PRISHTINË, 27 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Bangladeshi ka njohur shtetin e Kosovës, u njoftua sot në seancën e Kuvendit të Kosovës që po vazhdon. Kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, tha se ky është njoftimi zyrtar që sapo ka arritur në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.Ndërkohë, ministri i Jashtëm Enver Hxhaj, në ‘facebook’ ka shkruar:“NJË LAJM I JASHTËZAKONSHËM. Bangladeshi njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmi më është konfirmuar para pak çastesh edhe zyrtarisht. Kanë qenë vite përpjekjesh për të lobuar dhe marrë këtë njohje. Faleminderit. Tani kemi 114 njohje. URIME !”.Kosova kështu ka arritur 114 njohje nga shtetet anëtare të OKB për pavarësinë e shpallur para 9 viteve në 17 Shkurtin historik 2008./b.j/
***
Bangladeshi e ka fituar Pavaresine me 26 Mars 1971. Ka nje popullsi prej 168.957. 745 banore. Popullsia vendase eshte “bengalis”, qe zene 98 per qind te popullsise, vetem 2 per qind jane minoritetet. Kryeqytet i shtetit eshte Dhaka.
***
KRYEMINISTRI MUSTAFA FALËNDERON BANGLADESHIN PËR NJOHJEN E KOSOVËS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përgëzuar qytetarët si dhe ka falënderuar Bangladeshin për njohjen e Republikës së Kosovës.Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka thënë se njohja nga Bangladeshi, është dëshmi e forcimit të vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.“Arritjet e Kosovës në politikën e jashtme, janë rezultat i argumenteve globale politike, juridike dhe ndërkombëtare që po jep shteti i Kosovës në të gjitha fushat si dhe qëndrimet parimore në raport me zhvillimet dhe vlerat universale botërore. Procesi i njohjes së Kosovës do të vazhdojë më tutje, deri në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, proces që po përkrahet edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderojmë Bangladeshin për njohjen dhe presim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, thuhet në mesazhin e kryeministri Mustafa.