• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHEMBJA E TEATRIT KOMBETAR-Bravo legen!

May 17, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Në gjithë këto ditë kam ripostuar shkrimet e kaluara në përpjekje për të kontribuar sado pak të ashtuquajturës trashëgimi kulturore. Kam marrë mesazhe nga më të çuditshmet dhe më keqardhëse se më linin të kuptoja që nuk e kishin lexuar qoftë një radhë nga shkrimi, aq sa i ka dhënë vetes përgjigjen se për çfarë flet, shqiptarët më mirë mund të flasin për Sulejmanin e madhërishëm se sa trashëgimninë e tyre. Nga ana tjetër më mirë e kanë të të mbysin se t’u përmendësh pashain, lëre pastaj të hysh në diskutime në raport me të drejtën ligjore që kur grupet e interesit publik e çojnë një një objekt në Gjykatë, çdo aktivitet shtetëror pezullohet, është Gjykata ajo që vendos. Shikoni Kosovën, qe Gjykata ajo që ndali procesin e pushimit të qeverisë Kurti deri në daljen e një vendimi. Mësoni nga Kosova o pyka të Shqipërisë rilindase, mësoni që të mos kemi më luftë klasash, luftë shkume e pështymash se kush ka të drejtë. Por qenka e vështirë ta mbrosh vendin tënd nga shpërbërja, duket si një situatë e njëllojtë me atë të pas luftës, askush nuk ndihet veç shefit. Qënka e vështirë të shikosh se si vdes vendi yt, aq sa shqiptarët shkojnë bëjnë foto tek baraka e shtëpisë së Shekspirit, por e kanë tmerr të ruajnë një të tillë në vendin e tyre. Shkojnë në Austri e bëjnë foto tek banesa a teatrot ku luajti një patriot i tyre si Aleksandër Moisiu, por kanë tmerr të ruajnë vendin, a skenën, teatron ku luajti Kadri Roshi. Bjerini, shkatërrojeni dhe ato filma…, me që ra fjala më ka ndodhur një herë në udhëtim e sipër në Shqipëri në një lokal po transmetohej një film shqiptar. Tek po dilja ndala, dikush më tha, hë të pëlqejnë filmat e Enverit. I thashë nuk po shoh filmin, por Sandër Prosin. Po kujt ia thosha… Kështu që vazhdoni e prishni, shembni, filloni me hekurudhat, hidrocentralet, kërkoni ndonjë objekt që u ka shpëtuar sysh. Kaloni andej nga Berati pastaj, nga Gjirokastra, Korça, Shkodra. Hidhuni nga Tetova, Prishtina, Tuzi… se në Janinë ju presin këmbët. Shpalluni sa më shumë revolucionarë, turq, grekë, sllavë se është mallkim me qenë shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja

Modeli Suedez për mbrojtjen nga Coronavirusi- Një eksperiment dështues apo fitues?

May 17, 2020 by dgreca

-Interviste e Editorit te Diellit me Gazetarin Arben VATA, me banim ne Suedi/

Intervistë e Diellit me gazetarin e njohur të medias shqiptare, të shkruar dhe vizive, gazetarin e Lirë në Suedi, Arben VATA. Intervistën e mori për Gazetën DIELI, Kryeredaktori Dalip Greca./

      … Sot në Botë flitet shumë për modelin e lirë suedez të luftës kundër coronavirusit, pa masa shtërnguse, pa izolim të detyruar, por falë mirëkuptimit qytetar- qeveri. Dielli bisedoi me gazetarin e njohur Arben VATA, i cili prej 5 vitesh jeton në Suedi së bashku me familjen. Sipas Vatës: Nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet suedeze dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetarë… Suedia ka si arkitekt të mbrojtjes së lirë të qytetarëve nga COVID-19, Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë.

Në Suedi, qytetarët, që në fillim e kanë krijuar bindjen se : Pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint,siç shprehet zv/Kryeministrja Suedeze Isabella Lovin. 

Po si po funksionon kjo betejë pa masa shtërnguse e pa izolim e mbyllje totale ? Ndiqeni intervistën e plotë që gazetari Arben VATA, i dha Kryeredaktorit të DIELLI-t, Dalip Greca:

Dielli- Si ndjeheni Ju dhe familja në këtë kohë kor virusi është ende nëpër këmbë? A punoni Ju dhe familja në kushtet e Pandemisë…Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Arben VATA:- Përshëndetje i nderuar Dalip! Fillimisht iu falenderoj shumë për mundësinë e kësaj interviste në gazetën Dielli, e cila përfaqëson një vlerë sa historike aq edhe profesionale për shqiptarët kudo në botë. 

Familja ime dhe unë nuk kemi asnjë problem me shëndetin sa i takon virusit Corona. Ne punojmë dhe kryejmë aktivitetet e tjera të zakonshme ditore edhe në këto javë e muaj pandemie botërore. Bashkëshortja ime, Elsa, punon si mësuese e legjitimuar për klasat e 4-6, ndërsa unë si mësues i gjuhës shqipe si dhe gazetar freelance në mediat suedeze dhe ato shqiptare. Fëmijët janë në shkollë. Për shkak të kufizimeve djali, Algersi që është nxënës në vitin e 3-të në gjimnaz, bën mësim on line (në distancë)nga shtëpia. Kurse vajza Albuena, është në klasën e 9-të dhe vazhdon mësimin rregullisht në ambientet e shkollës. 

Pjesa tjetër e ditës, përveç punës dhe shkollës, është ajo e zakonshme; punë dhe angazhime shtëpiake, blerjet e zakonshme në njësitë tregtare, kohë e lirë me familjen, vizita tek miqtë e të njohurit, lexim librash, TV, sidomos lajme. Jo vetëm për shkak të profesionit, por edhe për shkak të situatës aktuale botërore, ndjek me shumë vëmendje edicionet informative dhe emisione të ndryshme që lidhen me ecurine e zhvillimeve lidhur me Covid-19. Shpeshherë kam qenë i ftuar nga mediat shqiptare për të komentuar për atë sesi po e përballon Suedia këtë situatë, ndaj edhe vëmendja në këtë rast është disi më e shtuar. Ka edhe disa grupe facebook ndër shqiptarë, në të cilat publikoj informacione dhe opinione rreth virusit, ndaj është e domosdoshme që të jem i mirëinformuar për çdo gjë dhe në kohë reale.

Kjo është një ditë e zakonshme, e cila në fakt nuk është krejt e zakonshme edhe pse ne kryejmë gjërat rutinë. Po kalojmë një moment të vështirë social, i cili lë gjurmë në jetën dhe aktivitetin tonë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

DIELLI-Vazhdon e flitet ende edhe këtu në SHBA për “modelin Suedez” të përballimit të betejës me koronavirusin me “dyer të hapura”, pa imponuar izolim total, ndërkohë që e gjithë Europa u përball me masa të forta shtërnguse. Për lexuesin e Diellit a mund te kemi me shume informacion: Si funksionoi kjo strategji që ka për arkitekt Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë?

Arben VATA: Që në krye të herës dua të them që unë nuk kam qenë dakord me këtë strategji në ditët apo dy javët e para. Kam mbajtur edhe qëndrim për 

këtë, duke kritikuar autoritetet (në fakt siç ju e dini, është në natyrën e gazetarit dhe timen gjithashtu që të mos jesh dakord me gjithçka që propozohet sidomos nga qeveria nëse nuk kemi prova për të kundërtën). Kur TV sillte përnatë pamje e shifra nga Italia, Spanja, Franca etj, me nga 700-800 të vdekur përnatë nga virusi e këtu në Suedi thuajse nuk kishte fare kufizime, sigurisht që ishte për të vënë duart në kokë. Psh, ishte një rast kur pasi kishte plasur pandemia, autoriteti i shëndetit publik lejoi zhvillimin e një festivali të këngës ku u mblodhën 10 mijë persona… kjo ishte gati si një vetëvrasje. 

Çfarë ka ndodhur dhe si ka funksionuar?

Qeveria dhe autoritetet e tjera nuk mundën dot që të ndalonin përhapjen masive të virusit në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Kjo ishte një paaftësi e madhe. Punonjësit në këto qendra nuk kishin mjetet e duhura mbrojtëse dhe ishin ata që e përhapën virusin në këto qendra, duke i kthyer në “varreza masive” për qindra e mijëra të moshuar. Sipas statistikave, më shumë se 80 % e të vdekurve nga virusi i takojnë kësaj kategorie. Ky pra ishte një dështim spektakolar. 

Ajo që funksionoi në këtë formulë suedeze, ishte fakti që spitalet nuk u tejmbushën si dhe puna dhe aktiviteti ekonomik nuk u pezullua tërësisht siç ndodhi në vendet e tjera të botës. Kjo mesa duket ishte arsyeja që edhe unë, por edhe shumica dërmuese e qytetarëve këtu në Suedi, e pëlqyem strategjinë Tegnell dhe e mbështetën atë. Fakti që sipas shkencëtarëve shumica e popullsisë do të preket nga virusi, të bën të besosh se zgjidhja nuk është mbyllja dhe izolimi, por vazhdimi i kujdesshëm i aktivitetit jetësor dhe atij ekonomik. Këtu konsiderohet se vrasësi më i madh do të jetë kriza ekonomike, pasi virusit nuk i shpëton dot. Në kushtet e izolimit, stresi i njerëzve do të ishte edhe më i madh dhe në radhët e popullsisë do të shtohej numri i vetëvrasjeve. Nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetar.

DIELLI-Si ka funksionuar strategjia e kombinimit të kufizimeve të pjesshme me kufizimet e detyrueshme, çfarë përfshijnë kufizimet e detyrueshme?

Arben VATA : Qeveria, e udhëzuar nga autoritetet vendosi gradualisht disa kufizime si : të shmangen grumbullimet me mbi 50 persona; të mos lejohen vizitat në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit; të mbyllen shkollat e mesme dhe ato të larta; të mos detyrohet askush të shkojë në punë për 14 ditë nëse ka shenja të virusit, ndërkohë që pagesa nuk ndërpritet; të mos qëndrojnë njerëzit në radha në distancë me më pak se 2 metër; të mos lejohen më shumë se 4 persona në një tavolinë në bare apo restorante etj. Këto janë kufizimet klasike, për të cilat Suedia është kthyer herëpasherë në çështje e debatueshme në shumë vende të botës.

DIELLI: -Në sytë tuaj si gazetar ju rezulton i sukseshëm modeli Suedez, ndërkohë që me 15 Maj raportoheshin 29 mijë e 207 të infektuar me COVID-19, me ritëm 24 orsh 625 të infektuar të rinj, me 3 mijë e 646 të vdekur në total, me trend ditor 117 të vdekur të rinj? Si ju duken këto shifra për një popullsi 10 milionshe, e krahasuar ne shtetet fqinj që ndryshe nga Suedia i kanë mbyllë kufijtë dhe kanë aplikuar masa shtërnguse?

Arben VATA: Shifrat për Suedinë, një vend me pak më shumë se 10 milionë banorë, janë të frikshme ose thënë ndryshe të larta krahasur me shumë vende të tjera, edhe ato skandinave. Por ka diçka këtu që ndoshta ia vlen të diskutohet. Suedia ka këto shifra pjesërisht si pasojë e dështimit me shtëpitë e të moshuarve, por edhe falë hapjes apo mosizolimit. Sipas statistikave, virusi ka prekur 30 % të qytetarëve në Stockholm ku jeton më shumë se 20 % e popullsisë dhe shpresohet se me praktikën e mosmbylljes, të arrihet “imuniteti i grupit” ose thënë ndryshe të ulet agresiviteti vrasës i virusit. Pyetja është se si do të paraqitet situata në vendet e tjera skandinave dhe në vende të tjera të botës, kur njerëzit të dalin nga izolimi? Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe… 

Megjithate, nuk dihet akoma nëse modeli suedez është një eksperiment dështues apo fitues. Ajo që dihet është që, ashtu sikurse unë e kam quajtur “kryeministri i krizës” Anders Tegnell, do të jetë personi që të bëjë që me filozofinë e tij, Suedia të quhet ose “delja e bardhë” ose “delja e zezë” e historisë moderne të pandemisë 2020. 

DIELLI: Më ka mbetë në mendje një shprehje e Zv/kryeministres Suedeze Isabella Lovin, e cila është shprehur për BBC: Për suedezët pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint, sa real ju duket ky përcaktim tash në muajin e tretë të Pandemisë botërore, ku maratona duket se është pa limit kohor?

Arben VATA: Në fakt ajo që ndodhë këtu është se politika ia ka lënë thuajse gjithçka në dorë ekspertëve, edhe suksesin, edhe dështimin e mundshëm. Por gjithçka mbetet për t’u parë, edhe pse nuk dihet se kur kjo do të mbarojë. Është vërtetë një maratonë me finish të fshehur… Ajo që dihet është që ne, mesa duket nuk dimë asgjë rreth kësaj pandemie. Vlen të theksohet se në përgjithësi politika ka qenë në unision rreth kësaj situate, ndërkohë që mjekët dhe grupime të tjera intelektuale e gazetarese kanë qenë disi të ndarë rreth masave që ka marrë qeveria në bashkërendim me ekspertët. 

DIELLI: Kam lexuar në media se izolimi total nuk u eksperimentua në Suedi edhe për shkak të kufizimeve të kornizës ligjore,që i përjashton kufizimet që prekin liritë themelore- ndërkohë që kjo kornizë ekziston edhe në SHBA e Europë, por nuk u morën në konsideratë. Cfarë e dallon Suedinë prej të tjerave shtete në respektimin e të drejtave të qytetarëve?

Arben VATA: Suedia besoj se është një ndër vendet “kampion” të respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe Pandemia ishtë një rast për ta treguar këtë. Ka pasur kufizime ligjore, për largimin e të cilave është dashur shumë konsultime mes partive dhe ekspertëve. Më në fund, është vendosur që qeveria mund të hartojë një propozim, i cili për t’u kthyer në ligj duhet të kalojë patjetër në parlament brenda 24 orësh. Kufizimet e aplikuara deri tani nuk kanë prekur asnjë të drejtë themelore të njeriut, përkundrazi ka pasur siç thashë Kritika për të ashpërsuar kufizimet.

DIELLI: Si gazetar, çfarë ju ka bërë përshtypje këto kohë në lidhje me pandeminë, si në rang botëror, ashtu edhe në atë lokal?

Arben VATA: Në rang botëror, do të veçoja dy gjëra: Këmbënguljen e fillimit të OBSH për të mos mbajtur maska mbrojtëse si dhe neglizhencën e treguar nga kjo organizatë botërore ndaj përhapjes së pandemisë. Nëse iu kujtohet, në rekomandimet kryesore të fillimit, OBSH shkruante veç të tjerave “MOS mbani maska”. Nga ana tjetër, nuk e kuptoj se përse OBSH nuk u kërkoi qeverive në botë që të kenë kujdes të kontrollonin njerëzit apo mbyllnin kufijtë ndërsa virusi në Kinë e më pas në Itali po bënte kërdinë… 

Sa i takon Suedisë apo vendeve të tjera, më ka bërë përshtypje ngathtësia për të vepruar shpejt, sidomos për parandalimin e përhapjes së virusit në radhët e personelit shëndetësor si dhe mossigurimin e pajisjeve të tilla në kohë. Këtu është e habitshme gjithashtu edhe mefshtësia e BE për të mbështetur vendet e prekura ashpër, si Italia etj. Pandemia nxori në pah shumë anë të errëta të BE, funksionimit të qeverive, respektimit të të drejtave të njeriut, etj.

DIELLI: Një pyetje për bashkatdhetarët tanë në Suedi: Cfarë informacioni keni- Si po e kalojnë Pandeminë, a ka viktima, të prekur…

Arben VATA: Shqiptarë të trojeve etnike në Suedi kapin nje shifër ndërmjet 70 000- 80 000. Sipas informacioneve që kam ka shumë të prekur, por jo numër të madh të vdekurish nga virusi Covid 19. Megjithatë, autoritetet i mbajnë sekret etnitë e të vdekurve si dhe të dhëna të tjera. Ajo që dihet me siguri është se ka pasur një numër të madh të vdekurish nga lagje ku jetojnë shumë të ardhur nga vendet e Afrikës, ku edhe për shkak të traditës dhe të pamundësisë, njerëzit jetojnë bashkë dhe në numër të madh në një sipërfaqe të caktuar banimi.

DIELLI: Le t’i largohemi Pandemisë: Për lexuesit e Diellit: Kush është Arben Shaqir Vata, familja e madhe nga vjen? Si po iu ecën emigrimi?

Arben VATA – Unë kam lindur në Kukës dhe jam fëmija i 5-të i familjes prej 6 fëmijësh të  Shaqir e Zime Vatës, të ciëlt jetojnë me vëllezërit në Nju Jork. Emigrimi nuk është diçka që njerëzit e zgjedhin, por një zgjidhje e detyrueshme në rrethana të caktuara që nuk varen prej teje. Besoj se jemi integruar mirë, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë që dalëngadalë po gjejnë veten e tyre në shoqëritë e huaja, por si qytetarë të botës. Siç thashë, merrem me mësimdhënie si dhe gazetari dhe shpresoj që të studioj më tej për t’iu përshtatur tregut dhe zhvillimeve të reja. 

DIELLI: Arben, si shkuat ju tek gazetaria? Cila ishte gazeta e parë ku filluat, në c’rrethana… 

Arben VATA – Familja dhe unë kemi pas menduar se pas përfundimit të shkollës së mesme, të studioja për mjekësi. Në fakt, në verën e 1987, mua m’u miratua e drejta e studimit për mjekësi, por për shkak se regjimi i atëhershëm pikërisht në verën e atij viti arrestoi xhaxhain tim Halit Osman Vata për aktivitet politik kundër komunizmit, mua ma ndërprenë të drejtën e shkollës së lartë. Për dy vjet më dërguan në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më pas deri në ardhjen e demokracisë kam punuar në minierën e kromit në Kalimash, Kukës. Vetëm në tetor 1991, u mundësua një shkollë e lartë për gjuhë dhe letërsi, pasi për mjekësi as nuk bëhej fjalë sepse në drejtim ishte akoma PS, ish pasuesja e PPSH. 

Gjuhë letërsia ishte dëgë e mire për mua, pasi siç thonin mësuesit në gjimnaz, unë bëja hartime të bukur.

Në vit të 3-të të shkollës së lartë, hyra në kontakt me gazetën Ora e Shqipërisë dhe pas një debutimi disa mujor aty, kam vazhduar punë rregullisht në gazetën Koha Jonë (mars 1995), gazeta më e madhe dhe me famë e kohës. Me stafin e gazetës Koha Jonë, më prezantoi kolegu Albert Nikolla, një student edhe ai që punonte në atë gazetë… Më pas kuptohet se nuk ishte e lehtë të hyje në pëlqimet e Nikollë Lesit e stafit të atërhshëm të Koha Jonë, por pas një periudhe prove 2 javë, mora karten e gazetarit të asaj gazete, një krenari në fakt e madhe për atë kohë. 

DIELLI: Keni punuar në disa media, a mund t’i rendisni?

Arben VATA – Më pas, kam punuar në disa media të shkruara dhe vizive. Kam punuar në gazetën “Republika” si redaktor i faqes politike (gjej rastin t’iu falenderoj zoti Dalip që në rolin e drejtorit të gazetës keni qenë një ndihmë e madhe për ne gazetarët e rinj), në Gazetën Shqiptare. Më pas që nga viti 2001-2014, kam punuar si zv kryeredaktor dhe kryeredaktor në disa televizione si TVA, Top Channel, Klan, Vizion Plus. Gjatë këtyre viteve, kam qenë bashkëpunëtor i rregullt në rolin e opinionistit në gazeta të tilla si Panorama, Shqip, Shekulli, Koha Jonë, etj. Në vitin 2013, kam botuar librin tim “Kohë mashtrimesh” një përmbledhje e publicitikës mes viteve 2004-2013. 

DIELLI: Kë do të veconit?

Ëshrë pyetje e vëshirë në fakt. Gazeta Koha Jonë ishte “dashuria” e parë por edhe ishte një shkollë e vërtetë profesionale për gazetarinë e re shqiptare. Ishim me të vërtetë idealist, ndërsa më vonë thuajse të gjithë ne të Koha Jonë e jo vetëm, u kthyem në materialist… Republika ishte një sfidë më vete pasi një organ mediatik partiak, funksiononte si media e pavarur (falë edhe ish kryetarit Sabri Godo) dhe arriti lexueshmëri shumë të lartë për kohën.

Ndërsa sa i takon mediave vizive, Top Channel, ishte eksperienca ime më e bukur për një periudhë gati 7 vjeçare. Dritan Hoxha krijoi çdo hapësirë e mundësi për gazetarët e drejtuesit e medias në atë kohë për ta bërë Topin me të vërtetë, më të shikuarin e të gjithë shqiptarëve. Nëse do të ketë edhe “dashuri të fundit”, Top Channel është. 

DIELLI: Si do ta përshkruanit sot gjendjen e medias në Shqipëri dhe Liria e shtypit?

Arben VATA – Prej më shumë se 5 vitesh nuk jam aktiv në shtypin shqiptar dhe nuk besoj se kam një mendim të qartë për situatën atje. Por me aq sa lexoj e shikoj, media është degraduar edhe më shumë. Unë nuk besoj se është më shumë për faj të gazetarëve sesa të pronarëve dhe presionit që ushtron mbi ta qeveria. Gazetarët janë kthyer në punëtorë me mëditje që synojnë të sigurojnë bukën e gojës, duke i shërbyer pronarit e qeverisë dhe jo publikut. Me këtë kam parasysh jo gazetarët e thjeshtë, por shefat e tyre, ata që vendosin për politikat eduitoriale e cdo gjë tjetër. Është një situatë e turpshme për median dhe nuk jam i qartë se për sa kohë do ta marrë veten, pasi media është pasqyrë e shoqërisë. 

DIELLI: Një mesazh për lexuesit e Dielli dhe miqtë tuaj këu në SHBA?

Arben VATA – Mesazhi im për lexuesit e nderuar të gazetës Dielli është që të jemi të qetë e të bashkuar me njëri tjetrin për të përballuar këtë pandemic globale. Është një gjendje e pa përjetuar më parë dhe si e tillë kërkon edhe angazhimin e të gjithëve. Të kalojmë sa më shumë kohë me familjen dhe me të dashurit tanë. 

Të duam e ta ndihmojmë edhe më shumë njëri tjetrin në këto ditë të vështira. Të mos kemi dallime mes shqiptarësh Veri-Jug, këtej e andej kufirit. 

Arben VATA: Faleminderit edhe një herë për intevistën dhe suksese edhe më tej Diellit!

  • DIELLI: Faleminderit prej jush i dashur Arben. Ishte kënaqësi që biseduam.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Vata

TEATRI U SHEMB-QYTETARËT: POSHTË DIKTATURA!

May 17, 2020 by dgreca

Teatri u prish në orët e hershme të mëngjesit. Media shkroi se ndodhi në orën 4 e 30. Kryeministri Rama nuk i dëgjoi zërat as të Aleancës për Teatrin, as të ndërkombëtarëve, të Presidentit Meta, Jo se Jo. Edhe pse Presidenti Ilir Meta, e  dërgoi  për herë të dytë në Gjykatë Kushtetuese këtë çështje, ai nuk priti. Meta i kërkoi Gjykatës të shfuqizojë si antikushtetues ligjin special “Fusha” dhe të ndalet rrëzimi i Teatrit Kombëtar, derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave nga qeveria.

Argumenti i Presidentit ishte: “Përmes këtij akti, shqiptarët sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memorja jonë e përbashkët kolektive, të humbasë. Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar”.

Pamje te marar me dron pga TV ORA.

Presidenti ashtu si opozita e akuzuan kryeministrin për lidhje me Mafien: “Mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për Mafien në pushtet. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”.

Presidenti I zbrazi të gjitha bateritë, por kryeministri nuk u tund. Ai e sfidoi presidentin dhe qytetarët që mbronin kauzën e Teatrit.

As ultimamtumi i Monikës dhe i Lulit, nuk e zmbrapsën Ramën. Pas manovrës ligjore të ndryshimit të pronësisë duek ia kaluar në vartësi të Bashkisë, me anë të policisë, ai  nisi shembjen e teatrit në orët e para të mëngjesit të së Dielës, 17 Maj. Mediat vendase dhe ato ndërkombëtare nisën trasmetimin e kronikave që nga mëngjesi dhe trasmetuan pamje me dron. 

Forcat e shumtat policore dhe mjetet e rënda të Institutit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur shembjen.

Policia është konfrontuar me artistët, që  që po mbronin Teatrin Kombëtar të cilët, së bashku me disa figura politike të opozitës janë shoqëruar në komisariat, ndërkohë që e gjithë zona pombrohet nga forcat e policisë. Githëandej u lëshuan thirrje:Poshtë Diktatura!

Mbrojtësit e Teatrit me Edmond Budinën në krye kanë bërë thirrje për mosbindje civile të qytetarëve. Edhe opozita! Por Rama nga ana e tij ka postuar një video në rrjetin social Facebook ku ka shkruar se personat qe kundërshtojnë ndërtimin e teatrit, janë po ata, të njëjtët që kanë kundërshtuar çdo projekt rindërtimi në Tiranë.

Policia ka arrestuar fillimisht rreth 37 veta mes tyre edhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, gazetarin Alfred Lela e të tjerë.

Pas lirimit nga policia Monika Kryemadhi ka folur me tone të ashpra: “Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”.

Kreu i opozitës Lulzim Basha,ka reaguar ashpër. Ai tha se ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër!

Turma vazhdon të qëndrojë në shesh dhe të protestojë dhe të mbajë fjalime kundër qeverisë që ka instaluar dikturën, sipas tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Shembet Teatri

77 vjet Zëri i Amerikës në shqip

May 16, 2020 by dgreca

Me 13 maj të vitit 1943 Zëri i Amerikës foli për herë të parë shqip./

Nga Marjana Bulku/

Kjo ngjarje do të mbante në vetvete zërin e një vendi shumëkombësh ku jetonin edhe mjaft shqiptarë të cilëve për shumë vite do t’ju mohohej Atdheu, prandaj shqiptarët këtej dhe përtej oqeanit e dëshironin atë zë qysh në vigjilje.

Zëri i Amerikës vinte nga një vend ku liria ishte fondamentale dhe një e drejtë nga ku buronin dhjetra liri. Dhe si e tillë ky komunikim përmes valëve të radios dhe më vonë edhe televizionit pati dhe ka aq shumë admirues. Gazetarët e Zërit të Amerikës mbeten po aq aktiv, të vërtetë, vëzhgues dhe analistë të saktë të realitetit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, është më tepër se kaq.

Kronikat e tyre bazohen në arkiva të pasura, kërkime e burime të cilat e bëjnë të besueshëm informacionin dhe kështu ndër vite reputacioni i këtij institucioni rritet e rritet. Me rënien e Murit të Berlinit dhe efektet e tij në Ballkan dhe Shqipëri ky transmetim nisi të ndiqej në liri. Zëri i Elez Biberajt vazhdon të jetë binom i këtij kanali komunikimi dhe simbol lirie.

Ilir Konomi mbetet një prej kronikanëve më të arritur gjë të cilën e shohim edhe në veprat dhe studimet e tij me karakter historik.

Por unë dua të kujtoj tri ish-gazetarë të Zërit të Amerikës të cilët janë aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork.

Frank Shkreli, analist, studiues, historian i cili vjen nga ky institucion gjigand 77-vjeçar dhe e dëshmon atë vërtetësi, saktësi dhe forcë reflektimi në të gjitha shkrimet e tij sistematike në shtypin e Tiranës por për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen si dhe politikanët e tyre.

Gjek Gjonlekaj, gjithashtu ish-gazetar i Zërit të Amerikës, tek i cili ka mbetur po aq i gjallë komunikimi në publik me një oratori dhe elokuencë për tu pasur zili dhe kujtesën e freskët. Në përvojën e tij si ish-gazetar i VOA-s regjistrimet e zërit të Nënë Terezës janë pasuria dhe trashëgimia e tij më e madhe.

Idriz Lamaj, një studiues i hollë i historisë autor veprash dhe dokumentues rigoroz i fakteve të cilat janë matematika e historisë, pikërisht kështu mendoj sa herë që kam pasur rastin të ndjek referencat e tij.

Nuk guxoj të marr në analizë çdo gazetar të VOA-s, janë shumë dhe tek të gjithë ka një cilësi të përbashkët; Vërtetësia. Kjo shkollë e së vërtetës është edhe institucioni i fjalës së lirë që u bë edhe mbrojtëse lirish, të drejtash, problematikash duke ndikuar në vendet respektive këndej dhe andej Oqeanit, duke u shndërruar në faktor në ngjarjet më të rëndësishme, në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni, duke i faktorizuar shqiptarët në Ballkan, duke kritikuar, a vënë në pah problematikat e shumta të politikës dhe duke nxitur reflektimin qytetar sakaq.

Ky 77-vjetor i VOA-s është një moment jo vetëm kujtese historike por edhe thirrje për shumë zëra dhe arsyeje në gazetari, politikë, e histori në mënyrë që shoqëria të progresojë duke u udhëhequr nga arsyeja dhe e vërteta.

Shoqëritë njerëzore sot më shumë se kurrë kanë nevojë për lajmin që lind nga ngjarja, për të vërtetën që lind nga ndershmëria dhe për historinë që jetëzohet nga faktet. Dhe për këto na duhet një model, një shkollë e mendimit, analizës dhe reflektimit që për fat, botës shqiptare nuk i mungon ka 77 vjet.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

May 16, 2020 by dgreca

Doktor Refet Nura, specialist i mjeksisë së përgjithshme në qendrën shëndetësore Vårdcentralen Kristinehman dhe specialist i sëmundjeve të brendshme/internist në spitalin Lasaretet i Karlskogam Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, Suedinë në betejën me Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja./

SITUATA ME COVID-19 NË SUEDI 

Suedia që nga fillimi i pandemisë së Corona virusit është përcaktuar për një mënyrë më të moderuar, më liberale për tu përballur me këtë të keqe. Suedia ka ndërmarrë masa  dhe aktivitete të cilat në masë të madhe ndryshojnë nga shtetet tjera dhe pak a shum është unike. Suedia ishte e veçantë për dhënien e këshillave dhe rekomandimeve dhe informimit të popullsisë në mënyrë profesionale nga ekspertet dhe epidemiologet që në fakt u prijnë edhe të tjerëve ekspert nga fushat e kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar, infektolog, imunolog, anestesiolog etj por assesi për masa ndëshkuese, penalizuese, dënuese etj. Ndërkohë që shumica e shteteve tjera u përcaktuan për marrjen e masave nga qendra duke shkuar nga jashtë, Suedia veproi nga e kundërta. I shtrëngoi dhe ndërmori masa nga jashtë për në brendësi dhe varësisht nga intensiteti i të infektuarve dhe rritjes së numrit të të prekurve nga virusi i balancoi masat konform kapacitetit që kishte në mënyrë që të mos kishte një eksplodim i të të infektuarve dhe të të sëmurëve dhe që të mos kishte mundësi të përballej në mënyrën konform standardeve që mbretërojnë në shtetin suedez. Balancimi u arrit shumë shpejt dhe edhe përkundër përgatitjeve që bëri për hapjen edhe të spitaleve “fushore”, të improvizuara thuaja se edhe nuk kishte nëvojë të domosdoshme për hapjen e tyre.

SHËNDETËSIA, ARSIMI, EKONOMIA, POLITIKA SUEDEZE 

Ekspertet shëndetësorë që ishin në vijën e parë dhe që kishin mbrapa tyre edhe politikanet e tyre, u përqendruan kryesisht në disa shtylla që në fakt janë edhe jetike për funksionimin e shtetit në tërësi. Së pari u fokusuan në shëndetësi, në parandalimin e përhapjen e infeksionit tek kategoritë e rrezikuara, tek të moshuarit dhe tek ata që kanë disa sëmundje përcjellëse, në radhë të parë te të sëmuret me Diabet, Hypertension, Obezitet, sëmundje kancerogjene apo sëmundje me imunitet të dobët. Në këtë pike, mbase duket se nuk ka arritur që të parandalojë përhapjen e virusit sepse me mjaft shpëjtësi u përhap në institucionet që përkujdesen për të moshuarit. Kjo ishte me pasoja për shumë të moshuar që fatkeqësisht përfunduan edhe me vdekje. Fokusimi tjetër ishte ruajtja dhe balancimi i ekonomisë. Një ekonomi e dobësuar do të ishte me pasoja jo vetëm tani por edhe në të ardhmen. Prandaj ekonomia, bizneset e ndryshme reduktuan punën në disa sektore dhe prodhimtaria ka vazhduar edhe pse në shumë raste me ritëm më të ngadalësuar. Pastaj fokusimi tjetër ishte edhe në politikë. Si një demokraci mjaft e konsoliduar në shtetin suedez është po aq e rëndësishme edhe ruajtja edhe kultivimi i mirëbesimit në relacionin shtet – qeveri – popull. Si gjithmonë marrja e vendimeve të përkushtuara për të mirën e popullit dhe jo për shfrytëzimin e situatës dhe forcimit të pushtetit për shkak të gjëndjes, që për hir të vërtetes, për shkak të menaxhimit të mirë të situatës, partitë në pushtet kanë rritë besueshmërinë më shumë se 10 %, gjithnjë sipas sondazheve. Transparencë dhe llogaridhënie, është motoja e tyre. Mos aplikimi dhe imponimi i masave të rrepta dhe mos cënimi i të drejtave qytetare janë jetike për sistemin politik në Suedi. Fokusimi në arsim është edhe një strategji që shteti me shumë sukses arriti që të mos e defunksionalizojë duke mos i mbyllur shkollat e nivelit të ulët dhe çerdhet dërisa ato në nivel të gjimnazit dhe në universitete i mbylli duke mundësuar aplikimin e mësimit Online.

MASAT E MARRA NGA SHTETI SUEDEZ

Masat e marra nga shteti suedez të cilat populli i respekton me fanatizëm por edhe me solidaritet janë: higjena personale por edhe kolektive, mbajtja e distancës fizike/sociale, shmangja e grumbullimit në vend dhe hapsira të caktuara të më shumë se 50 personave, ndalimi i vizitave të të sëmurëve në spitale nga të afërmit e tyre, ndalimi po ashtu i vizitës së të afërmve në shtëpitë e të moshuarve. Përdorimi i barrierave, mjetëve mbrojtëse gjatë punës me të moshuarit. Rekomandimet që të moshuarit të ju shmangën lëvizjeve të panevojshme në qytet qoftë edhe për të blerë ushqime por që me mekanizma të organizuar qoftë edhe nga vullnetarët të ju ndihmohet për të blerë dhe pajisur me gjërat që atyre ju nevojiten. Pra masat pak a shumë janë si më lart por ka edhe specifikime të tjera. Informacione para dyqaneve, restoranteve,  transportit publik, ambienteve publike se si njerëzit të sillen konformë gjëndjes që mbretëron duke ju kërkuar edhe ndjesë për situateën e krijuar. Në rrugë apo ambiente publike shum rrallë mund të shohësh dikë që ka mask apo dorashka.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Situata e shqiptarëve me aq sa kam informata nuk ndryshon nga grupet tjera në përgjithësi, përjashtuar këtu pjestarë të disa migrantëve nga shtetet e Afrikës të cilët në përgjithësi janë më të goditurit. Bashkëkombësit tanë janë më të përqendruar në qytete të mëdhaja si Göteborg, Malmö dhe Stockholm dhe numri i të infektuarve është më i madh në këto qytete edhe për shkak të dendësisë së popullsisë. Gjithsesi mendoj se Suedia e ka menaxhuar situatën mjaft mirë. Kishte periudha të ndryshme kohore gjatë pandemisë kur Epidemiologu shtetëror mbi të cilin peshon thuaja barra kryesore e përgjegjësisë, ju nënshtrua një presioni të lartë si brenda shtetit po ashtu edhe nga jashtë sepse Suedia po e bënte një menaxhim të situatës krejt ndryshe nga shtetet tjera. Ky presion megjithatë është përballuar dhe tejkaluar dhe tani në këtë drejtim situata është më e qetë sepse në vazhdimësi vijnë vlerësime pozitive nga institucione të shumta relevante nga shtete të ndryshme që gjithnjë e më shumë po e pëlqejnë “modelin” suedez, model ky që ka për qëllim të ashtuquajturin “imunizimi i tufës”.  Në fakt ky epidemiolog e kishte udhëheq luftën kundër SARS/ EBOLA virusit në Afrikë për shumë vite më parë.

SITUATA AKTUALE, KURBA E VIRUSIT

Tani që po shkruajmë numri i të verifikuarve që janë prekur nga Corona virusi është 27272 , i atyre që po trajtohen në spitale është 1765 ndërsa i të vdekurve është 3313. Po them i të verifikuarve sepse ka shumë më shumë të prekur nga viroza por që nuk ju bëhen testimi. Testohen për momentin ata të cilët janë të ndikuar nga viroza dhe do të trajtohen/mjekohen në spital dhe kryesisht, në kohën e fundit edhe i personelit që punon me të moshuarit.  Ndërkaq numri i të vdekurve është 3313 dhe nga ky numër rreth 90% janë mbi moshën 70 vjeçarë ndërsa 70% mbi moshën 80 vjeçare. Në ndërkohë që edhe shumica kanë ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese apo edhe një numër mjaft i konsideruar i të vdekurve kanë qenë në fazën terminale të jetës së tyre. Nuk ka të vdekur nën moshën 20 vjeçare dhe mes moshës 20-29 vjeç kanë vdekur 7 pacientë. Pandemia sipas raporteve të fundit ka një trend të rënjës edhe të të infektuarve por edhe të të vdekurve.  Mobilizimi ekziston që edhe po që se pandemia zgjat shteti është i përgatitur sepse edhe siç po shprehen ekspertët pakëz me shaka po thon se jemi të përgatitur për maraton dhe jo vetëm për një ”sprint”. Kur arrijmë në përfundim të kemi edhe energji për të vazhduar më tutje. Për rihapjen Suedisë nuk i duhet shumë sepse edhe nuk është që ka mbyll shumë aktivitete. Akoma janë të rezervuar për këtë. Bashkëkombësve  tanë në USA dhe lexuesve të gazetës Dielli u rekomandoj: veproni me kokë të ftohtë, zemër të nxehtë dhe duar të pastra/ dezinfektuara gjithnjë me shumë kujdes dhe me solidaritet për njëri-tjetrin. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Refet Nura, Sokol Paja, Suedi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT