• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEW YORKU LA PAS SPANJËN DHE ITALINË PËR NUMRIN E TË INFEKTUARËVE, REKORD I RI PËR VIKTIMAT

April 9, 2020 by dgreca

  • E Enjtja sërish shënoi rekord për numrin e të vdekurëve me 799, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 7 mijë 67.
  • Numri më i madh i personave të infektuar në NYC, rreth 32 mijë e 565, ose 39 përqind, i përkasin moshës nga 18 në 44 vjeç.

          Media njujorkeze e ka cilësuar shtetin e New Yorkut si kryeqytetin e botës për koronavirusin, duke regjistruar më shumë raste COVID-19 se çdo vend tjetër në të gjithë globin, jashtë SH.B.A.

Që nga e enjtja, Empire State kishte regjistruar gjithsej 161 mijë e 504 raste të konfirmuara të koronavirusit ,ç’ka përbën një kërcim prej më shumë se 10,000 raste të reja nga dita e mëparshme, e Mërkura e 8 prillit.

E enjtja sërish e la pas rekordin e së mërkurës për numrin e viktimave, duke vendos rekord të ri me vdekje ditore 799 vdekje brenda natës. Shteti tani ka tejkaluar rastet e koronavirusit në çdo vend tjetër në botë, krahasuar dhe me shtete të mëdha të Europës.

Për numrin e të infektuarëve shteti i New Yorkut ndiqet nga Spanja dhe Italia, të cilat kanë 153,446 dhe 143,626 raste të COVID-19, përkatësisht, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins.

Gjermania ka 116.801 raste, e ndjekur nga Franca me 83.080, Kina me 82.883 dhe Irani me 66,220 raste, tregojnë të dhënat.

…. Tani Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar gjithsej 65.077 raste të koronavirusit, ndërsa Turqia ka regjistruar 38.226 raste, sipas të dhënave, rreth 2o mijë më pak se New Jersey .

Në përgjithësi, SH.B.A. ka konfirmuar gjithsej 468 mijë 566 raste COVID-19 me 16.691 vdekje të shkaktuara nga sëmundja, deri të enjtjen.

Vetëm në New York City, statistikat zyrtare të lëshuara nga zyrat e shtetit, tregojnë se deri të enjten në mëngjes, 4,426 njerëz kanë vdekur nga koronavirus, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është rritur duke kapur shifrën 84,373.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio tha se “Ne duhet të luftojmë kundër këtij virusi dhe e kemi fuqinë ta bëjmë atë në shumë mënyra. Po të jemi të dispiplinuar do ta fitojmë betejën”

Në fillim të kësaj jave, numri i vdekjeve nga koronavirusët dhe infeksionet në New York eklipsoi rastet në Kinë, Iran dhe Gjermani.Vendi me më shumë fatalitet në botë deri më tani nga koronavirusi është Italia me 18.279 vdekje, e ndjekur nga SHBA dhe pastaj nga Spanja me 15.447, sipas të dhënave.

***

NYC ka peshën më të madhe të viktimave në rang shteti. Më shumë se 4,400 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në New York City, sipas statistikave të reja të lëshuara të enjten në mëngjes.Numri i vdekjeve të Big Apple nga COVID-19 regjistroi shifrën 4,426 në 9:30 në mëngjes, nga 3.602 që ishte të Mërkurën në mëngjes, shifra këto që u deklaruan nga Departamenti i Shëndetit në qytet.

Kishte gjithashtu 84.373 raste të konfirmuara të sëmundjes, krahasuar me 77.967 një ditë më parë. 

Statistika e paraqitura tregojnë se numri më i madh i personave të infektuar , rreth 32 mijë e 565, ose 39 përqind i përkasin moshës nga 18 në 44 vjeç.

Queensi mbeti bashkia më e goditur nga pesë bashkitë,- me më shumë se 27 mijë raste, shifër që përbën 32 përqind të totalit të NYC. Nga personat e testuar në New York, rreth 40% kanë rezultuar pozitive. Shtetet kufizuse gjithashtu kanë statistika të zymta: Tridhjetë përqind e atyre që u testuan në Connecticut, dhe 47% e atyre që testuan në New Jersey, ishin pozitivë. 

Shteti i New Jersey-t pat një rritje të numrit të infektuarëve më shumë se 3 mijë e 590, krahasuar me të mërkurën, duke e çuar numrin e të infektuarëve në 51 mijë e 27, ndërsa numri i viktimave të enjten ishte 196 (nga 272 që ishte të mërkurën, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 1 mijë e 700. Shteti i Michiganit raportoi 114 viktima, nga 117 që kishte një ditë më parë, ndërsa numri i përgjithshëm shkoi në 1 mijë e 76, të infektuarit e rinj kapën shifrën ditore 1 mijë e 158. Massachusetts raportoi më shumë se 2 mijë të infektuar të rinj, ndërkohë që regjistroi 70 të vdekur, nga 77 që regjistroi të Mërkurën, Washingtoni nuk raportoi të vdekur gjatë ditës së Enjte, California raportoi 40, Louisiana 50, Pennsylvania 24, Florida 66, ILLYNOIS 82, Georgia 9, Connecticut 45, Indiana 42 dhe Virginia 34.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19

INTERVISTA E KRYETARIT TE VATRES NE TV 21

April 9, 2020 by dgreca

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste ne RTV 21

Kosova 12 vjet me Kushtetutë, e njohur ndërkombëtarisht

April 9, 2020 by dgreca

-Kosova sot shënon Ditën e Kushtetutës, në 21 vjet liri e 12 pavarësi/

-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Përfaqësues institucionalë e politikë urojnë Ditën e Kushtetutës së Kosovës shtet/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari…

PRISHTINË, 9 Prill 2020/ Kosova në 21 vjet liri e 12 pavarësi Shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik. “Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë atëherë, në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene. “Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

PRESIDENTI THAÇI: URIMET MË TË MIRA NË DITËN E KUSHTETUTËS!

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Ditën e Kushtetutës me këtë mesazh:

 Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës.
Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.
Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës!

KRYEMINISTRI NË DETYRË, KURTI: KUSHTETUTSHMËRIA ËSHTË VLERË QË DUHET RESPEKTUAR PËRDITË

 Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Ditën e Kushtetutës ka shkruar:Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit.

KRYEPARLAMENARJA OSMANI: KUSHTETUTA E KOSOVËS, RRUMBULLAKËSIM I PËRPJEKJEVE PËR SHTETIN

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Kryetarja Osmani ia ka prezantuar ambasadorit Orlando kopjen origjinale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e ka njoftuar atë me procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, duke falënderuar për kontributin anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.(Lexoje te plote ne dielli online www.gazetadielli.com)

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është jo vetëm akti më i lartë juridik i shtetit. Ajo njëkohësisht ngërthen përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit”, është shprehur Osmani.

Ndërsa ambasadori Orlando ka përgëzuar kryetaren Osmani për Ditën e Kushtetutës.

Me ambasadorin Orlando, zonja Osmani diskutoi edhe për masat që po ndërmerren nga institucionet kosovare në përballje me pandeminë globale Covid-19 si dhe përgjegjësitë e Kuvendi të Kosovës për menaxhimin e kësaj situatë, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

LDK: KRYETARI MUSTAFA URON DITËN E KUSHTETUTËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

  Me rastin e 12 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë telegram urimi:

 “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 Sot, bëhen 12 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë shënon një ndër momentet më të rëndësishme të shtetit dekomratik të Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, ku përcaktohen dhe mbrohen vlerat themelore të vendit.

 Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është çelësi themelor dhe garancë mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve vitale. 

Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më sublim, i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan dhe u flijuan.

Shteti i së drejtës duhet të jetë mision për të gjithë ne, dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokatik dhe të përparuar. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë konfrom neneve të kësaj kushtetute në mënyrë që ta kemi një shtet modern, model të cilin e kemi synuar.

Urime Dita e Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

PDK-VESELI: 12 VITE MË PARË, NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR KOSOVËN

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.

Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

AAK-HARADINAJ: DOKUMENTI MË KULMOR I LIRISË, SHTETËSISË…

 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan:

Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik Kushtetutën e saj. Duke uruar të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, kujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës ndër dekada për të pasur dokumentin më kulmor të lirisë, shtetësisë, demokracisë dhe integritetit territorial. Ky bazament ligjor ka garantuar lirinë tonë dhe funksionimin e demokracisë, andaj mbështetja në normat e saj është siguria më e madhe për të gjithë ne.

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kushtetuta

NEW YORK-u,FLAMUJT NË GJYSËM SHTIZË NË NDERIM TË 779 VIKTIMAVE TË SË MËRKURËS

April 9, 2020 by dgreca

Kurba e goditjes të COVID-19 në shtetin e New York-ut duket se po bie, por 779 persona vdiqën brenda një dite. Guvernatori Cuomo e përcolli me dhimbje shifrën rekord gjatë komunikimit të së Mërkurës, 8 Prill.

Edhe pse Shteti i New York-ut në 48 orët e fundit ka shënuar një numër rekord vdekjesh, Guvernatori Cuomo, pas shifrave, tha se sheh përparim dhe u tregua optimist për daljen së shpejti nga errësira në dritë. Ai përsëriti atë çfarë tha të Martën, se New Yorku, qendra e Pandemisë për SHBA, po sheh përparim në luftën kundër koronavirusit pasi kurba e shtrimeve në spital po shkon drejt nivelimit. 

Guvernatori balancoi lajmin e mirë të uljes së numrit të shtrimeve me të Mërkurën e keqe, ditë ku u shënuan 48 vdekje më shumë se të Martën, që gjithësesi deri dje ishte shifër rekord.Guvernatori këmbënguli sërish tek shtërngimi i masave parandaluse, duke i dhënë përparsi, qëndrimit në shtëpi dhe distanicimit social.Vetëm kështu tha ai do ta ndalojmë përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse të COVID-19.

“Nuk është koha për t’u ankuar,” theksoi Cuomo, duke përmendur një ulje tre-ditore të shtrimeve të reja në spitalet në mbarë shtetin e New York-ut. 

Ne duhet të mbetemi të disiplinuar, vetëm kështu do të ecim përpara, përsëriti Cuomo.

Por, ai paralajmëroi, se ende nuk kemi dalë nga nga erërsira. Beteja vazhdon.

Guvernatori theksoi se megjithë numrin e madh të viktimave, ka shenja se shteti po lëviz në drejtimin e duhur. Gjithësesi 779 pacientë vdiqën brenda natës. Ishte dita e dytë me radhë kur shteti përjetoi më shumë se 700 vdekje nga Koronavirusi(731 vdekje u regjistruan të Martën dhe 779 të Mërkurën).

Rekordi i së Mërkurës e çon numrin e përgjithshëm të personave të vdekur nga virusi në shtetin e New York-ut në në 6.268, përafërsisht, diçka më pak se sa trefishi i Gjermanisë, që nga vdekja e parë e raportuar në 14 Mars.

Çdo numër është një fytyrë, tha Cuomo, pa e fshehur dhimbjen për qytetarët e humbur të shtetit që ai drejton.Guvernatori, e ka quajtur virusin një “grabitqar” që kërkonte të rrëmbente të infektuarit. Duke bërë një paralele me targjedinë e 11 shtatorit, ai urdhëroi që të gjithë flamujt në shtet të uleshin në gjysmë shtizë në nderim të viktimave.

Në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 ne humbëm 2,753 jetë njerëzore, ndërsa nga kjo krizë, ne kemi humbur deri tani 6.268 njujorkezë!Më shumë se 149,316 njujorkezë janë testuar pozitive për koronavirusin në të gjithë vendin, sipas Departamentit të Shëndetësisë, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së Mërkurë u raportuan 6 mijë e 932 të infektuar të rinj pas testimeve të kryera.

Guvernatori kërkoi respektim të udhëzimeve parandaluse, qëndrimin në shtëpi, distancimin social.Ai imponoi rregulla të rrepta për qytetarët. Nëse ndalojmë atë që po bëjmë ju do të shihni se çfarë ndryshimi do të pësojë kurba e goditjes së COVID-19, paralajmëroi ai.

Spitalet e mbingarkuara të Nju Jork-ut patën një mesatare afërsisht prej 533 pacientë të rinj COVID-19, në ditë ,nga e shtuna deri të martën,ç’ka ishte një  rënie e ndjeshme nga pika e nxehtë e një jave më parë, ku mesatarisht shifra e shtrimeve ishte 1,294 në ditë.

Cuomo, ndërkohë, tha që shteti po merr disa masa të tjera për të trajtuar krizën dhe për t’i mbajtur banorët të sigurt.Shteti do të zgjasë pagesën e papunësisë në 39 javë për Njujorkezët e prekur nga epidemia dhe do të bëjë një pagesë shtesë $ 600 për të gjithë ata që kanë bërë kërkesë për papunësi, të cilat do të rimbursohen nga qeveria federale.

Cuomo tha se shteti do të bëjë më shumë testime në bashkësitë e pakicave dhe hulumtimi do të bëhet për të kuptuar pse infeksioni dhe shkalla e vdekjes janë më të larta në mesin e popullatës së zezë dhe asaj latine.

Cuomo gjithashtu ofroi një shpresë gjatë ditës së mërkurën, duke thënë se shpërthimi i koronavirusit mund të “stabilizohej” brenda disa javësh nëse njujorkezët vazhdojnë të respektojnë rregullat e forta shtetërore të distancimit shoqëror.

Nëse shteti do të vazhdojë kursin e tij aktual, shtoi ai, ka arsye për të besuar se sistemi shëndetësor “duhet të stabilizohet gjatë këtyre dy javëve të ardhshme.”

***

New Jersey, shteti i dytë më i goditur pas New York-ut shënoi 272 vdekje gjatë ditës së mërkurë duke e çuar shifrën e viktimave në total në 1 mijë e 504, ndërkohë që regjsitroi edhe 3 mijë e 21 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm i të infektuarëve 47 mijë e 437. Michigani ishte i treti për numrin e  viktimave me me 114 të vdekur, me 1 mijë e 376 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm 20 mijë e 347). California raportoi 51 të vdekur të rinj, Louisiana 70, Illynoisi 82, Pennsylvania 60 etj…

BOTA NË 24 ORË

Bota në 24 orë në betejën me COVID-19 raportoi se kishte pësuar 6 mijë e 287 vdekje të reja gjatë ditës së mërkurë, duke e çuar shifrën totale të vdekjeve në 88 mijë e 502, ndërkohë që u regjistruan 77 mijë e 984 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 1 milion, 518 mijë e 719. 

Prijnë Shtete e Bashkuara të Amerikës me 435 mijë e 128 të infektuar(+ 26 mijë e 744 për 24 orë), me 1 mijë e 828 të vdekur(në tërësi 14 mijë e 795) dhe më shumë se 9 mijë në gjendje kritike.

Britania e Madhe  për numrin e viktimave u rendit e dyta, pas SHBA-së, me 938 të vdekur, pas saj Spanja me 747 vdekje, Italia me 542 viktima, Franca me 541 të vdekur etj.

Filed Under: Featured Tagged With: New York

TË QOFTË I LEHTË DHE’U I AMERIKËS, FISNIK I DIBRËS, JONUZ NDREU!

April 7, 2020 by dgreca

TË QOFTË I LEHTË DHE’U U AMERIKËS, FISNIK I DIBRËS, JONUZ NDREU!/

Të Martën, 7 Prill 2020, në orën 10 të paraditës, në Laurel Grove, në Totowa, New Jersey, iu dha lamtumira e fundit, fisnikut të Dibrës, Jonuz Ndreut, nipit të Heroit të Kombit Elez Isufi, i biri i Cen Elezit, antikomunisti, demokrati, ushtari i dekoruar i Ushtrisë Amerikane. Diktuar nga kushtet e pandemisë nuk iu bënë dot nderet ashtu siç i meritonte,ai u përcoll nga një numër i kufizuar familjarësh. Komuniteti do të donte që të ishte i gjithi atje, Vatranët do të ishin të parët për të përcjellë ikonën e vet, por nuk mundën. Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, ka përcjellë ngushëllimet në emër të gjithë vatranëve dhe ka planifikuar pas kthimit në situatë normale, një nderim të veçantë, ashtu siç e meriton vatranin-ikonë, ish anëtari i Këshillit të Vatrës prej më shumë se 3 dekadash.

Jonuz Ndreu u lind me 10 Mars 1930 në Sllovë të Peshkopisë dhe ndërroi jetë në shtëpinë e tij me 3 Prill 2020. I qoftë i lehtë dhe’u i Tokës së lIrë!(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Jonuz Ndreu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT