• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPOZITA: NUK REGJISTROHEMI NE KQZ, PROVA ME 7 MAJ NE KAVAJE

April 10, 2017 by dgreca

Më 7 maj, pikërisht ditën kur presidenti ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjeshme lokale në Kavajë opozita do të organizojë një protestë të madhe kombëtare. Vendimin e marrë në selinë PD nga koalicioni opozitar u deklarua publikisht nga kryetari i PD-së Lulzim Basha në çadrën e opozitës të vendosur para kryeministrisë prej 18 shkurtit 2017.

Lulzim Basha deklaroi: “Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar rreth kësaj agjende është mbajtja më datën 7 maj e një proteste të madhe kombëtare në Kavajë, për të pamundësuar me forcën e bashkimit përmes një lëvizje popullore, paqësore, demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi. Sepse ju kemi premtuar qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve të Kavajës se kurrë më nuk do ta lëmë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi”

Aksioni politik i ardhshem do te jetë organizimi i një proteste 24 orëshe në Kavajë, ku nuk përjashtohet skenari i bllokimit të qendrave të votimit për të bërë të pamundur mbajtja e zgjedhjeve.Afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e pjeshme në Kavajë është 12 prilli.

Ne oren 18:00 mblidhen te gjithe aleatet ne cader

Basha ftoi protestuesit t’i mbështesin pasditen e sotme në 18:00 kur në çadër do të jenë dhe krerët e 27 partive politike të opozitës “për të ndarë lajmin e mirë se koha e zgjedhjeve fasadë, parlamentit fasadë, qeverisjes fasadë dhe shëndetësisë fasadë të republikës së vjetër po perëndon një herë e mirë. Se së bashku nga ky shesh lind e merr shtat republika e re”

Basha informoi protestuesit edhe për vendimin e aleatëve për të mos u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e qershorit deri në arritjen e një pakti kombëtar.

Koalicioni opozitar i mbledhur sot në afatin e fundit të limiteve ligjore të regjistrimit vendosi një zëri mos regjjistrimin e opozitës deri në arritjen e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike që do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë me efektivitet drogën dhe paratë e saj dhe do garantojë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme

Dialog per zgjidhje jo fasade

 Sot është dita e 52-të e protestës Basha tha:  Afërmendsh që autori politik i kriminalizimit dhe hashazimit të republikës së vjetër, i asgjësimit të shanseve për reformë zgjedhore përmes zvarritjes nuk mund të jetë dhe autori i zgjidhjes nga pozitat e kryeministrit. Nuk jemi përjashtues, por jemi ftues, propozues për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë.

E kemi ftuar prej ditës së parë për dialog dhe tash e 5 ditë negociatorët e PD-së janë gati të përgatisin dialogun, ama dialogun për zgjidhje që presin shqiptarët jo monologje shterpë, fasadë sa për të kaluar radhën dhe për tiu kthyer lojës së vjetër se kush e ka fajin. Kjo duhet dhe do të marrë fund.

Filed Under: Featured Tagged With: nuk regjistrohet ne kQZ, Opozita, Proteste ne Kavaje

TREVISO-ITALI: SHQIPTARET, PROTESTE KUNDER TERRORIZMIT

April 9, 2017 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI/

    “ Me këtë marsh paqësor, duam të rikonfirmojmë se vlerat tona të përbashkëta janë të pacenueshme, miqësia jonë është e paprekshme dhe mikpritja nga Republika e Italisë për shtetasit tanë është shembullore”. Fuqimisht e dënojmë  çdo tendencë që prish imazhin e vlerave të shtetit tonë, Republikës së Kosovës/1 Proteste Trevizo

    Të hidhëruar thellë me tentim veprimet terroriste të katër qytetarëve nga Kosova, kundër vlerave civilizuese të shtetit italian i cili pranoi shqiptarët miqësisht dhe i trajton sikur qytetarët e vet, komuniteti shqiptar nga gjitha trevat shqiptare pa dallim besimi, partie manifestoi fuqishëm publikisht për të ritheksuar se vlerat e Italisë i pranojnë sikur të tyre dhe publikisht distancohen nga akti  i fundit terrorist.

1 Treviza

    Me organizim të shqiptarëve rreth shoqatës “Iliria” në Treviso, u mbajt manifestim paqësor kundër terrorizmit. Masa barti pllakate ku shprehej kundërshtimi i komunitetit shqiptar në Treviso ndaj çdo akti terrorist dhe i dënon ato të fundit të planifikuara nga bashkëkombësit e tyre. Ata mbanin pllakate falënderuese për Italinë e cila dha shumë për ta çliruar Kosovën nga barbaria serbe dhe njohjen e saj si shtet i ri.  Shqiptarët e vlerësojnë mikun dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me fanatizmin e fashizmin islam që predikojnë organizatat terroriste islame  kundër të cilave po lufton gjithë bota progresive.
Në televizionin lokal u paraqit tubimi dhe protestuesit me flamuj të Kosovës, kombëtar dhe flamurin italian.  Në fjalën e saj zj.Ermira Zhuri, kryetare e shoqatës mes tjerash tha.

“Sot, jemi mbledhur këtu, që me praninë tonë, në këtë shesh, me këtë marsh paqësor, të rikonfirmojmë kundërshtimin tonë të fuqishëm, kundër çdo akti individual, që mund të bie ndesh me ligjet e shtetit mikpritës, Republikës së Italisë, e cila ndër të parat e njohu pavarësinë e shtetit tonë Kosovës.Jemi mbledhur këtu, të kundërshtojmë çdo akt individual i cili është kundër vlerave të Italisë, vlera këto që i shohim si tonat, tolerancën, paqen dhe unitetin në ndryshme, vlera këto të Bashkimit Evropian, synim dhe aspiratë e Republikës së Kosovës.  Jemi duke ndërtuar shtetin e Kosovës ku garantohet e drejta e besimit, përkatësisë etnike, përkatësia politike, gjinia, prejardhja dhe të të drejtat tjera universale, pa asnjë dallim. Të drejtat e njeriut, minoriteteve dhe bashkësive fetare janë shembull për këtë pjesë të Evropës. Për këtë ne jemi krenar.

Në rrugën tonë kemi shumë sfida. Sfidat janë të lidhura me përkushtimin tonë për realizimin e procesit integrues euro-atlantik, që pa asnjë rezervë gjendemi në anën e vlerave perëndimore, në anën e vlerave evropiane që populli ynë u nda për shumë shekuj padrejtësisht.

Ju e dini se kemi qenë, jemi dhe përherë jemi pjesë e Evropës dhe kulturës evropiane. Besoj se jeni në dijeni se kryeministri i parë italian ishte një arbëresh, Francesco Crispi, shok dhe mbështetës i Giuseppe Mazzini dhe Giuseppe Garibaldi.

Ata që e njohin Venedikun, besoj kanë hasur në disa toponime, për shembull “Calo dei albanesi”, por edhe “Campello di albanesi”. Njihej prej të gjithë venecianëve edhe “Scuola dei albanesi”. Apo familja e lavdishme Albanezi që dha piktor, arkitekt, dijetar për treqind vjet me radhë. Anijen kryeministrore të Dozhëve venedikas, Buçintoron, barkën më të madhe e më të famshme të të gjithë Mesdheut, në kiç mbante me krenari imazhin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Nëse heq modestinë, mund ta përmendi se ne, iliro-arbëro-shqiptarët, në selinë apostolike të Romës kishim dhjetë papë. I fundit ishte Papa Klimenti i XI.  Vëllezërit Giovanni e Paolo Gazulli, poeti Michele Marulli, kronisti Marin Barleti, filozofi Leonik Tomeu, piktori Vitore Karpaçio, dhe shumë të tjerë, të cilët shkëlqyen me talentin dhe me veprat e tyre, lanë gjurmë në Venedik, vendin emigrues duke u njohur në të gjithë botën.

Me këtë marsh paqësor, duam të rikonfirmojmë se vlerat tona të përbashkëta janë të pacenueshme, miqësia jonë është e paprekshme dhe mikpritja nga Republika e Italisë për shtetasit tanë është shembullore. Ju falënderojmë për këtë. Kështu, besojmë fuqishëm se do të mbetet. Asnjë akt individual, kundër vlerave të Republikës së  Italisë nga bashkatdhetarët tanë, nuk mund të dëmtojë këto marrëdhënie tona. Ky marsh është edhe keqardhje për çdo akt jo tolerancë, keqkuptimi apo paragjykimi në mesin tonë, jo vetëm për shtetin mikpritës por edhe për vendin tonë nga vijmë. Shën Tereza thoshte, Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ne, me këtë marsh paqësor, duam të bëjmë një gjë të vogël, akt që kundërshton çdo tendencë që prish imazhin e vlerave të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, të njohur e të dëshmuar për tolerancë fetare, si një nga vlerat fondamentale të popullit tonë”. Protestuesit u shpërndanë të qetë duke treguar kulturë e vlera qytetëruese europiane aty ku shqiptarët dhanë shumë gjatë historisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: proteste, shqiptaret, terrorismi, Treviso-Itali

BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT

April 9, 2017 by dgreca

1 GuriFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
1 Thaci
 
BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT/
 
-Në Kosovë, në “Ditët e Shqipes” përkujtohet Beteja e Koshares, e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999, një prej fitoreve më domethënese. Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
4 Thaci
 
-Presidenti Thaçi: Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së. 
-Kryeministri Mustafa: Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonw/
3 Lule
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
2 Koshare
 
 KOSHARE, 9 Prill 2017/ Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para 18 viteve, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës, u përkujtua sot me homazhe dëshmorëve dhe me një tubim, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
 “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë po marrin pjesë në veprimtaritë e sotme, përfshirë akademinë përkujtimore që u zhvillua pak më parë në Koshare.
 “Para 18 viteve këtu në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak ‘Shigjeta’ duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të ardhëshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi në tubimin përkujtimor, duke theksuar triumfin politiko-ushatarak të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti kosovar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
“Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës”,  tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Mustafa tha se, “heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999 shënon një prej fitoreve më domethënese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se “Beteja e Kosharës përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës”.
Kreu i qeverisë vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 Në tubimin përkujtimor për Betejën e Kosharës, nga pjesëmarrësit e udhëheqësit e saj, foli  Rrustem Berisha, komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani”.
“9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës”, theksohet në veprimtaritë e zhvilluara.
Në Betejën e Koshares  ranë heorikisht heronjtë  e popullit – komandantët Agim Ramdani dhe Sali Çekaj, si dhe 114 dëshmorë, të cilët përkujtohen këto ditë, si tradicionalisht, edhe me veprimtari të tjera, me nderimet më të larta të kombit.
Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, shtëpi-muze, në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI: BETEJA E KOSHARES, KAPITULL I RËNDËSISHËM I FITOREVE TË UÇK-së
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.
 “Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.
Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.
“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.
 “Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.
 Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës. 
“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi. 
Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik. 
“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
 
KRYEMINISTRI MUSTAFA: BETEJA E KOSHARES VLERË DHE TRASHËGIMI PËR BREZAT QË VIJNË
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë,  më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha kryeministri Mustafa.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.  
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Prandaj, ne të gjithë, jemi sot këtu për të dëshmuar edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes deri në përulje për pjesëmarrësit e Betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur.
Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonë.
Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë, do ta shndërroj në Forcë të Armatosur.
Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor, është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakushte për ta financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake të botës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani.
Të gjithë ne, sot ndjehemi krenar me veprën e heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, me veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
Por, po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndjenja e krenarisë për veprën e heronjve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” do të na nderojë të gjithëve dhe ne duhet të punojmë në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për të zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë pjesë të familjes euroatlantike.
Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares dhe në betejat tjera anekënd  Kosovës.
Trashëgimia e angazhimit të përbashkët për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar, për ta zhvilluar  Kosovën dhe për t’i zhvilluar të gjitha vlerat si trashëgimi për brezat që vijnë.
Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, si faktorë të paqes, unitetit dhe stabilitetit në rajon. Një Kosovë të dashur, të respektuar dhe të admiruar, para së gjithash nga qytetarët e saj.
Neve na takon ta duam Kosovën, sepse vetëm ashtu na respektojnë të tjerët. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në beteja tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Veçanërisht, me përulje do të përkujtojmë edhe të rënët nga vendet tjera mike.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosharja, Mustafa, Thaci

Mjekja enterologe Zana Nikolla- Këshilla për komunitetin

April 8, 2017 by dgreca


1-ok-Marjana-Bulku
Nga Marjana BULKU/Nikola_BioPageNe Foto:Dr. Zana Nikolla/

Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës gjallon prej një numri mjaft të madh shqiptarësh jo për shkak të sasisë por të cilësisë së akteve të tyre, që përveç patriotizmit, kanë edhe një përmbajtje të lartë profesionalizmi.Studio e televizionit “Kultura Shqiptare” NY, është shndërruar tashmë në një burim i pashtershëm emrash, personalitetesh, diskutimesh dhe problematikash me gamë të gjërë veprimi në SHBA, Shqipëri, Kosovë e më gjërë.I tillë ishte edhe komunikimi me Doktoreshë Zana Nikollën e cila shpalosi një material mjaft të dobishëm  në gjuhën shqipe për rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Muaji mars në SHBA njihet si muaji i kujdesit për kancerin e zorrës së trashë. Eshtë një traditë që e rrit vëmendjen e cdonjërit ndaj shëndetit, intesifikon gjithashtu edhe kujdesin shëndetësor përmes shërbimeve falas, materialeve informative si dhe efekteve që përcon ky muaj në muajt e tjerë pasues për kujdes sistematik ndaj shëndetit.Mjekja enterologe Zana Nikolla bëri një prezantim në studion e ACTV mbi rrezikun e sëmundjes, faktorët e rriskut si dhe mënyrat e parandalimit.Sipas studimeve jeta sedentare dhe dieta mediteriane e ushqyerjes e kanë shtuar rrezikun e sëmundjes e cila përmes kolonoskopisë dhe metodave screening mundet të parandalohet plotësisht duke u trajtuar në kohë të hershme.

Dr Zana Nikolla i drejtohet komunitetit të shqiptarëve jo vetëm me mjetet e informimit por edhe me ftesën konkrete që të shfrytëzojnë muaj të tillë për tu drejtuar te mjeku pasi shumë shërbime në të tilla fushata janë falas , në rastet e mungesës së sigurimeve shëndetësore , madje ajo shpreh gadishmërinë e saj për tu gjendur vetë në krye të këtyre fushatave, ku pacientët shqiptarë do të jenë në qendër të shërbimit dhe interesit të saj.
Dhe në fakt nuk është aspak habi ky profil i mjekes shqiptare Zana Nikolla, është thjesht ana tjetër e asaj që pamë në mbrëmjen e 24 shtatorit 2016 në Simphony Spase Manhattan,ku me iniciativën e Albanian Excellence dhe regjinë dhe skenarin e Andis Gjonit, 60 Zonja shqiptare që jetojnë në Nju Jork u vlerësuan sinjifitikavisht për atë cfarë ato kanë mundur të ndërtojnë apo kontribuojnë në këtë kontinent të largët duke u bërë nxitje dhe frymëzim për shumë të tjera.

-”Të ngrihesh mbi vështirësitë, të integrohesh, zhvillohesh , krijosh, frymëzosh, në këtë vend lirish…kjo nënkupton shumë”,-shprehet Dr Zana ”-”dhe skena e zonjave të Nju Jorkut u flet të gjitha zonjave dhe familjeve shqiptare”- konkludon ajo modestisht.

Dr Zana rrjedh nga një familje me traditë, ku librat, arti, gazetaria e kanë formësuar madje edhe frymëzuar shpirtin e saj human, komunikimin brilant, mirnjohjen, respektin dhe mirsjelljen me dhe për njeriun.Nga fëmijëria kujton shumçka edhe pse biseda televizive ta cungon kohën ajo flet përmes fotografive, kujtimeve prej të cilave  ka memorizuar”Dritat e Ohrit”.Në bregun tjetër të Pogradecit , të ndarë jo vetëm nga liqeni por edhe kufijtë e kohës, malli për familjarët që jetonin përtej atyre kufijve të pakapërcyeshëm vizatojnë tablo të mahnitëshme në kujtesën e saj e sigurisht edhe në studion e bashkëshortit të saj piktor “Dritat e Ohrit” jane gjithmone ndezur.

Bashkëshorte e Andis Gjonit, nënë e dy fëmijëve, pjesëtare e një familje ku arti ka bërë histori në Shqipëri dhe jo vetëm me Lule bore një hit i gëzimeve familjare shqiptare, simbol i ndjenjave reciproke të dashurive të patjetërsueshme, mit i paqes harmonisë ndërnjerëzore ka autor Simon Gjonin ,portreti i të cilit është jo vetëm një pikturë e bukur në shtëpinë e saj por edhe një artist i paharruar në memorjen e çdo shqiptari.Dhe e gjithë kjo tërësi të vërtetash të përmbledhura shkurtimisht në këtë shënim përbën një aset me vlerë për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë këtu, pasuri për miqtë dhe bashkëpunëtorët dhe pa asnjë dyshim krenari për kolegët që bashkëpunojnë çdo ditë me Doktoreshën shqiptare të Nju Jorkut.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku, Mjekja enterologe, Zana Nikolla

Kosova 9 vjet me Kushtetutë shteti të pavarur

April 8, 2017 by dgreca


1 Rugova
– Kosova shtet shënon 9 vjetorin e Kushtetutës me arritje historike, në ceremoninë solemne edhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe të ftuar të tjerë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
 
PRISHTINË, 8 Prill 2017/ Është zhvilluar mbrëmë në Prishtinë ceremonia solemne e shënimit të përvjetorit të nëntë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku u theksuan arritjet historike të shtetit të ri evropian.
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, tha se Dita e Kushtetutës është një datë historike për Kosovën dhe se me Kushtetutën tonë po ecim përkrah botës së qytetëruar.
“Para nëntë vjetësh, ne, populli i Kosovës, miratuam Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku vendosëm për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Aty shprehëm përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit , liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa tha se mund të konstatohet me bindje të fortë se Kushtetuta e Kosovës ka qenë dhe mbetet bazë e fortë dhe e dëshmuar për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe shtetndërtimit në Kosovë. 
 “Kushtetuta e Kosovës mbetet një busull juridike dhe politike e rrugëtimit tonë drejt vlerave perëndimore, drejt integrimeve evropiane dhe lirive universale. Me këtë Kushtetutë ne kemi arrit që të zhvillojmë të gjithë sektorët tanë, të gjitha fushat tona, të sigurojmë edhe zhvillimin ekonomik, që sot është më i larti në rajon si e vërteton edhe Banka Botërore”, theksoi kryeministri Mustafa duke shprehur përkushtimin e qeverisë që të zbatojë me përpikëri çdo shkronjë të Kushtetutes.
 Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kujtoi punën që është bërë në përmbushjen e vullnetit të qytetarëve, por edhe obligimeve ndërkombëtare që kishte Kosova në kohen e miratimit të Kushtetutës, e cila edhe pas sfidimeve është pikë referente për të gjithë qytetarët.
“Nuk ka individ sot, edhe pozitë edhe opozitë, edhe ata që në fillim e kanë dashur më pak Kushtetutën, që nuk referojnë veprimet e tyre në Kushtetutën e Kosovës, dhe kjo na gëzon”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, falënderoi tё pranishmit pёr pjesëmarrje nё kёtё ceremoni, duke e vlerësuar kёtё përvjetor si tё rëndësishëm pёr sistemin e drejtësisë dhe Republikën e Kosovës. 
“Në këtë përvjetor si çdo herë kujtojmë me krenari  të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë shumë që ne të arrijmë të kemi sot një Kushtetutë modern”, theksoi ministrja Hoxha.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, mes të cilëve ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe të ftuar të tjerë.
  Kosova para 9 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.
Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Ndërsa zhvillimet më të rëndësishme brenda nëntë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Deri në 9 vjetorin e Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete.
Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.
Prej vitit 2001 deri para nëntë viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Kosova është e lirë nga 12 qershori i vitit 1999 i hyrjes së trupave të para të NATO-s në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin kosovar.
 Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 e të  shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit po të atij viti.

Filed Under: Featured Tagged With: 9 vjet, Behlul Jashari, kosova, Kushtetute

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 521
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT