• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkushtim i mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe ndër breza

September 3, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3 Shtator 2021/  “Kam ardhur në seminar ta mësoj gjuhën shqipe, që të mund të flas shqip me nënën time”, tha arbëreshja nga Italia, Tinna Zaccato, në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti me seminaristët e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në ndërtesën e Qeverisë.

Dashuria e sociologes arbëreshe për gjuhën shqipe tregon përkushtimin dhe përpjekjet e arbëreshëve të Italisë dhe mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe kultivimin e shqipes ndër breza.

Studimi dhe njohja e gjuhës shqipe janë të domosdoshme për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit me seminaristët. Shqiptarët janë kombi i gjuhës, mbase dhe më shumë se sa i flamurit dhe i simboleve të tjera. Më thellësisht dhe më gjerësisht janë kombi i gjuhës, theksoi kryeministri. Prandaj, vazhdoi ai, studimi i gjuhës shqipe është i domosdoshëm për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë.

Roli i Seminarit dhe kontributi i studiuesve në promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si vlera të çmuara të popullit tonë, u vlerësua lartë në takim.

Seminari u ka mbijetuar kohërave me të vështira në Kosovë dhe në Shqipëri. Edhe atëherë kur bashkëpunimi me vendet e tjera ka qenë pothuajse i pamundur, studiues nga Shqipëria dhe vendet e tjera janë mbledhur një herë në vit, që nga viti 1974 për Seminar. Falë kontakteve që janë vendosur dhe janë mbajtur përmes Seminarit, shumë studiues nga Kosova kanë zhvilluar vizita e kanë vendosur bashkëpunim me studiues në Kalabri, Çamëri, Anadolli e vende të tjera ku ka shqiptarë.

Kryeministri Kurti konfirmoi angazhimin e Qeverisë për studimet e shqipes dhe shkollën shqipe në vendet ku jeton mërgata shqiptare.

“Jemi në kohën kur kemi hartuar një program qeverisës që angazhohet edhe për shkollën shqipe në mërgatë, sepse besojmë që është i mundur integrimi pa asimilim i shqiptarëve në Evropë dhe në botë. E mësimi i gjuhës shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim”, theksoi kryeministri.

Në takim ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, znj. Lendita Rugova, Drejtori i Seminarit, z. Shkumbin Munishi, Shefi i Departamentit të Gjuhës Shqipe, ish-drejtor i Seminarit, Bardh Rugova, Shefi i Departamentit të Studimeve Orientale, Abdulla Rexhepi, studiuesi nga Universiteti i Shën Petersburgut, njëherësh konsull i Shqipërisë për Petersburg, Alexander Novik, studiuesi dhe përkthyesi nga Çekia, Martin Surovçak, si dhe studentët: Martin Di Maggio dhe Tina Zaccato, arbëreshë të Italisë, Nils Gundlach nga Holanda, Vladimir Georgiev nga Bullgaria, Angela Popovska nga Maqedonia e Veriut, si dhe Afra Esra nga Turqia.

Seminaristët dhe organizatorët u shprehën mirënjohës për takimin. Ata falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen e Seminarit dhe të studimeve albanologjike.   

Në 23 Gusht 2021 në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 47 viteve. Punimet e Seminarit u mbajten nga 23 Gusht deri më 3 Shtator 2021.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Fakulteti Filozofik, Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën

Presidentja Osmani bisedoi me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Kamala Harris

September 3, 2021 by s p

Dielli /

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S., znj. Kamala Harris. Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë. Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë. Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë. Zv. Presidenja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, zv. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III. Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë zv.presidenten Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës. Presidentja Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

Filed Under: Featured Tagged With: Kamala Harris, kosova, USA, Vjosa Osmani

RANA E HEDHUN, NJË BALLKON NATYROR MBI ADRIATIK

September 3, 2021 by s p

Nga DRITAN ZAIMI/

Është Shtator, zyrtarisht vjeshtë. Për shume nga ne, pushimet mund të kenë mbaruar dhe tashmë jemi rikthyer punës me energji të reja. Por ndërkohë që ditët e nxehta dhe vapa torturuese duket sikur kanë marrë fund, bregdeti Adriatikut dhe Jonit ofrojnë ende ditë të ngrohta plot diell, të kthjelleta dhe shumë të bukura edhe gjatë vjeshtës dhe sipas historikut të viteve të fundit, ditët me diell na kanë shoqëruar në fakt deri nga mesi i Nëntorit. Ndaj për të gjithë ju që nuk jeni ngopur pushimet apo plazhin e sivjetshëm dhe përpos kësaj jeni në kërkim të një pushimi më të qetë, fundjavat në vijim ju ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të rigjetur kënaqësinë  e pushimeve në plazh por njëkohësisht edhe freskinë, qetësinë dhe pastërtine edhe të munguar. Për më tepër, për të gjithë ju, që doni të keni pushime sado pak aktive buzë detit, për të gërshetuar plazhin buzë Adriatikut por edhe për të shijuar peisazhin e papërshkrueshëm me fjalë, ku edhe do të mund të realizoni foto që do të mbeten gjatë në kujtesën tuaj, atëherë unë ju propozoj vendin ideal për këtë, Ranën e Hedhun, Shëngjin. Një spot unikal në Shqipëri që do ta shijoni pafund sidomos tani!

Udhëtimi për tek Rana e Hedhun konsiderohet i lehtë dhe gërshetohet perfekt me plazhin. Pasi keni mbërritur në plazhin e Shëngjinit, ju do të ecni për rreth 25 minuta buzë detit në qetësinë tuaj, një shëtitje e rekomandueshme në orët e para të mëngjesit për të shijuar detin e qetë, freskinë dhe kënaqësinëe puhizë detarë,për të mbërritur në vendin që quhet “Rana e Hedhun”. Do të mund ta dalloni lehtësisht nga larg këtë spot pasi në mënyrë të menjëherëshme bregdeti Adriatik ndërpritet nga një kodër që ngrihet mënjëherë buzë detit, aspak normale për këtë pjesë të bregdetit, duke ngushtuar në pak metra bregun, dhe po kështu në mënyrë krejt tëçuditshme, kjo kodër është e mbuluar me duna masive rëre nga faqja përbri detit. Nuk mund ta themi egzaktësisht se si është krijuar por mendohet se është rezultat i eranave të fuqishme të cilat përplasen në këtë kodër duke akumuluar sasira të mëdha pluhuri e rëre që ka krijuar këtë fenomen vërtet të rallë. Ështe një ballkon i vërtetë natyror mbi Adriatik.

Ndërsa i je afruar tashmë, duhet ta ngjitësh për të shijuar pamjen që të lë pa fjalë! Janë disa dhjetra metra disnivel që duhet ti ngjitesh. Në kushte normale kjo kodër e vogël nuk do të përbënte shumë sforcim fizik për askënd por duke patur parasysh që po ecën mbi rërë dhe këmbët rrëshqasin e fundosen kjo e rrit pak vështirësinë ndaj duhet të ecet me ngadalë duke u shplodhur herë pas here. Pamja që shijon kur mbërrin lart është thjesht magjike dhe e papërshkrueshme. Do tëndjeni se e keni në pëllëmbë të dorës dhe po e shijoni blunë e thellë të Detit Adriatik të harmonizuar këndëshëm me ngjyrën e rërës. Këtu do të mund të rrini sa të doni dhe ta shijoni, të bëni foto dhe pastaj lojra si rrokullisje apo rrëshqitje në rërë. Nuk do të gjeni një vend të dytë si ky dhe të përshtatshëm për këto aktivitete në Shqipëri a gjetkë këtu afër. Dhe pasi e keni shijuar mjaftueshëm, fjala e duhur që do të përshkruaj veprimin tuaj të radhës është “derdhuni në det” sepse dëshira për tu zhytur sa më shpejt në detin me ujë të pastër kristal është thjesht e parezistueshme.

Unë po jua rekomandoj ta bëni këtë udhëtim në një ditë të bukur vjeshte, tipike shtatori apo edhe tetori, ku orët e para të ditës që janë të freskëta ju të mund ti shfrytezoni për të ngjitur dhe shijuar peisazhin tek Rana e Hedhun dhe pjesën tjetër të ditës kur temperaturat rriten për të shijuar plazhin dhe ujrat e ngrohta dhe të kristalta. Por nëse do ta bëni gjatë verës atëherë duhet të përkujdeseni edhe për disa detaje më shumë. Së pari duhet bërë në orët e para të mëngjesit, siç e kam rekomanduar më lart. Së dyti duhet të keni me patjeter veshje për këmbet, shapka, sandale apo atlete, si edhe shishe të mjaftueshme me uje me vete. Lodhja gjatë ngjitjes sëbashku me nxehtësinë e rërës shtojnë ndjeshëm etjen. Po kështu mos u bëni shumë trim për të mos marrë veshje për këmbët në një ditë të nxehtë vere pasi nuk po flas për një situatë të zakonshme buze detit kur pasi kemi ndenjur poshtëçadrës ia fusim një vrap zbathur deri tek deti dhe bëjmë si bëjmë me nxehtësinë e rërës. Jo, nuk është ky rasti, rana bëhet përveluese nëse je zbathur, dhe po kështu të duhet një kohë e mirë derisa të zhytesh i gjithi  në det, ndaj nëse nuk do qëtë rrezikosh sado pak nga magjia dhe kënaqësia e kësaj eksperience, atëherë dëgjoji këto pak këshilla të miat.

Tani ju kam thënë mjaftueshëm, ju ngelet vetëm ta realizoni dhe ta shijoni këtë udhëtim. With love from Tani!

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan Zaimi, Rana e Hedhun, Shen Gjin

“Gjuha amtare në shkollat shqipe në Diasporë”, promovohet në Vatër më 7 Shtator

September 2, 2021 by s p

Dielli /

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, më 7 Shtator ora 6 p.m 2021, Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle” organizojnë promovimin e vëllimit të parë të punimeve të seminarit: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë”. Ky seminar i përvitshëm është shndërruar në një traditë që ul në një tryezë të përbashkët mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jo vetëm. Punimet e deritanishme të kësaj veprimtarie sistematike kemi rast t’i ndjekim e promovojmë së bashku këtë të martë, në 7 Shtator, ora 6 p.m. në mjediset e Vatrës. Ju mirëpresim.

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Gjuha Amtare, Marjana Bulku

BURIMET E SHKRUARA ARKIVORE TË ARKIVIT TË DUBROVNIKUT DËSHMI E PAKUNDËRSHTUESHME PËR ORIGJINËN SHQIPTARE TË KASTRIOTEVE

September 2, 2021 by s p

Përmendja e emrit Kastriot, për herë të parë në një dokument nga viti 1368.- Lëshimet e Hopf-it, debate të shumta dhe të ashpra në mes të studiuesve dhe historianëve.- Përkthime të dobëta në gjuhën shqipe të një dokumenti me rëndësi të veçantë.-Zgurë Dukagjini.-Botimi i saktë i origjinalit dhe përkthimi besnik i dokumentit.- Kastrioti, qefaliu i Kaninës, trugnu i familjes së Skenderbeut.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Për të ndriçuar në përgjithësi, një epokë të caktuar apo një personalitet të veçantë, të shquar në histori, siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, domosdo duhet mbështetur në burime dokumentare që ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qofshin ato të botuara, pjesërisht të botuara apo të pa botuara; të cilat janë si një hallkë ndërlidhëse në mes historisë kombëtare shqiptare, me historinë e vendeve të Ballkanit, Lindjes së Afërme dhe Evroës në veçanti. Shumë herë, një gjë e tillë është e pamundur, për shkak të mungesës së burimeve të shkruara; po në raste të caktuara, edhe kur ato ekzistojnë, faktori njeri, me veprimet e tija, të njëanshme, tendencioze dhe të mbrapshta, ka bërë që shumë fakte, ngjarje e data, të shtrembërohen, të keq-interpretohen, deri në skajshmëri ekstreme, për qëllime të caktuara.


Ilustrimi 1 – Fototipa e dokumentit nr. 1019 që ruhet në Arkvin e Dubrovnikut, ku për herë të parë përmendet emri Kastriot, 2 shator 1368.

Ilustrimi 2 – Detaj nga vula e rrumbullakët, nga dylli i kuq, e cila është shumë e dëmtuar. Mund të lexohen vetëm disa grafema.

Ilustrimi 3 – Portret i Skenderbeut nga shek. XVI ne nje pjate procelani. Origjinali ruhet ne Paris.
lustrimi 4 –Transliterimi i origjinalit në sllavisht nga viti 1368.

Ilustrimi 5 – Përkthimi nga sllavishtja në gjuhën shqipe i dokumentit të vitit 1368.

Ballafaqimi i studiuesve me raste të tilla, është i shpeshtë, shkakton vështërsi të shumta dhe herë-herë krijon rrëmujë të vërtetë, duke nxitur debate të ashpra, për saktësimin dhe vlerësimin kritik të një burimi a, dokumenti i cili është botuar e ribotuar, në edicione të ndryshme. Është tashmë e njohur, se botimi i parë i një burimi [dokumenti] zakonisht shfrytëzohet, nga studiues e krijues të fushave të ndryshme, si akt i kryer, dmth. i saktë dhe preçiz, pa pasur mundësi që të konsultojnë origjinalin, respektivisht të krahasojnë dhe ballafaqojnë, atë, që ju është servuar, me dokumentin e vërtetë.

Dokumenti nr. 1019 nga Arkivi i Dubrovnikut, në të cilën për herë të parë, në histori, përmendet emri Kastriot

Duke shfrytëzuar lëndën burimore, të Arkivit të Dubrovnikut, dokumentet origjinalë për shekullin e XIV-të, të cilët ruhen në fondin: seria e dokumenteve të Vjenës; në signaturën nr. 1019, kemi hasur origjinalin e dokumentit nga 2 shtatori i vitit 1368, në të cilin, për herë të parë, në histori, [nga dokumentet e shkruara të njohura deri me sot] përmendet emri Kastriot.

Pos botimeve e ribotimeve, në disa gjuhë, ky dokument, është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Fillimisht, të përkthyer e hasim në “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë” volumi II, Tiranë 1962; pastaj në Prishtinë nga dr. Tefik Geci në vitin 1968 dhe së fundi nga dr. Ramiz Abdyli në vitin 1984. Botimi i Tiranës me atë dr. R. Abdylit është identik, nuk ka asnjë ndryshim, as në stil e as në gjuhë, derisa përkthimi i dr. T. Gecit ndryshon. Në këto përkthime, editorët [botuesit] kanë bërë lëshime të ndieshme, nuk janë të saktë dhe preçizë, ju mungon qasja profesionale, ndoshta si pasojë e mosnjohjes së paleografisë sllave, çirilike dhe glagolike apo nga mosshfrytëzimi i origjinalit [këtu përjashtojmë dr. T. Gecin, i cili si duket, ka shfrytëzuar origjinalin], gjithnjë duke u mbështetur në botimet e bëra, nga studiues të huaj, të cilat kanë mangësi dhe paqartësi të shumta. Është e habitshme se si një historian kosovar, si editor i një botimi dokumentash për Gj. K. Skenderbeun, këtë dokument nuk e boton në vitin 2018!

Rrethanat historike, në të cilat kaloi populli shqiptar nën sundimin dhe okupimin e perandorive të mëdha, nën administratën fetare të Vatikanit, Bizantit dhe Stambollit, nën ndikim kulturor të gjuhëve: greke, latine, turke e sllave, krijuan zbraztësi të shumta për periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Burimet e shkruara, kryesisht u ruajtën jashtë Shqipërisë, në shtete të ndryshme në arkiva dhe biblioteka të shumta, shtetërore, kishtare, por edhe private dhe kryesisht në gjuhë të huaja. Njëri ndër arkivat më të pasura për shekullin e XIV, për historinë e Shqipërisë në veçanti, e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, është Arkivi Historik i Dubrovnikut, për shkak të rolit të rëndësishëm që kishte Dubrovniku në sferën e mardhënieve ekonomiko-shoqërore, finaciare e diplomatike, me vendet fqinje ballkanase. Një vend i rëndësishëm i takon Shqipërisë dhe familjeve princërore e bujare të saj, në këto marrëdhënie, të cilat kanë lënë gjurmë të shumta të shkruara. Familja më e dalluar, është ajo e Kastriotëve, për të cilën në fonde të shumta, të këtij arkivi, ruhen dokumente, akte dhe testamente të ndryshme, të karakterit publik dhe privat.

Njëri nga dokumentet më të rëndësishëm, për këtë familje, ngase për herët të parë, gjejmë të shkruar emrin e saj, Kastriot, është dokumenti nr. 1019, nga fondi i dokumenteve të Vjenës, i shkruar më 2 shtator të vitit 1368. Pos rëndësisë se, për herët të parë përmendet emri Kastriot, ky dokument, ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, ngase leximi, transkriptimi dhe përkthimi i tij është bërë në mënyrë të gabuar, veçanërisht nga studiuesit e huaj, gjerman, të cilët, nuk e njihnin me themel sllavishten. Kjo gjë ka nxitur studiuesit sllav, që të nxjerrin përfundime të gabuara, se Skënderbeu, qenka me origjinë sllave!

Kësaj radhe, për t’iu dhënë fund debateve të shumta kontradiktore; për të hudhur poshtë me forcën e argumenteve, pretendimet qëllimkëqija sllave dhe të ndonjë studiuesi tjetër të huaj (psh. O. Schmitt), ne botojmë fototipinë e origjinalit, transkriptimin në gjuhën sllave me grafema latine dhe përkthimin në gjuhën shqipe.

Transkriptimi i origjinalit

“Ve ime oca i sina i sveto duha porogjinja gdna našego Isa Hsa v leto 1368 mca sektebra .2. die.

Kako hteinj mie Alekezoidru gdia Kanine i Avlonu da budu jedine od Dubrovečane i poiskahe komune Dubrov’či bez nijedne sile bez nijedne nevole tekmo s moome dobroome volome kako da sme jedine brate od komuna Dubrovečkoga i togo radi ja Alekezendre poslah moga vlastelina Dima govore iteki ovuzi rabotu i priješe mi za ovezi moj reči i bi nih hotenije i ljoboze i svršiše mi moje pitanije to poiskahe i učiniše mi knigu ver’nu i zapečatiše pečatiome komuneskome i daše jo mojemu vlastelinu Dimu i dosla mi jo i o tome blgodarih bga i zahvalih i togo radi se zgovorih s moimi vlasteli i prisegoh na stoje i bžestvenoje jevanglnje ja i s moimi vlasteli kako me poička Nikola Kabužike kako da bud ja verne Dubrovčanine i prijatele i s moimi vlasteli i da sme drežane Dubrovčaninu vsakomu kude bude moja vladanja kude jaki i paki kolika kete svršite s moime vlastelinome Dimome ja primam s radostiom jere togo radi ga sme poslale mesto sebe

            Avo vlasteli koi prisegosmo na stoje i bžestvenoje jevanglije imeneme Prodane vojevoda i Mikleuše kefalija Vavloneski Branilo i kefalija Kanineški Kastriote i Raiče dvorodrežica i Ujegja Stavilece i Stamati i Obrade sudija i Zgure Dukaišerevik i Smokva i Kostadine Šurbovik i Boriše i Gruboje i dragomane i Radivoi i Bgoje

            A ovozi pisanije pisa logofete gdna Alekezendra Gjorica po reči gdna Alekezendra i vseh vlastele”

Përkthimi i origjinalit në gjuhën shqipe

“Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë nga lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit në vitin 1368 muaj shtator, më 2.

Sikur dëshirojmë ne Aleksandri zot i Kaninës dhe Vlorës të bëhemi i vetmi besnik dubrovnikas dhe ti shpreh komunës së Dubrovnikut pa asnjë forcë pa asnjë shtërngesë por vetëm me dëshirën time sikur të ishim vëllezër të vetëm të komunës së Dubrovnikut dhe për hir të kësaj unë Aleksandri dërgova fisnikun tim Dimo që të flas dhe të mbaroj këtë punë dhe t’iu sjell fjalët dhe dëshirat e mija dhe atyre përulësisht dhe me dashuri t’iu parashtron dhe ju shpreh kërkesat e mija dhe më bëjnë librin e besimit dhe e vulosin të vulosur me vulën e komunës dhe ia dorëzuan fisnikut tim Dimos dhe më erdhi mua dhe për këtë bekuam dhe falënderuam Zotin dhe për këtë bisedova me bujarët e mi [Në origjinal, kjo fjali, është e përsëritur dy herë radhazi. m. a.] dhe u betuam duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë dhe hyjnor unë dhe bujarët e mi sikur më kërkoi Nikolla Kabuzhiqi se si të bëhem unë besnik i dubrovnikasëve dhe mik me bujarët e mi dhe do të mbahemi dubrovnikas çdonjëri gjithandej ku shtrihet pushteti im dhe kudo që të shtrihet ai dhe kur këto ti përfundoni me fisnikun tim Dimo unë do ti pranoj me kënaqësi ngase për hir të kësaj e kam dërguar në vendin tim.

Këta bujarë janë betuar duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë me emër: Prodan vojvoda dhe Miklleushi, qefaliu i Vlorës Branillo dhe qefaliu i Kaninës Kastrioti dhe Raiçi oborr mbajtësi dhe Ujega Stavileci dhe Stamati dhe Obradi gjykatës dhe Zgurë Dukagjini dhe Smokva dhe Kostadin Shurboviqi dhe Borishi dhe Gruboj dhe perkthyesi dhe Radivoi dhe Bgoj.

A këtë shkrim e shkroi logofeti i zotit Aleksandër, Gjorica sipas fjalëve të zotit Aleksandër dhe të gjithë bujarëve.“

Ngritja dhe forcimi i feudalëve e princërve vendas shqiptar, në disfavor të pushtuesve të huaj, si rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm, të zhvillimit politiko-shoqëror dhe kulturoro-ekonomik që kishte filluar, në shekullin IX-të, solli formimin e disa shteteve feudale, në pjesë të ndryshme të Shqipërisë etnike.

Kronika e Janinës dhe ajo e Epirit nga shekulli i XIV-të, na mundësojnë të kemi një vështrim të përgjithshëm për pozitën dhe gjendjen e Kaninës dhe Vlorës në kohën kur u shkrua dokumenti [diploma] i Aleksandrit në vitin 1368. Pas vdekjes së perandorit Dushan, perandoria e tij u shkatërrua shpejt, kështu që menjëherë, lindën sundues të vegjël të cilët ishin, gjysmë të varur. Në Shqipërinë Jugore dhe në disa vise të Epirit, pas disfatës së Simeon Uroshit, trashëgimtari i despotatit të Epirit, Niçifori, në vitin 1358, bëri përpjekje që të rikthente territoret e humbura në disa vise shqiptare, por kjo gjë nuk i shkoi përdore ngase, hasi në rezistencë të fortë, të shqiptarëve, përkundër një ushtrie të shumtë në numër, që dispononte, në mesin e të cilës kishte edhe mercenar turq; ai u vra dhe ushtria e tij u shkatërrua, në betejën te lumi Ahelos. Ky sukses i feudalëve shqiptarë e vlleh, mundësoi forcimin e tyre dhe shtimin e aspiratave për zgjerime të reja.

Në Vlorë e Kaninë, po edhe në viset përreth, sundonte  Joan Asen Komneni i cili u martua me Anën, mamanë e Niçiforit, sipas të cilës muar edhe mbiemrin. Këtë e zëvendësoi Aleksandri, i cili në asnjë dokument të njohur deri me tani, nuk thirret Komnen! Ky, ishte qytetar nderi i Dubrovnikut dhe kishte raporte të mira ekonomike-tregtare e diplomatike me Dubrovnikun.

Pos Aleksandrit, qytetarë nderi në Dubrovnik ishin edhe familjet fisnike shqiptare, të: Balshajve, Topijajve, Aranitëve, Matrangëve, Kastiotëve, Muzakëve, etj, gjë që ju siguronte favore të konsiderueshme në zhvillimet tregtare dhe shkëmbimin e mallrave me shtetet fqinje. Këto lidhje forcohen edhe më shumë gjatë shekujve XIV e XV-të, por fillin e kishin që në shekullin e XI-të, për të arritur një nivel të lartë zhvillimi, gjatë sundimit të princit të parë të Arbërisë, Progonit dhe bijve të tij: Gjinit e Dhimitrit.

Sipas burimeve të njohura, Aleksandri duhet të ketë sunduar si zot i Vlorës dhe Kaninës nga viti 1363 deri në vitin 1380. Si pasojë e luftërave dhe kontradiktave të pandërprera me feudalët fqinjë, duke mos pasur një pozitë të fortë në principatën e tij, në vitin 1368, kërkoi nga Dubrovniku që të shpallet qytetar nderi, me këtë gjë, ai dëshironte që më parë të siguronte strehim, në rast rreziku nga ndonjë e papritur, gjë që ishte e zakonshme për kohën; ngase veprime të ngjashme kishin bërë edhe shumë bujarë të tjerë vendas. Dokumenti i shkruar, [diploma] arriti sipas të gjitha gjasëve, në Dubrovnik, në gjysmën e dytë të muajit shtator të vitit 1368.

Përshkrimi dhe karakteristikat e veçanta të dokumentit

Dokumenti në origjinal, është i shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema çirilike me elemte të glagolicës. Është i shkruar në letër – gjysmë karton, ka dimensione: 26.5 x 39.8cm. Dokumenti është i ruajtur dhe ndodhet në gjendje të mirë. Është i shkruar me ngjyrë të zezë, me shkrim shumë të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi. Siç ishte zakon i kohës, ka shkurtesa të shumta. Në fund, në mes të dokumentit, është gjurma e vulës së rrumbullakët, nga dylli i kuq, e cila është shumë e dëmtuar, ku mezi mund të lexohen disa grafema. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar logofeti Gjorica, siç mund të vërehet në fund të dokumentit. [Logofeti kryesonte zyrën e kancelarisë së princit, e cila hartonte dokumente shtetërore, si diplomat, traktatet ndërkombëtare, letrat zyrtare e private të sundimtarit, mbante korespodencën diplomatike me shtetet tjera, kujdesej për të gjitha llojet e akteve, drejtonte financën, etj.]

Dokumenti për herë të parë është botuar në vitin 1840, me ribotime të shumta, po asnjëherë korrekte. Ky dokument, në formën e botuar deri tani, ka shkaktuar debate dhe kundërthënje të shumta, të cilat kanë pasur si pasojë, shtrembërimin dhe vënjën në pyetje të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Numri i atyre të cilët kanë mbështetur këtë dokument të botuar, e me mangësi, është tepër i madh, psh. Hopf, Hahn, Ippen, Jireçek, Makushev, Fiander, Wenger, Mikloshiq, Novakoviq, Hammer, Iviq, Thalloczy, Pisko, Fallmerayer, Paganel, Shafarik, Pastor, Marinesco, po, për fat të keq edhe ndonjë shqiptar!

Botimet e bëra në gjuhën sllave nga Karanotvrtkoviqi /1840/, Mikloshiqi /1858/, Makushevi /1871/, Novakoviq /1912/, Stojanoviq /1929/, etj; nuk dallojnë nga njëra tjetra, pos që Stojanoviqi, shton një pikë, para emrit të Branillos. Shuflaj, Jireçek e Thaloçi, e botojnë dokumentin në vitin 1918, të përkthyer në gjuhën latine, me disa lëshime, si duket ata kanë shfrytëzuar Mikloshiqin, kështu që, këta fillimisht e mohojnë që emri Branillo i takon emrit Kastriot; por më vonë ndërrojnë qëndrim dhe pohojnë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot! Të njëjtin qëndrim, pra atë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot, e mbajnë edhe Hopf /1873, /Hahn /1853/, Ippen /1899/, Hammer, /1840/ Pisko /1894/, Fallmerayer /1866/, Paganel /1855/, Pastor /1891/, etj.

Lëshimi i Carl Hopf-it dhe pasojat tepër të rënda që kishte një gjë e tillë në histori

Lëshimin më të ndjeshëm, ndër studiuesit e huaj e ka bërë Hopf-i. Në botimin e: Chroniques Greco-Romanes, [Berlin, 1873] duke folur për trungun gjenealogjik të Kastriotëve, ai thirret në dokumentin Aleksandrit nga viti 1368 dhe duke mos e zotëraur mirë sllavishten mesjetare, duke mos lexuar me vëmendje dorëshkrimin, ai nuk përfill fare interpunkcionet, i bën një stërgjysh Skënderbeut, me emrin Branillo Kastrioti, duke mos lexuar grafemën “i” në mes të dy emrave. Këtë interpretim të gabuar të Hopfit, në shkencën historike, e kanë shfrytëzuar edhe shumë historianë e studiues të tjerë, duke formuar idenë e gabuar mbi origjinën e Kastriotëve. Këtë gjë, me mjeshtri të veçantë e kanë shfrytëzuar historianët sllav, duke shkruar studime të tëra mbi këtë temë.

Për fat të mirë, studiues dhe shkencëtar të mëvonshëm, kanë kapur një lëshim të tillë, duke hudhur poshtë këtë teori të gabuar. I pari, që në mënyrë shkencore hudhi poshtë këtë lëshim të ndjeshëm, ishte Fan Noli. Për fat të keq, deri me tani, asnjëherë nuk u botua komplet fototipia [faksimili] e origjinalit, transkriptimi dhe transliterimi i plotë i bazuar në origjinal, por çdo herë, u botuan studime të veçanta duke u mbështetur në botimet e mëparshme, ku gabimet ishin të pa evitueshme. E njëjta gjë ju ndodhi edhe studiuesve shqiptarë deri në ditët e sotme.

Transkriptimi dhe transliterimi i origjinalit të dokumentit nr. 1019, është shumë i vështirë për studiuesit dhe historianët, të cilët nuk janë specialistë të paleografisë sllave mesjetare, sidomos asaj çirilike dhe glagolike. Shkurtesat e shumta, pastaj grafia e imtë kursive dhe në disa raste, dora jo e stërvitur e logofetit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin dhe transliterimin. Ky dokument, është një diplomë e karakterit publik, e cila mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi.

Elementet e veçanta të aktit diplomatik

Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nështrimin e pushtetit real [të Aleksandrit të Kaninës], ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë apsolute ndaj kishës.

Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, nuk është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit tek dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihet qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë. Derisa datimi i dokumentit, përbën një rast të veçantë, ngase zakonisht, në këtë kohë, shënohet në fund të tekstit, kësaj radhe, e kemi në fillim të dokumentit dhe tregon datën e shkrimit, në formën: në vitin 1368, muaj shtator, më 2.

Teksti i dokumentit [diplomës] përbëhet nga ekspozicioni ose naracioni dhe dispoziconi. Në ekspozicion janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik. Në këtë rast e kemi në formën: Aleksandri zot i Kaninës dhe Vlorës (…) dërgova fisnikun tim Dimo që të flasi dhe të mbaroj këtë punë, pra qëllimi është i shprehur shumë hapur dhe tepër qartë. Derisa dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën: u betuam duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë dhe hyjnor (…) të bëhem unë besnik i dubrovnikasëve dhe mik me bujarët e mi, pra shprehet respekti dhe pranohen të gjitha obligimet që dalin nga një akt i tillë.

Si pjesë të fundit kemi: përfundimin ose eshatokolin. Kjo pjesë përbëhet nga përfocimi dhe nëshnkrimi. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast ne kemi kryqin dhe dëshmitarët, të cilët janë njerëz të shquar, të jetës publike, të pushtetit aktual dhe pjesëtarë të fisnikëve vendës. Përforcimin, kësaj radhe e kemi të paraqitur në fomrën: Këta bujarë janë betuar duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë me emër Prodan vojvoda dhe Mikleushi, qefaliu i Vlorës Branilo dhe qefaliu i Kaninës Kastrioti dhe Raiçi oborr mbajtësi dhe Ujega Stavileci dhe Stamati dhe Obradi gjykatës dhe Zgurë Dukagjini dhe Smokva dhe Kostadin Shurboviqi dhe Borishi dhe Gruboj dhe përkthyesi dhe Radivoi dhe Bgoj.

Nënshkrimi, zakonisht është pjesa përmbyllëse e aktit diplomatik. Kësaj radhe e kemi në formën: A këtë shkrim e shkroi logofeti i zotit Aleksandër Gjorica sipas fjalëve të zotit Aleksandër dhe të gjithë bujarëve.

Përpos elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo të klishetizuara, të cilat i ndeshin në dokumente të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e aktit.

Analiza dhe studimi i themeltë i këtij dokumenti, hedh në dritë shumë të dhëna interesante, ngase aty gjejmë shumë gjëra për viset e Vlorës e Kaninës. Është e njohur, se Vlora dhe Kanina në shekullin e XIV-të ishin dy pika strategjike të Shqipërisë Jugore, që shtriheshin në bregdetin përendimor të Otranit, përkatësisht në vijën, ku ndahet deti Jon me detin Adriatik, që paraqisin interes të veçantë për pushtuesit e huaj. Zatën, një gjë e tillë vërehet hapur edhe nga pranimi i Dubrovnikut, që të siguroj strehim [ti ofroj titullin, qytetar nderi] Aleksandrit, zotit të këtyre viseve.

Kush është qefaliu i Kaninës Kastrioti nga dokumenti

nr. 1019 i vitit 1368?

Të gjitha burimet që njohim deri tani, nuk na japim hollësi konkrete, rreth këtij Kastrioti, i cili në historiografi ka shkaktuar debate të ashpra dhe mendime të shumta, kontradiktore! Titulli qefali, me të cilin emërohet ky Kastriot, dmth. komandat kështjelle ose qeveritar i një qyteti! Ky fakt, na vënë para dilemave të shumta, të cilat edhe sot e kësaj dite qëndrojnë pezull dhe të pasqaruara sa duhet në historiografinë shqiptare. Si qefali i Kaninës, Kastrioti, do të thotë se ishte një pjesëtar i shtresë së lartë fisnike, njeri i dëgjuar dhe i respektuar, i cili me firmosjen e tij, në dokumentin e cekur, tregon rëndësinë dhe autoritetin që gëzonte jo vetëm në Kaninë por edhe më gjërë. Edhe pse nuk kemi arritur të gjejmë një lidhje të drejtëpërdrejtë me Kastriotët e Krujës apo Matit, ne mendojmë, se ky Kastriot, është trungu i familjes Kastrioti, e cila kishte zotërimet e saja në Kaninë, po edhe në vise të tjera, e më vonë edhe në Veri të Shqipërisë!

Mendimet e studiuesve dhe historianëve, janë të ndara. Hopf-i, duke folur për Konstantin Kastriotin, pohon se ai, ishte i njëjti Kastriot, pra qefaliu i Kaninës, mirëpo këtë pohim, ai nuk e mbështet në asnjë burim shkencor, pra edhe kësaj radhe gabon. Të njëjtën rrugë e ndjek edhe medievisti i njohur kroat Milan Shuflaj. Shuflaj, duke u mbështetur, në etimologjinë e emrit, si edhe disa shkencëtarë të tjerë, nxjerr përfundim të gabuar, kur pohon se: qefaliu i Kaninës Kastrioti, kishte origjinë greke! Pos këtyre, mendime të gabuara për origjinës e Kastriotëve, kishin histrorianë, të cilët nuk e kishin njohur dokumentin nr. 1019 nga viti 1368, si psh. Sansovino, Lavadrin, Spandugino, etj.

Të gjitha këtyre mendimeve të gabuara, të pa mbështetura me argumente të forta dhe me bazë shkencore, Fan Noli, me vendosmëri dhe dokumente të shumtë, arriti t’iu tregojë vendin e duhur, atë të harresës dhe pluhurit. Ç’është e vërteta, edhe biograf e studiues të tjerë para Nolit, kishin bërë një gjë të tillë, po jo kaq bindshëm! Barleti në kryeveprën e tij, vë në pah origjinën shqiptare të Skënderbeut; pastaj Bardhi, me këmbëngulje mbron një gjë të tillë, kur polemizon ne J. Marnaviqin. Më vonë, át Athans Gegaj me gjuhën e argumenteve, po ashtu hedh poshtë teoritë e gabuara mbi origjinën e Skënderbeut. Shpresojmë, se përfundimisht, botimi i këtij dokumenti i cili i ofrohet lexuesit të gjërë, por edhe histroianit e specialistit të fushës përkatëse, do jetë kontribut, që njëherë e përgjithmonë, të mbyllet një debat i tillë, mbi origjinën e Skënderbeut.

Disa emra të tjerë që përmenden në dokumentin e Aleksandrit,

zot të Vlorës e Kaninës

Transliterimi, transkriptimi dhe përkthimi i gabuar i disa emrave, ka bërë që të mos mund të identifikohen deri me tani disa figura të rëndësishme që përmenden në dokument.

Njëri ndër 16 dëshmitarët, i nënti me radhë është edhe Zgurë Dukagjini! Ky emër, deri tani ka qenë i lexuar gabimisht, dhe i tillë ka qenë fare i panjohur. Zgurë Dukagjini, në shekullin e XIV-të, është i njohur nga dokumentet dubrovnikase dhe venedikase, si një tregtar i zoti dhe në dy raste si ndërmjetësues në dy konflikte, në mes Venedikut dhe Durrësit. Domosdo se është, pinjoll i familjes së njohur Dukagjinase. Ujega Stavileci, është lexuar gabimisht, në “Burime…” dhe R. Abdyli, si Ojega Stavileci, ndërsa te T. Geci si: Jagëja. Analiza e kujdesshme e grafemave në origjinal, na bën të pohojmë se, leximi i drejtë është: Ujega! Një lëshim tjetër është, te leximi i pëkthyesit, si dragoman! Ky moment, është mjaft i rëndësishëm dhe tepër domethënës ngase, jep të kuptohet, se disa nga të pranishmit, të firmosur si dëshmitar, nuk e njihnin gjuhën sllave dhe ju duhej përkthyesi [dragomani]! /Pra, dragomani nuk është emër personi, por është titull i caktuar!/ Figurë e veçantë është, Nikollë Kabuzhiqi, i cili në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik, të Dubrovnikut, mbikëqyr firmosjen dhe betimin e aktit diplomatik të Aleksandrit. Kabuzhiqi, është i njohur si tregtar i drithërave jo vetëm në viset e Vlorës e Kaninën, por edhe në Veri të Shqipërisë. Emrin e tij e ndeshim në shumë dokumente të ndryshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Kastriotet, Prof. Dr. Musa ahmeti, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT