• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkodranët vetëm panair për ‘Ditën e Verës’

March 14, 2014 by dgreca

Nga  Marku/- Në qytetin e Shkodrës që në orët e para të mëngjesit, falë edhe një kohe mjaft të mirë, atmosfera e dites së veres ka nisur të ndjehet në shfaqjen në rrugët kryesore pedonale të qytetit të një numri të madh qytetarësh.

Në mungese të aktiviteteve të organizuara nga Bashkia, pjesa më e madhe kanë zgjedhur ambjentet e hapura për të kaluar pak orë në rrezet e ngrohta të diellit. Kështu, ndryshe nga qytetet e tjera ku mbizotëron atmosfera festive, me koncerte dhe aktivitete nga më të ndryshmet, pushteti vendor në qytetin e Shkodrës është treguar indiferent ndaj kësaj dite. I vetmi organizim, edhe ai nga ana e shoqatës së agro-biznesit, ishte Panairi Agro-Artizanal i organizuar në mjediset e rrugës pedonale në qëndër të qytetit të Shkodrës.

Për hirë të së vertetes, tradicionalisht, Shkodra dhe në përgjithësi rajoni verior i Shqipërisë, festimet për ardhjen e veres i ka të përqëndruara me datë 21 mars, ditë që shënon edhe startin e stinës së pranveres. Edhe pse dy-tre vite më parë pati tendenca, sidomos nga organizata të shoqërisë civile, kryesisht të rinjë, që edhe Shkodra t’i bashkangjitet festes kombëtare të dites së veres, epiqëndra e së cilës është Elbasani, ajo mbeti vetem një dëshirë, sepse iniciativa të tilla nuk pati më.

Madje, sot në Shkodër, as shitësit ambulantë të luleve të freskta, sidomos ajo e “lule Mimoza”, si simbol i ardhjes së pranveres, këtë radhë nuk kishin marrë mundimin për një gjë të tillë.

Të pyetur nga ATSH, për një atmosferen e vakët që ekziston sot në qytetin verior për këtë ditë, kur në Elbasan, Tiranë e qytete të tjera, ajo ka përmasa madhështore, qytetarët shkodranë, shprehen të indinjuar nga qëverisja vendore, e cila nuk bën asnjë përpjekje që me aktivitetet e saj t’i bashkangjitet festes kombëtare së “dites së veres”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: për ‘Ditën e Verës’, Shkodranët vetëm panair

TE GJITHE KTHEHEN NE VENDLINDJE…POR KRIJUESIT NUK IKIN KURRE

March 14, 2014 by dgreca

NGA FARUK MYRTO/

Betim Muço më dërgoi on line,përkthyer për qejf prej tij, tregimin “Vdekja e Plakut” të Vasili Shukshin. Në këtë prozë prekëse, deri në rreshtin e mbramë humane, teksa ndjen orën e fundit, Plaku i prozës s’rri dot pa i thënë plakës së tij se ‘…kishte qenë ca i ashpër me të…’

Në vëllimin poetik, titulluar “Bumerang”, vetë Betimi, mes tjerash, ka një poezi malli trishtues kujtesë-ëmbël për të ndjerin Robert Shvarc, i cili merret vesh, e pati një shkak që mbeti në Tiranë, kur mund të kishte nxituar gjithkundtjetër në botë, tek gjaku i tij…

Por duket se njeriu mësohet atje ku e çon rrota e fatit. Të tjerët veç mësohen me zgjedhjen e tij, siç pranojnë jetë-fatin, reciprokisht, njerëz në bashkëjetesë a fqinjësi të gjatë. Edhe kur e mërzisin njeri tjetrin, u binden heshtur orëve a ditëve të bukura që, në të vërtetë, i japin sens fjalëbe të mëdha qetësi e lumturi. Letërsia e artet, thjesht shërbejnë për t’i përjetësuar këto orë.

Për rusët adresojmë Revolucionin e Kuq më të madh që Tronditi Botën, por s’themi dot se bolshevikët i kandisën të presin kordonin e kërthizës prej natyrës, karakterit rus tolstojan. As edhe në vitet më staliniste të tyre.

Në Tiranë, post-stalinistët fare kollajshëm e prenë, fill pas Luftës së Dytë, linjën e letërsisë, kulturës, humanizmit që ngjizi Rilindja shqiptare dhe mbollën e shërbyen vitet ’30. Sot e kësaj dite s’po pranojmë dot shkoqur se ajo societe, ndonëse me sfond lindor, me sytë nga dielli i perëndimit, ishte truall që prodhoi vlera qytetare, edhe në fushën e kulturës, filozofisë e letrave. Madje inercia vazhdoi edhe përgjatë gjysmës së shekullit në vijim, teksa provuan ta helmojnë me pesticidet e artit të borive që gjëmonin nën mecenatin e shefave të politikës së kohës, që veç njeriun nuk e vendosën dot në qendër të tij.

Kudo shkrimtari ndjehet dyshues e i shqetësuar, por në këtë përmasë largimi ndaj fatit njerëzor, sa ç’ju imponua letrave shqipe, jo. Për më tepër, jo veç autorëve. Më keq akoma: personazheve.

Mjaft të njihesh me peripecitë e Lasgush Poradecit për të shpëtuar nga pushkatimi si “qen rrugaç” Cucin e tij, për  të ndjerë në ç’borxh e futën autorin rrethanat politike, borxh që nuk shlyhet dot pa u pranuar si mëkat.

Bota sot është krejt tjetër, tjetër edhe se dhjetë vite më parë, kur Betim Muço fluturoi dhe e la Tiranën, natyrisht jo pa kthim. Zogjtë, në shëmbëllim me poetët, kthehen hera-herës. Nuk është ikja, e as përshtatja, fenomen shqiptar. Njeriun e sotëm, kudo, e udhëzojnë, e joshin, me globalizmin, por në asnjë rast nuk mundën, as kur ia bën fare shkoqur ftesën, të harronte atdheun…

Shkrimtarët nuk ikin kurrë prej atdheut, as kur u ndodh ose  detyrohen, as kur fizikisht shfaqen tjetërkund. Ekzili ndaj është burim veprash të mëdha dhe ndaj përshkëndit memoria e tij e fosfortë. Kur adaptimi me atdheun tjetër ka suksesuar bujshëm, është vënë në dyshim integriteti moral, në mos vlera si shkrimtar.

Megjithatë, në gjithë rastet, shkrimtarët bartin me vete gjuhën e dheut ku ishin fëmijë. “Shenjën” e Atdheut.

Mbase janë qenia më e rrallë, padyshim më e pasionuar, që beson se mund ta shpjegojnë botën me shkak e shenja prej kujtesës së ngjizur në atdheun e kulturën e tyre, dhe anasjelltas. E ndjejnë krejt oportune të gjejnë çdo element të natyrës e njerëzve të vendlindjes, në territoret ku shkojnë. Janë gati të pranojnë se universi s’është tjetër veç tërësi e gjithë gjuhëve, kulturave dhe jetëve të individëve, të cilët të gjithë mund të kundrohen si heronj…Edhe vetja u merr trajtën e këtyre personazheve, zëri i të cilëve thuajse nuk arrin në vendlindje…

Me logjikë e princip tjetër, por duket sikur atyre që u ka mbetur në dorë Atdheu – pas Ikjes së tyre- nuk u del koha, nuk duan t’ia dinë, madje i gëzohen mungesës së të Ikurve. Aq më pak për krijuesit e shfaqur e madhuar në hapësirat andej larg.

Shkrimtarit, pavarësisht distancave dhe gjuhës me të cilën niset për tek lexuesi, edhe kur nuk i ndodh të përkthehet kurrë, i përndrit vegimi i mundësisë së komunikimit  me shkrimtarë e lexues në botë, kudo ku merr me mend se ka shkak se mund ta ndjejnë apo të ketë shkak shëmbëllimesh subjekt apo kumtesh estetike apo sociale.

Por, pa dyshim, përgjithnjë e pashmangshëm, krijuesi është e ndjehet në gjuhën e vet, në trojet ku gjuha artikulohet në belbëzimet e para të fëmijëve…

…

Ka të ngjarë që në një bisedë shtruar-shtruar në shtypin e Tiranës, krejt pashpjegueshëm, mbase pa asnjë sebep, një i nderuar jo pak si autor, qenkej shprehur se ata që ikin nga Shqipëria, mbarojnë, humbasin…(!)

E thënë nga një krijues, për kolegët…tingëllon pa sens, ca naive, në mos fluturake, edhe pse e lëshuar pa adresë, pa të keq. Sidosi, jep shkas për kthjellime, paraqitje realitetesh dhe eksperiencash të reja.

Merret vesh, Të Ikurit, natyrshëm do duhet ta llogaritin që ky tjetri, I Gjalli Mes Të Gjallëve në mëmëdhe, pra I  Pa Mërguari, nuk i lexon më, edhe nëse i ka lexuar dikur. Deri këtu s’ka asnjë problem. As për të pa-lexuarin, as përmoslexuesin. Njeriu i sotëm, lexuesi shqiptar në veçanti, në atdhe e kudo, nuk është ai i Djeshmi, kur laj thaj, vetëm shkrimtarët e botuar nga “Naim Frashëri” i shtetit lexonte, ata që sugjeronte ideologjia e lëvdonte kritika zyrtare gjente në tekstet shkollore. Të tjerët, që gjykohej se nuk duheshin, madje e “prishnin” lexuesin shqiptar, shkrimtarët që “kishin mbaruar”, të huaj apo shqiptarë, në s’ishin “jashtë shtetit”, qenë në burgjet…

Shqiptarit të sotëm pa kufij, edhe me gjuhë të huaja “jo-armike” tashmë, nuk i mjafton koha të lexoj qoftë edhe vetëm nobelistët dhe të nominuarit!

Ata që marrin rrugët e botës, pas përshtatjes në kushte të tjera – proces jo aq i kollajtë ky-, dikur-dikur i kthehen pasionit të librit. Tashmë, jo vetëm librit shqip…

Në krye si lexues, Të Ikurit vënë re se Harta e Botës së Librave të Lexuesve në Liri është krejt e tjetërt nga ajo me të cilën ishin populluar bibliotekat e Këndeve të Kuq në shtëpitë e qendrat edukative, ku oferta dihej: një autor nga politika, një nga letrat, sipas hierarkisë…

Pas pak kohe përshtatjeje, kur sapo ndjehet se është shans për t’u dëshiruar dalja nga fshati, ikja nga qyteti i vogël drejt qytetit të madh, qoftë edhe si mërgim për njeriun në përgjithësi; aq më shumë për shkrimtarin.

Të mund të ikësh e të kthehesh sërish ku je nisur. Të mund të dilje e të ktheheshe, kur Shqipëria ishte e mbyllur, kur vetëm zogjtë dilnin, duhej përjetuar si privilegj. Qoftë edhe në heshtje. Madje kishe rastin të ndjeheshe edhe pak në faj, kur e dije se kolegët apo lexuesit e tu shkonin në burg, kur thjesht e zinin ngoje “botën Andej” dhe mos o Zot, Ikjen për Andej.

Tërë këto i di edhe shkrimtari që, një Zot e di përse, u shpreh se…të Ikurit humbasin, mbarojnë!

Tërë ne e dimë se, për goxha kohë, pothuaj tërë emrat e mëdhenj të letrave shqipe, i kemi pasur Ikur, mërguar a ndaluar në dheun e tyre. Me përjashtim të Fishtës, sidosi botoheshin (ktheheshin) në Prishtinë. Në Tiranë jo…

Më mirë ta lemë citimin si perceptim prej inercisë së plogësht të izolimit, ta justifikojmë si rehatllëk kombëtar, nëse ka shtysë mjaftueshmërinë e vetë të dikurshme…

“Të Ikurit”, s’ka si druhen të pohojnë: “Po,  atje ku jemi tashmë, jeta mund të ndjek tjetër korsi. Të Shkruarit mund të ketë qenë një pasion e aq…E, çfarë pastaj?! Mund të ndodh atje, çfarë do ndodhte këtu, nëse s’do kish ndodhur Ikja, nëse individi do mbetej në mëmëdhe e do popullonte numrin e librave këtu…

Edhe kur “atyre që ikën…” jeta e fati u është shfaqur më ashpër “se sa ëndërronin” apo seç “meritonin”, së paku kanë arritur t’i gëzohen po këtij pasioni në trajtën tjetër:  si lexues, pasurojnë botën shpirtërore, plotësohen duke lexuar libra të lirë, marrin frymë lirisht…

B. Muço, përpara se të ikte, pa e menduar ikjen, solli në Tiranë, pra në shqip, “Virgjëreshat Shqiptare” të (nobelistes së ardhme) Alice Munro dhe vetëm pastaj iku vetë! Prej andej, solli në shqip Antologji e Poetëve të Botës, të asaj bote që është, pavarësisht nesh…

E, në heshtje bujare, Të Ikurit e ata që vazhdojnë të gjejnë arsye për të ikur, u gëzohen ca të vërtetave që vijnë e shfaqen trishtuese. Tek e fundja, ikim edhe prej atyre që predikuan mbyllje gojësh e mendjesh, që bën lavdi e sukses kur njeriu privohej nga të drejta fare elementare; shpëtojmë prej atyre që (shumë më keq se me “të ikurit e pas ’90-ës,) mëkatuan ndaj atyre që nuk e deshën kurrë izolimin, mbylljen e dritareve dhe syve…

Nuk u rrëfyem aspak më të butë, me kolegët që mbetën brenda rrethimit: lamë në heshtje/vdekje ata që mund të na bënin hije…Këtu i patëm Lasgushin e Mitrushin. Edhe Robert Shvarci, nuk e la atë truall, përshkruar aq dhimbshëm e frikshëm prej Dhimitër Paskos në Amanetin e Tij për fëmijët…Nuk i lamë të iknin, si rusët, i mbajtëm gojëmbyllur, ua privuan vendlindjen si këngë, si ritm e si këngë e trishtë njerëzore mëmëdhetare. U mpakën, se ua rrëgjuam lirinë…

Historia e Mbylljes dikur ende është Dosje e hapur…

Vetëm pak javë më parë, një trumbë krijuesish – zogj të mërguar në brigjet e afërta Mesdhetare, provuan të “kthehen”, me librat e tyre në trojet e veta. Relativisht të rinj, të tjetërt në mënyrën e të perceptuarit e të shkruarit, në dëshirë shpirti, pa ftesë zyrtare, pa rimbursim biletash (…në fushatë elektorale) ,.As në studiot e përnatshme të medias dhe opinionistëve pa opinion; e dinin, në Tiranë s’ka Shtëpi Shkrimtarësh: si për t’u hakmarrë deri në fund, politika e kish shndërruar në një tjetër zyrë, ku zyrtarë të radhës me pardesy e ngjyra të ndryshme vazhdojnë të premtojnë se do ta çojnë këtë vend e këtë kulturë e këtë gjuhë në …Europë!

A s’po vinin edhe këta, poetë, shkrimtarë e studiues të rinj, nga Europa?! Në mos tërësisht europianë, pak më shumë se symbyllurit e izolimit po…!

Qofsha gabuar, nuk se u begenisën siç do duhej…

Realiteti i qartë, nuk ia vlen të pyesim, siç nuk e ndjemë dikur mungesën e Fishtës, Konicës, Camajt. Lasgushin e pëshpëritën si të vdekur teksa i gjori POET trokiste tek shkrimtarët me zyrë dhe tek zyrat e pushtetit….Nuk na e treguan përmasën e plotë të Dh. Paskos, teksa tashmë po marrim vesh si ua mërzitën atdheun e jetën atyre që ikën dhe atyre që s’e përballuan dot gjatë atë realitet…

Si të mos besojmë, në atë “truall gjarpërinjsh” ndodhi “Gjëma e mëkatit”, rrodhi në ato vise “Lumi i Vdekur”, dhe po vetëm pak vite më parë, Vathi shkroi proza të njëjtëshme. Jo veç Koreshi, por Koreshi s’na dëgjon…

Letrat s’kanë nevojë doemos për liri, themi pas nginjies vetjake. Edhe pse pati shkrimtarë që shkuan në burgje shqiptare në gjithë regjimet, krijues që u nderën telash me gjemba, i dhanë fund jetëve të këtushme. Mbahemi moralë e normalë, edhe pasi rioshët e sotëm marrin vesh se një “anonime e artë e vetëtimtë” si Suzana Selenica –e një grupi poetësh të rinj, të tërë të burgosshëm, paskej përfunduar në çmendinë.

Të tëra këto kanë ndodhur DJE…

Dje, ishim izoluar. Po sot…? Sot përse?!

Plaku i Shukshin, ca me vonesë, por e thotë, dhimbshëm: “…kam qenë ca i ashpër me ty…”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Faruk Myrtaj, Ikin, por krujuesit nuk, Te gjithe kthehen ne vendlindje

Festë e hareshme e Ditës së verës në Tiranë dhe Elbasan

March 14, 2014 by dgreca

Disa qindra qytetare kanë mbipopulluar rrugët, parqet në natyrë dhe bulevardin e Tiranës, sot në Ditën e Verës,  kur kanë qënë te shumta  aktivitetet e  organizuara nga Bashkia e Kryeqytetit, dhe qeveria shqiptare ne bashkërendim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës, Arsimit dhe të Turizmit.

Por disa qindra njerëz kanë ardhur nga qytete të tjera të vëndit, si dhe nga Kosova  Maqedonia, te cilët  kanë ecur  përgjatë  “Bulevardit Festiv”  duke ndjekur aktivitetet që zhvilloheshin nga qëndra e Tiranës, e deri tek Sheshi Nënë Tereza.

E mbipopulluar ishte edhe zona e njohur me emrin “Kodrat e Liqenit” ku mjaft familjarë, çifte, të rinj, e fëmijë, gëzuan  natyrën që zona ofron, duke zhvilluar mjaft aktivitete si lojra në natyrë.

Të pyetur nga  ATSH se si po e përjetonin ditën,  shumë syresh janë shprehur se pas përfundimit të aktiviteteve, së bashku me  familjarët do të drekonin ne shtepi por më shumë në lokale. Të rinjtë, pasdarke kane rezervuar  klubet e qytetit, ku do të presin të kalojnë natën nën shoqerimin e muzikes live.

Ndërkohë fëmijët kanë shijuar më së shumti ditën e sotme,  jo vetëm duke pare nga afër aktivitetet që u ishin rezervuar, por edhe duke u bërë pjesë e disa prej tyre.Ata kane marr pjese në aktivitetin e organizuar nga Qëndra e Fëmijëve dhe Teatri i kukullave, si dhe Cirku i Tiranës ne  Parkun Rinia.

Dita e Verës- Festime për t’i dhënë lamtumirën stinës së dimrit

Dita e Verës ka sjellë gjallëri sot në kryeqytet, në bulevardin e të cilit qytetarë të shumtë po festojnë largimin e dimrit. Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, e Arsimit dhe Rinisë, si dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po organizojnë një sërë aktivitetesh për fëmijë e të rinj, të përqendruara kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lëvizja në të cilin bëhet me vështirësi nga numri i madh i njerëzve. Festa ka nisur me një performancë të Bandës së Ushtrisë, si dhe me Trupën e Teatrit të Kukullave dhe animatorëve në sheshin përpara Galerisë së Arteve.

Jo vetëm Elbasani, i cili sot është “kryeqyteti” i Shqipërisë, por edhe Tirana ka mirëpritur qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit, që kanë zgjedhur kryeqytetin për të festuar Ditën e Verës. Alma së bashku me familjen e saj, ka ardhur nga Durrësi për të festuar në Tiranë. “Më pëlqen shumë se si festohet kjo festë në Tiranë”, tha ajo për ATSH-në, duke shtuar se kryeqyteti ofron më shumë mundësi argëtimi për fëmijët.
Në orën 10 :00 në parkun “Rinia” është ngritur “Këndi i pikturës”, si dhe po zhvillohet një koncert me DJ nga shkolla “Robert Radoja”. Pjesë e aktiviteve në ditën e Verës janë edhe aktivitetet në sheshin pranë lulishtes “Tre vëllezërit Frashëri”, ku “Dance Akademi Amary” po interpreton kërcime moderne dhe popullore nga trupa e baletit për fëmijë të moshës 6 deri 14 vjeç, si dhe kërcime latine nga grupi “Latin Beat”, nga trupa e kërcimit mbi moshën 18 vjeç.
Panairi “Blej shqip” , i cili po zhvillohet në rrugën ” Murat Toptani”, tek Pedonalja, me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha trevat shqiptare nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria, ka për qëllim promovimin e produkteve vendase. Produktet që janë prezantuar në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.
Një ekspozitë me piktura të fëmijëve me aftësi të kufizuara është çelur tek Galeria e Arteve, ndërsa një panair me prodhime shqiptare të artizanatit pranë lulishtes përpara Vilës 31, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve,
I veshur me lulet e verës kryeqyteti gumëzhin nga fëmijë e të rinj që kanë “pushtuar” bulevardin e që presin me dëshirë verën, ndërkohë që trafiku është bllokuar, pasi lëvizja e makinave është pothuajse e pamundur. Festimet për Ditën e Verës do të vazhdojnë deri në orën 14:00.
Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, vitet e fundit, kjo festë po festohet edhe në Tiranë

Rama : “Elbasani, graviteti i Ditës së Verës”

Kryeministri Edi Rama vizitoi të premten në Ditën e Verës , Panairin e hapur në qytetin e Elbasanit.“Elbasani është graviteti i Ditës së Verës, dhe është kënaqësi të jesh në këtë qytet në këtë ditë feste”, deklaroi kryeministri Rama.

Ajo që mësova me kënaqësi, tha Kryeministri në fjalën e tij, është se shumë emigrantë shqiptarë të kthyer kanë filluar të bëjnë sipërmarrje të suksesshme .

“Janë të kënaqur dhe të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e të investojnë kursimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune dhe  së ardhmes”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, qytetarët duhet të shikojnë me shumë tek talenti dhe zotësia e tyre dhe tek sektori privat për të filluar një biznes të vogël, apo për t’u angazhuar në sektorin privat, pasi shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh.
Dhe lufta jonë për punësim real dhe kundër papunësisë, informoi Kryeministri Rama, është në radhë të parë e fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat, për të hapur vende të reja pune, përmes sipërmarrjes private dhe sigurisht me mbështetjen e pakursyer dhe me politika, ide e energji të reja nga ana e qeverisë.
BASHA URON: DITË KAQ TË GËZUARA PAÇIN GJITHMONË SHQIPTARËT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur qytetin e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Ai ka vizituar mëngjesin e sotëm panairin tradicional që mban edhe emrin e kësaj feste. Kreu i opozitës Basha shoqëroahej nga një grup deputetësh.“Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si ish-deputeti i Elbasanit për Partinë Demokratike. E them në emër të qytetarisë së Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Tiranës dhe sot, në emër të qytetarisë së Tiranës, por besoj edhe në emër të çdo shqiptari, dua të falënderoj qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, për këtë traditë kaq të bukur që ia kanë dalë ta mbajnë gjallë dhe që Ditën e Verës rrezaton dhe përhapet nga Elbasani, zemra gjeografike e Shqipërisë, anembanë qyteteve e fshatrave tona. Ju uroj nga Elbasani çdo shqiptari gëzuar Ditën e Verës. Për shumë vjet gëzuar, mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë për ju”- deklaroi Basha. 
Pas vizitës në Elbasan kryetari i Bashkisë Lulzim Basha iu bashkua aktiviteteve tek Pedonalja e kryeqytetit. 
Ashtu si edhe vitin e kaluar në rrugën “Murat Toptani” është çelur panairi “ Bli dhe prodho shqip”. Panairi promovon produktet nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Produktet që prezantohen në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.

“Dua t’ju uroj gjithsecilit prej jush, gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë gëzuar Ditën e Verës sjelltë sa më shumë mbarësi për ju dhe familjet tuaja. Politikëbërësit të kthejnë vëmendjen dhe sytë dhe të bashkëpunojnë për tu dhënë mbështetje ndërmarrjeve shqiptare, iniciativës shqiptare.”- deklaroi Basha.

Dita e Verës, të gjithë në plazhe e shëtitore

Shëtitoret dhe plazhi i Durrësit kanë qenë hapësirat ku qytetarët durrsakë kanë festuar sot Ditën e Verës.Megjithëse bashkia e qytetit nuk kishte programuar asnjë veprimtari, qytetarë të të gjitha moshave kanë përfituar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta për të shëtitur masivisht kryesisht në hapësirat pranë detit.

Lodrat e instaluara në shëtitoren bregdetare kanë qenë sot nën pushtetin e fëmijëve, ndërsa të rriturit kanë shfrytëzuar bar-kafetë e shumta, që kishin hapur dyert si për festë.
Edhe në Durrës janë shitur sot qindra ballakume, ëmbëlsira të cilat simbolizojnë ditën e verës, kryesisht në zonën e Elbasanit. Që prej 10 vjetësh Dita e Verës bën pjesë në festat tona kombëtare.

 

 

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Dita e Veres, Festa e hareshme

POLONI – Gjashtë avionë amerikanë F-16 ulen në bazën ushtarake të Laskut

March 13, 2014 by dgreca

VARSHAVË, 13 mars /– Gjashtë avionë luftarakë amerikanë, F-16 u ulën sot në bazën ushtarake të Laskut, nga 12 në total që do të dërgojë këtë javë SHBA-ja në Poloni, njoftoi media polake.

SHBA-ja iu përgjigj gjithashtu kërkesës së Varshavës që e shqetësuar nga zhvillimet në Ukrainë, kërkoi vendosjen në Poloni të një njësie të forcave ajrore amerikane të përbërë nga 12 avionë “F-16″, disa avionë transportues dhe 300 ushtarë.
Sipas televizionit publik, gjatë mbrëmjes së djeshme, një avion amerikan transportues, i tipit “Hercules”, u ul në bazën e Laskut për të zbarkuar ushtarë dhe materiale ushtarake.

Filed Under: Featured Tagged With: amerikane, gjashte avione, Poloni

“PAK DRITË ! – MEHR LICHT !”

March 12, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

 “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!”-                                                                                                  Imz.V.Prennushi, 1946./

Ne Foto: Imzot Vinçenc PRENNUSHI, (4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)

Nga Fritz RADOVANI/

Imz. Vinçenc Prennushi ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit Françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por zen vend ndër letrarët ma në za të periudhës së Pavarësisë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”  sidhe në gazetën “Ora e Maleve”. Me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914, plot 100 vjet perpara mban fjalimin kryesor ku spikati oratoria e Tij. Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë” jep mendime për një shtet demokratik. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve Shqiptar në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçeza e Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezës së Durrësit, atëherë kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana përfshihej në Dioçezen e Tij. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasëve.

Keqsimi i gjendjes shëndetësore të Imz. Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky, jo vetëm e kreu me  ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurrgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë sonë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk pajtohet asnjëherë me pushtimin komunist.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë….ashtusi duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë moshatarë të mij, ndonse “skleroza komuniste” nuk po i len me folë.

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, i cili kishte vdekë që në Mars 1949. Ai shprehi “konsideratën” për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa…

Imz. Prennushi arrestohet me 19 maj 1947, dhe hetimet i bahen në hetuesinë e Durrësit. (Dosja 1245). Me 18 dhjetor 1947, para gjykatës ushtarake të Durrësit, Imzot Prennushi  deklaron pa frikë: “Lufta ime ishte kundër komunistave e partisë komuniste, që ajo të mos egzistonte”…“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia. Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e Tij në Misionin amerikan, Ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin…Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe, ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopje ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.”

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.

…Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.

Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përbame nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg…

***

“…E ngarkuan me bajtë trungje  prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’ Udhën e Kalvarit  u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa  shprehë ankim…” Tregon bashkvuejtësi Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këta rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947: “Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Në revistën “Zani i Shna Ndout”, Janar 1930, në kujtimet e Prennushit, “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, në takimin që kishte pasë me Teresa Neumann në Bavari të Gjermanisë, Ajo i ka thanë: “Do të keshë nji aksident rrugor. Do të bahesh Ipeshkëv dhe mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh Martir i Fesë”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, kur lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saj në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za dëgjohej në atë errësinë.., në të mekun: “Pak dritë! – Mehr Licht !”… Ishte MARTIRI  I  FESË  Imz. V. Prennushi…

Melbourne, Mars 2014.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Imzot V Prenushi, Mehr Licht, Pak drite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 705
  • 706
  • 707
  • 708
  • 709
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT