• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë- Faktorët që çuan të rinjtë në luftën në Siri dhe Irak

February 25, 2017 by dgreca

-Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe 140 të tjerë.Thuhet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve./1 ISIS

Ligjëratat fetare jashtë kontrollit të institucioneve kompetente, niveli i ulët i arsimit, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, thuhet të jenë vetëm disa nga arsyet që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.Kosova ishte përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në këto zona të luftërave.Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe 140 të tjerë.Thuhet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, flet për disa nga faktorët që ndikuan në shkuarjen e të rinjve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

“Indoktrinimi i gjatë i disa prej klerikëve fetarë në mënyrën e predikimit nëpër institucionet fetare, sidomos disa prej njerëzve që vijnë prej shkollave të ndryshme, duke mbaruar studimet atje ku zhvillohet doktrina ekstreme e fundamentaliste dhe gjetja e një terreni të përshtatshëm që është i lidhur me bazën socio-ekonomike të popullatës, janë shkaktarët kryesorë që kanë sjellë deri te paraqitja e radikalizmit dhe ekstremizmit dhe shkuarja e qytetarëve të Kosovës në luftëra në vendet si Siria dhe Iraku, që mbase nuk kanë dëgjuar asnjëherë më parë”, thekson Hasani.

Lidhur me faktorët që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thonë se kanë marrë të gjitha masat për përmirësimin e këtyre faktorëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë shënuar përparime në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar.

“Vetë fakti që më shumë se një vit nuk ka shkuarje të reja të qytetarëve tanë në luftërat e Lindjes së Mesme, flet për masat e ndërmarra nga mekanizmat e sigurisë dhe mekanizmat tjerë. Në këtë kontekst mendoj që është bërë mjaft në parandalimin e përhapjes së ideologjive të reja në aspektin e radikalizmit dhe ekstremizmit”, thekson Hoxha.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, ligj ky i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Po ashtu, Kosova ka në zbatim Strategjinë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Valdet Hoxha, koordinator nacional kundër terrorizmit thotë se në këtë strategji u kanë dhënë hapësirë të mjaftueshme mekanizmave të tjerë jashtë fushës së sigurisë.

“Në këtë kuptim, u kemi dhënë hapësirë institucioneve të arsimit. Po ashtu, Policia përveç masave reaktive të zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë një hap të vetëdijesimit të qytetarëve kryesisht nxënësve nëpër shkolla, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për pasojat që mund t’i ketë shkuarja e qytetarëve në këto vende ku po luftohet dhe në këtë drejtim kemi rezultate të prekshme”, sqaron Hoxha.

Për ligjërata të tilla që po mbahen në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, patën reaguar përfaqësues të Bashkësisë Islame.

Nusret Shiti, imam nga Hani i Elezit, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se nuk po iu jepet hapësirë e mjaftueshme për të luftuar terrorizimin.

“Një prej vendeve ku më së shumti duhet të luftohet ekstremizmi i dhunshëm, është shkolla. Futja e mësim-besimit fetar dhe ligjërimi i kompetentëve për këtë çështje, është shumë i duhur. Ne dëgjojmë që nëpër shkolla kanë ligjëruar njerëz kundër ekstremizmit, por nuk kanë qenë kompetentë dhe nuk kanë ditur se ku t’i prekin ato çështje që janë të ndjeshme dhe në këtë formë nuk kanë qenë as të pranuar”, thekson Shiti.

Ndërkohë, hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovë kishin theksuar se Kosova ka miratuar një kornizë solide të politikave në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, megjithatë, zbatimi vazhdon të sfidohet nga kapacitetete kufizuara dhe mungesa e angazhimit të komuniteteve.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, pati thënë se ekziston njohuri e kufizuar lidhur me ekstremizmin e dhunshëm tek institucionet, sidomos tek ato të nivelit lokal.

Derisa, qytetarët thuhet se vazhdojnë të jenë konfuz se si duhet trajtuar ekstremizmi fetar si një formë e re e ekstremizmit të dhunshëm.

“Koordinimi ndërinstitucional në luftën e ekstremizmit të dhunshëm është i kufizuar, përfshirja e shoqërisë civile është e vogël, roli i Bashkësisë Islame të Kosovës vazhdon të nënvlerësohet. Po ashtu, mungesa e mundësive dhe niveli i lartë i papunësisë kanë krijuar një konsekuencë të pamenduar, ku të rinjtë janë rekrutuar me ideologji ekstreme dhe përfshirje në konflikte të huaja në Siri dhe Irak”, kishte thënë Qehaja.

Hapësirat private, vende të përhapjes së ideologjive ekstremiste

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit thotë se hapësirat private apo edhe institucionet, të cilat janë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame janë vende, të cilat përhapin ideologji ekstremiste që shpien në terrorizëm.“Të ashtuquajturat institucione fetare që janë jashtë kontrollit apo edhe gjysmë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës, janë vende të cilat përhapin ide të tilla, janë vende nëpër të cilat këta njerëz përgatiten shpirtërisht në emër të ashtuquajturit mision për të ndihmuar njerëz në luftën e shenjtë”, thekson Hasani.Edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në raportin e fundit të publikuar kishte konstatuar se përhapja e ideologjive ekstremiste dhe rekrutimi i qytetarëve të Kosovës për ekstremizëm apo terrorizëm, po bëhet në banesa private dhe jo në xhami.Lidhur më këtë dukuri, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë për Radion Evropa se janë në dijeni për këtë, por se mekanizmat e sigurisë e kanë nën kontroll situatën.

“Ka disa të ashtuquajtura shtëpi-xhami, të cilat e praktikojnë fenë, por parimisht e drejta dhe liria e besimit është e garantuar me Kushtetutë, prandaj institucionet dhe mekanizmat e sigurisë e kanë situatën nën kontroll. Nëse flasim për ligjërata që ndikojnë në rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, besoj që tashmë ka aktgjykime të formës së prerë nga gjykatat për ata hoxhallarë”, thekson Hoxha.

Së fundi përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kishin theksuar se kanë mungesë të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të sigurisë në luftën kundër terrorizimit.(Luljeta Krasniqi- Veseli REL)

Filed Under: Featured Tagged With: Faktorët, në luftën, në Siri dhe Irak, që çuan të rinjtë

Prishtinë-Hapet për publik Ekspozita # ecokosovo

February 25, 2017 by dgreca

1 ekspo

1 Ecoekspoz-Fotografia e Arijana Deshishkut ku shihet duke ushtruar joga me një maskë të gazit, është njëra nga tri fotot fituese: Fotografia tregon një mikro protestë timen. Unë besoj se mjedisi duhet të jetë i pastër në mënyrë që të përjetohet plotësisht të ushtruarit e jogës të shëndetshme/2 ekekspoz4 ekspoz-Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së tregon pse Kombet e Bashkuara në Kosovë kujdesen për mjedisin dhe shëndetin/

PRISHTINË, 25 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (UNV) – në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) hapën një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga fushata #ecokosovo dhe shpallën fituesit, në një ceremoni që u zhvillua të premten në mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare.
Ekspozita, që do të jetë e hapur deri në 28 shkurt, përmban 103 fotografi të zgjedhura nga më shumë se katërqind që janë paraqitur në fushatën avokuese online në temën mjedisi dhe shëndeti.Në hapje të ngjarjes, Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së theksoi: “Pse Kombet e Bashkuara në Kosovë kujdesen për mjedisin dhe shëndetin? Sëmundjet e organeve të frymëmarrjes dhe sëmundjet tjera të shkaktuara nga faktorë të mjedisit po ua shkurtojnë jetëgjatësinë qytetarëve të Kosovës. E megjithatë, popullata i kushton shumë pak vëmendje këtij problemi, siç mund të shihet edhe në raportin tonë të fundit të Pulsit Publik. Shpresojmë që rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me ndikimet vdekjeprurëse mjedisore në shëndet, përmes fotografive dhe mjeteve të tjera, do të rezultojë në angazhim më të madh nga ana e qytetrëve për këtë çështje absolutisht kritike”, tha Russell.

Në fjalën e vet të rastit, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala shprehi kënaqësinë që ishte pjesëmarrës i ngjarjes: “Kam kënaqësinë që sot jam pjesë e ekspozitës Mjedisi dhe Shëndeti. Besoj që kj ekspozitë do të ndikojë fuqishëm për të tërhjekur vemendjen e gjithë akterëve institucional dhe qytetarëve për të ndikuar më shumë në ruajtjen e mjedisit”, tha Ministri Shala.Edhe Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani theksoi rëndësinë e mobilizimit të përgjithshëm në mbrojtjen e mjedisit: “Kosova duhet t’i bashkohet vendeve tjera në ruajtjen e cilësisë së ajrit duke ratifikuar konventat, protokolet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ministria e Shëndetësisë në strategjinë e saj ka gjithmonë promovimin e jetës së shëndetshme dhe ushtron kompetencën përmes sponzorimit dhe implementimit të ligjeve nga fusha e shëndetësisë. Gjithashtu, kjo ministri, përmes institucioneve përkatëse është e gatshme të jetë pjesë e çdo iniciative, organizimi apo mekanizmi nacional dhe ndërkombëtar i cili për objektiv final ka avancimin e shëndetit publik dhe ruajtjen e mjedisit”.Fotografia e Arijana Deshishkut ku shihet duke ushtruar joga me një maskë të gazit, është njëra nga tri fotot fituese. “Fotografia tregon një mikro protestë timen. Unë besoj se mjedisi duhet të jetë i pastër në mënyrë që të përjetohet plotësisht të ushtruarit e jogës të shëndetshme”, shpjegon foton e saj Arijana.
Prej nëntorit deri në dhjetor 2016, #ecokosovo-së i kanë arritur mbi 400 foto aplikime. Fotografitë janë dorëzuar online me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mjedisin dhe shëndetin në Kosovë. Fushata ishte e suksesshme dhe u paraqit si sfidë e vështirë për pesë anëtarët e jurisë të cilët kishin për detyrë të zgjedhin vetëm tre fitues nga të gjitha aplikimet. Me një temë të gjerë mjedisi dhe shëndeti në Kosovë, pjesëmarrësit ishin të lirë të shkrepin foto të Kosovës dhe mjedisit të saj ashtu si ata e shohin dhe e përjetojnë.Agon Nimani, një tjetër fitues, bëri foto nga një këndvështrim më ndryshe. Me një dron, ai shkrep një foto të një deponie makinash nga një pamje ajrore. Fotografia e tij përshkruan një problem tjetër mjedisor: mbeturinat. Duke iu referuar fotos së tij, ai thot se “Sinjali i ndryshimeve klimatike është i padurueshëm dhe alarmant, por në qoftë se zvoglojmë sasinë e mbeturinave, ne ulim nivelin e ngrohjes globale.” Duke iu referuar ajrit në Prishtinë si “helm”, Agoni thot se ai do të lë “fotot e tij të flasin vet.” Nga dhjetëra metra lartësi mbi deponi, fotot po që flasin.

Arian Mavriqi, fituesi i tretë i konkursit #ecokosovo, zgjodhi të përqëndrohet në bukurinë natyrore të Kosovës. Në një kodër me pjerrësi të butë, fotoja e Arianit është pikërisht natyra. Gjethet ngjyrë kuqe të rëna në tokë janë në kontrast me trungjet e pemëve të bardha, që ngrihen aty. Sipas Arianit “Kujdesi për mjedisin është kujdes për shëndetin tonë. Sa më shumë të kemi kujdes, më të shëndetshëm do të jemi.”

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, garues dhe qytetarë. Alban Muja, artist i njohur kosovar foli në emër të panelit vlerësues.Fushata avokuese #ecokosovo është projektuar dhe implementuar nga Trembelat. Pas Bibliotekës Kombëtare, ekspozita do të shfaqet në Bulevardin Nënë Tereza në Prishtinë prej 3 deri në 6 mars./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Ekspozita # ecokosovo, për publik, Prishtinë-Hapet

100- VJETORI I LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI

February 23, 2017 by dgreca

 untitled

“Mos pyet se çka mund të bëjë vendi yt për ty,/

por pyet se çfarë mund të bëjshë ti për vendin tëndë”-XHON F. KENEDI/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes të Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi (Maj 29, 1917 – Nëntor 22, 1963).  Ky përvjetor po   shënohet me aktivitete të shumëta gjatë gjithë këtij viti, të cilat kanë filluar tanimë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, përfshirë shtetin Massaçusets prej ku rrjedhë familja Kenedi, e deri tek nivelet e enteve të qeverisë federale, me qëllim për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e presidentit më të ri që është zgjedhur ndonjëherë në Shëpinë e Bardhë.  Aktivitetet mbarë kombëtare synojnë kujtimin e jetës dhe të trashëgimisë që ka lënë pas Presidenti Kenedi, si një rast edhe për të frymëzuar brezat e rinjë, ashtu që ata të zbulojnë rëndësinë dhe të frymëzohen nga trashëgimia dhe nga vlerat politike dhe morale, gjithnjë bashkohore të mandatit të shkurtër të presidencës së tij.

Ndër aktivitetet e para në kujtim të këtij përvjetori, Posta Amerikane lëshoi në qarkullim, një pullë postare të përhershme me fotografinë e Presidentit Kenedi gjatë një ceremonie në “Librarinë dhe Muzeun Xhon F. Kenedi”, në qytetin Boston.  Me këtë rast, në emër të familjes, foli njëri prej nipave të presidentit Kenendi, Xhek Shlosberg, i cili shprehu falënderimet e familjes duke thënë se, “Shpresojmë që kjo pullë postare të jetë një simbol i përhershëm i thirrjes së Presidentit Kenedi, “Për shërbim, inovacion dhe gjithpërfshirje, por edhe si një simbol i besimit të tij të palëkundshëm se si individë, secili prej nesh ka aftësi dhe mundësi për ta bërë këtë botë më të mirë për të gjithë ne.”

Presidenti Kenedi, i admiruar gjithnjë edhe sot, jo vetëm nga amerikanët por edhe nga popujt anë e mbanë botës,e që është inauguruar President i Shteteve të Bashkuara më 20 Janar, 1961 — konsiderohet si një udhëheqës i dalluar i cili punoi në mbështetje të idealeve më të larta të këtij kombi duke frymëzuar rininë amerikane që të angazhohej në jetën politike, duke marrë pjesë në shërbime të ndryshme publike.  Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit për president, Xhon F. Kenedi u ka bërë thirrje amerikanëve, e sidomos të rinjve dhe rejave, që shërbimin public të mos e shikojnë si një përfitim personal, duke përdorur frazën tanimë të  famshme anë e mbanë botës, “Mos pyet se çka mund të bëjë vendi yt për ty, por pyetë se çfarë mund të bëjshë ti për vendin tënd”.

Megjithse mandati i tij u shkurtua nga plumbi i një vrasësi me 22 nëntor, 1963, administrata e tij, mbernda një kohe të shkurtë, shënoi arrijte të dukëshme për periudhën që ishte në pushtet.  Presidenti Kenedi themeloi “Korpusin e Paqës” një ent ky që edhe sot vazhdon misionin e tij duke ndihmuar njerëzit në nevojë, në shumë vende të botës së tretë.  Ai gjithashtu u angazhua në vitin 1961 se Amerika do të zbriste në Hënë para mbarimit të asaj dekade, gjë që u realizua, duke hapur kështu rrugën e sukseseve të mëdha të programit amerikan në hapësirë, përfshirë edhe uljen historike të astronautëve amerikanë në Hënë, në vitin 1969.

Si president i Shteteve të Bashkuara në kulmin e luftës së ftohët,  në arenën  ndërkombëatre, Presdienti Xhon Kenedi u përball me një numër konfliktesh me ish-Bashkimin Sovjetik, konflikte këto të cilat, sipas historianëve mund të kishin përfunduar në një luftë botërore.  Por falë diplomacisë dhe gjakftohësisë së Presidentit Kenedi, lufta u mënjanua, megjithse ai nuk hoqi dorë nga parimet e tija, përfshirë mbrojtjen e status-it të Berlinit Perëndimor, një oazë lirie kjo në ish-Gjermaninë Lindore komuniste që kërcënohej vazhdimisht nga ish-udhëheqsi komunist sovjetik, Nikita Kurshçov.  Përsëri në vjeshtën e vitit 1962, Presidenti Kenedi kundërshtoi vendosmërisht vendosjen e raketave bërthamore sovjetike në Kubë.  Por me gjakftohësinë e tij që e dallonte në momente krizash –  madje edhe kundër këshillave të bashkpuntorëve të tij të ngushtë për të bombarduar bazën e raketave në Kubë – në vend të kësaj, ai vendosi të impononte një bllokim të armatimeve të mëtejshme sovjetike në Kubë.  Pas disa ditëve ballafaqimesh tepër të rrezikshme, kur dukej se bota ishte në prak të një lufte shkatërruese bërthamore – anijet sovjetike që ishin nisur për në Kubë u këthyen mbrapa dhe Kurshçovi më në fund ra dakort që të tërhiqte raketat bërthamore nga territori i Kubës komuniste.

Ndërsa në fushën e politikës së mbrendshme, Xhon Kenedi mbahet mend, ndër të tjera, për fjalimin e flakët të 11 qershorit të viti 1963 mbi të drejtat civile, fjalim i cili karakterizoi trajtimin jo të barabartë të afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara, si një krizë morale të këtij vendi.  Ai pastaj paraqiti një projekt ligj për t’u dhënë fund ndasive raciale, projekt ligj ky i cili u miratuar përfundimisht nga Kongresi amerikan pas vdekjes së tij, i njohur  si “Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964”. 

Presidenti Kenedi është vrarë më 22 nëntor, 1963 në Dallas të shtetit Texas, në moshën e re 46-vjeçare, një vrasje kjo që ndërpreu realizimin e potencialeve të mundëshme të një mandati të plotë presidencial.  Por njëkohsisht ai ka lënë pas – megjith kohën tepër të shkurtë në krye të Shtëpisë së Bardhë — një trashëgimi të pasur politike dhe morale, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe për mbarë botën vullnet mirë.

Me qëllim për të bashkrenduar aktivitetet mbarë kombëtare në kujtim të 100-vjetorit ë lindjes së presidentit Xhon F. Kenedi gjatë viti 2017, Kongresi Amerikan ka vendosur të krijojë “Komisionin për 100-vjetorin e lindjes së Xhon F Kenedi”, një nismë kjo e mbështetur nga Partia Demokrate dhe nga Partia Republikane.  Senator demokrat i ishtetit Massaçustes dhe anëtarë i këtij Komisioni, Ed Marki, u shpreh me këtë rast se, “Presidenti Kenedi gjithmonë do të përfaqësojë një vizion të guximshëm për të ardhmen e vendit tonë, një idealizëm pa iluzione, një angazhim të vendosur për shërbim publik, si dhe një energji të pashterrshme dhe të pafrenueshme, që i tregojnë botës se Amerikanët besojnë gjithnjë se ditët më të mira për vendin tonë janë gjithmonë në të ardhmen.”   Ndërsa, Senatori republikan i shtetit Utah, Orrin Hatç theksoi se ky komision, që është i ngjashëm me komisionin  e krijuar me rastin e 100-vjetorit të presidentit Ronald Reagan më 2009, është i rëndësishëm sepse, “Të gjithë Amerikanët, pa marrë parasyshë bindjet e tyre politike, e kujtojnë Presidentin Kenedi si një udhëheqës frymëzues dhe si një ikonë e shekullit 20-të.   100-vjetori i lindjes së tij, na ofron një rast të mire për të frymëzuar një brez të ri Amerikanësh, që të gjithë së bashku, të riangazhohemi përsëri për t’i shërbyer kombit tonë.”   Ndërkohë, Senatori veteran i republikanëve, Xhon Mëkejn u shpreh se kujtimi i 100-vjetorit të lindjes së Presidentit Kenedi, “Do të sigurojë që trashëgimia e tij të jetojë për të gjithë brezat e ardhëshëm.”

Më në fund, Kongresisti i shtetit Masaçusets, Xho Kenedi i III, dhe nip i Presidentit Kenedi ka thënë me rastin e fillimit të aktiviteteve të këtij 100-vjetori se, “Presidenti Kenedi besonte me pasion se kapacitet e përbashkëta të popullit Amerikan nuk kishin kufij. Se nëqoftse jemi të bashkuar për një kauzë të përbashkët, ai ishte i vetdijshëm se zbritja në Hënë ishte e afërt, se barazia midis njerëzve ishte e mundëshme dhe se paqa do mbizotëronte në botë.   Në këtë 100-vjetor të lindjes, ne nuk kujtojmë vetëm babanë, vëllain dhe presidentin tonë, por kujtojmë edhe idealet dhe vlerat që ai la pas për kombin e vet”, është shprehur kongresisti Xho Kenedi.

Megjithse kanë kaluar më shumë se 60-vjetë nga vdekja e Presidentit Xhon Kenedi, ai gjithnjë mbahet mend në radhët e shumë Amerikanëve por edhe më gjërë si një udhëheqës gjakftohët i cili, gjatë luftës së ftohtë, mënjanoi një luftë  të mundëshme botërore bërthamore, si një personalitet politik i shquar kombëtar dhe ndërkombëtar, me shumë arrijtje.  Ai kujtohet edhe për aftësinë e tij të njohur për të frymëzuar njerëzit me fjalimet e tija elokuente.  Shumë historian janë të mendimit se pot ë kishte jetuar Presidenti Kenedi dhe po të kishte patur mundësi të zbatonte idetë dhe programet e tija — jo vetëm Amerika — por edhe bota mund të ishin ndryshe, nga ç’janë sot.  Natyrisht se Presidenti Kenedi, si çdo udhëheqës tjetër amerikan ose botëror, i kishte edhe ai të metat e veta si njeri dhe si udhëheqës politik, por ndryshe nga shumë të tjerë, ai dallohej për optimizimin e tij të pashterrshëm për të ardhmen, për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për botën.  Presidenti Kenedi besonte se njerëzit mund të zgjidhin vet problemet e tyre të përbashkëta, nëqoftse mbi interesat personale e partiake, vendosin — interesat e vendit të vet dhe nëqoftse punojnë së bashku për zgjidhjen e tyre.  Nëqoftse për asgjë tjetër, atëherë le të kujtojmë në këtë 100-vjetor, trashëgiminë e frymëzimit të këtij burri të madh, se me vullnet të mirë dhe me bashkpunim me njëri tjetrin, çdo problem mund të zgjidhet dhe çdo gjë është e mundur.

1Xhon F. Kenedi

Presidenti Xhon Kenedi kishte lidhje të ngushta edhe me komunitetin shqiptaro-amerikan të Bostonit dhe më gjërë. Në këtë foto ai është me të ndjerin Anthony Athanas, patriotin e shquar dhe njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Fan Nolit, ish-biznismenin e njohur shqiptaro-amerikan dhe aktivistin e dalluar të  organizatës pan-shqiptare Vatra dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi prej shumë dekadash, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori i lindjes, Frank shkreli, John F. Kenedy

Ambasadorja amerikane ne OKB: Kosova të anëtarësohet në OKB

February 22, 2017 by dgreca

– NATO, aleanca më e fuqishme në histori /

1 Haley per KosovenNe Foto: Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley /

Kosova duhet të zë vendin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka thënë qysh në fjalimin e saj të parë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e re amerikane në organizatën botërore, Nikki Haley.“Në Kosovë duhët bërë më shumë për të forcuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit”, ka thënë ambasadorja Nikki Haley dhe ka shtuar se “SHBA-të besojnë se komuniteti ndërkombëtar duhet të njohin hapat e mëdha të Kosovës që nga pavarësia”. 

“Kosova meriton të zë vendin që i takon në bashkësinë ndërkombëtare të vendeve…përfshi anëtarësinë e plotë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë më tej ambasadorja Haley. Kjo deklaratë e ambasadores së re amerikane në organizatën botërore është bërë derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka diskutuar konfliktet dhe situatën në Evropë. Gjatë fjalimit të saj para anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, ambasadorja Haley e ka cilësuar NATO-n si “aleanca më e fuqishme në histori” dhe se SHBA-ja mbetët e përkushtuar ndaj aleancës në Evropë. Shtetet e Bashkuara po punojnë që ta bëjnë Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) “sa më shumë efektive”, ka thënë Haley. Sipas saj, dallimet në qëndrime me aleatët evropianë nuk duhen parë si asgjë tjetër pos “përkushtim total të aleancave të SHBA-së në Evropë”.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadore Nikki Haley, Kosova të anëtarësohet në OKB

Protesta e opozitës si një rrugë pa kthim

February 22, 2017 by dgreca

1 ShkullakuNga Armand SHKULLAKU/1 protesta-PD-caderPartia Demokratike po përgatitet prej ditësh për një tubim- protestë që do të zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë. Ky manifestim i opozitës po pritet si një provë e forcës së saj dhe po shihet si një sfidë e PD pas katër vitesh plot ulje- ngritje në përballjen me mazhorancën e Edi Ramës.

Për shumë arsye, protesta e 18 shkurtit mund të konsiderohet si një sfidë për PD. Ajo vjen pas një mungese të gjatë të reagimit në rrugë, ndonëse zërat që e kanë kërkuar një gjë të tillë brenda opozitës kanë qenë të shumtë. Si e tillë, projektorët e opinionit publik janë drejtuar me një interes edhe më të madh për të parin manifestim pas “agjërimit” që Basha ka mbajtur për shumë kohë në selinë e partisë së tij.

Protesta do të jetë një shenjë gjithashtu për të testuar se në çfarë niveli ka mbërritur pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë dhe se sa kjo pakënaqësi është në sinkron me politikën e lidershpit të opozitës. Ajo do të jetë pra edhe një sfidë numrash, ku masa e protestuesve do të interpretohet edhe si cilësi e vetë protestës.

Por më tepër se pjesmarrja, testimi i pakënaqësisë ndaj qeverisë apo efikasiteti i protestës si mjet politik, 18 shkurti është sfida e PD për të ngjallur më në fund frymëzim pas katër viteve problematike në opozitë. Dhe frymëzimi nuk matet as me numrin e protestuesve dhe as me entuziasmin e radhëve të para. Nëse PD do ta mendojë protestën e 18 shkurtit si një mjet për të afruar ditën e ardhjes së saj në pushtet, si një formë për t’a përkthyer pakënaqësinë ndaj qeverisjes në një mbështetje për të apo si një taktikë për të povokuar ndonjë reagim të pakontrolluar të qeverisë, edhe kjo ngjarje do të regjistrohet në arkivën e aksioneve opozitare pa ndonjë rezultat.

Për PD, protesta duhet të jetë mjeti drejt një qëllimi më të madh, që është rifitimi i besimit tek qytetarët, zgjimi i frymës së kundërshtimit për të krijuar një front më të madh opozitar, ku të gjitha pjesët e shoqërisë, që nuk e pranojnë qeverisjen arrogante, korruptive dhe të inkriminuar të këtyre katër viteve, të kenë zë në kapitull.

Dhe për këtë, të gjithë duan një provë. Protesta e 18 shkurtit duhet të jetë akti i parë një aksioni të gjatë që s’mund të ketë kthim mbrapa. Ajo nuk duhet konsideruar si detyra e radhës që opozita e kreu dhe më pas u rikthye në selinë e saj, e izoluar nga njerëzit dhe dukshme vetëm për kamerat e televizioneve. As si një demonstrim force që thyen monotoninë e daljeve pa ngjyrë në podiumin mediatik të selisë blu. Nuk duhet konsideruar gjithashtu as si një aksion për të trembur Edi Ramën dhe për të mbajtur gjallë zjarrin tek militantët.

Më 18 shkurt, PD ka shansin të nisë një rrugë të vështirë për të bindur njerëzit e thjeshtë që është në anën e tyre dhe jo anë e së njëjtës medalje që pushtetin e ka kthyer në qëllim dhe jo në mjet për të ndryshuar Shqipërinë. Nëse për shumë arsye, opozita nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e saj, nuk ia doli të bindë plotësisht se është e aftë të ndërtojë një të ardhme tjetër pa qenë peng i pushtetit të kaluar, se reagimi i saj kundër qeverisë është për të njëjtat arsye si edhe reagimi qytetar, tani e ka një mundësi për ta bërë këtë.

Për këtë, 18 shkurti nuk duhet të jetë një datë në kalendarin e veprimtarive opozitare, por fillimi i një rruge, nga e cila s’mund të ketë tërheqje. PD dhe Lulzim Basha duhet të vendosin të përballen me pushtetin, jo nga selia e partisë, karriket e komisioneve parlamentare apo foltorja e Kuvendit, por aty ku e duan njerëzit, në rrugë.

Opozita flet për një qeveri që ka kapur dhe kontrollon gjithçka. Që përdor krimin dhe paratë e krimit për të mbajtur pushtetin. Që kontrollon drejtësinë dhe ka kapur mediat. Që ndan paranë publike për oligarkët e saj dhe këta e mbajnë në këmbë me anë të financimeve okulte. Që po abuzon me varfërinë e njerëzve dhe po u blen votën. Që po klonon parti klienteliste e që ka ndërtuar një makineri propagande që mbyt çdo zë opozitar. Me një pushtet të tillë, opozita nuk mund t’u kërkojë vetëm qytetarëve të përballen me të, të mos shesin votën, të qëndrojnë, të sakrifikojnë, të reagojnë. Ajo duhet të japë vetë e para provën që është me ta dhe është si ata.

Përballë një pushteti të tillë nuk mund të ketë dy reagime, një qytetar në rrugë dhe një opozitar në forume. Më 18 shkurt PD duhet të vendosë jo për fatin e një proteste, por për fillimin e një rezistence që me prova duhet të dëshmojë se është e njëhsuar me atë të qytetarëve. Çdo kthim pas, do të pillte një zhgënjim të ri dhe do ta rreshtonte PD tek ato parti që presin radhën për të ardhur në pushtet dhe jo tek ato forca që ngjallin frymëzim për të bërë ndryshime të mëdha.

Filed Under: Featured Tagged With: Armand Shkullaku, pa kthim, PROTESTA E OPOZITES, si një rrugë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 531
  • 532
  • 533
  • 534
  • 535
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT