• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shaban Murat Jashari, mësuesi, luftëtari

April 2, 2024 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

Shaban Murat Jashari ishte mësues dhe si njeri i arsimit, dijes dhe kulturës e dinte që nuk ka dinjitet pa atdhe të lirë. UÇK-ja është burim i ndërgjegjes, moralit dhe guximit! Nuk ka detyrë më të shenjtë se të jesh mësues, arsimimi dhe edukimi janë themeli i një shteti të fortë, arsimimi dhe edukimi sjellin liridashës, burra që krijojnë kohën. Një mësues si SHABAN MURAT JASHARI edukoi familjen, breza të tërë në Drenicë dhe i dha mësim botës se si intelektualët zëvendësojnë penën me pushkën kur i thërret atedheu.

Shtëpia e Jasharëve ishte shkollë për atdhedashuri, ishte mburojë e motiv për luftëtarët e lirisë dhe jo rastësisht LIRIA KA EMËR. Ukshin Hoti ishte profesor universitar, Jakup Krasniqi ishte mësues e shumë patriotë që krijuan kohën për liri dhe nuk pranuan gjunjëzimin në këmbim të privilegjeve.

Koha ka qenë për të gjithë, por jo të gjithë ju përgjigjën vatanit në kohë. Për dikë… ishte kohë pa kohë e dikush nuk kishte kohë…Por, fatkeqësisht emblema e UÇK-së dikujt i pengon edhe sot dhe me nostalgji kujtojnë privilegjet e ish regjimit! Privilegjet gjithmonë kanë prodhuar servilë, egoistë e antivlera nacionale. Një thënie e përshkruan më së miri nocionin njeri frikacak/servil…

“Heronjtë vdesin, maskarenjtë e shijojnë lirinë”, e ne kemi edhe heronj të gjallë të cilëve po ju mohohet liria padrejtësisht dhe falë sakrificës së tyre kemi Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

Rikujtim: Ata janë në izolim jo si individë e as si parti politike, ata janë trungu i emblemës e i lirisë sonë. Ata ishin mësues, arkitektë, mjekë, gazetarë dhe bujq, mbi të gjitha ata e kishin një profesion të përbashkët, IDEALIN PËR LIRI!

Ata kulmuan mbi armikun e jashtëm dhe bashkëpunëtoret e tyre. Ata me armatim e paarmatim ishin në vijën e frontit.

Ata nuk luftuan për privilegje, ata e kishin tashme privilegjin më unik në botë, emrin luftëtar lirie, ata e kishin vdekjen shoqëruese.

Ata e panë vdekjen me sy, por fati disa nga ta i bëri heronje e disa i heroizoi për së gjalli.

Ka ikur koha e sundimit serb…

Ka ikur rreziku për okupim…

E bashkë me serbët ikën edhe privilegjet e individëve të caktuar, por mbetën ata dhe dëshpërimi i tyre!

Ruajini majat e sukseseve në profesion me nder e dinjitet, nostalgji-Jugosllavia është shpërbërë moti, zgjohuni nga gjumi plot ankth, tregojini egos suaj se keni gjak shqiptari dhe se kryeqyteti ynë është Prishtina e jo Beogradi.

Faleminderit UÇK, faleminderit NATO, pa UÇK-në nuk erdhi NATO, pa ju që goja e mendja ju qet me nder me thanë”…” erdhi liria, ju nuk ishit në atë kohë, ju jeni t’pakohë!

Filed Under: Fejton

A PO TJETËRSOHET QËLLIMISHT IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR I BREZIT TË RI?

March 23, 2024 by s p

Filip Guraziu/

Edukimi i brezit të ri simbas nji strategjie të mirëmendueme në themel të së cilë qëndron atdhedashunia përban kushtin ‘ e nevojëshëm e të domosdoshëm’ për konsolidimin e identitetit të nji populli. Fatkeqësisht rrethanat historike ndër të cilat mbijetuen shqiptarët gjatë nji periudhë mbi 2100 vjeçare, jo vetem që nuk ndihmuen në kët drejtim, përkundrazi…Ç’do gja bahet e kuptueshme për periudhat kur shqiptarët ishin të pushtuem, sepse qëllimi përfundimtar i çdo pushtuesi asht përjetësimi i pushtimit, i cili mund të realizohet vetem nëpërmjet tjetersimit të identitetit të popullit që pushtohet.
Platforma kryesore e tjetersimit të identitetit të nji populli asht fshimja e kujtesës historike dhe krijimi i nji realiteti historik të ri në shërbim të pushtetit. Historia e njerëzimit në përgjithësi e ajo e shqiptarëve në veçanti e provon ma së miri kët pohim.
Në kët drejtim diktatura komuniste enveriste shqiptare ia kaloi edhe pushtuesve të huej; me dhunë, vorfni, e izolim prej të tanë botës; “zhduku rendin e vjetër”, transformoi historinë, kriminelin e shpalli hero, heroin nacionalist – armik e s’fundi me brohoritje e entuziazëm ” të pa parë” ” krijoi njëriun e ri të partisë”.
Me qenë se sistemi diktatorial komunist u vetëshëmb me dashje si e vetmja rrugë e mbijetesës, ” njëriu i ri i partisë” që u transformue në “njëriun e ri të demokracisë” mbijetoi e vazhdon me mbijetue si nji qenie hibride ( “pa Dinë e pa Imanë”) i shartuem në ekonominë e tregut. Ideali i ri i kësaj ” qenie hibrìde”, që ruen të paprekun në thellësinë e formimit të sajë ideologjinë komuniste rezultoi: pasunimi i shpejtë e me çdo kusht, konsolidimi nepotik i pozitave drejtuese në politikë, pushtet, sistemin gjyqësor e akademik etj., tue shpërfillë identitetin e interesin kombtar shqiptar
Nuk ka si spjegohet ndryshe veprimi i akademikëve shqiptar që i bjen ndesh identitetit kombtar në fushën gjuhësore, tue mos pranue rishikimin e kongresit famëkeq politik enverist të 1972-shit që “hodhi në Dri” themelin e gjuhës shqipe, Gegnishten. More të ” bekuem akademikë”, kanë kalue 52 vjetë prej atij vendimi, e gjuha sikur çdo gja tjeter evolon në përputhje me zhvillimet e reja, asht pikërisht ky evolucion që ju detyron rishikimin e përmirësimin e standardit të 1972-shit, por ju nuk pranoni. Ku e keni qëllimin? A jeni ndopak të ndërgjegjësuem për bashkimin kulturor shpirtnor të shqiptarëve në dy anët e kufinit më Kosovën ku flitet gegnisht? Po faktin që rreth Shqipnisë jetojnë rreth tre milion gegë e keni harrue? Simbas jush, brezi i ri që nuk mundet ma me lexue e me studjue, sepse nuk i kupton, shkrimtarët ma në za të gegnishtes si Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Haxhiademi, Prendushi, Migjeni, Koliqi, Repishti, Camaj, Rrota, Zadeja, Pipa etj., etj. mund të edukohët në mungesë të kujtesës me identitetin e vertetë shqiptar?
Si duhet t’a kuptojmë qëndrimin e akademikëve shqiptar që kundërshtojnë ” si demat para bezes së kuqe” vjetersinë mijavjeçare të gjuhës shqipe në themelin e së cilës qëndron gegnishtja? Ç’ka na thotë qëndrimi “kontrapedal” i tyne në lidhje me zbulimet e reja në fushën e etimologjisë të gjuhës shqipe? Si ndikon ky qëndrim te identiteti i brezit të ri?
I pafalshëm mbetet edhe fakti që ende sot mbas gati 34 vjetëve vetëshëmbje të diktaturës, qenia hibride ose ” njëriu i ri i demokracisë” që drejton e programon edukimin shkollor, nuk përfshin në tekstet shkollore tragjedinë e krimit komunist. Formimi i brezit të ri me mungesën e kujtesës historike a nuk të çon drejt tjetersimit të identitetit kombtar shqiptar, ky asht qëllimi? Për me ia vue vulën këti qëndrimi , Ministria e Arsimit-Tiranë i paska dërgue intitucioneve shkollore nji shkresë orjentuese si rekomandim për edukimin jashtëshkollor të nxanësave. Ndër qindra shkrimtarë shqiptarë te rekomanduem, mungojnë vetem ato që trajojnë krimin komunist të diktaturës si; Sami Repishti, Marçel Hila, Ahmet Bushati, At Konrad Volaj etj., rastësi?
Kulmi i qëndrimit absurd i “qenies hibride” me grada shkencore e autoritet akademik u ba publik para pak ditësh prej gazetave e televizioneve në mbarë vendin me shpalljen e nji peticioni antidemokratik qesharak e të turpshëm që i kërkonte AMA-s ndalimin e diskutimit në emisionet televizive mbi problemin e gjuhës shqipe!
Mendoni ku kemi mbritë e ç’ka përjetojmë ne si shqiptarë: shkencëtarët e akademikët që kemi, pra “mendjet e ndrituna e me vizion”, zyrtarisht kërkojnë ndalimin e fjalës së lirë me “urdhën prej nalt”, si në kohën e “lugatit” tue i ra ndesh parimit bazë të demokracisë! A ka ma marre e për faqe të zezë!
Mos diskutimi për domosdoshmëninë e integrimit të gegnishtes, mos diskutimi i vjetersisë së gjuhës shqipe, mos diskutimi i etmologjisë së gjuhë shqipe kuj i shërben? Konsolidimit të identitetit kombtar shqiptar JO që JO, por vetem atyne që nuk e duen popullin shqiptar!
Sapo njifesh me kët lloj peticioni, që të krijon “përshtjellime në stomak”, menjiherë mendja të shkon te disa emisionet televizive ku personazhe të paguem kundër shqiptarizmit vjellin vnerë kundër shtyllave mbi të cilat mbështetet identiteti shqiptar; Skenderbeut, Nanës Tereze, trashigimisë Ilire, gjuhës shqipe, autoktonisë së shiptarëve, trashigimisë kulturore dhe kurrë, në mënyrë absolute asnjiherë, këto ” qenie hibride” me grada shkencore e akademike nuk e çuen zanin në mbrojtje të idealeve shqiptare! Ky qëndrim i dyfishtë i jueji ju nxjerr haptas se kush jeni e se çka rueni me fanatizëm në shpirtin tuej, ” Fshati që shihet sdo kallauz”!
I damshëm për konsolidimin e identitetit kombtar shqiptar të brezit të ri mbetet edhe korrupsioni në sistemin arsimit shqiptar (pasojë e idealit të ri të ” qenies hibride”) në të tana nivelet, por veçanarisht ai i shkollave të nalta të len “pa gojë”; personazhe që kanë zanë vende drejtuese e disponojnë deri tre diploma universitare, praktikisht rezultojnë gjysë analfabetë. Mungesa e formimit kulturor me bazë atdhedashuninë e vlerat kombtare pasojë 32 vjeçare e ” njëriut të ri të demokracisë” me pozitë drejtuese politike, shtetnore apo akademike ka çoroditë programimin strategjisë edukuese të rinisë, ç’ka vështirëson konsolidimin e identitetit të shqiptarëve, aq i deshiruem sot.
Si përfundim, po kujtoj thanien e nji filozofi kontrovers: ” Kriteri i së vertetës asht praktika” Po cila asht praktika e sotme e jetës së të rijve shqiptar?
“Shif e shkruej”, thotë nji fjalë e urtë popullore:
Largim në masë e të rijve prej vendit amë, aq sa nuk gjinden ma punëtorë, por merren prej Bangladeshit. Zvogëlim drastik i numrit të nxanësve e studentëve. Rritje e analfabetizmit dhe e padijes. Zvogëlimi i numrit të martesave e paksimi i lindjes së fëmijve. Rritje e drogaxhive, e krimit, e vjedhjeve, e bastexhive, e dhunës, e abuzimeve. Rritje pa kufi e të rijve që kalojnë jo vetem ditën, por edhe naten në bar-kafe kot, janë të pa punë, por kanë vetura e bylyzykë ari!
O pashallarë të demokracisë: veni ndonjiherë dorën edhe te zemra e jo vetem te xhepi… Mos harroni se përparimi i shqiptarëve lidhet kryesisht me brezit të ri që asht garancia e së ardhëmes! E kjo e ardhëme në radhë të parë kërkon unitet kombtar i cili realizohet vetem mbi bazen e vlerave identitare të popullit shqiptar.

Filed Under: Fejton

SHËNIME ME RASTIN E 303 VJETORIT TË SHKUARJES NË AMSHIM TË PAPA KLEMENTI XI (1721-19 mars-2024)

March 20, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Mund të thuhet pa drojtje se ekzistenca e shqiptarisë në shekujt XVI-XVIII-të, ka qenë më në zgrip se kurrë. E kjo pasi pushtuesi Otoman jo vetëm ishte instaluar dhunshëm, por mbi të gjitha ishte “betonuar” me një “mur” të pakapërcyeshëm, jo vetëm nga shqiptarët e mbyllur këtu, por edhe nga pjesa tjetër e Europës që u zgjonte “kureshtje” qytetërimi e besimi që po “lulëzonte” pikërisht në zemër të Europës… Ato kohë në të vertet shpesh kishin qenë të ligështa edhe për vetë Europën, e cila për të shpëtuar veten, të paktën heshte para sakrifikimit e martirizimit që i bëhej një prej popujve më të vjetër të saj, arbëro-shqiptarëve, ku për 25 vite me radhë (1443-1468) me në krye Gjergj Kastriotin Skenderbe kishin luftuar me guxim kundër perandorisë turke-osmane për mbrojtjen e trojeve arbënore, por edhe të atyre europiane… Fatësisht në këto momente kritike për ne arbënoro-shqiptarët u zgjodhë në vitin 1700 në krye të selisë së shenjte Gjon Françesk Albani , që do të merrte emrin fetar Papa Klementi XI.

PAK HISTORI FAMILJARE!

Historia familjes ALBANI (nga Kurbini), sipas shumë studiuesve fillon që në kohen e Gjergj Kastriotit –Skenderbeu . Si paraardhesi i Papa Klementit XI njihet fisniku Mikel Laçi , i cili kishte dy djem ; Gjergj Mikel Laçin dhe Filip Mikel Laçin (që njihen si luftetar të shquar të ushtrisë së Skenderbeut). Këta dy arbër emigruan në Urbino të Italisë. Gjergi në Itali pati dy djem ; Altobelin dhe Hanibalin. Edhe Altobeli kishte dy djem ; Horacin dhe Karlin. Karl Altobel Gjergj Mikel Laçi është babai i Gjon Françesk Albanit (Papa Klementit XI). Mbiemrin Albani trashigimtaret e familjes “Laçi” filluan ta marrin rreth një shekull pas emigrimit në Itali. Fillimisht trashigimtaret e Mikel Laçit muaren mbiemrin Albanesi ,që “dalngadal” e bënë ALBANI…

NËPËR JETSHKRIMIN E PAPA KLEMENTIT XI.

Jetshkrimin e Papa Klementit XI mendova t’a filloj me Biografin e njohur të këtij Papë, francezin Reboulet, i cili në veprën (monografinë) e tij “Historia e Klementit XI”, ndër të tjera ciotoj: “Gjon Françesk Albani lindin në Urbino (Itali) me 23 korrik të vitit 1649. Familja fisnike Albani e kishte origjinën në Epirin e Vjetër, domethënë Shqipërinë e sotme. Gjon Françesk Albani, pasi u shkollua me një pasion të pashoq, arriti të laurohet po në Urbino të Italisë nga ku dhe i hyri karierës Kishtare, ku edhe hyri në shërbim të Rietit, Sabinës dhe Orvietit për rreth shtatë vjet. Pas kësaj për aftësitë e tij u bë Sekretar i letrave Papnore, ku qëndroi derisa u zgjodh Papë. Gjon Françesk Albani u zgjodhë në krye të selisë së shejtë me daten 23 nëntor të vitit 1700 ,duke filluar zyrtarisht ketë detyrë hyjnore e “toksore” me daten 08 dhjetor (1700), si Papa i 243 në historinë e Selisë së shejte.. Zgjedhjen e Gjon Françeskut si Papë padyshim e kishte ndihmuar Papa paraardhës Aleksandri VIII, që në fakt këtë besim edhe tek mbarë kristianizmi e shpërbleu me punën e tij doktrinare në shërbim të fesë e njerëzimit. Papa Klementi XI u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me inisiativën e tij u mblodh kuvendi i Peshkopëve Katolikë të Ballkanit nën kryesinë e Imzot Vincent Zmajevskut, Kryepeshkop i Tivarit dhe Primat i Kishës. Kështu filloi “rekrutimi” i djelmoshave shqiptarë që mësuan me u ba priftën në Kolegjin e Assisit. Ata u bënë misionarë të Shën Françeskut. Ky ishte një fitim i madh për Nacionalizmin dhe kulturën shqiptare, pasi Kleri Katolik ishte i pari që filloi me shkrue në gjuhën amtare dhe krijoi monumentin e parë të letërsisë shqipe…”. Papa Klementi XI në këtë detyrë të shenjtë qëndroi 21 vjet,(deri sa nderroi jetë me 19 mars 1721) , duke mbetur në histori si një ndër Papët më të sukseshëm të historisë Papale, por edhe i katerti papë më jetëgjatë në historinë e papatit deri sot në fillimet e shekullit XXI. ( I pari Shen Pjetri 35 vjet , I dyti Papa Piu i IX me 31 vjet I treti Papa Gjon Pali II me 26 vjet dhe i katërti Papa Klementi XI me 21 vjet)… Vlenë të cilësohet se kur Gjon Françesk Albani u zgjodhë Papa Klementi XI, meshtari i njohur arbër Imzot Vincent Zmajeviku, ndër të tjera do të shkruante: “O Shenjt atë Papë nën hijen tënde dheu i Shqipënisë po gazmohet, se mbas shumë vitesh po hynë të marri frymë e të çeli sytë… nën një Papë shqiptar po del në dritë e mezi ç’pret me fitue emrin e Lumninë. Ndërkaq unë me gjithë Popullin e Shqipërisë i lutemi Zotit që ty, Papë shqiptar të ruaj për gjatë e mot me jetë e shëndet, për të mirën e Kishës e për fatin e mirë t’anin…” Megjithatë duhet theksuar se kjo zgjedhje u prit me gëzim jo vetëm nga Bota Katolike, por edhe nga ajo jo katolike, ku vetë Pashai i Kajros e sundimtari i Bitinjes, shkruan G. Moroni, e priti jo pa gëzim për lumninë e Zotsinë që kishin “Shtetasit” e Perandorisë… Froni i Papës kishte një rëndësi të veçantë si dhe sot, pasi ky ishte froni i trashëguar nga Shën Pjetri (një ndër Apostujt e Jezusit dhe përhapësit e doktrinës Kristiane në Botë). Përveç sukseseve që i ka shkruar historia në zhvillimin e shenjtërimin e doktrinës së Jezu Krishtit në mbarë Botën e veçanërisht në atë Katolike, rëndësi ka se ai që kur hipi në fronin e Shenjtë të Papës, në Selinë e Shenjtë, “tregoi” origjinën e tij shqiptare dhe shprehu interesin e tij për të mbrojtur mbarë shqiptarët e të gjitha besimeve e veçanërisht organizimin e atyre me besimin Katolik kudo në Shqipëri. Papa Klementi XI në vitin 1703 urdheroi zhvillimin e kuvendin e dheut të Arbërit.. Ku ky kuvend krahas problemeve të “ngushta” fetare, nën kryesinë e Imzot Vinçent Zmajeviku-t që ishte edhe Kryepeshkopi i Tivarit dhe Primat i kishës katolike shqiptare, ndër të tjera vendosi që shënimet në regjistrat shqiptarë të bëhen në gjuhën shqipe, si dhe meshët të thuhen po në gjuhen shqipe .. Gjithashtu u vendos zbatimi pa ekuivok i sakramenteve të shenjta. Këto vendime shqiptarin kristian (katolik) do ta kthenin në rrugen e Zotit… Duke filluar po nga ky vit (1703) Papa Klementi XI ndihmoi në përhapjen e letërsisë fetare në gjuhën shqipe.. Me kujdesin e Papa Klementit XI më 1711 u hap katedra e gjuhës shqipe në shkollën e Montorinos në Romë (Itali). Po nën urdhëresën e këtij Papë me origjinë shqiptare, në vitin 1720 në Voskopojë u themelua shkolla e mesme e quajtur “Akademia e Re”, si dhe u hap edhe një shtypshkronjë, duke e bërë këtë qytet shqiptar qendër të rëndësishme kulturore e fetare për kohën.. Gjithashtu ky Papë me origjinë shqiptare arriti të ndihmojë e sensibilizojë Europën në luftën e madhe që bënte në këto vite Malësia e Madhe e veçanërisht Fisi i Kemendit kudra Turkut. Por një ndihmë e përkrahje të pakursyer dha ky Papë edhe për Himariotët (që në ato vite ende ruanin besimin Kristina-Katolik), duke i ndihmuar të hapnin shkolla e Kisha të reja e ruajtur të vjetrat, duke e bërë kështu këtë trevë shqiptare vatër Feje e atdhedashurie. Padyshim autoriteti i Papës ishte mjaft i madh aq sa çoi peshë jo pak në Venedik , Austri e tjera vende europiane të kohës që kishin kontribuar deri në një fare mase në mbrojtje të besimit e të drejtave të shqiptarëve që donin t’i merrnin nëpër këmbë pushtuesit Osmanë, ku për të mos hapur fronte të reja lufte e armiqësie dalëngadalë kjo perandori erdhi duke u zbutur e bërë më “tolerante”.. Në këtë kohë me ndihmën e Papës shqiptar nga vendi jonë filluan të “rekrutohen” djelmosha shqiptarë të cilët shkuan të shkollohen në kolegjin e Assisit, duke u bërë kështu misionarë të Shën Françeskut dhe barinjtë shpirtërorë të Grigjës katolike deri atëherë mjaft të çorganizuar. Gjithashtu po në fillim të shekullit XVIII nën kujdesin e Papa Klementit XI u krijua Kongregacioni i propagandës Fide, ku padyshim edhe shënon kthesën e qëndresës pa-kthim dhe organizimin më të lartë të komunitetit katolik i cili trashëgonte virtytet më të mira të Shqiptarisë. Gjithsesi tashmë Katolikët në veçanti e shqiptarët në përgjithësi kishin një Engjëll mbrojtës që ishte Papa shqiptar dhe Selia e Shenjtë që ishte i vetmi vend ku shqiptarët mundeshin të hynin pa “trokitur”. Natyrisht Papa Klementi XI, nuk ishte thjeshtë një Papë që kishte për mision vetëm mbrojtjen e popullit të tij.. Misioni dhe veprmtaria e Papa Klementit XI ishte jashtëzakonisht e madhe dhe e sukseshme në shërbim të njerëzimit e shenjtërimit të jetës tij jo pak të trazuar nepër Botë…Historia e jetes dhe vepres së Papa Klementit XI në krye të Selisë së Shenjtë ka të memorizuara dhjetra misione e vizita baritore në Abisini, në Afrikën Veriore, në Persi, në Indi, Japoni, Kinë, në Amerikën Jugore, Meksikë, Kaliforni etjerë etjerë që tregojnë punën e palodhshme e të guximshme të këtij Papë me origjinë shqiptare, që vetë gjaku nga rridhte ia shtonte dhuntinë e guximin për të plotësuar misionet e tij kristiane shpesh edhe me rreziqe për jetën…Në fushën e dokumentave të shkruar për këtë misionar mëkëmbës të Shën Pjetrit shënohen 1412 letra, 28 ligjërata, 130 biseda të shkruara në dy blej (vëllime) që ruhen edhe sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan, siç thotë Ludoviku Von Pastor: “Se këto shkrime janë një përmendore e bukur, e zellit Barituer, e trimërisë Apostolike dhe e veprimtarisë së palodhshme të një pape ndër më të mëdhenjtë e Kishës Katolike”.Vlen të theksohet se Papa Klementi i XI ishte nxitësi dhe financuesi i fillimit të veprës madhore “Ilirikum Sacrum” (Iliria e Shenjtë), për të cilën ka edhe një kontribut jo të vogël edhe si historian. Gjithashtu nën kujdesin e këtij Pape u ruajtën visaret arkeologjike të Romës, si dhe mbledhja e të tjerave nga vise të ndryshme, ku sot Muzeu i madh i Romës ka në themel kontributin e shqiptarit Papë, që nga historia njihet si një nga themeluesit e kësaj vepre madhore të kulturës Botërore. Papa Klementi XI njihet edhe si një ndër “kudjestarët” më të mëdhenj të ruajtjes, meremtimit e stolisjes së përmendoreve e objekteve antike të trashëguara, si dhe shkrimeve, kanuneve e dokumentave të tjerë që vërtetonin jetën e kaluar të popujve….

NË VEND TË NJË EPILOGU

Është interesant të thuhet se banoret e Kelmendit , Papa Klementin e XI e “konsiderojnë” me origjinë nga Kelmendi, ku per ketë thonë se paraardhesi i Gjon Francesk Albanit , Mikel Laci (e jo Laçi) së bashku me dy djemt e tij (Gjergjin e Filipin) janë larguar nga Kelmendi per në Kurbin ku u rrjeshtuan në ushtrinë e Gjergj Kastriotit. Largimi per në Itali i Gjergj e Filip Mikelit ka ndodhur pas vdekjes të Skenderbeut. Ndersa trashigimtari i tyre… Gjon Francesk Albani kur u bë Papë mori jo vetem “emrin” e Shën Klementit (shenjetorit mbrojtes të Kelmendit, Shën Klementi i parë), por edhe “pak” nga origjina e tij e largët…Kelmendi. Sidoqoftë kjo është vetëm një gojëdhënë pasi e rëndësishme është që ai ishte me origjinë të pakontestuar Arbënore (Shqiptare). Natyrisht nga ajo kohë e “Lumnueme” kanë kaluar shekuj bashkë me baticat e zbaticat që suallën motet e shekujt, por të gjitha këto janë disi më të “natyrshme”, se vetë Shenjtëria që është Hyjnore e Qiellore , e si e tillë nuk shuhet kurrë, ashtu si drita e këtij Shenjtori shqiptar që shndritë jo pak Botën, por për fat të keq tek ne ende ka “hije” që vazhdojnë ta zënë disi dritën e ketij shenjtorit shqiptar që na bënë krenar…

Filed Under: Fejton

NJË LIBËR I SHKËLQYER, KU TË BRENGOSURIT FLASIN

March 16, 2024 by s p

Nga Ermira Ymeraj/

Të kuptosh thellësisht përjetësinë (Perpetum), të ndjesh lëvizjen (Mobile) dhe poetikisht ta parashikosh atë (Horoskop), është një përpjekje të njohësh veçoritë themelore të tregimit të Zija Çelës. Këto janë tri ndarjet që ka bērë autori në librin me tregime “Thika pa gjak”, botuar nga Onufri. Tri ndarje rrëfyese me shumë ngjarje, të cilat organizohen lirshëm me petkun e një gjuhe që rrëfen simbolika çastesh, thelbesh, tipesh, ndejnjash të një perditësie sa të ngjashme me tënden, aq dhe të ndryshme. Zgjedhja dhe përdorimi i fjalës kthehet në pasuri meditimesh dhe perjetimesh. Kjo ndodh në secilin bllok me tregime të mbledhura nën një titull.

Te ‘Perpetum’ lexuesi me të drejtë ndjehet si Genti Meniku, personazhi i tregimit “Margarita dhe tullumbace”, që numëron hapat e tij drejt nënës, por “që asnjëherë nuk do mësonte dot të kundërtën, hapat e nënës drejt tij”. Edhe lexuesi numëron mbi pesëdhjetë titujt e tregimeve që ka ky vëllim, i zbërthen sipas shijeve të tij, po kurrë nuk do mund të numërojë se ç’bën një autor për të ardhur magjishëm te lexuesi, siç vjen Zija Çela. Ja përse poetja Mirela Papuçiu ka të drejtë kur shkruan për autorin: “Sa mbushem prej asaj që del nga dora, zemra e mendja e Çelës! Aq sa mendoj që, po të kishte një pyetje se prej ç’lënde është i përbërë Zija Çela, përgjigjja do të qe: ‘Prej letërsie.’ Edhe elementët e jetës së Mjeshtërit duket sikur i janë dorëzuar konvertimit të plotë. Ndaj, edhe pse njerëzor, ka diçka krejt të pakapshme tek ai… Është ajo, aureola.”

Autori përdor mjetet stilistikore si imazhet figurative, që e bëjnë tekstin tërheqës dhe interesant.

Gjuha lakonike përdoret për krijimin e atmosferës sugjestionuese dhe shpejtimin e ritmit të ngjarjes. Fjalitë e shkurtra, konçize, krijojnë atmosferën e qetë e të paqtë. Ndërsa frazat e përbëra, me marrëdhënie të larmishme, leksik të pasur e përdorim të imazheve figurative, e bëjnë tekstin më kompleks, por duke ruajtur gjithnje qartësinë dhe forcën shprehëse.

Ka te drejtë kolegu i Zija Çelës, shkrimtari i shquar Mehmet Kraja, kur ka theksuar: “Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve, që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin. “Thika pa gjak” është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.”

Filed Under: Fejton

Zbulime 

March 14, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Disa skica të famshme të bëra nga shkencëtarët e lashtë kanë çuar në zbulime të mëdha. 7 janar 1610 Galileo Galilei po vëzhgonte qiellin me teleskopin e tij. Duke e drejtuar nga Jupiteri, ai vuri re disa pika të vogla që ishin të padukshme me sy të lirë: ata ishin 4 nga afërsisht 69 satelitët e Jupiterit. Nje zbulim i madh. 

Shkencëtari nga Piza i quajti satelitët “yjet Medici” për nder të Cosimo II de’ Medici. Më vonë, të katër satelitët u riemëruan si Io, Europa, Ganymede dhe Callisto (në përputhje me mitologjinë në lidhje me Jupiterin).

Revolucioni kishte filluar.

Në foton e postuar, sipër është skica e Galileos, dhe në fund, një simulim i qiellit në atë kohë në orën 18:00 (i bërë me një program të famshëm PC të quajtur Stellarium).

***

Origjina e Strukturës Richat në Mauritania, e njohur si Syri i Saharasë, nuk dihet.

Për mijëvjeçarë ai mbeti i fshehur nga shikimi i shumicës së njerëzve. Më pas, me ardhjen e misioneve hapësinore dhe satelitëve, Syri i Saharasë, një formacion rrethor gjeologjik në shkretëtirën perëndimore të Saharasë, është bërë një nga subjektet fotografike më interesante në Afrikën e Veriut.

Por çfarë e shkaktoi këtë “vragë” në Tokë me diametër rreth 40 km?

Fillimisht, Struktura Richat – emri shkencor i formacionit – besohej të ishte një krater. Astronautëve nga misioni Gemini IV, që rrotulloheshin rreth Tokës për katër ditë, iu kërkua të kërkonin nga lart për ndonjë formacion rrethor që mund t’i atribuohej strukturave të goditjes, por nuk u gjetën shenja të shkëmbinjve të shkrirë në zonën e Syrit. Ky fakt ka bërë që kjo hipotezë të hidhet poshtë.

Sot, teoria më e besueshme, e mbështetur nga dy gjeologë kanadezë, e gjurmon origjinën e strukturës më shumë se 100 milionë vjet më parë, në kohën e shpërbërjes së superkontinentit Pangea për shkak të zhvendosjes kontinentale. Ndërsa ato që janë tani Afrika dhe Amerika e Jugut u shpërndanë, shkëmbinjtë e shkrirë të shtyrë drejt sipërfaqes formuan një kube shtresash shkëmbore ku tani shtrihet Syri (që do të ishte kështu një lloj kodre e madhe në koren e Tokës). Ky fenomen gjeneroi gjithashtu linja thyerje rreth dhe përmes strukturës, si dhe shpërbërjen e gurit gëlqeror në qendër të tij.

Shpërthimi i mëvonshëm i Syrit shkaktoi shembjen e kupolës dhe erozioni e përfundoi punën, me unazat që shohim ende sot që tregojnë llojet e ndryshme të shkëmbinjve që janë konsumuar me ritme të ndryshme. Pika më e lehtë në qendër të saj do të ishte shkëmbi vullkanik që doli në sipërfaqe gjatë shpërthimit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT