Nga Rafael Floqi

Në oborrin e dikurshëm të lavdisë, ku “Skënderbeu” modern shpërndante grada, buzëqeshje dhe bekime politike, Mamica e tij , gjithnjë e bindur, gjithnjë e zellshme, qëndronte si hija më besnike. Por historia, siç na mëson edhe ajo e vërteta e Gjergj Kastriotit, nuk i kursen kthesat dramatike. Dhe kështu, në një sallë pa kalorës e pa flamuj, por me mikrofonë dhe celularë, nisi rrëzimi simbolik i një miti të vogël partiak.
Dikur, Elisa Spiropali nuk ishte thjesht një zë në korin e Partisë Socialiste; ajo ishte një nga altoparlantët më të fortë të liderit. Një Mamica moderne që jo vetëm e mbronte “vëllanë e madh”, por edhe e ngrinte në piedestal, duke e krahasuar herë pas here me vetë Skënderbeun. Një hiperbolë politike që sot tingëllon si ironi e hidhur.
Sepse ja ku jemi: në një mbledhje me dyer të mbyllura, aty ku pushteti flet pa filtra, “Skënderbeu” i saj i drejtohet me një gjuhë që nuk ka asgjë heroike. “Mos e hap gojën fare…”, “Qepe gojën…”, “Mos më provoko…”. Nuk janë fjalë që ndërtojnë mite – janë fjalë që i rrëzojnë ato.
Në episodin e parë, ndërhyrja e Spiropalit – një përpjekje për të ruajtur një minimum etikete ndaj deputetëve – u prit jo si kujdes institucional, por si sfidë personale. Dhe reagimi ishte i menjëhershëm: prerje në mes e fjalës, si shpata e një komandanti që nuk toleron më zëra paralelë.
Por akti i dytë ishte edhe më teatral. Një buzëqeshje e vogël, një mimikë ndoshta e pavend, mjaftoi për të ndezur një tjetër përplasje. Këtë herë, jo vetëm mes Spiropalit dhe një ministreje të re, por mes saj dhe vetë liderit. Dhe këtu u rrëzua përfundimisht metafora: Mamica nuk ishte më “motra” e besuar e heroit, por një figurë që duhej disiplinuar publikisht – madje edhe me kërcënimin e përjashtimit.
Ironia është therëse. Sepse ajo që dikur ishte marrëdhënie besimi, sot duket si raport force. Ajo që dikur ishte venerim, sot ngjan me një zhgënjim të zhurmshëm. Dhe ajo që dikur ishte një “Skënderbe” politik, sot sillet më shumë si komandant i një kazerme, ku çdo zë jashtë rreshtit duhet të shuhet.
Në këtë dramë, nuk është vetëm Spiropali që humb. Humb edhe narrativa e një partie që pretendon pluralizëm të brendshëm. Sepse kur Mamica heshtet me urdhër, çfarë mbetet për ushtarët e tjerë?
Dhe ndoshta pyetja më e madhe nuk është pse Spiropali u përplas me Ramën. Por pse iu desh kaq kohë për të kuptuar se “Skënderbeu” i saj nuk kishte më nevojë për Mamicën.
Në fund, ajo që mbetet është një figurë që dikur fliste me sigurinë e pushtetit, e sot reagon me nervozizmin e përjashtimit. Një politikane që nga mbrojtëse e zjarrtë e liderit, po shndërrohet në një episod të pakëndshëm në historinë e tij.
Sepse në botën e çudirave politike, besnikëria nuk është virtyt i përhershëm. Është vetëm një stacion i përkohshëm – deri në momentin kur “Skënderbeu” vendos se nuk ka më nevojë për Mamicën.
Dhe sa për të thënë fjalën e fundit Një ditë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, alias Mamica ka bërë një reagim në Facebook.
“Të dielë të bukur! Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, shkruan deputetja socialiste, e cila postimin e saj e shoqëron edhe me një foto në natyrë.
Po a është dakord “Skënderbeu”?…



