Artan Nati/
Mitologjia greke tregon se Zeusi dhe Poseidoni, dy nga perënditë më të mëdha, konkurruan për dorën e perëndeshës Thetis. Por kur dëgjuan profecinë se Thetis do të lindte një djalë më të fuqishëm se babai i tij, të dy u tërhoqën të alarmuar. Meqenëse perënditë planifikojnë të qëndrojnë përgjithmonë të plotfuqishëm, ata nuk duan që një pasardhës më të fuqishëm të konkurojë me ta. Kështu Thetis u martua me një të vdekshëm, mbretin Peleus, dhe lindi Akilin. Të vdekshmit pëlqejnë që fëmijët e tyre t’i tejkalojnë ata. Ky mit mund të na mësojë diçka të rëndësishme. Autokratëve që planifikojnë të sundojnë në përjetësi nuk u pëlqen të inkurajojnë lindjen e ideve që mund t’i zhvendosin ato. Por demokracitë liberale frymëzojnë krijimin e vizioneve të reja, madje edhe me çmimin e vënies në dyshim të themeleve të tyre. Kështu po ndodh me dy perënditë tona, dy kryetarët e partive më të mëdha në vend, që në bashkëpunim me oligarkinë ekonomike kanë bërë të mundur të ruajnë statuskuonë. Avantazhi i madh i sistemit tonë demokratik ose pothuajse demokratik ndaj sistemit komunist që përjetuam si dhe ndaj ideologjive të tjera është se ai është fleksibël dhe jodogmatik. Në të vërtetë, është i vetmi rend shoqëror që i lejon njerëzit të vënë në dyshim edhe themelet e tij.
Por sfida kryesore me të cilën përballet sot demokracia jonë dhe ajo në botën perëndimore nuk vjen nga fashizmi apo komunizmi, madje as nga demagogët dhe autokratët, por nga teknologjia dhe intelegjenca artificiale. Ky është avantazhi i madh i autokratëve dhe njerëzve me pushtet në Shqipëri e kudo në botë, vënia në shërbim të tyre e teknologjisë
Sistemi ynë demokratik bazohet në besimin në vullnetin dhe lirinë e individit. Kjo është ajo që i bën ndjenjat njerëzore dhe zgjedhjet njerëzore autoritetin e fundit moral dhe politik në botë. Liberalizmi demokratik na thotë se votuesi e di më së miri, se klienti ka gjithmonë të drejtë dhe se ne duhet të mendojmë vetë dhe të ndjekim zemrat tona.
Fatkeqësisht, “vullneti i lirë” nuk është një realitet shkencor. Është një mit i trashëguar nga teologjia e krishterë. Teologët zhvilluan idenë e “vullnetit të lirë” për të shpjeguar pse Zoti ka të drejtë t’i ndëshkojë mëkatarët për zgjedhjet e tyre të këqija dhe t’i shpërblejë shenjtorët për zgjedhjet e tyre të mira. Nëse zgjedhjet tona nuk bëhen lirisht, pse duhet të na ndëshkojë ose të na shpërblejë Zoti për to? Sipas teologëve, është e arsyeshme që Zoti ta bëjë këtë, sepse zgjedhjet tona pasqyrojnë vullnetin e lirë të shpirtrave tanë të përjetshëm, të cilët janë të pavarur nga të gjitha kufizimet fizike dhe biologjike.
Njerëzit sigurisht kanë një vullnet, por nuk është i lirë. Ju nuk mund të vendosni se çfarë dëshirash keni. Ju nuk vendosni të jeni introvert apo ekstrovert, i qetë apo nervoz, qoftë edhe orientimin tuaj seksual. Njerëzit bëjnë zgjedhje, por ato kurrë nuk janë zgjedhje të pavarura. Çdo zgjedhje varet nga shumë kushte biologjike, sociale dhe personale që nuk mund t’i përcaktoni vetë. Unë mund të zgjedh çfarë të ha, me kë të martohem dhe kë të votoj, por këto zgjedhje përcaktohen pjesërisht nga genet e mia, biokimia ime, gjinia ime, prejardhja ime familjare, kultura ime kombëtare, etj dhe nuk zgjodha se cilët gene apo familje të kem. Pra ju nuk mund të zgjidhni as në se do të votoni për PS ose PD, për Ramën apo Berishën, e gjitha kjo varet nga shumë faktorë dhe kohët e fundit si pasojë e intelegjencës artificiale dhe informacioneve që ju ofrohen në celularë dhe kompjutera, në bazë të një algoritmi që ju njeh juve më mirë se ju veten tuaj, falë preferencave dhe kërkimeve që ju keni bërë në internet. Shumë nga bashkëqytetarët tanë në Himarë e zona të tjera thonë se ndihen si grek dhe shumë shqiptar në USA ndihen si 100% amerikanë, ashtu si edhe në zona të tjera të globit. Natyrisht ne kemi vullnet të lirë, por dëshirat dhe vullnetet tona janë të përcaktuara dhe ne mund të gënjejmë veten, por nuk mund të ndryshojmë origjinën, familjen, traditën tonë. Ato janë pjesë e jona dhe nëpërmjet tyre ne mund të njohim më mirë veten dhe mund të shmangim manipulimin tonë nga teknologjia që shpesh është në shërbim të forcave të errëta. Vullneti i lirë i përzier me natyrën tonë njerëzore është ajo që na bën kaq krijues, por edhe të rrezikshëm. Kur jeni në telefonin tuaj dhe në rrjetet sociale, nuk keni vullnetin e lirë që mendoni. Kemi të bëjmë me reklamues që përdorin algoritme adaptive për të ndryshuar në thelb vullnetin tonë të lirë. Këto algoritme po mësojnë vazhdimisht rreth nesh dhe po modifikojnë çfarë të vendosin përpara kompjuterave dhe celularëve tanë dhe këo algoritme përpiqen të na bëjnë të pajtohemi me vullnetin e tyre. Qëllimi i tyre është që, duke na njohur ne më mirë, të na shesin sa më shumë produkte.
Megjithëse “vullneti i lirë” ishte gjithmonë një mit, në shekujt e mëparshëm ishte një mit i dobishëm. Ai inkurajoi njerëzit që duhej të luftonin kundër Inkuizicionit, të drejtës hyjnore të mbretërve, na inkurajoi ne të fitonin pavarësinë në 1912 si edhe të përmbysnim komunizmin në 1990 dhe të bëjmë zgjedhje të lira. Miti gjithashtu kishte pak kosto. Në 1912 ose 1990 kishte relativisht pak dëm të besoje se ndjenjat dhe zgjedhjet e tua ishin produkt i ndonjë “vullneti të lirë” dhe jo rezultat i biokimisë dhe neurologjisë.
Por tani besimi në “vullnetin e lirë” befas bëhet i rrezikshëm. Nëse qeveritë dhe korporatat arrijnë të hakojnë “kafshën” njerëzore, njerëzit më të lehtë për t’u manipuluar do të jenë ata që besojnë në vullnetin e lirë.
Propaganda dhe manipulimi nuk janë asgjë të re, sigurisht. Por ndërsa në të kaluarën ato bëheshin në përgjithësi për masën e gjerë, tani ato po bëhen të drejtuara me saktësi. Kur Hitleri mbajti një fjalim në radio, ai synonte emëruesin më të ulët të përbashkët, sepse ai nuk mund ta përshtaste mesazhin e tij me dobësitë unike të trurit individual. Tani është bërë e mundur të bëhet pikërisht kjo. Një algoritëm mund të tregojë se ju tashmë keni një paragjykim negativ ndaj politikave greke, ndërsa fqinji juaj në Himarë tashmë nuk i pëlqen politikat qeveritare dhe pëlqen ndihmën e politikës greke duke i shitur atyre idenë se ata nuk janë shqiptarë. Kjo është arsyeja pse ju shihni një titull ndërsa fqinji juaj sheh një titull krejtësisht të ndryshëm. Vitet e fundit disa nga njerëzit më të zgjuar në botë kanë punuar për të hakuar trurin e njeriut në mënyrë që t’ju bëjnë të klikoni në reklama dhe t’ju shesin gjëra. Tani këto metoda po përdoren për t’ju shitur juve politikanë dhe ideologji. Edi Rama është mjeshtër i përdorimit të intelegjencës artificiale, natyrisht duke përdorur paratë e taksapaguesve, duke i shitur dështimet e tij në qeveri, si probleme teknike, dhe vjedhjen e pronës publike si sukses të politikave të tij.
Dhe ky është vetëm fillimi. Aktualisht, hakerët mbështeten në analizimin e sinjaleve dhe veprimeve në botën e jashtme: produktet që blini, vendet që vizitoni, fjalët që kërkoni në internet. Megjithatë, brenda pak vitesh sensorët biometrikë mund t’u japin hakerëve qasje të drejtpërdrejtë në botën tuaj të brendshme dhe ata mund të vëzhgojnë se çfarë po ndodh brenda zemrës suaj. Jo zemra metaforike e përdorur nga fantazitë liberale, por pompa muskulare që rregullon presionin e gjakut dhe shumë nga aktiviteti i trurit. Më pas, hakerët mund të lidhin rrahjet tuaja të zemrës me të dhënat e kartës suaj të kreditit dhe presionin e gjakut me historinë tuaj të kërkimit.
Është veçanërisht e rëndësishme të njohim dobësitë tona. Ato janë mjetet kryesore të atyre që përpiqen të na hakojnë. Njerëzit hakohen përmes frikës, urrejtjes, paragjykimeve dhe dëshirave ekzistuese. Hakerët nuk mund të krijojnë frikë apo urrejtje nga asgjëja. Por kur ata zbulojnë atë që njerëzit tashmë kanë frikë dhe urrejnë, është e lehtë të shtypni butonat përkatës emocionalë dhe të provokoni zemërim edhe më të madh.
Si funksionon demokracia liberale në një epokë kur qeveritë dhe korporatat mund të hakojnë njerëzit? Çfarë ka mbetur nga besimet se “votuesi e di më mirë” dhe “klienti ka gjithmonë të drejtë”? Si jetoni kur kuptoni se jeni një kafshë e hakeruar, se zemra juaj mund të jetë një agjent qeveritar, se mendja juaj mund të jetë duke punuar për shtetin serb apo grek dhe se mendimi tjetër që shfaqet në mendjen tuaj mund të jetë rezultat i ndonjë algoritmi që të njeh më mirë se sa e njeh veten? Këto janë pyetjet më interesante me të cilat ne dhe gjithë njerëzimi përballet tani. Pra, çfarë të bëjmë? Duhet të luftojmë në dy fronte njëkohësisht. Ne duhet të mbrojmë demokracinë liberale, jo vetëm sepse ajo ka rezultuar të jetë një formë qeverisjeje më e mirë se çdo alternativë e saj, por edhe sepse vendos më pak kufizime në debatin për të ardhmen e njerëzimit. Në të njëjtën kohë, ne duhet të vëmë në dyshim supozimet tradicionale të liberalizmit dhe të zhvillojmë një projekt të ri politik që është më i mirë në përputhje me realitetet shkencore dhe fuqitë teknologjike të shekullit të 21-të. Ashtu si perënditë, politikanët tanë duan të rrinë përherë në pushtet dhe pushteti i vërtetë buron nga kontrolli i teknologjisë kompjuterike.