• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MERGATA NIS FESTEN E PAVARESISE….

February 9, 2020 by dgreca

PAMJE MBRESËLËNËSE FESTIVE NGA QYTETI BADEN I AUSTRISË/

Nga: Besim Xhelili- Vjenë/Baden, 9 shkurt 2020/

SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden i Austrisë tashmë me vite të tëra tradicionalisht për nder të festave kombëtare, atë të “17 Shkurtit”, Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe atë të “28 Nëntorit”, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, por dhe në raste të ndryshme kohëpaskohe, sjell para bashkatdhetarëve dhe jo vetëm, një program të larmishëm dhe të pasur kulturor. Ajo është bërë një vatër e atdhetarizmit dhe qarkullimit ndërkulturor dhe ruajtjes së vlerave e traditës shqiptare në Austri.

Më 8 shkurt 2020 erdhi përsëri dita, kur SHKA “17 Shkurti” nga qyteti i Badenit në Austri ftoi bashkatdhetarët nga të gjitha viset e Austrisë, për një ndejë të përbashkët, për një çmallje mes njëri-tjetrit, për një kremtim plot krenari dhe kryelartësi të festës së Pavarësisë së Kosovës. Në skenë u paraqit një program madhështor me këngë e valle burimore shqiptare, këngë epike e kreshnike dhe recitime të ndryshme. U mbajtën fjalime mbi sakrificën e gjeneratave të tëra gjersa erdhi pavarësia, u rikujtuan dëshmorët dhe ata që ndihmuan në çlirimin dhe shtetngritjen e Kosovës dhe mbeti për t’u dëshiruar se bashkë me miqtë tanë, Kosova së shpejti do të futet në familjen e madhe dhe të lirë europiane.

Hapjen e manifestimit e bëri moderatorja Katrina Durmishi, e cila në shqip dhe gjermanisht udhëhoqi programin. Ajo përshëndeti të gjithë për mirëseardhje, të cilët kishin mbushur sallën dhe falënderoi pjesëmarësit për praninë e tyre, gjë që shumë e çmojnë anëtarët e shoqatës. “Prania e juaj sot këtu, tregon se shoqata jonë bën një punë të vyer dhe për lavdi, vajzat dhe djemtë që janë të kyçur në shoqatë, janë krenarë me prejardhjen e tyre dhe ballëlartë prezantohen sot para nesh”, shtoi ajo më tutje. Pastaj ajo prezantoi sponzorët e këtij koncerti, pa të cilët vështirë se do të realizohej ky aktivitet, si dhe falënderoi për praninë e tyre intelektualët, aktivistët dhe kryetarët e disa shoqatave shqiptare në Austri. Më pas ftoi ajo në skenë për një fjalë rasti përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të Organeve Bashkiake të Badenit, të cilët kishin nderuar me praninë e tyre organizatorin edhe atë si, Zv. Ambasadorin e Shqipërisë në Austri, z. Tonin Beci, Konsullen e Kosovës në Austri znj. Xheraldina Pufja, Deputeten e Parlamentit të Austrisë znj. Carmen Jeitler Cincelli, Eurodeputetin z. Lukas Mandl etj. Të gjithë ishin të mendimit se komuniteti shqiptar në Austri meriton fjalët më të mira, se shqiptarët janë një pjesë shumë mirë e integruar në shoqërinë austriake, se japin për çdo ditë kontributin e tyre për një bashkëjetesë mes përkatësive etnike në Austri dhe se njëkohësisht janë trashëgues të denjë të vlerave të tyre kombëtare, që i bën të veçantë, të çmuar dhe të nderuar.

Pas fjalëve përshëndetëse, u hap dera për atmosferën festive, të cilën e sollën para të pranishmëve grupi i angazhuar në program: Agron Nuredini, përgjegjës artistik, Tahir Turkaj e Afrim Rukolli, solistë, Arben Bunjaku e DJ Xheni, instrumentistë dhe këngëtarët Hamdi Hyseni, Xhafer Ahmetaj, Naxhije Nuredini dhe Syne Loshi. Me disa recitale u paraqitën nxënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, grupi i mësuesit Ibrahim Hasanaj. Këngëtarja e re Patricia Quku u paraqit gjithashtu me një këngë. Për vallet u përkujdesën grupi i valltarëve të shoqatës, udhëhequr nga koreografja Diellëza Turkaj.

Për ushqimet e shumëllojshme tradicionale ishte përkujdesur Furra “Hasi” nga qyteti i Badenit.

Manifestimi për nder të 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Baden, u përmbyll me një atmosferë të këndshme gazmore, duke vënë në pah se shqiptarët dinë të festojnë dhe argëtohen në qetësi, se janë një fis me një pasuri e pjekuri qytetare, se e duan gjuhën, kulturën dhe atdheun, por dhe se janë mikpritës e dashamirë ndaj kombeve të tjera. SHKA “17 Shkurti” falënderon të gjithë përkrahësit, mbështetësit e ndryshëm dhe ju uron 12-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Filed Under: Featured Tagged With: Besnik Xhelili-Festa ne Baden-Austri

GJERMANIA URON KRYEMINISTRIN KURTI

February 8, 2020 by dgreca

-Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin”, thuhet në letrën e Kancelares Merkel, dërguar kryeministrit Kurti, duke i uruar fat dhe shumë suksese në sfidat që ka përpara…/

Kancelarja Merkel uron kryeministrin Kurti/

-Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, uron kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti: Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin/

PRISHTINË, 8 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot telegramin e urimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, për marrjen e detyrës së re në krye të ekzekutivit, të cilën ia dorëzoi ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.  

Në urimin e Kancelares Merkel thuhet: “Para jush dhe qeverisë Tuaj ndodhen sfida të vështira dhe të rëndësishme, siç janë ndërtimi dhe forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimi i situatës ekonomike dhe, në veçanti, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këta janë hapat kryesorë për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit Tuaj. Qeveria Federale vazhdon ta mbështes Kosovën në këtë rrugëtim. Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin”, thuhet në letrën e Kancelares Merkel, dërguar kryeministrit Kurti, duke i uruar fat dhe shumë suksese në sfidat që ka përpara./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Merkel-Urime Kurtit

KORONOVIRUSI SHENON VIKTIMEN E PARE AMERIKANE

February 8, 2020 by dgreca

Tashmë është fakt. Një shtetas amerikan ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit të shtunën, derisa një shtetas japonez po ashtu ka ndërruar jetë si pasojë e virusit, derisa koronavirusi pritet të tejkalojë numrin e viktimave nga virusi SARS më 2002-2003.Qytetari amerikan 60 vjecar, i diagnostikuar me koronavirus, ka vdekur në një spital në Vuhan, ku edhe kishte shpërthyer virusi, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane.Një japonez i hospitalizuar me pneumoni në Vuhan, po ashtu ka ndërruar jetë si pasojë e virusit.Numri i viktimave në Kinë është rritur nga 86 në 722 të shtunën, sipas autoriteteve, derisa pritet të tejkalojë rekordin e virusit SARS që shënoi 774 viktima.

Nga nëntori i vitit 2002 deri në korrik të vitit 2003, numri i rasteve të raportuara ishte 8,098.Dy viktima janë raportuar në Hong Kong dhe Filipine, derisa 330 raste janë paraqitur në rreth 27 shteteve të botës. Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.Epiqendra e këtij virusi është në qytetin Vuhan të Kinës.

Filed Under: Featured Tagged With: Koronovirusi-viktima e pare-SHBA

“DIELLI” SJELL MESAZHE NGA PRISHTINA PËR BILBILIN E KOSOVËS, NEXHMIJE PAGARUSHA

February 7, 2020 by dgreca

-Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha/

-Para 6 viteve, pikërisht në 7 Shkurt 2014, Nexhmije Pagarusha qante per shuarjen e Vaçe Zeles “Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…” Fliste e qante këngëtarja për këngëtaren, e pyetur nga korrespondenti në Kosovë tani i Gazetës DIELLI/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shkurt 2020/ Bilbili i Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e lindur në 7 Maj 1933 në fshatin Pagarushë, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare, njoftohet sot.

 Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, për të cilën vlerësimet më të larta shprehen edhe në mesazhet e shumëta të ngushëllimit.

E vlerëson lart edhe media, duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha, ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit” dhe se “mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë”.

7 SHKURT 2014: QANTE KËNGËTARJA PËR KËNGËTAREN

Pikërisht para 6 viteve, në 7 Shkurt 2014, kam shkruar se  Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha qante për Vaçe Zelen që u shua një ditë më parë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare:

PËR VAÇE ZELEN SOT QANTE EDHE BILBILI I KOSOVËS

Prishtinë, 7 Shkurt 2014-Behlul Jashari/ Për Vaçe Zelen sot qante Nexhmija Pagarusha, u përgjigj me shumë lotë kur e pyeta si ndihet Bilbili i Kosovës në këtë ditë lamtumire nga Prishtina të Ikonës dhe Mbretëreshës së Këngës Shqiptare.

“Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…”, flet  këngëtarja për këngëtaren.

Dhe, si ta ngushëllojë veten vazhdon: “Është me mua Vaçja.Vetëm trupi i saj nuk është, se shpirti i saj është me mua…”

“E takimi i parë ju kujtoht sot?”, e pyesim Nexhmijen.

“Takimi i parë ishte në Shqipëri në vitin 1971. E kam parë në skenë, nuk më ka ndodhë kurrë në jetë dikush të shkëlqejë si ajo, shkëlqente njerëzimi, e mira e saj, shpirti i saj i shëndritshëm…Edhe kur e kam takuar nga afër më është dukur ashtu, më e bukura, më e mira…Unë kam takuar shumë njerëz, kam parë botën, por si Vaçja që më ka hyrë në shpirt nuk kam parë”, shprehet Nexhmija.

Dhe vijon gjithnjë mes lotëve: “I dua të gjithë njerëzit, më duan…Po ajo, Vaçja, është imja, dhe unë ate e mbajë në shpirt. Trupi i saj shkoi, por shpirti i saj është te unë. Ngushëllime gjithë Shqipërisë, gjithë Kosovës, gjithë kombit dhe gjithë njerëzve…”, shprehet Bilbili i Kosovës.

Nexhmija kujton komunikimin e saj të fundit me Vaçen. “Tash kur kishte dalë prej spitalit, që ishte katër muaj, bisedova edhe u gëzova shumë se më tha ishte më mirë…”

 Nexhmije Pagarusha, mes shumë artistëve, shumë njerëzve të pikëlluar kishin ardhur pasditen e sotme në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”  në Prishtinë për të pritur mbërritjen e trupit të pajetë të këngëtares së njohur shqiptare, Vaçe Zela, dhe për lamtumirën artistes së madhe.

Mes tyre ishte, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i cili tha se këtu në Prishtinë plotësohej amaneti i fundit i Vaçe Zelës. “Siç më thanë edhe motrat e saj, ka kërkuar vetë Vaçja që të kalojë nëpër Kosovë, drejt Shqipërisë… Me zërin e saj, me shpirtin e saj, i ka kënduar këtij vendi, i ka kënduar kombit tonë…”, tha ambasadori shqiptar Lauka.

Si një yll, Vaçe Zela, u shua dje në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 75 vjeçare.

NGA ARKIVI

4 Maj 2010: KOSOVË – NEXHMIJE PAGARUSHA DEKOROHET ME  ÇMIMIN “ARTISTE E MERITUAR”

PRISHTINË, 4 Maj 2010- B.Jashari/.- Nexhmie Pagarusha, e njohur edhe si “Bilbili i Kosovës”, u dekorua sot nga  Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.

Dekorata u dorëzua sot solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës.

Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksoi se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.

“E përkushtuar gjithë jetën për të  ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese  e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohet në arsyetim.

Po ashtu vlerësohet se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.

Presidenti Sejdiu e dekoroi znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në  bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.

27 Nëntor 2012: “NDERI I KOMBIT” PËR NEXHMIE PAGARUSHËN

     TIRANË, 27 Nëntor 2012/ATSH/.- Presidenti Bujar Nishani nderoi të martën me Urdhrin “Nderi i Kombit” këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha, me motivacionin: “Artistes së shquar me zë të rrallë dhe interpretim virtuoz, që i dha shpresë dhe besim popullit shqiptar të Kosovës në vitet e vështira të pushtimit serbomadh dhe që i shtoi vlera dhe cilësi të reja kulturës shqiptare, duke u bërë pikë e rëndësishme referimi në historinë e saj”.
     Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ku ishin të pranishëm personalitete të artit dhe kulturës shqiptare,
Presidenti vlerësoi veprën e madhe kulturore dhe artistike të zonjës së madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha.
     “Gjatë 100 viteve, ne shqiptarët kemi qenë të pushtuar e të ndarë, por kulturën e këngën kurrë nuk mundën ta izolojnë, ta pengojnë, apo ta ndrydhin. Për ne është fat që, veçanërisht në momentet e vështira të izolimit, mesazhi përmes artit, përmes shpirtit të zonjës së madhe Nexhmie Pagarusha, ishte ndër gjërat e pakta që na mbante gjallë shpesën për të qenë një ditë pranë njëri-tjetrit”, u shpreh Nishani.
     Artistja e madhe, me fjalët e saj i emocionoi të pranishmit, ndërsa përcolli urimet më të mira për ditën e gëzueshme të 100-vjetorit të Pavarësisë. /a.s/ /m.m/

PRESIDENTI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI: NDARJA NGA JETA E NEXHMIJE PAGARUSHËS ËSHTË NJË HUMBJE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  shkruan:

Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.

Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH

KRYEMINISTRI I KOSOVËS, ALBIN KURTI: SOT PËR TY TË GJITHË I KEMI SYTË E NJOMË!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar sot:

Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë!

Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve.

Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra.

Ngushëllime të gjithë artdashësve. Kjo është humbje e madhe për gjithë popullin e për muzikën.

KRYETARJA E KUVENDIT TË KOSOVËS, VJOSA OSMANI: KËNGËT E NEXHMIJE PAGARUSHËS DO TË MBETEN VLERË E PATJETËRSUESHME E IDENTITETIT TONË

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, i ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjes Pagarusha, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.

 “Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. 

Nga “Baresha” te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.  

Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.  

Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithëherë të pranishme në kujtesën e brezave.

Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetares së Kuvendit, dr. Osmanit. ​

TELEGRAM NGUSHËLLIMI I MINISTRES SË KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT VLORA DUMOSHI


E nderuara familje Pagarusha,
Me dhimbje dhe pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurës suaj dhe këngëtares sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës.

Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet.

Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu, ajo u bë ikonë e Kosovës moderne, duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë.
Prandaj, ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.

Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për  brezat e ardhshëm.
Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës.

Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor. 

Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi,
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Nexhmija Pagarusha-Biblbili i Kosoves

SHOQATA “SKËNDERBEJ” NË NEW YORK FEDEROHET NË VATËR

February 7, 2020 by dgreca

Të Mërkurën pasdite, 5 Shkurt 2020, në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” erdhën për të uruar kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha kryesia e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane”Skënderbej INC” e kryesuar nga Kryetari Mark Qehaja, presidenti i nderit Bashkim Shehu si dhe anëtarë të kryesisë. Kryetari Qehaja uroi z. Berisha për detyrën e re që i besoi Kuvendi i vatranëve dhe garantoi bashkëpunim e mbështetje prej shoqatës së tij.

– Ne, tha Qehaja, e kemi ndjerë veten nën ombrellën e  Vatrës dhe kemi bashkëpunuar me kryetarin Mishto. Edhe tash vijmë këtu për të dhënë mbështetjen tonë dhe për të shprehur dëshirën për bashkëpunim.

        Kryetari Qehaja përshkroi qëllimet e shoqatës që mbanë emrin e Heroit Kombëtar,duke thënë se në fokus të saj mbeten ruajtja e Identitetit Kombëtar, Kulturës dhe gjuhës shqipe, promovimi i vlerave historike dhe traditave, si dhe promovimi i vlerave dhe figurave historike kombetare të ndaluara gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri etj. Ai evidentoi vlerat që solli Simpoziumi shkencor, që u organizua nga kjo shoqatë në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” zhvilluar në Qendrën “Nëna Terezë”, kushtuar At’ Gjergj Fishtës. Ndërsa për ruajtjen e gjuhës dhe përcjlljen e vlerave tek fëmijët dhe brezi i ri, ai evidentoi punën e plaodhur të Kozeta dhe Qemal Zylo, pjesë të shoqatës, të cilët krahas televizionit mbajnë dhe shkollat shqipe në New York.

Presidenti i nderit, Bashkim Shehu, e garantoi kryetarin Berisha se Shoqata e sheh veten të federuar në Vatër, duke ruajtur identitetin e saj si Shoqatë.

-Ju, tha ish zv. ministri i mbrjojtjes i Qeverise dmeokratike 1992-96, jeni dhe kryetari ynë.

Një përshëndetje të veçantë e urim i ka drejtuar kryetarit të Vatrës edhe nën/kryetari i shoqatës Imer Laçaj, anëtarja e kryesisë Alketa Veshi, anëtari i kryesisë Gleni Nutaj dhe aktivisti Genti Veshi.
Keze Kozeta Zylo, e përgëzoi z. Berisha, dhe e quajti historike ardhjen për të parën herë në 108 vite histori në krye të Vatrës të një bashkatdhetari nga Kosova. Ne , tha ajo, e shohim Vatrën si institucion kombëtar, me vlera historike. Unë, theksoi Zylo, jam mbesë Vatrani dhe nga fshati im ishin këtu 23 vatranë Mezhgoranas. Unë kam shumë besim, shtoi ajo, që Vatra do të ngrihet në lartësinë e kolosëve të saj themelues Noli e Konica.E falenderoj ish kryetarin Mishto, i cili ishte mbështetës i fuqishëm i shkollave, që ne mbajmë për më shumë se një dekadë.

Kryetari  Berisha i falenderoi mysafirët për vizitën dhe urimet e ngrohta që i përcollën. Ai informoi ata për atmosferën demokratike të Kuvendit të Vatrës në Teqen e Baba Rexhebit në Michigan me 19 Janar. Ne ishim dy kandidatë, tha ai, dhe me dy platforma, me një synim të përbashkët-forcimin dhe gjallërimin e Vatrës, u përfshimë në një garë demokratike, ku mirëkuptimi i shërbeu ardhmërisë së Vatrës. Ish Nënkryetari Agim Rexhaj u votua për President Nderi, ndërsa unë për Kryetar i Vatrës. Në vizionin tim dhe ekipit që më shoqëron, Vatra do të ngrihet në standartet e Shekullit që jetojmë, Shekullit XXI.

Kryetari i Vatrës tregoi se si mendon që të bashkëpunojë me komunitetin në qëllimin e përbashkët për t’i shërbyer çështjes Kombëtare, se si do ta afrojë Vatrën në Washington, si do të bëhet Vatra -Vatër e ngrohët edhe për brezin e ri, fëmijët tanë, si do të shtohet numri i femrave etj. etj.

Kreu i shoqatës Mark Qehaja i dhuroi Vatrës një punim artistik me portretin e Heroit Kombëtar.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Shoqata Skenderbej- Vizite ne Vater-Kryetari Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT