• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASHTRIMI I MADH

September 14, 2013 by dgreca

Nga Dr. Prenjo Imeraj/

Ne foto: Para monumentit ne Gerhot, kur 70 vjet me pare ndodhi tragjedia/

Më 14 shtator mbushen plot 70 vjetë nga dita e masakrës së Grehotit. Ishte 14 shtatori i vitit 1943. Italia fashiste e Musolinit sapo kishte kapitulluar. Qyteti i Gjirokastrës ishte në duart e nacionalistëve. Forcat partizane ishin vendosur në anën e Viroit në drejtim të veri-perëndimit të qytetit. Pararoja e ushtrisë ripushtuese të nazistëve gjermanë ishte disllokuar në Tepelenë. Garnizoni fashist Italian Peruxhia dhe disa reparte të divizionit Parma ishin bllokuar në Grehot nën komandën e gjeneralit Kiminelo. Gjermanët patën dërguar ultimatum me shkrim, që divizioni fashist duhej të dorëzohej tek ata. Partizanët e Zonës së Parë Operative nën komandën e Shefqet Peçit me “këshilltar” majorin anglez Tilman bënin presione me kushtet e tyre, duke dërguar delegacione njëri pas tjetrit në komandën fashiste, që divizioni të dorëzohej tek ata dhe me kushtet e tyre. Forcat nacionaliste të komanduara nga Hysni Lepenica kishin kërkuar që divizioni fashist të dorëzohej tek ata. Më në fund komanda e divizionit fashist I premtoi Prefektit të Gjirokastrës Veip Runa, njëherësh edhe kryetar i Ballit Kombëtar për zonën, se divizioni do të dorëzohej tek Balli Kombëtar. Pasditeja e 14 shtatorit ishte koha e mbarimit të afatit të ultimatumit. Sipas premtimit Hysni Lepenica me më të zgjedhurit vullnetarë të çetës Nacionaliste “Shqiponja shkoi të mirte në dorëzim divizionin fashist. Gjatë pritjes tek dera e komandës së divizionit për të kryer aktin e dorëzimit, pa pritmas përmbi nacionalistë shpërtheu një breshëri armësh të lehta e të rënda nga të gjitha lloit të që dispononte divizioni fashist për kundër nacionalistëve. Të gjendur në kurth të 33 nacionalistët ranë të masakruar nga plulmbat dhe hekuri që derthën fashistët mbi ta, në të njëjtën kohë komanda partizane fërkonte duart nga kënaqësia e masakrimit të vëllezërve të një gjaku. Majori anglez Tilman, duke zbatuar politikën e interesave të ditës, ndjeu t’i realizohej porosia e tij. Të 33 të rënët në Grehot u shpallën me një herë Dëshmorë të Atdheut nga kryesia e Prefekturës së Gjirokastrës dhe u varrosën me duar e me thonj nga populli fisnik i Gjirokastrës tek hyrja e teqesë së Lazaratit. Kur Partia Komuniste mori pushtetin në nëntorin e vitit 1944 i shpalli të rënët në Grehot armiq të Partisë e të popullit dhe varrezën e të rënëve në Grehot e përdori si vend për grumbullimin e plehrave të komunales, ndërsa familjet e të rënëve u persekutuan deri në palcë nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës. Me rënien e komunizmit të rënët në Grehot u “ringjallën” për të dëshmuar me forcë pabesinë e komandantit fashist Kiminelo, që pat premtuar t’u dorëzohej nacionalistëve. Ata denoncuan që nga varri intrigën komuniste dhe qendrimin absurd të majorit anglez Tilman. Të 33 të rënët në Grehot u shpallën Dëshmorë të Atdheut, ndërsa presidenca i dekoroi sipas meritave. Ata prehen tani përjetësisht në varrezën e Dëshmorëve të Grehotit e ngritur tek vendi i rënies së tyre. Gjatë këtyre 20 e më tepër viteve të erës demokratike, është folur, shkruar e dëshmuar shumë për masakrën e Grehotit nga dëshmitarë okularë nancionalistë e komunistë shqiptarë. Vetëm tani së fundi është zbuluar shkrimi për këtë ngjarje i priftit të divizionit fashist Peruxhia njëhesh edhe kolonel Xhovani Bonomi, botuar në “Bieti” Milane 1988 dhe përkthyer nga Etleva Memisha. Kushdo që interesohet se ç’ka shkruar ai dëshmitar okular të lexojë dy numrat e fundit të gazetës “Dielli”(Gusht-Shtator) dhe librin e Enver Memishajt me titull: Hysni Lepenica. Aty duket qartë intriga komuniste mbështetur nga majori anglez Tilman, të cilët me “një gur vranë tre zogj”: Eliminuan krahun ushtarak më serioz dhe më konseguent të nacionalistëve shqiptarë, muarën nga divizioni fashist armatimet e lehta aqsa u nevoiteshin dhe, hapën shtegun për të marrë lirisht pushtetin pas përfundimit të luftës.

Filed Under: Featured

Dëshmi për Shën Konstandin​in

September 13, 2013 by dgreca

Me rastin e festës së kryqit të shenjtë, 14 Shtator/

Kryqi nuk mund të përmendej si një gjë e këndshme midis Romakëve, të cilët  e shihnin atë  si një shenjë  fatkeqe , dhe siç  thotë Ciceroi , njeriu  i lirë nuk mund ta zinte me gojë atë fjalë.

Megjithatë ,Perandori Konstandin ia  atribuoi fitoren e tij në fushat e Kuintianit , pranë urës së Milviusit, Kryqit të krishterëve , mbishkrimin e te cilit e gjejmë poshtë statujës së tij, statujë me të ciliën  Senati  romak e nderoi perandorin Konstandin.  -Kjo sipas dëshmisë së shkruar të   historianit Eusebius.  Historiani gjithashtu  përmend se në triumfin e tij , ai nuk  ngjiti malin  e  Kapitolit për të ofruar dhurata dhe flijime për perënditë e rreme sipas zakonit të paraardhësve të tij , por ” përmes mbishkrimit të shquar ,  duke shpallur kështu  fuqinë e shenjës shpetimtare të Krishtit”

Një  dokumenti nga Kodinusi na siguron  se Kostandini  beri që kryqi , të cilin ai e kishte parë në vizionin e tij mrekullues, ngadhënjyes  a lartësuar në ajër , të ngrihej madhështor në sheshin kryesor të Konstandinopojës. Ai gjithashtu ngriti në sallën kryesore të pallatit të tij në Kostandinopojë , një figurë e madhe të kryqit , ashtu si e  kishte parë në qiell , dhe nga fuqia e të cilit  ai kishte qenë fitimtar në betejë . Kjo,   jo vetëm monograma  pra, por edhe figura e kryqit ishin  vendosur në Labarum dhe është e qartë nga përshkrimi i Eusebiusit  por  edhe nga medaljet e lashta në të cilat figura e kryqit është  shumë mirë e përfaqësuar.

Figura dhe shenja e kryqit natyrisht ishin nderuar që përpara Konstandinit,  nderim që ishte ardhur si rrjedhojë e asaj cfarë kishin trashëguar besimtarët dhe kisha nga apostujt.  Shënjtori  Efrem thotë se: ” Të krishterët  lyenin  ose vendosnin në dyert e tyre një  kryq të çmuar dhe jetëdhënës .” Figura e kryqit gjendet  zakonisht në varret e të krishterëve primitivë po ashtu.

Eusebiusi na siguron se   informacionin që na ka lënë me shkrim  e ka marrë nga goja e vet Konstandini  i cili konfirmoi të vërtetën e tregimit të tij  me një betim solemn . Ky perandor i shoqëron me fuqi dhe zë të lartë fitoret e tijpermes  kësaj shenjë  të mrekullueshme të Kryqit , i cili duket edhe nga mbishkrimet e ndryshme nga  figura  të cilat ai ngriti në vende publike si  edhe nga disa medalje të cilat ai dhe pasardhësi i tij  i prenë per perandorinë.

Laktantiusi , i cili ishte instruktor I Krispus  Cezarit , birit  të Kostandinit , ka thënë se Konstandini ia atribuoi fitoren e tij  mbi Maxentiusin vizionit të mrekullueshëm të Kryqit , vision që ai e pati përpara betejës.  Philostorgius , një historian Arian bashkëkohor , në fragmente të caktuara të historisë per Konstandinin, fragmente që u ruajtën  nga Fotiusi , duke e përshkruar vizionin Konstandini e Kryqit në ajër , thotë se shenja qiellore zgjatej shumë  gjerë në lindje me një dritë të mrekullueshme , dhe me mbishkrimin vijues:,”Përmes këtij (kryqi)  sundo” . ” Në disa medalje të lashta kjo  është shprehur keshtu në latinisht : “in hoc victor Eris “.

(Adaptuar nga jeta e etërve tanë, dëshmorët dhe shenjtorët e tjere kryesore , nga Rev Alban Butler, Vol IX, D. & J. Sadlier  , Nju Jork, 1821 , faqe 656-657 )

Perktheu nga anglishtja: Merita Bajraktari

Filed Under: Featured Tagged With: deshmi per shen Kostandinin, Merita bajraktari

Shqipëria e vogël, pengu i një loje të madhe diplomatike

September 13, 2013 by dgreca

Nga Herman Bernstein/ The New York Times/

28 Janar 1934: Me çeshtjet e saja në krizë, ajo vështron me shumë vëmendje lëvizjet e ndryshme të bëra prej blloqeve të udhëhequr prej Francës dhe Italisë.

Shqipëria gjykohet si një nga zonat më të rrezikshme në Europë. Një luftë e re mund të fillojë atje në qoftë se interesat politike dhe ushtarake të vendeve të tjera në Shqipëri vazhdojnë të përplasen njëri me tjetrin. Për shkak të pozitës gjeografike, ky vend i vogël mban çelësat e Adriatikut dhe ka qenë për shekuj shkaku i zënkës midis vendeve të ndryshme.

Nga pikëpamja strategjike, bregu i saj do të kishtë një vlerë të paçmueshme për Italinë në rast lufte. Italia është duke derdhur për disa vjet shuma të mëdha parash në Shqipëri me synim të ndihmojë organizimin e ushtrisë, të ndërtojë rrugë, ura dhe fortifikime. Në Ballkan besohet se përpjekja e Italisë për të forcuar ushtarakisht Shqipërinë është pjesë e programit imperialist të Musolinit për t’u futur thellë në Ballkan, për të ripushtuar rrugën e famshme romake Egnatia e cila shkon nga Shqipëria e Jugosllavia drejt Selanikut e Stambollit. Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri vëzhgohet me dyshim e ankth prej Francës, prej Ententes së Vogël [Çekosllovakia, Rumania, Jugosllavia] dhe veçanërisht prej Jugosllavisë. Gjatë viteve të fundit, ndihma financiare dhe drejtimi ushtarak dhënë Shqipërisë prej Italisë ka nxehur nervat në Ballkan dhe ka nxitur Jugosllavinë të bëjë përgatitje të ethshme ushtarake për të përballuar futjen Italiane që mendohet në Ballkan.

Një Peng i Fuqive. Shqipëria e vogël është bërë kështu një peng në lojën e dy blloqeve kundërshtarë në diplomacinë Europiane, njëri kryesohet nga Italia e tjetri nga Franca. Ajo ka përfituar deri diku nga këto interesa kundërshtare dhe ia ka dalë të fuqizojë bashkimin e saj kombëtar, së pari me ndihmën e Jugosllavisë dhe pastaj me ndihmën e Italisë. Çfardo mund të kenë qenë shtysat e fshehta të këtyre vendeve, Shqipëria ka ruajtur me zotësi dhe guxim pavarësinë e saj, megjithëse ajo ishte e detyruar të bënte sakrifica, lëshime dhe pranime të shumta në kthim të ndihmës materiale që ajo përftoi që nga mbarimi i luftës. Edhe sikur rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën financiare italiane ishin synuar për skemat ushtarake italiane, ato tani shërbejnë për qëllime të dobishme ekonomike për Shqipërinë duke krijuar ndërlidhje midis pjesëve të ndryshme të këtij vendi malor të vogël.

E pushtuar gjatë Luftës I Botërore. Gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria ishte skenë e shumë pushtimeve. Ushtritë greke, serbe, franceze, austriake dhe italiane luftuan njëra tjetrën në Shqipëri dhe kjo tokë e vogël u nda në disa copëza nën ndikim të huaj, kurse njerëzit iu nënshtruan mjerimit dhe kufizimeve të parrëfyeshme. Ahmet Zogu, mbreti i tanishëm, u mbajt në Vjenë gjatë periudhës së luftës. Pavarësia e Shqipërisë, e arritur më 1912, u ndërpre. Në Konferencën e Paqes në Paris, kërkesat e saja fillimisht u mohuan plotësisht. Delegatët shqiptarë të kryesuar nga Mehmet Konica, vëllai i ambasadorit të tanishëm shqiptar në SHBA [Faik Konicës], varën shpresën e tyre tek Presidenti Wilson dhe iu lutën delegacionit amerikan që SHBA, si një fuqi e pa interesuar, të merrte komandën për Shqipërinë. Jugosllavia, Greqia dhe Italia ishin në ethe për të siguruar “sferat e tyre të ndikimit”. Më 1919, një marrëveshje u arrit nga Clemenceau, Lloyd Geroge dhe Nitti [përkatësisht, kryeministri francez, britanik dhe italian], në mungesë të përfaqësuesit amerikan, e cila i jepte Italisë komandën mbi Shqipërinë dhe Jugosllavisë toka të Shqipërisë veriore. Shqiptarët e kundërshtuan këtë marrëveshje, e cila iu hiqte atyre pavarësinë dhe iu cungonte vendin.

Kundërshtimi i wilsonit. Presidenti Wilson e kundërshtoi me forcë këtë marrëveshje duke thënë se ajo ishte arritur në mungesë të përfaqsuesit amerikan dhe se ajo synonte “t’i ndante Shqiptarët, kundër dëshirës së tyre të zjarrtë, midis tre fuqive të huaja të ndryshme”. Pavarësia e Shqipërisë u shpëtua kur qevera amerikane bëri të ditur se “çeshtjet shqiptare nuk duhet të përfshihen në bisedimet midis Italisë e Jugosllavisë, dhe Presidenti duhet të ripohojë se ai nuk mund të pranojë plane që i japin Jugosllavisë toka të Shqipërisë veriore si dëmshpërblim për çka ajo kërkon diku tjetër”. Dhe se “Italia dhe Jugosllavia lihen bashkë t’i sheshojnë çeshtjet e tyre, nëse ato munden, nëpërmjet bisedimeve të veçanta dhe me kushtin që ata nuk duhet të arrijnë në marrëveshje duke përfituar prej Shqipërisë”. Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve me të drejta të plota në Dhjetor 1920, pas një kërkese këmbëngulëse në emër të pavarësisë shqiptare të bërë nga Lordi Robert Cecil [në Konferencën e Paqes më 1919, ai ishte përfaqësuesi britanik në bisedimet për krijimin e Lidhjes së Kombeve] përballë kundërshtimeve nga disa shtete ballkanike.

Nje vit më vonë, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë “duke pranuar se cënimi i këtyre kufinjve dhe i pavarësisë së Shqipërisë mund të përbëjë një rrezik për sigurinë strategjike të Italisë”, arritën një marrëveshje sipas të cilës “në çdo kohë, nëse  Shqipëria e ka të pamundur të ruajë tërësinë territoriale të saj, ajo është e lirë t’i kërkojë Këshillit të Lidhjes së Kombeve ndihmë të jashtme”; dhe se “qeveritë e Perandorisë Britanike, Francës, Italisë dhe Japonisë marrin vendime në raste të tilla që t’i udhëzojnë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lidhjes së Kombeve të këshillojnë që rivendosja e kufinjve territorialë të Shqipërisë t’i besohet Italisë”. Megjithëse tashmë një anëtare e Lidhjes së Kombeve, Shqipëria nuk u këshillua për këtë marrëveshje. Ajo e kundërshtoi atë duke bërë të ditur se nuk do ta njihte vlefshmërinë e saj. Deri në ditët e stome, Italia e quan Marrëveshjen e Ambasadorëve si një instrument lidhës ndërshtetëror, i cili i njeh asaj interesa të veçanta në Shqipëri, megjithëse kjo marrëveshje shihet me dyshime dhe frikë nga fqinjët e Shqipërisë në Ballkan. Pra, marrëveshja ka shërbyer që në fillim si një shkak fërkimesh dhe e ka bërë Shqipërinë një zonë të ndjeshme siç është sot.

Më 1920, italianët mbanin të pushtuar Valonën në Shqipërinë e Jugut. Udhëheqësit shqiptarë, të vendosur që ta çlirojnë vendin e tyre nga pushtimi i huaj, e detyruan ushtrinë italiane të tërhiqej. Pastaj, ata filluan të organizojnë shtetin dhe të vendosin rendin në vend. Ahmet Zogu ishte një nga udhëheqësit e rinj të dalluar dhe qeveria, në të cilën ai ishte Ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër, u dallua prej emrit të tij. Më 1924, regjimi i Zogut u përmbys prej një kryengritje të udhëhequr nga peshkopi shqiptar Fan Noli. Ahmet Zogu me disa kolegë të tij u largua me nxitim në Beograd për strehë dhe ndihmë. Qeveria kryengritëse e Fan Nolit zgjati nga Qershori deri në Dhjetor 1924, kur Zogu, të cilin ajo e kishte dënuar me vdekje, u rikthye fitimtar në Tiranë në krye të një ushtrie të vogël që ai e kishte organizuar në Jugosllavi. Brenda një muaji nga kthimi i tij, Zogu u zgjodh President i Republikës Shqiptare për shtatë vjet. Qeveria e tij filloi të riorganizojë dhe të përmirësojë vendin, megjithëse shpërthimet e pakënaqësive vazhduan të ndodhnin herë pas here. Jugosllavët, duke e bërë mik Ahmet Zogun dhe duke e ndihmuar atë të rifitonte pushtetin, pritën që ai të merrte një drejtim të fortë që anonte nga Jugosllavia ose kundra Italisë. Duke e kuptuar rrezikun e madh për vendin e tij nëse ndiqte këtë politikë, Presidenti Zog u përpoq ta ngiste timonin në mes, të mbante anën e Shqipërisë.

Marrëveshja e Tiranës. Papritur, më 1926, një kryengritje serioze ndodhi në Shqipërinë veriore. Ahmet Zogu ishte i bindur se ajo ishte ndezur prej Jugosllavëve. Edhe Italia edhe Jugosllavia i patën parashtruar atij një marrëveshje miqësie dhe sigurimi. Ajo kryengritje e nxiti atë të merrte një vendim të shpejtë në anën italiane, dhe më 27 Nëndor 1926, ai nënshkroi një marrëveshje pesë-vjeçare miqësie e sigurimi midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky dokument, i njohur si Marrëveshja e Tiranës, bënte të ditur se Italia dhe Shqipëria, “me qëllim që të forcojnë marrëdhëniet e tyre të dyanshme të miqësisë dhe sigurisë, pranojnë se çdo shqetësim i drejtuar kundër gjendjes së tanishme politike, ligjore dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat e tyre të ndërsjellta”.             Nënshkrimi i Marrëveshjes së Tiranës i hodhi fqinjët e Shqipërisë në gjendje dëshpërimi dhe kushtrimi. Një vit më vonë, menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit Franko-Jugosllav, një traktat bashkëpunimi u arrit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për një periudhë 20 vjeçare. Një hua prej 50 milion frangash ari iu dha Shqipërisë prej Italisë nëpërmjet një grupi financiar të njohur me emrin SVEA. Banka Kombëtare e Shqipërisë u themela nën mbikqyrjen e këtij grupi. Një program i madh punimesh botore u fillua dhe u financua nga kjo hua. Organizues ekonomikë, inxhinierë, specialistë punimesh dhe stërvitës ushtarakë italianë erdhën në Shqipëri. Rrugë, ura dhe ndërtesa popullore u ndërtuan. Çdo lëvizje në Ballkan analizohet me mikroskop. Jugosllavët vëzhgonin përpjekjet e italianëve në Shqipëri me dyshim. Ato i gjykonin traktatet Italo-Shqiptare, huanë dhe futjen e organizuesve dhe stërvitësve italianë si pjesë të një skeme politike dhe ushtarake për të siguruar një bazë të fortë në Adriatik me synim futjen thellë në Ballkan. Beogradi e vlersoi një program të tillë si një sfidë të drejtpërdrejtë kundrejt Jugosllavisë. Situata ishte e rrezikshme.

Më 1 Shtator 1928, Presidenti Zog u quajt Mbreti i Shqiptarëve nga një Kuvend Kushtetues dhe republika u kthye në mbretëri. Gjenerali italian Alberto Pariani ndihmoi të organizonte dhe të stërviste ushtrinë shqiptare. Xhandarmëria u organizua dhe u drejtua nga gjenerali britanik Sir Jocelyn Percy. Gjykatat e drejtësisë u riorganizuan. Shkolla të reja u hapën. Një ritëm më i shpejtë hyri në këtë vend të vogël ku në të kaluarën “gjërat mund të kryheshin vetëm nëse kishe duhan të mjaftë dhe durim”. Kur periudha pesë vjeçare e Paktit të Miqësisë dhe Sigurimit mbaroi, Mbreti Zog nuk pranoi ta ripërtërinte atë, me gjithë shtytjen e njohur të ushtruar prej Musolinit. Mbreti Zog theksoi se traktati nuk ishtë më i nevojshëm dhe ai nuk kërkonte fuqi të huaja për ta mbrojtur atë. Ai gjithashtu vuri në dukje se trakti i tij i bashkëpunimit më Italinë, i cili do të mbeste në fuqi për vite të tjera, mbulonte gjithë pikat e bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve.

Situatë financiare kritike. Në të njëjtën kohë, kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë kishin arritur një pikë kritike. Italia afroi të jepte ndihmë përsëri për Shqipërinë duke dhënë dhjetë hua vjetore prej 10 milion frangash ari sejcila. Fqinjëve të Shqipërisë iu shtua kushtrimi duke besuar se ndihma italiane s’do ishte gjë tjetër veçse për qëllime ushtarake. Huatë vjetore pritej të shpenzoheshin nën mbikqyrjen e një komisioni të përzjerë italo-shqiptar. Shqipëria pranoi dhe dy huatë e para u dhanë, megjithëse jo të plota. Huaja e tretë, e këtij viti, është mbajtur duke arsyetuar se Shqipëria nuk po plotëson kushtet  marrëveshjes për të qenë një “bashkëpunim miqësor”.

Kur Italia një vit më parë i hodhi mbretit Zog idenë që një bashkim doganor ndërmjet Italisë e Shqipërisë do të ishte i pranueshëm për Italinë dhe do t’i jepte përparësi Shqipërisë, mbreti Zog e hodhi poshtë atë ide duke kuptuar se një marrëveshje e tillë jo vetëm do të ngacmonte fqinjët e tij ballkanikë por ajo mund të krijontë një trazim në tërë Europën. Më pas Italia u shqetësua nga një ndryshim në Kushtetutën e Shqipërisë, i cili shkaktoi  mbylljen e disa shkollave të huaja dhe fetare. Qeveria shqiptare spjegoi se kjo masë ishte tani e nevojshme me qëllim që të forconte bashkimin kombëtar nëpërmjet një sistemi shkollor të përbashkët dhe të ndalonte propagandën e huaj kundra kombit. Italianët nuk pranuan drejtime të tilla administrative në shkollat e tyre dhe si rrjedhim i mbyllën dhe kthyen mësuesit e tyre në Itali. Urtësia e ligjit të ri shqiptar në lidhje me sistemin shkollor ishte i diskutueshën nga pikëpamja e mungesës së tanishme të mësuesve shqiptarë.

S’ka më ndihmë prej Italisë. Qeveria italiane, duke njohur mirë kushtet e dëshpëruara financiare të Shqipërisë, kaloi në politikën e pritmënisë vëzhguese dhe njëkohësisht ndaloi ndihmat e mëtejshme financiare. Importet e Italisë nga Shqipëria  filluan të zvoglohen. Italianët mohuan që ata donin lejime të reja në Shqipëri, që ata donin kontroll të ushtrisë, xhandarmërisë dhe degëve të tjera të qeverisë. Ata thanë se e gjitha që ato donin ishte miqësia, bashkëpunimi miqësor dhe ndikimi kulturor. Mbreti Zog nuk pranoi t’i rihapi shkollat e huaja, por bëri një veprim të vullnetit të mirë duke urdhëruar që gjuha italiane të bëhej e detyrueshme në shkollat e mesme. Kjo nuk i kënaqi plotësisht italianët dhe ato vazhduan ta vonojnë huanë e premtuar vjetore. Atëhere mbreti Zog urdhëroi një tkurrje të madhe të buxhetit të vitit 1934. Ai pakësoi përgjysëm shpenzimet ushtarake. Ai gjithashtu i bëri rrogat shtetërore dhe shpenzimet e shtëpisë mbretërore sa një e katërta e vlerave të mëparshme. Të gjitha këto ndihmuan në rritjen e popullaritetit të mbretit Zog mdis shqiptarëve, por Roma akoma mbetej e paqetë.

Problemi i tanishëm. Shqipëria, duke ditur mirë se shpresa e vetme e saj për ripërtëritje qëndron në zhvillimin paqësor, është duke u munduar ta shmangë vetveten nga ngatarresat politike të cilat rrezikojnë marrëdhëniet miqësore me fqinjët ballkanikë. Italia, Jugosllavia dhe Greqia kanë bërë vazhdimisht të ditur se ato janë kundër cënimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkohë, beteja e zgjuar diplomatike ndërmjet kryeministrit Musolini dhe mbretit Zog është duke vazhduar. Deri më tani, mbreti Zog duket se ka qenë fitues për arësyen se fuqia e Shqipërisë qëndron në dobësinë e saj. Kohët e fundit, ajo ka arritur një traktat tregtar të pëlqyeshëm me Greqinë dhe është duke biseduar një traktat të ri tregtar me Jugosllavinë. Këto janë shenja të pagabueshme të një bashkëpunimi më të ngushtë midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj ballkanikë. Nëse Shqipëria arrin të krijojë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj ballkanikë pa armiqësuar Musolinin, vendi i vogël në Adriatik, i quajtur “toka e harruar e Europës”, do të mundë të zhvillojë në paqe dhe mbarë burimet e saja bujqësore dhe ekonomike.

Herman Bernstein

Ish-ambasdor i ShBA në Shqipëri

Gazeta The New York Times

28 Janar 1934

Shënim shoqërues. Herman Bernstein (1876-1935) qe ambasador i SHBA në Shqipëri në periudhën Shkurt 1930 – Shtator 1933. Ai ishte njëkohësisht një gazetar, shkrimtar, përkthyes, botues e diplomat i famshëm me origjinë hebraike. Albert Einstein ishte mik dhe bashkëpunëtor i tij. Herman Bernstein ishte një veprimtar i spikatur për të drejtat e hebrenjve dhe  redaktor i dy gazetave hebraike.

(Përgatiti: Saimir Lolja)

Filed Under: Featured Tagged With: Herman Bernstein, Saimir Lolja, The New York Times

GEZUAR DITELINDJEN ALFONS GRISHAJ!

September 13, 2013 by dgreca

Festohet ditëlindja e kryetarit të Deges së Vatrës Michigan/

Mbrëmjen e ditës së mërkurë, të datës 11  Shtator 2013  në Kafe “ KUVENDI”, në vazhdën e  takimeve të tilla  të mëparshme, u festua ditëlindja e Kryetarit të Degës së Vatrës Michigan, “Pishtarit të Demokracisë”, njërit prej më të parëve të Levizjes Demokratike Shqiptare, poetit dhe publicistit, Alfons Grishaj. Disa nga vatranët e kësaj dege, si Kujtim Qafa, Pjeter Jaku, Mondi Rakaj, Julian Qefa, Vasel Ujkaj etj. organizuan darken festive, duke ftuar edhe disa nga miqtë dhe bashkëpunëtoret e tij. Në darkë mori pjesë edhe famullitari i Kishës së Shën Palit, Don Fran Kola, i cili me një përshëndetje të shkurtër, por domethënëse i dhuroi Alfonsit librin “ Udha e kryqit”. Don Frani, në përshëndetjen e tij theksoi: “ Ju Alfons dhe shumë si ti, vuajtet  në ferrin komunist jo për fajin tuaj. Ju vuajtet se nuk e duruat diktaturen, vuajtet se nuk e duruat mohimin e fesë dhe të besimit, vuajtet për gjithëçka u mungonte shqiptarëve në liritë që Zoti ia kishte dhuruar gjithë njerëzimit!”

Alfonsin e uruan dhe pershëndeten me këtë rast Julian Çefa, Vasel Ujkaj, Kujtim Qafa, Pjeter Jaku, Ndue Gjekaj, Elinda Marku, Mondi Rakaj etj. duke i uruar jetë të gjatë dhe suksese në aktivitetin e tij.  Nga të afërmit e Alfonsit merrte pjesë bashkëshortja Mirela dhe djali Almi, të cilët u ftuan pas fillimit të darkës nga të pranishmit. Artisti Ndue Gjekaj solli disa vargje për vendin prej nga vinin të parët e Alfonsit, duke e gjallëruar atmosferen gazmore të kësaj mbrëmje.

Alfonsi nga ana e tij falenderoi të pranishmit, duke i marrë emër për emër dhe duke evokuar kujtime nga njohjet me secilin prej tyre. Një falenderim te veçantë pati për Don Fran Kolen, i cili gjeti kohë të  marrë pjesë në këtë mbrëmje miqësore festive.(P.Jaku)

GEZUAR DITELINDJEN, ALFONS GRISHAJ

Kryesia e Vatrës dhe Gazeta Dielli urojnë kryetarin e Degës së VATRËS në Michigan, z. Alfons Grishaj, me rastin e  ditëlindjes. Gëzuar i dashur Alfons, pac shëndet, gëzime e lumturi në Jetë së bashku me familjen!

Filed Under: Featured Tagged With: alfons Grishaj, Gezuar ditelindjen

PERPLASJA E ERGYS KACE NE MEDIAT EUROPIANE

September 12, 2013 by Administrator

Ja cfare shkruaje mediat europiane per perplasjen Ergys Kace-PAOK-Agimi I arte.Golden Dawn vs PAOK Fans: Uproar over Albanian Player Ergys Kace Sparks Thessaloniki Clashes/

Dozens of fans of Greek football club PAOK have stormed the headquarters of neo-Nazi Golden Dawn party in Thessaloniki after the far-right group made a provocative comment on the club’s Albanian player Ergys Kace.

Dozens of young bikers threw stones, bottles and firecrackers at the offices of the ultra-nationalist party in the northern Greece city. Clashes erupted between Golden Dawn members and fans of the football club, but police intervened arresting the PAOK supporters. No one was injured in the attack.

The assault was in retaliation for Golden Dawn’s inflammatory statements against 20-year-old Ergys Kace.

The Albanian international had posted a photo on Facebook supporting a Kosovan militant group.

The picture shows the midfielder wearing a t-shirt of the UCK, the Albanian abbreviation for the ethnic-Albanian paramilitary organisation the Kosovo Liberation Army. The Thessaloniki club had demanded Kace explanation for the picture. “Those who know me know my character and know that I do not (support) the UCK. I respect Greece,” Kace wrote. He has since erased his Facebook account after an uproar in the Greek press

He faces a possible fine or even being kicked off the team. The UCK sought the separation of Kosovo from Yugoslavia during the 1990s and members of the group have recently made provocative statements claiming parts of Western Greece belong to Albania, which have been criticised by the Greek government

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 846
  • 847
  • 848
  • 849
  • 850
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT