-Kryeministri Kurti: Jemi të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit/
-Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore shqiptare-kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës/
-“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në 16 Shkurt 1970/
-Universiteti i Prishtinës ndan 50 mirënjohje për personalitetet që dhanë kontribut të veçantë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 13 Shkurt 2020/ Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon sot jubileun e 50 vjetorit të themelimit të vlerësuar ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithë kombin shqiptar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës.
Para të pranishmëve të shumtë, rektorë të Universiteteve Publike të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë, dhe personalitete të tjera, kryeministri Kurti, tha se historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. “Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu, kryeministri Kurti theksoi se më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore shqiptare-kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte, në 16 Shkurt 1970, kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, më të cilat u shtyp edhe abetarja e parë në gjuhën shqipe në Kosovë në nëntor 1946.
“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografinë e gazetës historike.
Universiteti i Prishtinës i posathemeluar kishte Fakultetin Filozofik, Fakultetin Juridiko-Ekonomik, Fakultetin Teknik dhe Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa tani ka 17 fakultete.
Kosova shtet i pavarur nga 17 Shkurti historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.
FJALA E KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI NË KONFERENCËN E REKTORËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË KOSOVËS:
Është kënaqësi dhe privilegj të jem këtu me ju sot, në këtë moment të arritjes historike të Universitetit të Prishtinës.
Historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit.
Kështu, më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur, vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.
Sa më shumë që rritej presioni nga regjimi i atëhershëm për ndalimin e studimeve tona, aq më shumë kërkonim liri për të studiuar, e sa më shumë që studionim aq më shumë e ndjenim mungesën e lirisë.
Kështu, masat e dhunshme të Qershorit të vitit 1991 për të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe do të sfidoheshin me shkollat-shtëpi, me shtëpitë-shkolla, me Universitete nëpër shtëpi ashtu siç më 1997 do të sfidohej i gjithë regjimi shtypës.
Në gusht të vitit 1991, Gani Bajrami kishte dërguar një letër organeve të dhunshme të Fakultetit të Makinerisë në Prishtinë, duke përfunduar me fjalët, po citoj: “Mos harroni se për fatin e një populli pa vullnetin e tij mund të vendoset me forcë vetëm për një kohë e jo edhe për gjithë ”. Bajrami ishte inxhinier i diplomuar dhe asistent.
Kështu edhe ndodhi, e kështu ndodhë sepse vullneti i popullit nuk imponohet.
Sot kur kremtojmë 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, aq sa e kujtojmë me shumë nderim themelimin, po aq edhe rifillimin. Sepse, rifillimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1991 nuk ishte më pak i vështirë sesa ai i themelimit në vitin 1970.
E në këtë vit të reflektimit e festimit të Universitetit për këtë gjysmëshekulli, është mirë të kujtojmë e nderojmë një nga figurat kyçe të tij, i cili refuzoi nënshtrimin dhe imponimin e të tjerëve mbi Universitetin. Atë, i cili i dha shumë vendit e pa të cilin Universiteti nuk do të ishte i tillë. Në këtë vit, më 16 prill, profesor Ejup Statovcit do t’i shënohet 80- vjetori i lindjes, e ne si institucione e kemi për obligim që ta nderojmë figurën e tij ashtu siç ai e meriton. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta.
Në vitin 1997 unë isha student i Fakultetit të Elektroteknikës, njëjtë sikurse shumë studentë tjerë të cilët ishim të vetëdijshëm për padrejtësinë e kohës në të cilën po jetonim, për zërin e brendshëm që thërriste secilin nga ne për ndryshim dhe për detyrën që ndjenim ndaj vendit. Ne bëmë atë që ishim, studentin, porsi pararendësit tanë të rinj në vitin 1968, 1981 e në vitet 1989, ‘90 e ‘91.
Në këtë kuptim, sa herë që rikthehem tek profesorët, unë e mësoj atë që e di, se kam dalur nga Universiteti, po Universiteti nuk ka dalur asnjëherë prej meje.
Të nderuar të pranishëm,
Liria ka kuptim vetëm kur ka drejtësi. Liria pa drejtësi është robërim i llojit tjetër. Nëse deri dje padrejtësia qëndronte në mohimin e lirisë nga jashtë, sot padrejtësia qëndron në keqpërdorimin e lirisë nga brenda.
Pasurimi i pakicës në kurriz të shumicës, varfëria e pabarazia shoqërore, sistemi gjyqësor joefikas dhe mungesa e shanseve të barabarta i humbin kuptimin lirisë dhe krijojnë padrejtësi të vazhdueshme përbrenda nesh.
Kjo është sfida e shoqërisë tonë sot, sfidë të cilën Universiteti i Prishtinës duhet ta adresojë e ta përmbushë në gjysmën e dytë të shekullit të saj.
Pra, nuk gaboj nëse them që teksa në gjysmën e parë të shekullit të tij, Universiteti ka përgatitur gjeneratat që i kanë shërbyer vendit për çlirim, në gjysmën e dytë, Universiteti duhet të përgatitë gjeneratat për zhvillim.
Kjo është sfida jonë e përbashkët.
Nëse më herët diploma që merrje të përcaktonte vendin e punës, sot vendet e punës e përcaktojnë edhe diplomën që duhet të marrim.
Ky ndryshim që ka ndodhur në fushën e arsimit e të punësimit duhet të reflektohet në Universitetin e Prishtinës si prijës i Arsimit të Lartë Publik, si një vend në të cilin edhe prodhohet dija, përveçse konsumohet ajo.
Shteti e ka për detyrë të krijojë dhe ofrojë kushtet dhe mundësitë e barabarta, kurse Universiteti duhet të garantojë cilësi në arsim dhe garën për dije dhe dijen si vlerë.
Pra, le t’i ndajmë detyrat dhe përgjegjësitë dhe jam i sigurt që suksesi është i garantuar.
Ne, në këtë mandat do të rrisim investimet dhe do të bëjmë reformat në arsim, por së pari duhet të dimë se ku jemi. Besoj që të gjithë pajtohemi se për momentin gjërat nuk janë aq mirë, se ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për reformë e cila e përgatitë Universitetin për t’u përballur me sfidat e kohës sonë.
Koha është tash dhe ky është momenti që kemi pritur. Kurrë nuk ka pasur qeveri më të interesuar, e më të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit.
Urime të nderuar profesorë, për arritjet që keni bërë dhe suksese për vitet që vijnë.
Urime 50-vjetorin, edhe shumë 50-vjetorë të tjerë!
JAVA E UNIVERSITETIT: NË 50 VJETORIN E TIJ, UP-JA NDAN 50 MIRËNJOHJE PËR PERSONALITETET QË DHANË KONTRIBUT TË VEÇANTË
50 personalitete që dhanë kontribut të veçantë në Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përgjatë pesë dekadave u shpërblyen me mirënjohje për nder të 50 vjetorit të themelimit të UP-së.
I pari i universitetit, prof. dr. Marjan Dema, tha se secili që e do vendin, e do Universitetin e Prishtinës, sepse UP-ja e bëri këtë shtet.
“UP-ja, si institucioni madhështor arsimor, shkencor dhe kulturor në vend, nuk do të ishte i tillë pa kontributin e pashembullt të personave që ndërtuan historinë e këtij institucioni. Universiteti nuk do të mbijetonte pa guximin dhe këmbënguljen e profesorëve që në atë kohë ligjëruan nëpër shtëpi – shkolla, të cilat për një kohë të gjatë zëvendësuan sallat e fakulteteve. E kjo nuk do të ishte e mundur pa dëshirën e qindra atyre kryefamiljarëve që me lëshimin e shtëpizave për mësim, rrezikuan edhe ekzistencën e tyre, më dëshirën e vetme që fëmijët tanë të vazhdojnë studimet”, tha rektori Dema.
Idriz Ajeti, Aton Çeta, Sadete Mekuli dhe Feriz Krasniqi u shpallën anëtarë nderi të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në emër të personaliteteve që morën mirënjohje një fjalë rasti e tha ish – profesoresha Drita Statovci.
“Sa mirë është të punohet me nder vullnet e përkushtim dhe sa mirë është kur dikush që është kompetent për këtë punë e vlerëson punën tënde”, tha Statovci.
Në fund të ceremonisë solemne pjesëmarrësit patën mundësi të argëtoheshin me performancën muzikore të studentëve tanë të Fakultetit të Arteve.