• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur teknologjia dhe politikanët na njohin më mirë se ne njohim vetveten

August 14, 2024 by s p

Artan Nati/

Mitologjia greke tregon se Zeusi dhe Poseidoni, dy nga perënditë më të mëdha, konkurruan për dorën e perëndeshës Thetis. Por kur dëgjuan profecinë se Thetis do të lindte një djalë më të fuqishëm se babai i tij, të dy u tërhoqën të alarmuar. Meqenëse perënditë planifikojnë të qëndrojnë përgjithmonë të plotfuqishëm, ata nuk duan që një pasardhës më të fuqishëm të konkurojë me ta. Kështu Thetis u martua me një të vdekshëm, mbretin Peleus, dhe lindi Akilin. Të vdekshmit pëlqejnë që fëmijët e tyre t’i tejkalojnë ata. Ky mit mund të na mësojë diçka të rëndësishme. Autokratëve që planifikojnë të sundojnë në përjetësi nuk u pëlqen të inkurajojnë lindjen e ideve që mund t’i zhvendosin ato. Por demokracitë liberale frymëzojnë krijimin e vizioneve të reja, madje edhe me çmimin e vënies në dyshim të themeleve të tyre. Kështu po ndodh me dy perënditë tona, dy kryetarët e partive më të mëdha në vend, që në bashkëpunim me oligarkinë ekonomike kanë bërë të mundur të ruajnë statuskuonë. Avantazhi i madh i sistemit tonë demokratik ose pothuajse demokratik ndaj sistemit komunist që përjetuam si dhe ndaj ideologjive të tjera është se ai është fleksibël dhe jodogmatik. Në të vërtetë, është i vetmi rend shoqëror që i lejon njerëzit të vënë në dyshim edhe themelet e tij.

Por sfida kryesore me të cilën përballet sot demokracia jonë dhe ajo në botën perëndimore nuk vjen nga fashizmi apo komunizmi, madje as nga demagogët dhe autokratët, por nga teknologjia dhe intelegjenca artificiale. Ky është avantazhi i madh i autokratëve dhe njerëzve me pushtet në Shqipëri e kudo në botë, vënia në shërbim të tyre e teknologjisë

Sistemi ynë demokratik bazohet në besimin në vullnetin dhe lirinë e individit. Kjo është ajo që i bën ndjenjat njerëzore dhe zgjedhjet njerëzore autoritetin e fundit moral dhe politik në botë. Liberalizmi demokratik na thotë se votuesi e di më së miri, se klienti ka gjithmonë të drejtë dhe se ne duhet të mendojmë vetë dhe të ndjekim zemrat tona.

Fatkeqësisht, “vullneti i lirë” nuk është një realitet shkencor. Është një mit i trashëguar nga teologjia e krishterë. Teologët zhvilluan idenë e “vullnetit të lirë” për të shpjeguar pse Zoti ka të drejtë t’i ndëshkojë mëkatarët për zgjedhjet e tyre të këqija dhe t’i shpërblejë shenjtorët për zgjedhjet e tyre të mira. Nëse zgjedhjet tona nuk bëhen lirisht, pse duhet të na ndëshkojë ose të na shpërblejë Zoti për to? Sipas teologëve, është e arsyeshme që Zoti ta bëjë këtë, sepse zgjedhjet tona pasqyrojnë vullnetin e lirë të shpirtrave tanë të përjetshëm, të cilët janë të pavarur nga të gjitha kufizimet fizike dhe biologjike.

Njerëzit sigurisht kanë një vullnet, por nuk është i lirë. Ju nuk mund të vendosni se çfarë dëshirash keni. Ju nuk vendosni të jeni introvert apo ekstrovert, i qetë apo nervoz, qoftë edhe orientimin tuaj seksual. Njerëzit bëjnë zgjedhje, por ato kurrë nuk janë zgjedhje të pavarura. Çdo zgjedhje varet nga shumë kushte biologjike, sociale dhe personale që nuk mund t’i përcaktoni vetë. Unë mund të zgjedh çfarë të ha, me kë të martohem dhe kë të votoj, por këto zgjedhje përcaktohen pjesërisht nga genet e mia, biokimia ime, gjinia ime, prejardhja ime familjare, kultura ime kombëtare, etj dhe nuk zgjodha se cilët gene apo familje të kem. Pra ju nuk mund të zgjidhni as në se do të votoni për PS ose PD, për Ramën apo Berishën, e gjitha kjo varet nga shumë faktorë dhe kohët e fundit si pasojë e intelegjencës artificiale dhe informacioneve që ju ofrohen në celularë dhe kompjutera, në bazë të një algoritmi që ju njeh juve më mirë se ju veten tuaj, falë preferencave dhe kërkimeve që ju keni bërë në internet. Shumë nga bashkëqytetarët tanë në Himarë e zona të tjera thonë se ndihen si grek dhe shumë shqiptar në USA ndihen si 100% amerikanë, ashtu si edhe në zona të tjera të globit. Natyrisht ne kemi vullnet të lirë, por dëshirat dhe vullnetet tona janë të përcaktuara dhe ne mund të gënjejmë veten, por nuk mund të ndryshojmë origjinën, familjen, traditën tonë. Ato janë pjesë e jona dhe nëpërmjet tyre ne mund të njohim më mirë veten dhe mund të shmangim manipulimin tonë nga teknologjia që shpesh është në shërbim të forcave të errëta. Vullneti i lirë i përzier me natyrën tonë njerëzore është ajo që na bën kaq krijues, por edhe të rrezikshëm. Kur jeni në telefonin tuaj dhe në rrjetet sociale, nuk keni vullnetin e lirë që mendoni. Kemi të bëjmë me reklamues që përdorin algoritme adaptive për të ndryshuar në thelb vullnetin tonë të lirë. Këto algoritme po mësojnë vazhdimisht rreth nesh dhe po modifikojnë çfarë të vendosin përpara kompjuterave dhe celularëve tanë dhe këo algoritme përpiqen të na bëjnë të pajtohemi me vullnetin e tyre. Qëllimi i tyre është që, duke na njohur ne më mirë, të na shesin sa më shumë produkte.

Megjithëse “vullneti i lirë” ishte gjithmonë një mit, në shekujt e mëparshëm ishte një mit i dobishëm. Ai inkurajoi njerëzit që duhej të luftonin kundër Inkuizicionit, të drejtës hyjnore të mbretërve, na inkurajoi ne të fitonin pavarësinë në 1912 si edhe të përmbysnim komunizmin në 1990 dhe të bëjmë zgjedhje të lira. Miti gjithashtu kishte pak kosto. Në 1912 ose 1990 kishte relativisht pak dëm të besoje se ndjenjat dhe zgjedhjet e tua ishin produkt i ndonjë “vullneti të lirë” dhe jo rezultat i biokimisë dhe neurologjisë.

Por tani besimi në “vullnetin e lirë” befas bëhet i rrezikshëm. Nëse qeveritë dhe korporatat arrijnë të hakojnë “kafshën” njerëzore, njerëzit më të lehtë për t’u manipuluar do të jenë ata që besojnë në vullnetin e lirë.

Propaganda dhe manipulimi nuk janë asgjë të re, sigurisht. Por ndërsa në të kaluarën ato bëheshin në përgjithësi për masën e gjerë, tani ato po bëhen të drejtuara me saktësi. Kur Hitleri mbajti një fjalim në radio, ai synonte emëruesin më të ulët të përbashkët, sepse ai nuk mund ta përshtaste mesazhin e tij me dobësitë unike të trurit individual. Tani është bërë e mundur të bëhet pikërisht kjo. Një algoritëm mund të tregojë se ju tashmë keni një paragjykim negativ ndaj politikave greke, ndërsa fqinji juaj në Himarë tashmë nuk i pëlqen politikat qeveritare dhe pëlqen ndihmën e politikës greke duke i shitur atyre idenë se ata nuk janë shqiptarë. Kjo është arsyeja pse ju shihni një titull ndërsa fqinji juaj sheh një titull krejtësisht të ndryshëm. Vitet e fundit disa nga njerëzit më të zgjuar në botë kanë punuar për të hakuar trurin e njeriut në mënyrë që t’ju bëjnë të klikoni në reklama dhe t’ju shesin gjëra. Tani këto metoda po përdoren për t’ju shitur juve politikanë dhe ideologji. Edi Rama është mjeshtër i përdorimit të intelegjencës artificiale, natyrisht duke përdorur paratë e taksapaguesve, duke i shitur dështimet e tij në qeveri, si probleme teknike, dhe vjedhjen e pronës publike si sukses të politikave të tij.

Dhe ky është vetëm fillimi. Aktualisht, hakerët mbështeten në analizimin e sinjaleve dhe veprimeve në botën e jashtme: produktet që blini, vendet që vizitoni, fjalët që kërkoni në internet. Megjithatë, brenda pak vitesh sensorët biometrikë mund t’u japin hakerëve qasje të drejtpërdrejtë në botën tuaj të brendshme dhe ata mund të vëzhgojnë se çfarë po ndodh brenda zemrës suaj. Jo zemra metaforike e përdorur nga fantazitë liberale, por pompa muskulare që rregullon presionin e gjakut dhe shumë nga aktiviteti i trurit. Më pas, hakerët mund të lidhin rrahjet tuaja të zemrës me të dhënat e kartës suaj të kreditit dhe presionin e gjakut me historinë tuaj të kërkimit.

Është veçanërisht e rëndësishme të njohim dobësitë tona. Ato janë mjetet kryesore të atyre që përpiqen të na hakojnë. Njerëzit hakohen përmes frikës, urrejtjes, paragjykimeve dhe dëshirave ekzistuese. Hakerët nuk mund të krijojnë frikë apo urrejtje nga asgjëja. Por kur ata zbulojnë atë që njerëzit tashmë kanë frikë dhe urrejnë, është e lehtë të shtypni butonat përkatës emocionalë dhe të provokoni zemërim edhe më të madh.

Si funksionon demokracia liberale në një epokë kur qeveritë dhe korporatat mund të hakojnë njerëzit? Çfarë ka mbetur nga besimet se “votuesi e di më mirë” dhe “klienti ka gjithmonë të drejtë”? Si jetoni kur kuptoni se jeni një kafshë e hakeruar, se zemra juaj mund të jetë një agjent qeveritar, se mendja juaj mund të jetë duke punuar për shtetin serb apo grek dhe se mendimi tjetër që shfaqet në mendjen tuaj mund të jetë rezultat i ndonjë algoritmi që të njeh më mirë se sa e njeh veten? Këto janë pyetjet më interesante me të cilat ne dhe gjithë njerëzimi përballet tani. Pra, çfarë të bëjmë? Duhet të luftojmë në dy fronte njëkohësisht. Ne duhet të mbrojmë demokracinë liberale, jo vetëm sepse ajo ka rezultuar të jetë një formë qeverisjeje më e mirë se çdo alternativë e saj, por edhe sepse vendos më pak kufizime në debatin për të ardhmen e njerëzimit. Në të njëjtën kohë, ne duhet të vëmë në dyshim supozimet tradicionale të liberalizmit dhe të zhvillojmë një projekt të ri politik që është më i mirë në përputhje me realitetet shkencore dhe fuqitë teknologjike të shekullit të 21-të. Ashtu si perënditë, politikanët tanë duan të rrinë përherë në pushtet dhe pushteti i vërtetë buron nga kontrolli i teknologjisë kompjuterike.

Filed Under: Fejton

FUNDI I QEVERISË KURTI MUND TË VULOSET NË URËN E IBRIT

August 13, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

1. Qeverisë Kurti i është lejuar nga faktorët ndërkombëtar mbajtja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave në veri. Mandej iu kërkua të mos bëhej inaugurimi në formën që u bë. Të huajt e kishin menduar mbajtjen e zgjedhjeve si presion ndaj Serbisë, jo si pushtet real të shqiptarëve në ato komuna. Prandaj me inaugurimin e kryetarëve të komunave u prishë skenari. Meqë u konsiderua se qeveria Kurti e prishi lojën, Bashkimi Evropian vendosi masa kundër Kosovës. Në fakt, ata e kanë futur Kurtin në kurth, për t’ia shtuar presionin për Asociacionin. Ai ka menduar se po ia ushqejnë iluzionet sovraniste! Prandaj suksesi me kryetarët në katër komunat veriore, po qe se argëtohemi me ssintagmat e Kurtit është “sukses katastrofal.” Megjithatë, më pak për Kurtin, më shumë për Kosovën.

2. Sulmi terrorist në Banjskë e kthjelloi atë që dihet që nga viti 1999: armata e Serbisë nuk guxon të hyjë në Kosovë. Prandaj fitorja e Kosovës përballë sulmit terrorist në Banskë ishte e lehtë, meqë KFOR ishte aty. Definitivisht është e qartë: armata e Serbisë mund të hyjë në Kosovë vetëm nëse e lejon KFOR-i. A mund ta lejojë KFOR-i? Në ndonjë situatë jonormale, si mjet presioni mbi Kosovën, KFOR edhe mund ta lejojë kthimin e qindra ushtarëve të Serbisë, ashtu si parashihet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Por ajo mund të ndodhë vetëm në rast se Kosova del komplet nga shinat e parteritetit me NATO-n/KFOR-in. Fjala vjen, nëse provokon konflikt të armatosur me KFOR-in, për Urën e e Ibrit.

3. Çështja e dinarit, mbyllja e postave të Serbisë u mundësua, duke mbyll pjesërisht sytë prezenca ndërkombëtare. Kjo u bë për ta mbyllur informalitetin dhe ndikimin direkt të Serbisë, para se të formohet Asociacioni, sepse Asociacioni, kurdo që të formohet, duhet të jetë veëtm brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Por arroganca e qeverisë Kurti edhe këtë akord të heshtur po e shndërron në konflikt me parnerët ndërkombëtar, për nevoja propagandistike, elektorale. Edhë këtë veprim procedural, po e shndërron në “sukses katastrofal.”

4. Edhe hapja e Urës së Ibrit për vetura mbase do të mund të lejohej si simbolikë, për të dhënë idenë e integrimit të serbëve, para se të formohet Asociacioni. Por hapja do të mund të bëhej me koordinim e jo si arrogancë e qeverisë Kurti. Thjesht, hapja e Urës së Ibrit ka të bëjë me KFOR-in dhe me prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, sepse KFOR është autoritet më i lartë se sa qeveria e Kosovës në aspektin e sigurisë. Pse u krijua klima e konfrontimit me KFOR-in? Për të kënaqur pasionet e militantëve-injorantëve? I kënaq përkohësisht ato pasione të militantëve-injorantëve, ama politika të shndërrohet, siç u shndërrua tashmë, në sukses katastrofal.

5. Në këtë klimë konfrontimi të qeverisë Kurti me KFOR-in, me BE-në, me SHBA-në, hapja e Urës së Ibrit mund të bëhet vetëm me dhunë. Nëse provokohet dhunë, qeveria e Kosovës mbetet përgjegjëse dhe bartë pasojat. Pra në këtë rast qeveria do të bartte pasojat, jo Kosova. Prandaj armiqtë e kësaj qeverie do ta inkurajonin që të tentonte ta hapte Urën e Ibrit me dhunë. Në rast të dhunës së provokuar prej saj, në atë urë do të vulosej fundi i saj.

Filed Under: Fejton

CILA ËSHTË TRASHËGIMIA POLITIKE E MBETUR NGA SERBIA

August 7, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Doracak për njohjen e të keqes.

Kur e analizon skenën politike të Kosovës së çliruar në vitin 1999 e të pavarësuar në vitin 2008, e ke të vështirë ta kuptosh se nga burojnë gjithë këto anomali në mendësinë, strukturën dhe praktikën politike. Një vend i shumëvuajtur dhe i çliruar me ndihmën vendimtare të NATO-s, do të duhej të kishte në këto vite një skenë politike më të butë, më kooperuese, më të motivuar për zhvillimin e vendit dhe për shërimin e pasojave që ka lënë pushtimi i gjatë dhe posaçërisht i egër në vitet e fundit të tij. Vendi që vetëm falë ndërhyrjes së NATO-s shpëtoi nga zhbërja totale, me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb, do të duhej të bëhej model i ndjeshmërisë refuzuese ndaj të keqes, ndaj dhunës dhe model i luftës për dinjitetit e të gjithë banorëve të vet. Falja dhe durimi do të duhej të ishin kategoritë më të larta morale, ndërsa drejtësia postulati kryesor i politikës dhe i gjithë pushteteve që u ngritën me shumë mund. Por, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ashpërsimi i komunikimit dhe i raporteve po zgjatë me vite, pa gjasa që të shkëputet nga kjo trashëgimi shumë negative. Madje edhe gjeneratat e reja, të cilat për fatin e tyre të mirë tashmë janë të shkëputura plotësisht nga ndikimi direkt i politikës serbe, nuk janë të shpëtuar nga pasojat që ka lënë mbrapa ajo mendësi, sepse ata duke imituar të preferuarit e tyre më të vjetër, tërthorazi marrin disa nga veset dhe metodat e importuara nga politika serbe.

Cila është prapavija e „shtetit të papërfunduar?“

Meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë traditë të jetës politike të pavarur, ajo trashëgiminë në këtë fushë e ka të huazuar. Paradoksalisht, huazimi më i dukshëm është nga vetë Serbia, okupatori i deridjeshëm i saj, i cili gjatë nëntëdhjetë viteve ka injektuar në mendësinë tonë politike disa nga idetë dhe nga praktikat e ndjekura prej saj. Pra, është fjala për injektim të padukshëm e tinëzar të atyre ideve dhe praktikave, e jo për një huazim të ndërgjegjshëm. Jam i bindur se po të ekzistonte ndërgjegjësimi se këto ide dhe praktika janë me prejardhje nga pushuesi, do të refuzoheshin me forcë nga qytetarët shqiptarë, sikundër që janë refuzuar shumë vlera të tjera që kanë mbajtur etiketën e pushtuesit. Por, injektimi ka qenë i ngadaltë, perfid, përmes elitave të rekrutuara, që kanë imituar politikanët dhe intelektualët serbë e jugosllavë. Ashtu kanë hyrë gradualisht edhe shprehje, barcoleta, gjeste, elemente të veshjes e të dukjes dhe bashkë me to edhe vese, kaprice, mënyra të menduari e të vepruari. Ku shihet kjo trashëgimi politike, e mbetur si një virus i fshehur në jetën politike të vendit tonë?

E para, shihet në konceptimin e shtetit. Serbia që nga krijimi i saj e deri sot, gjithmonë është karakterizuar si „shtet i papërfunduar“. Kjo do të thotë se kufijtë që ka pasur e edhe ata që i ka sot, nga serbët konsiderohen si të përkohshëm, që vetëm pritet një moment i përshtatshëm që ata të ndryshojnë, duke krijuar ndonjë strukturë më të madhe shtetërore, ndonjë bashkim sipas sloganit „Të gjithë serbët në një shtet“. Me këtë koncept politik, Serbia ka provokuar edhe Luftën e Parë Botërore, pas vrasjes së dukës Ferdinand në Sarajevë në vitin 1914. Me këtë koncept edhe Millosheviqi e filloi agresionin e Serbisë ndaj Kroacisë, duke piketuar kufirin e ri në linjën Karllovac-Virovitica-Karllobag. Ndërsa, në Bosnjë e Hercegovinë Serbia synoi të merrte sa më shumë territore, gjë që edhe rezultoi me një akord morbid ndërmjet Millosheviqit e Tuxhmanit, me ç’rast gjatë një darke ata e ndanë shtetin boshnjak duke e vizatuar ndarjen në një sallvetë! Sa i përket Kosovës, ajo konsideroej brenda kufijve të shtetit serb, por me një ndryshim demografik: që territori të zbrazej tërësisht nga shqiptarët! Edhe pas dështimit të turpshëm të këtij projekti të krijimit të një shteti „të përfunduar“, gjë që u sanksionua edhe me dënimin e drejtuesve të shteti serb nga Tribunali i Hagës, Serbia ende punon që Kosova dhe BeH të bëhen shtete të dështuara në mënyrë që të mundësohet një „anshlus“ eventual i Republika Sërpskas dhe i Kosovës. Pra, dështimi llogaritet si shans për ta përfunduar shtetin e Serbisë, sipas konceptit nacionalist „Të gjithë serbët në një shtet“.

Fatkeqësisht, një pjesë e mendimit politik shqiptar edhe në Kosovë e më gjerë, është i atillë që Kosovën e koncepton si „shtet të përkohshëm“, i cili u dashka që sa më shpejt të bashkohet me Shqipërinë. Sipas këtij konceptimi, për t’u bashkuar me Shqipërinë, ky shtet duhet të bëhet i dështuar e mandej të bëhet bashkimi me „shtetin amë“. Përderi sa të jetë aktive kjo mënyrë e konceptimti të shtetit në jetën politike të vendit, kjo do të jetë e rrezikshme për suksesin e Kosovës si shtet, sepse një shtet i dështuar nuk mund të jetë i aftë për bashkim me askend. Përkundrazi, një shtet i dështuar mbetet cak legjitim i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar, gjë që është përligjur si praktikë pas 2001, me ndërhyrjen në Afganistan. Kosova edhe pas pavarësimit të saj, ka prezencë ndërkombëtare, prandaj zërat politikë që angazhohen për dështimin e tij, me idenë për ta bashkuar me Shqipërinë, vetëm sa e tejzgjasin atë prezencë dhe atë ndërhyrje. Një lloj ndërhyrjeje, në formë presioni që të frenohen qëllimet agresive të Serbisë, ndodh edhe ndaj vetë Serbisë, që të mos lëvizë drejt „shtetit të përfunduar“ i cili nënkupton Serbinë e Madhe, pra agresionin ndaj shteteve më të dobëta fqinje. Bisedimet e tashme ndërmjet Beogradit e Prishtinës, realisht janë në funksion të frenimit tët ambicieve serbe për të vazhduar politikën tradicionale drejt një shteti „të përfunduar“, që do të thotë drejt një Serbie të Madhe.

Plumba për kundërshtarët politikë

Nga ana tjetër, edhe koncepti për shtetin partiak është koncept tipik i praktikave politikave serbe, e jo i atyre europiane. Partia/partitë që e marrin pushtetin në Serbi, nuk kanë më kufizime në politikat qeverisëse, po bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Edhe pushteti gjyqësor mbetet i varur dhe nën presionin e pshtetit politik, ashtu që askush nuk përgjigjet as për abuzime dhe krime të rënda. Po të shohësh në Serbi, praktikisht asnjë nga vrasjet e gazetarëve dhe politikanëve opozitarë nuk është ndriçuar plotësisht dhe shumë nga fajtorët janë të lirë. Fatkeqësisht, as në Kosovë nuk ka ndonjë ndjeshmëri për ndriçimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas çlirimit të vendit.

E treta, trajtimi i kundërshtarëve politikë si armiq, është praktikë tradicionale e politikës serbe. Po të shikohet historia e luftës politike në skenën e Serbisë, ajo është monstruoze, me vrasje mbretërish, kryetarësh e hierarkësh të lartë të shtetit e të partive politike. Kjo praktikë e shëmtuar e ka bërë Serbinë gjatëe këtyre njëqind e njëzet e pesë vjetëve, një shtet të frikshëm, ku goja mund t’u mbyllet kundërshtarëve edhe me thika e me plumba. Te ne kjo nuk është dukuri, por është tendencë latente, që nuk duhet të injorohet. Kam frikë se po të mos ishte prezenca e fuqishme ndërkombëatre e KFOR-t dhe e EULEX-it, edhe kjo trashëgimi negative, tipike për politikën serbe, do të kishte reflektimet e saj të errëta në jetën politike të vendit.

E katërta, foklorizimi dhe populizmi janë elementë të ligjërimit politik edhe ndër ne, ndërsa në ligjërimin politik serb, janë dominuese. Dëgjojini fjalimet e Nikoliqit, Daçiqit e Vuqiqit dhe lehtë do të zbuloni se sa elementë folklorizimi dhe populizmi ka në fjalimet e tyre, duke e maskuar të vërtetën. Thënia e famshme e Petar Petroviq Njegoshit, „ Le të bëhet ajo që nuk mund të bëhet“ është filozofia kryesore e folklorizmit dhe populizmit serb, i cili përpiqet t’i paraqesë si mundshme gjërat që nuk janë të mundshme. Këtë tendencë e gjeni edhe në ligjërimet e jo pak politikanëve tanë.

Shërbimet sekrete si zbatuese të dhunës politike

Një tjetër trashëgimi negative e politikës serbe është edhe ndikimi i shërbimeve sekrete në politikë dhe në jetën e vendit. Ndërhyrja e shërbimeve sekrete në Serbi ka qenë e tillë që ka prodhuar vrasjen e mbretit Aleksandër Obrenoviqit, të ish presidentit Ivan Stamboliqit, të kryeministrit, Zoran Gjingjiqit, po të përmenden vetëm disa nga titullarët më të lartë të pushtetit në Serbi. Gjatë sundimit komunist serbo-jugosllav, shërbime sekrete UDB dhe shërbimi sekret i ushtrisë, KOS, kanë bërë shumë krime të shumta kundër kundërshatrëve ideologjikë, si brenda ish Jugosllavisë, ashtru edhe jashtë saj. Edhe disa nga atentatet ndaj shqiptarëve janë vepra të këtyre shërbimeve famëkëqia. Serbia e ka krijuar atë traditë të keqe që shërbimet sekrete të kenë primatin e pararojës politike dhe kombëtare. E frikshme për çdo shtet, sepse ky model e ngulgfatë demokracinë dhe e mban popullin në frikë.

E lidhur me këtë praktikë të ndërhyrjes së shërbimeve sekrete është edhe thashethemnaja kundër kundërshatrëve politikë e njeërzve më përgjithësi, e cila i helmon marrëdhëniet midis njerëzve. Kush i ka lexuar qoftë dhe vetëm tregimet dhe dramat e shkrimtarit serb, Stevan Sremacit, e di që intrigat dhe thashethemet janë pjesë e përditshmërisë së jetës së serbëve dhe prej andej ajo është bërë ndikuese edhe në politikë. Smira e famshme që thotë: „da komsiji crke krava“, ( Që komshiut t’i ngorshë lopa“, e sublimon tërë atë keqdashje tërë atë inat, që është i akumuluar në një mendësi provinciale dhe primitive, për të cilën Radomir Konstantinoviqi ka shkruar traktatin e famshëm, „Filozofia e pallankës“. Thashethemet dhe shpifjet gëlojnë edhe sot në politikën dhe në jetën shoqërore serbe. Mjafton të lexohen gazetat ditore në gjuhën serbe dhe të shihet se lufta politike edhe sot bëhet me thashetheme dhe me shifje më shumë se me gjithçka tjetër. Kjo trashëgimi negative, e cila është mjaft prezente në komunikimin politik ndër ne, do të duhej të çrrënjosej plotësisht, duke shkuar drejt europianizimit të komunikimit, ku ballafaqimi i argumenteve dhe gjykimi kritik e logjik është parimi kryesor i çdo komunikimi.

Edhe pasurimi enorm dhe joligjor i politikanëve dhe qeveritarëve është një traditë e famshme e Serbisë. Ajo edhe motivon shumë konflikte dhe qërime hesapesh me metoda të dhunshme të pasanikëve, që kanë fituar duke i shërbyer pushtetit.

Të gjitha këto janë elemente të politikave të dhunshme, që prodhojnë paligjshmëri dhe e dënojnë shtetin me ngecje dhe e komprementojnë para botës. Si të tilla këto mendësi, këto struktura dhe praktika, duhet të shmangen nga jeta jonë politike e shoqërore. Duhet të shmangen, sepse jo rastësisht Serbia është shteti me disponimin më të fuqishëm antieuropian e antiperëndimor. Meqë jemi çliruar fizikisht prej prangave të Serbisë, duhet sa më shpejt e sa më energjikisht të çlirohemi edhe nga pasojat, që në formë virusi ajo ka lënë ndër ne, si trashëgimi tinëzare të saj.

Filed Under: Fejton

Albanians Fighting Cancer USA organizon koncertin gala me të ftuar artistët e famshëm Ramë Lahaj dhe Genc Tukiçi

August 6, 2024 by s p

Vatra Boston/

Miq të Vatrës- Albanians Fighting Cancer USA është një organizatë bamirëse jofitimprurëse e regjistruar në Boston, e dedikuar për të rritur ndërgjegjësimin në komunitetin shqiptar rreth parandalimit dhe trajtimit të kancerit dhe për të ndihmuar familjet që kalojnë betejën me kancerin. Përveç kësaj, AFC ka kohë që dërgon ndihma në spitalet e Shqipërisë me pajisje mjekësore!

Për të vazhduar këtë mision fisnik, AFC organizon për të dytin vit koncertin gala në sallën operistike të Bostonit, ku është i ftuar tenori shqiptar Ramë Lahaj dhe pianisti Genc Tukiçi! Të gjitha fondet e mbledhura në këtë koncert do të shkojnë për të ndihmuar komunitetin shqiptar të përballojë shpenzimet në luftën kundër kancerit!

Biletat tashmë janë të kufizuara, ndaj nxitoni të zgjidhni vendet e mira në sallë duke klikuar linkun:

https://www.zeffy.com/…/14d95c19-d4a7-4aab-b426…

Mos harroni, mund të bëni edhe donacione të ndryshme, për të cilat detajet i gjeni në foto!

Të gjithë duhet të mbështesim këtë kauzë fisnike të AFC-së.

Filed Under: Fejton

“Edukim sentimental”

August 1, 2024 by s p

Portrait de l’?crivain fran?ais Gustave Flaubert. (Photo by API/Gamma-Rapho via Getty Images)

Saimir Kadiu/

“Edukimi sentimental” i Gustave Floberit është një vepër që shquhet për vëzhgimin e mprehtë të shoqërisë dhe thellësinë psikologjike me të cilën portretizohen personazhet. I botuar në 1869, romani ndjek ngjarjet e Frédéric Moreau, një të riu, i cili, përmes dashurisë dhe përvojave të tij sociale, përballet me zhgënjimet dhe kompleksitetin e jetës së të rriturve. Romani hapet me Fréderic, i cili, ende i ri dhe plot ideale, niset për në Paris me synimin për të studiuar drejtësi. Megjithatë, jeta e tij merr një drejtim të papritur kur takon Madame Arnoux, një grua e martuar me të cilën ai bie në dashuri marrëzisht. Ky takim shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë të rritjes emocionale dhe intelektuale për Frédéric, i cili e gjen veten duke lundruar midis pritshmërive të shoqërisë borgjeze dhe dëshirave të tij më intime.

Floberi pikturon me mjeshtëri portretin e një epoke në të cilën borgjezia është në ngritje, por edhe në të cilën individualizmi dhe materializmi fillojnë të pushtojnë. Parisi i shekullit të 19-të përshkruhet si një vend i mundësive, por edhe i korrupsionit dhe dekadencës, ku vlerat tradicionale vihen në dyshim dhe shpesh hidhen poshtë në favor të cinizmit të shfrenuar.

Rrëfimi i Floberit karakterizohet nga një stil realist dhe i detajuar, i cili nuk i kursen kritikat ndaj shoqërisë së kohës. Nëpërmjet tregimit të Frédéric, autori eksploron tema të tilla si pakenaqesite e dashurise, ambicia, besnikëria dhe tradhtia, duke i ofruar lexuesit një reflektim mbi kuptimin e edukimit sentimental dhe vështirësitë për të gjetur një ekuilibër midis idealeve dhe realitetit.

Vetë titulli i romanit është emblematik: edukimi sentimental i Frédéric nuk është vetëm një rrugë e të mësuarit emocional, por edhe një keq-edukim që e çon atë të rishqyrtojë bindjet dhe vlerat e tij.

Eshtë një histori edukimi në të kundërt, në të cilën çdo hap përpara duket i shoqëruar me një humbje, me një shkëputje nga ëndrrat rinore drejt një vetëdijeje më të pjekur dhe më të zhgënjyer.

“Edukimi sentimental” është një vepër që vazhdon t’i flasë lexuesit modern për aftësinë e tij për të kapur thelbin e gjendjes njerëzore.

Floberi, me prozën e tij elegante dhe intuitën e tij psikologjike, ofron një rrëfim që është në të njëjtën kohë një afresk historik dhe një eksplorim intim i shpirtit njerëzor.

Është një roman që meriton të lexohet dhe të rilexohet, të kapet çdo nuancë dhe të reflektohet mbi fytyrat e shumta të edukimit sentimental.

Gustave Flaubert, i lindur më 12 dhjetor 1821 në Rouen, Francë, ishte një shkrimtar francez i njohur si një nga baballarët e realizmit letrar.

I biri i një kirurgu dhe i një trashëgimtareje te pasur, Floberi filloi të shkruante në moshë të re. Pasioni për letërsinë e çoi në Paris, ku frekuentonte rrethet letrare dhe artistike, pavarësisht se ishte regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë.

I goditur nga epilepsia në 1844, ai braktisi studimet e tij juridike për t’iu përkushtuar plotësisht shkrimit në rezidencën e tij në Croisset. Këtu ai shkroi disa nga kryeveprat e tij, duke përfshirë “Madame Bovary” (1857), e cila shkaktoi skandal për përmbajtjen e saj dhe e bëri atë të gjykohej për përbuzje të moralit dhe fesë, megjithëse më vonë u shpall i pafajshëm.

Floberi udhëtoi në Lindjen e Mesme, Greqi dhe Itali, përvoja që ndikuan në vepra si “Salammbo” (1862).

Vepra e tij “Edukimi sentimental” (1869) konsiderohet si një nga romanet më të rëndësishëm në letërsinë franceze.

Floberi vdiq nga një hemorragji cerebrale më 8 maj 1880 në Croisset.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT