• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BERISHA PER PROTESTEN NE FB

February 28, 2014 by dgreca

Dhune dhe shkopinj gome ndaj protestuesve paqesore. Policia bllokon te gjitha hyrjet e Tiranes.Protesta paqesore e shofereve te furgonave pritet me dhune, bllokim, shkopinj gome nga Policia e klikes Rama – Meta ne te gjitha hyrjet e Tiranes. Keshtu, Edvin Kristaq Rama, njeriu qe protestoi ne tete vite 1753 here ne mbare vendin, sot i tmerruar nga protestuesit qe luftojne per kafshaten e femijeve te tyre, perdori dhune e terror ndaj tyre ne menyre qe te mos i lejonte te arrinin ne sheshin para kryeministrise.

Burracaku, qe nga njera ane preu kangjellat e kryeministrise ndersa nga ana tjeter i tmerruar dhunon protestuesit paqesor, deshmon se po perjeton tronditje te madhe psiqike.
Te dashur miq, le te shprehim ne solidaritetin tone te plote ndaj 20 mije familjeve shqiptare qe dyshja Rama – Meta u pret buken e gojes sepse duan te vendosin monopolet e tyre ne transportin e pasagjereve dhe te fitojne se paku 30 milion dollare rryshfet per licensat e reja te taksive apo 1500 euro per cdo license qe do te leshojne pas anullimit te licensave te ligjshme.
Qytetar dhe qytetare, ju beje thirrje te bashkohemi me kete proteste, e cila eshte protesta per kafshaten e gojes kunder babezise se kleptokrateve ne pushtet.
Protestuesit do fitojne! Mbeshtetja jone eshe jetike per fitoren e tyre! sb

Filed Under: Featured

Pse jetojmë?

February 28, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/

Lumturohemi me faktin që jetojmë në këtë jetë, që na pushton fort nën krahët e saj dhe na dhuron emocione të paimagjinuara, ëmbëlsohemi me freskinë dhe aromën e puthjeve që na dhuron dashuria e jetës sonë, meditojmë dhe ëndërrojmë për diçka më shumë, gjithmonë më shumë, sa herë i afrohemi një pragu më të lartë, përsëri nuk ngopemi me dëshirën për të shkuar më tej, kjo është të jetojmë si njerëz, të logjikojmë si njerëz, të edukohemi si njerëz dhe të ëndërrojmë dhe veprojmë si të tillë.

Jetojmë, përse jetojmë?

Qëllimi i gjithsecilit është të lëmë ‘’gjurmë’’ në këtë tokë. Të ndihet emri ynë në ketë jetë, të mundohemi që nëpërmjet inteligjencës, zgjuarsisë, kureshtjes, hamendësimeve, ironisë, kënaqësisë, dashurisë, praktikës dhe veprave tona, të luftojmë për një jetë më të mirë. Jetojmë që brezat që vijnë ta shohin me nostalgji punën dhe veprat e të parëve të tyre, dhe të luftojnë dhe ata që jeta e pasqyruar në shpirtin e stërmunduar të një brezi te mëparshëm, të gjejë përkrahje, mbështetje dhe të mos sugjestionohet nga frika e ekzistencës së një pesimizmi që kërkon të shuajë një planet të tërë.

Pse kemi lindur në këtë botë?

Shpesh gjykojmë se lindja jonë ka qenë e kërkuar nga të tjerë dhe jo nga ne, shpesh hidhërohemi me faktin që ne jemi pjellë e një ngjarje të emetuar nga shkarkime të fuqishme emocionale dhe erotike, që pushtuan një natë vere, dimri, vjeshte apo pranvere mendjet apo zemrat e prindërve tanë. Shumë herë e shohim jetën të mbështjellë nga ajo guaska e ledhatuar e duarve të prindërve, e sjelljes së influencuar të ambientit përreth, dhe shpesh nxitojmë në arritjen e konkluzioneve të personalizuara nga një logjikë e pastër e pa sterilizuar dhe pasterilizuar më parë nga shoqëria që na ëmbëlson apo hidhëron me fjalët dhe veprimet e saj.Kemi lindur në këtë botë, për t’i shërbyer të mirës së njerëzimit, edhe pse egoja njerëzore, kërkon që në radhë të parë të arrijë të mirat individuale, përsëri kjo gjë e parë në një këndvështrim më të gjerë, dhe më të fokusuar, gjithë përpjekja e tij, gjithë ai vullnet, sakrificë, forcë të vendosura dhe të ofruara në shoqëri, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të çuarjes së shoqërisë drejt principeve më të larta të jetesës. Njeriu për njeriun është bishë, por është pikërisht kjo bishë e stërvitur inteligjente, që në saje të zgjuarsisë së saj arrin të emetojë me forcë, zjarr, dashuri, dhembshuri dhe zemërgjerësi, e në të njëjtën kohë bëhet burim i një ndenjeje të një smire të jashtëzakonshme në sytë e personave të tjerë, duke i bërë ata të gjykojnë mbi jetën e tyre, dhe të kërkojnë më shumë, duke nxitur tek ata shpirtin ambicioz, dëshirën për të arritur diçka më të mirë, për të arritur edhe ata majat.Ambicie e kushtëzuar nga një fakt pozitiv për mbarë njerëzimin, duam të korrim suksese, duam të jemi të parët, duam që askush të mos jetë mbi ne, dhe të jemi ne ata që komandojnë, e pra nëse çdo kush synon majat atëherë edhe e ardhmja do të jetë më e mirë, se në saje të këtyre përpjekjeve të gjithsecilit për të bërë diçka më të mirë për jetën e tij, në mënyrë të pandërgjegjshme ai krijon mundësi të reja, dhe shpresa të reja për brezat e ardhshme.

Jetojmë, luftojmë, krijojmë, ndërtojmë, një të ardhme që të jetë shembull për të gjithë, edhe pse shpesh e lyer me gjakun e kuq të sakrificave njerëzore, kjo e ardhme duhet të jetë e denjë për brezat që do të vijnë.Jetojmë për të ndihmuar atë që ka më shumë nevojë. Shpesh hidhërohemi duke parë mijëra persona të lënduar, persona të dëshpëruar, persona pa familje, pa strehë, pa të ardhme, pa para, pa praninë e një njeriu të dashur, që t’i shtrëngojë fort në gjirin e tij dhe t’i japi ngrohtësi. Jetojmë në një jetë që është shumë kapriçoze dhe që nuk të afron pranë vetes, por të qëndron e ftohtë, e egër, e ashpër, e dhunshme, shpesh e pafajshme në sjelljen e saj, dhe e kushtëzuar nga veprimi i disa personave që deklarojnë se janë ata që do t’i vijnë në ndihmë paqes, mirëkuptimit, tolerancës, dashurisë dhe një të ardhmeje më të mirë. Duam të jemi të lumtur, duam të jemi të parët, duam të arrijmë çdo gjë që ëndërrojmë dhe dëshirojmë, duam të duhemi, duam të na jepet ngrohtësi, duam që të gjejmë mirëkuptim, po vallë ku po i kërkojmë këto? Nëse nuk alternojmë vizionin e fantazisë së logjikës sonë me dashurinë e emetuar me forcë, zjarr dhe pasion nga zemra jonë, atëherë jeta do të jetë vetëm një vazhdueshmëri e njëtrajtshme e një vije fundi i së cilës është toleranca zero. Jeta është e bukur, jeta është e dashur, jeta është e mbushur plot gëzim e hare, por që të arrish të futesh në zemrën e saj, në të privilegjuarit e saj, duhet që më parë të shikosh në brendësi të vetes, dhe të kuptosh se çfarë kërkon vërtet të arrish, cili je dhe si mund ta vësh zgjuarsinë tënde në të mirë të çdo kujt që të rrethon, duke i bërë mirë vetes, por në të njëjtën kohë duke i dhuruar dashuri, paqe dhe mirësi dhe personave që të rrethojnë. Mos e shikoni jetën si një plaçkë që mund ta bleni dhe ta hidhni kur të doni, ajo është e vyer, e shenjtë dhe e dlirë. Portat e saj janë të hapura, por më parë duhet t’i gjeni ato, për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë, një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur, paqe, harmoni, dhe gëzim.

 

Filed Under: Featured

DJALI YNË SHKËLZEN RAÇA

February 27, 2014 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU /Athinë/

Shumë herë përpiqemi të kalojmë dhimbjen duke i u kthyer kujtimeve. 25 shkurti ishte një ditë e rëndë, një ditë që na shkaktoi dhimbje të thellë nga vdekja e papritur e  “djalit” tone, historianit të njohur Shkëlzen Raça. Lajmin e zi nga Prishtina e mësova nëpërmjet internetit (si zakonisht, vitet e fundit, askush nuk u kujtua të më lajmëronte mua!)- se historian i shquar vdiq në moshon 62 vjeç. Është e natyrëshme dhe e kuptueshme që ndokush të pyesë: Pse duhej të të lajmëronin ty? Ç’lidhje mund të kishe ti me historianin dhe  punonjësin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kur banon më shumë se gjysmë shekulli në Athinë?  Por kjo pak rëndësi ka. Humbja ishte e njëllojtë, e madhe. Shkëlzeni na braktisi në kulm të krijimtarisë së tij, kur kishte grumbulluar materiale të çmuara për historinë e Kombit Arbëror, duke mos arritur t’i nxjerrë të gjitha në dritë. Megjithatë ai na la botime të çmuara historike, sidomos për marrëdhëniet, lidhjet, bashkëvuajtjet dhe bashkëluftimet të shqiptarëve dhe grekëve. Ai rrëmoi dhe zbuloi arkiva dhe ngjarje historike të panjohura deri tani, për të cilat do të flasim më poshtë.

Shkëlzen Raçën e njoha  aty nga fillimi i vitit 1981. Një mbasdite më trokit në derë dhe ,kur e hapa më tha, këshu thjesht, me dialektin e tij kosovar të asaj kohe: Jam student nga Prishtina dhe nuk di aspak greqisht. Më dërgoi tek ju arvanitasi Jani Profis i cili më tha se jeni i vetmi shqiptar që ai ka njohur në Athinë” Pa thënë asgjë pak i hutuar-jo se nuk isha mësuar të më vizitonin shqiptarë se aso kohe çdo shqiptar që do të kalonte nga Athina do të kërkonte të takohej me mua, (madje, si për të qeshur ca miq grekë më kishin ngjitur nofkën “ambassador shqiptar në Greqi” shumë më pare se të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike të të dy vendeve), por për faktin se ishte student dhe  nga Prishtina, gjë që nuk kishte ngjarë më pare.Ishte djal i ri aso kohe Shkëlzeni. Gjëja e pare që më bëri përshtypje tek ai ishte thjeshtësia dhe ai afrim i pa shtirur duke menduar se ishte i sigurtë se ndodhej në një shtëpi miqësore, në një shtëpi ku kishte të drejtë të hynte, ndonse nuk dinte shumë gjëra për mua. Më informoi se kishte fituar një burse studimore në Institutin e Gadishullit  të Ballkanit në Athinë që drejtohej nga albanologu i njohur grek Titos Johallas dhe se nuk njihte asnjë njeri në Greqi dhe se Janis Profisin e kishte takuar në aeroport dhe i kishte kërkuar ndihmë. Profis ishte arvanitas dhe dinte disa fjalë shqip-gjë që ndihmoi shumë Shkëlzenin- dhe kur pa se studenti nga Prishtina nuk dinte nga t’ja mbante e mori në shtëpi në Koropi dhe  atje i kishte rekomanduar të më drejtohej mua për ndihmë duke i dhënë si telefonin tim ashtu dhe adresën e shtëpisë. Ai nuk mori telefon duke menduar se ishte më mire të më paraqitej përpara që të më befasonte gjë që ja arriti si jo më mire.Më hyri në zëmër ai njeri që në çastet e para. E inkurajova dhe  i thashë se e njihja Tito Johallën si të vetmin albanolog të vërtetë në Greqi. Ai  hapi çantën dhe më dha disa kopje të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës gjë që për mua në atë kohë ishin një dhuratë e çmuar…

Miqësia jonë u bë e vazhdueshme vitet që do të vinin. Lidhjet e mia me Kosovën që kishin nisur aty nga fundi viteve 60 kur kisha takuar një familje kosovare në Llavrio (deri atëhere shumë pak që të mos themi aspak – gjëra njihja për Kosovën dhe kosovarët) që më la mbresa të pashlyera duke më bërë të betohem me veten times se do t’i kushtohesha plotësisht në të ardhmen “çështjes kosovare”.Prandaj  ardhja e Shkëlzenit ishte një dhuratë e çmuar për mua, sikur po më binte nga qielli…Prej tij do të mësoja gjëra që nuk kisha mundur as të imagjinoja më pare për shqiptarët e Jugosllavisë së atëherëshme. Nga ana tjetër brënda atij vitit do të zhvilloheshin trazirat studentore në Prishtinë ku kishin filluar reprezaljet e egra të sërbomëdhenjve. Fatmirisht kjo nuk ndikoi në bursën e dhënë Shkëlzenit, i cili, përderisa  ndodhej në Athinë nuk mund të akuzohej për pjesmarrës në trazirat kosovare.Ndërkohë mundëm të krijonim nëpërmjet tij dhe disa shokëve të emigracionit lidhje të vazhdueshme me Prishtinën dhe me trevat e tjera të banuara  me shqiptarë në Jugosllavi. Sigurisht se  çështja e Kosovës ishte në plan të pare të shqiptarëve të emigracionit që, pothuajse kishin harruar sistemin komunist të Tiranës. Ishte e natyrëshme. Në brëndësi të shtetit sllav shqiptarët shtypeshin e terrorizoheshin nga pushtuesit e huaj, nga armiqtë shekullorë të shqiptarizmit që ishin shovinistët e egër fashisto-komunistë sërbomëdhenj. Ndërkohë dhe unë të gjitha shkrimet e mëpastajshme do të kishin objekt të vetëm: luftën për çlirim të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëherëshme, e cila akoma ishte vendi i përkëdhelur i perëndimasve .Dikush kishte thënë: Shthurja e shtetit jugosllav ka filluar në Kosoavë dhe atje do të mbarojë. Sa të drejtë kishte pasur!..

Ndërkohë Shkëlzeni punonte papushim që të mësonte gjuhën greke dhe krahas me studimet në Institutin e Tito Johallës, nisi të  bënte kërkime në arkivat e shumta të Athinës, duke filluar nga ato muzeale. Duke mos njohur akoma mire gjuhën  greke, vazhdimisht kërkonte ndihmën time duke m’u lutur shumë here t’i përktheja materialet e zbuluara në arkivat greke.Me nxitjen time gjeti shkrimet më të herëshmne të Fan Nolit të botuara në revistën greke “NOUMAS” me pseudonimin Mavromatis. Këto shkrime filozofike-shoqërore ja përktheva dhe ai i botoi në Prishtinë (më vonë do të botoheshin dhe në Tiranë, pa përmendur sigurisht emrin e përkthyesit!!!) Ndërkohë ai udhëtoi në Trakë ku takoi motrën e Nolit, Sulltanën e cila rronte akoma. Ai bënte një veprimtari të dendur si në Athinë ashtu dhe në Prishtinë ku herë pas herë botonte në revista dhe gazeta studimet dhe zbulimet e tij historike nga arkivat e pasura dhe të pacënuara greke. Mund të themi plot goje se ishte studjuesi i pare shqiptar që mundi të hynte në arkiva e “mbyllura” të Ministrisë së Jashtëme greke, ku zbuloi dhe botoi dokumenta të panjohura të shtetit grek që kishin të bënin me të ashtuquajturën “Çështje Shqiptare”. Nga kjo punë intensive erdhi dhe libri parë i tij:  “MARRËDHËNIET SHQIPTARO –GREKE (1829-1881) Prishtinë 1990. Instituti Albanologjik. Ky botim para se të  jipet për botim e kishim shoshitur të dy me hollësi. Madje, për këtë ai më kishte sjellë që në vitin 1987 desertacionin për diplomim- doktoratën që kishte të njëjtin titull në të cilin unë i bëra mjaft vërjetje të cilat ai i mori seriozisht parasysh. Pas kësaj ai e hapi rrugën vetë- edhe më pare materialet i zbulonte vetë dhe dua të theksoj se ndihma ime ishte më tepër  morale, ose e pjesëshme përsa i përket gjuhës greke. Me kalimin e kohës ai bëri dhe miq të tjerë grekë dhe arvanitas në Greqi ku shpesh udhëtonte për takime dhe kërkime të materialeve. Në një nga udhëtimet tona  nga Athina nç Korfuz duke kaluar në luginën e famëshme të Margëllëçit, ai më pyeti se si quhej më parë një fshat (shumica e fshatrave në atë zone kanë ndërruar emra) I thashë se quhej Laurat. Pas një viti kur I lindi djali ai i vuri emrin…LAURAT! Si rrjedhojë nënjëfarë mënyre jam emërvënësi i djalit të tij të cilin shpresoj diku ta takoj dhe ta ngushëlloj….

Në vitin 2004 ai botoi librin e dytë historik: “Shtegëtimet dhe Ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII-XIV”   Prishtinë 2004. Libri i tij i fundit që më ra në dorë është: “GJURMË  NË HISTORINË SHQIPTARE” dhe shumë artikuj  përkatës të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme akoma dhe në ato greke. Ndërkohë takimet tona po rralloheshin- ai ishte larguar nga Athina  dhe punonte në Prishtinë. Sa here udhëtoi në Athinë me grupe pune ai më lajmëronte të takoheshim ndonse në përgjithësi ai më vinte në shtëpi dhe  ne e konsideronim si djalin tone. Madje na hyri në zëmër dhe e shoqja, Remzia të cilën e kujtojmë me dashuri. Kisha shpresë se pas  fitores kundër sërbomëdhenjve dhe pas shpalljes së pavarësisë do të kisha dhe unë fatin të udhëtoja në “Kosovën time” për të cilën kaq kisha “luftuar” e shpresuar. Mjerisht u “harrova”plotësisht në një kohë ku herëpasherë organizoheshin mbledhje”seminare” takime me shqiptarët e Greqisë (domethënë emigrantët e ardhur pas  shëmbjes së komunizmit në Shqipëri) të cilët i quanin…diasporë. Nëpërmjet tyre dhe veçanërisht nga gazetari i njohur Abdurahim Ashikut, i cili ka udhëtuar në Prishtinë disa here me këto grupe të ftuara, mësoja të rejat e Kosovës dhe për miqt e mi atje, sidomos për Shkëlzenin tone. Herën e fundit, në vjeshtë e kaluar, më tha se nuk kishte mundur të takohej me Shkëlzenin se kishte qënë pak i sëmurë. Kjo më shqetësoi shumë dhe, duke mos pasur mënyrë tjetër komunikimi i dërgova një e mail. M’u përgjigj se nuk ishte gjë serioze, por më vonë më tha se do të udhëtonte në Stamboll për një ndëhyrje kirirurgikale.  i u përgjigja duke i u lutur të më lajmëronte nga Stambolli, ose si të kthehej në Prishtinë se isha shumë i shqetësuar…

Mesazhin e fundit e mora prej tij më 4 janar 2014. Më thoshte se shkonte mire…Dhe lajmi i kobëshëm më erdhi nëpërmjet internetit në shtypin kosovar…Shkëlzeni na “tradhtoi”! Ai na mori radhën duke harruar se ne e konsideronim “djalë” akoma. Dhe ishte vetëm 62 vjeç!! U nxitua së tepërmi Shkëlzeni ynë…nuk i kishim ne faj që të na lëndojë, të na japë kaq dhimbje kur ndërsa unë prisja që ai dikur  të kujtohej të shkruante për mua, detyrohem unë të  shkruaj kujtimet për të. Jeta është shumë e padrejtë,ç’të bëjmë?

QOFTË I PËJETËSHËM KUJTIMI YT I DASHUR SHKËLZEN! NJERËZIT E TU TË RROJNË DHE TË TË KUJTOJNË!

Kristo Zharkalli, 27 shkurt 2014, Athinë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI YNË, KRISTO ZHARKALLIU, SHKËLZEN RAÇA

Elegji per vellain tim, Vladimir Curre

February 27, 2014 by dgreca

Nga  Bukurosh Curre*/

Deshiroj qe me shpirt ti Ladi te ishe ai qe shkruan Elegji per mua Roshin!
Sot jemi mbledhur per ti dhene lamtumiren e fundit vellait, prindit, bashkshortit, shokut dhe mikut me te dashur tonit Ladit…ai u nda nga jeta shume shpejt, ai kishte shume gjera te programuara ne mendjen dhe shpirtin e tij per te plotesuar, se bashku me te gjithe ne; por semundja e pa meshireshme dhe e rende e ndau nga jeta…dhe eshte shume e hidhur qe ai nuk eshte me ne,megjithate,ne sot jemi mbledhur jo per te qare ,por per te folur per jeten e tije….Vellai im Ladi, ishte vetem dy vjet me i vogel nga mua ,ai ishte me shume shok se sa vella ,ai ishte njeri i shkelqyer me veyrtyte te veçanta…Ai e jetoi jeten te plote ne te gjitha drejtimet , dhe ndaj ai do te donte qe ne sot te kremtonim aritjet e tije….
Ladi lindi ne 12 Mars te vitit 1960 ( e shikoni ne te gjithe se bashku po kremtojme ditlindjen e tije…) dhe se bashku me ne pese vellezer e motrat e tjera u ritem ne bukurite natyrore te veriut te Shqiperise…kaluam atje femijerine tone…mbidhnim lule benim kurora…hanim manaferra…Ladit  i pelqente te nxinte mustaqet me manaferra dhe me thoshte…e shikon ngjaj tamam si gjysh…dhe un qeshja… atje mbaruam shkollat fillore dhe tetevjeçare .Ladi ishte shume punetor ne pushimet verore punonim dhe benim gara, ai shpesh ma kalonte dhe pse un isha me imadh.. ai asnjehere nuk ankohej …Ladi ishte shume inteligjent dhe ambicioz ,kerkonte gjithmone te arrinte ate çka ishte me e persosur…mbaroi shkelqyer shkollen e mesme dhe  ishte i talentuar ne vizatimin teknik ,deshironte te behej inxhinier…kishte talent te veçante ne pikture ( I pikturonte persosour femrat, dukeshin si te gjalla) por sistemi i asaj kohe si per te gjithe e vendoste talentin pas valixhes se planifikimit dhe e detyroi te shkonte ne shkolle ushtarake nga ku edhe pse pa deshiren e tij,mbaroi me rezultatet me te larta dhe u emrua ne qytetin e Korçes…gjate gjithe kohes eshte shquar per pune te shkelqyer dhe per kontribut dhe ndihme ndaj kolegeve te tije…Ladi kishte nje aftesi te veçante per ti afruar njerzit , i bente te gjithe per vete kur ishte ne rrethe shoqerore ,fjala e tij kishte pushtet, fliste me garanci dhe kompetence ,ndaj kur ai fliste kishte vetem heshtje dhe te gjithe degjonin, ai dinte te komunikonte me kedo ,per ate ishin te gjithe shoke e miq ,ishin te gjithe te barabarte nuk kishin te rreshtur njerzit qe vinin dhe e vizitonin ne spital…kur un rrija me ate ne spital me thoshte ndjehem shume veshtire qe nuk kam mundesi te ngrihem dhe te bisedoj me keta njerez kaq te mire dhe te mbrekullueshem qe harxhojne kohen,vijne per te vizituar mua dhe un rri shtrire …kur un postova ne FB kete lajm te kobshem , nuk kishin te rreshtur klikimet dhe komentet per keqardhjen dhe ngushellimet e drejtuara nga shoket dhe te njohurit e Ladit per ate vete dhe te gjithe ne qe na rrethon kjo dhimbje….
Ladi ishte nje bashkshort i dedikuar dhe prind i shkelqyer ai fliste me shume respekt  dhe dashuri per familjen e tij dhe i  donte ata me shume se cdo gje ne jete , ai fliste me shume dashuri dhe respekt per bashkshorten Eden…I mbeti shume mirenjohes qendrimit te saj deri ne momentet e fundit prane tije .Fliste me dashuri dhe pasion per dy vajzat e tije ,Ketlin dhe Kristel ,ishte krenar me rezultatet qe ato arrijne ne shkolle…dhe sot ato i premtojne qe do ta mbajne fjalen ,do te dalin me rezultate te shkelqyera ashtu si ai nuk rreshte se enderruari…ate e solli ne jete prekja e duarve te njoma te nipit te tije Eros..dhe lotet i rrodhen ne faqe edhe pse kishte ore te tera qe nuk permendej…
Le te qendrojme te gjithe te bashkuar ashtu sikurse ladi na donte…ai eshte ketu midis nesh dhe ne kemi kujtime nga me te bukurat me te…le te ndajme keto kujtime dhe te jemi te gezuar te qeshur ashtu si ai na donte te ishim gjithmone…tani un po ju them fjalet e tij : Mos harroni te qeshni… gezohuni gjithmone mos u ndjeni fajtor “sepse u dashka te qani per mua sot ne kete ndarjen time fizike nga ju” po qeshet dhe u gezuat un do jem per here me ju……qeshni se un po ju degjoj…qeshni qe un te ndjehem I gjalle !
Le te jene kujtimet per Ladin ato qe sjellin Pranveren tek ne .Jo me kot Ladi lindi ne muajin Mars, muajin kur çelin manushaqet, kur buzeqeshin zambaket ,kur gjelberon bari e çelin  lulet e pemeve…ai do te mbetet pranvere ne zemrat tona, ne shpirtin tone…dhe kur per pak kohe ne do te na godase guri i ftohte i loteve…mos ta zgjasim shum po te qeshim ,te qeshim qe ti bejme vend Ladit ne shpirtin tone keshtu qe per Ladin sot nuk eshte nje lamtumire por eshte nje lloj i veçante pershendetje TUNGJATJETE!!!
E perjeteshme qofte dashuria dhe kujtimi  jot Vella Ladi!

*Bukurosh Curre eshte anetar i Kryesise se deges se vatres ne Jacksonville, FL. Federata “Vatra” dhe Gazeta “Dielli” i shprehin ngushellimet me te thella per humbjen e vellait!

Filed Under: Featured Tagged With: Bukurosh Curre, Elegji per vellain, Vladimir Curre

SHTËPIA E ËNDRRAVE

February 26, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/

Qielli i mbuluar nga retë ndehej si në një agoni të rëndë. Vranësira e zezë e kishte zaptuar tërësisht dhe dita ishte kredhur në një muzg të zymtë. Megjithëse ishte pranverë, dukej sikur të ishte palca e dimrit. Heshtja e thellë mbizotëronte në të gjithë natyrën.

Dy emigrantët bashkëshortë, së bashku me tre fëmijët po ktheheshin përfundimisht në vendlindje e tyre në Shqipëri të detyruar nga kriza greke. Gruaja mundohej të qetësonte vajzën e vogël katërvjeçare. Ndërsa dy djemtë, njëri shtatë dhe tjetri nëntëvjeçar, flinin kruspull me njëri-tjetrin në sediljen e pasme të makinës. Shqetësimi i trishtuar endej në sytë e bashkëshortëve. Nuk ishte aq për stuhinë, që po i zinte në mes të rrugës, se sa për merakun, se si do të përballonin jetën, të cilën duhej ta nisnin sërish nga e para. Të dy djemtë duhej të fillonin shkollën në gjuhën shqipe edhe një herë nga klasa e parë. Kishin menduar të merrnin një dyqan me qira. Por si do t’u ecte puna vallë?… Kjo pyetje i mundonte të dy njëkohësisht dhe mendimet e tyre ishin si retë që vargëzoheshin lyer me ngjyrën e errësirës..

-Këto re si turbullira e kafes, nga na u qepën pas sot!…- u dëgjua zëri i Fatmirit.

-Koha bën punën e saj, o burrë, – i tha Mina.

-Po ku e gjeti pikërisht në këtë ditën e sotme! – përsëriti ai.

Vajza e vogël nisi të grindej dhe e ëma po mundohej ta qetësonte. Ah, sikur dielli altruist t’i shpërndante këto re dhe tu uronte mirëseardhjen. Po edhe dielli, siç dukej ishte fshehur për shumë kohë nga retë. Mina qetësoi vajzën dhe u mbështet te sedilja. Për një moment mbylli sytë e lodhur dhe e kaploi gjumi…Një melodi si tinguj funebër, dukej sikur i vinte nga thellësia e shpirtit dhe zhurmonte  në të gjithë qenien e saj. E ndjeu veten si e veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve, duke ecur në një rrugë, ku këmbët i zhyteshin herë pas here në baltë. Nga pas e ndiqnin zogj të dobët, me lëkura të holla sa u mbulonin skeletin, dhe e gjithë natyra përreth dukej gri. Pemët gjysmë të rëna, dukeshin sikur dimri do i hante me gjithë eshtrat e mbetura të natyrës. I ftohtit e bënte të dridhej. Papritur në rrënjën e një peme të djegur, pa një plakë me flokë të thinjur, që mbante në dorë një gotë qumësht. Ajo i tha: “Pije bijë, të kesh fuqi për të vazhduar udhën, ke udhë të vështirë për të bërë!” Kur Mina zgjati dorën, gota ra dhe u thye nga një gur me majë të mprehtë dhe qumështi i derdhur u nxi nga balta. U zgjua befas e trembur nga dremitja. Zhurmën e krismës së qelqit e kishte akoma në timpanin e veshi. Lëvizi të shpihej dhe rregulloi pozicionin e vajzës.

Sakaq ia behu stuhia. Shiu zuri të binte me forcë, sikur donte ta hidhte makinën që ecte përpara si ndonjë kleçkë. Një vetëtimë dogji ajrin dhe frika ndaj saj formoi një fotofobi në sytë dhe zemrat e tyre. Vetëtima mizore, me zhurmën e frikshme, dukej sikur donte t’i kthente andej nga erdhën, për të mos vazhduar më tej… apo ndoshta zemra e kësaj stuhie, ndonëse e frikshme, mund të fshihte një mesazh, një dhembshuri nëpërmjet të folurës me britma bubullime? Të pestë ishin të shqetësuar derisa të mbërrinin në shtëpi. Ndoshta fatet janë të shkruara në qiell, dhe po ashtu qielli dërgonte sinjalet në format e veta.

Në mbrëmje ata arritën në qytetin e tyre. Kishin marrë më parë një shtëpi me qira, dhe këtej e tutje, ajo do t’i strehonte brenda jetët e tyre.

Ditët në vazhdim vijuan me marrjen me qira të një dyqani dhe nisën për të sistemuar aty raftet e duke vendosur ushqimet. Mina ishte mësuar në Greqi me një jetë të lodhshme plot sakrifica, duke punuar orë pa orë në pastrimin e shtëpive të ndryshme. Këtu ajo do te merrej me shitjen, kurse Fatmiri do të bënte gjithmonë më furnizimin me artikuj të ndryshëm. Dalëngadalë puna filloi të ecte. Pra, jeta me nismën e tyre private, po merrte drejtimin e saj.

Kaluan dy vjet. Fatmiri dhe Mina blenë truall për të ndërtuar një shtëpi. Shumën për ndërtim menduan ta merrnin kredi në bankë, por më parë duhej leja e ndërtimit, që kredia të ishte e volitshme, me pak rrethana lehtësuese. Pikërisht këtu filluan ecejaket e ditës për fatmirin. Qëndrimi i ftohtë i zyrtares me pretekstin se “janë bllokuar lejet” ishte njësoj sikur t’i binte mbi kokë pesha e gjithë njerëzve të qytetit. E ç’kërkonte ai, në fund të fundit, vetëm të bënte një shtëpi në mënyrë ligjore. Një ditë takoi rastësisht, Enon, shokun e viteve të rinisë. Pasi i tregoi hallin, mori prej tij premtimin se do ta ndihmonte. Ditën tjetër ata shkuan së bashku në bashki. Eno diçka i tha zyrtares së ftohtë dhe u ngjitën në katin e dytë, pikërisht te drejtuesja kryesore. Atë e quanin zonja Deni, një grua e vjetër, e shëndoshë, me sy tinëzarë, të ethshëm për të hedhur grepin e peshkimit. Kuptohej se e gjithë qenia e saj ishte shdërruar në një specie, që priste baticën e ardhjes së peshqve, për t’i sjellë të ardhura për një jetë luksoze në vitet e mbetura të jetës. Në pallton e shtrenjtë që kish veshur, rrotullohej një shall i bërë nga bisht dhelpre. “Ah kjo dhelpër deti!”- mendoi papritur Fatmiri.

-Përshëndetje, Deni! – i tha Eno.

-Si je Eno? – u dëgjua ajo duke rrotulluar sytë mbi Fatmirin.

-Unë mirë, Fatmiri është shoku im,- e prezantoi Eno -Të lutem ndihmoje, pa dyshim që do ta kesh kafen tënde…

-Përshëndetje, zonja Deni, – i tha Fatmiri,- nëse mund të më ndihmoni do t’u jem mirënjohës…

-Do të ndihmoj patjetër, si për Enon… Por s’varet vetëm nga unë. Janë edhe njerëz të padukshëm mbas meje…

-Si bëhet, të më dali leja e ndërtimit? -pyeti Fatmiri me padurim.

-Si fillim nevojiten treqind mijë lekë të reja, pastaj do të them edhe për nevojat në vazhdim… Unë nuk marr asgjë. Dua vetëm, që për ndërtimin e shtëpisë, të marrësh firmën e burrit tim. Pas mbarimit të shtëpisë, do kesh edhe hipotekën në dorë.

Fatmiri përtypi pështymën e mbledhur në fyt dhe tha:

– Mirë, paratë do i keni në mëngjes… –  i doli nga buza me gjysmë zëri dhe ata dolën bashkë me shokun.

– Po nuk e vajose rrotën e fatit me vaj, ajo nuk ecën këtu në Shqipëri…- i tha Eno.

– Faleminderit, Eno, – do shihemi… ia ktheu Fatmiri pa e zgjatur.

Fatmiri vazhdoi rrugën për të bërë furnizimin e dyqanit. Ato treqind mijë lekë të reja ishin të vetmet që u kishin mbetur nga kursimet e viteve të punës në emigracion… Por çdo bëhej vallë më tutje, si do të lëkundej lavjerrësi i fatit?… Ai mendoi se njeriu lodhet dhe plaket më shpejt nga të menduarit, se sa nga ritmet biologjike. Duhej të gjente para të tjera borxh, për të vazhduar më tej. ”Niset njeriu të ndërtojë një shtëpi ligjore, tu lërë një çati fëmijëve të tij, por kjo ose bëhej e pamundur, ose duhej të hidhte vallen, sipas dirigjimit të hijenave nëpër zyra. që ushqeheshin vetëm me para… Këmbët i hiqte zvarrë duke vështruar përtokë dhe ndonëse pranvera sapo kishte hyrë, Fatmirit i dukeshin sikur edhe pemët rrinin të përkulura me kurriz, duke peshuar se “a duhej të çelnin”. Sikur lulet e pemëve të ishin perla dhe krahët e zogjve, copëza drite ylberi, të gjithë do të përpiqeshin t’i rrëmbenin. Sa e varfër do të ishte kjo botë e zhveshur tërësisht. Ato para që i kishin mbledhur me rruazat e djersës së tyre, nga mundi dhe sakrifica e përditshme, tani ishin një dorë ryshfeti për lejen e ndërtimit.

Bisedoi me të shoqen dhe të dy ranë dakord që t’ia jepnin lekët zonjës Deni të nesërmen. Njëkohësisht do të bisedonin me motrën dhe vëllanë e Minës, nëse kishte mundësi ti ndihmonte me para borxh. Motra dhe vëllai i Minës u treguan të gatshëm me ato mundësi të pakta që kishin ta ndihmonin Minën e tyre. Fatmiri dhe Mina e kishin ëndërruar gjithë jetën një shtëpi të tillë dhe e kishin përfytyruar mes tyre deri në detajet më të imta….Si në një pasqyrë ku shikon imazhin tënd, ballin, hundët,buzët, po ashtu ata shikonin, një formë të thjeshtë, dyert e bardha, verandën, kopshtin përpara me llojet më bukura të luleve, trëndafilat në vazot e mëdha qeramike, por mbi të gjitha përfytyronin një shtëpi që do ta gëzonin pasardhësit e tyre… Por, ah, sa e vështirë ishte deri në realizim. Në shtetin fqinjë, ku kishin jetuar vite me radhë, zyrtarët i përmbaheshin rigorozisht ligjit. Këtu në zemrën e vendlindjes, arteriet kryesore ishin të pushtuara nga korrupsioni. Ky korrupsion kishte fytyra, emra, dhe ligji interpretohej në varësi të letrës së çmuar që mbante emrin “para”…Brenda mureve të zyrës shtetërore, të gjithë sa vinin, të tallazitur nga jeta, pranonin kushtet, që djersa e tyre mos të shembej të nesërmen.

Tre muaj pas dhënies së bakshisheve pa fund, më në fund ata morën lejen e ndërtimit. Tani do të ishin të plotësuar me dokumenta, për t’iu drejtuar bankës, e cila pas firmosjes së letrave, aprovoi marrjen e kredisë. Pas tre muajve të tjerë, me kërkesa pa fund, shuma e përcaktuar nga bashkëshortët, kaloi në firmën e burrit të zonjës Deni, pra, të zotit Hilmi Hoxha. Një stërhell i gjatë, i thatë, me sy të vegjël, me lëvizje të ngadalta si gjarpri kur zvarritet. Ndonjëherë mendimi që krijon për tjetrin në vështrimin e parë, të mbetet deri në fund, sepse imazhi i krijuar është rezultat i refleksit që krijon energjia e tij. Megjithëse ai bënte një jetë materialisht të mirë, shpirti i dukej si i prejardhur nga një jovertebror. Këtë përshtypje kishte Fatmiri kur e takoi për herë të parë zotin Hilmi….Ai ndjeu sikur të kishte pranë një gjarpër-njeri që mundohej të tregohej i njerëzishëm. Sado Hilmiu rrekej të buzëqeshte, ai përsëri ngërdheshej dhe bëhej më i shëmtuar me mollëzat që i rrudhoseshin në gropat e fytyrës. Koka e tij tullace, dukej si e një dordoleci që kishin harruar ti vinin paruke.

Hilmiu e siguroi që punimet do i fillonin të nesërmen, sipas projektit që kishin bërë. Fatmirit i erdhi një valë e ngrohtë në zemër. Më në fund ëndrra do bëhej realitet i prekshëm. Ethet e emocioneve e kishin pushtuar të gjithin. Ditët derdimene tani duhej të kalonin shpejt… Kjo ëndërr i kishte zaptuar trurin. Flinte dhe zgjohej me të vetmen figurë shtëpie të vizatuar në tru. Kush ka jetuar me qira, e di që imazhi i ëndrrës është pikërisht një shtëpi. Shkonte çdo ditë për të parë punimet, çdo tullë që vihej, çdo brez muri dhe shtëpia dalëngadalë po merrte formë.

Por një ditë, kur shtëpia ende s’kishte mbaruar, Hilmiu e mori në telefon Fatmirin të takoheshin tek shtëpia e re. Të nesërmen në mëngjes pasi u përshëndetën Hilmiu i tha:

-Siç e shikon, ka dalë shumë e bukur, tamam sipas projektit. Deri këtu erdhëm me shumën e bankës. Janë akoma dyert, dritaret, punët hidraulike, elektriket dhe pllakat për të bërë… Këtu ke fletët e llogarive, sa janë derdhur bashkë me koston e tyre…

Fatmiri nuk mund t’u besonte veshëve. Ato fjalë të thëna aq thjeshtë, patën fuqi të tronditnin keqas ëndrrën e tij.

– Si është e mundur? – shfryu Fatmiri… -Unë nuk e mora të gjithë shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Afërsisht dy milionë i mbajti banka për shpenzimet e saj. Tani u dashkan edhe rreth tetë milionë lekë të vjetra të mbarojë!… – Ndërkohë ai mendoi me habi të pazakonshme, si ishte e mundur, që disa njerëz me atë ftohtësinë e tyre të akullt, ta kalbin botën e ta bëjnë jetën për të hedhur në kosh . A nuk e dinte ky njeri se kjo shtëpi ishte jeta e tij. Dhe iu kthye tjetrit përsëri:

– Unë nuk besoj kurrsesi, që 28 milionë lekë mos të dalin për një shtëpi 100 metra katror…

-Ke preventivin dhe fletët e llogarive në dorë… – ia ktheu Hilmiu krejt indiferent.

Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe ndjeu nevojën t’i shkrehej atij si pistoletë, por e përmbajti veten.

– Edhe unë, në ndërtim kam punuar, nuk erdha nga pylli… – i tha me zemërim dhe shikoi sërish letrën e llogarive… –Hë, një rrjetë teli njëqindmijë lekë të vjetra, u bë një milion… Edhe materialet, i paske vënë dyfish, hekurin nga 6,1 ka vajtur me 7,5. E kështu ndoshta nuk do të dalin as tridhjetë milion të tjera.. Unë do të marr një inxhinier ndërtimi t’i bëjë saktë llogaritë, dhe atëherë do flasim ndryshe…

Stërhelli i gjatë u zbeh dhe i tha me nxitim:

– Unë jam inxhinier ndërtimi dhe kjo shtëpi kaq ka kushtuar, por nuk përjashtohen gabimet, t’i po më akuzon? – u shkreh ai dhe i doli përpara ta ndalonte të ikte.

– Ti e di që jam zhytur i tëri në kredi e borxhe, – i tha Fatmiri me mllef të rëndë.

-Veç atij gabimi të zeros, të gjitha janë në rregull. -ngulmoi në fjalët e tij Hilmiu.

– Do flas me bankën, të kalojë edhe dymilionshin që është mbajtur, por llogaria e thjeshtë është se për një shtëpi të ndërtuar me firmë po shkon 300 mijë për metër katror zotëri…

-Mos do t’i vë unë paratë nga xhepi im?! – i tha Hilmiu i nxehur

– Unë kam ardhur përditë në ketë shtëpi, kam shënuar dhe numëruar çdo material, llogarinë do e bëj me një inxhinier ndërtimi, më hap rrugën! – i shfryu Fatmiri dhe e shtyu fort me dorë.

Oborri i shtëpisë me copa tullash dhe dërrasa me gozhdë të hedhura pa kujdes, bëri që Hilmiu të pengohet në një dërrasë, dhe të bjerë mbrapsht duke e përplasur kokën në një tullë të thyer.

Fatmiri i tronditur, rendi në çast dhe shkundi, por ai nuk përgjigjej…

– O Zot më ndihmo…Hilmi, përgjigju! – bërtiste duke u dridhur. Pastaj me mundim e vuri trupin e tij në makinë dhe rendi drejtë spitalit.

Aty iu përgjigj disa pyetjeve të mjekut, dhe pastaj ai e pyeti gjithë ankth:

-Doktor ka vdekur?…

-Jo u përgjigj mjeku, – është në koma, por nuk dimë nëse do zgjohet apo jo…

Oh tmerr i vërtetë. Kurrë nuk kishte menduar, se qoftë edhe një aksident pa dashje nga dora e tij, mund t’i merrte jetën tjetrit… Si erdhi ky çast memec, kjo ditë e nëmur,që tronditi shpirtin e tij. I dëshpëruar thellësisht, për herë të parë në jetë mendoi: “A ia vlen të jetosh, i privuar nga ëndrra, nga familja, nga liria e varfër”. Kurrë nuk i shkonte mendja se mund të vriste një njeri… Dhimbja e tij u rrit si një gjembaç, që me degët shpuese theu dritat më të bukura të ëndrrës së tij. Dhe tani i zhytur në errësirë priste vendimin ”çdo të ndodhte?”

Brenda disa orësh Fatmiri ishte shndërruar krejtësisht në një kufomë që shpirti e kishte braktisur plotësisht

Pas shpjegimeve të Fatmirit, mjekët njoftuan policinë dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor, deri në përgatitjen e paraqitjes penale…

E gjithë familja iu bë gardh, që ai mos të binte në depresion. Eno, shoku i tij e ndihmoi dhe solli avokatin më të mire, me shpenzimet e veta. Kurse Zonja Deni, bëri çmos që ai të dënohej me burgim të përjetshëm, ndonëse rrethanat lehtësuese ishin në favor të të tij.

Megjithatë Fatmiri u dënua trembëdhjetë vjet heqje lirie. Tani i rënë krejt moralisht ai po hante lotët e dëshpërimit. Kishte jetuar ndershmërisht në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë sherre, as t’i binte njeriu në qafë, ndërsa tani, burgim për vrasje pa dashje. Ai u mbyll brenda fortifikatës së heshtjes së pafuqishme, duke kujtuar ditën e parë të kthimit në atdhe… Ndoshta ishte thjesht një paralajmërim fati… Donte të ulërinte, sikur ta thyente qiellin dhe ta kthente mbrapsht kohën me ujëvarat e hidhërimit… E gjithë kjo periudhë trembëdhjetëvjeçare ishte një rrjedhje e hidhur.

Mina shiti makinën për të larë borxhet dhe për të rregulluar disi një dhomë të shtëpisë së pambaruar. Ajo punoi në dyqan e vetme, me ndihmën e pakët të fëmijëve të vegjël. Shpesh për të furnizuar dyqanin, ajo bashkë me fëmijët i merrnin produktet nga magazinat e ndryshme dhe i mbanin me krahë deri te dyqani. Por pesha më e madhe ishte përgjegjësia që kishte për ta, në mungesë të Fatmirit. I duhej të ishte edhe nënë edhe baba. Mes mundimesh dhe sakrificash të mëdha, me të ardhurat e vogla të dyqanit, ajo pagoi këstet mujorë të bankës dhe rregulloi disi shtëpinë.

Ndërkohë Fatmiri i kërkoi djalit të motrës së Minës që studionte për inxhinieri ndërtimi, t’i dërgonte librat e tij dhe të gjithë kohën e kaloi duke studiuar. Ishte vetëm dyzetë vjeç kur u fut në burg, dhe doli prej andej pesëdhjetenjë. Dy vjet iu ulën në kuadrin e një ligji për rehabilitimin e të dënuarve me sjellje të mirë.

Daljen e tij nga burgu e pritën të gjithë me lotë që nuk shternin. Kur iu afrua shtëpisë, ai po e përkëdhelte me sy njësoj siç përqafoi fëmijët. Dhe pasi vështroi gruan e tij me sytë e dashurisë dhe mirënjohjes, tha me vete: ”Vërtet unë isha fatkeq në këtë jetë, por jam me fat që kam një grua të mirë dhe fëmijë të mbarë…”

 

Filed Under: Featured Tagged With: SHTËPIA E ËNDRRAVE, Tregim, Vjollca Tiku Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 720
  • 721
  • 722
  • 723
  • 724
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT