• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANGLISHTJA – GJUHË E PARË E SHEK. XXI

January 6, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.

             1.

Në vitet ’60 të shek. XX Kryeministri i Indisë, Jawaharlal Nehru, duke parë interesat perspektive të vendit të tij, ndërmori vendimin e drejtë politik për të fut e mbajtë Anglishten si gjuhë e huaj e detyruar në institucionet shtetërore dhe në ato arsimore e shkencore. Ai e ndërmori këtë hap madhor në një vend ku flitet kryesisht Gjuha Hindu (mbi 41 për qind e popullsisë) dhe 14 gjuhë të tjera zyrtare, në një vend që kishte dy dekada të Pavarësisë Kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe (15 gusht 1947).

Në sipërmarrjen e tij, Kryeministri largpamës Nehru, i kishte të gjithë kundër: edhe këshilltarë të tij, edhe ministra të tij, edhe ambienti, edhe gazetarët. Në disa shtete pati edhe protesta masive, pro e kundër gjuhës, me të vrarë, të plagosur e të burgosur. Edhe drejtësia indiane iu hodh në akuza e proçese gjyqësore.

Sot, Anglishtja, e ka ngritur në nivele të larta Indinë, aqsa ka shënuar arritje madhore në zhvillimin e shkencës e teknikës, në konkurimin me Gjuhën Kineze, në një lidhje në mes shteteve e kombeve të saj, etj. Investimet e huaja në këtë vend edhe anglishtfolës kanë shënuar kulminacione. India do të jetë shumë shpejt një nga superfuqitë e botës, jo vetëm nga numri i popullsisë, (aktualisht rreth 1.2 miliardë banorë), por edhe nga potencialet e saj të larta e të shumanshme, në synimet e saj për të qënë antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, etj. Këtë shembull e ka ndjekur dhe po e ndjek edhe Pakistani fqinjë e rival.

Në këtë rrugë me fryte të shpejta po ecën edhe Shqipëria, në zemër të Europës, populli më amerikandashës.

2.

Gjuha Angleze është gjuhë ndërkombëtare, gjuhë globale, gjuhë e parë e shek. XXI, që lidh kombe, raca e fe të ndryshme.Në dy shekujt e fundit  zhvillimet kryesore shkencore u arritën në vendet anglishtfolëse, prandaj Anglishtja cilësohet edhe si “Gjuhë amtare e shkencës”. Mbi 60 për qind e diturive të botës gjenden në anglisht.Sot në gjuhën angleze kryhen mbi 80 për qind e biznesit të komunikimit dhe mbi 70 për qind e komunikimeve në diplomaci e marrëdhënie ndërkombtare. Anglishtja është gjuha e sotme e internetit.

3.

Gjuha Angleze është gjuha e huaj kryesore e zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha trevat etnike shqiptare në Ballkan.

Si në BE dhe në NATO gjuha kryesore e folur dhe e shkruar në shtetet antare të këtyre dy organizmave ndërkombëtare është anglishtja, pavarësisht se BE ka 23 gjuhë zyrtare kryesore dhe në NATO janë vetëm dy gjuhë: anglisht e frengjisht.

Amerika anglishtfolëse, aleati strategjik e gjeo-politik më i rëndësishëm i Shqiptarëve, sipas programeve politike të dy dekadave të fundit të së djathtës e të majtës, është e mbetet lidere e NATO-s.

Amerika ka buxhet për ushtrinë, më shumë se çdo shtet tjetër i planetit dhe ma të madhin ndër të gjitha shtetet antare në NATO. Tri shtete anglishfoëse si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut dhe Kanadaja kanë buxhetin për ushtrinë ma të madh se mbi 20 shtete të tjera antare të NATO-s.

Në Bashkimin Europian 51 për qind e popullsisë së saj e flasin Gjuhën Angleze, si në Mbretërinë e Bashkuar, në Irlandë 95 për qind, Suedi 89 për qind, Maltë 88 për qind, Hollandë 87 për qind, Danimarkë 86 për qind, Qipro 76 për qind, Finlandë 63 për qind, Luksemburg 60 për qind, Belgjikë 59 për qind, Austri 58 për qind, etj.

4.

Gjuha Angleze është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, biles ma e përdorura në komunikime zyrtare të saj, ku  Shqipëria është një nga 192 vendet antare të saj, qyshse nga viti 1955.

Kjo ngjet për tri arsye: E para, se Anglishten e kanë gjuhë zyrtare të parë apo një nga gjuhët zyrtare të tyre 53 shtete të botës në të gjitha kontinentet, çka përllogaritet në 36 për qind të vendeve antare të OKB-së.  E dyta: për vet rolin, fuqinë e ndikimin e Amerikës mbi globin tokësor, në dete, ajër e planete të universit dhe në strukturat e OKB-së.  E treta: kontributi financiar i SHBA në OKB është sa i 180 shteteve antare të saj të marra së bashku.

Në vendet e G-7 Anglishtja është parësore: në SHBA është gjuhë kombtare, në Mbretërinë e Bashkuar gjuhë zyrtare, në Kanada është një nga dy gjuhët zyrtare, ndërsa në Francë, Gjermani e Itali anglishtja është gjuha e parë e huaj. Edhe në forumet e rajonit po flitet Anglisht.

Anglishtja nuk është një nga gjuhët  zyrtare kryesore vetëm OKB, NATO, BE,  Këshillin e Europës, OECD. Edhe në dy organizmat financiare më të fuqishme të botës: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombtar është gjuhë kryesore, ndërsa në konferenca, etj. interpretohet edhe në frengjisht, spanjisht, rusisht, kineze e arabe.Disa organizma ndërkombtare e kanë anglishten gjuhë zyrtare të vetme si Komonuelthi, OPEC, APEC, ASEAN, CARICOM, SAARC, etj., ndërsa në disa të tjera mbetet ndër gjuhët kryesore si në BE, OSBE, Konferencen e Vendeve Islamike, Unionin Afrikan, Organizatën e Shteteve Amerikane, në Agjensitë Ndërkombëtare të OKB, në organizma të Afrikës si COMESA, EAC, CEMAC, ECOWAS, etj.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 80 për qind e flasin anglishten, mbi 10 për qind spanjisht dhe pastaj vijnë gjuhët e tjera: franceze, gjermane, kineze, italiane, portugeze, etj.  Në Mbretërinë e Bashkuar anglishtja është gjuhë zyrtare, por 23 për qind flasin frengjisht, 9 për qind gjermanisht dhe mbi 10  për qind italisht, rusisht, arabisht, etj. Në Kanada janë dy gjuhë zyrtare – anglisht e frengjisht, ku anglishten e flasin 73 për qind e popullsisë, frengjishten 23.6 për qind, etj.  Në Francë, përveç gjuhës zyrtare frengjisht, 36 për qind flasin anglisht, 13 për qind spanjisht, 8 për qind gjermanisht, 5 për qind italisht, etj. Në Gjermani, përveç gjuhës zyrtare gjermane, flitet 56 për qind në anglisht, 15 për qind në frengjisht, 7 përqind rusisht, 4 për qind spanjisht, 3 për qind italisht, etj. Në Itali, përveç gjuhës italiane zyrtare,  flasin 29 për qind anglisht, 14 për qind frengjisht, 5 për qind gjermanisht, 4 për qind spanjisht, etj.

5.

Anglishtja, në kuadrin e nismës “Shqipëria Anglofone”, ka arritur të jetë gjuha e parë e huaj në vendin tonë dhe është pjesë e zhvillimit tonë kombëtar.

Duke i kushtuar kujdesin më të lartë Gjuhës Shqipe si Gjuhë e Identitetit Kombëtar, i është dhënë përparësi edhe Anglishtes, si pasuri personale dhe intelektuale për brezat e rinj shqiptarë dhe në shërbim të ardhmërisë kombëtare.

Anglishtja është gjuha e parë e huaj e detyruar e shqiptarëve si anglisht-folës (eglish-speaking) në shkollat shqiptare, biles ka nisur edhe nga cikli i ulët. Numri i nxësësve e studentëve që mësojnë anglisht përbën mbi 70 për qind të atyre që mësojnë gjuhët e huaja, si frengjisht, gjermanisht, spanjisht, etj. Në Maturën Shtetërore ka hyrë edhe Anglishtja si lëndë me zgjedhje, biles me koefiçentë të lartë.  Gjatë viteve të fundit ka rritje të numrit të mësuesve të anglishtes si dhe do të rritet edhe paga e tyre, e drejtëvlerësuar si e mësuesve të matematikës dhe informatikës.

6.

Anglishtja është gjuha me përhapje progresive më të madhe në botë.Ballkani i zhvilluar e integruar në rrjedhat e lartësitë e kohës do të ketë Anglishten gjuhë të parë të komunikimit në nivele rajonale e mes shteteve, në mes kombeve, racave e feve të rajonit.Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.Në këto vitet e fundit, janë rreth dy miliardë njerëz në të gjithë botën që po e mësojnë Anglishten si gjuhë të huaj, të cilët ndihen mjaft të përkushtuar ndaj përvetësimit të kësaj gjuhe globale.

 

Filed Under: Featured Tagged With: anglishtja, gjuha e pare e shek XXI, Ramiz Lushaj

S’na duhet islami i importuar dhe rreziku nga ai

January 6, 2014 by dgreca

Serbia te perëndimorët thotë që ne  jemi ekstremistë fanatik islamikë , kurse në shtete arabe thote se ne jemi muslimane properëndimorë të papërmisueshëm…

E e vërteta është se na jemi proprerëndimor e aspak islamistë ekstremistë …….Ndërsa Ismail Kadare shkruan …”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë…

Nga Fahri XHARRA/

Kush janë këta flliqtana me mjekrra që po na trazojnë? Ç´i duhet këtij populli që memzi e pa lirinë që të ballafaqohet me disa mbeturina  arabo-osmane të ndërsyera nga qarqet pansllviste  ? A jemi të vetdijshëm se me çfarë hapash të mëdhenj po e dërgojnë popullin tonë në humnerën e pa kthim të përgatitur në kuzhinat më antishqiptare?

Duke e shikuar të vërtetën në sy , atë të vërtetë e cila nuk mund të mohohet, pa asnjë dyshim lind pyetja se a jemi në debat artificial mbi fenë apo jemi duke fuqizuar një ndjenjë tonën për të cilën jemi krenar dhe të cilën po duan të na e mohojnë.

”Të gjithë ata që nuk ia deshën të mirën kombit shqiptar, vazhdimisht kanë bërë përpjekje që ta përçajnë, duke i nxitur pjesëtarët e saj që ta shohin njëri-tjetrin përmes dallimeve. Theksimi i dallimeve dhe nxitja e urrejtjes ndaj identiteteve partikulare të individëve e grupeve të caktuara, mjerisht po vazhdon edhe sot” shkruante dikush dikund. Po çfarë janë ato identitete ”partikulare ” të individëve ?  A ka kombi ynë aq shumë identitete qosjane ,sa të quhen edhe partikulare (të posaçme ) individuale, të cilave nuk po guxokam të iu përzihemi.? Jo. Ne e kemi një identitet , e ai është identiteti ynë shqiptar.

”Ngjizja e kombit shqiptar mbi këtë larushi (nga të gjithë popujt e Ballkanit, duke qenë edhe më të lashtët, mund të thuhet se shqiptarët më së shumti iu ekspozuan ndikimeve të ndryshme. Shumëllojshmëria kulturore e fetare, paraqet shtresëzimin historik të epokave, sipas kronologjisë,) nuk ishte punë e lehtë. Rilindësit shqiptarë, duke kuptuar frymën e kohës që po jetonin dhe me një vizion shumë të qartë për të ardhmen, iu përveshën punës. Përhapja e frymës kombëtare ndër shqiptarët e paarsimuar, edhe sot mund të duket një mision i pamundur. ”   na thoshte dikush  diku në një shkrim.

”Ay shkrin ishte shkruar sipas parimit:çfarë ka dashur autori të thotë me këto vargje? Si mund të ketë debat artificial kur konkretisht disa imam  kanë rrokur jataganin kundër gjysmës së popullatës dhe kundër kushtetutës? Debati jo vetem që s’ështëartificial po është kryekeput politik dhe relevant.(B.I)” …. dhe plotësisht me vend dhe frytdhënës.. Ne po duam e  po urojmë  qe t’i dalin dhe “pija” iluzioniste qe e ka mbërthyer sa muaj  atë që  shkruan mbi këte çështje sepse të dehesh pa pirë nuk është mirë..

:”Presioni mbi tjetrin që nuk ndan të njëjtat vlera dhe bindje me ty, është para së gjithash paranojë e shkaktuar nga injoranca dhe shpirtngushtësia. Drejtimi i gishtit kah tjetri që nuk është si vetja jonë, nuk na bën nder. Të gjithë kanë nevojë të frymojnë lirshëm, pa e pasur frikën nga përjashtimi i çfarëdo forme.”   (shkruan dikush diku)  ….dhe te na mbyllin  gojën ,e ne emer te tolerances te heshtim ? Kujt i duhet kjo tolerancë nda tyre?

Më erdhi çudi  që  shkrimshkruesi përpiqet kritikës në media, debatit t’i japë konotacion se debatin e kanë udhëhequr idiotë e shpirtngushtë kundër atyre që mendojnë ndryshe !… deri sa edhe unë unë jam vetë pjesë e atij debati, bile me zhurmë të madhe.

”Përhapja e frymës kombëtare ndër shqiptarët e paarsimuar, edhe sot mund të duket një mision i pamundur.” .(shkruan dikush dikund)……”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. (Ismail Kadare).  A nuk është kështu?

Me ta duhet të mirremi , duhet të mirremi me” flliqtanat me mjekrra (R.Haradinaj ) ” se janë të rrezikshëm , janë vulgarë dhe të pa moralshëm…..”Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to.(Ismail Kadare)

”Rryma të ndryshme fetare të cilat mundohen që islamin ta bartin në jetën tonë publike, ta bartin në diskursin tonë publik, ta bartin si një mënyrë tjetër jetese, më një diskurs tjetër mund të paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës. Kështu ka thënë në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Zëri”, ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Ai kërkon nga Ministria e Brendshme, ministri të tjera, agjenci të ndryshme që të jenë më të vëmendshëm.“Këtë se çfarë unë po e them para jush e kam ngritur edhe në takime të caktuara edhe në Evropë, por edhe në Lindje të Mesme”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, Kosova dhe qytetarët e saj në kuptimin e historisë, gjeografisë, në kuptimin e kulturës janë evropianë. “Dhe agjenda jonë evropiane është rikthim në Evropë. Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin”, ka thënë ministri gjatë intervistës  ….Dhe duhet të the qartas se Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin ekstremist. Ta ruajmë atë që e kemi.

”Interesimi i Serbisë është që të lulëzojë radikalizmi islamik në Kosovë. Serbia e ka themeluar fondin special për destabilizimin e Kosovës së Pavarur dhe sektorin islamik, i cili ka fondin e pakontrolluar nga shteti. Islamikët radikalë shqiptarë kontaktohen nga sektori serb islamik në vende islamike. Islamisti shqiptar nuk ka njohuri se ai po kontakton një islamist që është kryekëput në shërbim të Serbisë, sepse kontakti ka emër mysliman, ka post në vende islamike, dhe i kryen të gjitha besimet fetare. Kontakti i tij do t’i japë para për t’i ndihmuar myslimanët në Kosovë apo Shqipëri, por nuk do t’i zbulojë asgjë se ato janë para të Beogradit për destabilizim të Kosovës.  ”( Reshat Sahitaj)

”Nga ana tjetër i garantojmë se Islami dhe muslimanët do të jenë identiteti kryesor dhe faktor i të mirave të përgjithshme të këtij populli. ” (deklarohet dikush tjetër kundër Ministrit Hoxhaj) .” Ndërkohë një dekret presidencial në Egjypt, shpall Vëllazërinë Muslimane një organizatë terroriste. Presidenti egjiptian, Adli Mansur, sot nënshkroi një dekret që parashikon përfshirjen e Vëllazërisë Myslimane në listën e organizatave terroriste. Dekreti parashikon, konfiskimin e aseteve të Vëllezërisë si dhe zbatimin e ligjit ushtarak për anëtarët e saj. ”(AScreen )….Nëse qendra e kulturore e botës arabe- Egjypti e sheh të arsyeshëm një hap të tillë… Më në fund të mbyllet edhe tek ne një herë e përgjithmonë një lojë e kurdisur.Boll Mo!

Serbia te perëndimorët thotë që ne  jemi ekstremistë fanatik islamikë , kurse në shtete arabe dhe të ndryshme muslimane se na jemi properëndimorë të papërmisueshëm.

E e vërteta është se na jemi proprerëndimor e aspak islamist ekstremist …….Ndërsa Ismail Kadare shkruan …”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë.

 

Fahri Xharra

04.01.14 Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Islami i importuar, S/na duhet

Kontribute Shekullore- Çifti Kenedi ishin te paret amerikane qe erdhen ne Shqiperi

January 6, 2014 by dgreca

Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët./

Nga Petro Luarasi/
Misionarët e parë protestanë amerikanë, që erdhën për një qëndrim të përhershëm në Shqipëri, janë çifti Kenedi (Kennedy) Të përndriturit: Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas ), të cilët mbërritën në Korçë më 26 mars 1908.
’’Çifti Kenedi…janë misionarët e parë të huaj Ungjillorë,që u shpërngulën në Korçë me ndihmën e Misionit Turk – Evropian”…(Xhon Kuanrud: Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.218)
Po ashtu studjuesi i mirënjohur Iljaz Gogaj thekson:
”Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”. (I.Gogaj:Shkolla teknike e Harri Fulci, f.7)
Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët.
Me këtë rast kam nderin të korrigjoj pasaktësinë e artikullit: ‘’Erikson…rezidenti i parë amerikan në Shqipëri” (Gazeta 55”, 15 korrik,2003, f.12) dhe zotin kryeminister tani.
Si rezidencialët e parë të huaj dhe për rëndësinë e aktivitetit të tyre 30-vjeçar në Shqipëri, Violet e Fines Kenedi përfaqësojnë misionarët amerikanë më të devotshëm dhe më të suksesshëm. Ata qëndrojnë me meritë në krye të nderimit tonë ndaj veprimtarisë protestante në dobi të popullit shqiptar.
Zonja Violet Kenedi qe shoqe gjimnazi me Sevasti Qiriazi –Dakon në Manastir dhe për hir të saj mësoi mirë gjuhën shqipe. Çifti Kenedi erdhën në Shqipëri duke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në veprimtari kulturalo-arsimore, fetare (ungjillorë) e humanitare, mbarëkombëtare, të ndihmuar me fonde nga bordi i misioneve amerikane në Ballkan. ’’Brodhën” kudo nëpër Shqipërinë hallemadhe.
”Mjerimi që hoqi populli shqiptar në këtë kohë, na mbushi me simpati për të dhe na nguci që veç punës shkollore të merreshim me përkkrahjen shoqërore dhe mirëbërje’’, shkruan zonja Kenedi.
Ndër të tjera ata ndihmuan riçeljen e Shkollës shqipe të Korçës me drejtor Petro N.Luarasin, ku Fines jepte anglisht e Violet, frengjisht e muzikë. Atje ata ishin edhe mësuesit e Skënder Luarasit me të cilin krijuan një lidhje të përjetëshme.
Kur më 1910 autoritetet otomane i mbyllën shkollat shqipe, në sajë të autoritetit të çiftit Kenedi si përfaqësues të protestantëve amerikanë, shkolla e vajzave në Korçë mbijetoi duke u emëruar “Shkolla Amerikane”. Nga thënia e Hil Mosit: ”Gruaja e arsimuar është shtylla e kombit”, gjykohet paksa edhe për meritën e çiftit Kenedi e të bashkëpunëtoreve Sevasti e Parashqevi Qiriazit. Në këtë shkollë mësoi e u edukua, punoi e u bë ”bijë shpirtërore” e çiftit Kenedi dhe vajza e P.N.Luarasit, Shega Luarasi (Uçi).
I.Gogaj ( ”Shkollat amerika në Shqipëri”,f.20) shkruan se në 10.9 1924 qeveria e Nolit e njohu zyrtarisht shkollën e çiftit Kenedi: ”…me personel mësimor Fines Kenedi, Violet Kenedi, Aspasia Efthim e Shega Luarasi… Në vitin shkollor 30-31 shkolla arriti numrin më të madh të nxënësve , me 123 nxënës dhe me dhjetë mësues …Mila Gjokoreci,Ollga Plumbi,Shega Uçi(Luarasi), Aspasia Efthim.”
Çifti Kenedi u larguan nga Shqipëria më 1936 duke ia dorëzuar drejtimin e misionit çiftit Eduin e Dorotia Xhejks të cilët u përzunë në vitin 1940 nga pushtuesit .
”Trupi im është këtu, por zemra ime është në Shqipëri…S’më vjen keq për të këqiat që hoqa për Shqipërinë”, shkruan zonja Kenedi në Sh.B.A.
Pas çlirimit, kur ata cilësoheshin ”agjentë të huaj”, për veprimtarinë e shquar të çiftit Kenedi, guxoi të fliste e të shkruante vetëm ndonjë si S.Luarasi. Një studim dinjitoz për veprën e tyre, i botuar mbas viteve 90-të, gjendet në librin e I.Gogajt:’’Shkollat amerikane në Shqipëri ‘’.
Ndaj ‘’s’guxoj ‘’ të zgjatem, por shtoj vetëm se Violet e Fines Kenedi u ndanë nga jeta në moshë të shkuar e pa trashëgimtarë duke ia dhuruar kursimet çështjes shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: cifti Kendi, ne Shqiperi, Petro Luarasi, te paret amerikane

M A Q E D O N I A Z O N J Ë

January 5, 2014 by dgreca

Të dua o shqipe, o zot i Arbërit dhe të falënderoj, që na ruajte gjuhën shqipe, që ti na ke dhuruar! Ti, dikur na e fale një atdhe më të bukur se dherat e tjerë, por ne nuk ditëm ta ruanim tërësinë e tij! Ruajna këtë pak atdhe që na ka mbetur!…/

Nga Rasim BEBO/Chikago/

  Është fatkeqësi, se si ka marrë rrugë, që me emrin “Maqedoni” të quhen sllavët në Maqedoni, madje këtë termë përdorin shumë profesorë dhe doktorë shqiptarë. Njeri nga këta është Prof. Dr. Vebi Xhemaili i cili ka shkruar: “Falsifikimi i historisë kombëtare”, në gazetën “Dielli”, tetor 2013, f.33. Në Strugë është vendosur një pllakatë përkujtimore me këtë mbishkrim:  “Shqiptarët para 100 vjetësh kanë marrë pjesë në kryengritjen  maqedono – shqiptare , kundër okupatorit sërb”. Këtu ka një të drejtë, se sllavët e maqedonisë nuk luftojnë kundra sllavëve të sërbisë. Ajo që kundërshtohet është: se “emri maqedon- emri shqiptar dhe nuk është emër sllav. Z. Vebi Xhemaili e gjuajti me gurë emrin maqedon dhe  për këtë,  Z. Fahri Xharra thotë: “Kur ne, të kaluarën tonë jemi, duke gjuajtur me gurë, duke mohuar dhe duke mospërfillur ate e përvehtësojne të tjerët”. Ndersa ka figura të sllavëve në Maqedoni që thonë të vërtetën: “Vetë Konstandin Milladinov, poet i parë, asnjëherë nuk pranon se është maqedon,  ai, në fakt, e quan veten Bullgar, dhe të gjithë këta njerëz, që na paraqiten sot si ”maqedon i kosideron si bullgarë”. (“Rrënja”, pril 2011).                                                                                                                                                                                                                     Sllavët e Maqedonisë, në mungesë të historisë së tyre, shpikën historinë e paqënë, në mungesë të emrit, në mungesë të kombësisë, në mungesë të personaliteteve, përpiqen të përvehtësojnë personalitete  më të mëdha të shqiptarëve: Skënderbeun, Nënë Terezë. Migjenin.

Asimilimi u përballua gjatë 520 vjetëve të sundimit otoman, por ndodhi vetëm nga viti 1913 e këtej, kur e pushtojë sërbia dhe vazhdoi deri gjatë regjimit komunist.

Tani le të shikojmë se cilët janë maqedonët dhe cilët janë sllavët?                                 Historiani Amerikan Edwin Jacques shkruan: “Mbretëria e Maqedonisë (700-336 p.e.s.) Perdika  duhet të ketë qënë themeluesi i mbretërisë së tretë Maqedune, të krijuar në vitin 815 p.e s. dhe mbreti i parë i saj ishte pikërisht Perdika.  Herodoti e quajti si themeluesi i parë, i larguar nga Argosi pellazg, për në Iliri.  Kjo mbretëri përfshinte Selenikun dhe shtrihej në jug, me kufi Epirin, kurse në veri, me Ilirinë.  Kryeqyteti i saj ishte Edesa , sot Vodena në Maqedoninë perëndimore.   Më pas erdhën brez pas brezi mbreter të përmendur maqedonas, shqiptarë të sotëm.        Aminta (540-500).  Ky pranoi refugjatë të shquar të syrgjynosur nga Athina, si despotin Pisistrati me te birin Hipia me 510 p.e.s.  I cili zgjeroi mbretërin e tij drejt lindjes. Dari i Persisë në vitin 513 p.e.s. kaloi Hellospontin dhe pushtoi një pjesë tokë të Trakisë.

Ai i dërgoi mbretit Aminta një delegacion prej 7 oficerash më 507 p.e.s., për t’i kërkuar një dhuratë nga toka dhe nga uji si shënjë nënshtrimi. Aminta i nderoi miqtë me një festë të madhe. Persët ngulën këmbë që atje të merrnin pjesë edhe gratë maqedonase, mirëpo sjelljet e tyre të pahijshme, prej pijaneci, e zëmëruan të birin e mbretit, Aleksandrin. Prandaj ai sajoi një marifet, duke i larguar grate nga tryeza dhe i zëvëndësoi ato me djem të rinj të veshur si gra, por të armatosur me thika. Kur ambasadoret e kaluan masën, e paguan me kokë.  (f.98, nr. 21). Të kuptojmë se Aminta me qeverinë e tij, nuk iu përkul mbretit Dari, si më i fuqishmi i kohës para 2520 vjetëve, siç përulet sot, qeveria e jonë në mënyrën më të neveritshme, duke njollosur historinë tonë mijëravjeçare.                                                        Aleksandri I (500-454  Shprehu admirimin e rij për kulturën greke duke inkurajuar lidhjet e ngushta me Greqinë. Poeti më i madh lirik, Pindari i Tebës, thuri poema që e lavdëronin Aleksandrin. Atij i dhanë titullin “Felelini” ose “Miku i grekëve”. Një titull i tillë, dëshmon se mbreti i Maqedonis nuk  ishte grek. Herodoti na tregon, se njëherë Aleksandri i Maqedonisë shkoi në Olimp për të marrë pjesë në garat panhelene. Grekët deshën ta perjashtonin nga garat se nuk ishte grek por barbar. Mirëpo Aleksandri dëshmoi se ishte pasardhësi i Herkulit dhe i mbretërve të Argosit, atëhere ata e pranuan në gara.  (f. 98, nr 22).  Kur themistokliu u dënua nga Athina, Aleksandri i dha srehim në Pidna të Maqedonisë.        Perdika  II (454-413). Një fragment: “Athina nxiti trakasit në veri e në lindje përtë pushtuar Maqedoninë. Tuqididi lëvdonte kalorsinë maqedonase duke thënë: “Kur hidheshin në sulm, askush nuk mund t’u bënte ballë, pasi ishin kalorës të zotë dhe të armatosur mirë e me parzmore. (f. 99, nr. 27). Perdika, ashtu si i ati Aleksandri i-I-rë , i ftonte greket e shquar në pallatin e tij në Edesa. Kështu ai mirëpriti aty  Melanipidin, nje autor i shquar  lirikash. Hipokratin (460-375) p.e.s. “Babai i Mjekësisë i lindur në Kosin Pellazg, sherbeu te Perdika si mjek në pallatin e tij. (f. 100, nr. 28).                                                                                 Arkelau (413-399  hipi në fronin e mbretit të Maqedonise  pas të atit. Plini në veprën e tij “Historia Natyrore” shënon: “dhënia e udhëzimeve në bujqësi ishte një zanat me dinjitet të lartë, që faktikisht ushtrohej nga Arkelau. (f. 100, nr.32). Arkelau mirëpriti poetin tragjik, Euripidin, si pas Eskilit… Ai u largua vullnetarisht nga Athina për në mërgim në vitin 404 p.e.s., për arsye se vepra e tij nuk gëzonte njohjen e duhur nga njerëzit. Dy vjet më vonë pësoi një vdekje tragjike në pallatin mbretëror të Maqedonisë, i ushqyer nga qentë e mbretit. (po aty,nr.31).      Vijnë me radhë mbreterit e Maqedonis: Eropi i II (399-394 p.e.s.), Aminta II (393-369 p.e.s.), Aleksandri II 369-366 p.e.s.), Ptolemeu (366-364 p.e.s), Perdika III (364 -360 p.e.s.).                   

     Filipi II (359-336).  Në vitin 358 p.e.s. u martua me Olimpian, motrën e mbretit Aleksandër të Mollosit, krijoi një aleancë të ngushtë me Mollosët e Epirrit, të cilët, sipas gjeografit grek, Strabonit, u ngjanin maqedonasve nga gjuha, veshja dhe zakonet. (f.101, nr. 33). Për herë të parë në Histori të tri mbreterite pellazge Maqedoni,Epiri, dhe Iliria, d.m.th. shqiptarët e hershem, u vunë nën një prijës, nën mbretin Filipi II. Ai konsolidoi Maqedoninë dhe e zgjeroi më vonë, nëpërmjet “Falangës Maqedonase”, legjendarja e këmbësorisë.

Aleksandri i Madh (336-323 p.e.s,).  Aleksandri i III, i biri i Filipit, i njohur edhe me mbiemrin Leka. Hyri në histori me kalin kaluar. Lindi në Korrik të vitit 356.e.s., në Pela, në v.p. të Selenikut. Plutarku shkruante se të gjithë falltaret e Efesit, pasi vështruan rrënojat e tempullit të djegur, rendën nëpër rrugë duke thirrur: “ Ky ishte sinjali i lindjes së atij që do të shkatërrojë të gjithe Azinë. (F.104,nr.38

Histori­ani Nebi Dervishi thotë: “…se Leka i Madh nuk është i pazot, pasi burimet histo­rike flasin se trashëgimia e maqedonasve antikë u takon shqiptarëve, më shumë se çdo populli tjetër në Ballkan. (“Rrenjet prill 2011)

Prof. Oto Myleri Thotë: “Mbretëritë e këtyre tri provincave: Epir, Maqedoni dhe Iliri, vishnin një lloj rrobash, kishin të njëjta zakone, dhe lidheshin me krushqi e me gjini kurdoherë midis tyre. Kësisoj Nunela e Aleksandrit të Madh, ishte iliriane, kurse e Ema, Olimpia, prej Epirit, nga dera e Pirros.                                                 Cilët janë këta sllavë që na kanë shqetësuar dhe na shqetësojnë?                                    Tajar Zavalani thotë: “Invazioni Sllav”, vend banimi i tyre fillestar kanë qënë moçalet e luginës së lumit Priper të Biellorusisë që quhej Posleje. Jetonin duke zënë peshk dhe gjuanin kafshë të egra.      

    Më 617, një fuqi e kombinuar avaro-sllave arriti kulmin. Si një valë deti prej njërëzish, shkruan Prokopi, me burra, gra dhe fëmije, ata u vërsulën duke e kthyer në gërmadha dhe zhytën në gjak Ilirine,  Maqedoninë, Trakën, Epirin. Ata vranë dhe masakruan të gjithë njerëzit, pa dallim seksi apo moshe, që u ra ndër duar. Si mbas llogaritjeve, më se 200.000 vetë humbën jetën, ose u rrëmbyen si skllevër gjatë invazioneve.

Historiani anglez William Temperley shkruan: “Sllavët shkatërruan monumentet e mrekullueshme të qytetërimit romak-bizantin që ishin krijesat e gjeniut të perandorëve të mëdhenjë romako-bizantin, me origjinë shqiptare të Dioklecianit dhe Justinianit.

Sllavët më herët nuk janë përmëndur fare, askush nuk i ka njohur me një emertim kombëtar, sepse kjo hapësirë ishte shqiptare, territori shqiptar, popullata shqiptare, ndërsa sllavët në Maqedoni ishin pakicë, raja, që i solli në luginën e Vardarit Perandoria Osmane për të punuar tokën, me që otomanët me shqiptarët patën probleme të vazhdueshme. Kështu, si kundërvënie të popullatës së rebeluar shqiptarë, sollën kolonët sllavë nga përtej Karpateve dhe nga Bullgaria.                Historiani Chek, Prof. Dvornik: “Sllavët nuk kanë asnjë legjendë  heroike që të kujtojnë vendosjen e tyre  në Gadishullin e Ballkanit. (A. zavalani, “Histori …”, f.71).

Kronistët nuk i përmëndnin fare, ndërsa vllehët ishin të pranishëm në këtë hapësirë, ndërsa tani janë asimiluar  në sllavomaqedonas. Në kohën më të re, Tito i pranoi sllavo-maqedonasit,  për të krijuar një zone tampon në mes të sërbëve dhe bullgarëve, përkatësht për të dobësuar  ekspansionin sërb, por edhe për të penguar afrinë sërbe me Greqinë.

Federata Jugosllave bëri investime në Maqedoni dhe dha benefice. U dha detyrë të ndiqnin aty shqiptarët vendës, veç dhunës dhe vrasjes sistematike, por dhe shpërnguljes për në Turqi. Sllavët, që banonin në fshatra që nga koha e Turqisë, i sollën në qytet, në vendet më të preferuara, madje sollën dhe vëllezër sllavë nga Greqia, krijuan administratë në gjuhën sllave. Ndërsa shqiptarët i përjashtuan,kurse ata që nuk ishin shqiptarë, u detyruan të emërtoheshin maqedonas. Komuniteti i numurit vllehë u bënë sllavo-maqedonas, duke shtuar në emra mbaresën sllave.   Fatkeqësisht edhe shqiptarët e besimit ortodokës, që në Maqedoni ishin të shumtë, të cilëve më parë ua morën kishat, u regjistruan dhe ua imponuan emertimin sllavisht .Kështu, ka ndodhur, që nëna shqiptare e besimit ortodokës, nuk di asnjë fjalë sllavisht, ndërsa djali publikisht nuk thotë asnjëherë ndonjë fjalë shqip, madje ka nga ata qe mohojnë gjuhën kombëtare.  (G. Adili “përvehtësimi i Historise”,12-2-2009).

Sllavët e Maqedonisë, të cilët kanë kapur majat e të gjitha istitucioneve,  janë shumicë në të gjitha strukturat e shtetit, me një emertim te përvehtësuar “Maqedoni”.  Maqedonia kurrë nuk ka qënë as e Greqisë as e Bullgarisë, Vendasit ishin shqiptarë. Ka kohë që akademikët sterilë të Shkupit, përpiqen të përvehtësojnë Skënderbeun, bëjnë libra, shkruajnë tekste të porositura nga lartë, mirëpo kurrsesi nuk u del hesapi, sepse të tjerët nuk ua pranonin Skënderbenë për të tyren. Disa bënë perpjekje për të bërë të tyren Migjenin, mirëpo nuk kishin si të arsyetojnë, pse ai shkroi në gjuhën shqipe dhe nuk bëri asnjë resht në gjuhën sërbishte, atëhere u tërhoqën. Kur u bë e njohur Nënë Teraza, bënë çmos për ta bërë të tyren, se ajo kishte lindur në Shkup, por në Maqedoni nuk ka sllave katolikë, por ka vetëm shqiptarë katolike. Kështu iu shmangën kombësisë dhe i vunë në pah, shkupjania Nënë Tereza. Në kohën e Nënë Terezës pjesa dërmuese në Shkup ishin shqiptarë katolik dhe myslimanë.                                                                       Z. Branko Manollovski, personaliteti njohur në diasporë, kur filloi shkollën fillore nuk dinte asnjë fjalë sërbisht, por, shkolla sllave ia regjistroi emrin me mbrapa shtesa sllave dhe kjo i mbeti, ky nuk e ka të paster emrin si të Josf Bakërit, që ishte një brez më i vjetër. Z. Branko Manollovski, që është shqiptar vetëm me emër të sllavizuar.

Edhe këta sllavë e kuptojnë, qe nuk e kanë të tyren emrin Maqedoni. Kur këta bisedojnë me kushrinjtë e tyre të gjakut sërb ose rus, ata jane sllavë. Kur bisedojnë me perëndimin, anglezë, amerikanë etj., ata kthehen e bëhen maqedonë.             Në vitin 1991, kur ish Republika Maqedone e Jugosllavisë u bë republike e pavarur në Ballkan, udhëheqësit e saj adaptuan për flamur të tyre kombëtar flamurin e Aleksandrit të Maqedonisë. Të adaptosh emrin e lashtë të Maqedonisë si emer kombëtar të republikës së krijuar në shekullin XX dhe të adaptosh për këtë republikë të re flamurin e Aleksanddrit të Maqedonisë, këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rremë, të falsifikuar të indetitetit kombëtar “Kush na ka faj, se vetë i kemi verbuar sytë tanë, me duart tona’’! thotë, Aristidh Kola!

Z. Manollovski sjell tre emra konkrete të personaliteteve tona, prindërit etyre kanë qënë shqiptarë. Video Smilevski, që u shpall Heroi popullit në Republikën e Maqedonisë, sa ishte gjallë, nuk tregonte se ishte shqiptar, ndonëse e kishte djalë  halle. Personi tjetër ish-Kryetari i Akademis së Shkencave të Maqedonisë, Mateja Matevski, vazhdoi të heshtëte se prindërit e tij ishin shqiptarë. Po kështu dhe Grigor Jovanoski, i cili tani është antari i Akademis së Shkencave te RM-së. Si mendoni, nuk bëmë gjunah të madh ne, bashkëkombasit e Josif Bagërit, që shndërruam gjatë gjashtë dekadave të fundit gjuhën tonë amtare shqipe në gjuhën sërbishtë dhe bashkë me gjuhën ne ndërruam indetitetin etnik, nga shqiptarë në sërb?!  Kjo është fatkeqësia kur mohom veten tënde. Atëherë hap gojën historiani sllavo-maqedonas , Hristo Polljanski të thotë: “… nga popullsitë e lashta të kesaj treve, kishin shpëtuar pa u zhdukur disa “ashkla”… Vala e tretë e “ardhacakëve” (shiptarë) paska ndodhur në fillim të shek. XX-të. Kurse vala e fundit e kolonizimit shqiptarë të Maqedonisë, paska ndodhur pas vitit 1944. Dhe më tej, ky historian arriti të nxjere nga goja, se maqedonasit e sotshëm ishin stërnipërit e Lekes së Madh dhe Skënderbeu nuk ishte shqiptar por maqedonas.  Kur ne i thamë Profesorit, se në kohën e Aleksandrit të Madh, ju bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandrit të Madh, keni ardhur 10 shekuj më vonë. Polanski u përgjigj … “Ne maqedonët, – tha ai, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhesit e tyre kulturorë, por edhe gjenetike”. (Nejazi Muhameti “Maqedonia Shqiptare”. Bot. 2009,)                                                                                             Emri Maqedoni është përvehtësuar nga sllavo-sërbët. Ata veten e tyre e quajnë autokton dhe ne shqiptarët na quajne ardhacakë në truallin tonë mijëravjeçar. Ndërsa Tirana, Prishtina dhe Shkupi me partitë shqiptare në Maqedoni heshtin dhe heshtja vazhdon me diskriminimet që bëjnë  këta sllavo rjepacak pushtues. Kanë rrëmbyer emrin maqedon, vendin maqedon indetitetin maqedon,  historinë e Maqedonisë duke bërë diskriminimin e gjuhës shqipe. Dhe vetëm ne heshtim dhe heshtim. Si mund të ndryshohet tri herë indetiteti brënda një shekulli më parë? Quheshin bullgarë, pastaj e shpallën veten si maqedonë, por prsëri sllavë, kurse pas vitin 1991 e quajnë veten maqedonë antikë, pra, jo sllavë. Këta janë akoma në kërkim të indetitetit kombëtar përfundimtar.

Josif Bagëri, dëshmitar i përjetshëm i shqiptarëve ortodokës të Rekës, lindur në vitin 1870 dhe vdekur në vitet 1930. Asimilimi u përballua gjatë 520 viteve të sundimit otoman, ndodhi vetëm nga viti 1913 e këtej, kur e pushtoi sërbia dhe vazhdoi gjatë sundimit komunist.  Dhe vetëm ne heshtim dhe heshtim.  Xhorxh Santaiana,  na kujton ne të gjithëve, se ata që nuk kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë. (E. J., f. 17).

MAQEDONIA NË MESJETË

Sllavet u vendosën gjatë shekujve VI-VIII në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Maqedonise së sotme, në viset ku ende sot shqiptarët përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë. Njihet në histori më 21 korik1843, udhëhëheqesi i kryengritjes së madhe të Shkupit kundra masave tanzimaniste ishte Dërvish Cara. Kjo kryengritje u përhap në viset e tjera shqiptare në Tetovë, Kaçanik, kumanovë, Gostivar, etj. Vazhduan kryengritjet deri në vitin 1875. Porta e larte hoqi dorë nga zbatimi i masave të tanzimatit në malësitë shqiptare. Shkup,Tetovë, Dibër, ishin vatra kryesore të Lidhjes së Prizrenit me drejtues: Iljas pashë Qokun, Sheh Mustafa Tetova, Jashar Bej Shkupi. Levizja mori hov për shkollat shqipe dhe për kishën shqiptare. Bajo Topulli organizoi çetën e parë patriotike “Ja vdekje ja liri”.  Më 1908 u mbodh Kongesi i Alfabetit Shqip në Manastir. Krahina shqiptare e Maqedonisë u shqua edhe në kryengritjen e madhe çlirimtare antiosmane të Shkupit, që u çlirua më 11 gusht 1912.                                                                   Në kuvendin e Vlorës morën pjesë 8 delegate nga viset shqiptare të Maqedonisë: Dibra, Tetova, Gostivari, Struga, dhe Ohria (Myfti Vehbi Agolli, Sherif Langu, Mehmet pasha Darralla, Hamdi Ohri, Dr. Myrteza, Zyhdi Beu, Nuri Sojli, Mustafa Baruti). Nga kata uzgjodh me vota unanime kryetar i Këshillit Kombëtar (Parlamentit)  Myfti Vehbi Agolli, kurse Mehmet Pashë Dërralla u zgjodh ministër i Mbrojtjes Kombëtare.

Sipas francezit L. Jaray, Shkupi me 1913, kishte 45.000 banorë myslimanë (55%), 25.000 shqiptarë, kurse bullgare 10.000-15.000 rreth (22-33%), veç këtyre, kishte 3000 sërbe, 2000 izraelitë. (G.L. Jaray, L/Albanie income, Paris 1913, f. 40).                       Istituti Gjeografik i Sofjes, botim i vitit 1902: Shkupi ishte qendra e vilajetit të Kosovës, kishte 4474 shtëpi apo familje. Prej kёtyre 2336 shtëpi (53%) banoheshin me familje shqiptare,1687 familje bullgare, 200 shtëpi cigane dhe 100 shtëpi izraelite, 90 shtëpi katolike shqiptare. (Prof. Kristo Frasheri, Tianë nëntor 2009)

Po sot e dashura Maqedoni?!… Sllavo-maqedonasit sjellin Car Dushanin në Shkup, të ngjashëm si tërmeti i 26 korrikut 1963, kur u shpërngulën forcërisht e pabesisht shumica e shqiptarëve nga ky kryeqytet i Jugosllavisë së Dytë (FSRJ). Dridhjet e tërmetit të ri politik shoven, po ndihen për gjatë këtij dimri. Car Dushani vjen në Shkup me putrat putiniane, simbole ortodokse lindore, me veshje bizatine lindore, me kurorë nga manastiri Cetinës së Cërnagorë. https://gazetadielli.com/car-dushani.

Si përfundim, Maqedonia është shqiptare dhe qeveria e Shkupit duhet të heqë dorë nga endrrat nacionaliste e shoveniste dhe ta shohë realitetin me sy hapur, për ta parë ashtu siç është. Të shohë, se në gjirin e saj ka një popull të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët jetojnë, punojnë, shpresojnë dhe kërkojnë të thonë fjalën e tyre në atdheun e përbashkët, sepse sllavët jetojnë  në Maqedoninë e shqiptarëve. Kjo është maqedonia ime, kjo ështe Maqedonia e gjithe shqiptarëve.

Rasim Bebo  Addison  Çikago Janar 2014                                                                             .

Filed Under: Featured Tagged With: Maqedonia Zonje, rasim bebo

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

January 5, 2014 by dgreca

Debati për fenë  i ndezur në Kosovë nuk ka qëllime të vëllazërisë së mirë/

Shkruan: Shaban Cakolli/

“Çonju shqiptarë prej gjumi,çonju,/

Të gjithë si vllazën,n´nji besë shtëngonju,/

E mos shikoni  kisha e xhamija,/

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!”- V.P.Shkodrani/

Nxitja e debateve fetare,nënqmimi i  besimeve të njëri-tjetrit,është diçka e rrezikshme që ka zënë të bëhet mollë sherri  ndër shqiptarët,nga se është qëllim i keq dhe kundër shqiptarë,i  kurdisur me mjeshtri nga armiqët tanë sërb dhe disa  vendeve islamike,ku si qëllim është përçarja ndërfetare në mes shqiptarëve,kur dihet se përçarja ndërfetare është elementi më i rrezikshëm i një shoqërie.Ky parim është udhëhequr  nga Sërbia një shekull,”Përqaj e sundo”,e cila me anë të fesë është munduar të shkombtarizojnë shqiptarët.Për ideologjitë fetare mund të shkruhen edhe libra,por edhe kjo që tani po shkruajmë  është e tepërt të i hyhet kësaj teme të ndjeshme,e cila është më e ndieshmja në popujt e botës,rreziku më i madh i përqarëjeve deri në theqafjePërhapja e besimeve madje edhe të dhunshme ka ndodhur nga sundimet  romako-bizantine,turke deri te ato sllave.Pushtuesit për të realizuar qëllimet e tyre të errëta ndaj nesh,kanë futur në veprim ideologjitë fetare,dhe këtë duke u dhënë ca privilegje udhëheqësve të këtyre ideologjive,kanë mundur të na mbajnë nën pushtim.Populli shqiptarë ka mundur të mbijetoj falë raporteve të mira ndërmjet  vete ,edhe pse  të besimeve jo të njejta,kanë jetuar në harmoni   me njëri-tjetrin,ndoshta edhe brenda një pullazi.Të dhëna thonë se feja tek popujt tjerë jo shqiptarë ishte burim i luftërave,i përqarëjeve,vrasëjeve dhe veseve,e cila fatbardhësisht tek shqiptarët nuk ka ndodhë.Askush nga ne shqiptarët nuk ka qenë dhe nuk është kundër fesë,secili fatbardhësisht është i lirë të kultivojnë besimin e vet,devotshmërinë,lutjet,kanë institucionet e veta ku mund të tubohen në devotshmëri,të kryajnë ritet e veta,pa e nënçmuar dhe nëpërkëmbur besimin e tjetrit.

Kohën e fundit fatkeqësisht te ne kanë hedhur rrënjë disa rregulla të cilat asnjëherë më parë nuk kanë ekzistuar në shoqërinë tonë fetare,bile as nuk shkruan në libra të shejta .

Kanë dalur Rregulla ideologjike të cilat luhasin e nënçmojnë bindjet jo vetëm të besimit tjetër fetar,por edhe bindjet e të të njejtit besim.Fatkeqësisht kjo po ndodhë në Kosovèn e cila mezi tani ka marrur pak vetën,pas pushtimit shekullor sllav,Po përse ndodhë kjo?Sërbët pasi po shohin se  Kosova ju ka dalur nga dora,me ndihmën e disa aleatëve të tyre kanë gjetur vakum mu në ideologjinë fetare,nëpërmjet mijëra argatëve të tyre,të veshur me pushtet fetar,për të trullosur masën shqiptare,kinse me të dërguar me njerëz të cilët janë të kualifikuar me besimin në Zot,të u besojnë dhe  të ndjekin qëllimet e tyre,që sipas të këtyre të kualifikuarëve falco,kush dëgjon qëllimet e tyre,dëgjon qëllimet e Zotit,kurse ata të cilët nuk i mbështesin,janë vet kundër Zotit!Me njerëz të tillë të shërbimeve të fshehëta,të dërguar si njerëz të perendisë,Sërbia edhe njëherë synon përqarëjen e shqiptarëve,në pikën më të ndjeshme ate ndërfetare,që njëherë e mirë të nxitë gjakderdhjen me shqiptarëve.Sërbët do të provojnë përmes kësaj ideologjie të maskojnë karakterin e tyre pushtues,grabitçarë e shkatërrues,në nxitëjen tonë kundërkombëtare,e cila do të jetë shumë e rrezikshme nëse nuk tregohemi syqelë.Sot asnjë shqiptarë qëllimmirë nuk ka të drejtë as morale dhe as qytetare të i mbyll sytë përpara këtyre qëllimeve të errëta.Të kultivosh besim është e drejtë e çdo qytetari,madje  besimin në zot shqiptari e çmon lart,por të kultivosh besim ku ka dy rryma në mes një besimi,ku njëra thërret në emër të librit të shejtë,e tjetra bënë ca ndryshime,për të  shti huti midis të njejtit besim si dhe për të nënqmuar besimin tjetër,është e pa pranueshme.Në  Kosovë besimi fetar është çështje ndërgjegje e jo çështje institucionale,andaj për të ndaluar këtë përpjekëje për urrejtëje ndër vëllazërore institucionet e shtetit duhen të  luajnë rolin e vet.Librat e shejtë flasin për të vetmin një Zot, për rregullat e besimit në zot,kurse ndryshimet e tyre,në fjalimet para masës që po bëhen nuk i do as Zoti,si dhe njerëzit e besimit sot nuk duhet të u vëjnë veshin titullarëve falco,kur kanë gjitha mundësitë të lexojnë  literaturën mjaft të përhapur nga librat e shejta.Nuk kanë kaluar shumë vite që kur populli ynë ka dëshmuar se kur është në pyetje atdheu,shqiptarët më tepër se fetar ishin luftëtar.Shqiptarët padallim besimi fetar u ngritën kundër pushtuesit sllav,e do të ngriten kundër çdo pushtuesi i cili do të kërkonte të na bëjë skllav.Ishim dhe duhet të jemi të bashkuar për çështje të mëdha,vëllëzer të një gjuhe,e një gjaku,e nuk duhet të lejojmë të na skllavërojnë besimet qëllimkeqe,të shtrembëruara,ku feja të bëhet mollë sherri mes vëllezërve.Ende i kemi të freskëta plagët  që morëm nga pushtuesit,andaj për hirrë të gjakut të derdhur të atyre që dhanë jetën për çlirimin nga pushtuesi,shqiptarët duhet të jenë të bashkuar padallim feje,shtrese e ideologjie.Të gjithë të bashkuar për çështjen madhore kombëtare,kultivoni besimet tuaja fetare ashtu si i keni kultivuar me shekuj në harmoni ndërvëllazërore,asesi me disa rregulla të shpifura që qojnë në urrejtëje kundër popullit të një gjuhe e një gjaku.

Filed Under: Featured Tagged With: asht Shqyperia, feja e shqiptarit, pashko Vasa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • 777
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT