Tani në Tiranë ka një rrugë me emrin “Rruga e Atjonit”, e cila bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, emrat e të cilëve i ndan një shekull në mes.
Faik Konica, dihet nga të gjithë, është rilindasi i madh dhe kritiku më i mirë i Doktrinës së Rilindjes, ambasadori i shkëlqyer. i Shqipërisë në Washington, i pa arritshëm për ato që arriti, ndërkohë dhe themeltar i “Vatrës” në krah të Nolit, me “Diellin” e tyre që u krijua për më shumë dritë mendjes së sqiptarëve. Atjoni 19 vjeçar, “Studenti i përhershëm”, siç e njohin shokët dhe shoqet e brezit të tij, një i ri me dëshira të mëdha, që donte jetën dhe gëzimet e moshës, nismëtar në veprime, i dashur dhe i bukur, me një buzëqeshje “kryevepër” siç thonë ata që e kanë njohur, e adhuronte Konicën dhe ashtu si Konica edhe Veriun e Shqipërisë, kullat dhe gjuhën, pllajat dhe më tej Dardaninë, kishte shokë e shoqe dhe në Prishtinë. Dhe e donte SHBA si një fëmijë, që ka gjyshin atje, vinte në Chicago, por dhe Washington dhe ëndërronte.
U bënë 4 vjet që Atjoni na vëzhgon nga Qielli, na ndjek gjithë dashuri nga yjet…
Ndërkaq Atjoni ka lënë një libër me ese, “Për atë që dua(m)”, por dhe një album me pikturat e fëminisë dhe adoleshencës së tij, “Opera Atjon”, i vlerësuar edhe jashtë vendit, po kështu jepen dhe dy çmime ndërkombëtare me emrin e ti, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe për poezi nga “International Writers Association ‘Pjetër Bogdani’”.
Në nderim të tij zgjodhëm të sjellim sërisht esenë-tregim të tij, “Kulla eme nuk asht e vetme”, botuar dhe në “Dielli”, një metaforë mahnitëse, plot domethënie, që i ngjan dhe një program shpirtëror për një të ri, që çuditërisht e ka shkruar në gegërisht. Pse? Mbase na i shpjegojnë më mirë komentet e më poshtme, të disa personave të shquar që e lexuan dhe ata në “Dielli” dikur…:
1 – “…Leximi i shkrimit tij ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”.
Unë e përjetova edhe si nji “lajmërim” për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë… Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.
Përdorimi i dialektit geg ashte manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e “fshatit” tij.
Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!”
Sami Repishti
Shkrimtar dhe eseist
Lauruar në Sorbonë, Paris, jeton në SHBA
2- “…Kam lexuar esetë e Atjonit të botuar në DIELLI, duke perfshire dhe KULLA EME NUK ASHT E VETME (1prill 2015). Shndërrisin mendimet e idetë e Tij si shkëndija të një gjeniu të ri! Kam menduar e shestuar gjatë për humbjen Tuaj në kontekst kombëtar e gjithënjerëzor.
Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit në “Dielli” dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t’i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varferohet planeti e pasurohet Qielli!…”
Ferhat Ymeraga
Kent, Washington State, SHBA
3- “ …me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.
Të mos e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.”
Sami Milloshi
Gazetar, poet, SHBA
KULLA EME NUK ASHT E VETME
Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.
Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.
Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.
Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.
Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.
Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.
Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.
Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.
Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.
Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.
Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…