• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR DHE PËR SHUMË VJETË 28 NËNTORI

November 26, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Bota që kur është zenë, Shqipëria gjallë ka qënë, ka thënë Naim Frashëri. Dhe gjithnjë gjallë do të jetë! 102 vjetë Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi pas disa shekuj nën Perandorinë osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të mbrendshme. Gjatë gjithë historisë, kombi shqiptar i qëndroi besnik trashëgimisë së vet kombëtare duke kundështuar dhe duke luftuar armiqët dhe pushtuesit që donin t’a zhduknin nga faqja e dheut.
Ëndërra shekullore për liri që digjte në zemërat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë, i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Fatkeqsisht ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi kombi shqiptar u gjetë prap, para një historie fatzezë të shekullit të kaluar, histori e cila ka lënë plagë të rënda në trupin e kombit që sot e kësaj dite ia kanë ngadalësuar hovin drejtë një të ardhme më të mirë. Por festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerzit mund të ndjehen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar, 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit. Por, megjithkëtë nuk duhet harruar se kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund ia ka dalë qëllimit.
Por, mjaftë me të kaluarën e vështirë! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone në Ballkan, që më në fund—të lënë mënjanë, të heqin dorë njëherë e mirë nga dallimet dhe interesat vehtjake dhe partiake dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta, me qëllim që të ndërtohet një bashkësi vëllazërimi dhe të ideali kombëtar, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e tjerë, në vitin 1912. Është përgjegjësi morale e këtij brezi që të bëjë ç’mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkjetese — besë e bashkim me njëri tjetrin — për një komb ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, kombi shqiptar nuk ka qenë në gjëndje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’është tashti që të harmonizojë dhe bashkrendojë mundësitë dhe aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, në përshtatje të vlerave perëndimore dhe në bashkpunim me organizmat euro-atlantike.
Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duarët tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm që me një bashkpunim më të ngusht politik do të nderonit Atdheun dhe lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e kombit shqiptar më 28 Nëntor, 1912 – por njëkohsisht do të ringjallni ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në za në historinë e fiseve dhe të kombeve”. Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zejë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të përparuara.
Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të kombit, të cilët — nën rrethana shumë më të vështira se sot — gjetën mënyra bashkpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që gëzon sot kombi shqiptar në dy shtete. Njëkohsisht, ata i kanë borxh edhe brezave të ardhëshëm që të mos shkelen dhe mos të nepërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindasve që i dhuruan kombit pavarësinë!
Të pakën kjo është dëshira ime e sinqert nga Amerika e largët dhe besoj e shumë shqiptarëve kudo në botë.
Për shumë mot e gëzuar 28 Nëntorin, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, Frank shkreli, Gezuar

PSE VERIU I SHQIPNISË NUK HYNI NË LUFTË CIVILE?

November 25, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
1943/
■Pse, në të gjitha shkollat e Veriut, Rinia Shqiptare kishte studjue “Lahutën e Malcis”!
Pse, nder shkollat e Veriut, në krye të vendit ishte portreti i Gjegj Kastriotit…
Pse, Flamuri Kombtar i Gjergj Kastriotit valvitej “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit…”
Pse, Mësuesi Martir i Shqipnisë At Shtjefen Gjeçovi ishte pranë portretit Kastriotit!
■Pse, ishte Shoqnia “Bashkimi” që në vitin 1899 u tregoi Shqiptarëve deri ku, asht e do t’ jetë Shqipnia Europjane…Ajo Shqipni që do të fliste, shkruente e lexonte Gjuhën Shqipe.
■Pse, krah në krah me Dede Gjo’ Lulin ishte Bajram Curri e Isa Boletini…, Idriz Seferi, Zefi i Vogel, Hasan Beg Prishtina, Zenel Begu etj. Trima të Maleve tona heroike. Hasan Riza Pasha, tha për Dedë Gjo’ Lulin: “Ai asht burrë e atdhetar, jam mundue me i dhanë pare, por s’ka ndigjue me i marrë kurrsesi; dhe u ishte përgjegjë – Nuk ka Sulltani pare aqsa me më thye mue!”.
■Pse, Veriu e Jugu, e dinte mirë thanjen e Luigj Gurakuqit në Parlamenti Shqiptar, në 1923 se: “Na nuk vrasim!”…Pikrisht, Ai Luigj, që punoi i Pari per “Gjuhën e Njësueme Shqipe”.
■Pse, Shkolla e Parë në Elbasan për mësuesit e shkollave tona, përgatiste Pishtarët e Dijes në një nga Vatrat ku ndriçonte gjithë Trojet Shqiptare Gjaku i Kostandin Kristoforidhit.
■Pse, që në 12 Qershorin 1913 At Gjergj Fishta, i kishte tregue ambasadorit De Philipps:
“Po mbushej gati moji që Fuqitë ndërkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). E At Fishta, mbasi u këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqipnisë, e në ketë entuzjazëm kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijve të shkollës Françeskane. Ndërsa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metra, fëmija menjiherë, si u patne porositë qyshë përpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta….”. Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a zbresin Flamurin, ose do ta ulin me topa.. por Françeskani i Fishtes i tha: “Flamuri i Shqipnisë, e ka per nderë me u gjuejte me topa!”
■Pse, nder shkollat e Shkodres lexohej, shkruhej dhe dihej përmendsh vjerrsha e Poetit Shqiptar Vaso Pashë Shkodrani… E të gjithë e dinin se, “kush po na zhyste me krye në hi..?”
■Pse, shkodranët e dinin mirë vjerrshen “Liria” të Don Ndre Mjedjës…dhe vargjet e saj:
Lirinë e keni ju, na hekra kemi…
■Pse, që në vitin 1924 gazeta “Ora e Maleve” tregonte rrezikun e madh të Shqipnisë, nga komunizmi, masoneria, ateizmi, korrupsioni qeveritar, vrasjet e gjaqet, dhe padija orientale…
■Pse edhe nëse nuk dishroni Ju, Shkodra ishte dhe mbeti Kryeqyteti moral, kulturor dhe shpirtnor i Shqipnisë Europjane Perëndimore…Në Vlonë, Burrat Shqiptarë nuk ishin mbledhë të dëgjojnë për një “Shqipni autonome në suazën e perandorisë otomane.” E po, mos të dilte nga xhepi patllakja e Atdhetarit Luigj Gurakuqit, me 28 Nandor 1912…Né do të vazhdonim nën “suazen” Turke… si, u vazhdue me kenë nën disa modele robnije “moderne”…

■Ja, fjalët e Hafiz Ali Krajës, para arkivolit At Gjergj Fishtës, me 31 Janar 1940:
“Të jesh i bindun, o Poet i Madh se, Shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshme të popullit Shqiptar!.. Sot, djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën Shqiptare, tue, t’u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombsinë Shqiptare, do ta ruejm’ e do ta mbajmë si gja të shtrenjtë morale!..”
■Pse, Rinia shkodrane Lirinë e lexonte dhe e shihte nder veprat e Don Ndré Zadejës, bash kur në zemrat e Tyne vlonte gjaku per Liri nga okupatorët e tradhëtarët. Trokiti mu nder zemra “Ora e Shqypnisë”, “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Shpella e Bogdanit”, “Hijet e zeza”…etj., që zgjonin ndjenjat e Atdhedashunisë pa dallim krahinash e Feje.
Poeti i Ambëlsisë, pa Ju tutë syni me 16 gusht 1944, në ecjen me bajrakët e Shna Rrokut nga Kisha e Shirokës, e naltë në rrugën e Taraboshit, Ju drejtue besimtarëve me këte thirrje burrnore:
“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij! Një rê e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç, të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Vepra “Ora e Shqypnisë”, në 1919 kur Shqipnia ishte jo e lirë, u ba hymn Atdhetarie e revolte.
Ajo u vu në skenë për herë të parë në salonin e çfaqjeve të Kolegjes Saveriane, e kur aktorët me gjithë zemër këndonin: “Adrijes m’thuej krenare Vlona asht tokë Shqiptare!” … Salla u ngrit në kambë, tue brohoritë: “Rrnoftë Vlona Shqiptare! Rrnoftë Vlona jonë!”…
■Ishte po, mësim viti 1943, kur Shqipnia e Jugut ishte kallë flakë e mbulue në gjak…
■Mbas vrasjes s’ At Lekë Lulit…i angazhuem me Legalitetin, Provinçiali i Fretenve në Shkoder, At Mati Prennushi urdhnon: “Asnjë Klerik Françeskan nuk lejohet me u marrë me politikë…Në rasë të kundërt do të merren masa…” (Arkivi i Shtetit, Dosja Françeskanët 1943)
■Burrat e Veriut, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, me 23 Shtator 1943, të mbledhun për me shpëtue Atdheun nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, atëherë kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë me Krenët e vendit, dhe me një guxim të admirueshëm të gjithë bashkë, formuen “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, që kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar…tue u sigurue dhe:
■2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…me një Program të plotë, që përputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë, zhvillimit e përparimit në kahun e pikpamjeve tona Europjane – Përendimore. Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Luli, në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem për nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit, nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i Saj.
Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe), Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri…i cili “premton po, nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
■Xhafer Belegu tek libri i Tij “Lidhja e Prizrenit”, (faqe 24, Tiranë 1939), shkruen se, Lord Beaconsfield (1804-1881), Më 13 qershor 1878, në Memorandumin e shkruem prej tij, me ia çue Kongresit të Berlinit, në pikën e parë thotë: “Indipendenca e Shqipnisë, përveçse, asht në interesin e shqiptarëve, por edhe ekujlibri i Europës e kërkon që kjo të jetë një shtet i pavarun, për me forcue murin mbrojtës të Europës Përëndimore, kundrejt invazionit Sllav.”
■A thue, e dinin “komshijtë” tanë “çlirimtarë” këte thanje që përsëriste Epopenë tonë kombtare të 500 vjetëve përpara, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbrojti Europën nga një shkatrrim i sigurtë otoman?
1944… “LAHUTA MBET VARË N’ TRA…
MIGJA KALBET NË DHÉ…
E NIPAT S’ DIJNË ME I RA…” (Poet kosovarë)
■Dhunohet edhe Shkodra nga shovenistët sllavë me ndihmën e terroristit Enver Hoxha.
■Me 29 nandor 1944, forcat partizane rreth Shkodres, kanë hy në qytet si “çlirimtarë” pa e shkrepë një pushkë, mbasi forcat ushtarake gjermane u larguen në orët e para të ditës. Aty nga ora 6.00 e mëngjesit janë drejtue nga Kisha e Fretënve në Gjuhadol, ku, me forcë kanë hypë në kompanjel dhe bash aty, ku At Fishta, me 12 qershor 1913 kishte ngritë Flamurin Kombtar, aty partizanët e druzhe Titos, kanë vendosë “Flamurin me yllin e kuq” të sunduesëve jugosllav…
■Shkodra u trand nga armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar që ia arrijtën qellimit tyne me anën e PKSh, dhe tradhëtarëve të Atdheut të shitun tek shovenistët sllavë, Enver Hoxha me shokët e tij, që u instruktonin nga veglat terroriste të Titos në Shqipni, Mugosha, Popoviq e kompani…
■Parimet bazë të komunizmit klasik janë: “Përçaj e sundo!”, “Shpif e shpif se, dishka mbetë!”… Porosia e Titos, për komunistët tanë në qytetin e Shkodres, ishte: “Shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”, detyrë të cilën, Enver Hoxha ua ngarkoi kriminelëve Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Rahman Perdhaku, Sheuqet Peçi, Zoi Themeli… etj., nder të cilët, Koçi Xoxe, deklaron: “Per vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant. Ka pasur edhe vëndim Byroje për këte… Kishim urdhër me vra dhe me i tretur në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit” (Dosja K. Xoxe, 1623. Arkivi M.Mbrendshme Tiranë, 1998)
■Historiani Abaz Ermenji thotë: “Çdo laro me pushkë në krah ka rasë të bëjë ligjin, ku terrori bëhet si një ankth i padurueshëm”. “Çlirimtarët” menjëherë “zëvendsojnë hymnin e Flamurit”:
“Hidhe hidhe këmbëne…eee, t’ ia bëjmë Gegës nënën…eee…”
■Ishte lufta e ndërsyeme e Jugut kundër Veriut. Ishin politikat shekullore të shovinistëve që përfituen prej kaosit të mbrendshëm, të cilët, në këtë moment përdorën komunistët anadollakë, për me përfitue ata vetë gjanë ma të rëndësishme: “përçaj e sundo!”, tue shfrytzue inferioritetin e Jugorëve, që ua kishte dobësue logjikën. Kenja e Kryeqytetit Tirana në Veri gjithmonë qendër politike, kulturore, morale dhe ekonomike e një populli, Toskëve u dukej shburrnim ikja prej Vlonës. Ishte koha ma e përshtatëshme që Gegët, duhët t’i damshpërblenin me lanjen në “duartë e tyre” të Pushtetit “Popullor Komunist”, fara e të cilit, u hodh në Përmet, Berat e kudo ku mujti me bijtë, ashtusi binë fara e keqe. Pa u “çliruar” Shkodra… Tito i zuni “kolltukët e qeverrisë”.
■Komunistët pëlqyen jetën e pyllit, ku si kafshët e egra shkyejshin intelektualët tue i nxjerrë me gishta gabzherrët prej ku, delte fjala e së vërtetës, dijës, kulturës dhe përparimit.
■Ishte pra, lufta e haptë kundër Qytetnimit Europian, luftë shumë e rrebtë dhe shpartalluese prej padijës rrenuese fshatareske, që shfryente dufin e sajë tue djegë libra e biblioteka, tue plaçkitë muzeume e tue u mundue mos me lanë në kambë asnjë vepër arti e kulture Përparimtare.
■Ishte alergji e Lindjës ndaj qëndrimit Përëndimor të Shqiptarëve, që nuk u pajtuen kurrë me pushtuesit, përderisa, asnjë krahinë ose një fshat kurrë nuk ka përdorë gjuhën e dhunuesit. U përdhosën Malët bashkë me “Kanunin e tyne” se vetëm, kështu, servilët e shërbëtorë besnikë të Titos e të Stalinit, masakronin edhe njëherë përsëvdekuni Etnit Fishta e Gjeçovi me shokë.
■Ishte Shkodra, Kështjella e pathyeshme, ma e forta, ma e pastërta po, dhe ma e vëndosuna në shkambijtë e Veriut, antishoviniste sllave dhe për rrjedhojë ma antikomuniste, që u dogj e u përlue nga të gjitha këto lufta barbare e të përgjakëshme, një GJENOCID I VERTETË, që nuk e ka provue asnjë qytet tjetër i Evropës e, … ndoshta..!!
■Ishte lufta e “Internacionalizmit Proletar”, që fikë e shuen ndjenjat Atdhetare tue nxitë Luftën vëllavrasëse, që asht rrënimi i popujve, tue përdorë ideologjinë marksiste-leniniste kundër Atdheut, Zotit e Besimit, tue ndezë mëllef e urrejtje mes vëllazënve, si dhe tue i shpërblye për këtë “meritë” shumë aventurierë dhe fondamentalistë me poste partie e shteti, tue i privilegjue në Sigurimin e shtetit terrorist me rroga të majme, medalje, dekorata, tituj, grada shkencore, spaleta ushtarake, bursa studimi jashta shteti etj., që po i gëzojnë edhe sot. Injorantët, servilët, hipokritët dhe imoralët agjentë, ishin ndër sferat ma të nalta të partisë dhe të shtetit komunist oriental.
■Ishte themeli i mjerimit që do të kunorzohej ma vonë nga “Lufta e kllasave” nën maskën e së cilës, u mëshefën luftat ma djallëzore e të pabesa të komunistëve ndaj Popullit Shqiptar.
■Ky terror i ishte besue diktatorit Enver Hoxha, me shumë “besnikë” të pandamë jugosllavë, rus, anglez, amerikanë, të betuem në tradhëtinë e madhe ndaj Atdheut të Gjergj Kastriotit.
■Ishin këta udhëheqësit e të gjitha këtyne LUFTAVE të flligta, që u përplasën për shkambin e Ilirisë dhe në veçansi për Kështjellën e Gencit e Teutës, djepin e Atdhetarizmës e folenë e kulturës demokratike. Gurt e Rozafës ishin thëmelët e gëdhenuna të Kulturës Europiane, të vëndosun nga Kreshnikët Atdhetarë Shqiptarë, të murosuna përjetësisht me Gjakun e Martirëve, që u derdhë rrëkajë prej majës së Bratilës në Deçiq, në Vlonë, e deri në Tokat tona në detin Jon, për FÉ, ATDHÉ E PËRPARIM EUROPIAN.
■Ishim të gjithë Shqiptarët që u izoluem mjedis QYTETNIMIT – PA DRITË, ishim të gjithë të uritun e të etëshëm, mjedis EUROPËS – PA LIRI !
■Ishim në një vend mu në zemër t’ Europës, ku u ushtrue një GJENOCIT, që sundoi për 50 vjetë një Popull Shqiptar, tue shrranjosë dëshirën për VIRTYT’ E DIJE, pa të cilat, NUK KA JETË ASNJË POPULL. Gjithshka drejtë mëshefjes, fallsifikimit dhe “harresës”!
■E mos harroni se ishte Ai Veri i Atdheut Nanë Terezës, për të cilin i “plasi zemra”!
■Në sistemin komunist,
një rrashtë e shprazun nga armët trofé e në ballë,
e shkrueme me gjakun e sajë fjala “çlirim”,
ka ma shumë vlerë…se, një kokë e skalitun
me I d e a l i n e naltë:
F é, A t d h é, P ë r p a r i m.

Melbourne, Nandor 2014(Nga cikli:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)

Filed Under: Featured Tagged With: civile, Fritz radovani, NË LUFTË, PSE VERIU I SHQIPNISË NUK HYNI

Në Ballkanin e shkuar apo në Europën e ardhshme?

November 23, 2014 by dgreca

Nga Nga Saimir Lolja/
Një arkitekturë europiane shkakton ndjenja europiane dhe projekti i deritanishëm i faltores muslimane nuk shkon në drejtimin europian. Të jesh pjesë e qytetërimit europian nuk do të thotë të “hysh në BE” me letra, vetëm dhe vetëm për disa politikanë që kanë vite që kanë “hy në BE”. Ato që janë votuar si përfaqësues të popullit shqiptar i shërbejnë me vendimet e tyre vetëm përparimit dhe bashkimit shqiptar.
Projekti i deritanishëm i Xhamisë së Madhe në kryeqytet (dhuratë nga qeveria e shkuar), e kthen Tiranën në një “Stamboll të vockël”, si në Stamboll, si në Tiranë do jetë e njëjta pamje. Dhe Turqia me shumë entuziazëm do e investojë një ndërtim të tillë. Zgjidhje për faltoren moslemane është ndërtimi i sipas një arkitekture të ngjashme me atë në Rijeka të Kroacisë ose Strasburg të Francës, të dyja të përfunduara në vitin 2013.
Me një faltore muslimane të stilit europian, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Europës Juglindore, pjesë e Europës. Me një xhami të stilit të vendeve të lindjes, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Ballkanit, zgjatimit anadollak në Europë, të ardhur nga vendet arabe dhe që nuk e meritojnë qytetërimin dhe shërbimin europian. Tradita e besimit mosleman shqiptar ka veçantitë e tij edhe arkitekturore në gjithë mozaikun e këtij besimi. Kjo gjë nevojitet të shprehet edhe me ndërtimin e kësaj faltoreje. Një model që të mos jetë kopje e xhamive të tjera, por që ka simbolikën e duhur dhe nuk përçon mesazhe kundrathënëse.
Faltoret fetare janë qendra shpirtërore ku një njeri me vullnet të lirë mund të gjejë paqe, respekt dhe lehtësim. Projekti i tanishëm nuk pasqyron modelin shqiptar europian për të ardhmen. Përparimi dhe bashkimi shqiptar nuk arrihet me ndërtimin prej grekëve të katedrales ortodokse dhe prej turqëve osmanë të xhamisë në Tiranë. Atë që osmanët nuk e bënë me forcën e armëve, duket sikur po e riprovojnë me anën e ideve emocionale. Kjo përputhet me shprehjen e Viktor Hygosë (1802-1885) se: “Një popull mund t’i bëjë ballë pushtimit ushtarak, por nuk mund t’i bëjë ballë pushtimit prej ideve”.

Filed Under: Featured Tagged With: Europën e ardhshme?, Në Ballkanin e shkuar apo në, Saimir Lolja

KRISTAQ TURTULLI SJELL”ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE” NE SOFREN E DIELLIT

November 23, 2014 by dgreca

Poemë nga Kristaq Turtulli/
I-
Orë të pagjuma janë vëlla, orët e zemrave të emigrantëve,
me shtigje të panjohura mbijetese.
Shpërndarë kudo në hapësirë, në skaje të ndryshme ku ka filiza jete;
Pranë cepave të holluara prej konsumimit të përditshëm, të lektisur të yjeve,
Në përleshjet e harruara me dema, pa spektatore,
me dritë hije të mekura të toreadorëve.
Në bishtat e përflakura prej sarkazmave artistike të kometave,
Në mesin e monopateve, ku mezi dallohen gjurmët e përrenjve,
si shpirtra të humbura xhunglave,
Ku zogjtë dhe kafshët janë hibride të eksperimenteve.
Rruginat e ngushta gjarpërojnë nëpër shpatet dhe skërkat e maleve,
Shqiponjat ikën, nuk kanë më fole, ngaqë ka shumë zvarranikë.
Në kthinat e pista dergjet etja, dehja, orgjia dhe kurvëria është mizantropie,
Në rrudhat e thella me mbarsje paradoksale të autostradave,
Në krahët e ndehur të lodhura të ëndrrave të purpurte fëmijëve,
Të gjoksit seksual të qiellit të dytë.
Me tik-take të pandërprera dhe të malluara,
Atje gjenden zemrat e vagëlluara të emigrantëve
Vëlla im i lodhur. Atje….
II
Vëlla, a nuk të ngjan sikur të mërguarit prej nevojës për një lot vese,
të vjetër dhe të rinj, thonë, nuk dinë ç’kërkojnë,
Le të flenë në krahët e një ure.
Le të ëndërrojnë mbi shtëllungën e një reje.
Mbasi shumë gjëra kanë ndryshuar, nuk janë si më parë.
Përsipër është hedhur pëlhura e ronitur e qetësisë.
Telat me gjemba u prenë,
Të tjerë tela najloni, janë vënë në hisen e buzëqeshjes së parë.
Por ti mos beso, të gjitha të vërtetat janë të rreme,
Dhe gënjeshtrat shiten si salsiçe në kryqëzimin e një autostrade.
Vajzat gjoks dhe kërthizëzbuluar vallëzojnë dhe bëjnë paradë mode,
Dhe pleqtë ashikë shqyejnë sytë dhe hedhin dollarët në erë.
III
Janë holluar vëlla, bërë pesë ujë e një oriz dashuritë.
Të sinqertët çapiten ngadalë dhe mbajnë në shpinë një thes me halle.
Rrufetë grinden, kolliten herë pas here, kanë marrë të ftohtë.
Diku më tej përplasen orgji, kurvëri, mendësi, pasione.
Autostradat janë me shumë krosi, por që mblidhen në një dalje.
IV
Shalli i vjetër i ylberit është bërë garniturë,
Për mezenë e zakonshme së kohës së pathënë.
Ngjyrat e mrekullueshme
Iu shitën nën dorë qiellit të parë, me çerek çmimi, në tregun e zi.
Në muajt e vështira, të çmendura të pranverës së trishtë.
Fjala e dëlirë u mbars shpejt ngaqë ish e virgjër, por mbeti shtatanike.
E vendosën në tavolinën e parlamentit për ti bërë ekzaminime,
U krijuan të tjera parti, grupime, komisione dhe nënkomisione
Më në fund e futën me nxitim në mesnatë, në kornizë të metaltë,
U përfol se nuk kish kohë, se ish dimër dhe se binte shumë dëborë.
V
Shamia e hallemadhes nënës tonë, si gjithnjë strehë e përhershme,
Mall ish për ne, ëndërr e ëmbël dhe qetësie,
Por shumë shpejt u përcëllua shamia,
u përzhit, u dogj prej flakëve të marrëzisë,
Lëmsheve të zjarrta,
Nga indiferenca e viteve dhe heshtja.
Zjarrfikësit ishin dehur dhe bënin gjumë të thellë…
VI
Përgjatë gërmuqes së grindur të fillimit të shekullit njëzet e një,
Qielli i dytë shkundte shpatullat me bezdi,
Ai nuk dëgjon rrahjet të dëshiruara,
Të orëve zemra të mërguarve.
Që drithërohen për një lule gjithë aromë pranvere mëmëdhe,
Fjalë të çiltër zemre, premtim të fortë bese malësie dhe miqësie.
Për ujë të freskët burimi të kulluar që rrjedh nga shpati,
Për një serenatë të ëmbël dashurie.
Për zërat melodioze të bilbilave, kanarinave në mes të një pylli,
Për erë të ngrohtë fushe dhe erë të freskët mali.
VII
U tha vëlla, u bë trokë fjala parë e fillimit të një poeme.
Nën peshën e krizave ekonomike dhe çmendurive,
Nën epshin e pangopur të politikave dhe prostitutave.
Nuk mund të shkundët lehtë impakti i shurdhërive.
Është ronitur rripi i lëkurtë i brezit prej stërmundimit dhe përçapjeve,
Shtrëngohet çdo ditë, shpohet nga një brimë, deri kur më…
Tendosur qëndron midis dy brigjeve ura lëvizëse,
Poshtë dergjen shkëmbinjtë e thikta të një gremine.
Nën meloditë e vjetra, të stërthëna të urës së Qabesë dhe të Moresë.
Sërish është e nevojshme të krijohet një këngë e re, një himn, një perlë!
Mos vallë poetët flenë gjumë?!
Apo nuk kanë bojë të shkruajnë, as letër dhe penë.
VIII
Vëlla i dëgjon, ngarejnë të paduruara naivitete dhe pasione të zvargura.
I sheh, në erë fluturojnë kartolina të zverdhëlluara dhe letra të pashkruara.
Ndërsa në humnerë, në ujërat e turbullta ku zbardhin eshtra dhe kokalla,
Bën tualetin e ballos së zakonshme shtriga.
IX
Vëlla, Orët e Zemrave të mërguarve.
Dita ditës, dalë ngadalë po tkurren prej largësive,
Po marrin të ftohur, po rrudhen, fishken prej lëmsheve kozmikë
Dhe prej vrapit të pandalshëm të viteve.
Qielli i parë që është diku matanë
Po i humbet forca magnetike.
Nuk ka kohë dhe dëshirë tu kushtohet të ikurve,
Rend pas mendimeve shkencore dhe problemeve të mëdha,
Si të qëndrojë në këmbë një vezë pate.
X
Vëlla, kometa flakëruese e ardhur nga larg, qëlloi si shigjetë
Mushkërinë e sëmurë të botës.
U drodh kozmosi prej klithmave dhe rënkimeve.
Ditët e mugëta shkrofëtijnë, mezi mbushen me frymë.
Plagët lëpijnë si kafshë prehistorike.
Në litarët e gjakut e të djersës ngjiten xhuxhmaxhuxhë.
Nuk shpërndajnë më lodra për fëmijë,
Por kakaroçë.
XI
Vesa mëngjesore nuk ka më reflekse
Ku të lindë një puthje virgjërie.
Është bërë bronztë.
Nëpër katakombet e nëndheshme bëhet kacafytje,
Janë shtuar gjarpërinjtë dhe minjtë.
XII
Pyjet e lashta flakën tutje me nënvleftësim kostumin e blertë.
Gjelbërimi është tashmë i dalë mode.
Prej dritave fosforeshente.
Degët pikojnë lëng limoni, portokalli dhe reze kançeroze.
XIII
U marros Ylli i mëngjesit pas vajzës koketë së Arushës,
Në çantën e shpinës ngjyrë portokalli, gjithë ngutje,
Vendosi në të linjtat e reja, iniciale, shpata, tehe, germa kineze
Dhe kozmetikën më të fundit plastike.
Dragonjtë kartonë aziatikë zgërdhihen prapa perdes.
Marrëzitë dhe dashuritë bajate janë pjesë e lojës…
XIV
U lodh hëna së kurdisuri me çelësin e vjetër fate, ngjarje
Dhe lindjen e mesme,
Është në grevën ekonomike të urisë,
Këmbëngul me kokëfortësi, s’do të dëgjojë të kurdisë orët e reja të zemrave,
Me lakuriqësi të zbehtë shket në errësirë.
Në heshtje Yjet kovaçë po farkëtojnë një hënë të re.
XV
Vëlla, Ditari i viteve të prapme,
Nisi të shkruhet prej një dore skelektike,
jo me pendë pate por me kërcell gjethe vjeshte.
Gjithashtu gdhendet me gishtërinj dëbore
Dhe u falet si lëmoshë të verbërve dhe të paditurve.
Orët zemra e të mërguarve.
Trokëllijnë pa ndërprerje
Me tik- take të malluara
Si tim- tamet në mes të zjarrit të indianëve.
Në gjoksin e qiellit të dytë,
Dielli me përtaci fshin sytë
Vesh benevrekët e irnosura dhe shkon të flejë…

XVI
Vëlla, shallet, fustanet e çngjyrosura të nënave
Nuk janë më krahë të rrëgjuara ndërmjetëse,
Shtigje shprese, malli, përdëllim e dritë.
Statuja të palëvizura heshtjeje,
Të vetmet nyje lidhëse midis dy qiejve.
Në pritje të një fjale dhe të një përshëndetjeje…
Frymët e ngrohta u ftohen prej erërave të rrugëve,
u bënë akull si dhe vizionet e papara të ëndrrave.
Por kandilat e zemër plagosurat Nëna po shuhen një nga një.
Po ashtu priten litarët e urave lidhëse…
XVII
O Zot vëlla, ka shumë erë, sa shumë!
Përplasen dyer dhe dritare.
Rrapet e vjetra po shemben përdhe.
Nuk kanë kohë nënat e gjora të lënë ndonjë shenjë të lotuar lamtumire.
Qielli është i rëndë dhe atyre u lanë mpirë gishtërinjtë, s’mund të shkruajnë.

Filed Under: Featured Tagged With: "ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE", KRISTAQ TURTULLI SJELL, ne sofren e Diellit

TË PËRNDJEKURIT E MESDHEUT

November 23, 2014 by dgreca

E kishte kete edhe dr. Anna Kohen: …A mund të ngrihej një monument ,përmendore në brigje, pranë humbëtirës së madhe ujore të Gjrit të Vlorës ,për të përndjekurit e Mesdheut,për hebrenjtë e ikur nga Spanja në valën e përndjekjeve të vitit 1492,ku nën vrazhdësinë e kohës ishte kërkuar ikja e madhe e përgjithmonë. Nga versioni historik mësohet se :ata kishin lënë brigjet me pikëllimin,që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën ku gjendej Gjiri i Vlorës?/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Me skulptorin vlonjat Zeqir Alizoti,bir i Çamërisë trime, kthjelluam një ide,dikur e ka cekur Dr. Ana Kohen. A mund të ngrihej një monument ,përmendore në brigje, pranë humbëtirës së madhe ujore të Gjrit të Vlorës ,për të përndjekurit e Mesdheut,për hebrenjtë e ikur nga Spanja në valën e përndjekjeve të vitit 1492,ku nën vrazhdësinë e kohës ishte kërkuar ikja e madhe e përgjithmonë. Nga versioni historik mësohet se :ata kishin lënë brigjet me pikëllimin,që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën ku gjendej Gjiri i Vlorës? Qyteti jetonte me shpirtin tek deti Dhe lajmet që mërinin për të ardhurit. Turmat e mëdha zbarkonin ne Treport,atje më tej 8 km ku qyteti nuk ndjente gjumë. Sytë e të ardhurve,rridhnin lot të patharë. Dhe sa më lart,sa më i fuqishëm bëhej përgjërimi i të ardhurit si kurrë ndonjëherë në këtë gji detar ,aq më tepër vala eksodistëve trefishohej. Ishte e vetmja shpresë,Gjiri i Vlorës,vendmbritja e hebrenjëve ishte skela e Treportit, një ndër qytetet me port të madh në shekullin e IV pr. Kr. Duke u torturuar nga dhimbja pa pasur kujt tija rrëfenin veç vetes fatkeqësinë e tyre,ata nuk mund të duronin dot dëshirën,që kishin për të derdhur lot. A mbritën të gjithë ata, që ikën nga përndjekja?Kësaj pyetja i përgjigjen hulumtuesit e huaj që thonë:Numri i atyre që u përzunë nga Spanja në këtë mënyrë është vlerësuar në mënyra të ndryshme nga ana e vëzhguesve të ndryshme dhe historianët . Juan de Mariana , në historinë e tij të Spanjës , pohon deri në 800.000 . Isidor Loeb , në një studim të veçantë të subjektit në Revue des Etudes Juives, zvogëlon numrin e vërtetë të emigrantëve në 165,000 . Bernáldez jep detajet e rreth 100.000 të cilët shkuan nga Spanja në Portugali : 3,000 nga Benevente në Braganza , 30,000 nga Zamora në Miranda , 35,000 nga Ciudad Rodrigo në Villar , 15,000 nga Miranda de Alcántara në Marbao dhe 10,000 nga Badajoz në Yelves . Sipas të njëjtit vëzhgues , ka pasur krejt 160.000 hebrenj në Aragoni dhe Castile . Abrahami Zacuto llogarit ata, që shkuan në Portugali me 120.000 . Lindo pohon se 1,500 familjet e Moriscos hebrenj nga mbretërinë e Granadës ishin të parët që largohen nga vendi . Ajo që mund të jetë me interes për të dhënë vlerësimet e mëposhtme të Loeb -të ,e numrit të atyre që kanë qenë në Spanjë para dëbimit dhe e atyre që emigruan në pjesë të ndryshme të botës :
Algjeria 10.000
Amerika 5,000
Egjipt dhe Tripoli 2,000
France 3000
Holandë, Angli , Skandinavi dhe Hamburg 25,000
Itali 9,000
Marok 20,000
Turqi 90,000
Në vende të tjera 1,000_
_______
Gjithsej emigruar -165,000
pagëzuar 50.000
Vdiqën rrugës 20,000
________
Gjithsej në Spanjë në vitin 1492 -235,000
Kështu ëndrra për një truall të ri, perëndimin e shpresës,mbeti dhimbje,mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim. Për ata,që si varr u mbeti deti,streha e fundme e tyre vendi ku ish ngjizur dhimbja , gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund. Kështu,kujtimet e dhjetëra të përndjekurve,që i mori deti,vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Një lutje prano ti udhëtar i detrave ,aty hidh një lule,se për të mëritur këtu në vendin tënd,ata rrugët i shtruan me gjak.
—–
Z.Alizoti ,ka ngritur edhe një përmendore për çamët si dhe mikpritjen që u dha populli i Dukatit,të ikurve nga vatra amtare. Skulptori vlonjat ka një sërë eksperienca të tjera në fushën e arti figurative. Dhe duke qartësuar këtë ide kujtuam se diku në Afrikë,shteti aktualisht mbanë emrin Benine ishte porti,vendi që merrte e transportonte zezak në Europë ,ishte ngritur një përmendore për skllevërit e mjerë.
2-Një prej emërtimeve të hebrenjve gjendet qysh nga mesjeta emrin Jeriko,kështu thirrej Oriku në mesjetë një qytet tjetër që ka lidhje me Gjirin e Vlorës. Dr M.Zeqo , Në Gjirin e Vlorës shkruan ai, është qyteti arkeologjik i Orikumit themeluar sipas mitit nga princër eubeas pas rënies së Trojës..më e pabesueshme është se në kohën mesjetare të kryqëzatave,Orikumi quhet me emrin e qytetit biblik Jerikos( muret e këtij qyteti i rrëzuan me tingujt e burive).
Këto të dhëna i lidhim duke synuar të dalim tek pyetja:Mos vallë të ikurit e vitit 1942, që erdhën në brigjet e Gjirit të Vlorës ,ri-themeluan Orikun duke e pagëzuar me emrin Jeriko?

3.Idea e Dr.Ana Kohen.
…Mu në bregun e qytetit Plymouth të shtetit Masaçusets është një shkëmb apo gur me përmasa mesatare, i cili ruhet dhe mbrohet nga shteti. Parku Shtetëror Historik i “Gurit të Plimuthit” përkujton zbarkimin më 1620-ën të pelegrinëve apo të emigrantëve të parë në brigjet lindore të Atlantikut në Amerikën Veriore. Çdo vit ai vizitohet nga mbi një milion turistë nga e gjithë bota. Mijëra kilometra më në perëndim, në anën tjetër të Atlantikut, shtrihet Kepi i Triportit në Vlorë. Pikërisht aty, më 1492-shin zbarkuan qindra hebrenj sefardikë që ishin larguar nga Spanja për t’i shpëtuar përndjekjeve të inkuizicionit. Ata u ngulën në Vlorë dhe rindërtuan jetën e tyre, duke u mbështetur në mikpritjen, mbrojtjen dhe harmoninë e popullit vlonjatë. Breza të tërë izraelitësh sefardikë jetuan për disa shekuj në Vlorë, deri sa u shpërngulën drejt Beratit dhe viseve të tjera të Arbërisë, kur Vlora u pushtua nga Venediku.
Cfarë do të mund të përmbante monumenti?
Dr.Ana Kohen citon:Për vlerat e mëdha dhe të njësishme të tij, Kepi i Triportit, duhet të kthehet në një Park Historik [Kombëtar ose ndërkombëtar] për nderimin e të përndjekurve në Mesdhe. Për mendimin tonë, organet e pushtetit vendor në Vlorë të fillojnë menjëherë procedurat përkatëse dhe t’ia paraqesin propozimin në fjalë Ministrisë së Kulturës dhe shpresojmë që kjo nismë të mbështetet pa rezervë edhe nga deputetët e Vlorës, pavarësisht se kujt partie i përkasin.
Ne këtu po punojmë me qeverinë amerikane që, për rastin e Triportit të zbatohet edhe Marrëveshja Dypalëshe për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Do të ishte mirë sikur në hyrje të Parkut Historik të Triportit të gdhendeshin fjalët e zonjës Irene Grünbaum, gruas me prejardhje hebrenje, të cilën shqiptarët e strehuan dhe i shpëtuan jetën gjatë pushtimit fashist e nazist të vendit.

4.Histori e thënë germë për germë,por shkurtazi.
Hebrenjtë spanjisht, dikur përbënin një nga më të mëdhatë dhe më të begatë të komuniteteve hebraike, nën sundimin mysliman dhe të krishterë , para se së bashku me myslimanët rezidentë , ishin të detyruar për të kthyer në katolicizëm , të përjashtohen , ose të vriten kur Spanja u bë e bashkuar nën monarkinë e mbretit Ferdinand dhe Isabella në vitin 1492 .

Rreth 13,000 deri në 40,000 hebrenj që jetojnë në Spanjë sot ( çifutët Sefardikë , edhe pse shifra në mbarë botën është jashtëzakonisht e vështirë për të arritur në mënyrë specifike për hebrenjtë, që vijnë nga vende ku ka pasur një dekurajim monetare dhe sociale për të pasur një sfond çifut dhe për arsye të ndryshme të tjera. Numri i hebrenjve të prejardhjes sefardikë në Izrael ishte vënë pak më shumë se 60% të popullsisë të përgjithshme izraelite hebrenj dhe jo- hebrenj më 1990 .
—–
Kur Henry de Trastámara hipi në fron i njohur si: Henry II ka filluar për judenjtë, kastilian një epokë e vuajtjes dhe intolerancës ,duke kulminuar në dëbimin e tyre .Kleri,fuqia e të cilit u bë më e madhe nën sundimin e vëllavrasjes,nxitën paragjykimet anti – hebraike të masave në pohimin plot zhurmë në Cortés e Toro. Ajo u kërkoi, që Judejtë të mbahen larg nga pallatet e mëdhenj, nuk duhet të lejohet të mbajnë poste publik , duhet të jetojnë larg nga të krishterët , nuk duhet të veshin rroba të kushtueshme, as të hipin mbi mushka ,duhet të veshin simbol , dhe nuk duhet të lejohen të mbajnë emrat e krishterë ….
Në Cortés e Soria ( 1380 ) ishte miratuar, që rabinët , apo shefat e aljamas , duhet të ndalohen, në dënimin e një gjobë prej 6,000 maravedís , të shkaktojë mbi hebrenjtë dënimet e vdekjes , gjymtimi,dëbimit, apo shkishërim, por në procedurat civile ata ishin ende të lejuar për të zgjedhur gjyqtarët e tyre .Çifutët nuk guxonin të tregojnë veten e tyre në publik pa simbol , dhe si pasojë e urrejtjes gjithnjë në rritje ndaj tyre se ata ishin më të pasigurt për jetën, ata u sulmuan dhe u plaçkitën u vranë në rrugë publike . Gjoni ishte i detyruar ( 1385 ) të nxjerrë një urdhër që ndalonte punësimin e hebrenjve si agjentë financiare ose tatimore – fermerë të mbretit , mbretëreshës , Infantes , apo të mëdhenjtë . Për këtë u shtua rezoluta e miratuar nga Këshilli i Palencia që ka urdhëruar ndarjen e plotë të hebrenjve dhe të krishterëve dhe ndalimin e çdo shoqate mes tyre .” Ekzekutimi i Joseph Pichon dhe fjalimet nxitëse e predikimet e dorëzuar në Sevilje nga Archdeacon Ferrand Martinez , ka ngritur urrejtjen e popullatës në fushën më të lartë . I Pafuqishëm Mbreti, pavarësisht nga përpjekjet e mjekut të tij Moisiu ibn Z.arz.al ti zgjasin jetën, vdiq në Alcala de Henares më 9 tetor 1390 , dhe u pasua nga djali i tij njëmbëdhjetë vjeçar. Këshilli – regjent i caktuar nga mbreti në testamentin e tij, e përbërë prej prelate , të mëdhenjtë , dhe gjashtë qytetarëve nga Burgos,Toledo,Leon,Sevilje,Kordova dhe Murcia, ishte e pafuqishme ,çdo gjurmë të respektimit të ligjit dhe drejtësisë ishte zhdukur nga Ferrand Martinez. Paralajmërime të shumta,për të nxitur publikun kundër hebrenjve dhe për të inkurajuar për aktet e dhunës që në fillim të janarit 1391, judenjtë e shquar që ishin mbledhur në Madrid morën informacion për trazira dhe se ishin të kërcënuar në Sevilje dhe Kordova. Një revoltë shpërtheu në Seville në 1391. Juan Alfonso de Guzman , dhe qeveritar i qytetit , dhe vëllai i tij kryetar bashkie ” Aalto Perez de Guzman , kishte urdhëruar , në Ash Ëednesday , 15 Mars, arrestimin dhe fshikullim publik të dy nga udhëheqësve.Ferrand Martinez ka vazhduar i papenguar ankesat e tij inflamatore në turmë për të vrarë hebrenjtë apo ti pagëzoj ata .Më 6 qershor turma u sulmua Juderia në Sevilje nga të gjitha anët dhe vrau 4.000 judenjë . Pjesa tjetër dorëzohet në pagëzim si mjeti i vetëm për ti shpëtuar vdekjes .” Në këtë kohë, në Sevilje është thënë se përmbante 7,000 familje hebreje. Nga tre sinagoga të mëdha ekzistuese në qytet,dy janë shndërruar në kisha.Në të gjitha qytetet e në të gjithë kryepeshkopatat, si në Alcala de Guadeira,Ecija,Cazalla dhe në Fregenal, judenjtë u grabitën dhe u vranë në Kordova,kjo thertore u përsërit në një mënyrë të tmerrshme,gjithë juderia është djegur , fabrikat – shtëpi janë shkatërruar nga flakët .Para se autoritetet do të mund të vijnë në ndihmë të njerëzve të pambrojtur, çdo një prej tyre – fëmijët,gratë e reja,pleq – ishin vrarë pa mëshirë ,2,000 kufoma në grumbuj në rrugë , në shtëpi dhe në sinagoga ishin mbytur “.
” Nga Kordova, fryma e përhapjes së vrasjeve në Jaén .Një thertore e tmerrshme u zhvillua në Toledo më 20 qershor. Në mesin e dëshmorëve shumë ishin bijtë të rabinëve të famshme toledane.Shumica e komuniteteve kastilianisht vuajtën nga persekutimi , .. më 9 korrik, një shpërthim ka ndodhur në Valencia më shumë se 200 persona janë vrarë dhe shumica e hebrenjve të atij qyteti u pagëzuan nga frati Vicente Ferrer , në 2gusht vala e vrasjes ka vizituar Palma , në Majorca , 300 hebrenj u vranë dhe 800 gjetën strehim në fortesë , nga të cilat me lejën e guvernatorit të ishullit dhe nën mbulesën e natës , lundruan për në Afrikën e Veriut , shumë u dorëzuan për t’u pagëzuar, tre ditë më vonë,të shtunën, më 5 gusht , një protestë filloi në Barcelonë në ditën e parë, 100 hebrenj ishin vrarë , ndërsa disa qindar të tjerë gjetën strehim në qytetin e fortifikuar, të nesërmen turma pushtoi juderinë dhe e ktheu në gërmadhë . Më 8 gusht në kala u sulmuan , më shumë se 300 hebrenj dhe u vranë . Trazira shpërthyen në Barcelonë deri më 10 gusht dhe shumë çifutët ( edhe pse jo 11.000 siç pretendohet nga disa autoritete ) u pagëzuan .Në ditën e fundit – filloi sulmi mbi Juderinë në Girona , disa Judenj u grabitën dhe u vranë. ” Qyteti i fundit që vizitoi vdekja ishte Lerida (13 Gusht). Çifutët e këtij qyteti më kot kërkuan mbrojtje në Alcazar, 75 prej tyre u vranë , të tjerët u pagëzuan.”Viti 1391. Forma të një pikë-kthese në historinë e çifutëve spanjollë . Persekutimi ishte paraardhës i menjëhershëm i inkuizicionit , nëntëdhjetë vjet më vonë , u prezantua si një mjet për të shikuar çifutët të konvertohen .Numri i atyre që kishin përqafuar krishterimin, për t’i shpëtuar vdekjes , ishte shumë e madhe . Cifutët e Baena,Montoro,Baeza,Ubeda,Andujar,Talavera , Maqueda,Huete, dhe Molina dhe sidomos Saragoza,Barbastro, Calatayud , Huesca , dhe Manresa , ishin paraqitur për t’u pagëzuar në mesin e atyre të pagëzuarve disa burra dhe dijetarë .” Pas ekseseve të përgjakshme të vitit 1391 urrejtja popullore karshi hebrenjve ka vazhduar pa u pakësuar .Shumica e hebrenjve nga Valencia , Katalonja dhe Aragon shtyhej për Afrikën e Veriut ,veçanërisht Algjeri .
Këto vlerësime ndoshta mund të konsiderohet si një minimum , por është mjaft e mundshme që të paktën 200,000 u larguan nga vendi , duke lënë pas tyre të vdekur dhe një numër i madh i të afërmëve të cilët ishin të detyruar nga rrethanat për të fshehur fenë e tyre dhe për të miratuar krishterimin .Rreth 12,000 duket se kanë hyrë në Navarre, ku ata ishin të lejuar të mbeten . Tudela në Navarre kthehet në një strehë . Në Tudelans kishte shpallur tashmë në vitin 1486 se: ” Nëse ndonjë hetues hyn qytetin e tyre ,ai do të hidhet në lumin Ebro “.
Nën presionin e mbretërve të Spanjës, të Navarrese hebrenjtë që nuk konvertohen në katolik u dëbuan nga mbretëria në 1498 . Dëbimi duket se ka prodhuar një krizë dhe varkat e mbushura me hebrenjë . Portet e Kartagjenës , Valencias dhe Barcelonës janë siguruar nga Ferdinandi me anije për të marrë të arratisurit, por judenjtë shpesh kanë gjetur vështirësi në ulje , për shkak të sëmundjeve,moshës së thyer . Pjesa tjetër u kthye në Spanjë dhe u pagëzuan . Nëntë anije të mbushur me njerëz erdhën në Napoli. Në Genoa ata ishin të lejuar vetëm me kusht që të marrin pagëzimin . Hebrenjtë që shkuan në tokat nën sundimin Perandorisë Osmane u vendosën kryesisht në ( Selanik) dhe deri në një masë në Stamboll dhe Izmir .

Filed Under: Featured Tagged With: E MESDHEUT, Gezim Llojdia, te perndjekurit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 674
  • 675
  • 676
  • 677
  • 678
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT