• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Humbësit e ‘’kënaqur’’

December 17, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/Prishtine/

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ishin zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë, që prej përfundimit të luftës. Votuesit në Kosovë kësaj radhe votuan në mënyrën më të mençur, duke i ndëshkuar shumicën e kandidatëve për keqqeverisje. Partitë politike edhe pse pësuan debakël të vërtetë në këto zgjedhje lokale, secila prej tyre në mënyrën e vetë humbjen e interpretuan si ‘’fitore’’. Pothuajse të gjitha partitë u deklaruan të kënaqura me zgjedhje. Çfarë fituan dhe çfarë humbën partitë politike në këto zgjedhje! -Partia Demokratike e Kosovës, edhe pse doli partia më e votuar në Kosovë me 202 mijë vota dhe me 10 komuna të fituara, ajo pësoi një debakël në këto zgjedhje lokale. Humbi 3 qytete të mëdha si Mitrovica, Ferizaj dhe Gjilani, por humbi edhe 3 bastione të tjera si Malisheva (që u fitua nga IQM-ja e Ragip Begës, iniciativë që u përkrah fuqishëm nga deputeti i PDK-së Fatmir Limaj, i cili doli kundër partisë se tij), Lipjanin dhe Vitinë. Ngushëllimi i vetëm i kësaj partie ishte mbajtja e qytetit të dytë për nga madhësia në Kosovë, Prizrenin.
-Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje riktheu tre qytete të mëdha si Pejën, Gjilanin dhe Ferizajn, dhe pati  ngritje në vota duke fituar 191 mijë vota në rang kombëtar. Fitoren e saj në 9 komuna gjithsej, e zbehu humbja në Prishtinë e liderit të partisë, Isa Mustafa, nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti. LDK humbi poashtu edhe Obiliqin, Kamenicën dhe Novobërdën.
-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe pse pati rritje të votave duke fituar 105 mijë vota dhe fitoi Deçanin, Junikun e Obiliqin, ajo humbi 4 komuna e dy prej tyre qytete të mëdha si Pejën dhe Gjakovën. Kjo parti humbi poashtu edhe Suharekën e Rahovecin,
-Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të 2010, pati tkurrje të konsiderueshme të votave. Në zgjedhjet e 2010 kjo parti mori 87 mijë vota, duke dalëforca e tretë politike në Kosovë, kurse në këto zgjedhje mori vetëm 60696 vota. Suksesin më të madh në këto zgjedhje kjo parti e arriti në kryeqytet me Shpend Ahmetin që mposhti në balotazh kryetarin e LDK-së dhe ish kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën.
-Aleanca për Kosovë të Re befasoi në këto zgjedhje duke fituar me dy kandidatët e saj, me Mimoza Kusarin në Gjakovë dhe Agim Bahtirin në Mitrovicë. Por në nivel kombëtar kjo parti zhgënjeu duke marrë vetëm 5.2% te votave.
Partitë duhet te reflektojnë!
-Partia Demokratike e Kosovës siç po vazhdon me këtë trend, në zgjedhjet e përgjithshme mund të tkurret akoma më shumë. Çfarë duhet të bëj ajo? PDK-së i kanë mbetur dy rrugë; të largojë nga partia Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij të ardhur në PDK nga strukturat e SHIK-ut ( këta të fundit të akuzuar  për humbjen në shumë komuna të Kosovës, e sidomos në Mitrovicë e Ferizaj), ose t’i ‘’rikthej’’në pozitat e dikurshme që kishin dy njerëzit më të fuqishëm në parti Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, të cilët në këto zgjedhje lokale dolën hapur kundër partisë së tyre duke i mbështetur  kandidatët e iniciativave në Malishevë, Drenas dhe në disa qytete të tjera dhe duke bërë thirrje të votojnë kundër PDK-së. Përkrahja që Limaj dhe Krasniqi iu bënë kandidatëve të iniciativave qytetare dhe dalja haptas kundër PDK-së, kësaj partie i kushtoi me humbjen e pushtetit në shumë komuna të Kosovës. Vlen të përmendet që Iniciativa Qytetare e Malishevës e cila u përkrah nga Limaj, u fitua nga kjo Iniciativë. Largimi i Limajt dhe Krasniqit nga PDK-ja do të ketë pasoja të mëdha për këtë parti. Nëse këta të dytë formojnë partinë e tyre (tash e sa kohë po flitet më të madhe për një gjë të tillë), atëherë PDK-ja në zgjedhjet e përgjithshme do rrezikon të mos jetë as partia e dytë në vend, e lëre më e para. Vlen të theksohet se ne Konventën e fundit të PDK-së, kjo parti ‘’eliminoi’’ dy figurat më të shquara të saj, tashmë ish nënkryetarin Fatmir Limaj dhe ish sekretarin e përgjithshëm Jakup Krasniqi, duke i zëvendësuar ata me Kadri Veselin dhe Basri Musmuratin.  Kadri Veseli madje u emërua dyshi i partisë duke u bërë zëvendëskryetar i partisë, post ky i shpikur nga kjo parti.
-Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale riktheu 3 qytete të mëdha dhe në nivel kombëtar u rritë për nga numri i votave. Por LDK-ja nëse dëshiron t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme, ajo duhet akoma të reformohet.Isa Mustafa kur mori kreun e LDK-së në vitin 2010, patë deklaruar se do të bëjë reforma të thella në parti. Por përveç disa lëvizjeve të vogla në këtë parti, deri më tash nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, ashtu siç ishte paralajmëruar nga lideri i saj.Reformimi duhet të fillojë nga klani i Sabri Hamitit, Eqrem Kryeziut etj. Nëse kjo parti nuk largon figura të vjetra të konsumuara dhe të dëmshme për partinë, atëherë kjo parti mund të dalë si parti e parë në vend vetëm në saje të tkurrjes së partisë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës.
LDK ka mbetur peng i kuadrove të vjetra dhe nuk krijon hapësirë për të rinjtë.
Rikandidimi i Eqrem Kryeziut në Prizren dhe humbja e tij për herë të dytë atje, tregon më së miri se kjo parti duhet të lirohet nga ‘’garda e vjetër’’ të cilët tash e 24 vite e kanë ngulfatur këtë parti.
-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel kombëtar pati rritje të votave duke marrë 105 mijë vota, por kjo parti duhet të shqetësohet për humbjen e 4 komunave, e sidomos të dy qyteteve te mëdha si Peja dhe Gjakova. AAK nëse e dëshiron pushtetin dhe që në zgjedhjet e përgjithshme të rritet në vota, duhet të bëjë reformim të brendshëm. Në të kundërtën kjo parti do ta shijoj edhe për 4 vite të tjera opozitën.
-Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të krenohet në fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, sepse në nivel kombëtar pati tkurrje të madhe të votave. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2010 kjo parti fitoi mbi 87000 vota, kurse në këto zgjedhje lokale zhgënjeu duke fituar vetëm 60696 vota. Duhet ta kemi parasysh që fitorja në Prishtinë ishte e Shpend Ahmetit, e jo e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse kjo parti pretendon të rritet në vota gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, ajo duhet të hapë dyert për figura të reja moderuese dhe të jetë më bashkëpunuese me partitë politike dhe korin diplomatik në Kosovë. -Aleanca për Kosovë të Re në këto zgjedhje lokale fitoi në dy qytete të mëdha si Gjakova dhe Mitrovica, por në rang kombëtar ajo fitoi vetëm 5.2 % të votave. Nëse marrim parasysh prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitin 2007 e deri në zgjedhjet lokale në vitin 2013, kjo parti ka pasur vazhdimisht rënie në vota. AKR nuk mund të krenohet me fitoren e saj në Gjakovë e Mitrovicë, sepse meritat për këto fitore i takojnë zonjës Mimoza Kusari-Lila dhe Agim Bahtirit. AKR-ja është në rrezik të madh dhe duhet urgjentisht të bëjë reforma të thella duke hapur dyert për figura të reja, në të kundërtën kjo parti mund ta ketë fatin e partive të tjera si Ora dhe LDD të cilat nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor.
Nëse partitë politike nuk reflektojnë deri në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në Kosovë në vjeshtën e 2014, ka rrezik që nga votuesit të marrin ‘’shuplakë’’ akoma më të madhe se në këto zgjedhje lokale.

Filed Under: Featured Tagged With: Humbesit e kenaqur

NED, 30-VJETË NË MBËSHTETJE TË DEMOKRACISË

December 17, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

30-vjetë më parë, më 16 Dhjetor 1983, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan inauguroi Entin Kombëtar për Promovimin e Demokracisë (National Endowment for Democracy) NED.  Kjo është një organizatë private, një fondacion jo fitimprurës që mbështetet nga të dy partitë kryesore të Amerikës, dhe misjoni i të cilës është rritja dhe forcimi i institucioneve demokratike në mbarë botën.  Veprimtaria e NED-it financohet  kryesisht me fonde publike nga Kongresi amerikan dhe sipas vetë kësaj organizate, çdo vit ajo mbështetë mbi 1000 projekte grupesh jo-qeveritare që punojnë për realizimin e objektivave demokratike në më shumë se 90 vende, anë e mbanë botës.

Krijimi i këtij enti e ka zanafillen në fjalimin e famshëm që Presidenti Reagan pat mbajtur në Qershor të vitit 1982 para anëtarve të parlamentit britanik në pallatin Uestminster, gjatë të cilit ai shpalosi vizionin e tij, “për të mbështetur infrastrukturën e demokracisë – e të një sistemi të lirisë së shtypit dhe sindikatave, të veprimtarisë së lirë të partive politike dhe lirisë në universitete, dhe për të bërë të mundur që çdo popull të zgjedhë vetë rrugën e zhvillimit dhe të mundësojë që ndryshimet në pikpamjet e tyre të zgjidhen me mënyra  paqësore.”   Duke folur për vizionin e tij në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës, Presidenti Reagan ka thënë 30-vjetë më parë se, “Kjo detyrë e ngutshme që i caktojmë vetes, do të mbijetojë edhe përtej brezit tonë.   Për hir të paqës dhe të drejtësisë, le të shkojmë drejtë një bote, në të cilën të gjithë popujt, më në fund, do të jenë të lirë të vendosin vet fatin e tyre.”   

Ky vizion i Presidentit Reagan ishte baza e themelimit të NED-it dhe e dy instituteve brenda tij, që për lexuesin njihen më së miri si Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan, të cilët gjatë dy dekadave të fundit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan.  Themelimi i Entit Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë nxiti rritjen e ndihmave amerikane në mbështetje të zhvillimeve demokratike në botë, duke krijuar njëkohësisht edhe një fushë të re të bashkpunimit ndërkombëtar.  Por, në të vërtetë ky ent, për nga natyra e tij, është një institucion unik edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, pasi aty si askund tjetër, së bashku punojnë demokratët, republikanët si edhe përfaqsues të puntorëve dhe biznesit amerikan, për të avancuar vlerat universale të lirisë, të demokracisë dhe të drejtave bazë të njeriut, në mbarë botën — si një prioritet ky i interesave kombëtare.

 

Historia e botës, e sidomos historia e Europës, ka ndryshuar shumë gjatë 30-viteve të fundit, ç’prej themelimit të “Entit Kombëtar Amerikna për Promovimin e Demokracisë” (NED), por misioni thelbësor i këtij enti, sipas presidentit të tanishëm të tij, Karl Gershman nuk ka ndryshuar, duke thënë se, “Misioni i NED-it mbetet i njëjtë, për të mbështetur Demokracinë….kjo veprimtari është përhapur tani anë e mbanë botës dhe është kënaqësi për të parë që aq shumë vende tani janë në këtë rrugë të zhvillimit të demokracisë.”  Duke folur me rastin e 30-vjetorit themelimit  të organizatës që ai kryeson,  Karl Gershman shtoi se, “Demokracia është një proces, dhe se si i tillë, demokracia mund të realizohet vetëm duke e praktikuar atë si system funksional.  Mund të jetë një gjë e vështirë për tu kuptuar, por ama është themelore për veprimtarinë tonë anë e mbanë botës”, tha ai.   Ai shtoi gjithashtu se “ne mund të ndihmojmë, por në të vërtetë janë individët dhe organizatat mbrenda një vendi, ato që janë forcat kryesore shtytëse për ndryshime positive në shoqëritë e tyre”.

Veprimtaria e NED-it në Europë, aty ku edhe ka filluar 30-vjetë më pare, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, vitet e fundit është përqendruar në mbështetjen e organizatave dhe grupeve vendase të shoqërisë civile me qëllim për të promovuar llogari-dhënjen nga ana e qeverisë dhe për të inkurajuar bërjen e reformave të nevojshme për integrimin euro-atlantik, duke inkurajuar dialogun politik midis partive politike, midis autoriteteve dhe grupeve të ndryshme si dhe për të ndihmuar rininë të angazhohet më shumë në procesin politik të vendeve të ndryshme.  NED-i thotë se vendet që ende nuk janë integruar plotësisht në organizmat euro-atlantike — megjithëse integrimin e kanë përcaktuar si prioritet të lartë — shumica e tyre duket se nuk kanë vullnetin e duhur për të ndërmarrë masat e nevojshme për plotësimin e këtij procesi.

Por megjithkëtë, Presidenti Ronald Reagan do ishte krenar sot për zhvillimet demokratike në Europë dhe anë e mbanë botës, 30-vjetë pas fjalimit të tij në Londër, që çoi në themelimin e entit NED, për promovimin dhe inkurajimin e demokracisë në mbarë botën.  Ai do ishte krenar gjithashtu edhe për përkrahjen që të dy partitë kryesore politike të Amerikës si dhe të gjitha administratat republikane dhe demokrate të këtij vendi, i kanë dhënë këtij enti, në përkrahje të të gjithë aktivistëve të guximshëm demokratë dhe të lëvizjeve paqësore kudo nepër botë, të cilët sipas NED-it, gjithmonë kanë qenë dakort mbi rëndësinë e avancimit të lirive universale dhe të të drejtave të njeriut në mbarë botën.  Gjatë 30-viteve të kaluar ishte ky një angazhim i mbarë politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve paqësore demokratike, të vlerave universale dhe lirive bazë të njeriut në mbarë botën.  Kjo trashëgimi e presidentit Ronald Reagan vazhdon edhe sot, ndërkohë që Enti Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë” (NED)  angazhohet në këtë 30-vjetor se do të vazhdojë gjithnjë të mbështesë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Rusi, në Kinë dhe kudo tjetër nepër botë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet NED, Frank shkreli, Regan

Mërgimtarë:Ju lutemi paguani, para se të hyni në atdhe!

December 17, 2013 by dgreca

Shkruan:Gani Qarri/

Sado që mërgimtarët,nuk kanë të drejt vote,nuk gëzojnë trajtim të barabartë as konsideratë të mirëfilltë nga pushteti aktual,ata asnjëherë nuk mundën ta hiqnin nga zemra atdheun e vet. Ndaj,si çdo herë edhe tani,vazhdojnë të punojnë e kontribuojnë dhe bëjnë krejt çka munden për te. Megjithatë,bijtë e syrgjynosur të tij, të cilët që me kohë janë përbetuar për ti dal krah në të gjitha situatat, vendit të të parëve, jo rrallë, ndjehen të zhgënjyer me zhvillimet e pazakonshme të cilat ndodhin, kohë e pa kohë,nga njerëz eminent në atdheun e tyre.Është jo vetëm për të ardhur keq, por edhe për tu brengosur shumë,kur në njërën anë sheh se si pamja e hartës politike të Kosovës po ndryshon dhe mbi te po vizatohen entitete kërcënuese për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë,kurse në anën tjetër, ata të cilët do duhej ta ngrinin zërin kundër këtyre dukurive negative me pasoja të paparashikueshme për Kosovën,janë hedhur në luftë për acarimin edhe më keq të  gjendjes politike dhe nxitjen e konflikteve të reja ndërshqiptare, duke dëshiruar t`ua vjedhin dhe përdhosin bashkëkombësve nga kujtesa, identitetin shumëvjeçar-organizativ, kombëtar e politik, të të gjitha kohëve,vetëm pse ata personalisht nuk dominojnë me emrat tyre edhe në këto histori.

Madje,përkundër verdiktit të zgjedhjeve të fundit, të cilat patën disa efekte pozitive, pushtetarët e konsumuar dhe udhëheqës të hedhur,pothuajse gati tërësisht- jashtë përdorimit, assesi të mbushen mend dhe ti kthehen realitetit. Mjerisht,me gjithë humbjet e bastioneve të sunduara për shumë vite në mënyrat që vetëm ata i dinë, ambiciet e tyre për të sunduar me çdo kusht këtë vend, nuk u zbutën as zbehën për asnjë çast.

Risi më vete që vlen për tu përmendur-është vendosja për herë të parë, e një femre si kryetare dhe riatdhesimi triumfalist i dy mërgimtarëve të suksesshëm,si udhëheqës të dy komunave me rëndësi në Kosovë, si dhe fitorja e ish udhëheqësit të “frymës së re” në kryeqytetin e vendit.

Megjithatë, përveç ndryshimeve të vogla kozmetike dhe të kufizuara pozitive, përkundër mijëra vërejtjeve nga shumica e popullsisë shqiptare, përjashto këtu partitë politike të cilat pothuajse që të gjitha si në kor,dhanë pëlqimin e tyre dhe pranuan pjelljen e sërpskës”, fatkeqësisht në Kosovë u “natyralizua edhe e keqja më e madhe e këtij shekulli- siç është ” republika sërpska”.

Ndaj,tani e tutje, pas konstituimit të saj,vetëm një Zot mund ta di se çfarë problemesh do ti sjell- ajo sajesë e rrezikshme- këtij vendi edhe ashtu të vogël e të pa konsoliduar si duhet, provokimet e së cilës ,vetëm sa kanë filluar në komunën “veriore” të Mitrovicës.

Por,për fat të keq edhe në këto në momentet më të këqija dhe çaste dramatike për Kosovën, të hutuar nga tymi e mjegulla që pa shkas e arsye, shpërndan Adem Demaqi, askush tjetër përpos përfaqësueses së Nënës sonë Amerikë nuk mori mundimin, ti kujtonte as ftonte shqiptarët për kujdes të shtuar! në mënyrë që krijesa kanceroze për vendin, e ashtuquajtura “sërpska” të mos “rrëshqas” nga asociacioni në Republikë!!!

Ndaj,ne deshëm s`deshëm, si populli i këtij vendi,që si çdo herë brengosemi vetëm për fatet e atdheut dhe nuk preferojmë pagesa as oferta,për tu kthyer në shërbyes të politikave ditore,duke përcjell me dhembje lazdrimet e pakuptimta të atyre që u ka kaluar koha e lojërave fëmijënore, kësaj radhe detyrohemi ti bashkohemi Urimit të famshëm të Doktor Ibrahim Rugovës, ritual që ai e përsëriste me shumë të drejtë: Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë ndërkombëtar! sepse nga e gjithë ajo sa u pa deri më tani nga 14-15, vitet e kaluara, Kosova dhe shqiptarët,me pushtetarë të tillë, i kanë la duart që moti.

Kjo vërtetohet edhe një herë më tepër,kur sheh se si sot rrugët në fshatra dhe qytete si dhe vendbanime të tëra gjithandej Kosovës, janë mbushur me emra e statuja car-lazarësh, krajl pjetrash e  karagjorgjeviqësh sllav, deri te nominimet me emra të kriminelëve serb, shkruar me qirilicë dhe ngjyra e flamuj të Serbisë kudo,e jo vetëm në Veri, siç dëshiron dikush qëllimisht ta përkufizoj.

Duke nisur nga Albaniku e Zubin Potoku dhe vazhduar në Graqanicë e Shtërpcë e deri në Gorë të Dragashit, pra gjer e gjatë Kosovës, që nga kufiri me Serbinë në veri deri te kufiri aktual, me FYROM-in dhe Shqipërinë, gjithkund shtohen përditë e më shumë emërtime të tilla,por megjithatë dikush nuk dëshiron ti shohë këto fenomene shkatërruese,ndaj në vend të tyre, gjuan me gur e dru të vdekurit shqiptar në varre, ani-pse të shkuar para shumë kohësh në amshim!

Lind pyetja,çfarë marifeti është ky,nga kush është porositur një qëndrim i tillë dhe kujt i bëjnë nderë këto halucinacione të orkestruara pa shkas as arsye, në këto momente kur neve na dalin qindra probleme tjera më të mëdha të cilat kërkojnë kundërvënie, bashkim veprimesh dhe vendosmëri…Pse dhe për çfarë arsyesh, mu tani shpërtheu me kaq eufori një  “takat-vogël”,me kritika më të mëdha se vetvetja, kundër një personaliteti të paarritshëm për shumëkënd edhe pse të vdekur para mese 7-8, vitesh?!

Është i nxitur ai që të veproj kështu,ka detyrime ndaj bosëve të tij-para fiaskos që pësuan në zgjedhje, dhe duhet të defiloj me kësi far gjestesh, në mënyrë që ta ushqejnë dhe mbajnë edhe më tej me benificione apo ndjehet i kënaqur me krijimin e “republika sërpskës” në trupin edhe ashtu të cunguar të Kosovës, tokat e së cilës në një të shkuar jo fort të largët, nuk i shihte si shtet më vete,por si pjesë të “Ballkanisë”…

A ka mundësi që si atëherë edhe sot,heroi ynë me vlera, të mos favorizojë Republikën dhe shtetin e Kosovës?!..por në vend të saj, të preferoj edhe tani, të ashtuquajturën “Ballkani” të famshme, si pjellë ideore vetëm e tij personalisht ?!…Apo si ti kuptojmë këto shkelmëqitje në erë dhe  zbrazëtirë, kur koha kërkon kundërveprim ndaj rreziqeve reale të “sërpskës” siç tërheq vërejtjen edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson….por jo edhe Demaqi and Co….

Mos, ndoshta mendon zotëriu,se pas kalimit të disa moteve nga mbajtja e zgjedhjeve të viteve të 90-ta, në Serbi kur, kundër-kandidat i Millosheviqit ishte Drashkoviqi, me ç`rast disa shtete evropiane, kërkonin daljen në votime edhe të shqiptarëve të Republikës Rugoviane të Kosovës, bashkëkombësit tanimë kanë harruar tendencat e tij, për nxjerrjen e shqiptarëve në votime në kuadër të Republikës së Serbisë.

Me gjithë intervenimet nga jashtë, atëbotë vetëm “antiheroi” Rugova i refuzonte me vendosmëri ato,i cili deklaronte se Republika e Kosovës nuk ka të bëj me zgjedhjet e vendeve fqinje dhe se ato janë vetëm çështje e brendshme e shtetit Serb?!…

 

Çfarë arsye mund të ketë ky njeri, që të hedhet kaq furishëm përpjetë, në këto momente të rrezikshme,dhe mu në kohën kur po konstituohet jetësimi praktik i “republika sërpskës” në vendin tonë,derisa dihet nga të gjithë se “sërpskën” nuk na e solli “tradhtari” Rugova, por nxënësit dhe përkrahësit e heroit Demaqi, të cilët sot i ka Bos të gjallimit politik dhe mbijetesës financiare, të paktën.

Sa herë e sprovoi veten në votimet e mbajtura në Kosovë ai,për të matur vlerësimin që mund ti bënte populli në emër të të cilit flet. Ç`përkrahje ka personalitetit i tij udhëheqës, politik e organizativ,derisa nuk i fton njerëzit në sheshe dhe rrugë për të kundërshtuar pjellën e dreqit si “srpska” në vendin tonë, por ngrihet në maje të gishtërinjve para dhjetëra pjesëmarrësve në tubime komemorative për të sha të vdekurit shqiptar, edhe pse tubimet si këto, nuk do duhej të ktheheshin në politikë.

Ku e merr  ai gjithë këtë guxim të flasë në emër të miliona shqiptarëve dhe përdhosë ndjenjat e shumicës së tyre, pa e provuar  veten me asnjë plebishit popullor, sesa përkrahje gëzon ai me idetë e tij.

Shqiptarët tanimë e dinë se jo vetëm ai, por edhe partitë politike të vendit të cilat flasin me aq pompozitet për bëmat e tyre të “mëdha”, shpërndajnë premtime marramendëse dhe të paarritshme,përdorin retorik të paargumentuar nacionaliste, thirren në emër të luftës,interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës,por që të gjitha pa dallim,pozitë dhe opozitë ,asnjëherë nuk ditën as mundën të mbrojnë sa dhe si duhet, interesat e këtij vendi.

Poashtu,ky popull i shumëvuajtur e di mirë se “republika sërpska” në vendin tonë, nuk është pjellë e Rugovës, por  produkt i përbashkët i të gjithë faktorit politik aktual-shqiptar, sajesë e stisur e një grupi ,politikanësh të dështuar,vendimet e të cilëve, herët a vonë, pa tjetër duhet të shfuqizohen në kuvend.

Pjesë e këtij grupi famoz, nuk mund të mos jetë edhe z.Demaqi, derisa hidhet me kaq ashpërsi, në kamuflimin e këtyre fatkeqësie që e kanë gjetur Kosovën dhe popullin e saj.

A nuk e ditka z.Demaqi se nga këto zgjedhje e tutje,sërpska e zyrtarizuar e Daçiqit,të gjithë neve,do të na flas pareshtur kërcënueshëm me gjuhën kriminele të pushtuesit për ndarje të Kosovës,siç kishte përpjekje edhe në kohën e Millosheviqit, të riaktualizuara tanimë nga Vulini e Daçiqi.

Shembulli më eklatant dhe fatkeqësi më vete e kohëve të fundit mbetet komuna e Artanës-Novobërdës, e cila nga rreth 7000 banor sa ajo ka, mëse  55 % të popullsisë janë shqiptar, por me përkrahjen e vet partisë apo partive heroike (të luftës siç kanë dëshirë ta quajnë veten ato),për kandidatin serb- i cili edhe ai nuk e njeh as pranon shtetin e Kosovës- zgjedhjet i fitoi ky përfaqësuesi i “sërpskës” dhe humbi kandidati shqiptar.

Ndaj,dëshiroj shumë që heroi i vërtetë, edhe për këtë rast, ta shajë Rugovën, ngase patjetër ai duhet të jetë fajtor, pse lista sërpska fitoi 10 komuna, aq sa ka edhe PDK, me ndihmën e votave të së cilës fitoi kandidati i sërpskës …..pasi që “heronjtë e vërtetë” e kanë liruar veten nga çdo faj dhe përgjegjësi, kush tjetër mund të jetë fajtor, përpos të vdekurve dhe “antiheroit” Rugova….

Zotëri, siç e cekëm më lartë, kjo far lista sërpska e sponsorizuar direkt nga Serbia, me ndihmën që i ofruan asaj partitë “heroike” shqiptare, pas fitores në Partesh, arriti me vetëm 22-23 mijë vota të fitoi hiq më pak se në 10 komuna, dhe këtë jo vetëm në veri por anë e mbanë Kosovës,duke kaluar LDK-n, dhe barazuar me partinë e parë në Vend- PDK-në, ani-pse secila prej këtyre dy partive shqiptare, kanë nga disa qindra mijëra votues në Kosovë.

Ndaj, çfarë të thonë tjetër shqiptarët e mjerë, përpos nëmës ndaj atyre “heronjve”, që Kosovës ia sollën ujkun në torishtë, nëse u lejohet të paktën, kaq dhe jo më shumë…

Si ta kuptojë ky popull heshtjen tuaj, edhe nëpër tubimet komemorative, ku të paktën aty do duhej të përmendeshin si viktimat edhe të kidnapuarit e luftës,nga të cilët 1700 e më tepër sosh, ende nuk janë kthyer, pjesë të të cilëve gjenden kudo, si tani në varrezën masive, ish kënetën e Rashkës,e cila pas mbushjes me trupa të kidnapuarish shqiptarë, është mbuluar me mbeturina e beton të trashë si dhe ndërtuar shtëpi shumëkatëshe mbi trupat e tyre.

Nuk e shihni as dëgjoni ju se, derisa shqiptarët e Kosovës lindore, vuajnë nën robërinë klasike serbe, njëjtë si mandatarët e tjerë ilegal edhe Krstimir Pantiç ish funksionar paralel, tani kryetar i “zgjedhur” i Mitrovicës së veriut me votën e “lirë”, pas “fitores” deklaron hapur se nuk do ta njoh pavarësinë as institucionet shtetërore të Kosovës,se flamuri i saj nuk do të valoj kurrë në veri të vendit dhe se ai me bashkëpunëtorët e tij, do të punojë vetëm për Serbinë.

Madje, zoti Demaqi, nuk e patë ju se çfarë ftesash kishte përgatitur ai për delegatët shqiptar të Mitrovicës së veriut?!.. ku përveç vënies së rezolutës 1244,etj… ato i kishte lulëzuar edhe me Fusnotë, apo lulen e Serbisë,marrë dhuratë për Kosovën, nga përfaqësuesja fuqiplotë e qeverisë zonja Tahiri.

 

Megjithatë, e shqetësuar nga deklarata të tilla, dhe gjendja e krijuar në vend,vetëm ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, doli hapur dhe kërkoi në mënyrë publike nga shqiptarët që të parandalojnë shndërrimin e të ashtuquajturit asociacion të komunave serbe, në “republika sërpska” derisa Adem Demaqi, edhe në këto situata gjen kohë për aktrime, me qëllim që ti mbuloj të gjitha këto fatkeqësi dhe rreziqe të shkaktuara nga përkrahësit e tij,duke e bërë bërllok pa shkas as arsye, dhe shpërndarë tym e mjegull në të gjitha anët, me klithma e piskamë denigruese kundër një të vdekuri që tash e sa vite nuk ekziston më në mesin e të gjallëve, për të cilin përpos hipotezave partiake e ideore,ende nuk ka fakte të vërtetuara se edhe sa ishte gjallë, ai u përlye me krim e korrupsion apo rrezikoj shqiptarët.
Ofendimet si këto,pa asnjë pardon, kundër një Presidenti tani e mbi 7 vite të ndjerë,vërtetë kanë çoroditur gjithë opinionin, madje për aq më keq, sa herë që dikush guxon ti dal krah ish Presidentit,me dhjetëra “Kim il suna” turren me drapër e çekan në dorë, për të hequr koka shqiptarësh duke mbytur çdo frymë demokratike dhe shprehje të mendimit të lirë, sikur shqiptarët të jetonim në Koren e veriut dhe askush përveç përkrahësve të z.Demaqi, të mos e kishte njohur dhe ditur se kush ishte Ibrahim Rugova.
Në të gjitha vendet e botës, politikanët serioz,për tu dashur dhe pranuar nga populli që kanë dëshirë ta  përfaqësojnë,së pari duhet dëshmuar si familjar të mirë,duke u bërë shembull para kombit që i takojnë edhe me vlera prindërore, dhe dalë publikisht me gruan e fëmijët, qoftë edhe një herë të vetme dhe në një shëtitje të thjeshtë, gjatë kohës së lirë.

Ndaj, shumë më e ndershme do të ishte si për Adem Demaqin edhe përkrahësit e tij, që para se tu mbaj “ders” moral e patriotik të tjerëve, ti sqarojë raportet e lartcekura, për të cilat është i interesuar i gjithë opinioni të dijë, dhe nëse ky opinion i vlerëson ato të pranueshme, sigurisht shumica prej tyre, do ti bashkoheshin atij në mallkimet dhe rrebeshet që ai shkarkon kundër Rugovës,për ta sha atë ndoshta me babë e nënë, më tepër se vet heroi i padiskutueshëm, z.Demaqi…

Por,edhe nëse shqiptarët nga keqardhja nuk e thonë publikisht, duhet të kuptohet dhe kihet parasysh,se edhe ata si gjithë popujt tjerë normal,vlerësojnë shumë mënyrën e sjelljes dhe qëndrimin e politikajve ndaj familjes, si gjëja më e vlershme për njeriun.

Në të kundërtën, cilido kuadër publik, mbetet ende i parritur, për tu marrë seriozisht me punët e popullit. Ndaj pa marrë parasysh se çfarë mendimi rezervojnë njerëzit e tillë për vete, nga populli ata mund të konsiderohen vetëm si vogëlushë simpatik, të denjë  për ceremonitë argëtuese,që organizohen me rastin e festave të fund-vitit.

Por,këto sa u cekën dhe të tjera të këtij lloji, nuk janë xhevahiret e vetme të funksionarëve të pa faj e të pandëshkueshëm të “kombit”. Siç është e njohur për opinionin, “idealistët e mëdhenj” të vendit, mërgimtarët që dikur përndiqeshim dhe dëboheshim edhe nga pushtuesit tanë, tani në liri  konsiderohen si makina parash dhe janë kthyer në objekte përfitimi për pushtetarët aktual. Diskriminimi i tyre fillon që në kufi, ku nisë ngarkimi me detyrime e pagesa, të pashembullta për vendet tjera ballkanike dhe evropiane.

Megjithatë, kushedi-ndoshta edhe ky është patriotizëm i llojit, dhe shumica e mërgimtarëve e “meritojnë” dënimin, si-ish, përkrahës të Rugovës.

Apo ndoshta Idealistët e mëdhenj janë të tillë! Ata mbajnë luftën gjallë kundër atyre që munden dhe jo kundër atyre që duhet. E nëse është kështu,derisa dihet se heronjtë tanë tanimë kanë natyralizuar “sërpskën” dhe refugjatët serb nga Kroacia e Bosnja, por megjithatë mërgimtarët shqiptar i konsiderojnë ende të huaj, “Të mirë për të paguar, e të këqij për të votuar” do të ishte shumë më reale, që sa më parë në të gjitha pikëkalimet kufitare, në vend të shprehjes mirësevini, me shkronja sa më të mëdha dhe Parulla të dukshme e Vezulluese -të shkruhet:

Të dashur mërgimtarë-“MIRËSEBINI”- Para, në vendin tuaj!

Ju lutemi paguani-para se të hyni në Atdhe !!!

 

Gani Qarri  Cyrih, 16 Dhjetor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gani Qarri, mergimtare, miresebini para

Kukesi hedh FSHF ne “tapet”.

December 17, 2013 by Administrator

imagesCAIZ96KT 

Komisioni i apelit ka kthyer vendimin e komisionit të disiplinës, duke i rikthyer skuadrës së Kukësit tre pikët e hequra si dhe uljen e dënimit për trajnerin Shensoj nga 12 në 5 ndeshje. Megjithatë klubi kuksian do të paguajë 100 mije euro gjobë si dhe të luajë 4 ndeshje jashtë stadiumit ‘Zeqir Ymeri’.

Menjëherë pas vendimit të Komisionit të Apelit sot me datë 16.12.2013 i cili i riktheu tre pikët skuadrës së Kukësit, zbritur pak ditë më parë nga Komisioni i Disiplinës , Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në mënyrë unanime nuk është dakord dhe tërheq vëmendjen për mos respektim të standarteve nga ky Komision. 

Të njëjtët gjyqtarë të Komisionit të Apelit, të cilët kanë gjykuar çështje të njëjta me motivacionin “Presion e dhunë përballë zyrtarëve të ndeshjes” kanë marrë vendime të ndryshme, duke lënë ne fuqi dënimin e parashikuar në nenet e rregullores.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së sjell publikisht në kujtesën e Komisionit të Apelit se për këtë motivacion e me denim të njëjtë është mbajtur qëndrim me standart të ndryshëm duke penalizuar më parë skuadra si Flamurtari, Laçi dhe Mamurrasi.

Ndonese I pafuqishem per te ndryshuar kete vendim te formes se prere, Komiteti Ekzekutiv I FSHF-se kerkon qe ne te ardhmen Komisioni I Apetit dhe te gjitha strukturat e Drejtesise Sportive prane futbollit shqiptar te ruajne standarte te barabarta per te gjithe.

Futbolli eshte nje loje komplekse brenda te ciles mbeshtillen shume emocione e deshira . Ato menjehere percillen tek mijera e mijera sportdashes perballe te cileve ne duhet te jemi korrekt e te pa anshem ne vendimet dhe punen tone per te miren e ketij sporti ne Shqiperi.

Filed Under: Featured

Kryeministri Thaçi: E kemi shmangur rrezikun e ndarjes së Kosovës

December 16, 2013 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se në bisedimet me Serbinë Kosova është shpëtuar nga krijimi i ndonjë autonomie, apo “Republike Serbe”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi. kryeministri Thaçi, flet edhe për zhvillimet e brendshme politike pas zgjedhjeve komunale.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme të bisedimeve me Serbinë. Ju sapo përfunduar një raund bisedimesh dhe të premten pritet të takoheni sërish për të diskutuar çështjet e drejtësisë. Çfarë prisni nga ky takim? Hashim Thaçi: Jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit jemi dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës. Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës. Ndërsa takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejt, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej baroneshës (Catherine) Ashton, BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi çështjes së policisë. Ka pasur shumë shqetësime në Kosovës se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale. A ka një proces të verifikimit të këtyre njerëzve?

Hashim Thaçi: Testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale.

Zëri i Amerikës: Kush e verifikon këtë?

Hashim Thaçi: E verifikon policia e Kosovës, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Po sa i përket çështjeve të drejtësisë? Beogradi ka ngulur këmbë që të ketë gjykata të veçanta në veri që do të pasqyronin përbërjen etnike. Si në fakt prisni të duket sistemi i drejtësisë atje?

Hashim Thaçi: Sistemi i drejtësisë do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës?

Zëri i Amerikës: Dhe ligjet…?

Hashim Thaçi: Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, por sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, a keni arritur ndonjë pajtim se si do të funksionojë ai?

Hashim Thaçi: Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan.

Zëri i Amerikës: Thatë se më këtë është shmangur ndarja e Kosovës, por, a po ndodhë një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?

Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkret, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj. Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitim edhe në katër komunat e veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në veri. Prandaj mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore.

Zëri i Amerikës: Marrëveshjet që keni bërë me kryeministrin serb i kanë mundësuar Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa përshpejtimi i këtyre bisedimeve a është tash një ndihmesë që po i jepni Serbisë që të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim? Hashim Thaçi: Marrëveshjet që kemi arritur si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete. Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në. Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zgjedhjet që sapo përfunduan dhanë edhe një shenjë tjetër për Kosovën që ka të bëjë me ndryshimin e gjeografisë së brendshme politike të Kosovës. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në zhvillimet e ardhshme politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme?

Hashim Thaçi: Ajo që fillimisht do të doja të theksoja është se ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të drejta dhe demokratike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve për herë të parë pas 14 vitesh. Por, në të njëjtën kohë ndjehem mirë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që kanë treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik, por edhe mesazh edhe për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Pra, ndjehem tepër mirë që Kosova ka kaluar një test jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian për të ardhmen euro- atlantike. Ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, gjithashtu si kryetar i PDK-së, në të njëjtën kohë, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional. Natyrisht, jemi dëshmitar të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati. Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime, lirisht mund të them, që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare.

Zëri i Amerikës: Pse ishte skandal? A nuk ishte ky dështim i PDK-së në Mitrovicë?

Hashim Thaçi: Unë mund të them se edhe sa i përket përgjegjësive të PDK-së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por në të njëjtën kohë edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor. Por, si kryetar i PDK-së, ju thashë edhe njëherë që PDK edhe pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014.

Zëri i Amerikës: Të cilat mund t’i presim në cilën periudhë të vitit 2014?

Hashim Thaçi: Ne kemi diskutuar dhe lidershipin kosovar edhe sot sa i përket reformës zgjedhore. Fillimisht do të përmbyllim reformën zgjedhore që kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politik. Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibil sa i përket periudhës kohore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit e cila Kosovën e gjen të radhitur poshtë në mesin e  vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit?

Hashim Thaçi: Drejtësia kosovare tash e 15 vite udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Kosova ka bërë hapa konkret në tre-katër vitet e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hapa konkret që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX-it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit. Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Ka fuqi të brendshme Kosova që ta bëjë një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Kosova është storie e suksesit të plotë, është një vend, nje shtet që është në përmbyllje të konsolidimit dhe sa më tepër merr përgjegjësi aq më të fuqishme do të jenë edhe vendimet edhe përkushtimet tona.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë një strategji për përmbylljen e misionit të EULEX-it. A nuk është pak herët?

Hashim Thaçi: Mendoj se është pak vonë. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve edhe me lidershipin tjetër politik kosovar. Janë 15 vjet të tranzicionit demokratik, janë gjashtë vite të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Nuk ka ndodhur askund që diçka e tillë të ndodhë kaq gjatë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe natyrisht që edhe misioni evropian i rendit dhe ligjit, duhet të përmbyllë punën me sukses. Kështu që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe hap pas hapi, vitin e ardhshëm, ky mision të bartë autoritetin ekzekutiv tek institucionet legjitime dhe sovrane të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Thaci, zeri i amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 789
  • 790
  • 791
  • 792
  • 793
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT