• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA, PRITJE FESTIVE PËR 12 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 20, 2020 by dgreca

 Morën pjesë Ambasadorja Teuta Sahatqija me personelin diplomatik, akademiku Prof. Dr. Isuf Dedushaj, biznesmeni dhe veprimtari i njohur Harry Bajraktari, Kryetari i Shoqatës Atlantiku Gani Shehu, Kryetari i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Mhill Velaj e të tjerë./

Të Martën në mbrëmje në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA u organizua një pritje festive kushtuar 12 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Së bashku me Vatrën festoi edhe Misioni i Kosovës & Konsullata e Përgjithshme. Kreu i Misionit zonja Teuta Sahatqija shoqërohej nga këshilltarja Albana Bylykbashi, Sekretaret e Misionit Ines Demiri dhe Butrint Ymeri. I ftuar ishte edhe ish Komandanti i batalionit Atlantiku, tash Kryetar i Shoqatës Atlantiku Gani Shehu. Në mesin e vatranëve ishte i ftuar dhe biznesmeni i njohur, veprimtari i Komunitetit dhe mbështetës i Vatrës z. Harry Bajraktari, themelues i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria. Po ashtu ishte ftuar akademik Prof. dr. Isuf Dedushaj dhe miq të tjerë të Vatrës. 
Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve i shoqëruar nga Presidenti i nderit Agim Rexhaj, nga sekretarja Nazo Veliu, nënkryetarët Ervis Dine, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, nga anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Idriz lamaj,Anton Raja, Mark Mrnaçaj,Marjan Cubi, anëtarët e Këshillit: Agim Aliçkaj, Arjeta Ferlushkaj,Rafaela Prifti, Mehmet Kadrija,Mhill Velaj, Ismer Mjeku, Shkumbin Tetaj, ish nënkryetari Asllan Bushati e të tjerë. Fillimisht janë takuar gotat për Pavarësinë e Kosovës dhe janë përcjellë urime. Më pas Kryetari Berisha ka mbajtë fjalën e përshëndetjes me rastin e Pavarësisë së Kosovës, të cilën do ta botojmë të plotë në Diellin në print.
Ambasadorja Teuta Sahatqija ka uruar festën e Pavarësisë duke shprehur kënaqësinë që ishte bashkë me personelin diplomatik të Misionit këtu në Vatrën e ngrohtë shqiptare. Ajo tha se vizitën e parë të saj në komunitetin shqiptar kur nisi detyrën diplomatike në Nju Jork, e bëri në Vatër, dhe që prej asaj kohe marrëdhëniet kanë qenë të ngrohta.
Ambasadorja Teuta Sahatqija, e shoqëruar nga diplomatët e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, shfrytëzoi rastin ta urojë z. Berishën për zgjedhjen e tij rishtazi si i pari i Vatrës. Njëkohësisht, krahas një urimi të përzemërt për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me një urim të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare, zonja Sahatqija e përgëzoi edhe gazetën “Dielli” në Nju Jork, me rastin e 111-vjetorit të themelimit të saj. Në Letrën Uruese dorëzuar Kryetarit të Vatrës zonja Sahatqija vlerësonte rolin që ka luajtë kjo gazetë për 111 vite.”Përvjetori i Diellit, shkruante ajo, përkon afër edhe me atë të Pavareësisë së Kosovës. Muaji Shkurt shënon edhe ditëlindjen e Republikës së Kosovës. Në 12 vjetorin e Lindjes së Republikës së Kosovës, kujtojmë bijtë dhe bijat më të mira që dhanë më të çmushmen e tyre-jetën, që ne të jetojmë të lirë.
Gazeta Dielli-organ i federatës mbarëshqiptare VATRA në Nju Jork, vazhdon edhe sot të luajë rolin e udhëheqësit të veprimtarisë patriotike në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe të forcimit të miqësisë me vendin tonë mik, Amerikës. Kontributi i saj për çështjen tonë kombëtare do të mbetet i pazëvendësueshëm.Ju përgëzojmë për punën e mrekullueshme që bëni!-Ambasadore:Teuta Sahatqija.
Presidenti i nderit i Vatrës Agim Rexhaj ka përcjellë një urim të veçantë për Pavarësinë e Kosovës, duke i falenderuar pjesmarrësit. Ai tha se kjo ishet një ditë e shënuar për Kosovën dhe në këtë ditë nuk mund të mos përmendim arkitektin e Pavarësisë dr. Ibrahim Rugova.
Gani Shehu, kryetar i shoqatës Atlantiku krahas mesazhit të urimit për përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës përcolli dhe nderimin për luftëtarët e Lirisë, dëshmorët dhe heronjtë si dhe për batalionin Atlantiku dhe dëshmorët e tij, vëllezërit: Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.
Z. Harry Bajraktari ka falenderuar kryetarin Elmi Berisha për ftesën, ka uruar ambasadoren Sahatqija dhe të gjithë pjesmarrësit për festën e Pavarësisë së Kosovës. Ai tha se detyra e diapsorës nuk ka përfunduar dhe Vatra dhe ne të gjithë duhet të vazhdojmë t’i shërbejmë çështjes Kombëtare dhe të lobojmë më fort.
Dr. Isuf Dedushaj, tha se ndjehej i privilegjuar që këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës po e fetsone bashkë me vatranët në Shtëpinë e Vatrës. U përula para këtyre burrave të mençur të Vatrës që bënë shuëm për Shqipërinë, tha ai duek u drejtuar nga Noli dhe Konica… Ju shqiptarët e Amerikës keni bërë shumë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Dëshmorët nderohen të parët në përvjetorë të tillë. Po shoh këtu në Vatër portretet e Dr. Rugovës dhe të heroit Adem Jashari. Ndjehem mirë sepse secili kontribuoi për lirinë e Kosovës, Adem Jashari me të gjithë familjen dha ç’ka kishte më të shtrenjtë për Lirinë_jetën, ndërsa dr. Rugova na ruajti nga kasaphana serbe duke mos u nxitua që të na fuste në vorbullën e luftës në kulmin e kaspahanës, por duke pritur momentin e favorshëm, kur bota ta kishte mendjen tek ne. Dhe nuk u gabua. Ai tërhoqi me vete fuqinë më të madhe të kohës, Amerikën dhe Evropa erdhi pas.
Më pas kanë përshëndetur Nazo Veliu, Zef Balaj, Dr. Pashko Camaj e të tjerë!
Festa u shoqërua me pije dhe ushqime të shumëllojshme. Pijet ishin prodhim Kosove-Stone Castel të biznesmenit Rrustem Gecaj, ndërsa ushqimet u sponsorizuar nga bashkatdhetarët: Tony Musaj, Isa Brijaj, Milaim Ukhaxhaj e të tjerë.
Tony Musaj, pronar i Europian Market tha për Diellin se ai ishte përpjekur që të sillte ushqime dhe pije nga Shqipëria etnike: djathi prej Gjirokastre, ullinjtë nga Berati, spece të mbushura me djath nga Kosova, qebapa e qofte, pije energjike nga Golden Eagel prej Kosove, Ivi nga Shqipëria, biskota dhe llokume, Bakllava prej Tirane etj.
“DARDANIA” është njësia më e re tregtare e Tony(Tush) Musaj, e sapo hapur me 80 përqind të produkteve nga Shqipëria dhe Kosova, që ndodhet në adresën: 2000 Continental Ave, Bronx, New York 10461.
Vatra i falenderon përzemërsisht të gjithë sponsorizuesit për bujarinë e tyre.(Gjerësisht do të lexoni në Diellin e printuar)

Fotografi nga festimi i 12 vjetorit te Pavaresise se Kosoves ne Vater.

*Me shume fotografi shine ne Fb dielli vatra.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra-pritje2 Vjet Pavaresi-Kosove

DIALOG NË GJUHËN AMTARE NË DITËN E GJUHËS AMTARE

February 20, 2020 by dgreca

21 shkurti është dita e gjuhês amtare, një ditë që njihet dhe nuk njihet, një ditë që pa asnjë dyshim është tradita më e bukur të cilit po i kushtojmë këtë dialog me Drita Gjongecaj, drejtuese në arsimin publik në Nju Jork, krijuese e shkollës shqipe “Children of the Eagle”, ideatore dhe zbatuese e Seminarit të përvitshëm mbi gjuhën shqipe dhe pêrsosjen e saj në Diasporë.

Marjana Bulku: -A është gjuha shqipe një sfidë e së ardhmes për gjeneratat që rriten këtu? 

Drita Gjongecaj: Gjuha shqipe është një sfidë e pamohueshme për gjeneratat që po rriten në diasporë, sfidë që përfshin disa aspekte që lidhen me vetë natyrën e jetesës në vend të huaj. Ndonëse dëshira dhe ndërgjegjësimi i emigrantëve mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës në përgjithësi egziston, një faktor që e vështirëson atë është qasja që vetë shqiptarët i bëjnë këtij problemi. 
Shumë prindër që kanë ardhur në moshë madhore në Amerikë, mendojnë se mund t’ia dalin vetë t’ua mësojnë shqipen fëmijëve dhe nuk u bashkohen programeve shkollore që ofrohen. Praktika ka treguar në më të shumtën e rasteve që prindërit kanë dështuar në këtë drejtim pasi gjuha vendase, ngarkesa e jetës së përditshme, koha e pakët për ata që punojnë, etj, e kufizojnë mundësinë e përmbushjes së saj. Shumë herë prindërit kanë edhe konceptin e gabuar që përdorimi i shqipes do t’i lërë mbrapa me anglishten, pa harruar këtu edhe atë kategori prindërish që për të përparuar vetë me anglishten, flasin me fëmijët vetëm në anglisht. 
Përdorimi masiv i teknologjisë është një tjetër faktor që stimulon gjuhën vendase. Po ashtu, mjedisi ku jetojmë nuk e mbështet familjarizimin me gjuhën shqipe; në shkollë, punë, madje edhe në familje pak flitet shqip. Nuk duhet harruar në mes të tjerash që shqipja nuk është gjuhë e lehtë për t’u mësuar, nuk ka ngjashmëri me gjuhen angleze dhe se gramatika, format e ndryshme që marrin fjalët gjatë përdorimi në fjali e vështirësojnë atë edhe më shumë. Gjithsesi vihet re një tendencë dhe dëshirë e të rinjve për të mësuar shqip dhe kjo premton për më shumë. Ne kemi edhe të rritur që marrin mësime gjuhe në shkollën tonë dhe ky sinjal vërteton vullnetin dashamirës ndaj gjuhës tonë.

Marjana Bulku: -Qasja juaj ndaj këtij proçesi që zgjat gjithë jetën duket shumë interesant, ju i afroheni fëmijëve përmes edukimit në klasë, përmes metodologjive më të mira, një stafi mësimdhënësish tejet vital, faktorëve ndihmës dhe nxitës si; vizitat, projektet, ftesat, seminaret, etj;si mendoni cilat rezultojnë më të dashura për fëmijët sipas jush?

Drita Gjongecaj: Për ne, shumëllojshmëria e metodave mbetet prioritare në mënyrë që të mbajmë gjallë e ta shtojmë interesin e fëmijëve dhe të të rinjve ndaj mësimit të gjuhës shqipe. Dihet që fëmijët dhe rinia e sotme e kanë kohëzgjatjen e fokusimit më të shkurtër se ç’ka qenë para kohës së elektronikës; domethënë ata nuk e preferojnë shumë metodën tradicionale të mësimit. Më shumë pëlqehet mësimi përmes lojës sidomos për moshat e vogla. Kjo metodë është jo vetëm zbavitëse por u jep edhe mundësinë e të përsëriturit që është kyçi i mësimit të një gjuhe. Mësimi nëpërmjët teknologjisë është po aq i preferuar dhe frutdhënës. 
Një nga risitë që ne kemi sjellë në programin tonë janë vizitat që kemi mundësuar për fëmijët në vende ku flitet shqip, ku ka histori, letërsi, art dhe kulture shqiptare, etj. Vizitat e organizuara në ambientet e Shoqatës Vatra, Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, shëtitja në pjesën tregtare të Arthur Ave, etj. janë experienca të pashlyeshme që i japin kuptim real atyre që mësohen në klasë dhe njëkohësisht përforcojnë mësimin e gjuhës. 
Ajo që e bën të veçantë dhe superiore shkollën shqipe Children of the Eagle është se mësueset tona kanë kualifikimin më të lartë në mësimdhënie; ato janë profesioniste të licensuara dhe aktualisht punojnë me kohë të plotë në Departamentin e Arsimit të NY. Me fjalë të tjera, stafi ynë jo vetëm flet shqip por edhe i njeh metodat bashkëkohore mësimore, njeh edhe psikologjinë e fëmijëve të lindur e rritur në Amerikë. 

Marjana Bulku: – Miqtë e shkollës shqipe “Children of the Eagle” sa rol, peshë dhe rëndësi kanë ato?

Drita Gjongecaj: Miqtë i kemi të shumtë dhe të çmuar dhe mund të themi pa frikë se miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të shkollës shqipe janë vetë prindërit. Prej tyre kërkohet një angazhim i madh që të gjejnë kohën t’i sjellin fëmijët në shkollë. Ata gjithashtu punojnë krahas mësuesve për të rrënjosur dëshirën për të mësuar shqip, për të mësuar rreth trojeve tona, historisë, etj. Misioni ynë është i tillë që kërkon angazhim kompleks përndryshe rezultatet nuk do jenë ato që presim. 
Në shtatorin e këtij viti shkollor, fëmijët, prindërit dhe mësuesit e shkollës Children of the Eagle patën nderin të vizitohen nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Gent Caka dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington, znj. Floreta Faber. Kjo është një shprehje e miqësisë, inkurajimit dhe vlerësimit të punës sonë. 
Miqtë e tjerë janë dashamirë që na mbështesin me mënyra të ndryshme, që nga vlerësimi dhe inkurajimi për të vazhduar punën tonë, njohja publikisht e arritjeve tona, aktivitetet e përbshkëta për sensibilizimin e komunitetit shqiptar, vënia në dispozicion e ambienteve për aktivitete të veçanta, etj. Mbështetje të konsiderueshme kemi pasur edhe me libra nga Konsullata e Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë ndonëse këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar krejt nevojat tona. Megjithëse relativisht e re, shkolla jonë ka marrë vlerësime të shumta për shërbim cilësor ndaj komunitetit shqiptar, si p.sh nga Misioni i Kosovës në NY, nga organizata Motrat Qiriazi, nga Festivali i 5të i shkollave shqipe, etj. Mbështetje financiare nuk kemi pasur deri tani e për këtë arsye fundraising është një nga burimet e pakta për të mbuluar shpenzimet përgatitore për mësimin apo aktivitetet me fëmijët, shpenzimet organizative, qiranë dhe siguracionin për ambientet e mësimit, etj. 

Marjana Bulku: -Identiteti i Children of the Eagle ? e dëshmon përkatësinë shqiptare qysh në emërtim, autenticiteti i saj vuloset edhe në kremtimin e një kalendari festiv që është tipik shqiptar, çfarë ka stacionuar te fëmijët kjo?

Drita Gjongecaj: Ju falenderoj që e sillni në bisedë edhe emërtimin e shkollës që është sa domëthënës edhe tipik shqiptar, edhe pse në anglisht. Duke i quajtur “Fëmijët e Shqipes” kemi bërë të mundur që nxënësit tanë ta përfaqësojnë dhe përcjellin me krenari simbolin e lashtë të shqiponjës edhe te bashkëmoshatarët e tyre jo shqiptarë në ambientet ku studiojnë, jetojnë, apo në aktivitete të shumta ku ata marrin pjesë. Po ashtu, kalendari festiv siç e quani ju, pasqyron identitetin tonë dhe përfshin data të shënuara që janë mësim më vete rreth historisë së popullit tonë. Po përmend vetëm disa që kanë lënë gjurmë në kujtesën e fëmijëve dhe prindërve: Me rastin e 11 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një grup nxënësish, prindër dhe mësues vizituan ambientet e Konsullatës së Kosovës, vizitë që është e barazvlefshme me një seri të tërë mësimesh të zhvilluara në klasë. Aty ishte e gjallë historia, arti, mikpritja tipike shqiptare, etj, etj.; vizita në Selinë e Vatrës, njohja më nga afër me përpjekjet për ruajtjen dhe përhapjen e shqipes, historia e diasporës, etj; projekti i hartuar me shumë dashuri nga fëmijët tanë me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, projekt që iu bë dhuratë Konsullatës në qershor të 2019; koncerti në Montessori School në Yonkers me rastin e Ditës së Flamurit; Festa e 1 Qershorit, e shumë të tjera. 
Të gjitha këto kanë vlerë të shumëfishtë, ato shtojnë krenarinë për identitetin tonë, mbajnë të ndezur dëshirën për t’u njohur më shumë me traditat e kulturën, përforcojnë njohuritë gjuhësore, etj. 

Marjana Bulku: – Një shkollë relativisht e re por me produkte cilësore që maten dhe prevalojnë në një ditë si kjo, çfarë i tërheq më shumë fëmijët që po rriten këtu; një ditë feste shqip, një ditë mësimi shqip, një tubim për kauza shqip? Apo diçka tjetër? 

Drita Gjongecaj: Festat janë më të dashurat për fëmijët. Aty zbaviten por edhe shpalosin krenarinë e tyre fëminore që janë shqiptarë dhe janë pjesë e programit të shqipes. Është për t’u admiruar dhe të jep emocion kur sheh që fëmijët e duan programin shqip. Entuziazmi u lexohet në sy dhe kupton se ata janë të ndërgjegjshëm që po bëjnë diçka më shumë se moshatarët e tyre dhe vinë me gaz çdo të shtunë e të dielë. Natyrisht që lumturohen kur kanë ato minutat e pushimit midis mësimit dhe aktiviteteve. Ajo u ka forcuar marrëdhëniet shoqërore, një shoqëri ndryshe nga ajo që gjejnë në shkollën e përditshme – e ndjejnë se kanë edhe diçka tjetër të përbashkët që ua shton dëshirën për të qenë pranë njëri-tjetrit. Këtu fillon edhe njohja dhe të pranuarit në mënyrë të ndërgjegjshme të identitetit tonë shqiptar. Kjo për ne mësuesit flet shumë. Na bën të mos i përfillim lodhjen as sakrificën që nuk është e vogël.  
Marjana Bulku: -Këtë vit për herë të parë Dita e gjuhës amtare do të nderohet me një festim gala me miqtë e shkollës shqipe “Children of the Eagle”. A do na zbuloni disa nga miqtë tuaj, ato më besnikët, dashamirêsit, admiruesit, përfituesit?

Drita Gjongecaj: Do ta filloja me z. Mark Gjonaj, Këshilltar i Qytetit të NY mbështetja e të cilit ka qenë esenciale. Mark Gjonaj ka përqafuar projektin e nisur nga organizata jonë, Albanian American Dual Language & Culture (AADLC), mbi hapjen për herë të parë në NY dhe krejt Amerikën të Programit Dy-Gjuhësor Anglisht – Shqip në shkollat publike. Mark Gjonaj e ka çuar projektin Dy-Gjuhësor në instancat më të larta të NY dhe ka siguruar miratimin zyrtar për futjen e shqipes në këto shkolla. Kjo është një arritje me shumë vlera për komunitetin shqiptar. Këtu dua të bëj një sqarim: Dual Language Program (Dy-Gjuhësia) nuk është programi i fundjavës që ne zhvillojmë me orë të reduktuara; ai është program i plotë që zhvillohet çdo ditë gjatë gjithë vitit shkollor, krahas lëndëve në anglisht. Shqipja përdoret në çdo lëndë përfshi edhe Matematikën apo Edukimin fizik, etj. 
Një mike tjetër e vyer është Ambasadore Teuta Sahatqija. Znj. Sahatqija është më shumë se një mbështetëse e programit tonë. Unë me të drejtë e quaj znj. Ambasadore, partneren tonë. Përveç librave që na ka dhuruar, znj. Sahatqija është bërë pjesë e Seminarit Shkencor të Gjuhës Shqipe. Për më tepër, Seminari i Dytë vjetor është zhvilluar pikërisht në ambientet e Konsullatës së Kosovës duke na bërë të ndjehemi “si në shtëpinë tonë” siç e cilëson vetë ajo. 
Nuk mund të lë pa përmendur këtu ndihmën që ju znj. Marjana i jepni AADLC dhe Children of the Eagle. Ju keni qenë pjesë aktive dhe keni kontribuar me referate në të dy seminaret e gjuhës shqipe, keni pasqyruar punën tonë në shkrime të ndryshme duke sensibilizuar komunitetin rreth punës sonë por edhe rreth diferencës në rezultat që sjell mësimi i shqipes në shkollë krahasuar me atë në familje. Është kënaqësi e veçantë që ju kemi anëtare në Bordin Këshillimor (Advisory Board) të shkollës dhe organizatës në tërësi. 
Vargu i miqve e dashamirësve është i gjatë, nuk mund t’i përmend të gjithë. Por një vend të veçantë zë edhe znj. Beti Beno, Presidente e organizatës prestigjioze “Motrat Qiriazi” dhe Federata Panshqiptare Vatra. 

Marjana Bulku: -Një seminar kushtuar gjuhës shqipe organizuar nga ju & miqtë e shkollës “ Children of the Eagle” në dy vitet e shkuara në dy vende simbol të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, selia e Vatrës dhe konsullata e Kosovës; pa dashur të zbulojmë shumë detaje si do jetë ky seminar gjuhsor i së ardhmes dhe cila ishte risia më e fundit?

Drita Gjongecaj: Seminari i sivjetshëm do të ketë më shumë shtrirje. Kolegë nga shkolla shqipe edhe jashtë New Yorkut do të sjellin përvojën dhe studimet e tyre. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi ynë zgjerohet dhe të gjithë përfitojmë nga shkëmbimi i experiencave dhe analizave shkencore studimore. Për më shumë detaje besoj do flasim një herë tjetër sepse deri atëhere nxënësit dhe mësuesit tanë do të kenë edhe më shumë veprimtari të cilat do shpalosen e shkëmbehen në takimin tonë të përvitshëm i cili përveç te tjerash ka si qëllim interaktivitetin e edukimit dhe përvetsimit të gjuhës tonë amtare edhe duke komunikuar së bashku si bashkëautorë të rëndësishëm të këtij procesi.

Dialoguan:Marjana Bulku
Drita Gjongecaj

Shkurt 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Gjuhes amtare, Marjana Bulku

VATRA: KOSOVË, GËZUAR PAVARËSINË !

February 17, 2020 by dgreca

FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” URON 12 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” u përcjell shqiptarëve në Kosovë dhe në Diasporë urimet më të përzemërta për përvjetorin e 12-të të Pavarësisë.Kjo ditë e bekuar është historike dhe Kombëtare dhe nuk u përket vetëm qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Dardaninë tonë, por në të gjitha trojet Kombëtare dhe në Mërgatë.

Vatra, e krijuar si nevojë historike për të mbrojtë Kombin Shqiptar dhe Trojet Kombëtare nga rreziku i zhdukjes, Vatra që i priu Pavarësisë Kombëtare, përcjell sot mesazhin e bashkimit dhe Unitetit Kombëtar.

Vatra përcjell në këtë ditë feste respekt e nderim për dëshmorët e Lirisë dhe për të gjithë ata që i rezistuan okupimit serb.

Në këtë ditë të shënuar Vatra, kujton me respekt e nderim arkitektin historik të Pavarësisë së Kosovës, mikun e vet, Presidentin e parë, Dr. Ibrahim Rugova. Falë meritave të dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian ku Republika e Kosovës synon të anëtarësohet.

Gjejmë rastin që të përshëndesim aktin bashkues që bëri në Ditën e Pavrësisë kryeministri i Kosovë Albin Kurti duke shkuar bashkë me Kryetaren e Parlamentit  Vjosa Osmani pranë varrit të Dr. Rugovës. Edhe në të ardhmen presim sinjale të tilla që na bashkojnë dhe nuk na përçajnë.

Nderojëm në ditën e festës Mërgatën në SHBA dhe Europë për kontributin e madh që dha për lirinë e Kosovës. Respekt për Batalionin Atlantiku, për Dëshmorët e Diasporës, Vezir Ademi dhe vëllezërit Bytyçi! Gjaku i tyrë është në themelet e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Në emër Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës, të degëve të saj në SHBA dhe në Kanada, si dhe në emër të të gjithë vatranëve Ju përcjell Urimin:

GËZUAR PAVARËSIA E KOSOVËS!

KRYETARI

ELMI BERISHA

Nju Jork, 17 Shkurt 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha- Urim- Pavaresia e Kosoves

KRYEMINISTRI KURTI: VLERËSIM PRESIDENTIT RUGOVA PËR LIRINË DHE PAVARËSINË

February 17, 2020 by dgreca

PRISHTINË, 17 Shkurt  2020-Gazeta DIELLI/ Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti tha: 

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës,  sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12-të të shpalljes së Pavarësisë, kujtojmë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 Maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë, me 4 Mars të vitit 2002, në Kuvendin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova rizgjedhet sërish President i Kosovës, kësaj radhe President i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për Liri dhe Pavarësi. U preftë i qetë e në paqe.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti-Vleresim per Rugoven

KOSOVA 12 VJET SHTET, FESTON SOT DITËN E PAVARËSISË

February 17, 2020 by dgreca

SPECIALE E DIELLIT NGA PRISHTINA/

-Njohja e Kosovës shtet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë nw 17 Shkurtin historik 2008, kur e njohu edhe Shqipëria…/

 -Ngjarjet më të rëndësishme nëpër vitet e Kosovës së Pavarur. Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta/

-Në 2020-tën festohet edhe 21 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Axhenda e festimeve për 17 Shkurt 2020/

  SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 17 Shkurt  2020/ Kosova feston sot 12 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.

Festa sot, në 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ka nisur me ngritjen e Flamurit, me nderim të Flamurit të Republikës së Kosovës, te selia kryesore e Qeverisë afwr Sheshit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, ku ishin së bashku Kryeministri Albin Kurti, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, komandanti i FSK-së ushtri, Rrahman Rama dhe përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para 12 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 116 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 12 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 12 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe shtatë palë zgjedhje të lira e demokratike, katër parlamentare dhe tre lokale.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016, ndërsa së fundi takimin e katërt e zhvilloi në Strasburg në 17-18 Janar 2018. 

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 12 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  Në 28 Dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur me këtë rast Presidenti Thaçi.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2020-tën festohet edhe 21 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. 

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

AXHENDA ZYRTARE E FESTIMEVE PËR 17 SHKURT 2020 – E DËRGUAR NGA QEVERIA E KOSOVËS:

12 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Axhenda e festimeve për 17 Shkurt 2020

08:00

Ngritja Flamurit

(Të pranishë dy udhëheqësit shtetërorë dhe KOMFSK, Garda ceremoniale bën ngritjen e flamurit, intonohet himni nga bendi i FSK-së)

Vendi: Oborri i ZKM-së

09:10

Vendosje kurorash te kompleksi memorial Adem Jashari

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë në Kompleksin Adem Jashari)

Vendi: Prekaz – Skenderaj

10:30

Vendosje kurorash te varri i ish – Presidentit Rugova

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova)

10:40

Vendosje kurorash te varri i Veprimtarit Adem Demaçi

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë te varri i veprimtarit Adem Demaçi)

Vendi: Varrezat në Velani – Prishtinë

11:00

Seanca solemne në Kuvendin e Kosovës

(Seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës nën kujdesin e SH. S. Znj.Vjosa OSMANI Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të pranishëm dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjes Rugova, deputetë të këtij legjislacioni dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë. Të pranishmëve iu drejtohet SH. S. Znj. Vjosa OSMANI)

Vendi: Kuvendi i Republikës së Kosovës

12:00

Vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës

Trupave të FSK-së iu drejtohen me fjalë përshëndetëse SH.S. Znj. Vjosa OSMANI, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe SH.T.Z Albin KURTI, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Vendi: Kazerma “Adem Jashari”

18:00

Pritje shtetërore me rastin e 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës

(Pritje për 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën kujdesin e

SH.T.Z Hashim THAÇI President i Republikës së Kosovës.
Të pranishëm udhëheqës të lartë shtetërorë, të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë.

Vendi: Bogdanipolis – Katedralja Shën NÊNË TEREZA

*Me shume fotografi gjeni ne Dielli vatra fb

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Kosova 12 jet-Pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT