• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM I MESONJETORES”KUQ E ZI” NE ASTORIA, NY

August 3, 2018 by dgreca

1 Kuq e ziTe ndruar Bashkombas,banor te Astorias,,Queens-it e me gjere!Mesonjetorja “Kuq e Zi”e hapur me 7Mars te vitit 2015,ne saje te ndihmes e mbeshtetjes tuaj,funksionon normalisht ,duke dhene nje kontribut modest ne ruajtjen e trashegimin nga brezat e rinje te Gjuhes sone Shqipe.
Ne kete kuader ,do te hapet kete vit nje klase e pare ,per te plotesuar tre nivelet e studimit te saj.
Rregjistrimet e femijeve tuaj ,mund te behen ne:
1-Ne adresen 21-23,21 Av Astoria 11105;ne fletoren qe gjendet ne Biblioteken e Librit Shqip ne kafen “Kuq e Zi”

2-Ne nr e tel 917-832 2376 ne c’do ore te dites ,duke mare edhe informacion te zgjeruar .
Rregjistrimet kane filluar e do te vazhdojne deri ne dt 31 Gusht 2018.
Ndihma me e madhe e juaja eshte te shperndani kete njoftim ne gjithe miqet e dashmiret tuaj ,sa te shkoj tek prinderit qe kane femije te moshes 6 deri 9 vjec qe te rregjistrohen ne klasen e pare !

Me shprese te plote ne ndihmen tuaj ,si gjithemone !

MESONJESIT E MESONJTORES “KUQ E ZI”

Filed Under: Featured Tagged With: Kriataq Papa, Kuq e zi, Njoftim, Shkolla shqipe

Duke e kujtuar me përmallim Llesh Luket Grishajn

August 2, 2018 by dgreca

Duke e kujtuar me përmallim të njohurin tim të para 67 viteve “ Llesh Luket Grishajn “/

1 Mergim KorcaShkruar nga : Mërgim Korça /

1 Llesh Luket Grishaj

Me kalimin e viteve sa vjen edhe njeriu fillon e familjarizohet me faktin e quajtur “vdekje” e doemos kjo shfaqje natyrisht vjen e lidhet me ngjarjen me të cilën ballafaqohemi dëndur e më dëndur … me kalimin e viteve !  Mirëpo kësaj gjëndjeje pa as më të voglën mëdyshje që, kur na paraqitet, duhet të jemi edhe të përgatitur se si t’i përgjigjemi. Duke menduar se të shkruarët rreth personit që ma krijoi këtë gjëndje shpirtërore do të ma lehtësonte situatën në fjalë dhe se kishte me qenë një farë rrugëdalje, pa një e pa dy po ulem e të hedh në letër ç’ndjeva unë sot, kur dje e putha në ballë Lleshin (tashmë të ndjerë) dhe ai as që i hapi sytë … kurse sot, i biri i Tij Franzi më dhá lajmin mortór !

Nga që i ndjeri ishte “puro Gegë”, lexuesi i këtyre rradhëve, po qé Toskë, të më falë për përjashtimin që po i bëj me këtë rast gjuhës t’ime Atërore !

Jena kênë njoftë me Lleshin e ndjémë jo pak por plot 67 vjete të shkueme kur na mobilizuene ushtárë në Repartin e Mallkuem të Punës q’e ndërtoi te i quejtuni Rrapi Trish të gjith’atê zonë kazermash ushtarake !

Kje nji rast’i çuditshëm sepse në fillim kur porsa kishim ardhë ushtarë të rij te Komanda qi kishim në rrugën e Durrësit, dikund përkarshí me fundin e ish aeroportit të Tiranës, kjé nji ushtár’i vjetër me të cillin kisha shoqní qysh në Gjimnazin e Shkodrës, Kastriot Bajraktari, (i cilli ishte njêni prej bijsh të nënkolonelit Mul Delísë, Bajraktarit të Hotit si edhe Malcisë së Madhe), qi më njofti me të ndjémin Llesh Grishaj qi ishte mobilizue e kishte ardhë ushtarë bashkë me mue prej Shkodre. Kah Kastriotin e njifshem si djalë shum të mirë e ky ma rekomandoi Lleshin, nuk kishjem si mos t’i besojshem e qysh në muejin Dhetuer të vjetës 1951 e kena pasë lidhë miqësínë me tê !  E përpá u zgjatë rreth kësaj ndodhíje … qysh atëherë, (merreni me mênd lexues të nderuem), se sa të shtrêjt’e kena ruejtë miqësínë me Lleshin e ndjémë edhe përgjatë ktyne 27 vjeteve qi kena banue s’bashkut këtu në Michigan-in e Shteteve të Bashkueme të Amerikës !  E kuptoj mâ se mirfílli se për nji lexues moshe të ré âsht e vështirë me u kuptue ky pohim qi vijon, ndërsa për nji person i cilli e ka jetue thuejse gjysë shekullin e diktaturës kuqe, aj din m’e ndjekë hap mbas hapi se shka kam me diftue. Përgjatë asaj qi u quejt m’njênën ânë DIKTATURË E PROLETARIATIT  e në tjetrën ânë, po prej të njajtve drejtues komunistë të vêndit, DEMOKRACÍ POPULLORE, ku vêhet shêja e barazimit mjedis dy cillsorve diametralisht të kundërt njêni prej tjetrit edhe qindrimi i atyne q’e kishin në dorë Shqipnínë ishte i njajti :  masa extreme lufte kundrejt prindve t’onë ndên parullën LUFTË KLASASH  e, m’ânë tjetër po i njajti qindrim edhe kundra nesh 18-vjeçarve qi na mobilizojshin n’ushtrí por në vêndin e armëve edhe stërvitjes ushtarake na nepshin ka nji kazëm e lopatë e na bâjshin me u rraskapítë në punë krahu tue punue në gropa gëlqereje si edhe sheshe pregaditjeje betoni !

Nuk ishte rastësí por në Repartin tonë të Punës ishte me né, Lleshin edhe mue, edhe i ndjémi tashmâ Alfred Marashi, i biri i komandantit me êmën Llesh Marashit i cilli e kishte pasë bashkpuntuer të afërt në Janarin e vjetës 1945 në atê e cilla âsht quejtë kryengritja e parë kundrakomuniste në të gjithë kampin e ashtuquejtun KOMUNIST TË LINDJES, Lukét Grishajn prej mahallës Grishajve, e pra Babën e Lleshit ! Me pak fjalë Reparti i jonë i Punës ishte i mbushun me djelm familjesh sa Atdhetáre e gjithashtu edhe të ndérshme daç gjytetare e gjithashtu edhe fshatare !

Për pa dashtë m’e mërzítë lexuesin e nderuem të ktyne rreshtave due me i kujtue nji ndodhí të mbrâmjes organizueme te Kisha e Shën Palit me 30 Tetuer të vjetës 2004 prej Revistës Kuvendi. Un kisha marrë me vedi nji shok t’êmin ushtríje i cilli kishte pasë ardhë te e bija prej Tirane edhe i quejtun Nasi Hobdari. Në sallë kishte ardhë edhe Sami Zëmblaku, nji shok tjetër ushtrije.  E nisun prej faktit se në nji tavolinë tjetër kje ulë Llesh Grishaj i cilli kur na pa se po u afrojshim drejtë Tij u çue në kâmbë, na u afrue edhe na dha dorën por … pa e njoftë askënd veç meje.  I drejtohem dhe i thom Lleshit “… Si âsht kênë quejtë komandanti yt Llesh në ushtrí ? Mbas nji çasti hutimi Aj gjegjet … Hamit Deda.  E dha gjegjen Lleshi por i shikjon tashmâ me habí dy burrat e panjoftun. I kthehem Nasit  me po at pyetje edhe Aj më gjegjet … Hamit Deda.  Edhe Samiu të njajtin êmën pohoi me gjegjen e Tij. E kur edhe un shtova po at êmën si komandant në Repartin e Punës, asnjêni prej lexuesve të ktyne radhëve nuk ka se si m’e përfytyrue emocionin me t’cillin u përqafuene Lleshi me Nasin si edhe me Samiun !  Ishim njoftë kur ishim kênë 18-vjeçarë e kishim kalue s’bashkut  sa e sa episode prej t’cillve disa edhe tragjikë e mandej … jeta na kishte ndá !  Doemos mbasi u ulme tashmâ katër pleq, gjithsecilli mori me diftue ndonji ndodhí të kohës dikurshme kur ishim ushtarë.  Me kët rasë un jam kah ndalem edhe diftoj nji kujtim t’cillin na e rikujtoi Lleshi.  Nji ditë kishte ardhë m’e inspektue repartin tonë ushtarak n/koloneli Petrit Dumja. Të tân’e mbajshim mênd, Ishte e Dile e na kishim tri orë qi ishim rreshtue në pritje. U ul Petrit Dumja prej kalit e tue ecë para repartit u drejtonte pyetje ushtarve si I kishin êmnat. Në nji farë çasti u ndal para nji ushtari shum të gjat’e të pashëm e mbasi aj iu gjegj se quhej Dodë Miri, nenkoloneli i tha : … ee e dd di ti sss ss se tty  tt t ta kam vvv vrarë bb babanë ee edhe xh xh xhaxhanë ?  E Doda iu gjegj :  E si nuk e ditkam un ?  Po jo vetëm babë edhe axhë, po ti na ke vrá nândë mashkuj t’konakut shoku nënkolonel  e na kurr s’kem se si me të harrue ty !  E un jam kah shtoj se na i kujtueme shum episode mes nji mallëngjimi të thêllë e mâ e madhja âsht se kujtimet e përjetueme u tokojshin katër djelmve të rij … kurse përballë njênitjetrit ishim tashmâ katër pleq !

Tue dashtë mos me u zgjatë shum,  jam kah theksoj se në ksí rasash, si i ka ndodhë Familjes Nderueme Grishaj  mbrâmë mbas mjesnáte, cilli kishte me kênë qindrimi mâ i përshtatshëm ndaj atyne t’cillt i ka përfshîe ky mort?

Shyqyr Zotit, Lleshi jon’i dashtun ka nji rreth të gjânë bijsh’edhe nipash e mesash t’cillt, njêni me tjetrin në ksí ráse kanë m’e ndáe dhimjen e ktij morti q’i ka gjetë !  Kurse un, si trashëgimí të miqsísë t’ême me Lleshin kam detyrë jo t’kollájtë, tue kênë se vetë Lleshi më ka miqsue ka herë me t’birin Franzin, me t’cillin pavarsísht diferencës moshore e cilla na ndán … i jam shum i detyruem, por i lutem Zotit të Madh të më ndihmojnë qi i gjindun përballë humnérës t’cillën jeta e hapi papritun para tij, s’parit e kryesisht n’asnji mënyrë mos të mundohem qi t’ju përgjigjem pyetjeve të tija, kjo sepse vetë vdekja âsht nji mister të cillit gjithsecilli i gjegjet në mënyrë të ndryshme.  E rândësishme mêndoj se âsht me i qindrue afër, m’e ndigjue, me i kênë mâ shum se kurr MIK E ME IA DIFTUE KËT MIQËSÍ SEPSE PIKËRISHT KJO MIQËSÍ ASHT E VETMJA GJA E CILLA MBETET !   

Kam me u dhânë fund ktyne rreshtave me nji ftesë lexuesve t’cillt kanë me shkue e me ua paraqítë familjarve të Lleshit ndjémë ngushllimet në banesën e tyne familjare.  Dy hapa para shkallëve të hymjes të ndalen e t’a lexojnë nji pohim të gdhêndun në gur i cilli i drejtohet të ndjémes ish bashk-shortes Lleshit ku shprehet skâjshëm me shum ndjenja njerzore respekti për ish Zojën e asaj shpíje !  E s’bashkut me kët ftésë leximi, due m’e urue çiftin Grishaj t’u jenë bashkue shpirtat n’Amshimin e Bekuem !

****

NJOFTIM MORTOR

Familja Grishaj lajmeron se miqte, te afermit, Komunitetin se  Llesh Lukete Grishaj nderroi jete ne moshen 85 vjecare,me 1 Gusht 2018,ne Shelby Township,Michigan.Djali Franzi me familje dhe me djemte e axhave qesin hatrin te enjten me date 2 Gusht ne Wujek Calcaterra 25 Mile Van Dyke prej ores 2-9.Mesha e Drites do mbahet diten e Premte, me date 3 Gusht ne 10 am ne Kishen Katolike Shqiptare te Shen Palit.Ceremonia e varrimit do jete pas meshes ne Resurrection cemetery 17 Mile Garfield.

PS:Llesh Grishaj eshte babai i Vatranit Franz Grishaj dhe xhaxhai i Alfons Grishaj

*Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “DIELLI” i percjellin ngushellimet me te thella Familjes Grishaj.

Filed Under: Featured Tagged With: duke kujtua, Llesh luket Grishajr, Mergim Korca

Kosovë-Kampi amerikan “Bondsteel”, garantues paqeje

August 1, 2018 by dgreca

1 Ramush Helik

1 Ramush tregim

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj: Kampi “Bondsteel” është shpresë dhe garantues paqeje për të gjithë që jetojmë këtu/

1 Ramush interv-Komandanti i kampit ushtarak amerikan  “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, vlerësoi lartë vizitën e kryeministrit Haradinaj në këtë kamp dhe tha  se edhe me tutje do të vazhdojnë mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës/

2 Ramushi ushtaretFERIZAJ, 1 Gusht 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/

“Kampi ‘Bondsteel’ është shpresë dhe garantues paqeje për të gjithë që jetojmë këtu”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i bëri sot kampit ushtarak amerikan në Sojevë të Ferizajt, ndërsa shtoi se edhe më tutje shpreson në mbështetjen dhe partneritetin strategjik me ShBA-në, veçanërisht ndihmën dhënë FSK-së.

Ndalesën e parë në këtë vizitë kryeministri Haradinaj i shoqëruar nga komandanti Ducich, e ka zhvilluar në spitalin e kampit, ku ofrohen shërbimet mjekësore dhe ku nga afër pa shërbimet mjekësore që ofrohen në këtë repart.

Më pas, kryeministri Haradinaj ka vizituar sektorin e deminimit, ku nga ekspertët ushtarakë amerikanë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës i është shpjeguar puna dhe procesi që zhvillohet në këtë repart, nga i cili që nga paslufta e deri më tani janë deminuar numër i madh zonash të minuara në gjithë Kosovën. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ushtarët amerikanë për kontributin e tyre në forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të FSK-së.
Kryeministri  Haradinaj vizitën e vazhdoi edhe në pistën e helikopterëve, ku në mënyrë simbolike, në shenjë mirënjohje dhe respekti për vizitën, nga komandanti Ducich i është dorëzuar flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Haradinaj, pas pranimit të flamurit, tha se ndjehet tepër i nderuar me këtë respekt që po i bëhet nga një shtet mik, siç janë ShBA-të.
Më pas kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga komandanti Ducich dhe ushtarakë të kampit amerikan, të cilët shërbejnë në Kosovë, ka drekuar në mensën, ku janë të punësuar një numër i madh punëtorësh kosovarë. Lidhur me këtë, kryeministri Haradinaj tha se kampi “Bondsteel”, përveç misionit ushtarak që ka në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës, ka edhe një dimension tjetër më të gjerë, atë social dhe ekonomik, sepse u ka mundësuar qindra familjeve kosovare të ardhura financiare.
Në përmbyllje të vizitës, e para e këtij lloji nga një kryeministër i Republikës së Kosovës, kryeministri Haradinaj, së bashku me komandantin Ducich, u prononcuan para mediave të pranishme.Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është shtet multietnik dhe është garantuese e paqes edhe në regjion. “Sot jam i nderuar të jem me ju dhe ju falënderoj për kohën, si dhe për atë që pash këtu, sesa shumë është punuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se jo vetëm që është kujdesur për nevojat shëndetësore të qytetarëve, por edhe për bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë mbështetjen që i keni dhënë atyre.“Shpresojmë që edhe më tutje të jemi partner me ju dhe të mbështesni FSK-në”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërsa, komandanti i kampit ushtarak amerikan  “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, pasi vlerësoi lartë vizitën e kryeministrit Haradinaj në këtë kamp tha  se edhe me tutje do të vazhdojnë mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“FSK-ja po e demonstron çdo ditë e më shumë profesionalizmin e saj, në kompetencat e saj dhe sidomos në kryesore, duke qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, tha komandanti Ducich.

Në fund të vizitës së tij, kryeministri Haradinaj ia dorëzoi flamurin shtetëror të Kosovës komandantit Ducich, si shenjë nderimi dhe respekti institucional për rolin e kampit ushtarak amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Bondsteel, garantues paqeje

DO TË KTHEHEN NË ATDHE ESHTRAT E MIDHAT FRASHËRIT

August 1, 2018 by dgreca

1 mitat VONË, POR MË MIRË VONË SE KURRË-DO TË KTHEHEN NË ATDHE ESHTRAT E MIDHAT FRASHËRIT/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se qeveria shqiptare ka vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nenshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të këthehen në Atdhe nëntorin që vjen, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Ky vendim, sipas medies, është marrë bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.1 Kong i Manastirit

Ne Kongresin e Mnastairit, prane Ate Gjergj Fishtes/

1 MITHAT-BEU-2-800x445

Nuk e di se sa serioze është kjo klasë politike shqiptare për një pajtim të vërtetë kombëtar, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit, por megjithëkëtë, vendimi për kthimin e eshtrave të Midhat Frashërit në Atdhe është për t’u përshendetur, si një hap në drejtimin e duhur. Vonë, por më mirë vonë se kurrë.  At Gjergj Fishta, Poeti i Kombit dhe mbrojtësi i zjarrtë i të drejtave të shqiptarëve – i ulur aty pranë Midhat Frashërit në foton e Kongresit të Manastirit siç mund të shihet më poshtë – e pyet veten: po unë çfarë të keqe i bëra Kombit tim që më ka hedhur në harresë?!  Fatkeqsisht, eshtrat e At Gjergj Fishtës janë hedhur në lum nga regjimi i Enver Hoxhës me shpresën se kujtimi i tij do të zhdukej njëherë e për gjithmonë nga faqet e historisë së shqiptarëve, por ka mënyra të tjera për të nderuar këtë kolos të Kombit Shqiptar. Fatkeqsisht, nuk ekziston një vullnet i mirë për të nderuar Fishtën, por duhet të durojmë dhe tu japim kohë, sepse sië është shprehur Tolstoji, “Ushtarët më të fortë në jetë janë koha dhe durimi”.  Prandaj them më mirë vonë se hiç!  Pajtimi Kombëtar e kërkon një gjë të tillë.

Por, sot përshëndesim vendimin e qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, patriotit dhe personalitetit të njohur të Kombit. Dua ta përshëndes këtë vendim të qeverisë së Shqipërisë duke kujtuar, me këtë rast, Midhat Frashërin me një shkrim të përditësuar, kushtuar atij botuar disa vjetë më parë, pikërisht me rastin e 65-vjetorit të vdekjes së tij.

Më 3 tetor 1949, në hotelin Lexington në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë i mërguar dhe larg Atdheut, Midhat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit dhe nip i rilindasve Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.  Unë deshta ta kujtoj atë në këtë përvjetor, natyrisht për vet meritat e këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit, dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohësit dhe bashkluftarët e tij. Unë nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të informuar mirë që në këtë përvjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, të shkruaj mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik dhe atdhetar.   Por, po e shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasve të mi, dikur bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – e të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pas fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave, pasi besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë rast të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur.

Midhat Frashëri, si themelues dhe kryetar i Ballit Kombëtar, për ta   ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por konsiderohej edhe si një udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos përmendëte diçka nga kohët e vështira që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilëve, si besnikë të tij që ishin, ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë”.  Këta janë ndër ata që kishin ecur këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, që për ta ishte bërë si emër i dytë i tij.   “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm në bisedat me ish-kolegëve të mi.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin kujtimin dhe porositë e tij dhe njëkohsisht të luftonin me dije e penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të Shqiptarëve, siç thonin ata. Ata e bënë këtë, secili në mënyrën e vet, deri në fund të jetës së tyre.Ish-kolegët e mi, flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili thonin ata, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta, gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë, si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ata kujtonin jetën me Midhat Frashërin nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.   Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Ethnike.  Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes së tyre me familjet që kishin lënë pas, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ishte Midhat Frashëri ai, i cili, i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë? , ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

Kisha dëgjuar aq shumë prej tyre për personin dhe veprimtarinë e Midhat Frashërit, si njeri dhe si një rilindas i shquar, mbi travajët e tyre gjatë dhe pas luftës, sa që pas disa viteve me ta, pothuaj e ndjeja veten si të kisha qenë pjesë e atij grupi të nderuar bashkadhetarësh, megjithse isha shumë më i ri nga mosha.  Prandaj, me këtë rast dua të kujtoj Midhat Frashërin, por edhe ata që kanë qenë afër tij dhe të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e nderuar Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duart e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë lotë, pasi nga ajo ditë e sot, mendohet se me të këthyer në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri.   Ndër të tjerët “djemë” të Midhat Frashërit të asaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni dhe jashtë zyrës së VOA’s ishin  Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashit – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 — vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte plot veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri mjek i dalluar e tjetri profesor i shkencave politike, e i cli njihej si profesor që adhurohej shumë nga studentët e tij universitarë amerikanë.  Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – janë bërë tani edhe pjesë e kujtimeve të mia, përshtypje të cilat i kujtoj me nderim në këtë 65- vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit dhe Sami Frashërit.

Ishin këta ish kolegë të mi gazetarë, të cilët çdo ditë dhe në çdo moment, profesionin e tyre përpiqeshin ta merrnin tepër seriozisht.  Ishin të “shkollës së vjetër”, ashtu siç i donte dhe siç i kishte mësuar Midhat Frashëri, i cili rolin e gazetarit e kishte çmuar shumë, duke thënë se gazetarët duhet të jenë “njerëz të idealit” dhe “me ndërgjegje të lartë kombëtare”. Shtypi, ka shkruar ai, duhet të jetë “kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqërore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruar prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuar drejt dhe vërtet interesin tëndë”.   Ideja e tij ishte se shtypi i lirë që do t’i shërbente interesave të kombit dhe të shoqërisë duhej “të drejtohet nga njerëz të zotë dhe profesionistë”, duhej të jetë, sipas Midhat Frashërit, në “Duar të dënja, në njerëz të zotër, të paisur me cilësi dhe virtute të naltë”.Në fjalimin e tij të famshëm në BBC e Londrës, në vjeshtën e vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte më në fund se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.  Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo”, ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”Fatkeqsisht, ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohej si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E cilin? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashëri i Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashëri i Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashëri i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanatizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!  Shpresojmë që kjo të ndryshojë me kthimin e eshtrave të ti Shqipëri.Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia e vërtetë shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Midhat Frashëri Meriton të kujtohet gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë rast, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund ata të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.Mjaftë me mëkatet që u janë bërë patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta!  Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Shpresojmë që vendimi i qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, të jetë fillimi i një rishikimi të historisë dhe i rivelerësimit të kontributit që kanë dhënë për Kombin shqiptar, patriotët shqiptarë si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta. Është një vendim i mirëpritur, ndonëse i vonuar, por më mirë vonë se kurrë!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kthehen eshtrat e Mithat Frasherit

Kosovë-Mërgata në Katedralen Shën Nënë Tereza

August 1, 2018 by dgreca

-Kremtohet Dita e Diasporës, Meshë solemne në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë,  i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.  Në Meshë erdhi nga Nju Jorku anëtari i  Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Marjan Cubi,  bashkë me bashkëshorten Dila/
1 Marjan

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

2 shpine

 PRISHTINË, 1 Gusht 2018/ Në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, sot, Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës me mirëseardhje e mirëpritje bashkatdhetarëve nga mërgata që kanë ardhë në atdhe në pushimet e kësaj vere.3 kryeipeshk

Në këtë Ditë, Meshës solemne në Katedrale i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare.

5 Mar Ipeshkevi

Në Meshën e sotme solemne mbërriti nga Nju Jorku Marjan Cubi, anëtar i  Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, i cili kishte ardhë bashkë me bashkëshorten Dila.

4 DilaShqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë. Në dritaret e Katedrales janë shkruar emra vatranësh-shqiptarësh të Amerikës kontribues për ndëtimin.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe të pëfaqësuesëve të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, e  cila edhe u vlerësua e falënderua për kontributet, u bë në 5 shtator 2017, në ditën që ishte e 1 vjetorit të shenjtërimit e 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të atëherëshëm të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit në atë kohë Teodor Mekkerik.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Tashmë disa vjet  në Kishën në Kosovë 1 gushti është caktuar të jetë ditë e cila i bashkon besimtarët e diasporës me besimtarët në rezidentë në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj. Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • 409
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT