• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JAM SHQIPTAR SE JAM VATRAN, JAM VATRAN SE JAM SHQIPTAR

December 2, 2018 by dgreca

Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Dritan Mishto  në Darkën e festimit të 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë/

1 aa te dekoruarit

 

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA kam nderin e lartë t’Ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, Rroftë Pavarësia Jonë.

Ne sot jemi dëshmitarë se si Federata jonë feston në mënyrë të pandërprerë për 106 vite Festën e Flamurit. Komuniteti shqiptar është zgjeruar me shqiptarë nga të gjitha trevat dhe Ne, Vatra ndjehemi shumë mirë që kjo festë festohet gjithandej. Por, askund tjetër kjo festë nuk të dhuron më shumë emocion sesa këtu, me Vatrën tonë të dashur. Ndaj, dua t’Ju falenderoj nga zemra dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë, që keni ardhur të nderoni Flamurin dhe Federatën VATRA.

Jam i lumtuar dyfish që sipas traditës 106 vjecarë, klerikët tanë janë të pranishëm dhe dua t’i shpreh respektin tim më të thellë Dom Pjetër Popaj, Imam Edin Gjoni dhe Father Hieromonk Nikodhim, të cilët kanë qenë gjithmonë me ne duke mbajtur lart amanetin e të parëve tanë për ruajtjen dhe ushqimin e harmonisë fetare.

Të mbledhur përherë e më shumë bashkë, si në këtë darkë madhështore, Ne tregojmë fuqinë dhe rritjen e pandërprerë të VATRËS, e cila është Nder mbi Nder i Kombit dhe autoriteti moral më i fuqishëm në botën shqiptare. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të qëndrojë fort kundër të gjithë atyre që po e plagosin vendin tonë në mënyrë të pamëshirshme, me korrupsion, me kanabizim, me varfëri, me vrasjen e shpresës për të ardhmen, me largimin masiv të të rinjve, dhe c’ka është me e keqja, me rikthimin e mentalitetit dhe simboleve të komunizmit. Ndaj, ashtu si në kohët e shkuara kur VATRA ishte në ballë të zgjidhjes së halleve të shqiptarëve, edhe sot, ne jemi të vendosur dhe të bashkuar për të qenë një grusht i fortë për cilindo që e sheh vendin tonë dhe shqiptarët si plackë për t’u zhvatur.

Kohët e fundit, disa individëve u ka lindur një “dashuri” për Federatën VATRA. Por, këtë “dashuri” nuk e shprehin duke bashkëpunuar në zgjidhjen e problematikave të rënda, që po i marrin frymën shqiptarëve në Shqipëri dhe Ballkan. Këtë “dashuri” e shprehin duke hedhur baltë. Por, VATRA të dashur vëllezër dhe motra është një udhëtare që nuk do të ndalojë kurrë dhe nuk do të stepet në rrugën e saj për përmbushjen e misionit, që i ka dhënë historia. Ashtu sic thotë Wilson Churchill: “Nëse udhëtari do të kthejë kokën pas lehjes së cdo qeni, nuk do të arrijë kurrë në destinacion”.

Prandaj, VATRA dhe Shqipëria moderne,  si të lidhura pazgjidhshmërisht do të jenë bashkë në rrugën e tyre derisa të arrijnë në destinacionin tonë historik, duke zgjidhur të gjitha cështjet shqiptare të mbetura dhe duke u bërë dëshmitarë të të vërtetave të mëdha historike.

Ndaj, cdo Vatran sot ka të drejtën morale të thërrasë deri në kupë të qiellit:

Jam Shqiptar se jam  Vatran!

Jam Vatran se jam Shqiptar!

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!

Rrofshin Shqiptarët kudo ndodhen!

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Jam Shqiptar se jam Vatran, Jam vatran se Jam vatran

AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN E NJË PRESIDENTI

December 2, 2018 by dgreca

bush2zi

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshëme,  duhet të përfshij shërbimin ndaj të tjerëve”- George H. W. Bush, 1914-2018/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të premtën Presidenti Xhorxh W. Bush i riu, në emër të familjes njoftoi Amerikën dhe botën se i pari i familjes Bush, ish-Presidenti Xhorxh H.W. Bush i vjetër ka ndërruar jetë.  “Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë jemi të pikëlluar të njoftojmë se pas 94-vjetësh të mbrekulluara, babai ynë i dashur ka ndërruar jetë.  Xhorxh H. W. Bush ishte një burrë me karakter të lartë dhe babai më i mirë që mund të shpresonim të kishim.  Mbarë familja Bush është thellësisht mirënjohëse për jetën dhe dashurinë e Presidentit të 41-të, si dhe për mëshirën dhe dhembëshurinë që kanë treguar ndaj tij të gjithë ata që janë lutur dhe kujdesur për Babain tonë.  Jemi gjithashtu tepër mirënjohës edhe për ngushëllimet e dërguara nga miqët dhe qytetarët tanë”, thuhet në dekaratën e familjes së të ndjerit ish-Presidentit Xhorxh Bush i vjetër.

Ngushëllimet drejtuar familjes Bush ishin të shumëta nga përfaqsues të politikës amerikane dhe botërore, si edhe nga shumë qytetarë amerikanë për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara, i cili ndërroi jetë të premtën në qytetin Hjuston të shtetit Teksas, në moshën 94-vjeçare. Janë ngushëllime për njeriun i cili do të mbahet mend, si një njeri i dedikuar ndaj familjes së tij, si pilot i famëshëm i Luftës së Dytë Botërore, si president që kontriboi për dhënjen fund të Luftës së Ftohtë dhe për shembjen e perandorisë komuniste sovjetike.  Për shqiptarët, ai mbahet mend si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në traditën e mbështetjes së udhëheqësve të këtij vendi ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe ndaj fatit të Kombit shqiptar – me atë që historia tani e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”– i deklaroi botës dhe drejt për drejt kasapit të Serbisë Millosheviçit vendosmërinë politike dhe ushtarake të Washingtonit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë në rast provokimesh nga Serbia.  ”Në rast të konfliktit në Kosovë të provokuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati për të përdorur forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”, kishte deklaruar i ndjeri Xhorxh Bush i vjetër në letrën dërguar diktatorit serb më 25 dhjetor, 1992, duke e lidhur kështu përjetësisht familjen amerikane Bush me historinë e Kombit Shqiptar,  kur të merret parasyshë gjithashtu edhe deklarata e Presidentit Xhorxh Bush të ri, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në vitin 2007, me ç’rast, ai u tha mjaft zvarritjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke deklaruar nga kryeqyteti i shqiptarëve se, “Mjaft është mjaft — Më mirë heret se vonë  — Kosova të jetë e pavarur”.

Jo vetëm shqiptarët, por Amerika dhe bota në përgjithësi kanë arsye të ndihen të pikëlluar me humbjen e këtij burrshteti amerikan, pasi trashëgimia e tij në fushën politike dhe ushtarake botërore, si edhe roli i tij shembullor si kryefamiljar është një shembull për të gjithë.  Jo se ai nuk i kishte edhe të metat e veta, të cilat ndër tët tjera i kushtuan fitoren për një mandat të dytë presidencial, por megjithë këte, influenca e tij si udhëheqës do të ndihet për shumë kohë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Pothuaj të gjithë vlerësojnë dedikimin e tij ndaj familjes dhe kushtimin e tij për shërbimin ndaj publikut, por edhe rolin e ish-Presidentit Bush në fushën ndërkombëtare, si vetitë kryesore që e kanë dalluar atë si njeri dhe si udhëheqës.  Këto ndjesi i kanë shprehur këto ditë, në ngushëllimet e tyre, udhëheqsit kryesorë politikë amerikanë dhe botërorë, duke përfshirë edhe Presidentin Donald Trump, i cili tha se “Presidenti Bush ka frymëzuar disa breza amerikanësh për t’iu përkushtuar shërbimit publik, për të qenë siç është shprehur edhe ai ‘objekt i njëmijë dritave’, për të ndriçuar madhështinë, shpresën dhe mundësitë që ofron Amerika, për botën… Me një gjykim të drejtë dhe udhëheqje të vendosur, Presidenti Bush udhëhoqi Kombin tonë dhe botën drejtë një fitoreje dhe përfundimi paqësor të Luftës së Ftohtë.  Si President, ai përgatiti skenën për një begati prej disa dekadash që pasoi mandatin e tij…Ai do të mbahet mend për devotshmërinë e tij ndaj familjes, sidomos për dashurinë e tij për bashkshorten Barbara…”, tha ndër të tjera, Presidenti Trump.

Ndërsa ish-Presidenti demokrat Barak Obam u shpreh me rastin e vdekjes së Presidentit Xhorxh Bush i vjetër se, “Jeta e tij ishte një testament se shërbimi publik është një thirrje e ndershme dhe fisnike”, ndërkohë që lavdëroi masat që kishte ndërmarrë i ndjeri Bush i vjetër në mandatin e tij si president, “Në favor të përmirësimit të jetës për emigrantët dhe për personat me aftësi të kufizuara fizike”. Ai ishte një shembull prej burrë-shteti, tha ish-Presidenti Obama, “I vendosur për të lënë mbrapa diçka më mirë se ç’e kishte gjetur në këtë botë.”  Duke iu referuar rolit të Presidentit Bush në arenën ndërkombëtare, Z. Obama nënvijoi se, “Kur, anë e mbanë Evropësë Lindore, lulëzuan revolucionet demokratike, ishte dora e tij fortë diplomatike që bëri të mundur një arritje që dikur as nuk mund të merrej me mend – fundin e Luftës së Ftohtë, pa pasur nevojë të shkrep as një fishek.”

Ndoshta njeriu që e ka njohur më së miri dhe për një kohë të gjatë ish-Presidentin Bush të vjetër, është James Baker, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, të cilin e ka konsideruar si mik të ngushtë për më shumë se 50-vjetë.  Z. Baker lavdëroi shërbimin e Presidentit Bush në detyra të ndryshme prej disa dekadash, si president i Shteve të Bashkuara, por edhe si zëvendës president, Drejtor i CIA-s, si ambasadori i parë amerikan në Kinë, ambasador pranë OKB-së, e të tjera. “Në secilën prej këtyre detyrave”, theksoi Z. Baker, “Ai udhëhoqi me vendosmëri, integritet dhe modesti – karakteristika këto të cilat me të vërtetë përcaktojnë një njeri të madh dhe një udhëheqës efikas…ai gjithmonë i demonstroi këto cilësi, qoftë në skenën ndërkombëtare, qoftë në jetën e përditshme.

Ngushëllimet erdhën, jo vetëm nga politikanë republikanë dhe ish-bashkpuntorë të Presidentit Bush, por edhe nga politikanë të krahut tjetër politikë, nga demokratët — si ish-Zëvendës Presidenti Al Gore, i cili në mesazhin e tij theksoi “integritetin dhe mirësinë e jashtëzakonshme” të tij, duke thënë se i ndjeri Bush, “kishte siguruar respektin e të dy partive kryesore të vendit, me qëndrimet e tija dhe me masat që ka marrë në favor të kauzave në të cilat besonte fuqimisht, madje edhe nëqoftse duke bërë një gjë të tillë, nuk ishte shumë popullore për momentin.”

Edhe nga Kongresi Amerikan, ku Z. Bush gëzonte një respekt të madh në radhët e ligjëvensëve të dy partive politike kryesore amerikane, erdhën reagimet e para për vdekjen e ish-presidentit, përfshirë Senatorin Republikan të shtetit Florida, Marco Rubio, i cili u shpreh se, Presidenti H. R. W Bush ishte një hero amerikan dhe patriot, një burrë i mençur dhe bujar.”  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Virginia, Mark Warner nënvijoi në mesazhin e tij se, “Nuk ka asnjë dyshim se angazhimet më të larta të Presidentit Bush ishin gjithmonë në mbështetje të Atdheut dhe vlerave tona – drejtësisë, lirisë dhe të drejtave të njerëzve kudo në botë.”

Një mesazh i gjatë drejtuar familjes Bush erdhi nga Presdienti Clinton dhe bashkshortja Hillary, në të cilin çifti presidencial thotë se ata “Po mbajnë zi për kalimin në amshim të Presidentit H.W. Bush dhe falenderojnë Perendinë për jetën e tij të gjatë, kushtuar shërbimit, dashurisë dhe miqësisë ndaj të tjerëve.  Unë do të jem për gjithmonë mirënjohës për miqësinë që kemi pasur me njeri tjetrin”, shprehet Presidenti Klinton duke shtuar se shërbimi i Presidentit Bush, duke filluar nga shërbimi ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe deri tek detyrat e larta federale në Kongres, pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Kinë, drejtor i CIA-s e deri tek kulmi i shërbimit të  tij në detyrën e Zëvëndës Presidentit dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku ai punoi drejt një bashkpunimi më të madh në nivel ndërkombëtar, për një paqë dhe liri më të madhe në botën e pas Luftës së Ftohtë”,  shkruajnë Presidenti Klinton dhe bashkshortja e tij Hillary.

Ndërsa nga Rusia erdhi mesazhi i ngushëllimit nga ish-udhëheqsi sovjetik, Z. Mikhail Gorbachev, me të cilin presidenti Bush kishte bashkpunuar ngusht për t’i dhënë fund luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. “Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Bush dhe të gjithë Amerikanëve për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara”, i ka thënë ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax, duke shtuar se, “Kam shumë kujtime në lidhje me këtë person.  Ne na u dha mundësia të punomin së bashku gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha.  Ishte një periudhë dramatike që kërkonte përgjegjësi të mëdha nga të gjithë…Unë vlerësoj jashtzakkonisht shumë kontributin e Presidentit George H.W Bush, në realizimin e kësaj arritjeje historike. Ai ishte me të vërtetë një partner i vërtetë”, është shprehur ish-ushëheqsi sovjetik, Michael Gorbachov për ish-Presidentin Bush.

Një numër ngushëllimesh i kanë arrijtur familjes Bush dhe popullit amerikan për vdekjen e Presidentit Bush, nga vendet aleate perëndimore dhe nga kryeqytete të tjera, përfshirë edhe udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Siç thashë edhe më lartë, për Shqiptarët, Presidenti George Bush i vjetër do të mbahet mend për Deklaratën e tij të Krishtlindjes, pikërisht 26 vjetë më parë, me 25 Dhjetor të vitit 1992, me të cilën paralajmëroi Serbinë dhe diktatorin e saj Millosheviç që të mos provokonte konflikt në Kosovë, me qëllim të pastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Dihet se është kjo politikë e përcaktuar nga Presidenti George H.W. Bush i vjetër që u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave dhe më vonë, deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës disa vite më vonë gjatë mandatit të Presidentit Goerge Bush i riu.  Jemi dëshmitarë se kjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, 26-vjetë më parë këtë muaj, është përsëritur herë pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe nga zyrtarët e lartë të administratës së tij, si një qendrim bazë amerikan karshi Kosovës, që nuk kishte ndryshuar gjatë asaj kohe, por që në të vërtetë çoi në sulmet ajrore të NATO-s, të urdhëruara nga Presidenti Klinton, e që përfunuan në çlirimin e Kosovës dhe përfundimisht në shpalljen e Pavarsisë së Kosovës në vitin 2008.  Falë asaj deklarate, është ky një përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që vazhdon të pasqyrohet deri në ditët e sotëme. Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi gjatë një takimi me ish-presidentin George Bush të ri javën që kaloi në Teksas dekoroi Z. George Bush të ri me Urdhërin e Pavarësisë, për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa është shprehur se, “Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Me rastin e kalimit në amshim të Presidentit George H. W. Bush i vjetër dhe në përvjetorin e 26 të paralajmërimit të tij me shkrim dërguar Serbisë më 25 dhjetor 1992, që të mos shkelte vijën e kuqe në Kosovë — me mirënjohje të thellë ngushëllojmë me zemër të pikëlluar familjen e nderuar të ish-Presidentit si dhe popullin amerikan për kalimin në amshim të të dashurit të tyre dhe mikut të madh të Shqiptarëve!  Përdhimtimet më të sinqerta duke marrë pjesë në zi të tyre me ndjesi të thella miqësie vëllazërore midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar!

Filed Under: Featured Tagged With: AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN, E NJË PRESIDENTI, Frank shkreli

ROZOLIN PETROTA: SHTYLLA KRYESORE E SHQIPTARIZMIT ARBËRESH

November 29, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Javën e parë të Nëntorit, në krye të një delegacioni zyrtar,  Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta ndërmori një vizitë historike në   në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit të shpallur Mbarë-Kombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.  Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Meta, është takuar edhe me homologun e tij, Presidentin e Italisë, Z. Sergio Mattarella.  Në fillim të vizitës së tij në komunitete arbëreshe të Italisë, Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë, ndërsa shtoi se, “Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë, të cilëve u jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin, që nga koha e Skënderbeut.  Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur”, është shprehur Presidenti Meta, me atë rast.  Ndërsa, Presidenti italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij dërguar para dy ditësh Presidentit Meta me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë shprehet se: “Përkujtimi i përbashkët së fundmi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, forcoi më tej jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe por edhe ndjenjën e ndarjes bashkërisht të faqeve të rëndësishme të historisë – siç u dëshmua konkretisht nga pakica arbëreshe mjaft aktive – si dhe të horizonteve të përbashkëta në gjirin e familjes evropiane dhe të komunitetit euro-atlantik”.

5-Perrota

-Ne Foto: 25.IV.1968: Prof. Koliqi i paraqet Shëjtnisë së Tij Palit VI Kryetarin e «Vatrës», z. Anthony Athanas. Në mes shifen: Arbëreshët: Shkelqësia Emzot Perniciaro dhe Dr. Rozolin Petrotta.  Foto e marrë nga revista Shëjzat.)/

Fatkeqësisht, janë pak njerëz që mund ta dinë se një meritë të madhe, për të mos thënë ndoshta meritat kryesore për ruajtjen e gjuhës, identitetit, traditave, kulturës arbëreshe si dhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane — për të cilat folën dy presidentët — i takon arbëreshit Dr. Rozolin Petrota: Sipas dy miqëve dhe bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, Prof. Ernest Koliqit dhe Prof. Karl Gurakuqit, Dr. Petrotta e dinte mirë se ruajtja e traditave e shpëtoi nga cenimi dhe nga izolimi komunitetin arbëresh, nepër rrëmujat historike prej pesë shekujsh.  Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, vlen të përmendet edhe vlersimi i këtyre dy burrave të cilët kanë shkruar se Dr. Petrota – një trashëgues dhe ruajtës i traditës arbëreshe,  ishte gjithashtu edhe një pjesëtar i spikatur i asaj breznie që përgatiti 28 Nëntorin fatlum, më 1912, një ngjarje kjo të cilën arbëreshi Petrota e ndoqi dhe e përkrahi nga Italia, ashtu si çdo nismë tjetër në dobi të vendlindjes së të parëve të tij.  Prof Koliqi ka shkruar për mikun e tij të ngushtë arbëresh, Dr. Petrotën se ai ishte trashëgues dhe ndjekës i traditës arbëreshe, ndërkohë që, “Ushqente bindjen se zvetnimi i rrjedhun nga mospërfillja e traditave, dobësonte vetitë ma të zgjedhuna të gjakut të trashiguem”.  Ai admirohej nga ata që e kanë njohur, si një njeri i cili për qëllim kryesor kishte lartësimin e vlerave arbërore.  Atdhedashuria e tij”, ka shkruar Ernest Koliqi, iu shmangte “Shafqjeve të bujshne që mbulojnë shterpësi ndjesishë të vërteta ndërsa tregohej në vepra të mbara e të frytshme”.

Njëra prej këtyre “veprave të mbara”, rezultat i punës së tij të vendosur për promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës arbëreshe në Itali, ishte themelimi i Qendrës Shqiptare për Studime Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Palermos, në vitin 1948, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane, që u pasua më vonë me hapjen e Institutit për Studime Shqiptare në Romë, në vitin 1959, nën drejtimin e Prof Ernest Koliqi, gjithashtu me dekret të Presidentit të Italisë.  Me bashkpunimin e Gaetan Petrotës (të vëllait), Karl Gurakuqit, Namik Resulit, At Zef Valentinit dhe Ernest Koliqit, ishte arbëreshi Dr. Rozolin Petrota ai i cil,i në të vërtetë, luajti rolin kryesor në themelimin e këtyre dy instituteve tepër me rëndësi, në Palermo dhe Romë — të cilat jo vetëm kanë promovuar por kanë mbajtur gjallë identitetin, gjuhën dhe kulturën arbëreshe në Itali, për të cilën folën Presidenti Ilir Meta dhe Presidenti Italian Sergio Mattarella gjatë vizitës së tyre në fillim të këtij muaji, në komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut.Karl Gurakuqi ka vlerësuar lartë punën e kolegut të tij të ngushtë arbëresh dhe rolin që ai ka luajtur në ruajtjen e identitetit të shqiptarizmit arbëresh duke thënë se, “Nuk besoj se më idhnohen Arbëreshët e Sicilisë nëqoftse pohoj se po të hiqet Rozolin Petrota nga lista e atyne që i mbajtën gjallë ndjenjat atdhetare shqiptare në popullsinë arbëreshe siciliane, nuk mund të bahet më një histori e saktë e tyre.  Rozolini është i mbrami i radhës së ndritëshme të Arbëreshve që ia ndritë faqet shqiptarizmit në Itali”, ka shkruar Prof. Karl Gurakuqi me rastin e vdekjes së arbëreshit të madh, Dr. Rozolin Petrotës në shtator të vitit 1969.

E përkujtojmë sot Dr. Rozolin Petrotën edhe për një arsye tjetër në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skendërbeu, pasi një vit para se të ndërronte jetë, Dr. Petrota organizoi, kuvendin e fundit të jetës së tij në Nëntor të vitit 1968 — takimin e madh përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të kalimit në amëshim të Prijësit të Shqiptarëve.  Nën drejtimin e tij, në kujtim të Skendërbeut – në Qëndren Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo – u mblodhën arbëreshë, vatranë, shqiptarë nga Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora, studiues dhe albanologë të huaj dhe shqiptarë të arratisur nga vendlindja.  Ata që kanë qenë të pranishëm — shumë prej të cilëve nuk jetojnë më — më kishin thënë se ai takim historik kishte mbetur përgjithmonë në kujtimet e tyre.  Jam i bindur se si i tillë do të mbetet edhe në analet historike të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Si kryeorganizatori i takimit në Palermo me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në vitin 1968, Dr. Petrota iu drejtua, arbëreshve dhe shqiptarëve të mbledhur atje nga mbarë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, me disa fjalë vëllazërore, siç janë botuar në revistën “Shëjzat:

”…Kemi këtu studiuesë dhe miqë shqiptarë, arbëreshë e albanologë, nga Siqilia, nga Kalabrija, nga Italia, nga Kosova, nga Austria, nga Gjermania dhe nga Shtetet e Bashkuara t’Amerikës.  Shqiptarë dhe Arbëreshë: Jemi gjithë këtu bashkë pa dallim feje, dialekti e rryme politike.

Na Arbëreshët, stërnipëra të atyre mërgimtarëve të ikur nga Arbërija qintra vjet më parë, të cilët të parët e të gjithëve kanë bërë të valvitet në Itali Flamuri i Skenderbeut – e kanë bërë të kumbojnë lartë e me nderë gjuhën tonë. Shqiptaro-Amerikanët, mërgimtarët më të rinjë, të cilët të përbashkuar në Vatrën e Fan Nolit e të Faik Konicës, nga Amerika i kanë dhënë kumbim të ri e depërtim kërkesave të Kombit Shqiptar.Shqipëtarët profugë më të vonshëm, të cilët, sikurse ata më të vjetërit, kanë marrë udhën e mërgimit për të mbajtur besën në vlerat ideale.

Si njëherë Skenderbeu kje Kryetrimi i të tërë ushtrisë mprojtëse të qytetërimit dhe Flamuri i tij kje shënji i bashkimit të të gjithë Shqiptarëve, po kështu edhe sot të gjithë na ka mbledhur emëri dhe kujtimi i tij.Na po vërejmë me zemër vëllazërore të thellë, të gjithë profugët e sotëm, të cilët në vehten e tyre dhe ndër familjet e tyre, mbajtën zi dhe ruajtën plagët e vuajtjevet të tyre, por mburren duke dijtur se përfaqësojnë akoma Shqipërinë e Skënderbeut.Dhe vërej me admirim ata që ndër vuajtjet dhe varfërinë e mërgimit, akoma e gjejnë shtegun për të ndritësuar me vepra ndërtonjëse, veçanërsisht kulturore, emërin e Atdheut.Na vërejmë me mirënjohje të veçantë të gjithë studjuesit e miqët e huaj, të cilët me studimet e tyre dëftojnë se sa shumë i çmojnë vlerat e vërteta të Shqipërisë.

 Por neve, përfaqësues të gjithë institucioneve kulturore arbëreshe dhe veçanësisht neve të Qëndrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare të Palermos, trashëgimtarë të së moçmës dhe lëvdimplote, “Lidhje Italo-Arbëreshe” të na lejohet të ndihemi vëllëzër në mënyrë të veçantë me miqët dhe bashkatdhetarët t’anë shumë të dashur të Federatës “Vatra”, ka përfunduar përshëndetjen e tij arbëreshi Dr Rozolin Petrota, me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe më 28 Nëntor, 1968 në Palermo.

Atë organizim në Palermo 50-vjetë më parë, frymëzuesi dhe inciatori i të cilit ishte vet Dr. Petrota, bashk-kohësit dhe bashkpuntorët e tij të ngushtë, e kishin cilësuar si vepra e tij e fundit e shkëlqyeshme dhe e mrekullueshme, që kurorëzoi një veprimtari patriotike 50-vjeçare, si shtylla kryesore e patriotizmit të Arbëreshëve të Italisë.   Një patriotizëm ky, të cilin Petrota – ndër të tjera — e shfaqte në shumë artikuj të çmueshëm, ndërsa në vitin 1919 së bashku me të vëllain Gaetanin, kishin filluar botimin e revistës “Rassegna italo-albanese”, ku sipas një vlerësimi të Prof Karl Gurakuqit, shiheshin shkrime me vlerë mbarë kombëtare shqiptare.  “Me anën e këtyre artikujve”, shkruan Gurakuqi, “Rozolini mpronte me energji çështjet shqiptare, kufijtë etnikë të Shqipënisë, vetqeverimin e plotë të Atdheut shqiptar, ndërsa luftonte lakmitë e kufitarvet anmiq të Shqipënisë, të cilët me dredhi të ndyta përpiqeshin të shembin themelet e shtetit të posa lindun”.

Kjo, pra është arsyeja që këtë javë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe në mbylljen e vitit kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, meriton të kujtohet jeta dhe veprimtaria atdhedashëse e arbëreshit Rozolin Petrotës – ndoshta një emër pak i dëgjuar por me shumë merita për kauzën kombëtare — i cilësuar nga bashkohësit e tij si shtylla kryesore e shqiptarizmit të arbëreshëve të Italisë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: E SHQIPTARIZMIT ARBËRESH, Frank shkreli, ROZOLIN PETROTA: SHTYLLA KRYESORE

Gazetari Shaqir Salihu:Vatra, një Monument dhe Tribunë Kombëtare

November 29, 2018 by dgreca

– Ish gazetari i Zërit të Amerikës për 32 vjet, autori i librit “RRËFIME LIRIE- Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zeri i Amerikës”- Vizitoi Vatrën në Ditën e Pavarësisë/

 – Ai dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin”RRËFIME LIRIE”; për arkën e Vatrës  $500.00 si dhe punimin në dru”KOSOVA”/

1 a ne tavoline1 a dhurata1 Tregon shaqiri1 a shkruan Saliu1 a bashke dhe une1 a bashke

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, vatrani Shaqir Saliu, kishte zgjedhur 28 Nëntorin e Pavarësisë për të vizituar Vatrën, si pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë, e themeluar 7 muaj para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Z. Saliu tha se ndjehej i respektuar që pritej nga bordi i Vatrës me Kryetarin Dritan Mishto. Vatra historike e Nolit dhe Konicës, tha ai, është ylli polar për pavarësinë e Shqipërisë. Qoftë për jetë një VATËR e ngrohtë dhe udhëheqëse në shtegtimin e Kombit tonë!

Mysafirit ia uroi mirëseardhjen kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto. Ai tha se Vatrës i bën nder vizita e një vatrani si z. Shaqir Salihu, që ka punuar shumë vjet në Zërin e Amerikës. Jeta e tij nga izolimi dhe represioni serb në liri, dhe puna në Zërin e Amerikës, është një histori interesante. Më pas z. Mishti i preznatoi mysafirit veprimtarinë e Vatrës. Në fokus të Federatës  Panshqiptare të Amerikës”Vatra”, krahas të tjerave, janë vendosë marrdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe shumë veprimtari të organizuara nga Vatra, ose në bashkupunim me organizatat e tjera që veprojnë këtu në SHBA ose në vendlindje. Kemi ftuar dhe kanë ligjëruar këtu në Vatër edhe figura të njohura të Zërit të Amerikës si Dr. Elez Biberaj, redaktor përgjegjës për redaksitë në gjuhët Evropiane në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli, ish drejtor për Euro-Azinë, anëtari i Këshillit të Vatrës , ish gazetar i Zërit të Amerikës Idriz Lamaj e të tjerë. Vatra ka konstatuar se Shqipëria ka pasë më shumë se një rast kur ka paraqitë votë kundër Amerikës, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë aq shumë për Kombin shqiptar.

Nuk e kam lexuar librin tuaj, me përjashtim të disa fragmenteve në mediat online, prandaj dhe nuk mund të bëj një vlerësim, tha kryetari i Vatrës, por tash që na e dhuruat do ta lexoj.

Më pas e kanë marrë fjalënë Agim Rexhaj -zv/Kryetar i Vatrës, Lek Mirakaj, Pashko Camaj, Mehmet Kadrija, Sylë Lajçi,Frederik Ndoci, Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Gazetari Shaqir Salihu është autor i librit”RRËFIME LIRIË- Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zeri i Amerikës”. Duke folur për librin dhe motivet që e shtynë për ta shkruar, ndër të tjera autori u shpreh:”-DEMOKRACIA VDES NË ERRËSIRË”- Kjo thënie ndodhet në ballinën e një prej gazetave më të mëdha e më të mira në botë “The Ëashington Post” dhe është motoja e kësaj gazete. Është kjo arsyeja, që kjo gazetë, dhe media të tjera të mëdha, luftojnë përditë për të nxjerrë në dritë ato që të paktën një ose disa njerëz nuk duan që të dalin. Thelbi i Demokracisë Amerikane, që është më e madhja dhe më  e konsoliduara në botë, është motivi që shtyn gazetarët që në një mënyrë ose një tjetër të tregojnë të vërtetën.Më ka intriguar shumë historia dhe mençuria e një burri të moçëm, Atë Zef Pllumi. Vuajtjet e tij nga diktatura komuniste në Shqipëri, i hodhi në letër në librin e tij të famshëm”Rrno për me tregue”. Arsyet që më shtynë që të shkruaja librin tim ishin të ngjajshme. Rrova dhe mbijetova për të treguar. Natyrisht nuk vuajta sa dom Zefi, por ama vuajta, dhe vuajta goxha.Vuajta dhunën dhe represionin serb. U flaka në burgjet serbe në qeli të lagështa e të errëta, ku nuk hynte aspak rrezja e diellit.U torturova dhe u detyrova të degdisem përtej Atlantikut. Mendova se vuajtjet e mia do të merrnin fund, kur pas shumë vitesh me vështirësi, u rehatova në një punë që më sillte më pranë Atdheut, por për fat të keq konstatova se kishim probleme të mëdha si popull. Armikun më të madh e kishim mes njeri-tjetrit.”

Më pas ai ka treguar për punën e tij 32 vjeçare në Zërin e Amerikës dhe krenarinë që ndjenë për kontributin modest që ka dhënë si shërbim në gjuhën shqipe.

Duke analizuar gjendjen e shqiptarëve në Ballkan ai përcolli mesazhin: Vetëm nëse identifikojmë dhe demantojmë përçarësit mund të bashkohemi si Komb i fortë në Ballkan. Edhe në librin”Shtigje Lirie” shtoi ai, flitet shumë për bashkimin dhe përçarësit. Flitet për ne si Komb në përgjithësi, por edhe për ngjarje e përjetime personale në veçanti. Nuk është vetëm përplasja me të ndryshmin ajo që na ka lënë pas, por edhe ajo me të ngjajshmin.Jo vetëm lufta me hasmin, por edhe me vëllanë. Këto mbeten plagë ende të pashërushme për Kombin tonë fatkeqsisht dhe na bën që të mbetemi pas.

Rrfëime Lirie:”Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”, i ka të gjitha. Është histori personale, është roman, është poezi, ka dramë dhe romancë; ka luftë dhe paqe; ka pranga dhe liri, ka intrigë dhe çiltërsi; ka gjak; ka lot dhimbjeje dhe lot gëzimi. Mbi të gjitha, tha ai në mbyllje të fjalës së tij; në këtë libër gjithkush mund të gjejë një histori të detajuar të një prej mediave më të mëdha shqipfolëse dhe që ka më shumë ndjekës; Zëri iAmerikës.

 

  1. Shaqir Salihu dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin”RRËFIME LIRIE”; për arkën e Vatrës $500.00 si dhe punimin në dru”KOSOVA”-

 

Gazetari Shqir Salihu shkroi në librin e mysafirëve :

“Ishte kënaqësi e veçantë që u takova sot, në këtë ditë të shenjtë për shqiptarët, me Vatranët në selinë e Vatrës historike.Vatra është një monument dhe tribunë kombëtare. Jam krenar që jam antëtar i saj.

Me respekt

Shaqir Salihu

28 Nëntor 2018.

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Shaqir Salihu, Vizite Vatra

SHQIPERIA 106 VJET PAVARESI, CEREMONI NE CITY HALL

November 28, 2018 by dgreca

106 VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, CEREMONI NË KËSHILLIN E BASHKISË TË NJU JORK- ut/

1 a foto e perbashk1 a tenderuarit1a Posteri1 a salle1 a policet1 a flet Marku1 a nazo grup

– Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar, Festimi i Pavarësisë së Shqipërisë, nderohet me një ceremoni emocionuese në Council Chambers- New York City-/

– Sekretarja e Federatës Panshqiptare të Amerikës Nazo Veliu nderohet nga Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut-

– U nderuan: Dr. Elez Biberaj, Gani Shehu, Nazo Veliu, Ilirjan Rusi, Gjekë Gjonlekaj, Rexhë Xhakli-(Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra)-

Kronika: Ora 5:15 minuta e mbasditës së datës 27 Nëntor 2018 Shqipëtarë nga të gjitha krahinat dhe trojet shqiptare filluan të mblidhen në  City Hall, në Bashkinë e New Yorkut për të kremtuar 106 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ky celebrim I Ditës së Pavarësisë ishte organizuar nga NYC Council Spiker, zoti Corey Johnson, zoti Mark Gjonaj si dhe nga nje grup i madh anetarësh të tjerë të Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut.

Në momentet e futjes së pjesmarrësve në Bashkinë e New Yorkut sipas traditës shqiptare  miqtë dhe të ftuarit u gostitën me ushqimin dhe ëmbëlsirat e shijshme shqiptare.

Në orën 6 të mbrëmjes filloi ceremonia e festimit të 106 vjetorit të Pavarësisë ku mirëseardhjen e jo vetëm të shqiptarëve por edhe shumë qytetarëve të tjerë amerikanë të nacionaliteteve të ndryshme e prezantoj Lidia Curranaj. Këngëtari i mirënjohur shqiptar Riad Ymeri me zerin e tij brilant përcolli himnin e SHBA dhe Himnin Shqiptar, kohë në të cilën në sallën e ceremonisë erdhenu futën dy djem të veshur me kostume Kombëtare shqiptare, te cilët mbanin të flladitur ndër duar dy Flamuj, Flamurin Amerikan dhe Flamurin Shqiptar. Ata shoqëroheshin nga tre policë ,e uniformat e policisë amerikane, që i jepnin solemnitet castit ceremonial.

Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare dom Pjetër Popaj me një fjalim atdhetar tregoj përpjekjet e shqiptareve për pavarësi dhe luftën për Liri në të gjithë historinë e tyre. Një përshëndetje të vecantë bëri edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare dhe Konsullja e Pergjithshme e Kosoves  zonja Teuta Sahatcia.

I pari këshilltar shqiptar në bashkinë më të madhe në SHBA, Zoti Mark Gjonaj pasi uroi festën e Pavarësisë, falenderoi mbështetsit, foli për 106 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërise, informoi të pranishmit edhe për Shqipërinë e Shqiptarët. Ai theksoi se sot shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete të ndryshme jo për faj të tyre, por ai vuri në dukje se edhe pse janë të ndarë e të coptuar përsëri ata e kanë ruajtur identitetin e tyre nëpërmjet, gjuhes, zakoneve dhe traditave të tyre.

Në ceremoni u theksua se kur i pyet shqiptarët se cfarë janë ata nuk përgjigjen në bazë të përkatësive të tyre fetare me krenari atë përgjigjen se janë shqiptar. Pas kësaj Zoti Mark Gjonaj filloj të bëjë përshkrimin e secilit honores duke i thirrur ata një nga një. E vecanta e kësaj ceremonie festive ishte sepse Honorees ishin nga të gjitha trevat shqiptare qofshin këto brenda apo edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.Të nderuarit ishin nga Shqipëria, Kosova, Camëria, shqiptarët e Maqedonisë, Shqiptarët e Malit të Zi si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevë-Bujanovcit:

1.Elez Biberaj

2.Gani Shehu

3.Nazo Veliu

4.Ilirjan Rusi

5.Gjekë Gjonlekaj

6.Rexhë Xhakli

Të nderuari e kësaj ceremonie pasi falenderuan organizatorët, treguan nga vinin e cfarë kishin mundur të bënin këtu në ndihmë të komunitetit shqiptar për të mbajtur të gjallë gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare. Këtë gjë më mirë se kushdo e shpalosi Grupi i valleve “ROZAFATI” nën drejtimin e Mjeshtres Angjelina Nika. Në fund Imam Tahir Kukaj pasi falenderoi jo vetëm organizatorët por edhe pjesmarrësit në këtë ceremoni festive që tashmë po bëhet traditë në  City Hall ai ashtu si edhe Father Peter Popaj e bekoj ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Mbylljen e bëri zonja Lidia Curanaj.(Korresp i Diellit)

Filed Under: Featured Tagged With: Festa e Pavaresise Shqiptare, Mark Gjonaj, Nazo veliu, ne City Hall

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 372
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT