Nga Mr.Sc.Mehmet Prishtina/
CEO/Founder/
Baballarët e Kombit Shqiptar, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, të udhëhequr nga fryma e unitetit dhe e integritetit të popujve dhe marrdhënive të mira fqinjësore, edhe pas një shekulli, po shërbejnë si një shembull dhe tregues i mirë eksperience, se si thyhen kufijtë e ndarjes në mes të popujve me qëllimin e përbashkët dhe fisnik, që të gjithë të jetojnë të intergruar në një familje të madhe europiane.
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nivelet më të larta shteterore arritëm të realizojmë me sukses ngritjen, nderimin dhe përjetësimin në bronz, të figurës së Hasan Prishtinës në tri kryeqendrat shqiptare: në Prishtinë, në Shkup dhe nëTiranë, dhe në fund të kurorëzojmë dekorimin në nivelin më të lartë të Shtetit Shqiptar.
Personalisht ndjejë një kënaqësi të veçantë, që dhe në nivelin e të dy bashkive, asaj të Prishtinës dhe Vlorës, u pranua propozimi im drejtuar Shtetit Shqiptar, ndërmjet Këshilltarit të President Nishanit, z. Ndriçim Kulla dhe Drejtorit të Kontrollit të lartë të shtetit, z. Bujar Leskaj, i cili më 17 Janar 2014, kur unë dorëzova kërkesat e mija zyrtare me shkrim, President Nishanit, Kryeministrit Rama, dhe Kryeparlamentarit Meta, për rivarrimin e mbetjeve mortore të Hasan Prishtinës nga Kukësi për në Varrezat e Panteonëve, të cilat i mungojnë Tiranës dhe Prishtinës, u zotua në emër të Kryebashkiakut të Vlorës dhe Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që këtë projekt do ta bënin realitet andaj i falenderoj nga zemra.
Më gëzon fakti që nga ky bashkëpunim i suksesshëm, u arrit të sigurohen mjetet e nevojshme për financimin dhe realizimin e këtij projekti madhor, të cilin unë e kisha propozuar në Janar dhe Prill të vitit 2014 nëTiranë dhe Prishtinë. Prandaj përgëzoj dhe falenderoj të gjithë stafin e bashkisë së Vlorës dhe të Prishtinës, për kujdesin që treguan në përfundimin e këtijprojekti kombëtar.
Kjo ide e hershme, të cilën e kishim menduar që në vitin 1997, në Munich dhe në Tiranë, së bashku me zonjën e nderuar Nermin Vlora Falaskin, mbesa e Ismail Bej Vlorës, tani po behët realitet. Shpirti i saj u prehtë në paqe perderisa ëndrrat tona po behën realitet.
Sot po konstatoj me kënaqësi të veçantë, se ngritja e vetëdijes qytetare shqiptare, po thyenkufijtë shqiptar dhe ato të shteteve fqinje duke reflektuar, demokraci, barazi, eurointegrim me vlerat e figurave që jetuan me këtë frymë të bashkëpunimit me popujt e tjerë edhe para një shekulli dhe që po shërbejnë si një shembull brilant edhe në ditët e sotme.
Mëdatën 2 Maj 2014, obligimi i vonuar i shtetit shqiptar për të dekoruar Hasan Prishtinën nga Presidenti Nishani me “Urdhërin e Flamurit” po bëhej realitet, lindi pyetja se kush do të ishte personi i duhur, që do ta pranonte këtë nder kaq të madh?
Reflekset e 28-ës
NGA ANTON ÇEFA*/
Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksesh.
Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën, na përflak; një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet; një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë; një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të Shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.
U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skendërbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.
Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.
Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.
Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.
Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe reflekse tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.
Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.
E kush nuk shpirtësohet në vetëdijesimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!
E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !
E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !
E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksi të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!
Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .
Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i Shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se
“Zoti vetë e tha me gojë,
që kombe shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne.”
* Autori Anton Çefa, Ish editor i DIELLIT
Përshëndetje e Sekretarit Kerry për pavarësinë e Shqipërisë
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj popullin e Shqipërisë për 102 vjetorin e pavarësisë më 28 nëntor, shprehet Sekretari amerikan i Shtetit.
Shqipëria është një aleate e fortë dhe e besueshme e NATO-s dhe një forcë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Falënderoj popullin shqiptar, thotë më tej zoti Kerry në mesazhin e tij, për mbështetjen për misionet në Afganistan, si dhe për kontributin e menjëhershëm dhe të çmuar për koalicionin global kundër grupit ISIL.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin në mënyrë aktive përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur këkesat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ju përgëzoj për përparimin tuaj në rrugën drejt integrimit të plotë euroatlantik, thotë Sekretari i Shtetit, duke theksur se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Shqipërisë si partneri dhe aleati juaj i palëkundur.
Ismail Kadare: Jam për hapjen totalisht të dosjeve
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare përsëriti dje bindjen e tij të pandryshueshme për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Në një prononcim të shkurtër për gazetën ‘DITA’, Ismail Kadare tha se “kam qenë jam dhe do të jem gjithmonë për hapjen totalisht të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky ka qenë dhe është qëndrimi im. Nuk ka nevojë të shtohen komente për këtë qëndrim timin”.
Në prill të këtij viti Kadare ka shpjeguar pse duhet të hapen dosjet.
Zërave që nëse hapen dosjet, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare, Kadare u thotë se: “Nuk ka një tragjedi kombëtare nga një pastrim i ndërgjegjes. Tërë vendet e botës e kanë kryer këtë proces të detyrueshëm, i cili është i dhimbshëm. Por mund të them se ata nuk kanë pësuar një tragjedi, asnjëri prej tyre. E filloi Gjermania, Çekia, Polonia me shumë vështirësi Rusia.
Askund nuk mund të thuhet se ka ndodhur ndonjë tragjedi. Përkundrazi, tragjedia ndodh kur nuk hapen. Jemi ne që jemi ndërkaq në tragjedi. Në mbyllje të kësaj të fshehte”.
Edhe me këtë prononcim konciz, shkrimtari Kadare është tepër i qartë në qëndrimin e tij për një nga çështjet më të mprehta dhe më të diskutueshme ditët e fundit.(GD)
‘Dita e Flamurit’ Apelon!
Thirrje e ish të përndjekurve politikë shkodranë me rastin e 28 Nëntorit./
Nga Filip Guraziu/Për‘Shoqatën e ish të përsekutuarve politikë’Shkodër*/
‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ organizon sot këtë takim përkujtimor me rastin e 102 vjetorit të pavarësisë nga pushtuesi shekullor turk që u konkretizua me themelimin e shtetit të ri Shqiptar me 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit si dhe në përkujtim të Ditës që forcat gjermane naziste u Larguan nga Shqipëria.
Është bërë zakon që në çdo ceremoni përkujtimore që lidhet me ditën e pavarësisë ose me ditën e largimit të nazistëve gjermanë nga territori shqiptar, të përshkruhet historiku i atyre ngjarjeve duke dhënë detaje dhe duke kujtuar emërat e protagonistëve të paharruar , gjë, që ne, nuk po e bëjmë, thjeshtë për çështje kohe, por edhe për arsye se ‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ në respekt të traditave të nacionalistëve shqiptare, duke konsideruar primar interesin kombëtar, sot dëshiron që të kontribuojë për ndërtimin e së ardhmes duke bërë thirrje që të vlerësohet me drejtësi dhe ndershmëri e kaluara përçarëse.
Gjejmë rastin, pra, që të ftojmë sot, të gjithë shqiptarët e ndershëm pa dallim partiak, drejtuesit e religjoneve, politikanët e majtë dhe të djathtë por sidomos historianët profesionistë dhe intelektualët e shquar që të kontribuojnë për arritjen e një qëndrimi unik mbi ngjarjet historike që përçajnë shqiptarët . Mungesa e një konsensusi, mbi interpretimet e ngjarjeve historike dhe sidomos të atyre që lidhen me luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në vitet e luftës së dytë botërore si dhe mbi luftën e klasave gjatë diktaturës komuniste, çedukon dhe çorjenton brezin e ri duke ja zbehur ndjenjën patriotike kombëtare ! Personalitetet dhe ngjarjet historike nuk duhet të trajtohen sipas konceptit komunist ‘bardh dhe zi’, duhet të largohemi nga fanatizmi partiak dhe klasor, dhe të vendosim interesin kombëtar mbi pasionin meskin personal.
Sot në këtë ditë përkujtimore, përulemi me respekt të thellë në nderim të të gjithë atyre shqiptarëve patriotë që me sakrifica sublime, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të një lufte çfarosëse antishqiptare të koalicionit serb-grek-malazez , arritën të shpallin Shqipërinë e pavarur dhe të lirë me 28 Nëntor 1912.
Gjithashtu sot, ‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ respekton dhe përulet me nderim edhe ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për idealet e lirisë në luftë kundër pushtuesve të huaj, në vitet e luftës së dytë botërore, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Por këtu duhet të dallojmë ato fatkeqë që vdiqën në luftë vëllavrasëse civile, (shqiptari kundër shqiptarit) dhe dhanë jetën jo për lirinë e atdheut kundër pushtuesit, por për idealin komunist, ideal të cilin populli shqiptar, i majtë dhe i djathtë e flaku me përbuzje në vitin 1991. Këto ‘fatkeqë’ nuk mund të konsiderohen ‘heronj’ kombëtar, pasi ato qenë dhe mbetën vetëm ‘heronj’ të një ideologjije të dështuar komuniste që i solli aq fatkeqësi popullit shqiptar dhe sot ka urrejtjen unanime të shqiptarëve.
Shoqata vlerëson Luftën Nacional Clirimtare si dhe përpjekjet e Formacioneve Nacionaliste për luftën që bënë kundër okupatorit gjatë luftës së dytë botërore, por në të njëjtën kohë dënon qëndrimin sektar të udhëheqies komuniste shqiptare, të drejtuar nga Enver Hoxha, që për të kapur dhe mbajtur pushtetin, shkeli marrëveshjet dhe bëri kompromise në dëm të interesave kombëtare (Ju kujtojmë Mukjen, Bujanin, Masakrën e Tivarit, Marrëveshjen për kthimin me force të të arratisurve në Jugosllavi, etj. ) si dhe praktikoi luftën civile për pushtet, të cilën e vazhdoi deri në shëmbjen e komunizmit nën emërin e luftës së klasave, duke çfarosur dhe asgjësuar elitat fetare, intelektuale dhe nacionaliste shqiptare.
Gjejmë rastin sot, të përkujtojme me nderim të thellë dhe mirënjohje edhe të gjithë ato patriotë të ndershëm që u flijuan dhe u persekutuan nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës . Nuk po japim shifra se ato janë rënqethëse ! Nga ato të burgosur politikë që i mbijetuan kalvarit të vuajtjeve, fatkeqësisht sot, fare pak janë gjallë dhe pothuaj të gjithë të sëmurë. Ato që jetojnë, dhe familjarët e tyre, edhe këto bashkëvuajtës, formojnë sot shtresën më të varfër të shoqërise shqiptare.
E mbyllim këtë bisedë edhe me një tjeter apel të fuqishëm drejtuar politikës dhe ligjvënësve shqiptarë; ‘ Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ kërkon me këmbëngulje të drejtat e mohuara kësaj shtrese, si:
1. Dhënia e Statusit Juridik për çdo ish të përndjekur politik.
2. Dënimin zyrtar të krimit të diktaturës komuniste Hoxhiste.
3. Shlyerja përfundimtare e shperblimit për ish të përndjekurit politikë sipas ligjit në fuqi.
4. Rivlerësimi i shpërblimit për të pushkatuarit politikë.
5. Dhënia e shpërblimit për të internuarit politikë.
Shpersojmë dhe urojmë që kjo thirrje mos të bijë në vesh të shurdhër!
Rroftë Shkodra, rroftë Shqipëria , rrofshin Shqiptarët kudo që ndodhen !
Rroftë Dita e Flamurit !
* Redaksia e Diellit falenderon z. Filip Guraziu per bashkepunim me Diellin.
Shkodër, 26.11.2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 673
- 674
- 675
- 676
- 677
- …
- 902
- Next Page »