• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lahuta, Eposi i Kreshnikëve dhe UNESCO

December 24, 2018 by dgreca

-Dorëzimin qeveritar të Dosjes qeveritare të Eposit të Kreshnikëve duhej ta bënte Tirana, më 2013, me pëlqimin qe­v­eritar të Prishtinës, por pëlqimin nuk e pati. Kosova as sot nuk e ka statu­sin e anë­tarit në UNESCO, prandaj atje nuk shkon dot as tash me Tiranën së bashku. Por, as tash nuk është vonë që këtë ta bëjë Tirana, natyrisht, me pëlqimin qeveritar të Prishtinës, sepse Tiranës nuk bën t’i mo­­ho­het asesi kjo e drejtë, kur dihet fort mirë se është pasuri e përbashkët e kombit shqiptar./

1 a zymerneziri-660x3301 aa lahuta trashigimia

Reagim nga Zymer U. Neziri/

Po, ishte lajm i keq ky i tashmi për regjistrimin e nominimit të lahutës si pasuri serbe në UNE­S­CO. Ndo­në­se ajo e ka vendin aty, në UNESCO, nuk është edhe pasuri vetëm e një po­pu­lli. Vlerësuesit e projektit kanë vepruar edhe politikisht në sesionin e 13-të të Komitetit Ndër­qe­veritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Jomateriale, ose kanë qenë të lajthitur, lidhur me lahutën ndër­kulturore, por jo edhe me këngën serbe, ku u bë regjistrimi i nomini­mit të projektit  “Të kën­d­u­arit me lahutë’’, paraqitur nga Serbia, në Listën Përfaqë­su­ese të Tra­shë­gi­m­isë Ku­­­lturore Jo­ma­teriale të Njerëzimit.

Lahuta nuk është instrument muzikor vetëm i serbëve. ’’Këndimi me lahutë, një instrument i thje­­shtë me tela, është një art antik i këndimit të poemave epike heroike, të praktikuara për shek­uj si një formë e kujtesës historike dhe e shprehjes së ide­n­titetit kulturor”, thuhet në dekl­ar­atën e UNESCO-s. Pra, del se nuk ka të tjerë aty, kur flitet për ‘’poemat epike heroike’’ dhe për ‘’ide­n­titetin kulturor’’. Ashtu nuk është, sepse janë disa popuj që sot e përdorin la­hu­tën, me disa da­ll­ime nga njëra-tjetra. Lahuta, si vegël e vjetër kordofone me një tel, ka pa­­­sur për­ha­pje në Ev­ropë e jashtë Evropës. Dësh­mi janë edhe em­rat e saj në gjuhët e disa po­pu­jve evro­pi­anë dhe aziatikë. Por, meritore duhet të konsiderohet fjala e ekspertëve të veglave mu­zi­kore po­pu­llore.

Shqiptarët e përdorin lahutën në pesë shtete të Ballkanit: Shqi­përi, Kosovë, Maqedoni Perëndi­mo­re, si dhe në viset shqiptare në Serbi e në Mal të Zi, sidomos për shoqërimin e kën­gëve të Epo­sit të Kresh­ni­këve, kryevlerë e gjallë e krijimtarisë gojore shqi­ptare dhe evropiane.

Lahutën e kanë vlerësur edhe etnomu­zi­klo­gët tanë të njohur, Ramadan Sokoli, Pirro Miso, Ferial Daja, Rexhep Munishi, Vasil Tole, Nikolla Ska­ll­da­feri (Nicola Scaldaferri), Spiro Shituni, Sokol Shupo, Albin Sadiku, epikologët Maksimilian La­m­b­erc (Maximilian Lambertz), Mill­men Peri (Milman Parry), Allbert Llord (Albert Lord), Er­n­est Koliqi, Qemal Haxhihasani, Anton Çe­tta, Veis Sejko, Enver Mehmeti, Dejvid Ellmer (Da­vid Elmer), Agron Xhagolli, Zeqirja Neziri, Shaban Sinani, Rigels Halili etj.

Te shqiptarët, nderimi për lahutën është i madh. Ekziston edhe kulti ndaj lahutës. Dhe, ajo zbu­ku­ro­het me gdhendjen e figurave të njohura mitike nga periudha e Antikës, e kulteve ilire të gjar­prit dhe të kokës së dhisë. Zbukurimimi i saj bëhet edhe me figura të njohura historike të pe­ri­u­dhës së Mesjetës, me por­tretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit, për të shtuar krenarinë e dë­gj­u­e­sve të këngëve epike me bëmat e fam­sh­me të fitoreve të popullit shqiptar, para rreth gjashtë she­kujsh, me Skë­nd­erbeun në krye. Ajo zbukurohet edhe me flamurin kombëtar, ose me portrete të fi­gurave të shqu­ara të dy shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari. Ajo e ka vendin më të rë­ndësishëm në odën e bu­rrave. Varej mbi oxh­ak dhe asgjë tjetër nuk varej mbi të.

Lahutarët tanë kanë kënduar edhe mbi dhjetë mijë vargje të kreshnikëve. Në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës ruhet fondi i dy lahutarëve të tillë rugovas, forma e kënduar dhe shkri­mo­re, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, Haxhi Meta-Nilaj dhe Isuf Selmani-Kuklecaj, që kishin në repertor mbi 10 mijë vargje. Lahutarë të mëdhenj ishin edhe Sokol Martini (Mërtur), Shaban Groshi (Ru­go­vë) e Gjokë Nonaj (Lezhë). Hapave të tyre kanë vazhduar Isë Elezi-Le­kë­gjekaj (Rugovë), Rrok Prenkoçaj (Malësi e Madhe), Fehmi Rama-Nishefci (Gallap), Kadri Zymeri (Ka­ra­dak) etj. Fondi arkivor i këngëve të kreshnikëve, në Tiranë, Prishtinë, Harvard etj. është rreth 600 mijë vargje (1897-2016). Fatkeqësisht, vetëm në Prishtinë, në IAP, janë 27 vëllime të pa bo­tu­ara (Fondi ZUN).

Interesim kanë treguar edhe studiuesit e Universitetit të Harvardit, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, për lahutarët tanë të Sa­n­xh­a­kut të Pazarit, të Rugovës, të Plavës e të Gucisë, të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Nikajve e të Merturit, të Malësisë së Gjakovës, të Rrafshit të Dukagjinit etj. Për këto këngë janë shkruar disa disertacione doktoratash në Padovë, Columbia (Nju-Jork), Harvard (Kem­b­rixh), Prishtinë, Tiranë, Varshavë etj. Nga Harvardi e deri në Pekin janë mbajtur ligjërata ose kumtesa për to. Janë shkruar qindra studime, e ndër to janë mbajtur mbi 200 kumtesa vetëm në tri ko­n­fe­renca shkencore ndërkombëtare për këto këngë epike heroike legjendare, në krye me Gjeto Basho Mu­jin dhe Sokol Halil Agën: Tiranë (1983) dhe në Prishtinë ( 2010 e 2014).

Eposi i  Kresh­ni­këve sot është është ndër të vetmet epose heroike të gjalla në epi­kën evropiane. Se këto këngë jetojnë, kur shumë epika të mëdha të Evropës janë shuar, kjo u dëshmua edhe me projektin tonë hulumtues shkencor E5, 2012-2016, në Ballkan, që solli 15 vë­ll­ime të reja të Eposit të Kreshnikëve në arkivin e fondit ko­mbë­tar, nga rreth 300 rapsodë e tregimtarë në pesë shtete të Ballkanit. Projekti u vlerësua nga Europa No­stra në Madrid, në maj 2016, me Mendim Special, në kategorinë hulumtim. Ky projekt është pjesë e Dosjes për nominimin e këtyre këngë­ve në UNESCO, në Listën Përfaqësuese të Trash­ë­gi­misë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Dosja qeveritare e kryer e Eposit të Kreshnikëve, në fillim të vitit 2013, e planifikuar më 2008 dhe e nisur më 2009 në Ins­ti­tutin Albanologjik të Prishtinës, u realizua nga ekipi i ekspertëve të Prishtinës dhe të Tira­nës, akad. i asoc. prof. dr. Shaban Sinani, akad. prof. dr. Vasil Tole dhe prof. dr. Zymer Neziri (kry­e­s­u­es), por nuk u dorë­zua në UNESCO, para afër 6 vjetësh. Dosja i ka të gjitha argumentet se Eposi i Kreshnikëve duhet te shpallet vlerë e Trashëgimisë Ku­ltu­rore Jo­ma­teriale të Njerëzimit në UNESCO, kurse institucionet tona duhet të punojnë ba­shkë edhe në pro­jekte të tjera të trashëgimisë jomateriale për UNESCO, siç janë gjama e burrave, xhu­bleta, fustanella, disa veshje krahinore të Veriut e të Jugut, disa valle epike e lirike etj.

Dorëzimin qeveritar të Dosjes qeveritare të Eposit të Kreshnikëve duhej ta bënte Tirana, më 2013, me pëlqimin qe­v­eritar të Prishtinës, por pëlqimin nuk e pati. Kosova as sot nuk e ka statu­sin e anë­tarit në UNESCO, prandaj atje nuk shkon dot as tash me Tiranën së bashku. Por, as tash nuk është vonë që këtë ta bëjë Tirana, natyrisht, me pëlqimin qeveritar të Prishtinës, sepse Tiranës nuk bën t’i mo­­ho­het asesi kjo e drejtë, kur dihet fort mirë se është pasuri e përbashkët e kombit shqiptar.

Pra, nga ky lajm i keq për regjistrimin e lahutës në UNE­S­CO si pasuri serbe e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, besoj shumë se mini­stri­të tona të Kulturës në Tiranë e në Prishtinë dhe institucionet përkatëse tashmë kanë marrë edhe mësim të mirë.

Filed Under: Featured Tagged With: dhe UNESCO, Eposi i Kreshnikëve, Lahuta, Zymer U. Neziri

Kosovë-LDK shënon 29 vjetorin e themelimit

December 23, 2018 by dgreca

-“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990/

1 a LDK-sot-manifestim-2

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Shënon sot 29 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës – pavarësinë.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në 29 vjetorin e themelimit, Lidhja Demoratike e Kosovës sot në mësditë mbajti një manifestim festiv, ndërsa paradite Kryesia bashkë me strukturat e partisë i bënë homazhe Presidentit historik Rugova.

“Në motin e ndryshimeve të mëdha historike që kishin përfshirë mbarë Evropën, më 23 dhjetor 1989 në ish-shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, me në krye shkrimtarin dhe kritikun unik të letrave shqipe, intelektualin e urtë, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

LDK është partia e parë e themeluar si lëvizje demokratike në botën shqiptare dhe në këtë pjesë të Evropës e të botës pas Luftës së Dytë Botërore”, është shprehur kryetari, Isa Mustafa.

 Para 13 viteve, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, të fundit që Rugova e shënonte, ai ritheksonte se partia që e drejtonte që nga fillimi “objektiv qendror e ka njohjen e pavarësisë më të shpejtë të Kosovës nga miqtë tanë”.  Atëherë, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, Rugova priti kryetarët e degëve të partisë në Kosovë dhe diasporë në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: 29 vjetorin, Behlul Jashari, LDK feston

GËZUAR DITLINDJEN MARASH MRNAÇAJ!

December 21, 2018 by dgreca

 

Kalendari i Gazetës “DIELLI” më solli në kujtesë se 21 Dhjetori është Ditëlindja e një prej ikonave të nacionalizmit shqiptar, e Kelmendasit patriot, Marash Mrnacaj. Nuk ka rëndësi nëse është 92 vjec sa c’dëshmon Kujtesa e Tij apo e bashkëshortes Mrije, apo 97 sa c’thotë Kujtesa e Facbook-ut dhe dokumentacioni i Marashit, rëndësi ka fakti se 21 Dhjetori është Ditëlindja e Tij, prandaj nga zemra e Urojmë:  GËZUAR DITLINDJEN MARASH MRNAÇAJ!

1 Happy1 Marashi qesh6-marash-i-egzuar1 Marashi flet 21 pa mua9 me mbesa e niperMrija e Marashi13 Pjetri, Marku1 a Hymnet

Vitet e shkuara Ditëlindja e tij është organizuar nëpër restorante të njohura, madje edhe me pjesmarrjen e artistëve kelmndas, në 21 Dhjetorin e 2016 shkuan në shtëpinë e tij për ta festuar edhe Kryetari i Vatrës Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij të Vatrës, ndërsa sivjet ai ndodhet i rrethuar nga dashuria e familjarëve te tij…

Bashkë me urimin e Ditëlindjes VATRA dhe DIELLI i urojnë Marash Mrnacaj shërim të shpejtë!

Për të risjellë në kujtesë historinë e rrallë të tij, po sjellim nga arkivi i Diellit shkrimin e mëposhtëm:

***

HISTORI E RRALLË SHQIPTARO-AMERIKANE: FAMILJA KELMENDASE, MES DIKTATURËS SHQIPTARE DHE DEMOKRACISË AMERIKANE

*  Familja Mrnaçaj, mes Kelmendit dhe Amerikës, përballja me Diktaturën komuniste…

* Arrestimi i Nikollë Mrnaçaj,arratisja e familjes Mrnaçaj në ish Jugosllavi me dy pleqtë 90 vjeçarë, dy fëmijët 9 muajësh e 3 vjeç, me bagëti e mushka.

* Historia e Nënë Mrikës, që mori shtetësinë amerikanë në moshën 111 vjeçare dhe arrestimi i dytë i Nikollë Mrnaçajt në Savër të Lushnjës.

* Vdekja e Nikollës me 20 Janar 1989 pas 20 vjetë burg, e 20 vjetë internim, protestat në Amerikë, vdekja misterioze me 22 Janar 1990 e Nik Mrnaçajt, nderimi i përvitshëm i Heroit në Ditën e Lirisë Shqiptare në Nju Jork.

NGA DALIP GRECA

5 dalipi interviste ok

DITELINDJA E MARASH MRNAÇAJ, SI SHKAS

Të Dielën, me 18 Dhjetor 2016, tek shtrohej me bujari “Sofra e Kelmendit” në Eastwood Manor, në Bronks,NY, organizatorët kelmendas kishin përgatitë një surprizë për të parin e familjes Mrnaçaj, Marashin: Një Tortë për 90 vjetorin e Lindjes. U emocionua Marashi, Mrija, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat, dhe e gjithë familja e madhe Mrnaçaj,që si çdo vit ishin pjesë e Sofrës kelmendase, plotë këngë epike e valle të traditës.

          Të Mërkurën e 21 dhjetorit, në Zuppa Restaurant në Yonkers, u mblodh familja e madhe dhe miqtë, të gjithë së bashku e festuan 90 vjetorin e lindjes së tij.

…Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)… Kur, më mirë se tani që përjeton 90 vjetorin e lindjes, më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….

…Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka  të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….

Trokas në memorien e  këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e  jetës së tij…

Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….

– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…

Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e  ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…

Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e  forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.

–   Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur  forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.

Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë….

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:

– Kam një fjalë me ty, Nikollë!

Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?

– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….

– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.

Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…

…Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.

– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.

– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.

Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.

Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.

Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!

Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.

Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati  90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!

Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi.

Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…

E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….

Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.

-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…

Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim.  Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.

Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.

UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.

– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë  grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua  biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?

-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.

-Sa larg e ke kufirin?

– Një orë,- i është përgjigj Marashi.

– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…

– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….

Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…

Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…

Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.

HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS

Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg  prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.

Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.

DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ

Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkëudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.

Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.

Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…

Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.

Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.

Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha  i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Gezuar ditelindjen, Marash Mrnaçaj

RRUGA E ATJONIT DHE “DIELLI” NË “VATRËN” E AMERIKËS

December 21, 2018 by dgreca

 

1 Rruga e Atjonit

Tani në Tiranë ka një rrugë me emrin “Rruga e Atjonit”, e cila bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, emrat e të cilëve i ndan një shekull në mes.             

Faik Konica, dihet nga të gjithë, është rilindasi i madh dhe kritiku më i mirë i Doktrinës së Rilindjes, ambasadori i shkëlqyer. i Shqipërisë në Washington, i pa arritshëm për ato që arriti, ndërkohë dhe themeltar i “Vatrës” në krah të Nolit, me “Diellin” e tyre që u krijua për më shumë dritë mendjes së sqiptarëve.                                                                                                                   Atjoni 19 vjeçar, “Studenti i përhershëm”, siç e njohin shokët dhe shoqet e brezit të tij, një i ri me dëshira të mëdha, që donte jetën dhe gëzimet e moshës, nismëtar në veprime, i dashur dhe i bukur, me një buzëqeshje “kryevepër” siç thonë ata që e kanë njohur, e adhuronte Konicën dhe ashtu si Konica edhe Veriun e Shqipërisë, kullat dhe gjuhën, pllajat dhe më tej Dardaninë, kishte shokë e shoqe dhe në Prishtinë. Dhe e donte SHBA si një fëmijë, që ka gjyshin atje, vinte në Chicago, por dhe Washington dhe ëndërronte.                                      

U bënë 4 vjet që Atjoni na vëzhgon nga Qielli, na ndjek gjithë dashuri nga yjet…

         Ndërkaq Atjoni ka lënë një libër me ese, “Për atë që dua(m)”, por dhe një album me pikturat e fëminisë dhe adoleshencës së tij, “Opera Atjon”, i vlerësuar edhe jashtë vendit, po kështu jepen dhe dy çmime ndërkombëtare me emrin e ti, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe për poezi nga “International Writers Association ‘Pjetër Bogdani’”.

         Në nderim të tij zgjodhëm të sjellim sërisht esenë-tregim të tij, “Kulla eme nuk asht e vetme”, botuar dhe në “Dielli”, një metaforë mahnitëse, plot domethënie, që i ngjan dhe një program shpirtëror për një të ri, që çuditërisht e ka shkruar në gegërisht. Pse? Mbase na i shpjegojnë më mirë komentet e më poshtme, të disa personave të shquar që e lexuan dhe ata në “Dielli” dikur…:  

1 – “…Leximi i shkrimit tij ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”. 

      Unë e përjetova edhe si nji “lajmërim” për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë… Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.   

      Përdorimi i dialektit geg ashte manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e “fshatit” tij.   

     Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!” 

                                                                                 Sami Repishti

                                                                             Shkrimtar dhe eseist

                                                          Lauruar në Sorbonë, Paris, jeton në SHBA

2- “…Kam lexuar esetë e Atjonit të botuar në DIELLI, duke perfshire dhe KULLA EME NUK ASHT E VETME (1prill 2015). Shndërrisin mendimet e idetë e Tij si shkëndija të një gjeniu të ri! Kam menduar e shestuar gjatë për humbjen Tuaj në kontekst kombëtar e gjithënjerëzor.

       Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit në “Dielli” dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t’i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varferohet planeti e pasurohet Qielli!…”

                                                                   Ferhat Ymeraga

                                                                   Kent, Washington State, SHBA

3- “ …me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni  djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej  shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.

      Të mos  e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.”

Sami Milloshi

Gazetar, poet, SHBA                                                                                                   

KULLA EME NUK ASHT E VETME                                                 

  Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë  mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.

Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.

Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.

Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.

Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.

Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.

Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.

Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.

Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.

Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.

Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.

Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

 

Filed Under: Featured Tagged With: Rruga e Atjonit

NËNË TEREZA PERSONIFIKON ASPEKTET MË TË MIRA TË NJERËZIMIT`

December 21, 2018 by dgreca

 

(Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit midis njerëzve)

Nga Frank Shkreli

Në Vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) ka miratuar një rezolutë përmes së cilës identifikohet solidariteti njerëzor si një prej vlerave më themelore dhe të përgjithshme që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis njerëzve në shekullin 21.  Njëkohësisht, në nderim të solidarësisë midis njerëzve dhe popujve, u vendos që 20 dhjetori të shënohet çdo vit, si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor.

Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së ka krijuar gjithashtu Fondin Botëror të Solidaritetit, që funksionon prej vitit 2003 me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi shoqëror në vendet në zhvillim e sipër, në veçanti, në pjesët më të varfëra të shteteve të botës.  Sipas OKB-së, agjenda e organizatës botërore për realizimin e Objektivave në Mbështetje të Zhvillimit, duhet të përqëndrohet tek njerëzit, duke nënvijuar zbatimin e të drejtave të njeriut, duke përkrahur   një partneritet dhe vendosmëri globale me objektiv zhdukjen e varfërisë, urisë dhe sëmundjeve.  20 Dhjetori është pra Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit — një ditë sipas OKB-së — që kujton dhe celebron unitetin midis njerzëve pa dallim, një ditë që u kujton qeverive të respektojnë angazhimet bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe një ditë veprimesh për të inkurajuar nisma të reja për barazi midis njerëzve dhe për zhdukjen e varfërisë.

Solidariteti ose solidarësia është identifikuar në Deklaratën e Milleniumit, si një cilësi humanitare, si një prej vlerave themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku njerëzit që vuajnë ose që përfitojnë më së paku në një shoqëri të caktuar, meritojnë ndihmën e atyre që përfitojnë më së shumti në atë shoqëri.  Si rrjedhim, sipas OKB-së, përballë globalizimit dhe sfidave që vinë si pasojë e pa barazisë në rritje e sipër — në vende të ndryshme dhe në botë në përgjithësi – forcimi i solidarësisë ndërkombëtare, por edhe nivelin ndër-njerëzor, është i pazëvendësueshëm, nqëoftse bota është serioze për zhdukjen e varfërisë dhe pabarazisë në botë.

Në shumë shoqëri, fatkeqsisht, ndoshta mund të themi edhe për shoqërinë shqiptare, ka shumë raste dhe situata ku pabarazia, varfëria dhe padrejtësitë e lloj-llojshme, janë shënja jo vetëm të një mungese, thellësisht jo vëllazërore, por ato tregojnë edhe një mungesë të kulturës së solidarsisë me njëri tjetrin, e sidomos me ata, të cilët Nënë Tereza i ka cilësuar si më të varfërit e të varfërve të shoqërisë.

Gjatë historisë së njerëzimit, jo se nuk ka patur raste ku individë të caktuar nga kombe të ndryshme nuk kanë dhënë kontribut dhe shembëlla solidarsie ndaj të tjerërve, madje edhe nën rrethana shumë të vështira.  Por. besoj se në krye të kësaj liste, të njerëzve pra, që kanë dhënë kontributin më të madh dhe shembullin më të mirë të solidarisisë ndaj të tjerëve, sidomos atyre më në nevojë – mund të vendosim Nënën dhe Motrën tonë shqiptare, Shënjtëreshën Nënë Terezën, e njohur dhe e pranuar botërisht, si një shembull heroik i dashurisë për të tjerët dhe i solidarësisë, me të tjerët dhe ndajë më të harruarve të kësaj bote, pa dallim feje, krahine, kulture as enticiteti.  “Dashuria nuk ka asnjë kuptim, nëqoftse nuk ndahet me të tjerët”, ka thënë Nënë Tereza dhe ka shtuar se, “Dashuria duhet të vihet në veprim” — dashuria për njerëzimin, për njëri tjetrin dhe për më të varfërit e shoqërisë”, është shprehur ajo.

Në një deklaratë të fortë, lëshuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta kujtoi në këtë ditë, fjalët e Nënë Terezës, ndërsa thekësoi se, “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, ne kujtojmë porositë e Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar e botëror të humanizmit e solidaritetit, për të qenë pranë njëri-tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime, pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë e përkujdesje, veçanërisht në krah të fëmijëve e të rinjve, të vetmuarve, njerëzve në nevojë dhe të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim”, është shprehur Presidenti Meta, në mesaszhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidarsisë.

Më heret këtë muaj, një grup ekspertësh ndërkombëtarë të drejtave të njeriut në Gjenevë, i bënë një thirrje urgjente Kombeve të Bashkuara dhe shteteve anëtare të saj, që të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër pabarazisë ekonomike dhe diskriminimit.  Ekspertët e OKB-së theksuan nevojën kritike për të promovuar zhvillimin e shoqërive anë e mbanë botës, me qëllim për të pakësuar faktorët që kontribojnë në fushën e pabarazisë dhe njëkohsisht për të shtuar dhe për të përmirësuar mundësitë për zhvillim ekonomik mbrenda vet vendeve, por edhe midis shteteve të ndryshme.  “Pabarazia dhe diskriminimet janë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet sot bota.   Ato, jo vetëm përbëjnë pengesa për të siguruar të drejtën individuale për zhvillim, por këto pa drejtësi, përbëjnë njëkohsisht edhe kërcënime të mëdha ndaj paqës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.  Këta dy faktorë janë shkaktarët kryesorë të imigracionit.”, kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë.

Ata citojnë gjithashtu Deklaratën e Drejtës për Zvillim të OKB-së, sipas të cilës pabarazia, domosdoshmërisht, minon të drejtat e njeriut. Deklarata në fjalë bën thirrje për një zhvillim më të barabart në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për të siguruar kështu edhe shpërndarjen e ndihmave shoqërore dhe përfitimeve që vijnë nga zhvillimi, duke pasur parasyshë që të gjithëve, pa dallim, t’u jepet mundësia e barabart në fusha të të ndryshme të zhvillimit, si në arsim, në shërbimet mjekësore dhe për ushqim dhe strehim.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor na kujton se përgjegjësitë — për një solidaritet më të madh midis njerëzve dhe për një zhvillim dhe për të drejta të barabarta për të gjithë — janë në nivel ndërkombëtar dhe u përkasin organizatave si OKB-ja dhe në nivel kombëtar jsnë përgjegjësi e qeverive të shteteve dhe qeverive të ndryshme.  Koncepti i solidaritetit është i lidhur ngusht, pra me promovimin e paqës — jo vetëm në botën e gjërë por edhe në mjedisin dhe shoqërinë ku jetojmë — në mbështetje të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në unitet, bashkim dhe dashuri vëllazërore me njeri tjetrin, sidomos në radhët e një populli të të njëjtit gjak, gjuhë e kulturë.   Nënë Tereza do të na këshillonte se, “Nëqoftse nuk kemi paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit.”

Pabarazia sistemike dhe sistematike, plus diskriminimet e ndryshme shoqërore, sidomos nga pikëpamja e pabarazisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror — edhe në radhët e shqiptarëve – jo vetëm që fyen dinjitetin njerëzor, por njëkohësisht merr nepër këmbë shtetin ligjor dhe pengon realizimin e të gjitha të drejtave civile, politike, ekonomike dhe shoqërore për një pjesë dërmuese të shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Zhdukja e pabarazive dhe e diskriminimeve në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë pa dallim – jo vetëm që janë të nevojshme dhe të domosdoshme por për qeveritë janë përgjegjësi të detyrueshme, moralisht dhe ligjërisht.  Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit, por edhe porosia e Nënë Terezës, e cila, si bijë e Kombit Shqiptar dhe si Nëna e botës, përfaqëson aspektet më të mira të njerëzimit dhe solidaritetit njerëzor.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkrela, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • 369
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT