• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 VJET MARRËDHËNIE DIPLOMATIKE MIDIS HUNGARISË DHE SHQIPËRISË

March 29, 2022 by s p

Konferenca Ndërkombëtare “100 vjet marrëdhënie diplomatike hungarezo-shqiptare” që u mbajt më 24-25 mars 2022, u organizua nga Programi i Studimeve Shqiptare, pranë Departamentit të Historisë së Evropës Lindore dhe Qendrore dhe Rusistikës Historike, në Fakultetin e Shkencave Humane, Universiteti Eötvös Loránd (ELTE BTK), Budapest në partneritet me Institutin e Punëvetë Jashtme dhe Tregtisë (IFAT)

Porf. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Edhe pse marrëdhëniet mes hungarezëve dhe shqiptarëve kanë rrënjë të thella historike, marrëdhëniet diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë u institucionalizuan në mars të vitit 1922 (I ngarkuar me detyrë) dhe kredencialet e para u dorëzuan më 31 maj 1922. Marrëdhëniet shumëpalëshe që linden nga korniza e krijuar politike midis Shqipërisë dhe Hungarisë gjatë këtyre 100 viteve, kanë treguar që të dyja vendet kanë pasur një vullnet të fortë për të kapërcyer vështirësitë e krijuara nga sfidat globale si Lufta e Dytë Botërore dhe komunizmi dhe kanë mundur të intensifikojnë dialogun e tyre jo vetëm në fushat politike dhe diplomatike, por në të gjitha nivelet, siç evidentoi edhe kjo konferencë e fundit.

Pas hapjes zyrtare të konferencës me himnet shqiptare dhe hungareze të kënduara me zërin e bukur të sopranos së mirënjohur shqiptare që jeton e vepron në Hungari, znj. Alisa Katroshi, fjalën e mori Dr. Etleva Lala, drejtuese e Programit të Studimeve Shqiptare për të prezantuar studiuesit pjesëmarrës. Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin ELTE, Prof. Dr. Dávid Bartus, përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës duke vënë në dukje disa nga aktivitetet kryesore të programit Albanian Studies në këto 10 vite. Ai theksoi që përveç mësimit të rregullt të gjuhës shqipe, gjuhë kjo që po bëhet gjithmonë e më atraktive për shkak të vëmendjes së shtuar të politikës dhe shoqërisë hungareze ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, programi ka organizuar edhe shumë aktivitete shkencore, si konferenca ndërkombëtare, workshope, tavolina të rrumbullakëta, prezantime librash dhe ka qenë qendër shkencore ku janë ftuar personalitete politike dhe akademike jo vetëm nga Hungaria por edhe nga rajoni. Prof. Dr. Bartus theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij programi dhe të fuqizimit të tij, duke qenë se është i vetmi vend në Hungari, ku shqipja dhe studimet për shqiptarët jepen jo vetëm në nivel akademik por edhe praktik.

E ngarkuara me punë a.i. znj. Gentiana Mbarimi që e mori fjalën më pas, pasi theksoi lidhjet historike që ekzistojnë midis hungarezëve dhe shqiptarëve që datojnë shumë kohë përpara vendosjes së marrëdhënieve zyrtare diplomatike, duke përmendur Skënderbeu dhe Hunyadin, albanologët e shquar hungarezë, si Franz Nopcsa, Lajos Thallóczy, Istvan Schütz, Daniel Gjergj etj., të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e etnografisë, historisë dhe gjuhës shqipe, mbretëreshën Géraldine Apponyi, kontesha hungareze që u bë mbretëresha e shqiptarëve pas martesës me mbretin Zog të Shqipërisë, në vitin 1938, e vuri theksin e saj te marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë në të gjitha fushat: “Të dy vendet tona kanë shfaqur vullnetin për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet vizitave në të gjitha nivelet, duke përfshirë vizitat e nivelit të lartë, si një kontribut i rëndësishëm për forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, turistik, etj.” – tha ajo. Gjatë dekadës së fundit, – shtoi ajo, janë përfunduar me sukses tre sesione të suksesshme të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë.

“Vullneti i mirë i dy qeverive, vizitat e nivelit të lartë dhe mjedisi i favorshëm i biznesit kanë bërë që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë të rritet vazhdimisht. Vitet e fundit në tregun shqiptar kanë hyrë fuqishëm kompanitë e njohura hungareze si WizzAir, OTP Bank, 4iG etj. WizAir tani ka një nga bazat e saj të avionëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe së fundmi ka nisur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit në Shqipëri. Fluturimet direkte Budapest-Tiranë-Budapest kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve hungarezë që vizitojnë Shqipërinë por edhe numrin e turistëve shqiptarë që vizitojnë Budapestin. Ne kemi besim se numri i turistëve do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. Ndërkohë që turistët hungarezë udhëtojnë drejt Shqipërisë për të shijuar bukuritë e pafundme natyrore të vendit, ata kanë gjithashtu mundësinë të shijojnë pjekjet e shijshme në furrat e shumta shqiptare në Hungari.

Bashkëpunimi nuk mungon as në fushën e arsimit. Si rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Hungarisë, në kuadër të programit Stipendium Hungaricum, studentët shqiptarë marrin rreth 20 bursa çdo vit për të studiuar në një nga universitetet hungareze, në të gjitha nivelet. Programi i Studimeve Shqiptare, prej 10 vitesh, këtu në universitetin më të vjetër dhe më të madh hungarez është një tjetër tregues i bashkëpunimit arsimor mes vendeve tona. Falë punës së Dr. Etleva Lala, përmes këtij programi, shumë studentë hungarezë dhe ndërkombëtarë kanë mundësinë të mësojnë për kulturën dhe gjuhën shqipe.

Gjithashtu, Shqipëria i është mirënjohëse Hungarisë për mbështetjen e saj të përhershme dhe të pakushtëzuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga Hungaria ka qenë një hap tjetër drejt forcimit të miqësisë mes shqiptarëve dhe hungarezëve. Nga ana tjetër, Shqipëria ka mbështetur edhe Hungarinë në organizatat ndërkombëtare kur është e nevojshme. Si në ditët e mira ashtu edhe në ato të këqija, Hungaria dhe Shqipëria kanë treguar se qëndrojnë për njëra-tjetrën,” – përfundoi fjalën e saj znj. Mburimi.

Ish-ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Dr. János Huszár, tha që në fjalën e tij nuk do të fliste as për Skënderbeun dhe as për Huniadin, as për albanologët hungarezë, të cilët i përmendi një e nga një, as për mbretëreshën hungareze në fronin shqiptar, dhe as për ngjarje të tjera shumë të rëndësishme historike mes të dy popujve, por që në fjalën e tij do të përqëndrohej te përvoja personale që kishte pasur gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri si ambasador i Hungarisë atje, si dhe gjatë vizitave të shumta të mëhershme e të mëvonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në rajon. Ai e vuri theksin te ndryshimi drastik që ka ndodhur në Shqipëri që nga momenti kur ka shkelur atje për herë të parë. Në fillim, tha ai, Tirana i ishte dukur si një vend i pazhvilluar i Lindjes së Mesme, ndërkohë që tani nuk ka asnjë ndryshim nga metropolet evropiane. Në përvojën personale Dr. Huszár u përqëndrua te misioni i tij diplomatik, që më shumë konsistonte në krijimin e lidhjeve dhe të aleancave midis elitave të Shqipërisë me ato të Kosovës, për stabilitet dhe zhvillim në rajon. Në këtë kontekst ai përmendi takimet me presidentin e ndjerë Rugova në kasollën e tij të preferuar prej druri si dhe takimet me shumë personalitete të politikës e të letërsisë e kulturës si në Kosovë ashtu edhe në Tiranë. 

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Hungari, Shkëlqesia e Saj, znj. Gjeneza Budima, u përqëndrua te rëndësia e përkrahjes që Hungaria i ka dhënë Republikës së Kosovës, jo vetëm me anë të njohjes së pavarësisë së saj, por edhe me anë të sigurisë që ajo ofron me anë të trupave ushtarake pjesë të NATO-s. Duke falenderuar drejtuesen e programit të Studimeve Shqiptare në Hungari, dr. Etleva Lalën, Shkëlqesia e saj, gjeti edhe një herë momentin për të theksuar rëndësinë e këtij programi për studimin e gjuhës shqipe dhe të historisë e kulturës së shqiptarëve në rajon, si qendra e vetme me një karakter të tillë në të gjithë Hungarinë.

Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës gjithashtu përshëndeti të pranishmit në ceremoninë e hapjes së konferencës, duke theksuar në mënyrë të veçantë rëndësinë e marrëdhënieve hungaro-shqiptare për të dy kombet tona si dhe dhe të programit Albanian Studies në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve që po intensifikohen çdo ditë e më shumë.  

Pas hapjes zyrtare, pjesëmarrësit u ftuan të merrnin një kopje të librit të botuar nga Instituti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë (IFAT), të librit të konsullit të nderit, z. Avni Hafuzi, si dhe te periodikut te Unionit të Bashkuar për Paqe të sjellë nga presidenti i kësaj shoqërie, z. Tibor Krebsz. Në vend të fjalës, përshëndetëse, Konsulli i Nderit, z. Hafuzi kishte zgjedhur të fliste me vepra, jo vetëm duke sjellë librin e tij falas për pjesëmarrësit, por edhe duke ofruar kafetë dhe ëmbëlsirat për të gjithë të pranishmit.

Sesioni i parë i konferencës i filloi punimet në një bibliotekë të bukur të stilit secesio, bibliotekë kjo e Departamentit të Historisë së Evropës Lindore dhe Qendrore, dhe i pari që e mori fjalën ishte studiuesit i mirënjohur hungarez, Dr. Krisztián Csaplár Degovics, studiues i Akademisë së Shkencave të Hungarisë. Dr. Degovics i cili merret prej vitesh me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Evropën Juglindore, duke krijuar një emër lideri të studimeve historike në këtë fushë jo vetëm në Hungari e rajon por edhe më gjerë, foli për rolin që Austro-Hungaria ka luajtur në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për t’u bërë një komb duke theksuar që kjo gjë është bërë në mënyrë të qëllimshme nga monarkia austro-hungareze dhe më vonë nga Hungaria gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX. 

Fjala e dr. Dorian Koçit, u përqëndrua te marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë në vitet 1928-1939, duke identifikuar dhe vënë në pah të gjitha elementet shtetformuese të ndjekura gjatë kësoj kohe dhe duke në dhënë një panoramë sa komplekse aq edhe të qartë të të gjitha elementeve të zhvillimit të një shteti të ri, në një periudhë të vështirë për gjithë Evropën. Jo vetëm vendosja e marrëdhënieve diplomatike formësuar rrugën që do merrnin marrëdhëniet hungaro-shqiptare, por edhe investimi i mëtejshëm në network-un e konsujve në rajon, vështrimi i Ballkanit si treg i ri jo vetëm për produktet e agrikulturës por edhe ato industriale, si dhe fuqizimi i elitave shqiptare qoftë me konferenca rajonale të paqes,  lidhjen martesore të mbretit Zog me konteshën Geraldinë për të balancuar interesat dhe influencën e Italisë në Shqipëri, vendosja e urdhërit të Skënderbeut të miratur nga mbreti Zog, shkëmbimi i urdhërave të lartë, gjë që dëshmon se marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë ishin mjaft të dendura dhe me perspektivë përpara Luftës së Dytë Botërore. E tërë fjala e Dr. Koçit ishte e mbështetur në studime themelore të burimeve arkivore dhe literaturës së specializuar të botuar kohët e fundit.

Dr. László Markusz, ish-ambasador i Republikës së Hungarisë në Kosovë e përqëndroi fjalën e tij në tre aspekte të politikës së jashtme hungareze, ndërsa shpalosi temën e tij për këndvështrimin hungarez të pavarësisë së Kosovës: 1. Kriza në rajon dhe përpjekjet e Hungarisë së interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe për të lehtësuar pasojat e kësaj krize. 2. Pakicat kombëtare dhe mbrojtja e të drejtave të këtyre minoriteteve kudo e kurdo që ato ndodhen, duke qenë se edhe vetë hungarezët janë në shumë shtete minoritete. 3. Njohja e pavarësisë së Kosovës me shumë mençuri për të mos dëmtuar ekuilibrat as brenda Hungarisë dhe as me vendet e rajonit. Dr. Márkusz përshkroi vështirësitë dhe sfidat që Hungaria ka hasur në realizimin e këtyre pikave gjatë 30 viteve të fundit. Dr. Márkusz është senior researcher në Institutin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë.

Në sesionin e dytë folën Dr. Edmond Malaj, studiues i Akademisë së Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe doktorrantja Lilla Menyhárt. Dr. Malaj në kumtesën e tij të titulluar “Marrëdhëniet kulturore dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Hungarisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudha e komunizmit” u përqëndrua kryesisht te marrëdhëniet kulturore dhe foli për një temë pak të rrahur deri më sot, që konkretisht ka të bëjë me studentët dhe studiuesit shqiptarë që kanë kryer studimet në Hungari apo në një mënyrë a një tjetër kanë qenë të lidhur me Hungarinë dhe kanë jetuar në Shqipëri. Peripecitë e këtyre studentéve dhe studiuesve janë pak të njohura deri më sot, prandaj kontributi i tij u vleresua shume lart. 

Doktorrantja Lilla Menyhárt foli gjerë e gjatë për familjen mbretërore Zogu, ndikimin e tyre në organizimin politik dhe social të Shqipërisë, lëvizjet e familjes mbretërore (duke i ilustruar këto lëvizje me pamje vizuale në një prezantim PowerPoint shumë të pasur dhe njëkohësisht të qartë), si dhe për karakterin e nënës Mbretëreshë, Geraldinës. Edhe pse e gjatë, kumtesa e saj u ndoq me një interes të jashtëzakonshëm nga audienca e specializuar dhe ashtu si dhe kumtesat e tjera u pasua nga shumë pyetje ndërtuese dhe suportuese.  

Në sesionin online studiuesi i Institutit të Historisë në Tiranë, Dr. Gjon Boriçi, foli për revolucionin anti-komunist hungarez të vitit 1956 dhe efektet e tij në Shqipëri si dhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve komuniste gjatë viteve ’50 të shek. XX, në kontekstin e të qenit satelitë të BRSS-së. Përveç shumë çështjeve interesante të prezantuara nga Dr. Boriçi, argumenti i tij që Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka marrë fonde shumë të mëdha, por i ka keqmenaxhuar ato duke i investuar në industrinë e rëndë, i bëri të gjithë të pranishmit të bien në mendime për pasojat e një eksperience të tillë të udhëheqjes shqiptare. 

Dr. Ines Murzaku, profesoreshë e religjionit dhe drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall dha një panoramë të gjërë të revolucionit të butësisë së Nënë Terezës, duke e vënë atë në kontekstin e grave ballkanike që ishin ushqyeset kryesore të këtij revolucioni të Nënë Terezës. Është pikërisht ky ambient dhe ky ushqim shpirtëror me të cilin Nënë Tereza është rritur që e vogël, ato që e bënë Nënë Terezën ajo që është për të gjithë botën. Dr. Ines Murzaku konsiderohet si njohësja më e mirë në botë e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, ndoshta edhe për faktin që ajo është jo vetëm shqiptare dhe njeh me themel traditën shqiptare, por edhe sepse është marrë që herët me format e religjionit në këto pjesë të botës.  

Studiuesi dhe restauratori i famshëm shqiptar, Prof. Dr. Frederik Stamati, si dhe kryeredaktori i gazetës më të vjetër shqiptare në Amerikë, Dielli, Dr. Sokol Paja nuk mundën të prezantonin kumtesat e tyre edhe pse i kishin dërguar tashmë në këshillin drejtues të konferencës. Prof. Dr. Stamati përshkruante eksperiencën e tij personale me laboratorët dhe restauratorët hungarezë dhe ndikimin që këto kishin pasur në formimin e tij si restaurator. Bashkëpunimin me studiuesit më të mirë Prof. Dr. Stamati e përshkruan në këtë mënyrë: “Kursi ishte i një niveli shkencor shumë të lartë. Njohuritë e marra dhe literatura që na u dhurua, u bënë baza kryesore ku u bazua puna për konservimin e tekstileve me vlera kulturore dhe historike në Shqipëri. Kurioziteti për problemet teknike të punës bëri që të bisedoja për epitafin e Glavinicës. Marta Jaró mori përsipër të kryente analizat kimike te fillit metalik të përdorura për qëndisjen e atij epitafi. U përdorën metodat e studimit me anë të analizave jodestruktive te bazuara në fizikën bërthamore. Me ato analiza u hap një dritare tjetër e konceptimit të marrdhënieve tregtare të vendit tonë në shek XIV. Më vonë ne e ftuam Dr. Marta Jaró për një vizitë pune në Shqipëri, ku u njoh konkretisht edhe me epitafin.”

Dr. Sokol Paja ka bërë hulumtime në Gazetën Dielli për të parë se si paraqitet martesa e mbretit Zog me princeshën hungareze Geraldinë Apponyi në këtë gazetë dhe rezultatet janë shumë interesante: Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raporton: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit maj 1938.”

Diskutimi i nivelit të ekspertëve që vijoi të premten në mëngjes, organizuar nga Instituti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë (IFAT) dhe drejtuar nga Ferenc Nemeth, studiues dhe koordinator i këtij instituti, solli në një tavolinë Alba Çelën, drejtoreshë ekzekutive të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Eralda Methasani Çanin, profesoreshe e së Drejtës Publike në Departamentin e Shkollës Juridike në Universitetin e Tiranës, dhe Géllert Horváth, ekspert të BE në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, për të diskutuar jo vetëm situatën aktuale të Shqipërisë në lidhje me integrimin e saj në Bashkimin Evropian, sukseset dhe mos-sukseset e deritanishme si dhe sfidat për të ardhmen. Të gjithë ishin dakord që është koha kur kërkohet më shumë se kurrë që Shqipëria të dalë me një vizion të qartë për të ardhmen, jo vetëm për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, por edhe për ta bërë Shqipërinë atraktive për thithjen e fondeve evropiane si dhe të kapitalit njerëzor të humbur në këto vitet e fundit.  

Në sesionin e fundit, Dr. Musa Ahmeti, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Budapest prezantoi një pjesë nga projekti i tij për marrëdhëniet diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë në kontekst historik, duke sjellë në vemendjen e auditorit jo vetëm listat e ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë në këta 100 vite, por edhe rolin e programit Albanian Studies në këto marrëdhënie, me një focus të veçantë aktivitetet e këtij programi në 10 vitet e jetës së tij. 

Dr. Etleva Lala, drejtuese e programit Albanian Studies dhe lektore në Universitetin ELTE, prezantoi projektin më të ri të këtij programi që ka të bëjë me ikonën e Albanologjisë në gjysmën e dytë të shekullit XX në Hungari, István Schütz. Pikat kryesore të këtij projekti janë:

  1. Schütz si mësimdhënës i hungarishtes te studentët shqiptarë dhe ndikimi i tij.
  2. Schütz si mësimdhënës i shqipes te hungarezët dhe metoda e tij e mësimdhënies.
  3. Fjalori/ fjalorët e Schütz-it si burim i dorës së parë për studimin e gjuhës shqipe
  4. Përkthimet e Schütz-it dhe të kohës së tij nga hungarishtja në shqip dhe anasjelltas.
  5. Jeta e një përkthyesi në mes dy sistemesh: jeta private, familja, problemet financiare, miqtë, armiqtë.
  6. Schütz dhe gjuhët e tjera që ai studionte dhe jepte mësim. 

Projekti u prezantua në vend të konkluzionit, dhe si ftesë e hapur për të gjithë të pranishmit por jo vetëm, për të marrë pjesë në këtë projekt sa të madh aq edhe domethënës. Nëpërmjet një personaliteti kaq të rëndësishëm për shqipen në Hungarinë e gjysmës së dytë të shek. XX synohet që jo vetëm të hidhet dritë mbi marrëdhëniet dypalëshë të asaj periudhe, por edhe të evidentohet çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e individit me sistemin / sistemet komunist. Pas Schütz-it, në vitet ’90 të shek. XX, studimet historike te shqiptarëve dominohen kryesisht nga studiuesi József Juhász, dhe duke filluar nga vitet 2010, numri i studiuesve hungarezë që merren me Shqipërinë dhe shqiptarët rritet në mënyrë të ndjeshme, por që rolin udhëheqës e mban Krisztián Csaplár Degovics, duke i bërë këto studime të aksesueshme jo vetëm në gjuhën hungareze, por edhe në atë angleze, gjermane dhe madje edhe shqipe.    

Filed Under: Featured

Lamtumirë Ambasador John Menzies!

March 28, 2022 by s p

Fundi i vitit që lamë pas dhe ky fillim viti la kombin shqiptar në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti pa tre miq të mëdhenj, të jashtëzakonshëm që lanë gjurmë në rrjedhat e historisë moderne të kombit tonë. Pas kalimit në amshim të Senatorit Dole, Sekretares Albright, paska kaluar në përjetësi miku i shqiptarëve, intelektuali dhe diplomati, Ambasadori John Menzies. Ambasador, mik, profesori dhe mentori im,Isha i nderuar dhe i bekuar që pata nderin të punoj me juve për interest e kombit dhe popullit tim. Duke punuar me Ju dhe duke qenë afër juve, mësova se si duhet punuar për kombin dhe shtetin, çka janë virtytet e një diplomati, profesori dhe humanisti të madh që nuk u ndal kurrë së punuari për kauza të drejta, legjitime dhe në shërbim të njerëzimit.Ambasador, nuk do i harroj kurrë orët e gjata të punës, udhëtimet dhe angazhimet e tua që kalojnë përmasat politike, janë të dimensionit të humanistit dhe misionarit që zoti ju dërgon kombeve të lashta dhe liridashëse. E deshte shumë Kosovën, Presidentin e saj Historik, ishe më shumë se ambasador në Kosovën e pas luftës, na inkurajoje dhe na jipje shpresa reale se Kosova de fakto është shtet i pavarur, besove dhe punove shumë që kjo të jetësohet!Nga njerëzit e kalibrit Tuaj ndryshohen rrjedhat e politikës, ato shoqërore dhe të historisë. Kështu do të kujtoheni nga shqiptarët dhe Kosova z. Ambasador. Të kisha mik të çmuar, mësues, profesor dhe mentor në zhvillimet e mia akademike. Ishe më shumë se shembëlltyrë e këtyre virtyteve.Shpirti Yt pushoftë në paqe në parajsën e gjithësisë Ambasador,

Zoti të bekoftë,

I paharruar kujtimi për Ju,

Elmi Berisha,

Kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA”.

Filed Under: Featured

Presidentja Osmani takoi të dërguarin special të Presidentit Biden, ish-Sekretarin John Kerry

March 27, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit. Në takim morri pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz.

Presidentja Osmani ka falënderuar z. Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja dhe z. Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas. Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Duke e uruar z. Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese.

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Presidentja.

Filed Under: Featured

DIASPORA SHQIPTARE NË AMERIKË APEL PËR BASHKIM TË GJITHË SHQIPTARËVE NË ZGJEDHJET PËR KOMUNËN E ULQINIT

March 26, 2022 by s p

Të dashur vëllezër e motra, bashkëqytetarë të Ulqinit

Të nderuar anëtar të spektrit politik shqiptar në Ulqin

Si kurrë më parë po e përcjellim me vëmendje të posaçme procesin zgjedhor në Komunën e Ulqinit.  

Duke patur në mendje rëndësinë historike, kulturore, politike dhe ekonomike të komunës së Ulqinit për shqiptarët në Mal të Zi e jo vetëm, vullneti i shumicës së banorëve të Ulqinit është që partitë nacionale shqiptare do të duheshin të garonin në një platformë politike unike dhe të bashkuar në këtë fazë shumë të rëndësishme zgjedhore.

Edhe këtë radhë politikanët shqiptarë në Ulqin nuk e morën parasysh dëshirën e elektoratit por vazhduan me avazin e vjetër duke e ndarë votën shqiptare në koalicione të ndryshme jo në favor të votuesve shqiptarë që ata përfaqësojnë por vetëm për pozita dhe përfitime personale.


Flitet, pak edhe me të drejtë se shqiptarët në diasporë nuk mund të vendosin për fatin e bashkëvendasve tanë në vendlindje deri sa ata jetojnë jashtë vendit, por është e pamundur të qëndrojmë indiferent ndaj keqpërdorimit të votës shqiptare nga elita  politike shqiptare në Ulqin.

Mbase Mali i Zi nuk e bën të mundur që ne vullnetin tonë ta shprehim me anë të votës por ne na mbetet që të jemi kritik ndaj tyre dhe të shprehim pakënaqësinë tonë në këtë mënyrë. Është e pa pranueshme që të ndahet vota shqiptare, interesi shqiptar, e ardhmja e shqiptarëve në Ulqin.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë radhë entuziazmi i rinisë në këtë proces zgjedhor të jep shpresë për një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe më të begatë. Fakti se koalicionet parazgjedhore përbëhen nga dinosaur politik që në të kaluarën nuk kanë dhënë asnjë progres pozitiv për banorët e Ulqinit me rrethinë, ka gjasa se edhe ky “fillim i ri” do të mbetet vetëm zhgënjim i ri. Ju lutemi si vëllezër e motra: Vendosni të parin interesin e shqiptarëve tuaj, njerëzve tuaj, vendit ku ju dhe fëmijët tuaj projektoni ëndrrat dhe jetesën.

Pse duhet që shqiptarët të jenë ato që gjithmonë ndërtojnë ura për kombësitë e tjera ne rajon ndersa ato vetëm vendosin mure për shqiptarët?


Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën këtë apel të fortë te bashkëvendasit tanë: Votën tuaj hidheni te partitë nacionale shqiptare se vetëm aty mund të tregohet fuqia e votës sonë. Vota garanton të ardhmen tuaj, sigurinë tuaj, progresin e qytetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik.
Votoni për Ulqinin tonë historik dhe shumë të vlefshëm, për ju që punoni dhe jetoni aty, por edhe per ata që nuk pushuan kurrë duke i ndihmuar Ulqinit nga mërgata shqiptare në Amerikë e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Pjesë e Apelit:

Mark Gjonaj – Former NYC Council Member

Federata Panshqiptare e Amerikës  Vatra

Albanian American Associacion Ulqini

Albanian American Community Associacion

Albanian American Council

Albanian American Common Sense Political Club

Albanian American Educators  Associacion

Albanian American Humanitarian Foundation

Albanian American National Organization – AANO

Albanian American PAC

Albanian American Puka Community Associacion

Albanian American Writers  Associacion

Albanian Business Network

Ansambli Folklorik Bashkimi Kombetar

APEN – Albanian Professional Entrepreneur Network

Albanian Community & resource center

AAACE

Bajraktari House Foundation

BashkeRia

Batalioni Atlantiku

Fondi Humanitar Trieshi

Fondacioni Humanitar shqiptaro-amerikan Trojet Tona

Fondacioni Plavë e Guci

Gazeta Dielli

Illyrian Business Organization

Komuniteti Hasan Prishtina Waterbury

Lukaj Foundation

Mother Teresa GolfOuting

Sons of Illyria – New York- New Jersey- Milwaukee

Shoqata Ana Malit

Shoqata Atdhetare Dibra

Shoqata Atdhetare Kraja

Shoqata Humanitare Open Hands Associacion

Shoqata Malesia e Madhe – New York

Shoqata Peja

Shoqata Rugova

Shoqata Shpresa

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc

Apelit po i bashkohen nga momenti në moment edhe shumë organizata e shoqata shqiptare në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured

“KRISTO FLOQI, KOHA DHE VEPRA E TIJ LETRARE” PROMOVIM MBRESËLËNËS NË VATËR

March 24, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York më 23 Mars 2022, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra organizoi një promovim mbresëlënës të librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” të studiueses Prof. as. Dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë. Nën prezantimin dhe drejtimin e promovimit nga Dr. Pashko Camaj, studiues të letërsisë, historisë, vatranë, miq, media, artistë, diplomatë e personalitete shqiptare në diasporë nderuan këtë promovim në respekt të një prej figurave të shquara kombëtare si Kristo Floqi. Studimi “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në Vatër, në Diell, në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Ambasador Mal Berisha theksoi në fjalën e tij se libri Profesoreshës Spaho përveç se sjell përpara lexuesit tonë një biografi shume të detajuar të një jete a-tipike, epike të një patrioti të madh me një fund të dhimbshëm – si i shumë patriotëve të tjerë shqiptar, që e preken fundin gjatë kohës së  komunizmit – është një kontribut shumë i vyer në historinë e teatrit dhe fjalës artistike në kulturën tonë shqiptare skenike. “Është ky një kontribut i cili vjen natyrshëm në libër përkrah pasqyrimit të jetës së Floqit, dramave, vështirësive, angazhimeve të tij gjatë tërë jetës dhe në pika të ndryshme aty ku çështja shqiptare ishte më e pranishme, më e nxehtë dhe më e nevojshme për neve. Aty gjëndej ai përherë dhe përherë i gatshëm për sfidat” citoi në fjalën e tij Ambasador Mal Berisha. Emri i Kristo Floqit sipas Ambasador Berishës, tani radhitet përkrah dramaturgëve tanë më të mirë të letërsisë shqipe, ndërsa emri Prof Jonela Spahos, në radhën e historianëve por edhe të Estetëve tanë më të mire e një biografjeje shumë të mirë por edhe e një estetje që i mungonte kritikës sonë të teatrit. Ish editori i Diellit, Dalip Greca, tha se libri i studiueses Prof. as. dr. Jonela Spaho “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, mendoj se përbën përpjekjen të deritanishme më serioze për nxjerrjen nga errësira në dritë të personalitetit të njërit prej intelektualëve të elitës së kohës, avokatit, gjykatësit, ministrit, gazetarit, drmaturgut, komedianit, poetit, oratorit të shkëlqyer Kristo Floqi. Studiuesja Spaho, duke përdorur të gjitha burimet e kufizuar të literaturës së trashëguar, veçanërisht shënimet autobiografike të K. Floqit në katër vëllime, dokumentet në Arkivin e Shtetit, por dhe shtypin e kohës, dhe burime të tjera, ka bërë të mundur që të kemi ndër duar një studim të plotë, ku nuk mungojnë edhe detajet më të imta të jetës së tij të vështirë, deri në momentin e arrestimit dhe burgosjes nga diktatura komuniste. Autorja e librit ka arritë në përfundimin e argumentuar se: Kristo Floqi është pa dyshim një nga autorët më popullorë të letërsisë shqipe, veçanërisht dramaturgjisë dhe komedisë shqiptare në periudhën 1912-1939. Vepra e tij juridike, politike, publicistike dhe sidomos ajo letrare ka qënë e njohur gjerësisht në periudhën kur ai e shkroi atë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij u harrua ose u përmend shkarazi. Për ne vatranët, tha Greca, merr rëndësi të veçantë kontributi i Kristo Floqit dhënë në gazetën Dielli si organ i Besa-Besën, dhe roli prijës i tij në themelimin e Vatrës. Edhe pse koha që drejtoi Diellin ishte e shkurtër, 20 Shtator 1911- 28 prill 1912, por ai la gjurmë sepse vuri themelet e bashkimit të shoqatave në Federatën “Vatra”. Floqi i priu bashkimit edhe me oratorinë e tij, shkoi kudo ku jetonin shqiptarët, në 32 shtete të Amerikës, dhe zhvilloi më shumë se 1000 konferenca. Ai hartoi thirrjen për bashkim, drejtoi takimin e parë të shoqatave, dhe dha ndihmesë të madhe gjatë procesit të bashkimit si pjesë e komisionit themelues, proces që nisi me 11 dhjetor 1911 dhe përfundoi me 28 prill 1912. Floqi ishte kontributor edhe në krijimin e degëve të Vatrës. Sipas politologut Akri Çipa Kristo Floqi ndërton një profil të lakmueshëm që do të përfshinte aktivitetin e tij privat e publik në fushën e jurisprudencës, për të kaluar, me qartësimin e fatit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në poste qeveritare dhe të përfaqësimit politik. Megjithë rikthimet ciklike në profesionin e tij si jurist, angazhimi i Floqit në politikë mbetet tashmë konstante e pandryshuar. “Përgjatë këtyre viteve, ai do të shërbejë si Ministër i Arsimit, në një moment kur arsimi shqiptar lëngonte një prapambetje dhe mungesë zhvillimi të jashtëzakonshëm. Do të jetë përfaqësues i zgjedhur në parlament i Dibrës dhe i Korçës. Do të emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit e nënkryetar i tij. Përtej këtyre, si prokuror, gjyqtar dhe një nga mendjet më të artikuluara ligjore të atyre viteve, ai do të ketë një kontribut në sendërtimin e shtetit ligjor, duke nisur që nga qeveria e Ismail Qemalit dhe deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste” – tha ndër të tjera politologu Akri Çipa. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku rendësia e Kristo Floqit në historinë dhe kulturën shqiptare në SHBA, në krye të  Gazetës Dielli dhe në shërbim të Vatrës e karakterizojnë, si një prej figurave më të spikatura ne diasporë dhe i lidhur ngusht me çështjen kombëtare duke demonstruar gadishmëri dhe bashkëpunim me shoqëri të ndryshme shqiptare.  Pasi mori ftesen më 20 shtator 1911, nga Shoqëria Besa-Besen për të marrë gazetën “Dielli”, ai pati mundesi të shpaloste idene me synimin që shqiptarët të evitonin ndasitë dhe përçarjet krahinore dhe i mëshonte faktit se vetëm në qoftë se shqiptarët janë të bashkuar, siç ndodhi pak më vonë me bashkimin e shoqërive të ndryshme shqiptare në “Federaten Panshqiptare Vatra” dhe forcimin e gazetës “Dielli” dhe të “Vatrës”, komuniteti shqiptar shfaqej më i bashkuar duke shpërndarë frymën kombëtare në ShBA. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku, Kristo Floqi është një figurë e spikatur jo vetëm në aspektin letrar dhe publicistik, por dhe politik, emri i Kristo Floqit është përmendur e analizuar në shumë organe të shtypit të kohës, kur ai dominoi në jetën politike dhe shoqërore Fisnik në pamje, erudit në kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar nën ndikimin e disa kulturave, burrë i vërtetë shteti, orator dhe organizator i përkryer, ai i bënte vend vetes në të gjitha mjediset, shoqëritë dhe vendet ku ai jetoi pjesën më dinamike të jetës së tij. “Kjo monografi e profesoreshë Jonela Spahos nderon figurën dhe veprimarinë e Kristo Floqit, një mundësi shumë e mirë për lexuesit që të njihen me këtë vepër që i shërben letërsisë e dramaturgjisë por dhe fushave të tjera studimore për figurën e Kristo Floqit” theksoi në kumtesën e tij studiuesi Dr. Paulin Marku. Profesoreshë Jonela Spaho në përmbyllje të promovimit u ndal në aspekte të veçanta të jetës e veprimtarisë së Kristo Floqit, të kontributit të tij dhe mbi të gjitha të kalvarit të tij jetësor. Profesoreshë Spaho shpalosi për pjesëmarrësit në promovim risi dhe kontribute të panjohura më parë të Kristo Floqit dhe bëri të ditura episode  të veçanta që e kanë shoqëruar kërkimin e saj shkencor rreth figurës së jashtëzakonshme të Kristo Floqit. Në përfundim të promovimit Proferoeshë Jonela Spaho i dhuroi Vatrës 100 usd kontribut në shënjë respekti e mirënjohjeje për organizimin dhe promovimin mbresëlënës. Festa e librit vazhdoi deri në orët e vona me biseda të ngrohta mes miqsh dhe trokitjet e gotave të verës, në një koktejl të servirur nga fisniku Toni Musaj.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT