• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU ËSHTË GUCIA?!

February 25, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ /

1.

Ku është Gucia?! Si kushtrim, dhimbje e huti e lëshova këtë pyetje në “qytetin e Kelmendit” sapo e pashë për herë të parë në maj 2010. Nuk ishte si në vitin 1836 kur udhëpërshkruesi  hulumtues, frëngi Ami Boue, dijenon se kësokohe  kishte 300 shtëpi  kur Plava numëronte vetëm 100 shtëpi. Gucia me rrethina kah  fundi i shekullit  XIX mbrrini në 1.600 shtëpi, sa dyfishi i atyne në qytetin e Plavës. Dikur, në Guci, organizohej një nga panairet ma të mëdhenj në Turqinë Europiane e shtetet ballkanike kufitare. “Panairi i Tetorit” i mblidhte në Guci pasanik pareli nga Stambolli e Italia, nga Kroacia e Hungaria, nga Shkupi e Shkodra. Në Guci i kanë pasë dyqanet e tyne Ali Pashë Gucia e Haxhi Zekë Byberi, valiu i Bosnjës e sanxhakbeu i Shkodrës, Begollët e Pejës, Rexhepagajt e Plavës, etj.

Nëpër Plavë-Guci truponin disa rrugë të mëdha si ajo nga Kotorri në Stamboll për 19 ditë e banin rrugën korirer zyrtar dhe karvaje të tregtarëve venedikas etj. (deri me 200 apo dhe 300 kuaj ngarkesë). Kisha me folë gatë po veçse po e mbylli me një fjalë të fillimit: Ku është Gucia?!!!

2.

Gucia, nga gjysma e dytë e shek. XVII kur ishte e ndamun më veti me sundimtar kapedan i kështjellës, Shabanagët e Gruemirës së Shkodrës, ishte vend i begatë me fisnikëri, sofër, trimëri, me tregti, etj. Me ramjen e Sanxhakbeut të Shkodres, Sulejman Pashë Bushatlliut, iku edhe dhandrri i tij Shabanaga në vitin 1695  e i tërhjeki aq shumë Gucia saqë më 1724 kthehet djali i tij, Ali Begi (Alia i Parë) e Rexhepagajt mblidhen prapë në Plavë. Prapë Gjyl Begi i Shabanagajve, ramjes së pashallekut të Shkodrës, në vitin 1831, i ra disi fuqia, po ia lenë drejtimin e Gucisë djalit të vet Hasanit e, tevona, nënprefekt (kajmekan) caktohet Ali Pashë Gucia i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në kohën e Gjyla Begut Gucia e Plava kalojnë nga ana administrative nga sanxhaku i Shkodrës me atë të Pejës, që pas triumfit të Luftës të Ultinës së Epërme të Limit (Nokshiq, Pepaj, Arzhanicë) emënohet nga Porta e Lartë mytesarif i Pejës deri në vitin 1885 kur e vrasin në hjekësi për aktivitetin e tij.Dy herë, pas Shpalljes së Pavarësisë (1912-1913) dhe të ashtuquajturës “Koha e Shqipnisë” (1941-1944) krahina etno-historike e Plavë-Gucisë pushtohet e aneksohet nga Mali i Zi i krajl Nikollës së Parë dhe Jugosllavia e Dytë e Titos…

3.

Dikur, Haxhi Zekë Biberaj, burrështetas i madh, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deklaronte: “Plava e Gucia janë çelik kalaja e Shqipërisë.Të lejosh dorëzimin e Plavës e Gucisë armikut, është si t’ia japësh atij çelësat e Atdheut e t’ia hapësh dyert e Pejës e të Gjakovës”. Një gazetë amerikane e cilëson si “Ballkon i Alpeve”…Ku është Gucia?!Dikur, në fillesa të shek. XX, gazeta të Nju Jorkut e të Parisit shkruajnë se në Guci, në nëntokën e saj është varrosur një nga dy krahët e Skënderbeut. Ndoshta edhe kjo iu dha forca në luftë kelmendasve kundër serbëve, nën udhëheqjen e Pjetër Bogdanit e përkrah Austriakëve, apo në Luftën e Nokshiqit (Lufta e Luginës së Epërme të Limit) në dhjetor 1879-janar 1880, e cila është “parathënia” e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës. Ku është Gucia?!

Dikur, shekullin e kaluar, Fishta i madh tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcies” thotë se në Guci është “Ora e Shqypnisë”. Prapë edhe pas kësaj ndamje të thiktë e të fikët, shovene, genocid politik, lutemi Zotit e guciasve shqiptarë (plavë-Gucias) që “Ora” e saj të jetë zgjuar realisht, që të na heqin të drejtën morale e historike të pyetjes: Ku është Gucia?!

Dikur, Gucia ishte pjesë, dmth. nahije, kaza, kapiteni, po tashti pas pushtimit të saj nga malazezët e Çetinës e serbët e Beogradit në mbi njëqind vjet pushtim, aneksim, shfrytëzim, asimilim, shpërngulje, etj. në shek. XXI, komuna e re e Gucisë është jo pjesë, po copë-copë…Vetë guciasit e shohin realitetin e saj me sy, e prekin me dorë, e ndjejnë në sofrat e kokat e tyre… Ku është Gucia?!

Tiranë, 26 shkurt 2014

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ku eshte Gucia, Ramiz Lushaj

BURRËRIA E MEHMET GEGËS

February 25, 2014 by dgreca

 Nga Zeqir Lushaj/ Trimëri dmth, të mbrosh veten nga të tjerët; burrëri dmth, të mbrosh të tjerët nga vetja/-PORTRET –  Tiranë, gusht 1992 /Mehmet Gega, për të cilin po shkruaj këto radhë, është një nga shqiptarët e patundur të Tetovës. Sot ai është rreth të 80-tave. Eshtë shumë i njohur, jo veç në qytetin e Tetovës por, dhe në rrethinat e tij e më gjerë.Për trimëri e burrëri, për atdhetari që nuk bëhet mëdyshë.Mehmet Gega ka vuajtur, ditë me ditë, 20 vjet burgim, nën regjimin totalitar të ish Jugosllavisë. Edhe sot është i fortë, i mbajtur, i kthjelltë e veprimtar i palodhur i Bashkimit Kombëtar Shqiptar.Jeta e Mehmet Gegë Tetovës, ka shumë për të shkruar, por nuk e ka këtë qëllim shkrimi im i sotshëm. E njoh mirë Mehmet Gegën. Kam ndenjur jo pak me të në oda burrash. E kam pritur e përcjellur edhe në Tiranë.

Baca Mehmet, flet pak e rrallë, por të tjerët, duke folur më shumë për të, të njohin me burrërinë e trimërinë e tij. Dhe këtë që do të shkruaj më poshtë, ma thanë të tjerët për Mehmet Gegën. Ndaj unë po e shkruaj, duke i kërkuar ndjesë Bacës Mehmet, se është diçka që edhe mund ta lëndojë.

Veç, nuk mund të rri pa e shkruar, se është një “leksion” i bukur për shumë shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë e vise të tjerë, në diasporë e kudo. Se është shembull burrërie shqiptare, që aq shumë po na duhet në këto ditë të sodit. Jam i bindur se, Trimi, do të më kuptojë drejtë.

…!!

… Mehmet Gegës i dalin në rrugë dy shqiptarë. (Shqiptarë, por, ma paçin pikë faqën e zezë!). Pa e zgjatur tregimin, po them esencën. Ata, të dy, e rrahën poshtërsisht Mehmet Gegën, për një “ngatërresë” të mëparshme! Kjo rrahje u bë problem. Dy burrat që kryen aktin e shëmtuar, milicia i merr në arrest, për vepër të paligjshme. Thirret aty edhe Mehmet Gega, si i dëmtuar. E ballafaqojnë dhe kërkojnë që Ai, të bëjë denoncimin me gojë e me shkrim!

– Këto të dy të kan rrahur? – e pyesin Mehmetin, në organet përkatëse?

– Jo! -përgjigjet prerë, Mehmet Gega. Këta jo vetëm që nuk më kanë rrahur, por unë as nuk i kam parë ndonjëherë me sy!!

Mbas insistimit të Bacës Mehmet, se ata persona nuk e kishin rrahur as nuk i njihte, kuptohet, dhe milicia ishte e detyruar t’i lironte dy shqiptarët. At’herë, të tre së bashku, dolën e morën rrugën për në shtëpitë e tyre.

– Si u bëka kjo punë kështu, o Mehmet Gega, – e pyetën plakun e nderuar, burrat e Tetovës?

– Eh, more burra, – foli ashtu qetë-qetë Mehmeti.- Mue më rrahën vëllezërit e mi. Dy shqiptarë rrahën një shqiptar. Sikur unë të pranoja se këta më rrahën, atëherë milicia do t’i rrihte ata në syun tim. A mund të duronte Mehmet Gega që zaptuesi i huaj, t’ia rrah vëllezërit e tij ndër sy? Pasha besën jo! Ma mirë unë i rrahur nga vëllezërit e mi, se sa vëllezërit e mi, të rrahur nga të huajt…!

…!

Kështu, ka bërë, plot bindje e atdhetarizëm, burri i nderuar, Mehmet Gegë Tetova.

Ma don mendja se, çdo shqiptarë, e vlerëson dhe mëson jo pak nga kjo burrëri e Mehmet Gegës. Ndoshta ky rrëfim i thjeshtë do të jetë edhe me shume  se “një leksion” edhe për ndonjë lider a forcë politike në Shqipëri e në trevat shqiptare, që, jo rrallë, më lehtë e gjenë gjuhën e përbashkët me të huajt se sa me vëllezërit e tij!

Ky shëmbull, më kujton atë filozofinë e thellë e të pagabueshme të popullit se:- “Trimëri, d. m. th. të mbrosh veten nga të tjerët; burrëri d. m. th, të mbrosh të tjerët nga vetja”.

Mehmet Gegë Tetova, fliste pak. Vepra e Tij, ne, të gjithëve, na flet e duhet të na flasi, të na mësojë e të na orjentojë edhe më shumë…Drejtë shqiptarizmës së vërtetë.

–Ky portret,është nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes”, faqe 61 , që autori Zeqir Lushaj,ka botuar në Tiranë,në “Kristalina KH”, 2009-(Ne Foto: Mehmet Gegë Tetova,(Për gazeten DIELLI në USA, fundshkurti, 2014)

Filed Under: Featured Tagged With: Burreria e Mehmet Geges, Zeqir lushaj

Qyteti i Bronxit nderoi me Proklamat disa figura të çështjes shqiptare

February 25, 2014 by dgreca

Presidenti i Bronxit, Ruben Diaz Jr, pati nderuar në ditën e pavarësisë së Shqipërisë disa prej figurave të çështjeskombëtare shqiptare: Ali Ibra – Neza, Isuf Gervalla, Musli Mulosmani, dhe Ambasadoriin Bekim Sejdiu konuslli i përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork. Ceremonia e dorëzimit u zhvillua të dielën në kolegjin Monroe në Nju Jork/

 BEQIR SINA, Bronx New York/

BRONX NEW YORK : Një nga politikat e administratës lokale në pushtetin vendor në Shtetet e Bashkuara është ajo e ndërtimit të marrëdhënieve shumë të mira mes komuniteteve. Duke bashkëpunuar me udhëheqës të këtyre komuniteteve lider lokal , kryetar bashkie, apo president qytetesh me iniciativën e liderve të komuniteteve vlerëson me nderimin më të lart të qytetit, apo shtetit përkatës, figura dhe personalitete të dëshmuara të këtyre komuniteteve, edhe në se ata janë nga vend origjina e tyre.

Në këtë praktikë, ka qenë dje dhe nderimi që bëri me Proklamat – mirënjohjen më të lart të qytetit të Bronxit, Presidenti i saj  Ruben Diaz Jr, i cili pati nderuar në ditën e pavarësisë së Shqipërisë disa prej figurave të çështjes kombëtare shqiptare: Ali Ibra -Neza, Isuf Gervalla, Musli Mulosmani, dhe Ambasadoriin Bekim Sejdiu konuslli i përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork.

Ceremonia e dorëzimit të Proklamatës, u zhvillua të dielën në Kolegjin Monroe në Bronx – Nju Jork, dhe morën pjesë dhjetra vetë, mes tyre edhe anëtarët e familjes Neza, nipi i Ali Ibrës, Gani Neza, si dhe lider të komunitetit, veprimtarë të dalluar të komunitetit dhe professor e studentë të Kolegjit Monroe. Ndërkohë, që duhet theksuar se Proklamata është ndarë në kuadër të kremtimeve të 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e organizuar nga Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro – Amerikanë, dhe është një inisiativë e presidentit të saj zotit Easd Rizai, për të nderuar edhe fugura të tjera kombëtare.

Trashgimtarët e patriotit të flakët nga Malësia e Gjakovës, Ali Ibra – Neza, Halit dhe Gani Neza, me këtë rast kan shprehur një falënderimin të thell për Presidentin e qytetit të Bronxit, zotin Ruben Diaz Jr, për nderimin që ai i ka bërë figurës së Ali Ibrës. Ata shprehen gjithashtu kënaqësin që morën pjesë në këtë ceremoni për të marrë pjesë në nderimin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezaj, shtatorja e të cilit, është vendosur, në qendër të Gjakovës, dhe është nderuar me medalje edhe nga ish Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Gani Neza, tha se “Faleminderojë Zotin dhe SHBA që sollën këtë ditë të vlersohen edhe këto figura të mëdha kombëtare, që rregjimi i Enver Hoxhës, i përbalti dhe i mbuloi me pluhurin e harresës dhe denegrimit- Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët dhe Amerikën”, tha ai.

Një faleminderim të posaçëm me këtë rast për presidentin e qytetit të Bronxit, zotin Ruben Diaz Jr, shprehu edhe anëtari i Senatit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, zoti Musli Mulosmani, një veprimtar i dalluar i komunitetit, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, ambasadori Bekim Sejdiu, të cilët u nderuan me Proklamatën e Qytetit të Bronxit.

Pinjolli i Nezajv të Tropojës, Halit Neza me këtë rast kujtojë ish Kryeministrin e Shqipërise, zotin Sali Berisha i cili ka thënë se :“Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar” tha Neza, ka deklaruar ish Kryeministri Berisha ” në nderimin që i ka bërë kësaj figure me përmasa kombëtare në Gjakovë vitin e kaluar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, nderoi em Proklomata, Qyteti i bronxit

Shëmbulli i mirë i familjes Jashari

February 25, 2014 by dgreca

Shëmbulli i mirë i familjes Jashari që jeton e punon në Horby të  Suedisë se si duhet Atdheu e si duhet të ndihmohen njerëzit me halle të mëdha/

Nga Xhavit Çitaku/

Ka sponsorizuar edhe botimin e librit të dytë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë me titull “Thesari Kombëtar 2” për Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive që organizohen në këtë vend nordik. Do përmendur se Alberti është anëtar i Kryesisë së SHSHASHS-së “Papa Klementi i XI Albani” dhe i Kryesisë së Lidhjes së  Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Amaneti i babait  të ndjer po përmbushet në plotni

*Dhjet familje në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë me mjetet e Albert Jasharit furnizohen me artikuj ushqimor për çdo muaj.- Kjo familje dha kontribut të madh material edhe në çlirimin e Kosovës, në Fondin e Trepërqindshit dhe tani në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve  Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi e kudo tjetër që e kërkon nevojaMërgata shqiptare, që fatkeqësisht po rritet e zhvillohet në dhe të huaj, diti për të rrezatuar po ato ideale që ushqyen më pastaj edhe të gjeneratat që po lindin me ndjenjen e të dashurit të atdheut. Është kjo një vepër e pandalur e prindërve atdhetar që kanë për dheun e bukurit e rralla që ka vendlindja. Në fakt, është dëshmuar sa e sa herë se vetëm ai që jeton në mërgim di ta dojë aq shumë atdheun, di të shkruaj aq bukur për atdheun, di të luftojë për atdheun, di të sakrifikojë për atdheun, di të ndihmojë në të gjitha format kur populli është me halle të mëdha. Për fat të mirë kjo atdhedashuri po përcjellet e po vjen në shprehje edhe tek gjeneratat e reja, të cilat edhe pse të lindur dhe të ardhur të vegjël në një shtet tjetër me kulturë e traditë krejt tjetërfare, iu nda zemra në dysh për gjithë atë tmerr që kishte ndodh në Kosovën e dashur. Këta të rinjë, patriot të vërtetë, nuk e tjerrën mendjen aq shumë për pasojat që do të mund të kishin por me një krenari shqiptare u mobilizuan në radhët e UÇK-së dhe ia kthyen pushkën armikut. Morën pjesë në shumë beteja dhe lufta e tyre heroike bëri që në shumë sosh të dalin fitimtar. Luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre u vranë në altarin e lirisë e qindra të tjerë u plagosën. Të tjerët ia kishin mësyer rrugës tjetër për të ndihmuar popullin. Pa kursyer asgjë ndanë mjete të konsiderueshme materiale për shumë familje gjatë e pas luftës që edhe njëherë e vërteton konstatimin se sa shumë mërgata e donë atdheun e mendon aq shumë për një pjesë të popullit që vështirë e kanë të mbajnë ekonomikisht familjet e tyre.

Një shembull i mirë që duhet të shërbej edhe për të tjerët është ai i Albert Jasharit nga Vidishiqi i Mitrovicës, i cili në këtë vend skandinav kishte ardhur në vitin 1994 së bashku me familje kur i kishte vetëm 12 vjet. Vazhdoi shkollën fillore, kreu shkollën e mesme si dhe përfundoi me sukes kursin për biznes në Fakultetin Ekonomik të Lundit. Punoj në disa firma të ndryshme derisa i shkoi përdoresh që të hap edhe sallonin e veturave dhe dy restauronte që me sukses i udhëheq tash e tetë vite. Këtij të riu nuk i lë përshtypje ky biznes që ka aq më shumë kur populli ka aq probleme të mëdha ekzistenciale në Kosovë. Alberti e përmend në fillim amanetin që është duke ia përmbush në plotni babait të ndjer Enver Jasharit, një veprimtarë i madh këtu në Suedi, që kishte ndërruar jetë në vitin 2012. Në të vërtetë, tash e shumë vite më parë babai i tij kishte hapur një fond në një shitore në fshatin Dobërllukë të Vushtrisë, në të cilën dhjetë familje për çdo muaj furnizohen me ushqime dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm jetësor. Kjo ndihmë vazhdon t’iu ndahet këtyre familjeve edhe më tej derisa ato të kenë nevojë. Dhe jo vetëm kaq. I lidhur shumë me vendlindjen Alberti udhëton katër pesë herë për në Kosovë në vit dhe për çdo vizitë ndihmon edhe shumë familje të tjera dhe merr pjesë në shumë aksione humanitare që organizohen. Ka sponsorizuar edhe botimin e librit të dytë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë me titull “Thesari Kombëtar 2” për Pavarësinë e Republikës së Kosovës , me mjetet e tij ka blerë tërë inventarin e nevojshëm për zyrën e kësaj shoqate si dhe ka ndihmuar shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive që organizohen në këtë vend nordik. Po ashtu, ka hequr të gjitha shpenzimet e delegacionit të kësaj shoqate për të marrë pjesë në formimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në Kuvendin zgjedhor mbajtur më 23 Nëntor 2013 në Koblzen të Gjermanisë. Ky i ri dorëshlirë ka plane mjaft ambicioze që edhe në të ardhmen të shtrijë ndihmën në formë edhe më të ndjeshme për shumë segmente të nevojshme hëpërhë në Kosovë. Do përmendur se Alberti është anëtar i Kryesisë së SHSHASHS-së “ Papa Klementi i XI Albani” dhe i Kryesisë së Lidhjes së  Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Do t’i kishim mbet borxh kësaj familje po të  mos i kishim thënë edhe dy- tre fjalë edhe për babain e Albertit, Enver Jasharin, që la një bagazh të pasur të veprimtarisë atdhetare në Suedi. Punoj natë e ditë në sensibilizimin e situatës së rëndë në Kosovë, mori pjesë e organizoj dhjetra protesta kundër okupimit serb, dha kontribut të çmuar në Fondin e Trepërqindshit, ndërsa luftën çlirimtare e ndihmoi me qindra mijëra korona si dhe shumë aktivitete tjera të organizuara. Pos atyre dhjetë familjeve që i zumë në gojë më lartë, Enveri ka ndihmuar edhe “ Hendikosin” në Mitrovicë, arsimin në Kosovë dhe shkollën fillore në vendlindje. Ishte njëri ndër themeluesit e formimit të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë. Vdiq në fund të shtatorit të vitit 2012 në Kosovë nga një sulm në zemër. Vdiq aty ku deshi, aty ku kishte gjithnjë mendjen, aty ku kaloi pjesën më të bukur të rinisë, duke ua lënë amanet fëmijëve që ta vazhdojnë rrugën e mbarë për të kontribuar në interesin e çështjes kombëtare dhe humanitare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: i familjes Jashari, shembulli i mire, Xhavit Citaku

Për një Tour D’Horizon Shqiptar dhe Evropian (II)

February 24, 2014 by dgreca

NGA GENTI MIHO*/

Në ditët e sotme gjeopolitika dhe zhvillimet botërore ushtrojnë më shumë ndikim në rajonin tonë nëpërmjet diskursit shoqëror, politik, diplomatik e fetar sesa nëpërmjet sektorit privat, ndryshe nga ç’ndodh në Islandë. Disa nga këto ndikime, së bashku me praktika monopoliste në vend, pavarësisht doktrinës ekonomike të majtë apo të djathtë që përfaqësojnë, pengojnë mirëqenien e njeriut të zakonshëm dhe zhvillimin e vendit. Mendimet në këtë shkrim të dytë janë një tour d’horizon, sic kanë parë marinarët me shekuj horizontin për të drejtuar anijen larg rrezikut dhe drejt erërave të mbara.

Bllokimi i pjesshëm i tregut dhe shkëmbimit të lirë në rajon është një nga arsyet kryesore të mungesës së mirëqenies ekonomike ku gjenden sot shqiptarët, si rrallëkush në kontinentin evropian.Një zonë e lirë është lehtësisht e realizueshme, jo vetëm në letër, por si praktika të njësuara që prekin cdo aktivitet të sektorit privat. Do të krijonte një hapësirë me burime më të shumta njerëzore, toke dhe kapitali vendas mes të paktën tre shteteve me shqiptarë dhe do të përfaqësonte më shumë fitim për firma investitore. Më rëndësishëm, është ekosistem për të vendosur kapacitete të mëdha prodhuese për shitje gjetkë, nga rrjedh një treg më i fuqishëm për produkte të tjera nga jashtë. Ky do të ishte ambient më i përshtatshëm për investime gjermane dhe amerikane. Po të kishte treg të lirë, kompanitë gjermane dhe amerikane do ta shikonin më pozitivisht edhe rrezikun politik, situatën e sundimit të ligjit dhe nivelit arsimor në rajon.

Bllokimi i pjesshëm por dominues i këtij tregu të lirë dhe shkëmbimi të lirë është simptomë e një krize të thellë shumëvjecare: shkërmoqjes së ekonomisë në themelet e saj. Një stimul ekonomik i ngjashëm me Planin Marshall, si politikë ndërshtetërore evropiane “Rindërtim, jo Meremetim!” duhet të kishte filluar sa më shpejt që të ishte e mundur, për shembull në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit. Sipas rëndësisë, në radhë të parë mungesa e vullnetit në Evropë, së dyti udhëheqjet e ndryshme brenda shteteve me shqiptarë dhe së treti politika e jashtme amerikane në mbështetje të integrimit evropian janë tre faktorët që nuk kanë dhënë rezultat për stabilitet dhe zhvillim mes shqiptarëve.

Pa këtë stimul ekonomik nuk ka pasur asnjë shans për të sjellë ndryshime rrënjësore pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në Shqipëri e Kosovë. Mungesa e stimulit përbën edhe bazën e vërtetë të një destabilizimi të vazhdueshëm shoqëror, politik, fetar apo kriminal në rajon, por edhe të dëshpërimit dhe varfërisë në masë të shqiptarëve. Mungesa e këtij stimuli ekonomik, që shfaqet edhe si vonesë, për cfarëdolloj arsyesh, e hyrjes në Bashkimin Evropian është kërcënim për sigurinë jetike kombëtare të shqiptarëve në të paktën një nga disa skenarët e mundshëm në të ardhmen.

Pasojat janë të njohura dhe në shumë raste të provuara: largon njerëzit nga mirëqenia individuale drejt nacionalizmave boshe. Krijon ambient për kaos, i cili mund të përhapet lehtë për qëllime politike, fetare apo interesa personale, si nga brenda edhe nga jashtë vendit. E bën të lehtë edhe kontrollin e institucioneve nga një individ ose grup me interesa të ngushta. Përfaqëson “brishtësi” për demokracinë si mosaftësi për të detyruar pushtetin të përmirësohet ndjeshëm nga një cikël zgjedhjesh në tjetrin. Si rrjedhojë, nxjerr jashtë loje konkurencën ekonomike si motor për të krijuar pasuri, në pamundësi të së cilës diskutimet dhe energjitë e shqiptarëve kanalizohen vetvetiu drejt shpërndarjes së pasurisë ose fjalosjes.  Pasoja më e rëndë është se tkurr hapësirën për përdorimin e dijeve dhe praktikave të mira të punës qe shpie në degradimin e pashmangshëm të tyre dhe realizimin e hapësirës shqiptare si hambar aftësish të pakualifikuara për tjetërkund.

Pamundësia për sundimin e ligjit krijon njëkohësisht mundësi për kontroll të lehtë mbi shoqërinë si shprehje e progresit të vetëm një segmenti të vogël të shoqërisë. Nga ana tjetër, legjitimimi i strukturave kriminale, brenda ose jashtë shtetit, ndodh jo vetëm si pazotësi apo mungesë vullneti nga shteti për t’i eliminuar, por edhe si alternativë e vetme për njeriun e ndershëm të ndjekë rrugë të paligjshme në kërkim të mirëqenies legjitime personale.

Ky fenomen mund të barazohet, pa frikë se mund të gaboj, me totalitarizëm të pranuar si e keqja më e vogël nga të gjithë – zaptim të shtetit nga pamundësia për zhvillim – dhe zhvlerësim të shoqërisë dhe të njeriut, karakterit kombëtar dhe vullnetit të tij të lirë. Si situatë është e përafërt me një gjendje pas lufte apo fatkeqësie natyrore të përmasave kombëtare të cilat autori i këtyre radhëve i ka parë nga afër në disa shtete. Një situatë e ngjashme ndodhi në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore që solli në pushtet Hitlerin.

Në këtë rast udhëheqja evropiane, megjithëse me eksperiencë të gjatë në situata të ngjashme, e anashkalon realitetin. Retorika evropiane nuk duhet parë vetëm si dështim për të ndihmuar siç duhet, por edhe si fshehje e realitetit dhe me përgjegjësi të parë. Udhëheqësit vendas kanë kontribuar dhe e kanë pranuar këtë realitet si fait accompli, pjesërisht si vendosje e interesave të tyre personale para interesave të popullit të vet apo për të mos turbulluar ujërat. Po ashtu kanë përgjegjësi të parë.

Pamundësia për zhvillim prek interesat e te gjithëve, por sidomos ato të njerëzve të thjeshtë, të cilët s’kanë faj dhe asnjë gjë në dorë në këtë rast. Si kaos ky manifestohet shpesh si i organizuar në zanafillë, fillon me skript dhe vazhdon i çrregullt dhe shpesh i pakontrollueshëm në nivel institucional, në dukje i padeshifrueshëm, por gjithnjë me logjikën e vet. Prandaj mund të gjykojmë se krizat politike dhe ekonomike mund të ndryshojnë pak nga njëra-tjetra, por të ngjashme priten edhe në të ardhmen.  

Të mos bëhet pre dhe pjesë e këtij rreziku si kaos është motiv kryesor i autorit të këtyre radhëve, pasi i ka menduar me vite para se të arrijë me siguri të lartë në këto përfundime. Ndarjet politike apo të cfarëdolloji, jo vetëm si pasione të natyrës njerëzore, por edhe si kaos deri diku i qëllimshëm për interesa të ndryshme së bashku me fshehjen e së vërtetës edhe si frikë e trashëguar nga totalitarizmi duhen larguar që të mund të kuptojmë së bashku më mirë çështjet me rëndësi jetike. Vetëm pas kësaj mund të ketë përmirësim të ndjeshëm dhe të shihet sa janë shanset reale për shqiptarët për t’u vetzhvilluar si popujt e tjerë evropianë dhe sa mund të japin kontribut me ide dhe prodhimet e tyre në tregun e lirë evropian dhe botëror.

Këto fakte ekzistojnë jo si teori konspiracioni, por si skenar i njohur shtetndërtimi në nivel doktrine, që rezulton me lënien në mjerim e varfëri të shqiptarëve si evropianë në nevojë nga evropianët e pasur. Kjo duhet të shihet edhe si krizë identiteti evropiane dhe e popujve përbërës të Evropës që duhet të na bëjë më të vetëdijshëm për rëndësinë e veçantisë shqiptare dhe karakterit kombëtar shqiptar që shfaqet edhe me mbrojtjen e më të dobëtit. Po të fliste Evropa shqip si shqiptarët folën si shtet dhe si popull në Luftën e Dytë Botërore duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar hebrejtë, por edhe ish-pushtuesit italianë, shqiptarët do të ishin shumë më të zhvilluar ekonomikisht.

Rreziku për destabilizim dhe përhapje kaosi nuk është kërcënim vetëm për shqiptarët, por edhe për interesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, sidomos ato evropiane, përderisa shqiptarët jetojnë në Evropë.

Mungesa e angazhimit evropian për zgjidhje afatgjatë, jo vetëm të kurimit të simptomave të sëmundjes, ishte një nga arsyet kryesore që Shqipëria përfundoi si Koreja e Veriut, kur mund të ishte si Koreja e Jugut.  Kaosi që pasoi, sidomos nga varfërimi në 1991 dhe në 1997 preku edhe shtete të tjera në Evropë. Fatkeqësisht për ta ky problem ka rëndësi të dorës së dytë dhe konsiderohet si i pranueshëm dhe i menaxhueshëm përderisa nuk i prek direkt dhe po aq fort sa shqiptarët. Megjithatë, në një situatë të ngjashme në Evropë do të kishte shqetësime serioze në rrugët e Parisit apo Berlinit, gjë që do të pasonte me veprime konkrete stimuli ekonomik atje. Ky përfundim i autorit të këtyre radhëve vjen nga studimi, por edhe nga eksperienca në shtetndërtim për periudha të gjata në katër kontinente.

Kjo situatë, në dukje “pa shpresë”, por e ndryshueshme në nivel politikash shtetërore dhe ndërshtetërore, duhet ngritur si çështje alarmante me shkrim e me gojë. Autori vetë e ka ngritur në publik të gjerë me zotin Romano Prodi, ish-President i Komisionit Evropian, në vitin 2011 në Boston, me zotin Peter Feith, ish-Përfaqësues i BE në Kosovë, në Universitetin John Hopkins SAIS në 2012 dhe me zyrtarë të tjerë evropianë nëpërmjet pyetjeve në forume të ndryshme në Washington D.C. Duhet ngritur jo vetëm si çështje e Kosovës dhe e Shqipërisë por evropiane në radhë të parë, si barazi e shqiptarëve apo banorëve të tjerë evropianë njësoj si evropianët në Francë, Greqi apo Gjermani.

Kjo është njësoj çështje e SHBA, pavarësisht se Bashkimi Evropian de facto ka rol parësor në krahasim me SHBA.

Vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë themeluar “nga njerëz që qeverisin veten” dhe qëndrojnë pas atyre që kërkojnë të drejtat e tyre dhe sjellin paqe, stabilitet dhe drejtësi në botë. Duke pasur parasysh argumentet më sipër por edhe detyrimin moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para disa ditësh autori, si përfaqësues i organizatës “Vizion 21” të shoqërisë civile në Washington D.C., i bëri një pyetje në publik Zotit Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës së Punëve në Evropën Jugqendrore në Departament të Shteti: i përmenda “situatën e nderë” mes Kosovës dhe Shqipërisë si një nga rastet e mungesës së tregut dhe shkëmbimit të lirë në Ballkanin Perëndimor. Siç e pata parë vetë në terren para disa ditësh, kur pyeta njerëz të zakonshëm kudo në Kukës, në Morinë e Prizren, realiteti ishte se 25 vjet pas rënies së komunizmit ishte e vështirë të kalosh pa pengesa serioze edhe “dy kilogramë” suxhuk mes shumë rastesh të tjera, pa pasur rëndësi nëse ishte për arsye administrative apo në nivel politikash shtetërore.

Politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë përtej kontrollimit të problemeve njëdimensionale, drejt parandalimit strukturor të destabilizmit në Ballkanin Perëndimor, me rezultate afatgjata për begatinë e të gjithë evropianëve. Kjo mund të realizohet nëpërmjet një stimuli ekonomik me kosto të ulëta për Bashkimin Evropian, si në rastin e Spanjës.

Kështu iu përgjigj Zonja Madeleine Albright pyetjes sime në public, se pse ndihmoi shqiptarët në Kosovë: “Rugova kërkoi respekt për njerëzit e tij dhe ne ia dhamë atë”.

Në këtë përvjetor të papërfunduar të Pavarësisë së Kosovës, mendimet e shprehura për këtë tour d’horizon përfundojnë me respektin që duhet të fitojnë në radhë të parë udhëheqësit shqiptarë si dhe udhëheqësit evropianë nga populli shqiptar evropian. Shumë shqiptarë pa faj janë të ngujuar nga gjakmarrja, nga më të varfërit në Evropë, lindin në familje ku nuk ka asnjë libër dhe janë pre e krimit edhe pse janë popull po aq heroik dhe i veçantë, sa francezët dhe amerikanët.

Konvergjenca e ngadaltë ekonomike dhe ndihma e deritanishme kanë rezultuar në varfëri në masë mes shqiptarëve evropianë midis shkëlqimit dhe bollëkut evropian. Udhëheqësit evropianë duhet ta kërkojnë respektin siç duhet nga shqiptarët përtej retorikës politike, fajësimit të faktorit vendas dhe politikave ndërshtetërore të pjesshme. Trajtimi njësoj i çdo evropiani është bazë për identitetin evropian dhe për të ardhmen në kontinentin tonë.

*Genti Miho është bashkëthemelues i “Vizion 21”, organizatë në Washington D.C., që punon edhe për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. gentimiho@gmail.com

Filed Under: Featured Tagged With: D'Horizon shqiptar, Evropian, Genti Miho, per nje tour

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 724
  • 725
  • 726
  • 727
  • 728
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT