent në prapanicë dhe do ta çojmë atë në Tiranë në dhomat speciale të torturave me ftohje dhe ngrohje të menjëhershme, duke e zhveshur lakuriq për një kohë të gjatë si dhe pasojat shëndetsore do jenë shkatërruese.
f. 183
Mehmet Shehu ishte kryeministri më ekstremist dhe më i rrezikshëm komunist. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore, si komandant i Brigadës së Parë Partizane urdhëroi pushkatimin e afro 140 robërve italianë, të cilët ishin dorëzuar vetë në njisitet partizane pas kapitullimit të Italisë Fashiste. Këtë urdhër ky njeri i poshtër dhe gjakatar e dha sepse donte që t’u merrte robërve italianë rrobat e tyre të trasha dimërore dhe këpucët. Kjo ka ndodhur, sikurse më kanë treguar disa fshatarë të vjetër të zonës së Martaneshit, pranë vendit të quajtur Guri i Muzhaqit, kur unë punoja në atë zonë gjatë viteve 1967-1969.
Krimineli Shehu urdhëroi që trupat e robërve italianë të vendoseshin në një gropë të madhe dhe të mbuloheshin me gurë dhe me drutë e mbeturinat e gjetheve. Me këtë veprim kriminal, Mehmet Shehu shkeli në mënyrë flagrante Konventën Ndërkombëtare të Robërve të Luftës.
Gjithashtu ai vrau me dorën e tij 70 civilë të pafajshëm të Lushnjës në të njëjtën kohë, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Në kujtimet e shumë partizanëve tregohet se Mehmet Shehu ka vrarë dhe ka therrur me dhjetëra robër të tjerë italianë në vende të ndryshme të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
f. 215
Sipas mendimit tim, diktatura komuniste dhe naziste ishin si vëlla e motër me njëri tjetrin për sa u përket krimeve më mizore ndaj njerëzimit.
f. 216
Gjykata ishte një institucion formal që zbatonte vendimet e Partisë Komuniste dhe të diktatorit Hoxha.
f. 221
Hitleri edukoi rininë gjermane me ideologjinë naziste dhe me ndjenjën dhe imazhin e luftës. Po ashtu, dhe diktatori Hoxha bëri të njëjtën gjë duke edukuar popullin dhe rininë shqiptare me ideologjinë komuniste dhe me imazhin e luftës.
f.229
Deri më sot, asnjë persekutor apo oficer i Sigurimit të Shtetit nuk është dënuar në Shqipëri për krime çnjerëzore të kësaj natyre.
f.237
Për mua dhe popullin tone, komunizmi shqiptar ishte një sistem shoqëror tepër i mallkuar dhe i kamufluar i shekullit të kaluar në historinë njerëzore.
f. 239
Nuk e imagjinoja dot në jetë që të lindja i lirë, ndërsa pjesën më kryesore të jetës sime dhe pasuniversitare ta kaloja i lidhur me pranga metalike si i burgosur politik. Kalova çaste tepër të tmerrshme dhe vuajtje të jashtëzakonshme për gati 200 ditë në qelinë time të nëndheshme, sa vdekja për mua do të ishte një çlirim shpirtëror. Isha në kufijtë e fundit të jetës dhe të shëndetit fizik dhe mendor, ashtu si një njeri mjaft i sëmurë në agoninë e vdekjes. Më qante shpirti im i sfilitur dhe mjaft i dërrmuar nga këto vuajtje të panumurta, duke derdhur lotë të shumtë nga sytë e mij të zgurdulluar. Me mjaft vështirësi dhe duke u dridhur, arrija të thosha fjalën e artë dhe tepër hyjnore: Të lutem, o Zot, shpëtomë se po vdes!:
f. 255
Përderisa ish oficerë të Sigurimit të Shtetit kanë kryer krime penale ndaj popullit, ata duhej të ndëshkoheshin penalisht në kohën e demokracisë për krime të pandëshkuara. Ndërsa gratë e këtyre ish oficerëve të mësipërm privatizuan dyqanet shtetërore më të mira të kryeqytetit dhe sot marrin qira dhe fitime të majme.
Për të mbuluar krimet e tyre, persekutorët tanë me anë të pinjollëve dhe nostalgjikëve të komunizmit po shfaqin dhe transmetojnë nëpër shumë stacione televizive me dhjetëra dokumentarë të komunizmit dhe, me leje nga Qeveria Socialiste, këto gjashtë vitet e fundit, në mënyrë të plotë dhe pa i demaskuar apo censuruar ato, ku lavdërohet diktatori dhe regjimi komunist, ku fyhen rëndë SHBA dhe Britania e Madhe, tregohet si kapeshin agjentët anglo-amerikanë dhe si denoheshin ata dhe klerikët e nderuar, si u hoq feja, shfaqet kulti i individit i diktatorit Stalin dhe miqësia sovjeto-shqiptare, vizita e kryeministrit Ҫu En Lai në Shqipëri dhe miqësia e madhe shqiptaro-kineze, kongreset e Partisë Komuniste, si shembeshin kisha e xhamia, sesi populli brohoriste dhe përshëndeste diktatorin Hoxha në manifestimet e 1 Majit apo nëpër stadiume, miqësia shqiptaro-jugosllave dhe takimet e Enver Hoxhës me Titon, edukimi i rinisë në aksione dhe në zbore ushtarake, duke qëlluar nëpër tabela qitjeje ku ishin vendosur portretet e presidentëve të SHBA, BS, etj
f. 257
Vendet perëndimore nuk duhet të heshtin, sepse po dëmtohet rëndë imazhi i demokracisë dhe brezi i ri po infektohet me idetë komuniste. Këto dokumentarë televizivë kanë irrituar dhe zemëruar shumë shtresën e të persekutuarve politikë. Kjo i ka nxitur enveristët e komunizmit të dalin e të thërrasin në rrugë për ish udhëheqësin e tyre Enver Hoxha, duke mbajtur në duar me dhjetëra portrete të tij.
f. 276
Në burgun e Spaçit të burgosurit politikë ishin “skllevër të shtetit komunist”, të cilët detyroheshin të punonin me pagesë tepër të ulët, sa një e dhjeta e punëtorëve të lirë dhe me tre turne. … Burgu – kamp i Spaçit të kujtonte gulagët rusë ose kampet e punës së detyruar në Siberi, gjatë kohës së diktatorit komunist Stalin.
f. 278
Në burgun e Spaçit punonte edhe Sami Dangëllia. Ai kish lindur në vitin 1926, u fut në burg nga Partia Komuniste sapo u çlirua vendi dhe vuajti dënimin deri më 23 prill 1987, pra 43 vjet! Ky është një rast i paprecedent në vendet ish komuniste të Europës Lindorë dhe të Ballkanit.
f. 289
Diktatori Hoxha dhe Partia Komuniste si themel të shtetit të tyre kriminal kishin vënë kufomat dhe eshtrat e mijëra vetëve të pafajshëm, duke e spërkatur me gjakun e tyre. Gjithashtu ata u shkatërruan lumturinë dhe burgosën me mijëra veta, internuan 50 mijë familje në fshatrat më të këqia dhe moçalore. Të gjithë këta u 12
trajtuan sikur të ishin skllevër apo kafshë me pretekstin se do edukoheshin nëpërmjet punës.
f.297
Ishte mjaft e habitshme se në të gjitha qytetet e Shqipërisë qytetarët blinin dhe hanin bukë gruri. Ndërsa familjet e fshatarëve ishin të detyruara të hanin vetëm bukë misri.
Gjatë librit zoti Saimir Maloku shpreh zhgënjimin e vet përse ende nuk është ngritur Memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe përse 20 Shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit Hoxha, nuk është shpalluar nga asnjë qeveri pluraliste si ditë kombëtare, simbol i rënies së komunizmit.
Ky libër ka vlera të mëdha historike dhe edukative për Njerëzimin dhe kryesisht për brezat e rinj dhe të ardhmen në botë, në mënyrë që fara e Komunizmit të mos rikthehet sërish. Prandaj ky libër duhet të përkthehet në gjuhë të huaja, si diçka e çmuar për Njerëzimin. Ai është mirëpritur nga populli shqiptar dhe Trupi Diplomatik Perëndimor në Tiranë.
Konspektoi Bardhyl Adem Selimi, 29 shtator 2020