• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri i Kosovës vazhdon vizitën në SHBA

June 13, 2013 by dgreca

Nga Zamira Edwards/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara me një sërë takimesh me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë, përfshirë edhe nën presidentin Joe Biden. Dje, kryeministri Thaçi mbajti fjalimin kryesor në konferencën me titull, Forumi ekonomik Trans-Atlantik: ndërtimi i urave në mbarë Mesdheun, e organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SAIS të Universitetit Johns Hopkins.

Fjalimi i kryeministrit Thaçi në Uashington përkoi me 14 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së viteve 1998-1999. Zoti Thaçi tha se gjatë 14 vjetëve të fundit, e veçanërisht në 5 vjetët e fundit që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka bërë një përparim të madh për të krijuar klimën e nevojshme për investime ndërkombëtare. Ai shprehu mirënjohjen e Kosovës për angazhimin amerikan dhe tha se ekonomia e Kosovës është e hapur për amerikanët dhe ndërkombëtarët.
“Kosova është vend i hapur për biznes, dhe ka hapur rrugën për investitorët amerikanë dhe gjithë të tjerët. Qytetarët e Kosovës u janë shumë mirënjohës amerikanëve dhe ekonomia jonë është e hapur për ju. Kosova po ndërton demokraci të fuqishme, një ekonomi të tregut të lirë dhe duam që ju të jeni pjesë e saj”.
Gjatë konferencës, një vemendje e veçantë iu kushtua zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, ndërsa fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane. Kryeministri Thaçi shprehu optimizëm për zbatimin e marrëveshjes dhe ecjen përpara të Kosovës drejt integrimeve evropiane.
“Jam i bindur se kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për momentin në Kosovë, është vendimi më i drejtë i mundshëm për Kosovën dhe Serbine. Është një marrëveshje nga e cila fitojnë të gjithë, jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe rajoni dhe investimet ndërkombëtare, ato të BE-së, amerikane dhe prania e NATO-s”.
“Kjo marrëveshje ndër të tjera siguron të drejta shtesë dhe gjithë përfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe. Qeveria jonë po bën përpjekje të integrojë serbët etnikë dhe institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ne po krijojmë komuna me shumicë serbe, që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe social-kulturore. Ne duam të sigurojmë se komuniteti serb i Kosovës do të mbrohet, do të gëzojë të drejtat, do të respektohet kultura e tyre, institucionet fetare, përfshirë kishat dhe manastiret”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në pjesën veriore të Kosovës do të duhej që brenda këtij viti të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal që do të organizoheshin dhe mbikëqyreshin nga Misioni i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Kryeministri Thaçi vuri në dukje se kjo marrëveshje mbështetet nga shumica në Kosovë, ndërkohë që gëzon mbështetjen edhe të komunitetit ndërkombëtar, por ajo ka edhe kundërshtarët e saj, tha zoti Thaçi.

“Kosova është një histori suksesi të plotë, të investimeve ndërkombëtare, por edhe punës tonë në vend. Tani jemi në një fazë të re, të integrimeve atlantike dhe jam optimist dhe me besim të plotë se edhe kjo fazë do të ecë ngadalë, por e sigurtë dhe do të jetë e realizueshme. Qëllimi dhe vizioni ynë është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe jam i bindur se këtë do ta arrijmë”.

Zoti Thaçi pranoi se integrimet evropiane nuk janë të lehta, por Kosova po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur kërkesat e këtyre integrimeve dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e me Bashkimin Evropian.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: ne SHBA, Thaci Hashim, vizita vazhdon

Petku i urrejtjes nën petkun fetar

June 13, 2013 by dgreca

Në kohën kur episodi i imamit nga Prizreni ende nuk është përmbyllur si duhet, prapa petkut fetar sërish nis një debat tjetër, hero i kujt, në aspektin fetar, ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu./

Nga Bekim Bislimi/

Ligjërata e një imami në një xhami të Prizrenit, mbi parimet morale të gruas, është bërë shkaktare e debateve dhe polemikave të ashpra në mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë, për mënyrën se si predikohet islami nga disa klerikë të këtij religjioni në vend.
Mënyra e tillë e predikimit është vënë edhe në shënjestrën e kritikës së disa deputeteve të Kuvendit të Kosovës, publicistëve si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët pretendojnë se imami në fjalë ka fyer gjininë femërore.
Hapësira mediale, e cila u është dhënë këtyre debateve, nga njohësit e mediave konsiderohet si kryerje e detyrës që kanë mediat, por, sipas tyre, shumë herë mediat marrin rol protagonizmi në këto debate.
Profesor Milazim Krasniqi, shef i degës së Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, vlerëson se jo rrallë mediat ngrenë probleme dhe ngjarje të caktuara në përmasa më të mëdha se sa është vlera reale e tyres, por megjithatë, siç thotë ai, ato e kryejnë punën e tyre.
Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e debateve të ashpra, të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit, më shumë janë të motivuara politikisht.
“Tragjike në krejt këtë është se e përdorin fenë, e përdorin islamin paqësor, ndjenjat fetare, për instrumentalizim në qëllimet politike. Kështu që në këtë aspekt, mendoj se ky është një dëm i madh që i bëhet vetë natyrës së vërtetë të islamit paqësor”.
“Në anën tjetër, i bëhet një dëm i madh edhe vetë politikës, sepse duke futur një fjalor të ashpër dhe primitiv në diskursin politik, në të vërtetë, rritet edhe ashpërsia e komunikimit politik dhe zhvlerësohet edhe ajo që ka mbetur nga vlera reale e politikës si aksion dhe si veprim”,
vlerëson Krasniqi.
Në anën tjetër, njohësit e rrethanave të zhvillimeve sociologjike dhe të religjionit, vlerësojnë se asnjë komunitet etnik apo fetar nuk mund të jetë imun ndaj qasjeve të tilla ekstreme, si dhe ndaj predikimeve me tone fyese dhe denigruese për njerëzit, qoftë prej faltores kur imami thirret në emër të predikimeve fetare, qoftë edhe prej pozicionit të deputetit, gjë që ka qenë rast.
Profesor Ismajl Hasani, ekspert i sociologjisë së religjionit, thotë se problemi tashmë qëndron tek ajo se sa është në gjendje shoqëria kosovare të mobilizohet për amortizimin e këtyre dukurive dhe izolimin e rasteve të veçanta, që shkaktojnë dëme, për të cilat dukuri, sipas tij, ka pasur paralajmërime.
“Shfaqjet e fundit që janë të lidhura me paraqitjet e individëve nën petkun e predikuesve ose mbrojtësve të qasjeve të ndryshme radikale në predikimet fetare, janë diçka tjetër prej asaj që është zhvillim normal i religjionit. Nuk po ndodh asgjë e re në Kosovë, në raport me atë që Departamenti Amerikan i Shtetit para katër vjetësh ka hartuar një raport ku parasheh mundësinë e paraqitjes së rrymave të ndryshme ekstremiste në Ballkan, e me fokus të veçantë Kosovën”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Shkaqet që nxisin debatet dhe polemikat për religjionin, si dhe vetë debatet dhe polemikat, sipas profesorit Milazim Krasniqi, po bëhen me qëllim të ndryshimit të agjendës, në kohën kur Kosova ka probleme shumë më të mëdha ekonomike, politike dhe sociale, se sa debatet e kësaj natyre.
“Dikush është i interesuar për ndërrimin e agjendës, për ta imponuar këtë çështje dhe për ta mbajtur në agjendë, si dhe përmes saj të prodhojë tensione politike dhe fetare. Në anën tjetër, ky debat ka hapur, për herë të parë ndoshta, edhe një konflikt të brendshëm, brenda vetë komunitetit mysliman, sepse një pjesë e participuesve kanë shkuar shumë larg në agresivitetin e tyre në këtë temë, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur, si të thuash, e stepur ose edhe e zhgënjyer me ta”, thekson Krasniqi.
Profesor Krasniqi shton se niveli i dytë, siç e quan ai, i konfliktit, shkon në raport me pjesët tjera, do të thotë, me laikët, agnostikët si dhe me besimet tjera. Sipas tij, dëmi është shumë më i madh se sa që mund të vlerësohet tash, prej këtij debati, të cilin ai e vlerëson si të pakëndshëm.
Por, profesor Hasani vlerëson se shkaqet që nxisin debate të tilla për religjionin, janë sporadike dhe se komuniteti mysliman në Kosovë ka kapacitete që t’i mbajë të izoluara dhe këtë edhe duhet ta bëjë. Në të kundërtën, siç thotë ai, alarmi është i ndezur.
“Shoqëria kosovare mobilizohet dhe i tejkalon këto, normalisht, duke marrë masa institucionale, në rastin konkret, brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Është i nevojshëm që të hapet dialogu brenda bashkësisë dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë. Absolutisht, një ofendim i tillë, një fyerje e tillë e 50 për qind të popullsisë, nuk mund të kalojë pa u penalizuar, sepse fjala publike ka peshë, kudo që shqiptohet. Nuk ka imunitet, absolutisht, predikimi, nëse është i veshur me petkun e urrejtjes, denigrimit dhe ofendimit publik”, vlerëson Hasani.
Institucionet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës të ndërmarrë masa për ligjërimet e këtilla. Dhe, në kohën kur episodi i imamit nga Prizreni ende nuk është përmbyllur si duhet, prapa petkut fetar sërish nis një debat tjetër, hero i kujt, në aspektin fetar, ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Filed Under: Featured

Revista austriake zgjedh prishtinasen per “Playmate July 2013”

June 13, 2013 by dgreca

Iris Shala, e lindur ne Prishtine, mbesa e aktorit të madh, të ndjerë kosovar, Abdurrahman Shala, shpallet “Playmate”  per korrik 2013/

Aktorja dhe topmodelja 22 vjeçe, Iris Shala, e lindur në Prishtinë dhe që jeton në Graz të Austrisë është zgjedhur për “Playmate July 2013”, titull që e shpall revista për meshkuj “Playboy”, botimi gjerman për çdo muaj.

Irisi është e njohur edhe nga një rol që ajo ka luajtur në serialin e njohur gjerman “Anna und die Liebe” (na dhe dashuria). Në Austri ajo ka fituar vendin e tetë në një garë për topmodelen më të mirë.

Në biografinë e saj shkruan se është e lindur më10 gusht të vitit 1990 në Prishtinë.

Në intervistat që ka dhënë për mediet e ndryshme austriake dhe gjermane, Irisi thotë se gjithmonë ka pasur një afinitet për aktrimin. Këtë e ka edhe njëfarë trashëgimie, thotë ajo, dhe zbulon se gjyshi i saj ka qenë Abdurrahman Shala, një aktor i shquar i gjeneratës së parë të aktorëve të teatrit dhe të filmit në Kosovë.

Është me siguri shqiptarja e parë që zgjidhet “Playmate” në revistën e njohur për prezantimin erotik të femrave, “Playboy”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Shala, revista austriake

“Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”

June 10, 2013 by dgreca

Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta./

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

Valhalla Westchester County, New York: Çdo vit, komuniteti shqiptaro-amerikan i zonës “Tri-Shteteve” NY-NJ-CT, në nderime të Ditës së Traditës dhe Trashëgimisë Shqiptare”, mban një Piknik, i cili është më i madhi në Amerikë, dhe i vetmi më i organizuari deri tani. Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, është kthyer në një festë të gjallë të muzikës shqiptare, valle tradicionale, simboleve tona kombëtare, aktiviteteve sportive, kulturore e artistke dheushqim shqiptar në ditën esaj vjetore të ashtuquajtur Dita e Trashëgimisë Shqiptare.

Si çdo vjet edhe kësaj të diele ajo është mbajtur në një parqet më të mëdha publike në këtë zonë Kensico Plaza Dam,( 98 acre park), në Valhalla Westchester County, New York. Kjo ngjarje është mbajtur nën kujdesin e Departamentit të Parqeve të Argëtimit të Qarkut Westchester, dhe Qendrës Kulturore “Nënë Tereza Center” në Kishën Katolike Shqiptare – Zojës së Shkodrës.
Kjo ngjarje vjetore është një haraç për kulturën shqiptare, duke përfshirë edhe veshje tradicionale shqiptare, instrumente muzikore unike shqiptare dhe një mundësi të rrallë për të dëgjuar dhe të parë një shumëllojshmëri të muzikës shqiptaredhe valleve, si dhetë shijonë ushqim tradicional shqiptar. Kultura ofrohen nga këngëtarët popullor shqiptar dhe kërcimtarët e Grupit të Vajzave dhe Djemëve të Valltarëve të Kishës. Përveç kësaj, ajo është një kënaqësi për të plotësuar një ngjarjefamiljare, duke e kombinuar atë me sportet dhe aktivitetet për fëmijë me një atmosferë pikniku tipike si ato që mbahen në Amerikë.
Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta.

Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, u ndoq nga personalitete të shquara të komunitetit dhe zyrtarët e lart të Qarkut Westchester. Përveç famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe meshtarit Dom Viktor Dedaj, ishin present edhe dy meshtarë nga Shqipëria, Dom Ernest Troshani dhe Dom Gjergj Meta. Prefekti i Qarkut Westchester, z. Rob Astorino me disa nga zyra e tij, moren pjesë ne piknik. Zoti Astorino, me fjalë të zgjedhura i përshendeti të pranishmit, duke i ftuar edhe ata që nuk janë banorë të Westchester-it sot ta ndiejnë vetën në shtëpinë e vet, t’a ndjenë “veten pakëz shqiptarë” në këtë “sofër” gjigande të krenarisë dhe bujarisë shqiptare.

Ceremoninë e hapi drejtuesi i aktivitetit, z. Fran Çotaj, duke ju dëshiruar mirëseardhjen të gjithëve dhe duke presentuar orkestren “Toska” dhe këngëtarët Gëzim Nika, Kela Deda, Lisa Junçaj dhe Aferdita Hoxha, të cilët vazhduan argëtimin deri në mbyllje, në orën 7 të mbrëmjes.

Piknikun festiv e gjallëruan edhe më shumë grupi artistik “Rozafati” i Qendres “Nëna Tereze”, me drejtoreshë Gina Çotaj dhe koreografe Angjelina Nika. Kurse shumë të rinj e të reja, pa ndonjë lidhje me ndonjë grup artistik, të cilët ishin veshur me kostume popullore iu bashkuan vallëtarëve në vallëzime.

Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, rrefet se si ata kan arritur qëllimit që këta të rinjë e të reja, të ruajnë traditën dhe kulturën shqiptare , ashtu edhe për të krijuar lidhje miqësore me fëmijë të tjerë me të cilët i bashkojnë lidhjet me botën shqiptare, në mërgim.

Shkreli, i tha gazetës Bota Sot, vetë fakti që, në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë, ishtë edhe një aktivitet tjetër i organizuar nga Plavë-Gucia, do ta konsideroja si u arrijt qellimi. Gjithsesi, tha ai kur marrin pjesë më se tri mijë vetë, nuk mund të konsiderohet tjetër përveç arritje e lartë, dhe, gjeja më e rendësishme, duhet të jetë ndërlidhjet mes të rinjve shqiptarë, pa dallim besimi apo krahine. Të gjithë ishin SHQIPTRARË, theksoi ai..

“Në çdo pjesë të parkut të madh, theksojë Shkreli, ndihej vetëm gjuha shqipe, tingëllonte kënga shqipe, kërcehej vallja shqipe. Fushat e gjera të sportit ishin plot e përplot me të rinj që tentonin të fitonin trofeun e ditës. Me siguri që, gjatë kësaj pasditje u shëndrruan shumë numra telefonash, shumë e-maile, apo mjete të tjera të komunikimit.”

Ai vuri në pah edhe disa nga karakteristika kryesore, të këtij pikniku, që sipas tij ai ishte gjithpërfshimsia e shqiptarëve, pa kurrëfarë dallimi. Vihej re, ceku Shkreli se edhe nga rajoni Plavë Guci, edhe pse edhe ata kishin një piknik të ngjajshëm, kishte mjaft të pranishëm në këtë kishës. Pra, sikur e thotë shpesh famullitari, Dom Pjetër Popaj, “këtu dallohej ata që na bashkon e jo që na ndanë”. Kjo është kënaqësi e madhe për çdo shqiptar vullnetmirë, të cilit përkatësia fetare nuk i bëhët pengesë.”

Ky Piknik duket se i shërben asaj ndjenjës së thellë shpirtërore të bashkëjetesës e respektit ndaj njeri tjerit dhe vendit ku jetojmë , Shteteve të Bashkuara nëpërmjet nderimit e mbajtjes gjallë të trashëgimisë sonë kulturore, dhe kulutrës e simboleve Amerikane.

Në gjitha anët e parkut dalloheshin edhe qytetarë të etnive të tjera, si dhe të racave të lloj-llojshme. Interesimi i tyre, natyrisht, ishte të mësonin diçka pë Shqipërinë, për shqiptarët, për gjellnat e ndryshme që nuk i kishin shijuar më parë dhje se ku mund të gjindeshin restorante që shërbejnë këto gjellna. Shumë nga ata, edhe të moshuar, provonin të kërcenin vallet shqiptare.

Ky piknik, tha zoti Mark Shkreli ishte nje konfirmim i seriozitetit të organizatorit tashmë të konsoliduar dhe angazhimit të saj për arritje të shkëlqyera dhe krijimit të lidhjeve të ngrohta mes anëtarëve, organizatorëve, dhe vullentarëve të Kishës, që japin një kontribut në mbarë vajtjen e piknikut.

“Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” tanimë, u shpreh zoti Mark Shkreli, është konfirmuar si bartëse e kulturës dhe artit shqiptarë në ShBA. Mos të harrojmë se manifestimet më të mëdhaja që organizohen në ShBA, përveç Ditës së Traditës Shqiptare sot, janë Festivali Shqiptar, i cili për më se 20 vite (22 pë të qenë i sakët) bashkon rreth tri mijë spektatorë dhe qet në skenë rreth 300 artistë amatorë dhe profesionistë; Karnavali treditorë, në trollin e Kishës, me pjesëmarrje të më se pesë mijë veta; mbrëmje gazmore për të rinjt çdo muaj, shenim i të gjitha datave të rëndësishme nga historia, letersia, etj., gjithmonë duke përfshirë të gjithë komunitetin të “Tre-Shtetëshit” New York-New Jersey-Connecticut, ku, përveç priftit si organizator, dallohet edhe hoxha.” thotë zoti Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York,

Disa nga pikat më të veçanta në mbyllje të këtij aktiviteti çdo vjetor ishin:

Pikërisht, në ora 07;00 të mbrëmjes kur edhe ra sipari i Piknikut “Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”, u dorëzuan trofetë dhe medaljet fituesve të futbolit, të renditur sipas suksesit: në vend të parë skuadra Albanian Brothers, me lojtarë nga i gjithë komuniteti i New Yorkut,,në vend të dytë Cemi nga Malsia – New York, dhe në vend të tretë skuadra e djemëve të Kelmendit nga New Yorku.

Foto kredit : Facebook Our Lady of Shkodra:

 

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: Dita e tradites, Pikniku i Kishes, qershor 2013, Zpja e Shkodres

ABEDIN DINO-KRENARI E ÇAMËRISË

June 9, 2013 by dgreca

Nga Eugen SHEHU/

I lindur në vitin e largët 1838, Abedini ishte tepër i vogël kur në Çamëri e Labëri kishin nisur revoltat kundër reformave të Tanzimatit.Më vonë,këto revolta ai do t’i përjetonte kurdoherë përmes mbresave dhe kujtimeve të babait,Ahmet Dinos.Ahmeti,aso kohe,mbi të pesëdhjetat u gjend në krye të revoltave popullore.Në këto revolta u hodhën posht mjaft sanksione ekonomike që rëndonin jetën e fshatarit të prapambetur shqiptar,e bënin akoma më të erët fatin e ardhshëm të tij. Ngase ngriti në këmbë qindra burra në Prevezë e rrethina,ngase u lidh me krerët kryesor të revoltës në Labëri e deri në Mallakastër,Ahmet Dino do të thirrej në Stamboll për të dhënë llogari.Gjithsesi,nga dënimet e shpëton vetëm ndershmëria dhe emri i mirë që gëzonte në krejt vilajetin e Çamërisë.Por sidoqoftë, Porta e Lartë nuk mund ta lëre të shkojë në shtëpi.Ahmet Dino internohet në Qytetin e largët Konje,në Anadoll ku edhe vdiq.Ç’far pat lënë trashëgim plaku trim dhe i urtë tek bijtë e tij,Veseli dhe Abedini ? Koha që rodhi më pas si ata krojet e ftohtë të Çamërisë,vërtetoi se pos të tjerave,pos shtëpisë së madhe e tokave,me së pari,plaku i urtë u la djemve të vet amanetin e madh për Çamërinë për këto troje krejtësisht shqiptare por aq të lakmuara prej grekëve.Brenda këtij amaneti të madh u rrit,hodhi shtat dhe lulëzoi krejt jeta e Abedin Dinos.

Pasi mbaron shkëlqyeshëm shkollën e vendlindjes në gjuhën greke,ashtu si plot bashkëmoshatar të vet,Abedini i drejtohet gjimnazit „Zosimea“ të Janinës.Nuk duhet të harrojmë se ky gjimnaz dallohej aso kohe jo vetëm për kulturën e orientuar pro Perëndimit por edhe për shpërndarjen e ideve të iluminizmit evropian.Njëherazi,djaloshi i imët prej Preveze do të mësonte aty edhe greqishten e vjetër,latinishten,frengjishten dhe italishten duke hedhur kësisoj themelet e një kulture të përgjithshme mjaft solide.Por edhe gjuhët e kulturat e Lindjes nuk do të ishin të përbuzura në „Zosimea“.Pikërisht për këtë,njohuritë e marra prej Abedinit ishin mjaft të thella.

Mbas mbarimit me sukses të „Zosimeas“ Abedin Dino do të studiojë në Stamboll jurispondencë dhe ekonomi.Prirja e tij për mësimin dhe ushtrimin e disa gjuhëve e ndihmojnë më së miri për të thelluar njohuritë e veta duke asimiluar një informacion sa ma të bollshëm të marrë prej burrimeve të shumta.Kështu në mesin e viteve 70-të të shekullit të kaluar,Abedinin e emërojnë komisar të bursës së parë në Gallate të Stambollit.Në këtë detyrë,ai drejton mjeshtërisht operacionet finaciare të kësaj burse dhe shquhet sa për veprime të shkathta aq edhe për përfitimin e rrugëve teorike sa ma efektive në rrafsh të kombinacioneve tregëtare.Po të kemi parasysh,burokracinë e administratës së lartë të Portës Osmane,do të bindemi më tepër për vlerat prej nëpunësi ekonomist të Abedin Dinos.

Djaloshi prej Preveze,do të mendonte së thelli kurdoherë për Çamërinë,për ate vend të bekuar të Ilirisë së lashtë.Demokrat nga natyra,ai do të përpiqej kurdoherë të gjente diçka për t’u hapur udhë reformave të reja në të gjitha rrafshet qofshin këto ekonomike,politike apo sociale.Lëvizja e „Osmanëve të Rinj“ e bënë për veti.I ftuar në rrjedhat e saj do të ndjente jo vetëm frymëzimin për të punuar por edhe vetvehten aq të emancipuar dhe kulturuar njëkohësisht.Por kjo lëvizje,që parashihte një të ardhme të qytetëruar,nuk shihej me sy të mirë prej mehmurëve të Sulltanit.Ata bënë ç’ishte e mundur për të zbuluar e shuar këtë lëvizje madje duke dërmuar edhe në largime udhëheqësit e saj.Anipse lëvizja u shuajt me prepotencë,Abedin Dino së bashku me miqtë e tij turq e shqiptarë,u përpoqën që idetë e kësaj lëvizjeje të rezononin sa ma gjatë në opinjonin shoqëror të asaj kohe.Sidoqoftë,në horizontet e jetës shqiptare diçka kish filluar të përflakej.Tashmë dëshirat për të folur e shkruar gjuhën shqipe,për më tepër dritë lirie,ishin të hapura përkundrejt deskurantizmit anadollak.Në Stamboll, krijohet Komiteti i Stambollit me burra shqiptarë të mençur e trima.Në radhët e para të këtij komiteti është Abedini me vëllanë e vet Vesel Dinon.Të dy së bashku,agjitojnë e punojnë pa u friguar duke paraparë shpresa të mëdha edhe për ardhmërinë e prevezës së tyre aq të hijshme.

Rreth Komitetit të Stambollit u mblodhën veprimtarët më të shquar të nacionalizmit shqiptar.Tek e mbramja ata e patën kuptuar ndër të parët se nacionalizmi shoven sllav,bullgar e grek,nëse rritet e fuqizohet,natyrisht bëhet i rrezikshëm për kufijtë e shqipërisë.Prandaj ata duhet të zhvillonin ndjenjën e  tyre nacionale kurdoherë përmes mesazhit të fqinjësisë së mirë pa kaluar në nacionalizmin ekstrem.Abedin Dino,në këto situata do të mbetej kurdoherë largpamës.Ai dinte të dallonte perspektivat shqiptare duke çelur shtigje për ardhjen më shpejt të tyre. Sidoqoftë ajo çka na bën të mendohemi rreth atdhedashurisë së Abedin Dinos,është padyshim pjesmarrja dhe veprimtaria e tij në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Bashkëpunimi i tij i ngushtë në Stamboll me Abdylin,Samiun dhe Naimin,bënë që optika e ndijimeve politike të tij,të zgjerohet.Tashmë ai ka të qartë se kjo lidhje do të jetë një gurrë themeli për pavarsinë dhe lirinë e krejt trojeve shqiptare. Abedini me të vëllanë,shkojnë menjëherë në Prevezë,shesin aty disa pasuri dhe me floririn e grumbulluar shëtisin krejt shqipërinë,në Kosovë e Turqi duke bërë ç’është e mundur të afirmohet çështja kombëtare shqiptare.Në disa prej memorandumeve drejtuar Fuqive të Mëdha,prej trevave të jugut Shqiptar,emri i Abedin Dinos është i pari.S’është e vështirë të kuptohet se ai ka qenë iniciues i tyre. Ai merr pjesë në mjaft takime,vepron intensivikisht por kurdohere kërkon të jetë disi i tërhequr,të mos popullarizohet.Kështu që në funksionet e tij shtetërore u përpoq me çdo mjet për të mbrojtur atdhenë e vet Shqipërinë.Kështu,në fund të luftës ruso-turke,kur disa formacione luftarake greke iu drejtuan Sarandës,ai shfrytëzoi edhe detyrën në Komitetin e Shpëtimit Publik dhe mobilizoi mijëra vullnetare nga Delvina,Vlora e Gjirokastar duke shpëtuar kësisoj coptimin e tokave Shqiptare.Sa për veprimtarinë tij në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit mendoj se vlen të thuhet që në çdo takim,bisedë apo kuvend burrash në çamëri,ku merrte pjesë Abdyl Frashëri,fjalën e hapjes e mbante Abedin Dinoja.Të dy këta u lidhën përmes nacionalizmës duke dëshmuar jo vetëm besnikëri ndaj njëri tjetrit por sidomos dashuri ndaj atdheut të tyre.Madje kënga e bukur e popullit,kënga-lapidar e ngritur në kujtesën e kombit thotë :

                                                     „Avdyli me Abedinë,

                                                      miletin në këmë e ngrinë,

                                                      që nga Vlora në Janinë,

                                                      Nga Skrapari në Florinë,

                                                      kërkojnë autonominë,

                                                      për të gjithë Shqipërinë…“

Në vitet 1877-1880,Abedin Dino emërohet në detyrën e Valiut të Selanikut.Por edhe këtu,sytë dhe mendja e tij janë të drejtuara vetëm në Çamëri.Kështu në vitin,1879,me 11 janar,ai organizon në shtëpinë e tij në Prevezë,kuvendin e krerëve shqiptarë të Jugut.Ky kuvend përcaktoi masat konkrete lidhur me aspiratën e shqiptarëve për pavarsi.Edhe pse me detyrë të rëndësishme në Selanik,Abedini nuk rreshtet së kontaktuari me vlezzërit Frashëri,Ismail Qemalin dhe patriot të tjerë shqiptarë të cilët kishin detyra të larta në administratën turke të kohës.

Në qershor të vitit 1880,falë aftësive diplomatike dhe zgjuarsisë Abedin Dino emërohet Ministër i Jashtëm i Portës së Lartë.Në kontaktet e shumta e të drejtëpërsëdrejta me diplomatë të huaj,më tepër kujdes,biri i Prevezës sillte në bisedë çështjen shqiptare,të ardhmen e mjergulluar të saj.Por pas pak kohe,kjo frymë e tij atdhetare ra në sy të mehmurëve të tjerë të perandorisë të cilët nuk vonuan të vinin në dijeni Sulltanin për ndjenjat e theksuara shqiptare të Ministrit Abedin Dino.Ndërkohë edhe disa konsuj në Stamboll patën çuar fjalë në zyrat e Sulltanit për shqiptarin Dino.Ka qenë kjo arsyeja që shumë shpejt,me urdhër të posaçëm,Sulltani e shkarkon nga detyra duke e lënë të lirë „rebelin arnaut nga Preveza“.Në karrigen e Ministrit të Jashtëm të perandorisë osmane,Abedin Dino i shërbeu në kompleks çështjes kombëtare shqiptare e në veçanti Çamërisë së dashur të tij. Ai zbuloi në kohë,përpara diplomacive të huaja,qëllimet aneksuese të greqisë në jugun shqiptar dhe duke bashkëvepruar me krerët e lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit ruajti të paprekura trojet shqiptare duke përfituar gjithsesi prej shtrirjeve të mëdha të Portës së Lartë.Sidoqoftë ajo ç’ka nuk duhet harruar në këto momente të pushtetit të madh të tij është fakti se në krejt bisedat me bashkëatdhetarët e vet,ai shprehte sinqeritetin e madh kur thosh :

„Nëse ju e shihni të arsyeshme une e lë pa asnjë merak këtë kolltuk të Stambollit.Une kam qenë e do të jem i lumtur të vij me ju e të luftojë në radhët e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit si ushtar i thjesht i saj“.

Por veprimtaria e tij në dobi të çështjes kombëtare,natyrisht do të binte ndesh me parimet e ngurta të administratës së lartë Osmane.Ate do ta thërresin disa herë duke e qortuar e frikësuar ,por Abedin Dinua ngjan se ishte i shurdhër ndaj këtyre friksimeve banale.Ndërkohë ai mban korrespondencë të vazhdueshme me Ahmet Xhevdet Pashën,hartuesin e kodit civil të perandorisë osmane.Ky letërkëmbim ka të bëjë ma tepër me konsulltime të përbashkëta në jurispondencë pasi tek personaliteti i Abedin Dinos,Ahmet Xhevdet Pasha shihte jo vetëm njohësin e thellë të ligjeve por sidomos tejpamësinë e tij në rrafsh të rregullimit të jetës shqoqërore të perandorisë,brenda kornizave të kodit civil.

Edhe pse u internua në Jilldis Qoshk,biri i Prevezës nuk mund të shkëputej në asnjë çast prej punëve intelektuale.Studion pa rreshtur,shkruan traktate filozofike,hulumton në gjuhësi por shkruan edhe letërsi të mirëfilltë.Ç’mund të jenë këto vepra,sa janë,në cilin bodrum të Stambollit rrijnë fshehur,këto janë disa enigma që nëse nuk i zgjidh dot ky shekull që po shkon,të shpresojmë që të zgjidhen në agun e shekullit të ri për ne shqiptarët.Ka patur ndofta një rreze të vagëlluar shprese në zemrën e Abedin Dinos,kur pas njëzet e pesë vjetëve internim,thirret prej Sulltanit në oborrin mbretëror.

Ishte viti 1905.Në pritje për tu takuar me Sulltanin,në një kafene, Abedin Dino helmohet tinëzisht.Shpresat e tij për t’i parë viset e Çamërisë të lulëzojnë,vriten përfundimishtë.Shqiptarë të ndershëm prej Çamërie,Labërie,Shkodre e Kosove e përcjellin për në varr bashkëkombasin dhe patriotin e tyre duke lotuar.Gjashtë vjet më pas,Dervish Hima,një tjetër fatos i nacionalizmit shqiptar,boton në Stamboll librin „Shqiptari“. Në të renditën një varg personalitetesh shqiptare ku padyshim Abedin Dinoja zuri vendin që meritonte.Ai përshkruante aty jo vetëm në ate se çka i dha Shqipërisë por tek e mbramja ç’kontribut të madh çliruan energjitë dhe  vepra e tij në ndihmë të civilizimit të popullit turk.

Por, sa vlera pati jeta e Abedin Dinos,ate mund ta dijnë më mirë njerëzit trima të Çamërisë. Emri i tij,ashtu si edhe vepra e tij,rezonojnë edhe sot në vetëdijen tonë kombëtare.Në këtë kuadër, unë do të thoja se nderimi e respekti për këtë atdhetar të shquar,jeton në çdo vis ku flitet shqip,ku pesha e memorjes ashtë më e madhe se ajo e gurëve.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Abedin Dino, krenari e Camerise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 874
  • 875
  • 876
  • 877
  • 878
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT