• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At GJEÇOVI THERRET: “MOS MA NDRYSHONI GENIN”

December 6, 2019 by dgreca

Amanetin nuk e tretë as dheu.
“Populli”/

Nga: Dr. Gjelosh NIKOLLA/



 Një fjalë e urtë e popullit e trasheguar brez pas brezi dhe shekull pas shekulli thotë: “Amanetin nuk e tretë as dheu”. Të heshtim “NE” për ato që vetë At  Shtjefën Gjeçovi ka thënë me shpirtin dhe mendjen e vetë, dhe duke lënë të shkruar me  doren e vet është pabesi që i bëhet ashtu siç e vranë në pabesi. Ne nuk duhet ta vrasim për së dyti me heshtjen tonë por as të ndryshojmë ato që ka lënë vet të shkrura dhe as ato që kanë shkruar të tjeret për të.  At Gjeçovi ishte dhe mbetët tempull më vete që ndriçon pa nderpre  brez pas brezi.Ai ishte dhe mbetët një njeri i madh dhe burrë-shtetas i ditur. Ja si shkruan At Gjeçovi në shkrimin e tij: “Koha e Zgjetave”(Koha e shigjetave). Duke shkuar në Shkodër i pari i Thaçit më emrin e vetë “THAÇ” në Vaun e Dëjes(Deja) takon një djalosh që ishte vetëm dhe nuk dinte së ku po shkonte.Kur pa të parin e Thaçit mbi  kalë shale e pyeti se për ku ishte nisë të shkonte.I pari i Thaçit ju përgjigj në Shkodër më vulos disa gjygje dhe pleqëni që bëhëshin prej të parve të secilës krahinë në Shkodër përpara Krye-zotit.Më merr me  veti i tha djali sa me të mbajtë kalin mbasi nuk kam njeri dhe jam ivarfër. I pari i Thaçit pasi e pyeti së nga ishte,  ky i tregoj së kishte dalë nga fshati i “KOLONJES”.E mori më veti dhe shkuan në Shkodër. I pari i Thaçit pasi pat shkuar disa herë me të Kolonjasin (por tani i lodhur nga pleqëria) e burrat e vllazënisë së Thaçit rreth 50-60 veta  por jo në nivelin e duhur për të përfaqësuar në pleqëri dhe  gjygje.Prandaj  i pari i Thaçit shkoj edhe një herë në Shkodër më kolonjarin dhe mbasi i vulosi pleqënit e gjygjet së bashku më pleqët e tjerë i kerkoj Krye-zotit  të Shkodërs  që ti jepte  leje me dërgue  kolonjarin me vulë të flamurit e të vendoste emrin e atij në gjygje e pleqni që do të bëheshin përpara atij, sepse vetë nuk mund të levizte nga mosha lart e poshtë. Kerkesa e të parit të Thaçit u pranua nga  Krye-zoti i Shkdrës  dhe që nga ky moment filloj  kolonjari  të bënte lidhjen Thaç-Shkodër për të gjitha  gjygjet dhe pleqnitë te Kryezoti i Shkodrës. Pasi u bë     kolonjari si i shtëpisë në vllazëninë e Thaçit kërkoj të fejohet më të bijen e Thaçit. Pasi u keshillua i pari Thaçit më njerzit e shtëpisë ranë në një mendje(dakort) me ja dhanë kolonjarit vajzën e vetme që kishtenë shtepi.Pasi u martua kolonjari pas 3 vjetësh Thaçi (i pari i Thaçit vdes) kurse kolonjari vazhdonte  rrugën si më përpara pa i kerkuar kush as arsye as vulë.Këtij i linden 3 djem. Sipas At Gjeçovit Emni “ Kryezi “i mbeti katundit prej emnit të të birit të kolonjarit i cili kishte qënë shumë i idhet (kokë fortë).Si zuni vend në Kryezi ky u ba më Kabash, e kështu i mbeti vula në dorë Kryeziut, (mbasi nuk u intersuan thaçjanët) pra i mbeti pleqnia në dorë.Prandaj mbeti fjala “Kryeziu pleqnusja” e Kabashit.
Pra, vula e gjygjeve dhe pleqnive  ishte eThaçit, por që i mbeti në dorë Kolonjarit (dhëndërrit të Thaçit) pas vdekjes së Krye-pleqnuesit të Thaçit, sepse nuk u interesuan pasadhësit e Thaçit për vulen e fisit.  Pra për sa u tha më lart arrihet në përfundimin se: fshati  i  Kryeziut ka qenë  i banuar  me Thaç.   
Në vitin 1928 me 13 janar At Sh. Gjeçovi-Kryeziu tregon: Më  bije në mend kur isha fëmijë në shtëpi e kur ndonjeni nga ne ishte i idhët(kokë fortë) e kryeneç plaku Pepa(Petar)Gjeçovi  i bërtiste duke i thënë: ”Ah Kryezi breh !”. Ja biseda e At Gjeçovit  në kolegjin e Troshanit me një prift të shkollës. Si të quajnë e pyeti burri me veladon?. Hilë i tha shkurt djaloshi. Hilë kush? E pyeti po ai zë.Hilë Gjeçi ju përgjigj djaloshi.Nga je?.Nga Janjeva  e Kosovës. Si ta quajnë babën?. Mat,Mat Gjeçi.Ai më ka thënë së të parët  tanë janë nga Kryeziu i rrethit të Pukës.Gjeçi e kanë quajtur të parin e fisit tonë. Në Janjevë  prindrit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta  stergjyshi kishin ardhur përpara  shumë vitesh. Ata u detyruan të largohen nga malësitë e Pukës për të siguruar kushte më të mira jetesë. Për një kohë të gjatë  ata ruajtën mbiemrin “Kryeziu” për të treguar fshatin e lindjes, por pastaj filluan të mbiemroheshin më emrin e të parit të familjes apo të fisit të tyre “GJEÇI”.Gjeçovi shumë vjet më vonë fjalën “Kryezi” do ta përdorë përsëri si mbiemër të vet, dhe vitet e fundit,kur jetoi e punoi në Kosovë  do të shkruaj diçka më tepër.Vet Gjeçovi  në vitet e fundit të jetës së tij na jep disa sqarime për origjinën e emrit të fshatit Kryezi të rrethit të Pukës, për të cilin folëm më sipër.Ndryshimi i emrit kishte të bënte me një traditë të vjetër kishtare që e shpjegon Rrok Zojzi në monografinë e vet.”Kur një njeri, pranohej pjestar i urdhërit françeskan duhej të ndërronte emrin e të merrte një emër të ri për të treguar kështu se shkëputej nga jeta e më parëshme, nga lidhjet fare fisnore, nga e drejta e trashëgimisë, e pronës etj. Sipas kësaj traditë edhe emri i Mëhill Gjeçit u shëndrrua në Shtefën Kostandin Gjeçov.   Ruzhdi Mata-Gjeçovi  Nderi i Kombit  Tiranë,Reklama 2000,f.5-10.Na duket me rëndësi që etnografi  ynë, pas llagapit (mbiemrit) Gjeçov, shënon “Kryeziu”.Ndre Mjeda më 1935 shkruante se arqipeshkvi i Shkupit Carev dhe fretërit Shishkoviç e Brkiç përhapen sa mundën gjuhën sllovene me anë të predikimit e të shkollës jo vetëm në Janjevë,ku humbi gjuha shqipe,por edhe në Prizren, Shkup, Letnicë e Gjakovë. Shtjefën Gjeçovi i përkiste vëllazërisë  Përgjeçaj (Prend Gjeçi) të Janjevës,një  degë e fisit të vjetër Kryezez,mjaft  i përhapur në Kosovë, Pukë, Lezhë  etj. Autoritet fetare e regjistruan në shkollë me llagapin (mbiemrin) Gjeçoviç. Kur ai u bë i vetëdijshëm për këtë fallsifikim,nuk qe në gjendje  të bënte më tepër, veç të hiqte atë-iç e të mbetej Gjeçov. Këmbëngulja e Shtjefën Gjeçovit për të përdorë llagapin (mbiemrin) Kryeziu, që e shohim në disa dorëshkrime si edhe në kokën e shkopit që e mbajti në dorë deri ditën e vrasjes, tregon shqetësimin e tij për të çuar në vend një të vërtetë, që ka të bëjë me kombësinë e tij  thjesht shqiptare. Kahreman Ulqini.-Dy dorëshkrime të Shtefën Gjeçovit-Kryeziut,Etnografia shqptare nr.10, viti 1981 f.244.    Prejardhja  e  Gjeçovit trajtohet te”Koha e zgjetave” (koha e shigjetave) në vol.Gjeçovi-VEPRA.3 Rilindja-Prishtinë 1985. f. 261. Në vitin 1935 në revistën “Hylli i Dritës” ku Dom. Ndre Mjeda shkruan për Fulgens Carev O.F.M.në Dioqezën e Shkupit  thotë se: “Kazarev (Carev) ishte ai që i dha shkas përhapjes së gjuhës Sebo-Kroatishte në Janjevë”.Për veç gjuhës ata përdorën dhe liturgjinë sllave nëpërmjet dy Boshnjakve, ish fratit  Shishkoviç  dhe me ndonjë   mësues shkolle të atij katundi e të At. Frano Brkiç. Po këtu mes të tjerave  edhe disa fretenve në shqiperi që për emen vllazenije kishte Pergjeçaj(Prend Gjeçi) i ju zevendsua me Gjeçoviq e Gjeçov.Pra Përgjeçaj (Prend Gjeçi) para ardhesit i Gjeçovit ketë mbiemer e kishte dhe në Janjevë.     Dom.Ndre Mjeda:Hylli I Dritës.viti 1935 nr.1 f.33-37.        Në një studim për fisin e Thaçit  Paulin Zefi (Historian.Drejtor i Sektorit të Trashegimisë Kulturore) pranë Bashkisë –Lezhë shkruan se Prendi  gezon atributet e stergjyshit të pinjollëve më të shquar të fisit Thaç ku bëjnë pjesë edhe para ardhesit e të madhit Fishta.Po në të njejtin materjal  të studimit historik  për fisin e Thaçit  shkruan:”Kujtojmë  së  At. Shtjefën Gjeçovi  mbiemrin e tij të vertetë e kishte  Gjeçi dhe emrin Mëhill.Pra Mëhill Gjeçi.Pak më lart Dom.Ndre Mjeda thotë së nga Përgjeçaj (Përend Gjeçaj) serbo-sllavet e tjetersuan në Gjeçoviç dhe Gjeçov.Duke u bazuar në dokumentet e më sipërme vërtetohet së edhe At.Shtjefën Gjeçovi është fis Thaçi i vllazënisë Prend Gjeçi të Iballës së Pukës, por dihet së kjo vllazëri e fisit Thaç ka jetuar edhe në Kryezi.  Pra At.Shtjefën Gjeçovi dhe At. Gjergj Fishta janë kushërij të një gjaku nga baba  të vllazërisë Prend Gjeçi më qënder në Iballe-Pukë.  Duhet ta theksojmë se  në  fiset e veriut  ishte traditë ruajtja  e afërsisë së gjakut në breza  si nga babi  ashtu dhe nga nëna .Kështu që At.Gjergj Fishta dhe At.Shtjefën Gjeçovi ishin dajat e Dom. Ndre Mjedës nga nëna  por është burrë Kryeziu (i biri i Kolë Zefit,Kryeziut  dhe Luke Thaçit të Iballës).  Pra Dom Ndre Mjeda e dinte shumë mirë origjinën e Gjeçovit  se ishte nga vllazënia e Prend Gjeçit të Thaçit Iballës. Çdo manipulim i huaj  apo vendas nuk u shërben dimensioneve të këtyre kollosve të kulturës dhe patriotizmit  mbarë kombëtar shqiptar për kundrazi i dëmton të vërtetat për këto figura. At Gjeçovi  lindi në Janjevë  më 12 korrik 1874 ku mbaroj 3(tre) vite shkollë. Në kolegjin françeskan në  Shkodër ku u paraqit e dërguan në kolegjin fraçeskan në Trashan të Lezhës për të vazhduar mesimet ku dhe i mbaroj. Në vitin 1888 vazhdoj studimet në Bosnjë dhe Kroaci(këtu studio për teologji dhe filozofi).Shërbeu si famullitar në Laç të Kurbinit,Troshan,Gomsiqe e Gojan,Theth,Shalë e Shosh por shërbeu dhe në Pejë, Gjakovë e Prizren si dhe në Shkodër,Durrës,Vlorë dhe Zarë në Kroaci.         Ai  ishte  patriot( pjesëmarres në luften e Vlorës në vitin 1920)  shkrimtar, etnolog dhe arkeolg, përkethyes ,klerik,dramaturg,mësues i popullit ,novelist, përhapës i aresimit shqip. Kanuni mbetët  kryevepra  e  tij.
Laurimet:1.At Shtjefën Gjeçovi  është nderuar me “Medalja e Artë e Lidhjës së Prizrenit” në Kosovë. 2.”Monument i At Shtjefen Gjeçovit”.  Për veprimtarinë e tij etnografike dhe arkeologjike brenda dhe jashtë atdheut Universiteti i Lajpcigut të Gjermanisë i dha titullin“Doctor Honoris Cauza”. Në Shqipëri për veprimtarinë e tij patrotike dekorohet më urdherin “Naim Frashëri” të klasit të parë.(F.E.SH.) Tiranë 2008,f.814.  Më 14 tetor 1929 në Zym të Kosovës nga një atentat serbo-sllav At Gjeçovi  vritet.
Në të vërtetë ai ndrroj jetë por se,veprimtaria e tij patriotike,dashuria për atdhe , për pamvarësi, për shkollim, dije dhe kulturë, studimet e tij bashkëkohore dhe në lashtësi e bejnë“TEMPULL”në vete që nuk e lënë të vdesi kurrë.    

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr.Gjelosh Nikolla-At Shtjefen Gjecovi-Geni

PRESIDENTI I SHQIPËRISË NDAU DEKORATA NË KOSOVË

December 4, 2019 by dgreca

-Presidenti i Shqipërisë Meta përcolli mirënjohjen e thellë dhe të përzemërt  të mbarë popullit shqiptar, e sidomos të komuniteteve më të goditura nga tërmetet/

-Kryeministri në detyrë i Kosovës Haradinaj: Ne jemi unikë si kurrë më parë, s’ka tërmet që na ligështon/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

“Ne jemi unikë si kurrë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngritën mbi interesat parciale dhe t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre njerëzve që kanë zi sot dhe frikë për të nesërmen”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e organizuar për ndarjen e dekoratave nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për njësitet e kërkim- shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe ekipet tjera të shpëtimit, që morën pjesë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Republikën e Shqipërisë. 

Në fjalën e  tij, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se të gjithë janë të nderuar sot nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, e veçmas për këtë nder që na e krijoi Ushtria jonë, e cila, me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!”,

Fillimisht, në nderim të viktimave që humbën jetën në tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të këtij viti, është mbajtur një minutë heshtje.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi lart kontributin e të gjitha njësiteve nga Kosova që i dolën në ndihmë bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, duke theksuar se Kosova reagoi si shtet me të gjitha resurset humane, teknologjike e financiare, që në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit fatal, me ushtrinë dhe policinë e saj, me njësitet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile.

 “Në të njëjtën ditë në Shqipëri janë nisur ekipet e Çetave të Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës; Njësia e zjarrfikësve nga Korporata Energjetike e Kosovës; nga Komuna e Suharekës, Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Transportit, që dua t’i falënderoj nga zemra, duke u thënë: Bravo u qoftë!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, falënderoi të gjitha njësitet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, që u paraqitën në orët e para, në vijën e parë të një beteje ndërmjet jetës dhe vdekjes. “Andaj nuk ka emër më të mirë dhe vlerësim më të mirë, sesa Shpëtimtarë, për të gjithë ju”, tha presidenti Meta.

Më tej Presidenti Meta tha se në këtë betejë të vërtet, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. “Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë sa më shpejtë të ishte e mundur. Por, Kosova ishte e para që u ndodhë atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht e profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera”, tha presidenti Meta, duke potencuar se populli shqiptar do të jetë përgjithmonë mirënjohës solidaritetin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme.

Po ashtu, presidenti Meta përcolli mirënjohjen e thellë dhe të përzemërt  të mbarë popullit shqiptar, e sidomos të komuniteteve më të goditura, për këtë solidaritet shembullor dhe ndihmën vëllazërore, e po ashtu falënderoi popullin e Kosovës për ndihmën e pakursyer duke dëshmuar zemrën e madhe që e ka karakterizuar gjithmonë.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se është nder dhe kënaqësi marrja e këtyre dekoratave, pasi është vlerë për të gjithë, jo veç për FSK-në, por edhe nder dhe privilegj për Kosovën.

“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se kemi kryer detyrën tonë, se çfarë bën vëllai për vëllanë, Kosova po e dëshmon çdo ditë se jemi të gatshëm t’i përkrahim të gjithë fqinjët tonë, në interes të sigurisë rajonale”, u shpreh gjenerallejtnant Rama.

Me motivacionin për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, kryeministri në detyrë Haradinaj i ka ndarë presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu. 

Për gjithë këtë kontribut, Presidenti Meta, Taskë Forcës së Kombinuar të FSK-së, i ka ndarë dekoratën e Artë të Shqiponjës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i ndau titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”,  Njësitit të Çetës së Shpëtimit-Miniera e Trepçës, Çetës së Shpëtimit-Miniera e Artanës, ekipit të Zjarrfikësve –KEK, Njësisë së Zjarrfikësve të komunës së Suharekës dhe Njësitit K9 të FSK-së, u ndau titullin për merita të veçanta civile./b.j/

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari-Presideni Meta-Ndane Dekorata-Kosove

75 vjetori i tërheqjes së forcave naziste nga Shqipëria….

November 1, 2019 by dgreca

Zogistët – promotorë të qëndresës dhe luftës kundër okupatorëve/

NGA EKREM SPAHIU*

Po afron 75-vjetori i tërheqjes së forcave ushtarake gjermane nga Shqipëria, i cili është një përvjetor i rëndësishëm për popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat politike e ushtarake antifashiste shqiptare. Krahu i majtë politik, duke mos e pasur fuqinë për të dalë nga komplekset e historiografisë së politizuar, duket se po vazhdon t’i qëndrojë idesë së përvetësimit të vlerave dhe kontributeve të të tjerëve në ato momente historike për të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar.

Por e vërteta historike, sado të mjegullohet, është e vështirë të përvetësohet. Po afrojnë rreth 30 vjet nga rënia e diktaturës komuniste dhe kanë dalë në dritë fakte të reja nga arkiva, zyrtarisht të konfirmuara, për qëndrimet politike dhe kontributet reale të zogistëve në qëndresën dhe luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Në këtë kuadër, qëndrimet politike dhe kontributet e mbretërorëve janë reale, të prekshme dhe, me të drejtë legjitime, përfshihen në fondin e artë të historisë së kombit shqiptar.

Është pranuar botërisht se strukturat përkatëse dhe populli shqiptar u organizuan ushtarakisht dhe i rezistuan me luftë pushtimit të Italisë fashiste më 1939. Sigurisht mund të ishte bërë më shumë, por askush nuk mund të mohojë veprimet luftarake të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të organizuar në mbrojtje kundër pushtimit italian. Kjo qëndresë buroi si nga fryma, ashtu edhe nga organizimi ushtarak i përvijuar nga Mbreti Zog dhe sigurisht që mbretërorët kishin detyrimin dhe përgjegjësinë për ta marrë përsipër këtë rol. Në rezistencën antifashiste të prillit 1939 nuk ka marrë pjesë asnjë forcë politike e organizuar, qoftë edhe për faktin se ato u krijuan dy apo tre vjet më vonë dhe u përfshinë në detyrime e përgjegjësi sipas interesave dhe situatave të reja, që lidheshin me kohën e krijimit të tyre.     

Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë qoftë në mënyrë “paqësore” nëpërmjet presioneve në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe financiare, qoftë edhe me forcën e armëve. Mbasi dështuan përpjekjet e vazhdueshme si dhe ultimatumi i fundit për ta detyruar Mbretin Zog, parlamentin dhe qeverinë shqiptare që të nënshtroheshin, qeveria italiane vendosi të përdorë forcën e armëve për të pushtuar Shqipërinë.

Duke mos pranuar kushtet dhe ultimatumet e Musolinit, edhe pse nuk kishin mbështetje ndërkombëtare dhe as forcën e brendshme për përballimin e agresionit fashist, Parlamenti shqiptar dhe Mbreti Zog vendosën për ta pritur Italinë fashiste me armë në dorë, ndryshe nga Austria që i ishte nënshtruar Gjermanisë në vitin 1933 pa asnjë kundërshtim, apo Çekosllovakia që nuk kishte shkrepur asnjë pushkë më 15 mars 1939 kur u pushtua po nga Gjermania. Për më tepër, duhet theksuar se këto dy shtete ishin shumë më të mëdha se sa vendi ynë dhe të armatosura me armët më moderne të kohës.

Historia flet për një të vërtetë të padiskutueshme: fakti që Italia, planifikoi dhe futi në operacion ushtarak për pushtimin e Shqipërisë forca, mjete, shpenzime, logjistikë dhe kohë, flet se pushtuesi e përllogariti qëndresën shqiptare. Këtë qëndresë, shqiptarët e bënë, pavarësisht se jo në përmasa fitimtare. Qëndresa, sikurse thamë më sipër, kishte frymën, vulën dhe organizimin e ideuar nga Mbreti Zog. Nga çdo anë që t’i analizosh veprimet e ushtrisë së tij, madje edhe lëvizjet e oborrit mbretëror dhe të vetë Mbretit, konfirmohet se ai qëndroi bindshëm në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë. Te ata u mbështet, atyre u kërkoi ndihmë dhe te ata i mbajti shpresat. 

Agresioni i Italisë fashiste ndaj Shqipërisë është analizuar nga vetë pala italiane nëpërmjet dokumenteve të operacionit “Oltre Mare Tirana-OMT”, siç u quajt në mënyrë të koduar zbarkimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga trupat e Musolinit. Në referencë të këtyre dokumenteve, Mbreti i Italisë – Viktor Emanueli III, më 22 maj 1939 ka nxjerrë një dekret për dekorimin e 113 oficerëve dhe ushtarëve italianë, që treguan trimëri në fushën e betejës gjatë “çlirimit” (pushtimit) të Shqipërisë: 12 ushtarakë me medalje ari për trimëri ushtarake (pas vdekjes d.m.th. 12 të vrarë në luftime), 15 me medalje argjendi dhe 27 me medalje bronzi. Po ky dekret u akordoi medaljen e kryqit të luftës edhe 59 ushtarakëve të tjerë italianë. Në arsyetimet për dhënien e dekoratave përkatëse gjen mjaft hollësi se si u zhvilluan realisht luftimet, se si dhe sa e organizuar ishte rezistenca e palës shqiptare ndaj zbarkimit të trupave italiane.

Ndërkohë që Mbreti Viktor Emanueli III dekoron ushtarakë italianë të rënë në fushën e betejës dhe të tjerë për trimëri, historiografia komuniste mohon çdo përpjekjeje për rezistencë të organizuar nga Mbretëria, madje duke akuzuar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë! Por këtë akuzë e hedh poshtë në mënyrë të pakthyeshme Traktati i Paqes me Italinë që u nënshkrua nga qeveritë e SHBA, BRSS dhe Britanisë së Madhe në Paris më 10 shkurt të vitit 1947, ku qeveria komuniste e saj kohe, më 4 shtator të vitit 1945 kërkonte nga qeveritë e mësipërme të drejtat e shtetit shqiptar për të përfituar dëmshpërblime nga Italia si shtet pushtues dhe jo si shtet të cilit “iu shit Shqipëria”.

Shtrohet pyetja, pse kanë heshtur deri tani të ashtuquajturit historianë dhe institucionet zyrtare në Shqipëri për këtë Traktat? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Në pikën e parë të këtij Traktati thuhet: “Duke konsideruar se Italia, nën regjimin fashist, është bërë një nga palët nënshkruese të paktit trepalësh me Gjermaninë dhe Japoninë, ka ndërmarrë një luftë agresioni dhe nga ky fakt ka provokuar një gjendje lufte me të gjitha Fuqitë Aleate dhe të Asociuara si dhe me kombe të tjera dhe mban pjesën e saj të përgjegjësisë në këtë luftë”. Duket qartazi se Italia njeh dhe pranon se ka kryer agresion ndaj Shqipërisë. Ndërkohë, në Nenin 31 të këtij Traktati thuhet: “Italia njeh se të gjitha marrëveshjet dhe rregullimet e bëra ndërmjet Italisë dhe autoriteteve të vendosura në Shqipëri nga Italia ndërmjet 7 prillit 1939 dhe 3 shtatorit 1943, janë nul dhe inekzistente”. Traktati vendosi që Shqipëria të përfitonte 5 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime nga Italia (e barabartë sot me afërsisht 60 milionë dollarë). Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri. 

Interpretimi juridik i këtij Traktati të kërkuar me ngulm nga vetë Qeveria komuniste na çon automatikisht në konkluzionin se Mbretëria e Zogut, jo vetëm që nuk e shiti Shqipërinë sikurse pretendon historiografia komuniste, por ajo mbetet subjekti juridik i trashëgimisë shtetërore shqiptare edhe pas pushtimit fashist.

Shqipëria u rreshtua që në fillim në krah të koalicionit antifashist dhe mbretërorët u pozicionuan dukshëm e qartë politikisht dhe organizativisht në luftën kundër fashizmit, duke u bërë pjesë e natyrshme e frymës antifashiste të popullit shqiptar. 

Në këtë kontekst, më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, ku morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Pala mbretërore u përfaqësua në nivelet më të larta: Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës, ndërsa Ndoc Çoba u zgjodh kryetar i punimeve të konferencës. Sikurse dihet, Konferenca zgjodhi antarët e Këshillit të Përgjithshëm Nacional prej shtatë vetësh, nga të cilët dy ishin zogistë.

Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, Abaz Kupi u bë nismëtar i thirrjes të Konferencës së Mukjes të mbajtur më 1-2 gusht 1943. Dy ditë më pas, më 4-5 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i dalë nga Konferenca, organizoi në afërsi të Qafë-Shtamës një betejë të përbashkët kundër ushtrisë italiane, që po marshonte për në Mat. Çetat partizane, balliste dhe zogiste nën komandën e major Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë në mes të të cilëve koloneli italian A.P. Skampa, 40 të plagosur dhe 7 robër.

Enver Hoxha, fillimisht e pranoi marrëveshjen, por kjo zemëroi pa masë të deleguarit jugosllavë Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën. Për këtë qëllim, pas një muaj, më 4 shtator 1943, komunistët mblodhën Konferencën e Labinotit, e cila jo vetëm që e prishi zyrtarisht Marrëveshjen e Mukjes, por i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar dhe çdo rryme apo tendence tjetër politike. Konferenca e Labinotit shënon, në fakt, përgatitjen e kushteve për një përplasje mes palëve, e cila mund të shkonte deri në luftë civile. Në ç’masë shkoi kjo përplasje dhe ç’pasoja pati, meriton një analizë më vete, por sidoqoftë një gjë është e vërtetë dhe e palëkundur: forcat politiko-ushtarake nacionaliste, me idetë unifikuese kombëtare antifashiste që promovuan, me format e organizimit që propozuan dhe me veprimet luftarake që zhvilluan, u përpoqën që ajo përplasje të mos ndodhte.

Sidoqoftë, pas Konferencës së Labinotit situata konfliktuale ndërmjet forcave të udhëhequra nga komunistët dhe forcave të tjera nacionaliste u acarua së tepërmi, duke filluar nga intrigat, pabesitë dhe deri te përpjekjet e armatosura, të cilat shkaktuan edhe masakra kolektive, ku përgjegjësitë iu mbeten urdhëruesve. Vetëm pak ditë pas Konferencës së Labinotit dhe kapitullimit të Italisë fashiste, ndodhi tragjedia e Gërhotit në Gjirokastër. Më 14 shtator 1943, vranë komandantin e Ballit, Hysni Lepenicen dhe 35 komandantë çetash të Ballit të krahinave në jug të vendit, të cilët kishin superioritet ushtarak në zonat e Vlorës, Gjirokastrës, etj. Kjo tragjedi e shkaktuar si pasojë e intrigës së forcave të udhëhequra nga komunistët, shënon një moment të rrezikshëm ushtarak, që mund të shndërrohej në një përplasje më të gjerë vëllavrasëse midis dy forcave të krahëve të ndryshëm politiko-ushtarak shqiptar. 

Pas një muaji, brigada e parë partizane, që komandohej nga Mehmet Shehu, më 17 tetor 1943 në Matjan të Lushnjës, ekzekutoi 67 fshatarë, të cilët ishin mobilizuar me forcat nacionaliste të Ballit, të komanduara nga Isa Manastirliu. E njëjta udhëheqje politiko-ushtarake është autore e masakrës së Martaneshit më 5 mars 1944 në fshatin Peshk, ku u vranë 22 nacionalistë me në krye kryeplakun e tyre. Po kështu, më 7 mars 1944 u vranë 68 ballistë në Dunicë të Pogradecit, për të vazhduar me 185 ballistë në Shipckë të Korçës, etj..

Më 21 nëntor 1943, zogistët formuan partinë e tyre.

Përballë këtij realiteti të rrezikshëm politiko-ushtarak me pasoja kombëtare, forcat mbretërore, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e nacionalizmit shqiptar, më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr të Tiranës, formuan partinë e tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Ndër pikat kryesore të Kongresit themelues ishte dhe kthimi i Mbretit Zog në fuqi, pasi vetëm ai gëzonte të drejtën e pushtetit legjitim në Shqipëri. Sigurisht, pas krijimit të OKLL, organizimi ushtarak ishte edhe më i madh. Pranë forcave të Abaz Kupit – Komandant i forcave të Legalitetit, ishte atashuar Misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Krijimi i OKLL alarmoi Enver Hoxhën dhe, për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Ndërkohë që forcat naziste e kishin humbur luftën dhe, në tërheqje e sipër po largoheshin nga Shqipëria drejt Gjermanisë, objektivi kryesor i udhëheqjes komuniste u adresua në luftën kundër forcave balliste, zogiste dhe çdo kundërshtari tjetër. Meqenëse në zonat veriore të vendit komunistët nuk kishin përkrahje, angazhuan forcat më të zgjedhura të ushtrisë partizane, me qëllim që të shkonin atje dhe të shkatërronin forcat nacionaliste, që gëzonin shumë mbështetje në këto zona dhe të shtrinin me dhunë e terror influencën e munguar në popullsinë civile, për të krijuar kushtet e plota që pushteti i nesërm të ishte krejtësisht i tyre.

Për të penguar realizimin e këtij objektivi ogurzi të komunistëve, të dyja formacionet nacionaliste Legaliteti dhe Balli menduan të bëjnë edhe një hap të fundit, duke organizuar një mbledhje të përbashkët, ku ftuan dhe disa krerë e bajraktarë të veriut. Kjo mbledhje u bë më 15 shtator 1944 në fshatin Mali i Bardhë – Kurbin dhe pastaj në Bulgër afër Rubikut. Nga pala e Legalitetit morën pjesë Abaz Kupi me disa oficerë shqiptarë të shoqëruar me rreth 300 ushtarë të armatosur. Me Abaz Kupin ishin dhe misionarët anglezë të atashuar pranë tij. Balli Kombëtar u përfaqëua nga Mit’hat Frashëri i shoqëruar nga komandantë çetash, oficerë dhe rreth 60 luftëtarë. Të pranishëm ishin edhe Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni, Preng Previzi, Fiqri Dine, etj.

Në këto mbledhje u diskutua vetëm një çështje: bashkimi i të gjitha forcave nacionaliste për të mos lejuar që Shqipëria të zaptohej nga komunizmi. Fatkeqësisht, ky takim shumë i rëndësishëm në qëllimin e tij nuk konkludoi, sepse, pas shumë debateve, u gjykua se nuk ishte në interesin kombëtar që shqiptarët të vriteshin me njëri-tjetrin për pushtetin e nesërm, pavarsisht se deri diku e dinin çfarë ishin dhe çfarë do sillnin komunistët me ideologjinë e tyre. Mosarritja e përfundimit të dëshiruar nga kjo mbledhje, hapi rrugën që forcat partizane të mbeteshin të vetmet në pretendimet e tyre të nesërme për pushtet në të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Pas këtij dështimi, Mit’hat Frashëri u nis për në Shkodër dhe u largua në Itali, ndërsa misionarët anglezë njoftuan Abaz Kupin se kishin marrë urdhër të largoheshin nga Shqipëria. Komandanti i forcave të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” Abaz Kupi, para se të largohej për në Itali më 24 tetor 1944 lëshoi një Thirrje, ku ndër të tjera shkruhej: “…ne jemi përpjekur për bashkimin  dhe vëllazërimin e shqiptarëve për të shmangur luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për të larguar okupatorin prej tokës sonë të shenjtë… Sot në këto rrethana që ndodhemi, detyrohem të largohem për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllazërore”. Thirrjen e morën të gjithë drejtuesit e çetave legaliste dhe, në bazë të saj, me dhimbje të madhe, ndërprenë luftën dhe shpërndanë forcat e tyre luftarake.

Me tërheqjen e krerëve të nacionalizmit shqiptar për të mos iu kundërvënë komunistëve, këta të fundit duke vënë në veprim parimin komunist se, pushteti merret me grykën e pushkës, filluan terrorin në popullsinë civile për ta nënshtruar atë. Për ta ilustruar këtë terror të komunistëve, po përmendim vetëm masakrën e tmerrshme të kryer në Lumë, ku më 26 shtator 1944, komandanti i brigadës së pestë partizane, Shefqet Peçi pushkatoi pa gjyq 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes, nën pretekstin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin.

Me masakra, terror, dhunime dhe djegie e morën pushtetin partizanët komunistë në 1944, dhe nën etiketën false të “çlirimit”, vunë nën thundrën e diktaturës së proletariatit gjithë popullin shqiptar, për 46 vjet me radhë. Shkatërrimi që komunizmi i bëri strukturës shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit rezultoi më i rëndë se çdo pushtim që kishte pësuar ky truall në gjithë historinë e tij.

Nisur nga paraqitja e argumenteve të mësipërm dhe shtjellimi kronologjik i fakteve historike të pakundërshtueshme rezulton se zogistët ishin promotorë të luftës kundër okupatorëve nazifashistë.

*ish-deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Fejton, Histori Tagged With: Ekrem Spahiu-75 vjetori i terheqja-Forcat naziste-Legalistet

Në Remnik të Vitisë përkujtohen dëshmorët e vrarë mizorisht më 1942!

August 3, 2019 by dgreca

Organizuar nga Këshilli i fshatit Remnik të Vitisë, dhe me iniciativë të familjarëve dhe disa veprimtarëve nga mërgata jonë, më datë 4 gusht, duke filluar nga 10 do bëhet zbulimi i bustit të Selim Fetah Sejdiut dhe dëshmorëve të tjerë të vrarë e masakruar në xhaminë e fshatit Remnik të komunës së Vitisë në vitin 1942. /

Shkruan:Avni Azizi/

Gjatë tërë shekullit të kaluar por, edhe më herët vazhduan përpjekjet e ngulmëta të shqiptarëve për liri dhe bashkim të trojeve. Konferencat dhe traktatet e fshehta në fillim të shekullit të kaluar, edhe pse sollën vitet të mbrapshta fataliste, ato nuk arritën të fshijnë nga kujtesa rigjallërimin e trupit arbëror me të gjitha gjymtyrët. Lufta përfundimtare në Ballkan kundër perandorisë otomane solli pavarësinë për vetëm një pjese të trungut arbëror. Ndonëse të ndarë e me troje të gllabëruar, kryengritjet dhe luftërat për liri të shqiptarëve vazhduan pareshtur. Në çdo epokë të historisë kombëtare, populli shqiptarë me gjakun  e tij u bë theror lirie, duke u vrarë e masakruar mizorisht nga pushtuesit. 

Pas Luftës së Parë Botërore, por edhe më herët, vazhdoi kolonizimi i trojeve shqiptare i nisur më 1877 me kolonë serbë të ardhur nga Serbia. Qindra e mijëra shqiptarë u ndoqën nga trojet e tyre stërgjyshore, u persekutuan, u vranë dhe u masakruan, por përpjekjet nuk pushuan asnjëherë. Edhe Lufta e Dytë Botërore e gjeti popullin shqiptar të lodhur e të robëruar nga vuajtjet shumëvjeçare. Derisa ai bashkë me popujt e tjerë u bashkua kundër bllokut fashistë, fqinjët ziliqarë e tradhtuan prapa shpine dhe zgjuan ëndrrat e tyre të mëhershme për aneksime, shpërngulje dhe spastrim etnik. 

Masakra e Remnikut më 1942

Fshati Remnik i komunës së Vitisë bën pjesë ndër vendbanimet më të lashta të këtij lokaliteti. Po kështu në vitin 1942, në këtë fshat, në vendlindjen e patriotit dhe atdhetarit Hasan Remniku, në këtë mjedis të lashtë dhe atdhetar, serbo-çetnikët e tërbuar në urrejtje, në bashkëveprim me ushtrinë e pushtuesit fashist bullgar, kishin kryer plojën ndaj banorëve autokton shqiptar të Remnikut duke vrarë e masakruar mizorisht banorët e këtij vendbanimi. Pushtuesit nën pretekstin e kërkimit të armëve kishin mbledhur burrat remnikasë dhe duke i vendosur në xhaminë e fshatit, për tri ditë me radhë, duarlidhur i kishin torturuar deri në vdekje 24 burra të fshatit dhe disa nga ata i kishte pushkatuar.  

Pushtuesit duke dashur t’i terrorizonin banorët shqiptar, ata fillimisht likuidonin njerëzit me influencë, udhëheqës dhe njerëz të lidhur e të formuar me orientime kombëtare. Ndër ata që u pushkatuan ishte edhe kryetari Selim Fetah Sejdiu të cilin patriotët Rifat Berisha dhe Ramiz Cernica e kishin emëruar për udhëheqës të lokalitetit. Vlen të përmendet se Selimi ishte djali i Fetahut, dhe babai i tij ishte dërguar në luftërat në Jemen të Azisë Juglindore dhe nga andej nuk ishte kthyer i gjallë. Selimi me shumë bashkë moshatarë të tij ishin formuar nën frymën dhe idealet kombëtare se çdo pushtues ishte i njëjtë dhe luftimi i tyre ishte detyrë kombëtare.

Ditët tragjike të ngjarjes së ndodhur në xhaminë e fshatit, sipas rrëfimeve të njerëzve të cilat mbanin mend ngjarjen, në momentin e pushkatimit Selimi para ekzekutuesve kishte thënë: “Ju mund të më vrisni, por Shqipërinë s’do mund ta vrisni kurrë!” Pos kryetarit Selim Fetah Sejdiu, ndër ata që u pushkatuan ishin: Daut Ibrahimi, Shaban Ibrahimi, Bajram Ibrahimi, Halil Selmani, dhe Ymer Syejmani, Bislim Rexhepi, Salih Salihu, Halit Boshnjaku të gjithë këta u pushkatuan mes datave 15 e 19 mars 1942 ndërsa të tjerët u mbytën dhe u masakruan në torturë. 

Pas kësaj masakre të pushtuesve Hasan Remniku me bashkëluftëtarët e tij Halim Sejdiun dhe të tjerë pasi shpërthyen rrethimin dhe zhvendosën banorët e fshatit duke kaluar ata në zonën italiane, ata hapin një vijë të luftës frontale kundër pushtuesve serb e bullgar dhe më vonë do përpilojnë planin strategjik të hakmarrjes ndaj gjithë atyre të cilët kishin marrë pjesë në masakrimin dhe vrasjen e burrave të fshatit. Sipas burimeve serbe dhe kujtesës së banorëve vet Hasan Aliu gjatë vitit 1942 kishte likuiduar mbi 15 serb zullumqarë nga të cilët 12 prej tyre ishin në mesin e atyre të cilit kishin marrë pjesë në masakrën ndaj burrave në xhaminë e fshatit. Duke përfshirë këtu edhe antishqiptarin dhe xhelatin e përbetuar Sllobodan Jovanoviq nga Zhegra.

Masakra e Remnikut dhe shumë vrasje e masakra tjera ndaj popullsisë shqiptare në trojet e veta në zonën e okupimit bullgar, siç rezultojnë edhe nga dokumente të shumta arkivore, ishin ushtruar mizori nga ushtria dhe formacionet paramilitare bullgare me objektiv shfarosjen dhe largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndarja e tokave shqiptare nëpër zona pushtimi gjatë atyre viteve kishte edhe interesa ekonomike ku shpesh të nxitur nga këto interesa shfaqeshin edhe konflikte mes pushtuesve siç ishin ato mes atyre italian e bullgar.

Kujtesë dhe nderim për dëshmorët 

Kalojnë vite, dekada e shekuj dhe kujtimet për dëshmorët mbeten përherë të freskëta në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë, falë flijimit të dëshmorëve frymojnë dhe jetojnë të lirë. Përkujtimi për dëshmorët, është nderim, obligim dhe përgjegjësi të cilën më së paku mund ta bëjmë për flijimin e tyre. Dëshmorët dhe martirët e çdo periudhe kohore e historike, janë ata që me rëniet e tyre me jetët e tyre duke dhuruar për tokën, ne sot gëzojmë lirinë. Kujtesa dhe nderimi për ata pos që është detyrë dhe nderim duhet të na bëhet edhe obligim kombëtar. Kështu me iniciativë të banorëve, familjarëve dhe disa mërgimtarëve nga fshati Remnik, është organizuar ngritja e lapidarit në kujtim të ngjarjes dhe vrasjeve që kishin bërë pushtuesit. Kështu nesër me datë 4 gusht do bëhet zbulimi i bustit të udhëheqësit dhe kryetarit të atëhershëm të fshatit Selim Sejdiu i cili bashkë me shumë vendas të tjerë ishte ekzekutuar nga pushtuesit.  

Remniku kujton bijtë e tij të cilët ishin vrarë mizorisht. Të cilët për dekada me radhë deri në lirinë e sotme ata ishin vetëm në zemrat e banorëve dhe kombit ndërsa nga nesër në qendër të fshatit sikur ju bëjnë rojë brezave e gjeneratave të ndryshme të cilat u flijuan për tokën amtare. Kur lidhim historitë dhe kujtimet për sakrificat e gjithë kohëve, pa mëdyshje jo vetëm që jemi të nderuar por, edhe kuptimi i lirisë sikur na bëhet më i shtrenjtë. Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit që u flijuan në çdo periudhë të historisë kombëtare. I pa harruar qoftë gjaku i çdo martiri e dëshmori!

Filed Under: Fejton Tagged With: Avzi Abazi-Deshmorit e 1942-Perkujtim-Viti

REGJIMI QË VRET MËSUESIT KA VRARË JETËN E KOMBIT

July 2, 2019 by dgreca

Rikujtim mësuesit e shkolluar në Austri të vrarë  nga komunizmi -/

“ Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerët”-Faik Konica /

Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë /

evolucion

Zhvillimi evolutiv i njeriut rrjedh paralel me specializimet specifike të korës së truri, si baza organik e vetëdijes dhe të mësuarit. Orientimi në të mësuar varet  nga shoqëria njerëzore në etapat e zhvillimit të tij. Ato vende ku dijes, pra mësimit, iu kushtuan kujdes, u zhvilluan si shoqëri duke ndikuar në zhvillimi e shoqërisë njerëzore shekujve. Kështu është edhe sot e gjithë ditën, ato shtete që investojnë në dije (mendimin njerëzor, shkencë, art…) janë prijëse të rrjedhave të përgjithshme në botë, edhe të forcës.  Pra, të kuptuarit e dijes si forcë, e ngritë nivelin e sigurisë së shoqërisë, kombit dhe shtetit.

valët e rrjedhave 

Kombi dhe shteti shqiptar, mjerisht, asnjëherë nuk e kuptoi drejtë këtë sintagmë kohe të domosdoshme për të ardhmen e tij. Përkundrazi, arsimi ishte hallka më e anashkaluar dhe persekutuar materialisht, politikisht e fizikisht. Nëse i japim një vështirim rrjedhave të shkollës shqiptare shekullit “të pavarësisë” do të shohim dhe tmerrohemi me qëndrime të gabuara dhe kriminale të regjimeve që nga lindja e gjysmë shtetit shqiptar ( gjysmë shtet territorial dhe funksional). Periudha pasluftës së Dytë Botërore do karakterizohet me ristrukturimin e shkollës shqiptare, mjerisht ristrukturim ideologjik komunist antinjerëzor dhe antikombëtar. Në territoret shqiptare të pushtuara nga sllavët filloi lejimi i mësimit në gjuhë shqipe, por i bazuar në parimet ideologjike komuniste serbosllave në çdo shkronjë programore. Pozitive ishte, se do mësohet edhe  në gjuhën shqipe, kjo u pa në rrjedhat e deritanishme në Kosovë dhe Maqedoni.        

Pikërisht nga ky fillim dolën mësues të arsimuar duke thithë edukatë e dije nga rrethi i tyre kombëtar i përvuajtur shekujve. Ata nuk pyetën shumë për plan programin zyrtar serbosllav, por mësuan dhe ligjëruan mbi tabanin kombëtar duke formësuar mësues  e mësuese me vetëdije të lartë kombëtare që sot janë figura nderi në historinë e shkollës shqiptare dhe historinë kombëtare.    

armiq e miq
           Derisa në trevat e pushtuara shqiptare bëhej luftë për mbijetesë të shkollës, thyerjen e vetëdijes  së mbrapshtë patriarkale, religjioze konservatore, propagandës negative të armiqve, në Shqipëri instalohej sistemi diktatorial komunist duke ndjekur, persekutuar, internuar e vrarë mësuesit përparimtarë kryesisht të shkolluar në vende të ndryshme të botës. Këta mësues të edukuar në frymën demokratike të mendimit dhe ideve, nuk u pajtuan me kursin dhe kahen e proklamuar nisur nga sistemi totalitar.  Shumë prej tyre ngritën zërin e tyre mospajtues, disa heshtën në heshtjen që flet dhe vret ide të mbrapshta. Të gjithë gradualisht e pësuan dhe sot rreth tyre mësohet përmes kartonëve dokumentues të gjyqeve, burgjeve dhe internimeve. Pësuan ata së bashku me familjet e tyre, pronat e tyre.       

… a vritet mësuesja! 

Mësuesja, Marie Toçi i shkruan nënës: ”Unë po vdes sot”. Xhelatët e kuq e menduan artin e krimit  më i urryer n botë; e futen mësuesen e re  në thes së bashku me macen e egër deri në vdekjen e saj. Sa kriminel mund të jetë shqiptari ndaj njeriut të tij.         

“dekorata e kthimit në Atdhe”!!

 Shumë nga mësuesit dhe intelektualët që studiuan në Austri u kthyen në Atdhe, dhanë ndihmë të madhe në arsim, shkencë e kulturë. Shumë prej tyre të edukuar me kulturë e dije perëndimore nuk u pajtuan me sistemin komunist që po instalohej në Shqipëri. Ata u dënuan në forma të ndryshme. Në këtë shkrim, në shenjë respekti të veprës së tyre e cila buronte nga ndjenja kombëtare patriotike, po japim emrat e disa prej tyre sadopak në shkundje të harresës sonë.  
             Mësuesi dhe intelektuali i lindur në Prizren,Kolë Margjini, arrestohet nga enverianet në Shkodër ku jetonte. Kjo nuk mjafton, ata ua dorëzojnë serbeve të cilët pas torturave çnjerëzore e pushkatojnë. 

Torturat ndaj mësuesve vizionar ishin mizori  “brenda kufirit dhe jashtë tij” ishin të pa përshkruara  për nga përmasa dhe për nga arsyeja çmendurake e njeriut tonë.  Safet Butka, njeri atdhetar nga familja atdhetare u detyrua të vetëvritet nga zhgënjimi i tij me sistemin dhe njerëzit e tij që po vinin në pushtet pas gjithë asaj lufte që kishte bërë. Zef Malaj, nuk u pajtua kurrë që Shqipëria të heshtë ndaj çështjes së Çamërisë e të Kosovës dhe territoreve tjera shqiptare të copëtuara. Për këtë nga enveristët dhe klika e tij u cilësua si “Anarkist konfuz” dhe duhej të dënohej me çdo kusht, dënim e internim tërë jetën, prej tyre i kalon 23 vjet në burg nga 60 vjet dënim. Mësuesi i cili solli jetë pedagogjike e didaktike moderne nga shkollat  gjermani Fadil Gumani, dënohet dhe pushkatohet mizorisht. Ethem Haxhiademi ishte ndër pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve, u arrestua  në mes të natës, në shtëpinë e tij, kur ishte duke korrigjuar hartimet e nxënësve. Ai  ishte  mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit, duke e sjell në Tiranë, ku qëndron në hetuesinë  muaj të tërë mes torturash të tmerrshme. Kur kryetari i gjyqit ushtarak shqiptoi dënimin e tij me vdekje (sipas Abdulla Memes , i cili ishte dënua edhe ai në seancën gjyqësore  me te), Ethem Haxhiademi me plot gojën thirri: “ Rroftë Shqipëria!”. 
       Vargu i mësuesve të dënuar që kishin studiuar në Austri vazhdon tragjikisht me të njohurin   Dr.Venemin Dashi i cili u dënua 20 vjet burg dhe iu konfiskua e tërë pasuria. Dr. Dashi u dha jetë në gjuhën shqipe veprave madhore të studiuesve me famë botërore të veprave albanologjike nga Georg Von Hahn, Mayer. Kraitscher. Ky do shpërblehet nga shteti shqiptar dënim me vdekja! 

Poeti i madh i lirikës Lasgush Poradeci u la të´ në gjendje të mjerueshme ekonomike, në burg me emrin shtëpi, deri në vdekje. Syleman Harri u dënua me një shekull e një vit burg. Mësuesi tjetër i talentuar i cili po ashtu studioi në Austri, Hivzi Xeka, dënohet me 15 vjet burg. Ibrahim Babamusta  arrestohet e burgosët qëllimisht nga pushteti, të cilin fatbardhësisht gjyqi e nxjerr të pafajshëm. Izet Bebeziqi, mësues dhe intelektual i përmasave evropiane lihet të jeton në gjendje të mjerueshme ekonomike deri në vdekje. Skendër Luarasi nga pushtetarët u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve edhe pse ishte njëri nga themeluesit e saj. Mësuesi tjetër i shkolluar në Austri Qani Panariti  arrestohet dhe pushkatohet.  Intelektual i madh i përmasave evropiane, veprimtar dhe luftëtar për lirinë kombëtare, Xhevat Korça, u dënua për jetë, derisa vdes në burg. Dr. Xhevat Korça, njeriu që ngriti lartë figurën e Skënderbeut shkencërisht me disertacionin e tij, “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut”. përkthyes i librittë John Reed-it “Dhjetë ditë që tronditën botën“.Ai haptas i tha katilit të quajtur Mehmet Shehu se: “E urrej komunizmin  duke e njohur teorinë dhe praktikën e saj në Rusi”.

Xhafer Belegu, intelektual i patriot, autorin e veprës së përkryer “Lidhja e Prizrenit”, e dërgojnë për punë të detyruar në bujqësi. Shembull kulmor në piramidën e krimit komunist është dënimi i Dr. Sokrat Dodbibibës i cili sapo doktoron në Universitetin e Vjenës kthehet në Atdhe duke dhënë kontribute madh në ekonomi dhe financa. Ai është i njohur në historinë kombëtare si njeriu që ktheu thesarin e shtetit shqiptar në nëntorin e vitit 1943 dhe makinës së shtypjes së monedhave, të grabitur nga Italia. Për gjithë këto vepra kombëtare nga regjimi komunist u dënua me 30 vjet burg, i konfiskohet  pasuria, i shkatërrohet familja. Vdes në burg nga uria dhe torturat.   Historia e  intelektualëve, e veçanërisht e mësuesve shqiptar, është e dhimbshme aq sa edhe katandisja e shtetit shqiptar në vepra kriminale ndaj kombit shqiptar. 

Jo pa argument Faik Konica thotë: “ Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerët”. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Hazır Mehmeti- Mesuesit e Vjenes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT