• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URIME VATRANESH: U bëfsh 120 Vjeç Julian!

September 30, 2017 by dgreca

ZV/Kryetari i Vatrës, Dega Michigan,  Julian Çefa , mbush 80 Vjet/

1 Cefa

Ai mund të jetë një nga më të vjetrit Vatranë. Rreth pesëdhjetë vjet  në Vatër . Juliani ka qenë i angazhuar totalisht në çështjen kombëtare , me fjalime , demonstrata, drejtues  radio me Kujtim Qafen , etj … Ai kujton ,  se është antarësuar  në Vatër rreth vitit  1968-1969, sëbashku me Kolec Pikolinin , i cili është në moshën  92 vjeçare.

2 Cefa Riku

Të flasësh me Julianin , duhen net dimri për të shkruar jetën  e tij . Ndër të tjera ai thotë  : “ Për atë kohë , antarësimi në Vatër  ishte një privilegj i madh , për arsye se nuk pranohej kushdo. Kishte rregulla strikte që ne  i respektonim me kënaqësi dhe rigorozitet. Rreth Vatrës mblidheshin figura kolosësh që  nuk flisnin në hava. E donin atdheun dhe  u qante zemra për çfarë kishin lënë prapa. Andaj mundoheshin në të gjitha mënyrat që të bënin më të mirën. Në punën e tyre nuk kishte gjëra artificiale. Mblidheshin nga anë e kënd botës. Njëherë erdhi dhe Martin Camaj , ku më vonë u bëmë miq shtëpie . Një ditë e pyeta , ”Martin , pse nuk i shkruan poezitë pak më të kuptueshme , se lexuesit nuk i kuptojnë ? Ai vuri buzën në gaz dhe mu përgjigj, “ Jul i dashtun , unë kam qejf që lexuesit me u ngrit në nivelin tem , se atëherë ne kemi fitu intelektualë të rinj që do i duhen vendit . Nqoftëse unë do shkoj tek ata , d.m.th . mendimet e mia nuk kanë vlejt asgja .” Pra këta burra ishin me mendje dhe shpirt  tyne në  shërbim të  atdheut . Tani kanë ndryshuar gjërat , njerëzit mendojnë pak për atdhe e shumë për vete . Kjo është diferenca e ndryshimit të breznive.5 Cefa Mondi Por nëqoftë se shikojmë  në pikpamjen intelektuale , Vatra dhe vatranët e sotëm , kanë pikë më tepër prej një kohe që Vatra pothuajse ra në gjumë letargjik.  Për shembull :  dikur , në Gazetën   “Dielli”  ishin me gishta ata qe shkruanin dhe për këtë arsye gazeta ishte difiçitare në faqe dhe përmbajtje . Tani mundena me thënë se Gazeta “ Dielli” është e nivelit shumë më të naltë dhe voluminoze  dhe bashkëkohore . Ta them burrërisht , merita i takon  Dalipit dhe njerëzve të mençëm të Vatrës.

Tani dhe Kryetari i ri i Vatrës , Dritan Mishto ,  është një figurë e dashtun dhe e respektueshme. E kam  takuar dy a tre herë, të ka lezet shpirti me folë me të . Njeri i  kompletuar , diplomat dhe patriot. Më kanë thënë se vjen nga  familje  patriotike elbasanase,  njerëz me emër .  Vatra ka bërë shumë mirë qe ka zgjedhur këtë person . Se me çfarë kam dëgjuar,  ai  ka dhe  gjoks.

3 CefaNe e kimi bërë detyren tonë dhe do vazhdojmë të ju ndihmojmë me këshilla , dhe u ndjekim me  hapin tonë të ngadaltë , por të sigurtë . Po  Ju e keni në dorë tani që ta çoni më përpara , se prapa dhe po të dojë ndokush nuk e ka atë shans” ! 4 CefaAi vazhdon të flas me pasion për Vatrën dhe Kombin , për shokë dhe miq që nuk jetojnë më. Për Shkodrën e tij të dashur dhe për profesionin  , “Teknik Robotësh” që sot është e lakmueshme për çdo ëndërrimtar. Rrethi i familjes së  tij të dashur , me gruan e mrekullueshme dhe vajza , nipa e mbesa  e kanë mbajtur  në formë sikur të ishte një 60 vjeçar. Dega e Vatrës Michigan i uron Julian Çefës :  U bëfsh 120 vjeç, mik i dashur!6 Cefa

Dega e Vatrës Michigan. Me , 20 / 9 / 17

Mond Rakaj, Kryetar i Degës Michigan

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar ditelindjen, Julian Cefa, Mondi Rakaj

VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?

September 27, 2017 by dgreca

*Vatra do mbyllet, e mbaroi qëkuri misionin, Dielli u shua…Sa here na kanë dëgjuar veshët fjalë të tilla?

1-GAZETA-DIELLI-VATRA-300x107

*Jetegjatesia e Vatres-105 vjece,  shkelqimi i Diellit ne 109 vjetorin e krijimit- kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve(dhe shpifësve), kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare./

-NJE ESSE PER MISTERIN E JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT-/

Peter-prifti-300x139

Shkroi: PETER R. PRIFTI*/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: Featured Tagged With: Dielli u shua, Peter Prifti, Vatra u mbyll

NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË

September 27, 2017 by dgreca

1 Bush Ilia K

-Me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Peshkopit amerikano-shqiptar, Ilia Ketri-/

1 Ilia Ketri

Ne foto:Çast nga dreka në Çikago,me rastin e 80 vjetorit/

Nga Fuat Memelli/

Me fam Xhim BelushiNe Foto: Ilia Ketri me familjen e tij dhe aktorin e shquar, Xhim Belushi./

55 vjet numëron Ilia Ketri në rrugëtimin e tij në shërbim të fesë. Por, vitet nuk tregojnë gjithçka. Mbi të gjitha tregojnë gjurmët që ke lënë në punët që ke kryer. Dhe Ilia Ketri ka lënë gjurmët e tij të pashlyera në shërbim të fesë orthodokse. Me fjalën e tij ka mbushur shpirtin e besimtarëve. Ajo ka “ngjitur” tek ata, pasi ai u flet në gjuhën e nënës, në gjuhën e bukur shqipe.

Kisha shq ne Cikao 80 vjet

Ne Foto:Me besimtarët e kishës shqiptare në Çikago,në festimin e 80 vjetorit./

PËRVJETORI NË ÇIKAGO

Për dashurinë dhe respektin që kanë për Peshkop Ilia Ketrin, besimtarët e kishës së Shën Kollit në Çikago, ku ai ka shërbyer për disa vjet, i organizuan  një ditlindje të bukur. Për të nderuar atë, kishin shkuar besimtarë shqiptarë nga Sinica, Qyteza e Dardha që jetojnë në Çikago, si dhe të tjerë nga Detroiti, Bostoni e Torontoja. U thanë plot fjalë zemre. Në një ekran u projektuan foto e vidjo nga jeta e tij, përgatitur nga Genc Panajoti e Artan Papazisi. Kjo veprimtari e organizuar nga një grup besimtarësh me në krye At KostandinTudën, la plot mbresa jo vetëm te Hirësi Ilia, por te gjithë të pranishmit.Të duash dhe të të duan, është një lumturi e madhe. Siç ka thënë Dostojevski:”Në kujtesën e popullit mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur”.

Kisha Shen Trinia

Ne Foto:Me besimtarët e kishës Shën Trinia në Boston/

DISA “STACIONE” TË JETËS SË TIJ

Për të krijuar një ide më të plotë për figurën e tij, duhet t’i hedhim një veshtrim “udhëtimit” të Ilia Ketrit në rrugën e jetës 80 vjeçare. Janë të shumtë “stacionet”e rëndësishëm të jetës së tij dhe po t’i përmendim të gjithë, do të duheshin faqe të tëra. Për këtë arsye, po ndalemi vetëm në disa prej tyre. Ilia Ketri lindi në qytetin Sault Sainte Marie të Miçiganit, nga prindër shqiptarë me origjinë nga Sinica e Devollit. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi studimet në Boston, në Seminarin e Kryqit të Nderuar për 6 vjet ku u diplomua për teologji. Në vitin  1961 u martua me Helenën me të cilën patën një djalë,  Sotirin dhe një vajzë, Eugjenian. Për disa vjet ka kryer detyrën e famulltarit në kishën “Shën“Trinia” si dhe atë të sekretarit të peshkopit të dioqezës. Gjithashtu ka qënë edhe këshilltar shpirtëror i studentëve të kolegjit, pjesëmarrës në Komitetin Orthodoks të Bostonit, zv.drejtor i shtypit orthodox të Seminarit të Kryqit të Nderuar, arkëtar i thesarit të Shoqërisë Teologjike të Amerikës si dhe disa funksione të tjera. Në vitin 1972 është diplomuar në arte dhe një vit më vonë përfundoi masterin për teologji. Në edukimin dhe karierën e tij, ka ndikuar edhe peshkop Marku, të cilit ai i është mirënjohës.

Një “stacion” i rëndësishëm i jetës së tij i përket vitit 2002, ku së bashku me klerikë të lartë orthodoksë në Amerikë, u ftua në një takim me presidentin amerikan Xhorxh Ë. Bush në Shtëpinë e Bardhë. Në mars të këtij viti, së bashku me Peshkopin amerikano-shqiptar, Nikon, bashkëcelebruan Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, në përkujtim të 100 vjetorit të Liturgjisë së parë Hyjnore në gjuhën shqipe në SHBA, mbajtur nga Fan Noli, duke dhënë kështu një mesazh mirëkuptimi.

Me kërkesën e Kryepeshkopit Anastas dhe miratimin e Patriarkut Ekumenik Bartolemeu, Ilia Ketri ka shërbyer kishës në Shqipëri, duke mbajtur leksione në Akademinë e Shën Vlashit në Durrës. Ai gjithashtu përfaqëson Kishën Autoqefale të Shqipërisë  në dy dialogje ndërkombëtare teologjike: një me Kishën Katolike të Romës dhe një me Komunitetin Ndërkombëtar Anglikan. Si përfaqësues i kishës shqiptare, me rekomandim të Patriarkut Ekumenik, ai përfaqësoi Shqipërinë në festimet e Vatikanit , për nder të apostujve Pjetër dhe Pavël, më 29 qershor të vitit 2012.Pjesë e kësaj vizite ishte edhe një takim me Papa Venediktin e XVI. Ilia Ketri gjithashtu është anëtar i Asamblesë së Peshkopëve Orthodoksë Kanonikë të Amerikës , ku kryeson edhe Komitetin e Edukimit Teologjik. Mer pjesë gjithashtu në Konferencën Kanadeze të Peshkopëve Orthodoksë. Më 1 qershor të vitit 2014, mori pjesë në shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit “ në Tiranë. Në CV-në e tij, ka edhe plot ngjarje të tjera të shënuara. Sa më lart, mund të themi se ai përfaqëson me dinjitet jo vetëm Shqipërinë, por si nënshtetas amerikan, edhe Amerikën

THJESHTËSIA DHE PATRIOTIZMI- VLERA TË ÇMUARA TË TIJ

Siç theksuam më lart, Ilia Ketri ka mbaruar shkollë të njohur në fushën e teologjisë; ka kryer punë të rëndësishme në shërbim të fesë orthodokse; ka takuar persona të rëndësishëm por gjithëmonë ka mbetur një shqiptar i thjeshtë. Thjeshtësia është një vlerë e çmuar e këtij shërbëtori të fesë. Kjo thjeshtësi vihet re në jetën, e përditëshme të tij.Vihet re në shërbimet fetare që kryen në kishë. Kam marë pjesë në disa mesha që drejton ai në kishën “Shën Trinia” në Boston. Nga fundi i meshës, pasi mbaron si të thuash “anën zyrtare” të saj, shkëputet nga letrat, del para besimtarëve dhe i flet si të thuash “vendëshe”. Kur ka munguar ca kohë pasi ka qënë në qytete të tjerë të Amerikës ose jashtë saj, i flet për udhëtimin që ka bërë dhe njerzit që ka takuar. I pyet për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. I flet për ndonjë problem aktual, siç u foli kohët e fundit për përmbytjet në Teksas e në Florida; i flet për të qënë besimtarë të devotshëm, për të dashur e respektuar më shumë njëri-tjetrin. I flet për edukimin shpirtëror të tyre dhe të fëmijëve.-Prindërit dhe kisha më edukuan mua, shprehet ai. Kur bie fjala për priftërinjtë shqiptarë që do të shërbejnë për komunitetin shqiptar në Amerikë, ai thotë:” Ata duhet të dinë mirë shqip e anglisht e të njohin mirë traditat shqiptare, ndryshe fjala e tyre nuk do të ngjitë te besimtarët”. Por, thjeshtësia e tij duket edhe në raste të tjera. Në sebepe të ndryshme të besimtarëve e miqve të tij, ai bëhet si të thuash, njësh me ta. Pi raki, këndon këngë patriotike e këngë të vjetra korçare. Kur është i lirë, fton për kafe, drekë ose darkë, miq të ndryshëm dhe nuk i le të futin dorën në xhep.

Ilia Ketri mer pjesë në veprimtaritë me karakter patriotik që zhvillojnë shqiptarët në Amerikë,  Kanada, etj. Flet me dashuri e pasion për Fan Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë, flet për emigrantët e hershëm në SHBA, etj. Ai i do më gjithë zemër Shqipërinë e shqiptarët. Për thjeshtësinë dhe shpirtin e tij patriotik, të gjithë ata që e njohin, e duan dhe e vlerësojnë  peshkop Ilia Ketrin, ashtu siç i do dhe respekton  ai.

NË AMERIKË DHE …SHQIPËRI

Krahas shërbimeve fetare në Boston, Çikago, Las Vegas, Detroit, Kanada, etj, herë pas here ai mer rrugën edhe për Shqipëri. Nuk është vetëm detyra që e bën të shkojë në vendin e të parëve, por është edhe zëri  gjakut që e thërret. Vërtet Ilia Ketri është lindur, rritur e shkolluar në Amerkë, por ai nuk i harron asnjëherë rrënjët nga ka ardhur. Prindërit dhe njerzit e afërt, i ushqyen dashurinë jo vetëm për fshatin e tyre por për gjithë Shqipërinë. Gjatë viteve të monizmit, nuk mundi të shkojë në Shqipëri. Me ardhjen e demokracisë, shkoi në Sinicë, Qytezë, Dardhë, Korçë, Tiranë, Berat, Durrës, etj. Ka shpënë edhe gruan, djalin e vajzën për t’u njohur me vendin e të parëve. Në vitin 1992, shkoi për 6 muaj në shkollën e Shën Avlashit në rrethin e Durrësit. Aty duke mbajtur detyrën e drejtorit njëkohësisht edhe të pedagogut, dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e prifërinjve të rinj. Në vitin 2002, pasi mori titullin e Peshkopit, shkoi në Shqipëri dhe meshën e pare pas marjes së këtij titulli, e mbajti në Sinicë, te kisha e rindërtuar e Shën Tanasit. I foli i mallëngjyer bashkëfshatarëve. U përlotën ata por u përlot edhe ai .Mesha të tjera ka mbajtur te kisha e Shën Thanasit në Qytezë kur vdiq mësuesi i nderuar, Dhimitër Farmaqi. U ngjit me kalë te kjo kishë, ashtu shoi shkonin dikur shënjtorët. Ka mbajtur mesha edhe në katedralen e Korçës, atë të Tiranës,  Durrësit e Beratit. Ka qënë disa herë në ditën e Shën Kollit në festën e sinicarëve e cila zhvillohet më 20 maj. Kudo ka lënë gjurmë të pashlyera, pasi u flet shqiptarëve me gjuhën e zemrës. Ka shkuar në Shqipëri plot herë e përsëri do shkojë, pasi zemra e tij rreh sa për Amerikën, edhe për Shqipërinë.

MENDIME NGA SHQIPTARËT

Për figurën e Peshkop Ilia Ketrit, morëm disa mendime vetëm nga shqiptarë që jetojnë në Boston, por për atë  mund të flisnin edhe shumë të tjerë.

Niko Dako

Në personin e Hiresisë së Tij, Peshkopit Ilia Ketri, vlerësoj me respekt, kulturën e gjerë dhe mendimin e thellë, forcën bindëse të fjalës dhe devotshmërinë për t’u shërbyer njerëzve, për t’i edukuar me fjalën e Zotit e për t’i drejtuar në rrugën e virtytit; çmoj së tepërmi aftësinë dhe këshillat e tij të urta për ne emigrantët për të mbajtur gjallë e për të transmetuar në brezat e rinj dashurinë për atdheun tonë të largët, Shqipërinë e paharruar.

Jani Plasa

Peshkop Ilia Ketri është jo vetëm një klerik i kompletuar që zotëron me themel teologjinë dhe artin e oratorisë, por edhe një burrë i ditur dhe poliglot. Ai është një njeri me shpirt të madh që rezaton dashuri, paqe dhe shpresë. Është një mik që të bën për vete me ëmbëlsinë, thjeshtësisë dhe fjalët e mënçura.

  Kostandin Mosko

Për Peshkop Ilia Ketrin, kisha dëgjuar qysh në Shqipëri si një klerik ortodoks patriot. Fati e solli, ta njoh nga afër pasi ardha në Amerikë. Me përdorimin e bukur të gjuhës shqipe në mesha si dhe ngjarje të tjera të shqiptarëve ortodoksë të Amerikës, ai po i bën një shërbim të madh gjuhës shqipe, dheut të etërve të tij në mënyrën më të kulturuar e më fisnike. Ai është një nga klerikët më të shkolluar shqiptarë që nga viti 1962. Në festa, pagëzime, kurorëzim martesash dhe vdekje, i mban shqiptarët të bashkuar lidhur fort me gjuhën e tonë dhe Shqiperinë. Peshkop Ilia Ketri vazhdon të ndjekë rrugën e rilindsave tanë, tashmë në një stad më më të avancuar. Ai është një  rilindas i kohëve që jetojmë, një rilindas i shekullit të 21-të.

Sotir Pani

Fjala e ngrohtë e Hirësi Ilia Ketrit në dasma, fejesa e pagëzime të shqiptarëve të Amerikës, ua shton gëzimin atyre. Në ngjarje të rënda, fjalët e tij janë melhem për shpirtrat e palgosur. E kam provuar unë fjalën e tij melhem në ndarjen nga jeta të gruas time para dy vjetësh. Midis shumë të afërmve e miqve që m’u gjenden pranë, ishte edhe Peshkop Ilia Ketri.

Filed Under: Featured Tagged With: 80 vjetori, Fuat Memelli, i Peshkopit, Ilia Ketri

Presidenti Thaçi, nga Vatikani në Washington

September 26, 2017 by dgreca

1 Thaci Papa-Të enjten Presidenti i Republikës së Kosovës do të pritet në një audiencë nga Papa Françesku/1 Pence-Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të pritet në takim nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence/

Prishtinë, 26 shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të udhëtojë për në Vatikan, ku të enjten do të pritet në një audiencë nga Papa Françesku.Në këtë takim, presidenti Thaçi do të falënderojë Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në periudha të ndryshme dhe rolin e tij  në promovimin e paqes në botë.Presidenti Thaçi do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend, pas krijimit të institucioneve të reja, për reformat e gjithmbarshme në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe avancimin e drejtave të njeriut dhe komuniteteve.

Në këtë takim, presidenti Thaçi po ashtu do të bisedojë me Papa Françeskun për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve.Pas takimit me Papa Françeskun, presidenti Thaçi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të pritet në takim nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence.Në këtë takim do të diskutohet për tema të ndryshme me interes të të dy shteteve tona. Presidenti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe procesin e integrimeve euroatlantike.Presidenti Thaçi do të kërkojë po ashtu përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, dhe ne Washington, visit ne Vatikan

Histori-Kosova para 26 viteve në Referendum, votoi 99,87% për Pavarësi

September 26, 2017 by dgreca

-Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%/

1 gjilan 1992

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Referendumi, një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/
1 Rilindja
-Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së/
1 kacaniku voton

 -Vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u organizua edhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 shtatorit 1991/1 agim mar dila Laura

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 ag mar muze

 PRISHTINË, 26 Shtator 2017/ Para 26 viteve kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Kuv Kosov Iliaz Ramajli

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Iliaz Ramajli

Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

 “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), në shtatorin 1994, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendumka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë që kam zhvilluar ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror.

“Një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”, vlerëson Rifat Blaku, i cili atëherë ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.Ai, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 tetor 1991, kur është shpallur edhe qeveria e Kosovës në ekzil.

Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e  para 26 viteve, në numrin e 4 tetorit 1991, në  ballinë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, shkruante:“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punojnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa, para më shumë se 25 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Pas Referendumit, në 11 tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

VATRANËT NGA SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA, KU U ORGANIZUA EDHE REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

 Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë vizites, së bashku vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i VATRËS, Behlul Jashari, përkujtonin  ngjarjet historike…

Filed Under: Featured Tagged With: 26 vjet pga Referendumi, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT