• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEPRIFTI SERB MSYNË TOKAT SHQIPTARE NË SHAS TË ULQINIT

July 8, 2018 by dgreca

1 FRANKNGA FRANK SHKRELI/

Mediet vendore të Ulqinit njoftojnë se të djelën udhëheqsi i Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfilohije — i cili është i lidhur shumë ngushtë me Kishën Ortodokse Serbe me qëndër në Beograd –me një grup prej afro150-vetash ndjeksish të tij, vizitoi fshatin Kalanë e Shasit me qëllim që të mbante ceremoni fetare në gërmallat e Kishës së Shën Gjonit, njërës prej 365 kishave që thuhet se ekszistonin dikur aty në Shas.  Kjo nuk është hera e parë që elementë të Kishës Ortodokse serbe janë përpjekur që, që në vitet e fundit, të vizitojnë këtë vend historik për shqiptarët, me qëllim për të përvetësuar jo vetëm gërmadhat e sotme por edhe historinë që ato bartin gjithnjë për Kombin shqiptar.

Sidoqoftë, duket se pas një përleshjeje me dhjetra banorë vendas që donin të bllokonin vizitën e kryepriftit serb në atë zonë, policia e lejojë atë që të shkonte deri tek Kisha e Shën Gjonit në Shas, por siç duket nuk e lejuan të futej brenda për të kryer një ceremoni fetare, ashtu siç kishte në plan, sipas portalit Ulqinionline.  “Nuk jeni të mirë se ardhur në këtë mënyrë.  Këto objekte janë tonat, ne i kemi ruajtur dhe ne do t’i ruajmë”, kështu iu drejtuan Amfilohijes banorët vendas që kishin bllokuar rrugën, shkruan portali Ulqinionline.  Kjo masë e policisë u mor, jo se kishin ndonjë kundërshtim me vizitën e udhëheqsit të Serbisë në Shas, por thuhet se ai nuk kishte bërë një kërkesë me kohë për një ceremoni të tillë fetare atje.

Pas përleshjeve të banorëve me policinë, u zhblokua rruga ndërkohë që  njoftohet gjithashtu se policia nuk mori në konsiderim bllokimin e vizitës së Amfihelijes në Shas, as në bazë të një apeli nga Ministria e Kulturës – Drejtoria për mbrojtjen e të mirave kulturore dhe as nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Mal të Zi, pasi, sipas tyre, ka pasur shënja se mund të vijë deri tek prishja e rendit dhe qetësisë publike atje – si pasoj e vizitës provokuese të udhëheqsit të Kishës ortodokse serbe, në Shas të Ulqinit – i ftuar atje nga askush.1 Perleshje-ne-shasNga përleshja të djelën në Shas midis banirove vendas dhe policisë, në përpjekje të për bllokuar vizitën e udhëheqsit orotodoks serb, në Shasin antik shqiptar (Ulqinionline).

1 kisha-shen-merise-shas

Shasi antik/

Mediet vendore njoftuan se organizata politike të shqiptarëve në Mal të Zi protestuan vizitën e Kryepeshkopit serb në Shas duke u bërë thirrje autoriteteve shtetërore dhe vendore që “parandalojnë këtë “fushatë serbo-pravosllave”, në Shasin e lashtë mijëvjeçar, sipas një kumtese të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.  Ndërsa, në një komunikatë tjetër, në vigjilje të vizitës së udhëheqsit kishtar serb në Shas, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, drejtuar autoriteteve vendore dhe shtetërore të atij vendi thotë se, “Banorët e kësaj zone janë shumë të shqetësuar dhe të revoltuar për këtë ngjarje të paralajmëruar dhe e konsiderojmë si provokim dhe sulm ndaj trashëgimisë sonë kulturo-historike me qëllime kryekëput tendencioze”, dhe u bëhetë thirrje institucioneve kompetnete të Malit të Zi që të, “marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e aktiviteteve të tilla provokuese ndaj popullësisë vendase dhe trashëgimisë së tyre kulturore”, thuhet në komunikatën e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Kjo përpjekje provokuese nga autoritetet politike dhe kishtare serbe ndaj historisë dhe kulturës shqiptare nuk është e para dhe jam i sigurt se nuk do të jetë as e mbramja. Por lind pyetja se ç’kërkon kryeprigfti serb ortodoks në trojet shekullore shqiptare për të kryer ceremoni fetare në një kishë, që sipas historianëve, kanë qenë kisha të riti romak, kisha pra të katolikëve shqiptarë dikur.   Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave.  Shasi që gjëndet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satelitë” të Shkodrës, me shekuj qëndër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore.

Gjatë sundimit të regjimit komunist jugosllav nuk flitej asgjë për historinë e lashtë të këtij qyteti. E mbajë mend si fëmij, pasi jam lind e rritur krejt afër qytetit të vjetër të Shasit, kur të moshuarit na thonin se sipas gojdhanave Shasi ka patur dikur 365 kisha, secila e pagëzuar pas një shënjti ose shënjtëreshe të Kishës Katolike, një kishë për çdo ditë të vitit. Megjithëse për çdo ditë kalonim aty afër gërmadhave të qytetit të vjetër të Shasit, askush nuk fliste për historinë mijëra vjeçare të tij, madje as mësuesit e shkollës fillore që frekuentonim aty afër në Katërkollë nuk mbaj mend ta përmendin ndonjë herë atë vend historik.

Pas shëmbjes së komunizmit, kemi mësuar se politika komuniste sllave i kishte dhënë urdhër historianëve dhe arkeologëve të saj që të mos bënin hulumtime aty, por ta lënin në heshtje pa e zbuluar historinë e Shasit, “Qytetit ilir që u fsheh nga sllavët”, duke mos dashur dhe duke mos lejuar, për arsye etnike dhe politike, të zbulohej historia e tij e vërtetë iliro-arbërore.  Fatbardhësisht viteve të fundit vihet re një interesim i ri për Shasin dhe historinë e këtij të qyteti të lashtë iliro-arbëror nga banorët shqiptarë të atyre viseve por edhe nga intelektualët shqiptarë.  Por ky interesim i ri, duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e sllavëve, e sidomos të kishës serbe, në përpjekje për të vjedhur historinë kishtare të shqiptarëve, ashtu siç ka bërë në dhumë raste edhe në Kosovë.

Prandaj lindë pyetja, ç’lypë udhëheqsi i Kishës ortodokse të Malit të Zi, në gërmadhat e kishave katolike shqiptare të stilit romak në Shas, ku deri para disa viteve, historiografia sllave i kishte lënë në heshtje dhe si rrjedhim në shkatërrim e sipër, duke mos dashur të zbulonte origjinën e vërtetë iliro-arbërore të tyre.  Vizita e Amfihellijes ose të tjerëve të llojit të tij, më heret në Shas  – nuk është asgjë tjetër veçse një provokim dhe një përpjekje e shëmtuar nga ana e autoriteteve fetare serbe për të tjetërsuar të vërtetën historike duke vjedhur historinë iliro-arbërore në trojet shekullore shqiptare.

Nuk janë vetëm autoritetet vendore shqiptare – por edhe autoritetet e dy shteteve shqipotare në Shqipëri dhe në Kosovë, ato që duhet tu dalin zot këtyre monumenteve kombëtare, siç është Shasi.  Por në mungesë të ruajtjes dhe të mbrojtjes së monumenteve shqiptare anë e mbanë trojeve arbërore — nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë — kundër këtyre hienave grabitqare antishqiptare, të cilat kanë për synim të vjedhin ose të ndryshojnë historinë e shqiptarëve në trojet e veta – duhet të përshëndesim banorët e Shasit dhe të Anës së Malit, të cilët iu kundërvunë dje këtyre përpjekjeve anti-shqiptare sllave duke bllokuar sadopak dhe planet provokuese të vizitës së përfaqsuesit të Kishës serbe në Shasin shqiptar.

Shasi antik simbolizon një dimension vlere kulturore jo vetëm shqiptarët, por edhe për europianët dhe mund të themi së është madje edhe vlerë e qytetërimit botëror. Prandaj, vlerat historike të Shasit – nuk janë të sllavëve as të Kishës ortodokse serbe sepse ata kanë ardhë tepër vonë atje — por i përkasin jo vetëm mbarë shqiptarëve por edhe gjithë njerëzimit dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të mbrohen si vlera të përbashkëta e të jashtzakonshme për brezat e ardhshëm. Identiteti kulturor historik e kombëtar i shqiptarëve nuk duhet të lihet në dorë të hajdutëve të huaj dhe as atyre që nuk kujdesen për mbrojtjen e vlerave historike dhe kombëtare të shqiptarëve!

 

 

Filed Under: Fejton Tagged With: Frank shkreli, KRYEPRIFTI SERB, SHASI SHQIPTAR

AFP- Qyteti i pjerrët shqiptar, i tëri histori, në rrenim

July 7, 2018 by dgreca

1 Gjirokastra AFP Ju përcjellim shkrimin e AFP (Agence France-Presse) dhe shihni si e përshkruajnë gjendjen katastrofike të qytetit te Gjirokastrës,  e ku  ndërsa qyteti rrënohet përditë ministrja Mirela Kumbaro thotë “qyteti “nuk është më në rrezik” dhe se qeveria e ka marrë këtë problem në dorë.(KT)

Nga Briseida Mema and  Nicola Gaudichet/

GJIROKASTRA (AFP) – Banesa e Lolomanëve, dikur shtëpia e familjes osmane me atë emër, dikur kishte një pamje mbresëlënëse në qytetin malor të Gjirokastrës në Shqipërinë jugore. Tani shtëpia është kthyer në gërmadhë, si dhjetëra të tjera në “Qytetin e Gurit”, të përkufizuar nga kështjella e saj, rrugët me kalldrëm të pjerrët dhe strukturat gëlqerore të argjendta me pamje nga Lugina e Drinos pranë kufirit me Greqinë. Shumë prej ndërtesave shekullore, të fortifikuara, që i sollën qytetit një vend në listën prestigjioze të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në vitin 2005, janë një atraksion turistik, por në rrezik zhdukja. Disa janë të braktisur ose nuk janë ruajtur për vite, të tjerë kanë pësuar ndryshime që kanë shkatërruar vlerën e tyre historike, ose kanë më shumë se një pronar, që nuk bien në një mendje për punën e nevojshme ose janë shumë të varfër për ta bërë këtë. Autoritetet në këtë vend ballkanik nuk kanë gjithashtu mjetet për t’i rinovuar ato. “Ndjej dhimbje për çdo gur, çdo mur që po dëmtohet”, psherëtin Email Nacaj, bojaxhi 58-vjeçar, i cili kujton rënien e shtëpisë Lolomani në dimër 2016. Më poshtë, kulmi i shtëpisë së tij ka rënë gjysma. “Kam frikë këtu, por nëna ime nuk dëshiron të largohet”, thotë ai. Edhe nëse kishte para, nuk mund të bënte asgjë – sepse kushëriri i tij, i cili jeton në kryeqytet, Tiranë dhe është bashkëpronar, refuzon. Nga 615 monumente në qendrën historike të qytetit “më shumë se gjysma u nënshtrohen ndërtimeve ilegale ose jashtë kushteve teknike, ndërsa 169 janë në gjendje kritike ose në rrezik kolapsi”, paralajmëroi Europa Nostra, një federatë pan-europiane e OJQ-ve të trashëgimisë, në fillim të këtij viti.  “Na ishte një herë…” Shumica e ndërtesave datojnë që nga shekulli i 17-të dhe 18-të, edhe pse origjina e qytetit shkon më tej në histori dhe muret e tij janë ndërtuar në shekullin e 3-të. Shkrimtari më i famshëm i Shqipërisë, Ismail Kadare, e përshkroi qytetin e tij të lindjes Gjirokastër, si “qytet i pjerrët, i vendosur në një kënd më të mprehtë se ndoshta çdo qytet tjetër në tokë”. “Me siguri ishte vendi i vetëm në botë ku, nëse rrëshqisje në rrugë, mund të bije në çatinë e një shtëpie”, shkroi ai në romanin e tij të vitit 1971 “Kronika në gur”. Emigracioni masiv ka komplikuar fatin e ndërtesave, pasi Gjirokastra nuk ka qenë imune ndaj prirjes që ka prekur Shqipërinë. Popullsia e qytetit ka rënë nga 34,000 në 2011 në më pak se 25,000, sipas Engjell Seriani, kreu i turizmit të qytetit. Shtëpitë e qytetit janë emëruar sipas pronarëve të tyre origjinalë, personaliteteve të Perandorisë Otomane si Lolomani, Karaulli, Fico, Zeko, Babameto, fuqia e të cilëve është matur me numrin e oxhaqeve në shtëpitë e tyre. Sot, Sokol Karaulli, pasardhës i një prej këtyre familjeve fisnike, thotë se mënyra e tij e jetesës është shumë larg nga zhurma e pesë oxhaqeve të mëdha të shtëpisë së tij. Një ish-ushtarak, por ende nuk ka të drejtë për pensionin e tij, ai thotë se ata mbijetojnë vetëm në sajë të pagës së gruas së tij që punon në pastiçeri. “Dita kur do të themi “Na ishte dikur Gjirokastra “, ka ardhur paralajmëroi 60-vjeçari. Karaulli ndërpreu rrymën në katin e parë dhe vendosi enë plastike për pikat e ujit, për të mbledhur ujin që rridhte e që kishte përfshirë tashmë trarët prej druri të shtëpisë së tij të shkatërruar. – “Përkeqësimi i përditshëm” Rreth pazarit të qytetit, fasadat e pastra janë poshtë në një restaurim prej tre milionë eurosh (3.5 milion dollarë), të vendosur nga një shoqatë shqiptaro-amerikane dhe Banka Botërore. Shitore të vogla u japin suvenire turistëve, 77.000 prej të cilëve vizituan kështjellën vitin e kaluar. Numri i tyre rritet 10 deri 15 për qind në vit. “Sidoqoftë Gjirokastra nuk është vetëm pazari dhe ato vende emblematike”, tha arkitektja Lejla Haxhiç, i OJQ-së Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB). Diku tjetër, “situata … po përkeqësohet dita ditës,” i tha ajo AFP. Në vitin 2014, OJQ-ja kishte paralajmëruar për “shkatërrimin e shpejtë” të rretheve historike të qytetit, ku ish-diktatori komunist shqiptar Enver Hoxha u rrit. Nga 650 ndërtesat që mori në konsideratë, CHwB tha se 40 ishin në gjendje shumë të keqe, 34 ishin në gërmadha ndërsa 15 ishin në prag të rënies. Tani, numri në gërmadha ka shkuar deri në 47, thotë. -“Vetëm një Gjirokastër në botë” Sot rreth 80 shtëpi janë të pabanuara, duke ngritur mundësinë që një çati qe pikon të ndikojë në strukturën prej druri. “Çdo ditë shoh diçka që është e gabuar, sikur ndërtesa të më pëshpërit për të bërë diçka”, tha zëvendëskryetari i bashkisë Vangjel Muço. Por me një buxhet të përgjithshëm prej 2.5 – 3.0 milion euro, komuna e tij nuk mund ta trajtojë çështjen siç duhet. Ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro këmbëngul se qyteti “nuk është më në rrezik” dhe se qeveria e ka marrë këtë problem në dorë. Që nga viti 2013 janë ndaluar ndryshimet strukturore në shtëpitë e Gjirokastrës. Ajo gjithashtu ka shpresa të mëdha për një ligj të sapo miratuar mbi themelet kulturore, si dhe për turizmin pas konvertimit të rreth 20 shtëpive në hotele. Por CHwB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) beson se Gjirokastra mund të shpresojë për “jo më shumë se 10,000 euro” nga buxheti kombëtar. Dhe renovimi i vetëm shtëpisë Babameto kushtoi 160,000 euro që erdhën nga Suedia. Vetëm për të përforcuar të gjitha rrënojat do të duhen 1.2 milion euro, sipas Hadzic. “Të gjithë aktorët që merren me trashëgiminë kulturore duhet ta marrin atë me seriozitet dhe të ndërhyjnë sa më shpejtë që të jetë e mundur, sepse ka vetëm një Gjirokastër në botë”, paralajmëroi ajo.

Pergatiti: Traboini Studio

Filed Under: Fejton Tagged With: Briseida Mema, Gjirokastra ne rrenim, Nicola Gaudichet

Historiku i Xhamisë së Lushnjës që më 1967 u shndërrua në Shtëpi Pionieri

July 5, 2018 by dgreca

Për t’i dhënë pamjen e një shtëpie pionieri punëtorët e ndërmarrjes prishën kupolën, minaren dhe harkatët rreth e përqark saj. Ndërsa Xhamia e Vogël u shkatërrua deri në themel. Në vitin 2001 Xhamia u restaurua sipas formës që kishte më parë. Vlen të përmendim këtu kontributin e myftinjve në vite; Zylyftar Dervishi, Selim Mullaliu, Tomorr Boriçi dhe Gramoz Blliku./

28 niko ferro

Shkruan:Dr. Niko FERRO/

Xhamia ndodhet në pikën më dominuese të lagjes “Kongresi” në qytetin e Lushnjës. Në popull njihet edhe si “Xhamia e Madhe” kjo për faktin se pranë saj ka ekzistuar një tjetër Xhami por me përmasa më të vogla. Xhamia e Lushnjës për  nga forma e ndërtimit dhe për vlerat arkitektonike  e bëjnë atë një nga ndërtesat më të bukura të kultit të besimit islam në Bashkinë Lushnjë. Kjo xhami përbëhet nga: Kubeja, minarja, dhoma e faljes për burra, dhoma e faljes për gra, dhoma e mësimit si dhe dhoma e pritjes ose e myftiut. Numëron edhe 39 dritare të cilat ofrojnë një ndriçim të plotë në pjesën e brendshme….

1Në lidhje me historikun e saj burimet arkivore tregojnë se përpjekjet e para të qytetarëve lushnjarë për ndërtimin e një xhamie daton në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Zbulojmë se një ndër arsyet për të cilën besimtarët lushnjarë kërkonin ndërtimin e një xhamie të re lidhej me faktin se  Xhamia e Vogël (e ndërtuar qysh në vitin 1770 nga Hanko Pasha) nuk kishte hapësirë të mjaftueshme dhe se ishte e pamundur kryerja e namazit. Kështu në vitin 1931 besimtarët pas shumë takimesh dhe rrahje mendimesh vendosen ngritjen e një komisioni i cili do të mblidhte të hollat që do të dhuroheshin nga banorët e qytetit dhe të fshatrave.  Në krye të komisionit u vendosën njerëz të ndershëm dhe me moral të mirë në popull.[1]

Zbulojmë se ky komision bëri disa aktivitete në qytetin e Lushnjë madje edhe  në disa fshatra për sigurimin e fondeve të cilat do përdoreshin për ndërtimin e një xhamie të re. Mund të themi se puna e këtij komisioni ishte e me të vërtetë e lavdërueshme në vetëm pak kohë ata mblodhën 500 napolona floriri. Por që të përfundohej puna duheshin edhe 500 napolona të tjera Pjesën tjetër prej 500 napolona do ta plotësonte vetë Zyra e Shitjes së Tokave që dispononte.     Pas shumë diskutimesh komisioni caktoi dhe vendin ku të ngrihej xhamia. Ajo u planifikua të ndërtohej pak metra në juglindje  Xhamisë së Vogël dhe më në lindje nga varrezat e vjetra të qytetit. Ndërkaq  komisioni parashikoj ndërtimin e një parku plot pemë midis dy xhamive. Por pavarësisht angazhimit të komisionit me letrat drejtuar Nënprefekturës dhe Bashkisë nuk u arrit të binin dakord për vendin e caktuar pasi kërkohej edhe një leje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo zvarritje institucionesh vazhdoi deri në vitin 1937. Falë këmbënguljes së qytetarëve lushnjarë, Ministria e Punëve të Brendshme mori një tjetër vendim ku si zgjidhje të problemit ngarkonte Nënprefektin Z. Tafil Boletini (Nipi i Isa Boletinit) dhe Kryetarin e Bashkisë Z Burhan Kumbaro, të cilët mbështetur në planin rregullues të qytetit duhet të sqaronin nëse ndërtimi i xhamisë së re përbente apo nuk përbënte pengesë.

Nënprefekti dhe Kryetari i Bashkisë, pasi analizuan me kujdes kërkesën dhe planin rregullues, dhanë lejen për ndërtimin e Xhamisë së re. Gjithashtu ata sqaruan me argument bindës  Ministrinë e Punëve të Brendshme se ndërtimi i saj nuk pengonte planin për zhvillimin e qytetit të Lushnjës, përkundrazi do e zbukuronte edhe më shumë me madhështinë dhe hijeshinë e saj. Dhe se kombinimi ndërtesë, park e kthente atë vend një pikë çlodhëse dhe frymëzuese për qytetarët lushnjarë.

Meqenëse leja u morë pritej vetëm ardhja e inxhinierit i cili do bënte një preventiv të shpenzimeve dhe më pas zbatimin e planë-ndërtimit të xhamisë së re. Gojarisht thuhet që guri i parë i themelit të xhamisë u vendos në fund të muajit Qershor të vitit 1938 dhe se punimet vazhduan pa ndërprerje deri  më 7 Prill të viti 1939, kohë në të cilën Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste.

Ndërkohë situata ekonomike ishte përkeqësuar. Çmimet u rritët dhe kësisoj punimet për ndërtimi e Xhamisë u ndërprenë. Duheshin edhe 1000 napolona të tjera floriri për përfundimin e punimeve ose më saktë ndërtimin e kubesë. Qeveria e asaj kohë në bashkëpunim me komandën pushtuese italiane në vend duke dashur afrimin me komunitetin mysliman shqiptar ofrojnë 20000 fr = 1000 napolona floriri  për mbylljen e punimeve. Ndonëse ngjanë si një ndihmë “bujare” frangat e arit në fund të fundit u morën nga arka e mbretërisë së pushtuar shqiptare. Edhe sot në popull është rrënjosur ideja se ndërtimi i xhamisë u bë nga italianët por për hir të së vërtetës faktet tregojnë se napolonat u mblodhën nga ndihma dhe bujaria e elementit mysliman në qytet. Ishte pikërisht lufta shkaktarja kryesore ajo që ndikoj në mos përfundimin e plotë të punimeve dhe rritjen e shpenzimeve. Edhe sikur të duheshin të tjerë napolona floriri ato përsëri do mblidhen nga besimtarët pa kërkuar gjetkë. Po japim një shembull: Në vitin 1944 vendi mbahej i pushtuar nga forcat gjermane por kjo situatë nuk i pengoj besimtarët lushnjarë për të mbledhur 243 franga ari për blerjen e librave fetare për xhaminë e re.[2]

Pamja nga Lushnja, 29 Nëntor 1944 (Dhuruar nga Robert Elsie)/

2

Për t’u rikthyer edhe një herë Xhamisë së Madhe. Sipas dokumenteve të kohës më 5 Prill të viti 1940 u bë inaugurimi i Xhamisë së re. Atë ditë morën pjesë Mëkëmbësi i Përgjithshëm Italian i shoqëruar  nga Dr B Shapati nga Kryemyftiu i Tiranës  si dhe përfaqësues nga personeli ushtarak  të Mbretërisë Italiane në Shqipëri. Ceremonia u mbajt në orën 15:50. Aty kishin dalë në pritje autoritetet lokale, popull bashkë me parinë, klerikë të ndryshëm si dhe fëmijë.

Pritja fillimisht u bë në Bashki, ku ishte përgatitur edhe një bufe e këndshme. Në këtë rast foli edhe Kryetari i Bashkisë në emër të popullit lushnjarë Z. Burhan Kumbaro, i cili midis të tjerave parashtroi Mëkëmbësit Italianë falënderimet më të përzemërta si dhe pjesëmarrjen e tij në Lushnjë. Një falënderim të veçantë ishte edhe për ndihmën “bujare” në të holla për përfundimin e punimeve të xhamisë së qytetit. Pas tij foli Mëkëmbësi Italian i cili premtoi të tjera ndihma për fusha të ndryshme. Pas tij foli edhe Myftiu i Lushnjës i cili e falënderoi ndihmën dhe bujarin italiane një falënderim tjetër ja drejtoj punëtorëve lushnjarë të cilët punuan me zell deri në përfundimin e punimeve. Prej Bashkisë Mëkëmbësi i Përgjithshëm Italian bashkë me Kryetarin e Komunitetit Mysliman vizituan Xhaminë e Madhe. Të cilët ngelën të impresionuar nga ndërtimi.

Pavarësisht se ndërtimi i xhamisë kishte përfunduar brendësia e saj ishte bosh duheshin të tjera fonde për blerjen e tapeteve, copa, pëlhura, por ajo që është më e rëndësishmja duheshin librat për të predikuar. Ndonëse Mëkëmbësi italian deklaroi për mbështetje fjalët e tij i mori era. Disa vite më vonë e njëjta erë do i çonte përtej Adriatikut.

Edhe një herë lushnjarët vendosën vetë për gjetjen e fondeve. Në vetëm pak kohë në Korrik të vitit 1944, (mos të harrojmë se këtë periudhë vendi mbahej i pushtuar nga forcat naziste) mblodhën 243 franga ari. Kontribuuesit ishin Emin Koduzi  fr 20, Hamid Lloshi fr 10, Kol Nepravisshta fr 10, Halit Dervishi fr 20, Jonuz Kovaçi fr 10, Vejsel Pira fr 6, Haxhi Korreshi fr 5, Abaz Fuga fr 4, Bajram Arapi fr 4, Nazim Dibra fr 2, Hysen Lufta fr 5, Belul Xhaferri fr 5, Abdyl Korreshi fr 10, Jashar Leshi fr 6, Musa Gjini fr 5, Ali Dauti fr 3, Kadri Sebleva fr 4, Demir Boja fr 5, Rakip Juçallari fr 4, Latif Borova fr 3, Mehmet Debrova fr 2, Sul Shqerra fr 2, Nur Lila fr 2, Jonuz Tare fr 2,  Lat Hajdari fr 2, Ibrahim Kavaja fr 2, Bajram Borova fr 20, Selim Rexhepi fr 5,  Sherif Tabaku fr 4, Reshit Tabaku fr 3, Ramazan Boriçi fr 10, Arif Sefa fr 10, Hysni Thana fr 5, Bexhet Tahiri fr 4, Qamil Çumko fr 4, Lavdat Banushi fr 5, Daut Nuçi fr 5, Osman Bejte fr 10, Hysni Ballhysa fr 5 = 243 franga ari.

3

Por nuk mbaron me kaq  Në vitin 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit,  Xhamia e Madhe u shndërrua në shtëpi pionieri, së cilës më vonë i vendosen emrin: Shtëpia e Pionierit “Vangjel Çerepi”. Për t’i dhënë pamjen e një shtëpie pionieri punëtorët e ndërmarrjes prishën kupolën, minaren dhe harkatët rreth e përqark saj. Ndërsa Xhamia e Vogël u shkatërrua deri në themel. Në vitin 2001 Xhamia u restaurua sipas formës që kishte më parë. Vlen të përmendim këtu kontributin e myftinjve në vite; Zylyftar Dervishi, Selim Mullaliu, Tomorr Boriçi dhe Gramoz Blliku.

Si përfundim

Mund të themi se ky përshkrim i shkurtër historik, modest nuk besojmë se është shterues por mendojmë se në të ardhme mund të shërbej si pikënisje për ndërtimin e një historiku më të zgjeruar të aktivitetit të xhamisë ndër vite duke e pasqyruar atë me jetën e imamëve që kanë predikuar aty pa harruar edhe shumë të tjerë që kanë kontribuar financiarisht për këtë xhami.

Si përfundim

Mund të themi se ky përshkrim i shkurtër historik, modest nuk besojmë se është shterues por mendojmë se në të ardhme mund të shërbej si pikënisje për ndërtimin e një historiku më të zgjeruar të aktivitetit të xhamisë ndër vite duke e pasqyruar atë me jetën e imamëve që kanë predikuar aty pa harruar edhe shumë të tjerë që kanë kontribuar financiarisht për këtë xhami.

[1] Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Artikull; “Dy fjalë rreth xhamisë së Lushnjës. Shkodër 1937 f. 155-156

[2] Kultura Islame. Viti V nr 11 (59) Korrik 1944. Lista emënore të atyne që është ndihma për botimin e librave fetarë të Komuniteti Myslimanë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Niko Ferro, Historiku i Xhamise se Lushnje

Rilindja para 28 viteve: Okupim klasik i Kosovës

July 5, 2018 by dgreca

 -Kalendari Historik i Gazetës DIELLI/

2 Korrik Kuvendi1 nenshkrimi2 RilindjaRILINDJA

LEGJENDA E FOTOS: Në mbledhjen e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 gazeta historike Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës dhe një pjesë e ballinës së saj shihet në këndin djathtas poshtë të fotos. Në foto janë delegatët me nënshkrimet në Deklaratën për Pavarësi të Kosovës./

 Rilindja para 28 viteve: Okupim klasik i Kosovës/

PRISHTINË, 5 Korrik  2018/ Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë, Behlul Jashari, sot përkujton:

 Para 28 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.Me titull  “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e flotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Pas pak më shumë se një muaji, në 7 gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.

 Autori Behlul Jashari -Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohëpaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari, Kalendar, Rilindja-Dielli

USHQIMET DHE ALERGJIA

July 5, 2018 by dgreca

Ushqimet të cilat ndihmojnë në kontrollin dhe parandalimin e alergjisë/

Sistemi imunitar është projektuar për të mbrojtur trupin, duke luftuar substanca të dëmshme, si bakteret dhe viruset. Reagimet alergjike ndodhin atëherë kur sistemi imunitar reagon ndaj substancave normalisht të padëmshme si p.sh. poleni, inat e kafshëve, pluhuri, kozmetika apo ushqime të caktuara.

1 AjsheShkruan: AJSHE LEKA/

Për fat të mirë, ka shumë ilaçe që mund t`i lehtësojnë alergjitë. Përveç kësaj, disa faktorë ushqyes mund të ndihmojnë në kontrollin dhe parandalimin e reaksioneve alergjike, por në raste të veçanta nuk duhet të merret si zëvendësim i terapisë  shëndetësore profesionale.

  • Shtimi i yndyrave Omega-3, kufizimi i Omega-6

Acidet yndyrore Omega-3 mund të lehtësojnë simptomat alergjike për shkak të vetive anti-inflamatore. Hulumtimet tregojnë se një konsum i lartë i acideve yndyrore omega-3 shoqërohet me një zvogëlim të rrezikut të alergjive. Efektet e dobishme të acideve yndyrore omega-3, mund të rezultojnë në alergji nga vlerat anti-inflamatore të këtyre acideve yndyrore. Shumica e acideve yndyrore omega-6, nga ana tjetër, mund të rrisin inflamacionin në trup, duke prodhuar prostaglandina inflamatore dhe kështu përkeqësojnë simptomat alergjike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ju duhet të eliminoni të gjitha yndyrat omega-6 nga dieta: një sasi e caktuar e këtyre acideve yndyrore esenciale, është absolutisht e nevojshme për të mbajtur funksionimin e duhur të trupit. Sidoqoftë, dietat më moderne në vendet perëndimore, ku alergjitë janë më të përhapura, përfshijnë shumë nga acidet yndyrore inflamatore omega-6 dhe jo mjaft prej acideve anti-inflamatore omega-3. Thjesht, konsumojnë vajra vegjetale më pak të rafinuara, si vaji i misrit dhe vaji safflower, që janë të larta në acide yndyrore omega-6 dhe konsumojnë më shumë ushqime të larta në acide yndyrore omega-3 (p.sh. vaj i lirit, arra, soje, peshk salmon, cod dhe halibut) që mund të sjellë lehtësim tek njerëzit me alergji.

  • Përfshini erëzat që përmbajnë acid rozmarinë në dietën tuaj

Acidi rozmarinë, siç është dëshmuar nga testimi, ka shtypur reaksionet alergjike tek kafshët dhe, së fundmi, edhe te njerëzit. Acidi rosmarinik reagon duke shtypur përgjigjet alergjike të imunoglobulinave dhe inflamacion të shkaktuar nga leukocitet. Acidi rosmarinik gjendet në shumë bimë të kuzhinës, si rozmarinë, rigon, balsam, limon, borzilok, mente dhe trumzë.

  • Hani ushqime që përmbajnë quercetin

Bioflavonoidi Quercetin është një lëndë ushqyese e rëndësishme kundër alergjisë. Falë vlerave që posedon me antioksidantë, anti-histamine dhe vetive anti-inflamatore, ndihmon në lehtësimin e simptomave alergjike. Burimet e mira dietetike të quercetin përfshijnë mollët, qepët e kuqe dhe të verdha, mjedrën, qershitë, boronicat e kuqe, brokolin, rrushin e kuq, frutat agrume, verën e kuqe dhe çajin.

  • Konsumoni ushqime që përmbajnë vitaminë C

Vitamina C, një antioksidant i fuqishëm, ndihmon në zvogëlimin e inflamacionit që mund të shkaktojë simptoma tek të sëmurët alergjikë. Studimet kanë treguar gjithashtu se nivelet e larta të vitaminës C ndihmojnë në reduktimin e lirimit të histaminës në trup. Efektet pozitive të vitaminës C në alergji, mund të jenë më të theksuara kur vitamina C konsumohet së bashku me vitaminën E, sepse këto dy vitamina funksionojnë sinergjikisht dhe mbrojnë njëra-tjetrën.

  • Merreni selenin përmes ushqimit

Rritja e dietike e marrjes së selenit përmes ushqimeve, të tilla si kërpudhat, peshku cod, karkalecat, peshku halibut dhe arrat e Brazilit, mund të ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e alergjive. Efektet e dobishme të selenit në alergji bazohen në aftësinë e këtij minerali për të prodhuar proteina të veçanta, që kanë veti antioksiduese. Për të përfituar më së shumti nga antioksidantët e selenit, duhet të hani ushqime të pasura me selen, së bashku me ushqimet që përmbajnë vitaminë E (seleniumi rrit efektivitetin e vitaminës E).

  • Hani shumë ushqime të pasura me vitaminë E

Hulumtimet shkencore tregojnë se vitamina E (tokoferol) mund të jetë efektive në shtypjen e reaksioneve alergjike. Në një studim me 2,633 pjesëmarrës, tregoi se një rritje e marrjes së vitaminës E u shoqërua me një ulje të niveleve të IgE të antitrupave të lidhur me alergji. Më tej, studimi tregoi se një rritje e vogël e vitaminës E në një miligram, mund të shkaktojë uljen e niveleve të antitrupave serum për më shumë se 5 për qind.

Vitamina E është shumë e përhapur në natyrë, në veçanti në botën bimore. Drithërat integrale, filizat e grurit, soja, lakra e kuqe, brokuli, perimet me gjethe të gjelbra, spinaqi, gruri integral, vezët dhe vajrat bimore, janë burimet më të mira të vitaminës E. Mishi përmban vetëm këtë vitaminë në sasi të pa konsiderueshme. Gjendet edhe në disa fruta, si mani, kajsia, avokado si dhe në bajame e arra. Në sasi të vogla, gjendet edhe në produktet e qumështit.

  • Konsumoni ushqime që përmbajnë baktere probiotike

Shumë ekspertë pajtohen se shëndeti i sistemit gastrointestinal luan një rol kyç te alergjitë. Një mënyrë për të promovuar shëndetin e zorrëve, është të hani ushqime që përmbajnë baktere probiotike, si Lactobacillus acidophilus dhe Bifidobacterium bifidum. Këto baktere të dobishme jetojnë në traktin gastrointestinal, ku ndihmojnë tretjen dhe luftojnë mbiprodhimin e baktereve që shkaktojnë sëmundje. Kosi që përmban kultura të gjalla të baktereve probiotike është përdorur si një ilaç popullor për qindra, mijëra, vite. Burime të tjera diete të baktereve probiotike, janë: kefiri, vaji i merlucit i fermentuar dhe në perime të fermentuara, duke përfshirë disa lloje lakrash turshi. Ushqime me përqindje të lartë në parabiotikë, përmbajnë gjithashtu shumë fibra të tretshme të dobishme dhe përfshijnë bananet, shpargun, fasulet, bishtajoret, hudhrën, preshtë, qepët dhe bizelet.

Rritja e marrjes tuaj të baktereve probiotike mund të jetë veçanërisht e dobishme nëse kohët e fundit keni marrë një mjekim antibiotik pasi që antibiotikët janë të njohur për të shkatërruar florën e shëndetshme në zorrë.

……………………………………………….

(Autorja është konsulentë për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe ) 

Filed Under: Fejton Tagged With: Ajshe Leka, Ushqimet dhe alergjia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT