NEW JERSEY : Sami Alliu, vdiq të shtunën, më 19 prill 2014 në shtëpi në moshën 79 vjeçare, duke lënë pas vetes gruan e tij Gjyle Alliu e cila ishte një shoqe e pandarë e jetës së tij, duke qenë dhe një nanë e mirë dhe shembullore që rriti dhe fëmijë të mirë dhe shembullorë: bijtë Vilson Alliu dhe Albert Alliu e bija Geraldine Alliu , dhe mbesën e nipin Alvina dhe Alfonse Alliu.
Samiu, vdiq dhe la me “kokën me një anë” dhe me “zemër të thyer”, vëllain dhe shokun e jetës, atë që nuk iu nda atij gjatë gjithë jetës – Basri Alliun si dhe motrën e dashur Bukurie Aliu në Shqipëri, me të cilën do të shihej vetëm kur Shqipëria, do të “çlirohej” nga sundimi i egër komunistë.
Por, ai la mbas vetes dhe të gjithë ata kushurinjë , ata nipa dhe mbesa, si në Shqipëri, apo Dibër të Madhe, Kosovë dhe Amerikë , La pasë vetes aq shumë miq dhe shok të cilët i bëri për vete duke fituar dashurinë dhe respektin e tyre, nga që ishte vet i dashur, gojë ëmbël, i urtë dhe i respektueshem.
Ai besonte shumë tek, familja e tij – kombi i tij dhe feja e tij të cilave ua kushtojë edhe gjithë jetën duke ua lënë trashëgim edhe fëmijve të tij nipave edhe mbesave që të jenë krenar dhe të mburren me punën, kontributin e tij dhe miqt e shokët e tij të jetës për atë që ka bërë ai dhe vëllai i tij duke i lënë pas kësaj familje me tradita të thella kombëtare, patriot dhe demokrat të flakët.
Sami Alliu, Lindi më 10 tetor 1934 në Strikqan, Shqipëri një fshat kufitar ky që ndante jo vetëm vijën kufitare por edhe ndau për 50 vjet edhe zemrat e këtyre njerëzve të këtyre anëve duke coptuar ato dhe mbushur me “lumin” e lotëve dhe të mallit për njeri tjetrin
Ai së bashku me Basriun dhe disa anëtarë të familjes së tij – duke vënë veten në rrezik për jetën arratiset për në ish Jugosllavinë e athershme – duke dalë për në botën e lirë në fillim në Maqedoni dhe më pasë në kampet e refugjatëve në Itali dhe më pas aty ky ëndrronte ne vendin ku ëndrrat e emigrantëve bëhen realitet – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1963 dhe punojë dhe u shkollua këtu duke qënë edhe një biznesmen i suksesshëm. Samiu ngaqë e donte shumë vendlindjen e tij – kurr nuk ka dashur që ai dhe familja e tij të “adaptoheshin” me jetën e migrimit.
Ngaqë kurr nuk e kishte menduar se një ditë ai rregjim do të binte dhe rrugët do të hapeshin
Mbasi si tregojnë tani të gjithë bashkëluftëtarët e tij , të gjithë ju që jeni mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ai ka pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e tij familjen e tij për Shqipërinë dhe për Kosovën.
Samiu për vitet kur Shqipëria ishte e izoluar dhe e sunduar egërsisht nga diktatura e Enver Hoxhës, dhe Kosova e sunduar nga rregjimi sllavo komunist ashtu si Dibra e tij ai ishte në ballë të përpjekjeve së bashku me patritotët dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, për një Kosovë të pavarur dhe një çështje shqiptare të zgjidhur , pra për një Shqipëri Etnike
Duke “luftuar” me sakrifica të mëdha së bashku me patriotët e atdhetarët e tjerë në SHBA-ës, për çlirimin e Kosovës, lirinë e pavarsinë e saj, për të drejtat e shqiptarve në Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Maqedoni, Mal të Zi, dhe Çamëri, ai së bashku me emigrantë e tjerë shqiptarë në Amerikë, luftuan gjatë gjithë jetës “Për flamurin kuqezi – me shqiponjën dy krenare, pa yllin e verdhë të komunizmit” mbi krye që ia kishte zënë “frymën”
Ai luftoi pa pushim për çdo çështje Kombëtare Shqiptare dhe iu kushtua besnikërisht deri në vdekje Mbretit të Shqiptarëve. Rrëzimi i komunizmit, në Shqipëri, e gëzoi dhe e entuziasmoi shumë, ai me një grup patriotësh, ishin nga ata që u ulën të parët në tokën e atdheut.
Ishte i pandarë dhe shok e mik me Fuad, Myftinë, Rasim Sinën, Zeqir Obokun, Hysen Mulosmani, Musli Mulosmani, Abedin Mulosmani, Enver Shaskan, Guri Durollari, Nderim Kupi, Nazmi Dertin, Abaz Litën, Familjen Koçi, Kaloshi, Ndreu, e të tjerë e të tjerë.
Rënja e komunizmit në Shqipëri, hapja e kufirit shqiptar dhe takimi i tij me motrën dhe nipat e mbesat e tij në Shqipëri, çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës, kan qënë një nga gëzimet më të mëdha të jetës së tij.
Sami Alliu do të kujtohet gjatë tek shqiptarët e Amerikës, si një familjar i mirë, një prindë i dashur, si një figurë patriot, i cili u ndihmoi shumë shqiptarëve që emigronin në SHBA.
Ai i ndihmoi ata për të u integruar sa më shpejtë, për t’u gjetur ato punët e tyre të para dhe për shumë më tepër për dokumentat e emigracionit dhe i strehoi ndonjerin prej tyre.
Deri në ditën e tij të vdekjes, Samiu ka qenë si një fener për familjen e tij, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën.
Samiun për 30 vjet nuk do t’a harrojnë edhe banorët e Monroes, të gjithë ata që u miqësuan me atë në Restorantin e tij të famëshm – ku ai ishte një partner i pensionuar i Marinas Restorant dhe Pizza në Harriman, të New Yorkut. /B.Sina/
PAPA GJON PALI II DO TË SHPALLET SHENJT ME 27 PRILL
Të djelën e ardhshme, më 27 prill, Papa Françesku do t’u japë statusin e shenjtorit dy prej paraardhësve që ai ka dashur më shumë: Gjon Palit të Dytë dhe Gjonit të 23. Vemendja kryesore e botës do të përqëndrohet te Papa Gjon Pali, megjithëse edhe Gjoni i 23-të nuk ka qenë më pak revolucionar.
Papa Gjon Pali II realizoi një papat të pazakontë që zgjati gati 27 vjet. Ai ishte papa më i shëtitur në histori. Udhëtimet e tij, të mbledhura bashkë, kapin një distancë të barabartë me 31 rrotullime rreth globit. Ai vizitoi 129 vende, emëroi më shumë shenjtorë se gjithë paraardhësit e tij të marrë së bashku dhe përshëndeti rreth 17 milionë besimtarë në Vatikan.
Lëvizjet e Papës u kufizuan nga parkinsoni dhe sëmundje të tjera, por më në fund ishte gripi që i mori atij jetën.
Miliona morën pjesë në lamtumirën e njeriut që i kishte mbijetuar pushtimit nazist dhe kishte dënuar komunizmin. Para se arkivoli i tij prej qiparisi të varrosej në bazilikën e Shën Pjetrit, njerëzit ngritën pankarta ku lexohej: Të shenjtërohet menjëherë.
Vatikani ra dakord me votën popullore dhe procesi i shenjtërimit të Papa Gjon Palit ishte më i shpejti në historinë moderne. Pasardhësi i tij, Papa Benedikti, vendosi ta kapërcejë rregullin e Kishës që normalisht kërkon një periudhë pritjeje pesë-vjeçare para se të fillojnë procedurat e para.
Procesi filloi menjëherë pas vdekjes së Gjon Palit. Sipas rregullave të Vatikanit, për shpalljen e një shenjti kërkohen dy mrekulli që t’i atribuohen atij. Mrekullia e parë ishte shërimi i një murgeshe franceze që vuante nga Parkinsoni.
Më 19 dhjetor 2009 Papa Gjon Pali II u shpall “I Nderuar” nga Papa Benedikti, dhe kjo hapi rrugën për lumturimin tij, në maj 2011.
Para ceremonisë, arkivoli i Papës Gjon Pali II u nxorr nga varri nën bazilikën e Shën Pjetrit dhe u vendos para altarit kryesor. Bazilika qëndroi e hapur ditë e natë për të lejuar pelegrinët t’i bënin nderimet e rastit.
E gjithë Roma u përfshi nga ethet e lumturimit dhe ceremonitë u kryesuan nga Papa Benedikti.
Një vend nderi ishte rezervuar për motrën Marie Simon – Pierre Normand, shërimi i pashpjegueshëm i së cilës ishte mrekullia e parë që iu atribua Gjon Palit.
Një mrekulli e dytë u miratua më 2 korrik, 2013 dhe u konfirmua nga Papa Françesku dy ditë më vonë.
Mrekullia e dytë që i atribuohet ndërhyrjes së Gjon Palit është kurimi i pashpjegueshëm i një gruaje nga Kosta Rika.
Ceremonia e kanonizimit për Gjon Palin e II dhe Gjonin e XXIII do të zhvillohet më 27 prill dhe Roma është duke u përgatitur për një vërshim tjetër të qindra e mijëra, në mos miliona pelegrinëve.
Bashkëkombësit e mi të vonuar
Që serbët mund të ulën këmbëkryq në Tiranë apo në Durrës, punë e madhe, Shqipëria është vend i hapur e demokratik, mund t’i bie kush të do trup e tërthore, s’ më bënë asnjë përshtypje. Por që serbët janë ulur këmbëkryq në trurin e bashkëkombësve të mi e s’u shqiten, as pas dyzetë e pesë vjetësh diktaturë e njëzetë vjet demokraci, kjo është brengosëse./
Nga Gani MEHMETAJ/
Kohë më parë u bë rrëmujë në medie, kur bashkëkombësit e mi përtej Alpeve ftuan këngëtarin serb në Tiranë. Nuk është hera e parë që serbët e pushtojnë kryeqytetin e Shqipërisë. Por kësaj here nuk ia dhuruan çelësin e kryeqytetit mysafirit nga Beogradi, nuk e kishte kthyer ende serbi i mëparshëm që e mori para disa vjetësh nga Edi Rama.
Nuk me brengos paraqitja e një këngëtari serb në Tiranë, nuk më brengos as përgjërimi i bashkëkombësve të mi ndaj këtij këngëtari e serbëve në përgjithësi, sa më brengos vonesa e tyre dyzetvjeçare dhe mos gatishmëria të ecin para. Vendnumërimi është gjë e frikshme.
Ata nuk e duan Çoliqin, Bregoviçin e viçet e tjerë, vetëm sepse janë serbë, ata i duan sepse ua kujtojnë kohën e egër të izolimit total, kohën kur të vetmin model e kishin televizionin jugosllav dhe ndonjë këngëtar serb. Ata as që donin të mendonin se ka parajsë tjetër pos Jugosllavisë e kryeqytet pos Beogradit! Kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e pati edhe diktatori Enver Hoxha. Këtë qëndrim prej skllavi të robëruar në mendje ua barti edhe një pjese të shtetasve të vet, madje edhe atyre që e urrenin diktatorin.
“Ata na adhurojnë, nuk janë sikurse ju shqiptarët e Kosovës, që na urreni”, me thoshte një producent filmi nga Beogradi në Paris gjatë një takimi profesional. Ai ishte i entuziazmuar nga pritja që iu bë Bregoviçit në Tiranë, madje entuziazmi i tij kalonte në habi. “Si është e mundur të mos na urrejnë, nuk e kuptoj” ma shtroi jo një herë mëdyshjen e pasqaruar. Nuk i ktheva përgjigje, qesha thartë, sepse nuk kisha përgjigje.
Nga ky kompleks kukuvajke shtresa të caktuara të bashkëkombësve të mi nuk po lirohen as sot e kësaj dite, megjithëse serbët e Serbia asnjëherë nuk mund të merreshin model i jetesës së mirë as demokracisë shembullore. Përkundrazi.
Izolimi shqiptar i takon së kaluarës, por bashkëkombësit e bashkëmoshatarët e mi në Tiranë (shpresoj të rinjtë nuk e kanë këtë adhurim patologjik ndaj serbëve) edhe më tutje nuk duan të ecin përtej viteve të shtatëdhjetë, nuk duan të mësojnë se pos këngëtarëve “jugosllavë” në botën e madhe ka edhe këngëtarë të tjerë: italianë, francezë, gjermanë, besa amerikanë e anglezë që e kanë pushtuar botën me muzikën e tyre të rrjedhave bashkëkohore.
Në Prishtinë ka kohë që i kemi zëvendësuar këngëtarët serbë me këngëtarë amerikanë e anglezë. Fushat e futbollit në kryeqytet gjatë mbajtjes së koncerteve të tilla mbushën përplot të rinj që vallëzojnë nën tinguj e muzikës perëndimore. Por për këtë zëvendësim fatlum u derdh shumë gjak në Kosovë e kaluam nëpër Kalvarin biblik.
Prandaj nuk me shqetësoi as reagimi i një grupi lexuesish nëpër portalet shqiptare (mund të jenë të porositur nga dreqi e i biri), të cilët flisnin me përgjërim prej skllavi për këngëtarin “jugosllav”, sikurse e quajnë Çoliqin ( a e dinë ata se Jugosllavia ka vdekur para më shumë se dy dhjetëvjetësheve), ndërsa në të njëjtën kohë, në të njëjtin portal shkruanin me tërbim e me urrejtje ndaj bashkëkombësve të tyre ‘kosovarë”, sepse po ua prishin idilin me serbin e dashur.
Nga Pandi Laço kërkoja njerëzi e jo patriotizëm
Me shqetësoi Pandi Laço, paraqitjen e të cilit në ekran e kam çmuar- në shije, në informacionin për muzikën dhe për dhuntitë e tjera me të cilat rrezatonte. Ai me zhgënjeu, sepse nisa të dyshoj në shijen time, pra edhe në shijen e tij muzikore. Ku e zgjodhi pikërisht atë këngëtar e jo një tjetër, meqë paskan vendosur ta kenë patjetër një serb në televizion. Serbi i tij i preferuar asnjëherë nuk është çmuar nga elita muzikore në ish-Jugosllavi, shpesh herë është vënë në dyshim origjinaliteti i tij muzikor e vokal, sidomos i kanë shpërvjelur buzët elita intelektuale e muzikore serbe. Këngëtari i preferuar i Pandi Laços i takon vulgut, pra lumpen proletariatit, njerëzve të shijes bastarde. Athua edhe shija e Laços, është shije e vulgut, bastarde? Apo pati një zor tjetër?
Asnjëherë nuk e pata të çartë pse bashkëkombësit e mi në Tiranë ftojnë serbë e nuk ftojnë kroatë, bie fjala, ndërsa profesionalisht këngëtarët kroatë janë më të çmuar në rajon, po edhe në Evropën Perëndimore. Këngëtarët kroatë ishin solidarë me luftën në Kosovë dhe më pavarësinë tonë, këngëtarët serbë ishin solidarë më vrasësit e “kosovarëve”, madje Bregoviçi i dashur i kryeqytetasve shqiptar, i këndoi himn kallashit serb që vriste fëmijë shqiptarë. Sikur të kishte gjyq të Nynbergut, Bregoviqi i Edi Ramës do të gjykohej për krime lufte e nxitje të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Haga ishte vendi i tij e jo të këndonte në Tiranë.
Patriotizëm nga Pandi Laço e bashkëkombësit e mi përtej Alpeve nuk kam kërkuar asnjëherë, nuk kërkoj as tash. Patriotizmin në Shqipëri e luftoi mizorisht diktatura e Hoxhës, e luftoi mizorisht edhe demokracia nën kinse luftën kundër nacionalizmit, i zhveshi nga dinjiteti kombëtar shtresa të tëra, duke u dhënë hapësirë çakejve që t’ua fyejnë heronjtë kombëtar për t’u çel rrugë serbëve e beduinëve. Ndryshe ata do ta kuptonin se Serbia nuk qe mizore vetëm ndaj “kosovarëve’, por ndaj të gjithë shqiptarëve, nëse funksionojmë si komb. Në mungesë të patriotizmit, nga Pandi Laço me shokë kërkoja njerëzi, mbase edhe pak përpjekje të bashkëjetojnë me dhimbjen tonë të madhe. Mbi njëzetë mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, mbi 15 mijë gra të përdhunuara, shpërngulje në përmasa biblike. Të vrarët, të zhdukurit e të përdhunuarat nuk janë numra, të gjithë ata e ato kishin nënë e baba, apo ishin vet nënë e babë, motra e vëllezër, ishin pjesë e qenies sonë, pjesë e qenies së bashkëkombësve përtej Alpeve shqiptare, mbase edhe pjesë e qenies së Pandi Laços. Të vrarët ishin pjesë e qenies së njerëzimit. Të vrarët nuk i ngjallim dot, por pse duhet të na i lëndojnë plagët këngëtarët serb në Tiranë? Që të na largojmë më shumë nga njëri-tjetri? Që të dëshmoj dikush se jemi dy kombe e jo një? Që të thonë serbët se shqiptarët e Shqipërisë janë më të mirë se sa shqiptarët e Kosovës?
Ne ende po i mëkojmë plagët tona, po e kapërdijmë dhembjen tonë, Pandi Laço e te tjerët shkrihen nga kënaqësia me këngët e mysafirit nga Beogradi!
Kur shqiptarët harrojnë si peshku!
Kam pritur më shumë dinjitet njerëzor e integritet kombëtar nga bashkëkombësit e mi, pra edhe nga Pandi me shokë, sepse nuk ma merr mendja që e ftuan “jugosllavin’ e tyre, vetëm sepse janë të zhveshur nga shija e mirë, apo nga kultura muzikore, sa kam përshtypje të pakëndshme që me ka ndjekur tash njëzetë vjet: një hije e frikshme e lobit serb e errëson qiellin shqiptar. Asnjëherë nuk jam pajtuar botërisht me kolegun tim nga Prishtina, ithtar i teorive të konspiracionit se, serbët janë të fuqishëm në kryeqytetin shqiptar. Por asnjëherë nuk kisha argumente t’ia dëshmoja të kundërtën.
Që serbët mund të ulën këmbëkryq në Tiranë apo në Durrës, punë e madhe, Shqipëria është vend i hapur e demokratik, mund t’i bie kush të do trup e tërthore, s’ më bënë asnjë përshtypje. Por që serbët janë ulur këmbëkryq në trurin e bashkëkombësve të mi e s’u shqiten, as pas dyzetë e pesë vjetësh diktature e njëzetë vjet demokraci, kjo është brengosëse. Dhe kur “kosovarët” në situata të këtilla reagojnë me emocione, dalin ca internacionalistë proletar përtej Alpeve shqiptare, duke u hakërryer: ç’keni ju turkoshakë, erdoganistë, talibanistë, islamistë? Pse na e prishni idilin me serbë? Muzika e tyre është më e mira në botë. Plasni! Dhe gazeta e mikut tim në Tiranë i botoi këto reagime dhe ca hakërrime në stilin: rrofshin serbët, poshtë kosovarët! Këtë frymë komunikimi e kultivon edhe një televizion nga Tirana me filialin e Prishtinës, kur nxjerrë një opinionist “të gjithëdijshëm”, që mua më duket sharlatan i çmendur, kur thotë: “pse shqiptarët e Maqedonisë nuk i nënshtrohen pushtetit sllavë, por na nxjerrin andralla e s’mund të takohemi qetas me kolegët tonë në Shkup e në Beograd?”
Prandaj kanë nis sërish të na pushtojnë dervishët e beduinët këmbëzbathur dhe serbët e Shumadisë me gjysmë opinge, të prodhuar në ish qytetin bullgar, Pirot.
Së fundi, nuk dua të merrem as me psikologjinë e “kosovarëve” të mi, të cilët gjithë jetën kanë menduar e vepruar si krahinë shqiptare, pra pjesë përbërëse e Shqipërisë, kurse qendra e tyre e gjakuar, Tirana vepron si satelitë i fqinjëve. Por do ta them shembullin e këngëtarit, i cili bie ndesh me shembullin e Pandi Laços me shokë. Kur këngëtarin e famshëm kroat, Oliver Dragojeviq e ftuan të këndonte në Beograd, ai tha në mënyrë të prerë: ”Këmba ime kurrë nuk do të shkel në Serbi”. Ai tha edhe se nuk mund t’i harronte krimet serbe ndaj popullit të tij kroatë. Pandi Laço as që i shkoi nëpër mend krimet serbe ndaj popullit shqiptarë.
Ndërkaq, shqiptarët pësuan dhjetëfish më shumë nga Serbia që nga viti 1912, kur ky shtet mujshar depërtoi deri në Elbasan e Durrës, duke vrarë e masakruar mijëra shqiptarë edhe përtej Alpeve. Por një pjesë e shqiptarëve harrojnë si ta kishin në kokë trurin e peshkut në vend të trurit të njeriut.
P.S. Porosi lexuesve: ju lutëm mos me mbështetni duke fyer bashkëkombësit. Grupet e fuqishme pro serbe dhe individët me ndikim nuk përbëjnë kombin. Nuk duhet të bëjmë garë kush e hedh pështymën më larg.
Ra ky mort (Zdravko Çoliç-i) dhe u pamë!
-Është herët të na këndojnë qyqet në shtëpitë tona!/
Nga Fahri XHARRA/
Me u pa po shihemi shpesh , po shihemi ashtu si po e duam por edhe ashtu si nuk po na e ka ëndja. Nuk dij . Më shkroi një mik me plot të drejtë :”Ta duash atdheun nuk do të thot t´i urrejsh të tjerët ” Por… ” Kundërshtarët e historisë, kundërshtarët e gjuhës, ithtarët e kombit kosovar, nuk marrin parasysh pasojat e kësaj përçarje, por destruksionin e tyre e cilësojnë si akt patriotik. Për të ndërtuar një ndjesi kombëtare me vlera tërësore, të përbashkëta, një identitet kolektiv, nevojiten disa dekada, ose shekuj, për ta rrënuar, më pak se një dhjetëvjeçar. Çdo komb ka kodet e veta dhe një tërësi vlerash, që konsiderohen si të shenjta. Ato mund të rrahen nga të gjitha anët nga specialistë të fushave përkatëse: analizohen, bëhet debat, polemizojnë në mes vete derisa të kristalizohen mendimet në dobi të një etnie, që pastaj në trajta të ngurtësuara, na shfaqen në librat shkollorë.”( Lis Bukuroca ) …por ”shyqyr”që ra Zdravkoja dhe u pamë ashu si nuk e kisha dëshiruar e as mënduar. ” Vet fakti se marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se ne jemi të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. ”
Nuk di , por prap qëndroj në mëndimin që na duhet patjetër e sa më parë një qendër e vendosjes mbarëshqiptare ,pra një qendër e rëndesës gjithëkombëtare.
“Të nderuar miqtë e mi kosovarë.E kuptoj indinjatën tuaj për ftesën që i bëmë këngëtarit Zdravko Çoliç, ftesë e cila përkoi me eksodin e kosovarëve në Shqipëri 15 vjet më parë.
Ju siguroj se gjithçka ishte e pafajshme. (gazetatema.net/web/2014/04/16/sandri-leter-ndjese-kosovareve-per-zdravko-colic/)Ishte kjo një letër , një tallje, në shikim të parë e pafajshme por plotë sarkazëm , ironi dhe mospërfillje as kombëtare e as njerëzore . Ishte në stilin e zakonshëm e të tutorizuarëve , të cilët edhe frymë kur marrin duhet te janë të kujdesshëm se mos po e teprojnë.
Por , sidoqoftë ! Po shoh papjekuri kombëtare të cila po na habisin , na vejnë në dyshim, dhe padashtas ia bëjmë pyetjen vetit : A jam mirë ?
Deri sa :” Grupi “Druzhina” nga Odese e Ukrainës dërgon mesazhe kërcënuese për Kosovën.Ata thonë se nuk i harrojnë krimet e NATO-s kundër serbëve në Kosovë, dhe se për çdo ukrainas dhe rus kudo në botë, Kosova është tokë serbe, raporton Reporteri.
Anëtarët lëvizjes “Antimajdan”, grupi “Druzhina”, që po luftojnë në qytetin jugor të Ukrainës, përmes një video kanë dërguar një mesazh për popullin serb, duke thënë se serbët, rusët dhe ukrainasit, janë një popull, sllav ortodoks, raportojnë mediat serbe.
Forcave separatiste ruse në Ukrainë u janë bashkuar edhe shumë qytetarë nga Serbia. (Gazetaexpress ) “ , atëherë e shoh bukur si herët dhe hap të papjekur ardhjen e Çoliçit në Shqipëri ; nëse nuk është bër me qëllim të keq!
Mos pjekuria e sjellë edhe këtë reagim , i cili është lexuar me x herë: “KUSH JANE KOSOVARET QE KERKON FALJE TI MORE SANDRI…….????????????? PO KUJT I PLASI PER KOSOVARET MORE SE DUAN APO NUK E DUAN LEGJENDEN ZDRAVKO COLIC…????????????????????? KENGA JUGOSLAVE KA QENE ME KOHE E DESHIRUAR NE SHQIPERI DHE KENGETARET JUGOSLAVE JANE TE MIREPRITUR SA HERE NE SHQIPERI. Kosovaret TE SHIKOJNE PUNET E TYRE DHE TE MOS I FUTIN HUNDET SHUME KETEJ NGA SHQIPERIA..Kosovaret TE FTOJNE KENGETARE TURQ DHE ARABE NE KOSOVE SE NE NUK NA PLAS SHUME PRE TURKOSHAKET ISLAMIKE KOSOVARE: BRAVO PANDI LACO PER FTESEN QE I KE BERE LEGJENDES SE KENGES YUGOSLAVE ZDRAVKO COLIC: DHE BENI AKOMA FTESA TE TJERA QE TE VIJE LEPA BRENA DRAGANE MIRKOVIC INDIRA RADIC etj.
(Miro — 17 Prill, 2014 në 1:59 pm, Gazeta Tema).” E shifni sa largë që shkon puna , e pastaj habitemi pse na ndodhi! Fjala e qet fjalën dhe lindin kundërshtitë : ”Veç shqiptarët dalldisen, kalojnë në delirium e karikaturohen para pjesëtarit të një populli që i urrenë deri në asgjësim, siç bënë atë natë publiku (madje edhe burra pleq) para Coliqit. Dolën të kompleksuarit nga ndjenja e inferioritetit dhe shpërthyen e vunë në pah gjithë obsesionin dhe lakminë ndaj gjithçkaje që s’është si vetja e tyre, ndaj dikujt që i urren për çka janë. Rast i vecantë psikopatie kolektive e një popullate që nençmon vetveten. Kjo shihet edhe te emrat e huaj qesharakë që u vënë fëmijëve. Prandaj ishin te fundit që fituan lirinë, që bënë shtet dhe të parët që do ta humbasin identitetin.( Leter nga Kosova — 17 Prill, 2014 në 10:15 am .Po aty!)
E keqja është që pak ndëgjohet zëri rikujtues i mediumeve për të ligat nga Serbët . Të ligat historike , me pasoja po ashtu historike.
Nacionalizmi i një kombi shprehet ne dy mënyra; duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit të tij dhe mënyra e dytë duke u angazhuar në arritjen e qëllimeve për vetëqeverisje -Pavarësi. ( Gellner, E., 1983, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.) Në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës, çdo lëvizje për nacionalizëm është vetëm se ngritja e asaj ndjenje e cila me “kujdesin” e elementeve të caktuar lufton me të madhe për zbehjen e tij. Nëse nuk kemi nacionalizëm shqiptar e i cili po shihet me sy të keq nga vetë shqiptarët atëherë do të na mundin -izmat tjerë. Mu atëherë fillon katrahura kombëtare. (Fahri Xharra)
Të mos jesh nacionalist, “nuk merresh me këto probleme të vockla, por vetëm më çështje të mëdha. Çdo pushtues do ta kishte dëshiruar një elitë të tillë politike, si ajo shqiptare në Luginë, si ajo shqiptare në Maqedoni, që firmosi diskriminimin e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.(L.B.). “ Pra , ç`të keqe ka nga nacionalizmi shqiptar?
Nacionalizmi shqiptar është kur “nderimi dhe respektimi i përkasin veprës nacionaliste, si një ndihmesë me shumë vlerë në njohjen e qytetërimit shqiptar dhe rolin e faktorit shqiptar në periudhën e zhvillimeve globalizuese në mjedisin ballkanik, për mbijetesën e shqiptarizmit në mes të nacionalizmave agresivë e kriminalë serb dhe grek dhe nacionalizmit agresiv turk. (N. Loka). Po ne, duhet të jemi nacionalist sepse jemi të rrethuar nga kombet nacionaliste me qëllime hitleriane, me qëllime pansllaviste dhe megalogreke. Europa nuk i frigohet nacionalizmit tonë, sepse ai nacionalizëm gjithmonë ka qenë duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre Thjesht e thënë të mbijetojmë.
Është herët të na këndojnë qyqet në shtëpitë tona!
SPEKTAKEL MADHESHTOR SHQIPTARO-AMERIKAN NE BATTERY GARDENS NE NEW YORK
Spektaklin do t’a drejtojnë aktorja Eliza Dushku dhe Tony Dovolani/
Nga BEQIR SINA , New York/
New York , NY – Grupi Shqiptar i Medias , Fadil Berisha Studio , së bashku me Këshillin Amerikanë, Fondin e Arsimit Ndërkombëtar Amerikan për Kosovën është duke përgatitur një spektakël të përzgjedhur me mbi 150 shqiptarët më të suksesshëm të viteve të fundit në gjithë fushat e dijes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtues të mbrëmjes Gala janë Eliza Dushku dhe Tony Dovolani , një aktore hollivudiane dhe një nga kërcimtarët e famshëm në botë. Bordi i “Albanian American Success Stories” me Vera Mjeku – Drejtore Egzekutive, dhe me Board Advisor : Kujtim Balidemaj MD, Donika Bardha, Beti Beno Esq.,Tony Dovolani, Amilda Dymi, Mark Gjonaj, Giorgio Kolaj, Mark Kosmo, Nick Markola, Avni Mustafa, Konsulents: Fadil Berisha, Ed Hammel, Ismer Mjeku, Marketingun, Blerta Alikaj, dhe Webmasterin, Arben Mehmetaj, kanë vendosur lidhje me qindra shqiptarë që kanë shënuar histori të reja suksesi në jetën e tyre të emigrimit, në SHBA.
Një nga qëllimet kryesore është që të nisë krijimi i një baze të dhënash se kush janë shqiptarët më të sukseshsëm dhe cila është, puna e tyre, krijimitaria e tyre, suksesi i tyre në Amerikë. Po ashtu synohet që kjo ngjarje të bëhet vjetore.
Grupi Shqiptar i Medias , Fadil Berisha Studio , së bashku me Këshillin Amerikanë, Fondin e Arsimit Ndërkombëtar Amerikan për Kosovën, për këtë qëllim janë duke zhvilluar një rrjet të multi – mediave me anë të materialeve duke shfaqë sukseset e individëve të komunitetit shqiptaro- amerikan dhe kontributet që ata kanë bërë në biznes , politikë, shkencë , arsimit , artit , etj
Mbrëmja Gala do të jetë më datën 3 maj 2014 – e shtunë (6:00pm), ku komuniteti shqiptaro-amerikan do të mblidhet në lokalin e njohur Battery Gardens, në qytetin e New Yorkut, për të festuar në spektaklin “Albanian American Success Stories” – një iniciativë e paparë ndonjëherë, e cila tregon sukseset dhe arritjet e shqiptarëve në Amerikë.
Spektakli më i madh shqiptar në Amerikë, për të festuar, është i titulluar :”Histori Shqiptaro Amerikane Suksesi”, duke vënë në pah kontributet e 150 shqiptarve më të suksesshëm, një përzgjedhje kjo në biznes , afaristë, bamirës, arsimin e lartë, shkencat e ndryshme , politikan , artistët , dhe më shumë të tjerë .
Ngjarja më e madhe argëtuese e kulturore shqiptaro amerikane në SHBA, simbas organizatorit do të shoqërohet me premierën e një dokumentari realizuar me protretizimet e mbi 150 shqiptaro amerikanëve më të suksesshëm , duke përfshirë edhe fituesin e çmimit Nobel për Mjekësi Dr Ferid Murad , të parin shqiptar të zgjedhur në një post zyrtar amerikan në atë të Kuvendit e shtetit New Yorkut, zotin Mark Gjonaj , aktoren e famshëme dhe të njohur në botë, aktoren Eliza Dushku dhe supermodelen Emina Cunmulaj , fotografin me renome në Amerikë, Fadil Berisha, bankierin Richard Lucka, gazetaren e Fox News Lidia Ujkaj, bamirsen Shpresa Xhaklli, komedian e famshëm James Belushi, Lisa Milicaj, Councilwoman Pleasant Valley, politikanin e Uashingtonit Ilir Zherka, tenorin Saimir Pirgu, aktori Mike Dusi, dhe shumë të tjerë .
Duke festuar arritjet e suksesshme shqiptaro amerikane të; lidershipit, frymës kombëtare, ndikimi në integrimin amerikan, frymëzues në bamirësi e humanizëm, ndikimin shqiptar në art, biznes, arsim, shkencë, politikë, dhe më shumë të tjera, thuhet në një njoftim shqiptarët do të ken rastin të njehen nëpërmjet rrefimeve të tyre më 3 maj 2014.
Tridhjetë e pesë për qind e të ardhurave neto të këtij projekti do të shkojnë për Fondin e Arsimit Amerikan të Kosovës – Këshillit Amerikan . Si dhe për realizimin e një libëri luksoz i lidhur që do të përfshijë në faqet e tij individë dhe historitë e tyre të suksesit .Listimet në libër do të shfaqen sipas rendit alfabetik. Historia e çdo njerit thuhet në faqen e internetit do të jetë e redaktuar nga redaktorët e AASS shoqëruar me fotografi profesionale që do të merren nga studio prestigjioze “Fadil Berisha Studio” Në promovimin e këtij prodhimi multi – medial , ne do të kemi rastin të njihemi në mbrëmjen Gala më 3 maj 2014 , ora 06:00 e mbrëmjes në lokalin luksoz Battery Gardens, në qytetin e New Yorkut(http://albaniansuccessstories.com/
- « Previous Page
- 1
- …
- 698
- 699
- 700
- 701
- 702
- …
- 902
- Next Page »