• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. DETINA ZALLI MD: VAKSINA KUNDËR COVID-19 ËSHTË NË FAZËN EKSPERIMENTALE

March 28, 2020 by dgreca

  • FLET PËR DIELLIN SHKENCËTARJA SHQIPTARE QË ËSHTË E PËRFSHIRË NË EKSPERIMENTIMIN E VAKSINËS KUNDËR CORONAVIRUSIT, DR. DETINA ZALLI MD, LIGJËRUSE NË UNIVERSITETIN E OXFORDIT-/
  • Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit./
  • Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen /dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj.

NGA DALIP GRECA

Para 7 vitesh gazeta Dielli i uronte mirëseardhjen në Harvard Detina Zallit, përmes një interviste, ku u shpalos historia e veçantë e dy motrave binjake 11 vjeçare, Detinës dhe Argitës, të cilave bashkë me prindërit, kundrejt pagesës me para të marra borxh, u qe premtuar udhëtimi drejtë ëndrrës britanike me avion, por përfunuan në maune, dhe fati i ndihmoi për të mbërritur në qytetin-port Folkestone në Jug të Anglisë. Ishte viti 1999. Dielli tregonte kapërcimin e vështirësive të familjes dhe të dy motrave të cilat duke triumfuar edhe mbi racizimin ndaj emigrantëve arritën që të shkëlqenin në shkollat britanike dhe po çanin shtigjeve të shkencës. Detina kaloi 4 vjet e gjysëm në Harvard. Po ç’ndodhi gajtë atyre katër viteve e gjysëm e më pas në jetën e Detinës? Si është e përfshirë ajo sot në grupin shkencor për vaksinën kundër COVID-19, ç’mendon për Koronovirusin, për kalimin e vaksinës nga eksperimenti në prodhim e përdorim? Lexojeni të plotë intervistën e dhënë enkas, shoqëruar me nëj mesazh shumë të ngrohtë.

DIELLI: Përshëndetje Dr. Zalli. Ra ky Coronavirus dhe u pamë sërish virtualisht 7 vjet pas intervistës së parë me gazetën DIELLI, Çfarë mund të thotë rreth panepidemisë të COVID- 19 shkenctarja Detina Zalli në këtë situatë ankthi ku njerëzimi pret me padurim lajmin e vaksinës shpëtuse prej Coronavirusit? 

Dr. Detina ZALLI-COVID-19 është pjesë e një virusi të cilët bëjnë pjesë në familjen korona. Këto viruse janë të mbështjellura me proteina të jashtme të ngjashme me kurorën prandaj quhet dhe koronaviurs. Janë pikërisht këto korona që e mbrojnë virusin në një farë mënyre  dhe bëjnë që virusi të qëndrojë i paprekur në pikat mukozale në ajër dhe në sipërfaqe për disa ditë. Kjo është edhe arsyeja pse janë të rrezikshëm.

Si përmenda ka shumë viruse të tilla, por që ndryshojnë dukshëm në virulencë dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme, gripin, poliomielitin, fruthin, hepatitin C / E, virusin Ebola. 

DIELLI:- Njerzimi po pret me ankth vaksinën.Kur mendoni se do ta kemi vaksinën e parë?

Dr. Detina ZALLI- Në fakt, Vaksina e parë ka filluar fazën e provave klinike nga kompania Moderna në Boston, por duhet kohë për të kaluar nga faza eksperimentale në fazën e prodhimit për përdorim tek njerëzit. Gjithëmonë duhet marrë në konsideratë kushti nëse del me sukses faza eksperimentale. 

Dielli: Duke qenë pjesë e eksperimtetit, nuk mund të parashikoni një afat kohor?

Dr. Detina ZALLI- Natyrisht një parashikim edhe mund të bëhet. Mendohet rreth 14-18 muaj.Jo sepse nuk duam ta përshpejtojmë procesin, por sepse eksperienca tregon se nëqoftëse vaksina nuk është e verifikuar mirë, mund të bëjë më shumë dëme sesa efekte kuruse. Duhet verifikuar se këta pacientë që po marrin doza të ndryshme vaksinimi të pergjigjen e të reagojnë mirë kundrejt vaksinës. Të krijojnë antitrupa kundër proteinës spike që ndodhet në virus dhe që infekton qelizat. 

DIELLI: Konkretisht si do të do kryhet faza eksperimentale, në sa pacientë do të eksperimentohet, çfarë do të vëzhgohet?

Dr. Detina ZALLI- Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj….Vaksina duhet të jetë e vleshme për të gjithë moshat, fëmijët, të moshuarit, personat që mund të vuajnë nga sëmundje të tjera për shembull, diabeti etj. Nuk është e lehtë ti shpejtosh të gjitha fazat. Por çdokush po bënë të pamundurën. Të gjithë duam të njëjtën gjë.

Në qoftë se nxitojmë vaksina mund të mos jetë efikase për asnjë grup moshash. Dhe mund të infektojë dhe vrasi njerëz. Asnjë nuk do ketë. Theksoj të gjithë duam të njëjtën gjë dhe shkencëntarët po luftojnë duke bashkëpunuar me njeri tjetrin kundra virusit.

DIELLI: COVID-19 – PSE KAQ I RREZIKSHEM NE KRAHASIM ME VIRUSET E TJERE

Dr. Detina ZALLI- Mendoj edhe për këto arsye: 1- Simptomat shfaqen më vonë sesa SARS- që do të thotë që njerëzit shpesh ua kalojnë të tjerëve edhe para se ta dinë se e kanë.

2- Aktivizohet shumë lehtë nga enizma FURIN që gjendet në shumë indet tona.

DIELLI: Kemi dëgjuar se në pritje të vaksinës po rekomandohen disa ilaçe kundër koronavirusit. Çfarë mendojnë shkencëtarët?

Dr. Detina ZALLI- Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit.

DIELLI- Mendoni se njerzimi u ndodh i papërgatitur përballë kësaj beteje me armikun e padukshëm dhe të panjohur apo e nënvleftësoi? 

Dr. Detina ZALLI- Mendoj se shkencën dhe mjekësinë e ka gjetur të papërgatitur. Zakonisht si shkencëtarë nuk i nënvloerësojmë viruset, aq më tepër ata të panjohurat, për të cilët nuk ka ende një kurë. Megjithatë dua të theksoj që jemi të gjithë të mbledhur së bashku duke kooperuar me njeri tjetrin dhe duke ndarë të gjitha informacionet në mënyrë që të gjejmë një kurë, një vaksinë. Shkenca po përparon. Si kam përmendur në intervista të tjera ka me shumë se 45 vaksina me të cilët po punohet. Vaksina e parë që po provohet në Phase I clinical trial është në Seattle, ku janë injektuar 4 indivdët e parë gjatë javës së kauar. Ka shpresë. Jam e sigurt që do e fitojmë edhe ketë betejë, por që duhet kohë. Edhe shkenctarët edhe mjekët kanë nevojë për kohë.

DIELLI-  Si ka vepruar Dr. Detina Zalli nga momenti i shfaqjes së Panepidemisë deri në këto momente? – Shihni dritë në fund të tunelit? – Sa e gjatë mund të jetë beteja? – A ka raste të rikthimit të virusit pas shërimit tek pacientet? – Mendoni se kjo Panepidemi do të ndryshojë mënyrën e jetesës së qytetarëve? 

Dr. Detina ZALLI- Unë jam duke punuar me një grup të mrekullueshëm shkencëtarësh në Universitetet dhe laboratorët më të mirë në botë si MIT dhe Harvard , jemi duke bërë research të detajuar bazuar në gjetjet e fundit laboratorike në mënyrë që të edukojmë shkencëtarët. Qëllimi jonë është të edukojmë sa më shumë kërkues shkencorë që po merren me zhvillimin e vaksinave, apo zhvillimin e testeve të shpjeta diagnostikuse apo trajtime efektive, duke i dhënë rekomandime të sakta mbështetur nga fakte dhe burime të shëndosha shkencore dhe mjekësore. Patjetër shikoj dritë në fund të tunelit. Jam e sigurt që shkenca do përparojë si po e tregon nga faktet e fundit (zhvillimi i vaksinave apo ilacave antivirale) por që do kohë. 

Bazuar në faktet shkencore nuk mund të them me bindje të plotë që virusi nuk do kthehet përsëri tek pacientët e shëruar (që kanë kaluar virusin) sepse ende po zhvillohen shumë teste dhe kërkime për këtë por mund të them që ngjasitë më të mëdha janë që të mos kthehet duke patur parasysh që trupi i njeriut krijone antitrupa kundër virusit (në këtë rast kundër Sar-Cov2 që shkakton COVID-19) dhe që teorikisht duhet ta eliminojë menjëherë virusin në qoftë se e takon për herë të dytë.

Mendoj që kjo panepidemi do ti bëjë njerëzit më të ndjeshëm, dhe do të vlerësojnë më shumë jetën dhe marrëdhëniet me njeri tjetrin. Në të nëjjtin kohë do ti hapi horizontin, do kuptojnë që jo të gjitha gjërat janë të kontrollueshme dhe nuk i kontrollojmë dot. Gjithashtu do vlerësojnë që përgjegjësia (Të qëndrosh brenda për tu mbrojtur nga virusi) ndonjëherë është më e rëndësishme sesa liria (e të dalit jashtë). Patjetër që të gjithë do kalojnë në një farë mënyre krize ekonomike, dhe gjërat per shumë individë mund të jenë më të vështira, por që thelbi kryesor që të gjithë njerëzit po kalojnë është rëndësia e jetës, dashuria për jetën, dhe për njeri tjetrin.

DIELLI- Dr. Detina, gazeta Dielli, më e vjetra e botës shqiptare, që sapo ka festuar 111 vjetorin e numrit të parë, ka pasë nderin t’ju intervistojë para 7 vitesh, kur ju erdhët për doktoraturën në Harvard. A mundeni ta plotësoni atë intervistë me sa te mundeni? – Ç’ndodhi në ato 4 vite e gjysem që ju kaluat në Harvard? A mund të përshkruani aktivitetin tuaj të plotë atje?

Dr.Detina Zalli-Në Harvard kalova një periudhë shumë të bukur të jetës time, ku nuk u zhvillova vetëm si shkencëtarë apo pedagogë por edhe si një udhëheqëse. Bashkëpunimi me kolegët më rriti profesionalisht dhe personalisht. Ishim tamam si një familje të rrethuar nga kurioziteti dhe të uritur për njohuri. Në Harvard publikova dy gazeta të rëndësishme shkencore si edhe i drejtova shumë kurse në fushën e biologjisë mjekësore dhe biokimisë për mjekët, studentët e doktoraturës, si edhe për undergraduate students. Punova me shkencëtarët më të mirë të botës (mund të them) të cilët më inspiruan dhe mbështetën duke parë pasionin tim për pedagogji dhe urinë për njohuri.

 E inspiruar nga ish Presidenti i Amerikës Obama, u bëra pjesë edhe në Harvard Graduate Government, ku pata fatin të njihja shumë mendje të ndritura dhe u përfshiva në drejtimin e eventeve më të rëndësishme si për shembull Harvard Leadership Conference, apo isha drejtuese e Harvard Lecture That Last. Mbase momenti më krenar ka qenë zhvillimi i eventit në Univiersitetin e Harvardit për librin tonë “Good Morning Hope” që do të publikohet në 2021, në të cilën së bashku me motrën binjake, Argita Zalli, treguam historinë e jetës tonë e cila u prit me duartrokitje. (Ishte një event i vecantë sepse zakonisht universiteti i Harvard nuk bën evente dedikuar dy personave. 

DIELLI: Ç’ndodhi pas Harvardit?

Dr. Detina ZALLI-Pas Harvardit u riktheva në Londër afër familjes time, ku punova si pedagoge në fushën e biomjekësisë. Pjesa e punës time ishte të udhëtoja në Azi. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë sepse u takova me kultura të ndryshme të cilët më kanë zhvilluar personalisht. 

DIELLI: A ka ndryshuar statusi juaj familjar?

Dr. Detina ZALLI- Nga ana personale, kam gjetur njeriun e zemres, bashkeshortin tim Toni, dhe jam bere mami i dy femijeve te mrekullueshem, Destini dhe Dielli, te cilet me kane ndryshuar jeten duke me dhuruar akoma me shume dashuri, inspirim. Tani çdo gje qe bej eshte per ata (perveçse normalisht per prinderit e mi qe jane gjithçkaja e jetes time).

DIELLI: Diçka rreth rolit tuaj si Ligjëruese në Universitetin e Oksfordit?

Dr. Detina ZALLI– Jam duke punuar me profesorë të shkëlqyer që më inkurajojnë çdo ditë dhe që më japin mundësinë të udhëheq. Jam shumë e apasiunuar pas punës time, dhe tani jemi duke udhëhequr një kurs designed për profesionalistët e fushës shkencore dhe mjekësore, si mjek, shkencëtarë, kirurg për tu mësuar më shumë reth shkencës së kancerit dhe zhvillimit të ilaçeve. 

DIELLI: Jeni bërë figurë e njohur shkencore dhe publike, keni vizitiuar botën, ndërkohë që ju nuk i keni shkëputur lidhjet me vendlindjen. Ç’mund të thonë për këtë, çfarë ju mbanë lidhur? 

Dr. Detina ZALLI- Shqipëria është vendi më i dashur e cila më ka mbështetur, rritur (megjithëse me sakrifica), më ka mësuar mësuar të dua dhe të respektoj të tjerët. Për mua është mëse normale të kem lidhje jashtëzakonisht të afërta me shqipërinë. Ndihem shumë shqiptare. Këtë më kanë transmetuar prindërit e mi të cilët vazhdojnë të më mbështesin dhe sakrifikojnë aq shumë, dhe që më kanë folur me aq dashuri për Shqipërinë. Këtë e shikoj tek njerëzit ,shqiptarët, respekti, dashuria dhe mbështetja e tyre që nuk i krahasoj me asnjë gjë në botë. Mendoj që pasuria ime më e madhe ka qenë mundësia për ti parë këto gjëra dhe për ti vlerësuar akoma më shumë.

DIELLI: Vendlindjen tuaj, Patosin, nga ku ju u larguat fshehurazi, po Bubullimën e gjyshërve, a i keni vizituar?

 Dr. Detina ZALLI- Shpesh herë ku shkoj në Shqipëri mundohem të shkoj edhe në Patos (vendi ku kam lindur) megjithëse nuk kam më shtëpi atje, apo Bubullimë (ku janë gjyshërit e mi). Verës së kaluar kalova 2 javë në Bubullimë ku kalova shumë kohë me të afërmit e mi, apo njerëzit që gjendeshin aty (komshinjtë e lagjes). Bisedova me të gjithë dhe kalova shumë bukur. Në ato momente kupton vërtet që suksesi më i madh, pasuria më e çmuar, janë lidhjet njerëzore, dashuria dhe respekti që të rrethon, modestia dhe humaniteti. 

DIELLI: – Një mesazh për lexuesit e DIELLIT në formën e këshillave? 

Dr. Detina ZALLI– Dua tu them që të mos ndihen kurrë të moshuar (çfarë do moshe të kenë) për të patur një qëllim të ri ose për të ëndërruar një ëndërr të re. Këshillat e tjera janë thënë përmes intevistës.

DIELLI: -Shumë faleminderit Dr. Detina. E vlërsoj shumë që edhe pse shumë e mbingarkuar ju gjetët sërish kohë që t’ia kushtonit intervistës me gazetën DIELLI!

Detina ZALLI: Ju lutem, nuk ka nevojë për falenderime. Ju keni qenë të parët që më keni intervistuar në Harvard dhe prindërit më kanë mësuar çdo të thotë respekti, apo mirënjohja, kështu që e ndiej të detyrueshme moralisht t’ju përgjigjesha. Ishte kënaqësi që biseduam!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dr.Detina ZALLI

DR. GENTIAN TOSHKËZI MD, ASISTENT PROFESOR: BETEJA ME COVID-19 DO TË JETË E GJATË

March 27, 2020 by dgreca

  • Bisedë e kryeredaktorit të Gazetës Dielli, Dalip Greca me Dr. Gentian Toshkezi MD,Neurokirurg, Assistent Professor në Departamentin e Neurokirurgjisë në Thomas Jefferson University Hospital- Philadelphia PA-
  • Ne SHBA ka 3 studime me përdorimin e 2 vaksinave, që kanë filluar në pacientë, dhë një e tretë nis në prill me testime në njerëz. Do të duhet një kohë relativisht disa mujore  për të parë nëse këto vaksina janë efikase dhe janë të sigurta, pa efekte anësore…

Dr.Gentian Toshkëzi është ndër ata mjekë shqiptar, që falë vullnetit dhe pasionit, ka arritë suksese të shkëlqyera gjatë karruierës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është Assistent Profesor në Thomas Jefferson University në Philadelphia, ku jo vetëm  operon  pacientë me sëmundje të ndryshme në kokë dhe shtyllë kurrizore, por edhe trajnon brezin e ri të specilizantëve dhe studentët; është i angazhuar në punë kërkimore shkencore me studimin dhe zhvillimin e teknikave neurokirurgjikale më bashkohore, dhe botime të shumta në revista dhe kapituj librash për specialitetin e neurokirurgjisë.Shpesh herë ai ftohet në konferenca kombëtare dhe jashtë Amerikës për të mbajtur leksione, siç ishte rasti i fundit në Paris, ku u ftua nga Shoqata e neurokirugëve të Francës. Unë u lidha me dr. Gentian Toshkëzin dhe iu luta për një bisedë për gazetën Dielli. Ai pranoi me kënaqësi. Ndiqeni bisedën: 

Dielli: Doktor, a jeni Ju të përfshirë në betejën kundër Panepidemisë të COVID-19 dhe në ç’formë?

Dr.Toshkëzi- Po jam pjesë e betejës.Që prej më shumë se dy javësh kam ndërprerë operacionet elective jo urgjente në bazë të rekomandimeve që kemi marrë për të suportuar luftën kundër COVID19 : 

  1. Për të ulur riskun e infektimit dhe të komplikacioneve postoperatore te pacientët
  2. Për të ruajtur pajisjet që përdorim në operacion maska syze mbrojtëse apo veshje mbrojtëse dhe ti kalojmë në përdorim të staffit që ka kontakt të drejpërdrejt me të sëmurin
  3. 3- menaxhoj pacientët në ICU ku tashmë është kthyer në një pavion me të sëmurë COVID 
  4. -Si pjesë e stafit mjekësor jemi në gadishmëri për të plotësuar nevojat për të përballuar fluksin e të sëmurëve me covid nëse do ketë pakësim të mjekëve nga prekja e COVID ose rritje e fluksit të pacientëve përtej kapaciteteve normale. 

Dielli – Si është një ditë pune juaja? Çfarë ka ndryshuar tani në kushtet e krijuara të krizës. 

Dr.Toshkëzi- Të hënë, të marte, dhe të enjten zakonisht operoj. Dita fillon me vizitën në pavion të pacientëve të shtruar përpara orës 7 të mëngjesit dhe në 7:30 filloj operacionet që mund të jenë 2-3 në ditë dhe me kohëzgjatje të ndryshme. Ditën e mërkurë dhe të premte shoh pacientë në zyrë me një skexhëll të paracaktuar duke filluar nga ora 8 e mëngjesit, deri në 5 mbasdite. Përveç këtyre kam një serë mbledhjesh takime me administratën,  apo përfaqësues të industris së healthcare me një program që paracaktohet nga stafi i zyrës time ku kam 3 assitente dhe sekretaren. Më shumë se 10 ditë në muaj jam ON call për urgjenca neurokirurgjikale. 

Çfarë ka ndryshuar me panepideminë e COVID 19? Shumë gjëra kanë ndryshuar:

  1. Pezullimi dhe shtyrja e gjithë operacioneve elective deri në 14 prill ose edhe më shumë në varësi të udhëzimeve 
  2. Për të mbrojtur dhe mos ekspozuar pacientët në ditën që i shoh në zyrë kam kaluar në sistemin telehealth kur vizitat bëhen në mënyrë virtuale nëpërmjet kameras dhe kompjuterave me lidhje online.
  3. Përdorim masa ekstreme të mbrojtjes nga çdo pacient për të evituar ekspozim të mundshëm me COVID 19, maska mbrojtëse sapo hyhet në spital. 
  4. Në PA ka deri sot 1700 raste me 16 vdekje, në Philadelphia kemi 475. Ka shume raste të shtruara që presin konfirmimin. 
  5. Pacientët me symptoma janë të udhëzuar të kontaktojnë mjekun e tyre me tel ose telehealth ose të shkojnë në ER ku që në hyrjen e spitalit bëhet screening për symptoma të dyshuara dhe më pas bëhet testimi qoftë në ER ose në qendrat e testimit COVID që janë 20 në total përfshirë  edhe qendrat Drive-through konfirmimi merret për 72 orë. Pacientët me symptoma si vështirësi në frymëmarrje apo me probleme të shumta shtrohen në spital dhe vendosen në izolim deri në konfirmim të testit. 

    Dielli: Siç shihet nga grafiku 24 orësh ka një rritje të dukshme të të infektuarëve. Si janë parashikimet për të ardhmen?

Dr.Toshkëzi- Ka një rritje eksponenciale të të infektuarve që do vazhdoj në rritje në ditët apo javët e ardhshme. Numri do vijë në rritje dhe qëllimi është të ngadalsojmë përhapjen që ti japim mundësi sistemit mjekësor në kapacitete që ka të përballojë një fluks në rritje gradule të pacientëve pa e bllokuar sistemin në tërësi me një numër  që mund të dalë jashtë kontrollit dhe jashtë mundësive e kapaciteteve në shtretër pajisje apo staf mjekësor. 

Dielli: Çfarë do të thoshit për natyrën e virusit?

Dr.Toshkëzi- Është një virus që ende nuk njihet mirë dhe ka rezistencë të madhe me përhapjë të fshehtë me rritje eksponenciale. Shumë pikëpyetje për natyrën e virusit nuk kanë akoma përgjigje të bazuar në fakte apo të dhëna të sakta. 

Dielli: Mendoni se do të jetë një betejë afatgjatë? Flitet për kombinime ilaeçesh, flitet për kërkime shkencore për vaksinën, mendoni se njerëzimi do ta ketë shpejt vaksinën?

Dr.Toshkëzi- Besoj se do të jetë një betejë disa mujore dhe virusi do të jetë i pranishëm në formë indolente për tu rishfaqur sërish në forma të tjera. Ndërkohë që jemi në fazën ku bota është e sulmuar reagimi i parë është strehimi dhe mbijetesa po punohet për kundërsulm ndaj COVID 19 kjo nënkupton që janë ndërkohë në testim disa lloj trajtimesh që dhe pritet të shohim rezultate për të kuptuar më mirë cila strategji është më efikase dhe për këtë do duhet një kohë për të parë nëse këto terapi që po përdorim sot japin ose jo rezultat me një numër pacientësh dhe krahasime midis grupeve të testimit. Jemi në fazën e përdorimit të trajtimeve krysisht supportive dhe përdorim të medikamenteve në kushtet e “Compasionate Use’ kur i përdorim pasi nuk kemi studime të mirëfillta që të tregojnë se janë efikase. 

Psh Hydroxichloroquina Azythromycin, Antiviralet, përdorimi i plazmës së personave të infektuar. Ndërkohë ka 3 studime me përdorimin e 2 vaksinave, që kanë filluar në pacientë në  Amerikë, dhë një e tretë nis në prill me testime në njerëz. Do të duhet një kohë relativisht disa mujore  për të parë nëse këto vaksina janë efikase dhe janë të sigurta, pa efekte anësore, dhe me marrjen e rezultateve do jemi në gjendje të themi nëse kemi një vaksine dhe sa e sukseshme do të jetë.  

Dielli: A vihen re shqetësimet e Nju Jorkut në Pensilavani: Si mungesa e ventilatorëve, e shtretërve, pajisjeve mbrojtëse etj?

Dr.Toshkëzi- Ka një shqetesim për pamjaftueshmëri në pajisje duke përfshirë maska, veshje mbrojtëse,  ventilatorë,apo edhe shtretër por duke qen se deri tani numri i të infektuarëve në PA është në përputhje me kapacitetet mjekësore deri tani është menaxhuar por po kërkohen zgjidhje për numrin në rritje të infektuarve. Mendohet që një spital i madh në Phialdelphia që u mbyll para disa muajve do të rihapet vetëm për të sëmurët e COVID 19. Masat izoluese në Philadelphia u morën një javë para NYC dhe kjo bëri një ngadalsim të përhapjes së infektimit. 

    Dielli: A keni informacion për bashkatdhetarët tanë atje, a ka të prekur prej tyre?

Deri më sot nuk kemi të dhëna për bashkatdhetarë të sëmurë por nuk përjashtohet mundësia. 

Dielli: Dr. Toshkëzi, duke qenë se ky është kontakti i parë i lexuesëve të gazetës Dielli me Ju, a mund të na informoni se si ka shkuar karriera juaj në ShBA? Çfarë do të veçonit?

Dr.Toshkëzi- Karriera ime në USA nisi me vështirësitë që vetë emigracioni paraqet duke nisur nga zero. Unë mbarova Fakultetin e mjeksisë në Tiranë me medalje të artë mesatare 10 që mu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë kohë Z. Mejdani. Duke qenë mjek me diplomë shqiptare iu nënshtrova testeve standarte në USA. Specialiteti i Neurokirurgjisë ka një kërkesë të madhe dhe numër shumë të kufizuar të vendeve për tu trajnuar kështu që përzgjedhja ishte shumë rigoroze. Falë punës disa vjeçare dhe përkushtimit arrita të përzgjidhem dhe trajnohem në State University of New York në departamentin e neurokirurgjisë për 7 vjet duke qenë chief resident. 

Vështirësitë kanë qenë të shumta dhe vetëm pasioni, këmbëngulja dhe besimi në vetvete janë kyçi i suksesit,si për këdo. Vështirësitë na bëjnë të vlerësojmë më shumë atë që kemi arritur,

       Dielli: Ju keni arritur deri në gradën e Asistent Profesor. Çdo të thotë kjo për Ju?

     Dr.Toshkëzi- Tani jam Assistant Profesor në Thomas Jefferson University në Philadelphia, ku jo vetëm  operoj pacientë me sëmundje të ndryshme në kokë dhe shtyllë kurrizore, por edhe trajnoj brezin e ri specilizantë dhe studentë, po ashtu jam i angazhuar në punë kërkimore shkencore me studimin dhe zhvillimin e teknikave neurokirurgjikale  më bashkohore, sikurse dhe botime të shumta në revista dhe kapituj librash për specialitetin tim. Jam gjithashtu shpesh i ftuar në konferenca kombëtare dhe jashtë Amerikës për të mbajtur leksione. 

Dielli: Kur dhe ku ka qene hera e fundit që jeni ftuar jashtë SHBA?

Dr.Toshkëzi- -Para pak kohësh isha i ftuar të jepja një leksion në Paris në konferencën e shoqatës franceze të neurokirurgjisë. 

Dielli: Ju ka rastisur që të keni pacientë shqiptarë?

Dr.Toshkëzi- Po kam pasur shumë pacientë shqiptarë nga NY, NJ dhe Philladelphia, madje edhe nga shtete të tjera, dhe jam krenar që më jepet mundësia edhe këtu ti shërbej dhe mbështes bashkeatdhetarët dhe konunitetin tonë. 

Dielli–Çfarë këshillash do të përcillni për bashkatdhetarët për situatën që po kalojmë përmes gazetës DIELLI?

Dr.Toshkëzi- Këshilla?- Te mbajnë një regjim të shëndetshëm dhe të kufizojnë kontaktet për të ruajtur veten e tyre të afërmit dhe miqtë!

Dielli: Faleminderit Dr.Toshkëzi që gjetët kohë të për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetës Dielli!

Dr.Toshkëzi- Kënaqësia ishte imja.

Filed Under: Featured Tagged With: Dalipgreca, Dr.Gentian Toshkezi, Interviste

Pse Nju Jorku është kaq shumē i infektuar me COVID-19?!

March 26, 2020 by dgreca

Nga Ilir Bulku/Inxhinier civil/

Sot, 25 mars 2020, Guvernatori i New York z. Andrew Cuomo në përditësimin e situatës mbi coronavirus pandemi i dha përgjigje pyetjes së vet se pse Nju Jork ka 15 herë më shume të infektuar se Kalifornia .
 Ai përmendi edhe disa arsye të cilat qëndrojnë por anashkaloi njërën që është thelbësore; higjena. Ndersa po lyeja me bojë hidromat një faqe muri të dhomës së gjumit të apartamentit me rent (qera)ku jetoj këtu në New York m’u kujtuan kohët kur çdo vit nga dita e verës deri në Shën Gjergj nënat dhe motrat tona lyenin shtëpitë dhe rrugicat me gëlqere. Nuk ishte thjesht bardhësi por edhe dezifektim i mjedisit ku banojmë me mënyrën origjinale e tradicionale për shekuj të tere. Kjo traditë vazhdon të ruhet edhe sot në lagjet dhe fshatrat e Dibrës dhe më gjere në Shqiperi. Le të kthehemi te degjesa e Guvernatorit Cuomo. Në vitin 2004 erdha ne New York me vize turistike. Kohen më të madhe ne shqiptaret e kalonim nëpër kafet e Italianeve në lagjet e Bensonhurts dhe Dyker hights në Brooklyn. Në ate kohe të gjitha Avenue dhe streetet kishin një bukuri te papare të dekoruara me lulet natyrale neper saksi shumengjyreshe në hyrjet e çdo shtepie dhe pallati perfshire edhe trotuaret në pjeset e pemeve. Pasterti dhe rregull i pa shkelur. Për ne Shqiptaret ishte nje afrimitet që italianet e Amerikes na ofronin si komshinj me të njejten perkujdesje si në atdheun e tyre në Itali. Vite më vonë erdha me familjen në vitin 2010 falë një llotarie emigrimi dhe vendosa të banoj në Brooklyn në një nga lagjet që i njihja më parë .Diçka ndryshonte , nuk ishte si dikur, shumë gjera nuk ishin si 6 vjet me parë, një transformim që ndjehet edhe nëpër rrugët , banorët , dyqanet, kafenetë, etj.Tani kam 9 vjet që jetoj në një pallat me rreth 32 familje. Lulet në avenue dhe street jane shume të rralla. Pastertia vlen per të deshiruar,shtepite dyqanet bizneset e italianeve dhe të tjera që shiten ,blihen në pergjithesi nga komuniteti kinez. Në 9 vite nuk kam parë që hyrja dhe shkallet e pallatit ku banoj të lahen ndonjere të pakten me uje. Kudo ku kam qene në Bronx, Quins,Brooklyn Staten Island dhe në Manhattan kam konstatur që pastertia dhe respektimi i rregullave higjeno -sanitare është në nivelin me të ulet. Ndaj me bindjen time dhe me argumente të pafund mund ti them Z. Guvernator Cuomo , z DeBlassio dhe Z.President Trumph se mumgesa e higjenës është arsyja që infeksioni në New York eshte 15 here më i madh se në Kaliforni dhe sa 50% e infeksionit ne USA.  
Sygjerimi i një masë imediate që mund të ndermerte së pari Z. Major DeBlassio e të gjithë nivelet deri tek ne qytetarët besoj se do të ishte vlerë dhe kontribut i përbashkët.
Në kushtet e qendrimit në shtëpi te familjareve ( une jam Inxhinier ne profesion dhe nuk e kam idenë nëse shkelet ndonje e drejte e njeriut) studenteve, punetoreve te ndryshem të pergatitet urgjent një pakete ndihme sanitare për çdo familje që jeton me rent në apartamente të NYC e me gjere, nepermjet së ciles familjaret të lyejne vete siperfaqet e banimit. Pronaret te lyejne e te pastrojne ambientet e perbashketa deri ne trotuaret e jashtme. Kjo pakete e përbërë nga disa galon boje ,mjete të thjeshta per lyerje që mund të shkojë deri ne 600$ mund t’ju zbritet nga renta e muajit, i paraprin një sërë aspektesh të tjera ku përveç higjenës ndjehet prezenca e çdo kontributi njerëzor që në këto ditë është imediat duke e bërë më interaktive dhe me vlerë jetën pasive dhe të izoluar të ditëve që na presin.

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Ilir Bulku, Pse New Yorku

Jolanda Osmalliu Koçi, shkencëtarja e parë shqiptare në fushën e epidemiologjisë

March 26, 2020 by dgreca

Nga Kastriot Kotoni/*

Kujtesa për figura të shquara të mjekësisë shqiptare është materializuar në librat aq të çmueshëm të Profesor Flamur Tartarit. Me Profesor Flamurin ishim miq të kahershëm deri ditën që ai u nda nga jeta. Diskutimet për çdo problem të mjekësisë shqiptare ishin si të thuash edhe A-ja dhe Zh-ja e komunikimeve tona. Ai, po aq pasionant pas punës në spital dhe në katedrën e urologjisë, ishte edhe për të shkruajtur një libër të ri me tema nga më të ndryshmet, por veçanërisht në bërjen e monografive për figura të shquara të mjekësisë shqiptare, ku ai ishte i jashtëzakonshëm për kërkimin dhe pasurimin me material arkivor dhe plotësues për çdo figurë. Kur e debatonim buxhetin për shendetësinë apo nivelin e pagave për mjekësinë, ai debat ngelej gati për ditë të tëra thembra e Akilit, sepse ai këmbgulte në vlerat e meritokracisë dhe hirarkisë së profesionistëve dhe stimulimin e punës shkencore dhe specializimeve të vazhdueshme të gjithë sistemit shëndetësor. Debati me argumentat e tij shkencore ishin një shkollë më vete duke më servirur shembuj të jashtëzakonshëm të mjekëve shqiptarë që nga emra si N. Suma, J. Panteqi, R. Frashëri, J. Basho, P. Roci, Sh. Ndroqi, M. Drrasa, Y. Vebiu, F. Hoxha, K. Glozheni, S. Polena, F. Shiroka, Sh. Karaulli, P. Boga, I. Gjylbegu, K. Kërçiku, P. Çina, F. Paparisto, S. Bekteshi, I. Tartari, J. Theodhosi, H. Sulçebeg, M. Agolli, P. Gaçe, K. Mojsiu, J. Koçi, Z. Floqi, A. Safa, B. Preza, P. Kokalari, V. Grillo, Sh.Basha, T. Karagjozi, LL. Ziçishti, B. Elezi, B. Zyma, S. Imami, etj. Jolanda Osmalliu Koçi ishte shkencëtarja e parë e shkollës shqiptare të mjekësisë, – më thosh ndër të tjera, – Profesor F. Tartari dhe i vinte shumë keq që për meritat e saj shkencore asaj nuk ia dhanë edhe pas vdekjes një gradë më të lartë shkencore edhe pse iu propozua nga Këshilli i Lartë Shkencor pranë Kryeministrisë, por diku kjo punë ngeci si çdo fenomen i kohës në vitin 1996.

Jolanda Onsmalliu Koçi në 5 maj të këtij viti do të ketë 80 vjetorin e lindjes dhe u kujtojmë autoriteteve shtetërore që atë motivacion të harruar në sirtaret e Ministrisë së Shëndetësisë, qysh nga koha kur ministër ishte z. M. Cikuli, ta miratojë titullin e Profesorit në shkencën e Epidemiologjisë. Jolanda Koçi duhet kujtuar për shumë arsye, por në këto ditë të kësaj Pandemie Botërore, ajo po të ishte gjallë, do kishim ndoshta përgjigjen e shumë enigmave në nivel botëror dhe pse jo edhe një ndër shkencëtaret e cila me autoritetin e saj shkencor do ishte në krah të atyre shkencëtarëve që do të shpikin antivirusin e Koronavirusit. Jolanda i ngjiti shkallët e karrierës mbas studimeve në shkollën e mesme mjekësore të cilën e mbaron me nota të shkëlqyera në vitin 1955. Me mbarimin e fakultetit të mjekësisë me rezultate shumë të larta në vitin 1960, ajo fillon punën si mjeke në Laboratorin Qendror Baktereologjik dhe më pas Instituti i Higjenës dhe i Epidemiologjisë. Në Institut punoi në sektorin e prodhimit të vaksinave në repartin e anatoksinës difterike dhe tetanike. Rritjen e saj profesionale e filloj qysh nga mjeke e thjeshtë, shefe reparti, shefe e sektorit të prodhimit të vaksinave e deri në zëvendësdrejtoreshë e Instutit Kërkimor të Higjenës dhe Epidemiologjisë nga vitet (1989-1994), plot 24 vjet pa ndërprerje dhe vetëm gjashtë muaj para se të ndahej nga jeta më 30 Maj të vitit 1994 ajo luftoi me vdekjen me një sëmundje shumë të rëndë. Në vitin 1971 pas një specializimi tre mujor në Bukuresht të Rumanisë, ajo bëri bashkimin e dy vaksinave asaj të anatoksinës difterike me atë tetanike native, që deri në atë kohë ishin veçmas, por bashkoi edhe vaksinën kundër Pertusit(kollës së mirë) duke prodhuar në vendin tonë të famshmen Trivaksinë diftero-tetano-pertusike(DTP) e njohur dhe e përdorshme në të gjithë botën, në mbrojtje nga tre sëmundje infektive shumë të rrezikshme, me një injeksion dhe me më pak ndërlikime apo efekte anësore. Jolanda këtë trevaksinë e kontrollonte me standartet botërore dhe vaksina qëndronte përkrah tyre plotësisht. Ajo bëri vaksinimin e të gjithë fëmijëve dhe nuk pati asnjë të vdekur (për afro 10 vjet prej tetanozit), por për hërë të parë u vaksinuan gratë shtatëzana në tremujorin e tretë të barrës dhe si pasojë u mënjanua plotësisht rreziku dhe infektimi në lindje i fëmijëve nga sëmundja vdekjeprurëse e tetanozit. Jolanda Onsmalliu Koçi është e para grua shqiptare, në fushën e mjekësisë profilaktike, që merr pjesë në mbledhje e forume botërore dhe evroppiane, duke iu imponuar kolegëve të saj dhe nderuar punën e Institutit dhe të sajën në fushën e profilaksisë dhe të prodhimit të vaksinave në vendin tonë. Jolanda bëri studimin e plotë të epidemiologjisë së tetanozit në vendin tonë qysh nga viti 1949 deri në vitin 1977, duke kontrolluar rastet një për një format e sëmundjes, shkatarin dhe mjekimin e bërë si dhe përfundimin. Kulmin e kërkimeve të saj për tetanozin ajo e dha në punimin shkencor për të marrë gradën e kandidates së shkencave mjekësore në mesin e vitit 1977 me titullin “Tetanozi”; Aspekte epidemiologjike, imunologjike dhe profilaktike. Me miratimin e Këshillit të Lartë të Atestimit pranë Ministrisë së Arsimit Vendimin nr. 28, datë 27.12.1979 dhe Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 99, datë 28.12.1979, Jolanda merr gradën kandidate e shkencave si e para mjeke në shërbimin infeksionist epidemiologjik dhe higjenës (sektorin e profilaksisë) në vendin tonë. Jolanda bëri shumë studime dhe shumë prej tyre u botuan në revistat si “Buletini i Shkencave Mjekësore” si dhe në “Buletinin e Shkencave Ushtarake” apo në “Buletinin e Institutit të Higjenës”. Disa probleme të difterisë dhe tetanozit në vendin tonë dhe efektin e vaksinave pas vaksinimit janë botuar edhe në revista të huaja si në Rumani, Itali, në buletinin e OMS-it. Po ashtu Jolanda ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në mbledhjet e Byrosë Evropiane të Higjenës dhe Epidemiologjisë, të cilat u zhvilluan tre herë në Itali dhe një herë në Stamboll(Turqi), qysh nga viti 1988-1992. Jolanda u nda nga jeta pikërisht në atë kohë kur do të gëzonte plotësisht frytet e punës dhe jetës së saj: do të shihte të realizuara plotësisht ëndrrat e saja të thurura për punën, shkencën, përparimin e Institutit ku ajo punoi tërë jetën dhe e deshi aq shumë. Jolanda e mira e të mirave u nda nga familja e saj dhe të afërmit, shoqet e shokët dhe nga të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, për të mbetur gjithmonë në zemrat e tyre.*E dergoi per Diellin ambassador Mal Berisha

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Jolanda Osmanlliu Koçi, Epidemiologia e pare

TABLO E ZYMTË PËR NEW YORK-un: 25.656 TË INFEKTUAR, 210 VIKTIMA

March 24, 2020 by dgreca

– Guvernatori Cuomo kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë….”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur shtetin federal.

Përgatiti:Dalip Greca/

Guvernatori i NY Andrew Cuomo me zemërim kërkon ndihmë nga shteti federal, duke dhënë alarmin për situatën e krijuar.

Guvernatori Cuomo ofroi një tablo të zymtë në pandeminë e shpërthimit të koronavirusit të martën,24 mars, duke thënë se New Yorku është nën kontrollin e një “goditjeje” të frikshme dhe ka shënuar 25.665 të infektuar dhe 210 të vdekur.

Duke folur në Javits Center në Manhattan, ai tha se:”Shkalla e rritjes së infeksionit po dyfishohet çdo tre ditë,” tha Cuomo. “Kurba është në të vërtetë në rritje.”

New York City kishte 14,776 raste COVID dhe 131 vdekje që nga mëngjesi i së martës, sipas zyrës së kryebashkiakut de Blasio. Queens pati shumicën e rasteve nga çdo bashki – 4,364 – e ndjekur nga Brooklyn, 4,237; Manhattan, 2,887; Bronx, 2,328; dhe Staten Island, 935.

Guvernatori paralajmëroi se përpjekjet për të përmirësuar virusin deri më tani nuk po e ndalin ofensivën.Ai kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë.”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur federalin.

Zëvendës Presidenti Mike Pence tha më vonë se 2,000 ventilatorë po dërgoheshin të martën dhe 2,000 të tjerë të Mërkurën.

Duke kritikuar ashpër Presidentin Trump, guvernatori Cuomo tha se Nju Jorku nuk ishte i gatshëm të rrezikojë jetën e njerëzve të moshuar.

“Ne do të luftojmë për çdo gjë që mundemi për të shpëtuar çdo jetë që mundemi sepse kjo është ajo që, mendoj, do të thotë të jesh amerikan. 

Cuomo tha që është mirë që banorët e New York City kanë filluar të tërheqin vëmendjen e paralajmërimeve për të kufizuar ndërveprimin social dhe për të qëndruar jashtë rrugëve.

Por ai pranoi se masat ende nuk funksionojnë.

Tani New York do të ketë nevojë për rreth 140,000 shtretër spitalor, nga 110,000 të vlerësuar më parë. Tani ka vetëm rreth 50,000 shtretër spitalorë.

Cuomo u bëri përgëzime punonjësve të mjekësisë, policisë, zjarrfikësve dhe punonjësve të transportit të New York-ut, të cilët po vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë.

Përveç testimit të paralajmëruar më parë të ilaçit anti-malarie hidroksilklorine, Departamenti i Shëndetësisë i shtetit po eksperimenton me injektimin e plazmës nga personat e infektuar tek njerëzit e tjerë që “luftojnë” me sëmundjen për të parë nëse “antitrupat bëjnë efekt”, tha Cuomo.

New York-u do të eksperimentojë ndarjen e një ventilatori midis dy pacientëve, një procedurë “e vështirë për t’u kryer”, tha Cuomo, duke shtuar, “Domosdoshmëria është nëna e shpikjes.”

Cuomo përsëriti thirrjet për qeverinë federale të përdorë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të detyruar prodhuesit të prodhojnë ventilatorë dhe të dërgojnë ventilatorë nga rezervat federale së paku 20,000 në New York.

Guvernatori tërhoqi vëmendjen se Nju Jorku është duke u goditur  ashpër nga coronavirusi dhe se është në majën e kurbës së sëmundjes. Por shtetet e tjera ka të ngjarë të shohin të njëjtin problem së shpejti.

“Unë po ju kërkoj të ndihmoni Nju Jorkun, të ndihmoni veten,” tha guvernatori, duke iu drejtuar kombit. Merruni me Nju Jorkun se këtu është kulmi i krizës. Le të ndihmojmë njëri-tjetrin, lëshoi thirrjen guvernatorin.

Cuomo, replikoi me Presidentin Trump, i cili ka kërkuar që shteti të rifillojë riprodhimin ekonomik. Nuk do të vemë dollarët para jetës së njerëzve, komentoi guvernatori.

“Nëse i kërkoni popullit amerikan të zgjedhë midis shëndetit publik dhe ekonomisë, nuk është sfidë … Asnjë amerikan nuk do të thotë se sa ia vlen jeta.”

Cuomo u përkrah nga Gjeneral Patrick Murphy dhe Gjeneral Major Raymond Shields, të cilët ai i lavdëroi si udhëheqës të aftë në kohë krize.

Ai portretizoi veten si një udhëheqës dhe një ushtar në luftën pandemike.

Filed Under: Featured Tagged With: Nju Jork, Tablo e zymte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT