• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EVROPA DHE ZHURMA E URREJTJES

May 21, 2024 by s p

Nga PAOLO LEPRI – “Corriere della Sera”, 5 maj 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Është një Bashkim evropian i përvuajtur, I shtrënguar të përballohet me urrejtjen , ai që ka dëgjuar shkoqur dje, në secilin kryeqytet  të shtënat e revoles të shpërthyera  kundër njërit prej njëzeteshtatë kryetarëve të qeverive, kryeministrit sllovak Robert Fiko. Ky atentat , që i shtohet sulmeve të ndryshme në ditët e shkuara në Gjermani, është një shenjë alarmi që nuk duhet të lihet në heshtje. Rreziku i destabilizimit është i vërtetë. Dhuna politike ekziston, mund të kapërcejë kufijtë e të zhvillohet në një bashkësi kombesh që e mendonim të sigurtë nga kërcënimet e brëndëshme, të ndërtuar në paqë. Bëhet fjalë tani që të veprohet n’atë mënyrë që shtëpia e përbashkët të përforcojë themelet e saj e të thyejë këdo që don t’a shkatërrojë, nga cilado anë të vijë. Jehona e të shtënave sllovake – të drejtuara kundër një kryeministri që ka mbajtur qëndrime të largëta nga vija e BE mbi armët në Ukrainë dhe Rusinë – i mbivendosen tingujve të hymnit evropian  të luajtur gjatë protestave në Gjeorgji kundër ligjit shkandullor të miratuar për t’i vënë shtupën demokracisë me sebepin e “ndikimeve të huaja”. Por jo të gjithë kanë qenë të vëmendshëm. Bashkimi po kundërvepron me mungesë mprehtësie ndaj një lëvizjeje që ve në rrezik ecjen e një kombi kandidat.

Sigurisht, leximi i vonuar i kësaj piskame mbi të drejtat ve në dukje edhe njëherë   gjëndjen e pothuaj-paralizës  në të cilën dergjet politika e jashtëme  evropiane, e shkaktuar veçanërisht (nuk është i vetmi problem) nga roli johenik i Hungarisë së Viktor Orbanit. Por kuptimi i saj është më i gjërë, jo vetëm sepse protestat e Tbilisit kujtojnë ditët emocionuese të Sheshit Maidan. Pasiguritë evropiane përfaqësojnë një element që duhet parë me shqetësim ndërsa është një luftë mësyese në veprim pranë nesh, që po jeton një fazë përcaktuese: një luftë në të cilën derdhet gjak të pafajshmish e me të cilën drejtuesi i Kremlinit përpiqet të shkatërrojë të njëjtat vlera të nëpërkëmbura në Gjeorgji. Rusët përparojnë në Harkiv, por sahati i BE ecën më ngadalë. Është e domosdoshme të vihet në kyçin e dorës një tjetër, i rregulluar me orën e Kievit. Kundërshtari gjeorgjan Nika Gvaramia, në një intervistë për Corrierin, ka shpjeguar qartë se cilat janë vendimet për t’u ndërmarrë në dobi të mbrojtjes së popullit të tij. “Trysnia – ka thënë – do të duhej të ishte më e fuqishme. Nuk kemi një diktator por oligarkë që kanë përvehtësuar Shtetin dhe kanë nevojë për politikën që të mbrojnë pasuritë e tyre. Prandaj me ata duhet një përçapje ndryshe: sanksione financiare, pasuritë e ngrira, ndalim hyrjeje për Ivanishvilin  dhe familjarët e tij jashtë” Kur do të bëhet e gjitha kjo, nëse është e vërtetë se në Bruksel edhe teksti i një deklarate është bllokuar gjatë për praninë e këndvështrimeve të ndryshme? Ajo që nuk është bërë për Gjeorgjinë na bën të përsiasim duke parë zhvillimet e gjëndjes në Ukrainë, me shpresë se nuk do të kryhen të tjera gabime.

Ngadalësia ka qenë gjithmonë një karakteristikë e Bashkimit evropian. Në të shkuarën ka qenë një vegël për të konkretizuar, hap mbas hapi, projekte që në shikim të parë dukeshin të pasendërtueshme. Tani është ndryshe, nuk mund të pritet. Ukraina po lufton për lirinë e të gjithëve, duhet të mbështetet në mënyrën më   të efektëshme të mundëshme. Duhet të arrijë pa vonesa leja përfundimtare për marrëveshjen në parim të pasurive ruse të ngrira që do t’i lejonte qeverisë së Kievit të zotëronte nga 2,5 deri në 3 miliardë euro për të financuar mbështetjen ushtarake dhe rindërtimin. Ajo që po ndodh në ballin e luftës detyron që fondet të dorëzohen sa më shpejt, duke shmangur vonesat e zakonshme. Ashtu siç duhet nxituar para korrikut, në të cilin fillon kryesia e rradhës hungareze, miratimi i paketës së re t’aksioneve kundër Moskës mbi ndalesën e shpërnguljes së gazit natyral të lëngshëm. 

Këto janë disa shembuj të një mbështetjeje që  nuk mund të pakësohet. Madje duhet të bëjë një hop cilësor. Zgjatja e luftës shton  tensionet, krijon një klimë në të cilën lulëzojnë veprime shtazarake, përpjekje destabilizimi, manovra t’errta. Paqja duhet ndjekur me forcë, si në Ukrainë si brënda Evropës. Është në lojë, siç thotë presidenti francez,  Macron, vetë qënia e saj.

“Corriere della Sera”, 5 maj 2024        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton

Arbër 

May 15, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Abraham dhe nipi i tij Lot u vendosën në qytetin Arbë, i quajtur më vonë Hebron (gjetkë emri mbeti, kaq të thella janë rrënjët tona). 

Aty pranë në qytetin An(a)kim banonin Hitejtë, paraardhësit tanë largët. Arba ishte patriarku i Anakimëve, por iku dhe nuk u rendit në tabelën e kombeve. Kiriathara ndodhej afër Sodomës dhe qyteteve të fushës. 

Sodoma, Gomorra dhe qytetet e fushës janë të dyshuarit më të mundshëm si epiqendra e ndërhyrjes së Dytë të Zotit, pas përmbytjes. Ky deduksion shpjegon tronditjen e Perëndisë nga britma e mëkatit që u ngrit nga qytetet e fushës; aq sa Perëndia zbriti për të inspektuar mëkatet dhe krimet e kryera kundër tij, njerëzimit dhe krijimit. 

Sodoma shfaqet së pari në mënyrë biblike në tabelën e kombeve midis qyteteve, ku banonin kananitët, qytete që u krijuan nga fiset aborigjene para kullës së Babelit. Sodoma u shfaq përsëri kur Loti u vendos atje, dhe më pas përsëri me luftën e gjigantëve që detajuan shkatërrimin e qyteteve të fushës. Sodoma ishte e ligë, e pamoralshme dhe e mjerë që përpara kohës kur Loti ose kananitët u vendosën. Abrahami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti banoi në qytetet e fushës dhe ngriti çadrat në drejtim të Sodomës. Por njerëzit e Sodomës ishin jashtëzakonisht të ligj dhe mëkatarë përpara Zotit. Sipas Shkrimeve, Kananejtë emigruan në Tokën e Besëlidhjes, 101 vjet pas përmbytjes, duke përdorur gjenealogjinë e Pelegut (një tjetër emër i lidhur me ne).

Mëkatet e kryera në Sodomë përshkruhen si të neveritshme, arrogante, të padrejta dhe egoiste – një qytet i lindur në mënyrë alegorike nga një martesë e përzier nga një hitit dhe një amorit. Përshkrimet e Sodomës janë klasike në lidhje me gjigantët. “I padrejtë” përkufizohet si i çoroditur, i shthurur, imoral dhe i lig; mendjemëdhenj: si arrogant dhe krenar; i neveritshëm: si ritualisht i papastër për sa i përket ushqimit, përdorimit të idhujve dhe martesave të përziera. 

Më shumë po ndodhte në Sodomë sesa thjesht neveri nga njeriu në njeri. Martesat e neveritshme të përziera u referohen martesave të të njëjtit seks, si dhe martesave midis engjëjve dhe njerëzve që dhanë pasardhës të rremë në ditët e Noeut, dhe më vonë martesat e përziera midis të sfiduarve nga fertiliteti dhe kananitëve pjellorë njerëzorë. 

Librat e Urtësisë dhe Barukut thonë se Nefilimët kanë lindur me “shtat të madh”, ishin arrogantë dhe ekspertë në luftë, por u shkatërruan në përmbytje sepse atyre u mungonte mençuria. Nga kjo rrjedh se nëse Refaimi do të krijohej pas përmbytjes, ata do të ndiqnin të njëjtën sjellje të neveritshme si nefilimët, dhe në të njëjtën mënyrë të përshkruar në Sodomë. 

Sepse edhe në fillim, kur gjigantët kryelartë po zhdukeshin, shpresa e botës mbeti. Aty lindën gjigantët e vjetër, të famshëm, të mëdhenj në shtat, mjeshtër në luftë. Zoti nuk i zgjodhi ata, ose nuk u dha atyre rrugën e dijes; kështu që ata humbën sepse nuk kishin urtësi. Nga kjo lindi shprehja “shtat i lartë, mendja fyell” Megjithatë, gjuha në raportin e zbukuruar të së keqes vërtet dëshmoi për vërtetësinë e gjigantëve origjinalë paradiluvian dhe përmasat/shtatin e tyre të madh, dhe kështu ishin disi më të mëdhenj se hibridet e tyre njerëzorë. 

Libri i Ligjit të Përtërirë lidhi imazhet e gjarprit/dragoit me neveritë e Sodomës dhe me rivendosjen e rrënjës së një gjarpri pasardhës. Vreshtat pjellore të rrushit të Sodomës dhe Gomorrës u përshkruan si “rrushi i tëmthit” dhe vera “helmi i dragonjve dhe helmi mizor i gjarpërinjve” një helm i nxjerrë nga bimët, si hemlok që piu Sokrati, dhe lulekuqet.

Filed Under: Fejton

MOJ BOLENË E LESKODUKE!

May 13, 2024 by s p

Mihal Gjergji/

Më ka ndodhur disa herë të kaloj ndanë udhës ku shfaqet Bolena, si një fole shqiponjash mbështetur në shpatullat e Çipinit. Poshtë këmbëve të fshatit rrjedh Shushica, enkas për të larë gjakun e plagëve shekullore. Dhe vazhdon rrjedhën gjersa bashkohet me lumin e Smokthinës për të mbritur pastaj në gjirin e Adriatikut. Histori dhe fate, jo rrallë të kryqëzuara. Fise të vjetër tashmë të harruar dhe të tjerë të ngritur mbi rrënojat e të parëve. Thuhet se Amantët dhe Kaonët kanë jetuar në gjitoni dhe kanë mbrojtur njëri-tjetrin. Asgjë nuk dimë veç shënimeve që kanë lënë kronikanët. Barbarët që kanë shkretuar Jugun e Arbërisë kanë zëvëndësuar njëri-tjetrin, por asnjëherë s’janë ndjerë të mirëseardhur, sepse janë pritur me plumba dhe jataganë nga banorët vendas. Ndërgjegja s’mund të ketë tjetër emër veç vendosmërisë; për të ruajtur nderin, për të mbrojtur pragjet dhe vatrat, për t’i dalë zot Atdheut në kohët e tij më të rënda. S’po flasim për turmat. Jo! Janë emërshquar ata që kanë fituar pavdekësinë, kanë krijuar një tjetër kohë, përtej harresës dhe kronikave dëshpëruese. Pse mos ta themi, individualizmi shënjon lartësinë e njeriut, qëllimin e tij më fisnik. Dhe ja ku jemi, në Bolenën e historive që kanë marrë përmasat e legjendës, ndryshe, ato bëma s’do tirreshin aq hollë nga njëri brez te tjetri. I dëgjojmë dhe ndjejmë krenari, për atë brez që lindi enkas për ne, të na frymëzojë qëndresën dhe të bindemi që rrënjët tona janë të thella. “Moj Bolenë e Leskoduke/ Të ngriu palla mbi supe”. Në defterët osmanë të viteve 1431-1432, në Krahinën e Kurveleshit përfshiheshin 33 fshatra. Pikërisht qëndresa e tyre i detyroi pushtuesit e hershëm dhe sundimtarët e rinj, ta coptojnë kohë pas kohe, për të mbetur sikundër e kemi sot, katandisur kokoshi një thelë. Ti largohemi disa çaste egoizmit të brezit tonë dhe fodullëkut të pamerituar, e të flasim për Leskodukajt, sepse me Bolenën krenohet Kurveleshi, ndërsa me Kurveleshin mburret Labëria. Ishte viti 1847. Kapedanët e Labërisë organizuan qëndresën kundër zbatimit të reformave skllavëruese të Tanzimatit. “Leskodukaj-të të shtatë/ Luftojnë me një rigatë”. Dhe e dini kush janë këta? Guxhe, Barjam, Karafil dhe Bilbil Lesko, me një fjalë, katër lisa nga korija hijerëndë e fisit Lesko. E krah tyre ishin edhe Sadik e Birçe Guxha, sikurse Lesko Mingo. Tre të fundit vdiqën të interrnuar në Triestan të Turqisë. S’kemi mundur të mësojmë ligjërimin e nënave apo motrave mbi trupat e këtyre martirëve, sepse jemi të largët në kohë dhe kanë kaluar 177 vite. Shamizezat e Labërisë kanë zëvëndësuar kronikat e munguara dhe kanë bërë “jetëshkrimin” e seicilit prej atyre që na mësuan si duhet vdekur. Dhe luftëtarët kanë emra. Vargjet e një kënge të shtruar na sjellin dhimbjen e asaj ngjarjeje tronditëse. “Dërgon një letër veziri/ O Sadik e o Lesko/ Leskodukaj-të t’i ziri/ Në Janinë lidhur ti bini…” E madhe ka qënë urrejtja e vezirëve dhe pashallarëve osmanë. E çuditërisht, Janina jonë e bukur u bë varri i shumë luftëtarëve shqiptarë, gjer te Bilbilenjtë që u varën në degët e rrapit. “Gjemitë e detit errinë/ Për të lidhur parësinë”. Trimat e Leskoduke që ishin krahu i djathtë i Zenel Gjolekës, mbetën në histori dhe në këngë. Por jo vetëm ata. “Kallarat, Kuç e Bolenë/ Te lumi zunë dyfeknë”. Hodo Nivica, Balil Nesha, Hasan Gjostoja e të tjerë trima zbritën nga lartësitë e Kurveleshit për t’iu bashkuar uraganit të madh kryengritës. Rrënqethëse janë vargjet e ruajtura si diamante të çmuara në epikën historike; “Ç’është ajo që po shkon tutje/ Pallë e larë e Leskoduke”. Me siguri bëhet fjalë për ata trima që u zunë të gjallë nga serasqerët e sulltanit dhe u degdisën larg dheut e vatrave të tyre. Duket sikur lëviz një mal i lartë me Bolenën në prehër, për të mbetur përjetësisht në portat e baladave dhe në kujtesën tonë; “Bolenë, trimja Bolenë/ Zure dyfekun me mbrenë!”

Tiranë, Maj 2024.

Filed Under: Fejton

Çfarë është Sindroma e Medeas?

May 11, 2024 by s p

Sindroma e Medeas nuk është një diagnozë zyrtare në DSM-5 ose në literaturën shkencore të APA, por është një term që përdoret për të përshkruar një gjendje të rënduar psikologjike. Këto veprime te renduara psikologjie, janë të rralla, por kur ndodhin, janë shqetësuese dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme profesionale. Kjo Sindrom, përdoret për të përshkruar një gjendje psikologjike në të cilën një prind është në gjendje të vrasë fëmijën e vet, vetem per shenje hakmarrje ndaj bashkeshortit. Kjo gjendje merr emrin nga figura e Medeas në mitologjinë greke, e cila është një personazh që vret fëmijët e saj pasi e braktis burri per nje grua tjetër.

Keta individ kalojne ne shok te rend emocional, i cili është një reaksion i fuqishëm që ndodh si pasojë e një ngjarje traumatike, të papritur dhe negative. Kjo ngjarje mund të jetë e ndryshme për çdo individ, por shpesh lidhet me humbjen e një të dashuri, ndarje, traum akute, një dështim të rëndë në jetë, një ngjarje e tmerrshme, ose një sërë ngjarjesh të mëdha që shkaktojnë stres dhe dhimbje emocionale të mëdha.

Shoku emocional te keta individ shoqërohet me ndjenja të forta si trishtimi, neveri, ankthi, inat, ose mungesa e interesit për jetën. Ndërkohë, mund të shoqërohet edhe me simptoma fizike si lodhja, dhimbje gjoksi, marramendje, ose vjellje.

Trajtimi për kete sindrom apo gjendje te tilla psiko- emocionale, duhet të përfshijë terapi psikologjike, psikoterapi, mbështetje sociale nga familjarët dhe miqtë, dhe në raste më të rënda, mund të nevojitet ndihmë nga një profesionist mjek psikiater për të menaxhuar simptomat dhe për të krijuar strategji për t’i përballuar ato në mënyrë efektive.

Valentina Telhaj / Psikoterapiste/ Pedagoge

Filed Under: Fejton

“A e mbron Rama Lalin apo e ka shitur atë?”

May 2, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi 

Rama veliaj 5 d

Ah, kjo është një pyetje e lehtë! Po, po, Rama sigurisht që e mbron Lalin. Ata janë si dy shokë të ngushtë, si dy gishta të një dore. Rama e ka shitur Lalin… në një lojë shahu, ku çdo lëvizje është një manovër politike. Ndoshta e ka shpërndarë atë nëpër bashki, si një version modern i “Elf on the Shelf”. Lali, i vendosur në një raft të kabinetit, ndjek çdo hap të Ramës. Kur Rama flet, Lali dëgjon me vëmendje. Kur Rama bën një vendim, Lali thotë: “Bravo, kryeministër!”

Dhe po,po… Rama e ka shitur Lalin… në një aksion bamirësie. Ai e ka dhuruar atë për të mbledhur fonde për ndihmë të nevojshëme. Lali tani është një koleksionist i pasurisë së këndshme, një artikull i rrallë në tregun e politikës.

Por, nëse kjo është një pyetje serioze, atëherë… mbase duhet të konsultohemi me SPAK, për të zbuluar se çfarë ndodh me të vërtetë me Lalin?

Në një vend larg larg, në vendin ku korrupsioni mbretëron dhe të vërtetat janë të gjitha të fshehura, erdhi një ditë e bardhë. Erion Veliaj, kryebashkiaku i qytetit Tiranë, u thirr përpara dyerve të SPAK-ut, në një moment që u bë për të qeshur, për të qarë dhe për të qartësuar kujt i bie radha të qeshë dhe kujt të qajë.

Kryeministri Rama, qëndron në krah të tij, si një mbrojtës i zjarrtë, por edhe njëherazi si një armik i fshehur i Lalit. 

Deklaratat e Ramës janë si një enigmë që kërkon të dekriptohet. A e mbron ai Veliajn apo e ka shitur ai atë? Pyetje që nuk kanë përgjigje të qarta, siç nuk kanë përgjigje shumë gjëra në këtë vend.

Dhe të gjitha ngjarjet, si në një telenovelë, zhvillohen para syve tanë. Deklaratat kontradiktore, fotot e politikanëve të vendosur në një tryezë, ndërsa njëri prej tyre është lënë jashtë, ngjarje që vëzhguesit e përshkruajnë një realitet i ndërlikuar dhe i pazakontë.

Por, a është ky realiteti që ne vërtetë duam? A janë politikanët tanë personazhe të një telenovele ku korruptimi dhe mashtrimi janë themelet? Apo kemi nevojë për një skenar të ri, ku drejtësia dhe ndërgjegjësia të jenë protagonistët?

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, u paraqit publikisht në SPAK (Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Ky është lajm. Por a është ky vetëm fillimi i një seriali të gjatë? Në një maratonë shtatë orëshe, Veliaj u përball me prokurorët, ndërsa gazetarët pritnin për lajme. Ai pohoi se “bashkëpunimi do të vazhdojë.” Bashkpunim me “detyrim përcaktim. Por çfarë çështjesh po hetojnë prokurorët? Le t’i hedhim një vështrim:

Veliaj ka mohuar se ishte nismëtari i inceneratorit të Tiranës, por prokurorët kanë gjetur shkresa që tregonin ndryshe. Në 2016, ai dërgoi një propozim për një kontratë PPP (partneritet publik-privat) për menaxhimin e mbetjeve. Në këtë histori korruptive, Veliaj është protagonisti që ka kushtuar mbi 100 milionë euro.

Veliaj nënshkroi dokumente që kalonin kompetencat e tij, duke anashkaluar Këshillin Bashkiak. Dhe inceneratori u bë një grabitje e shtrenjtë për taksapaguesit shqiptarë. Po ku është roli i Veliajt? Ai firmosi pa kompetencë, ndërsa aprovimi duhej të vinte nga Këshilli Bashkiak.

Ndërsa depozitat e dherave lejuan pronarët e inceneratorëve të përfitonin 60 milionë euro shtesë nga interneti. Veliaj mobilizoi policinë bashkiake për këtë operacion. Shkresat tregojnë se ai urdhëronte pronarët të përjashtonin disa subjekte nga pagesa e tarifës.A ha… 

Në fund të maratonës, Veliaj u shfaq i lodhur. Por a do të jetë ky episodi i fundit? Altin Dumani, kreu i SPAK, ka një version tjetër të historisë së Veliajt në Prokurori. Ndërkohë, ne presim të shohim se si zhvillohet kjo komedi korrupsioni.

Ndërkohë, Veliaj përpjeket të mbulojë fytyrën e tij me maskën e transparencës dhe përpjekjet e Ramës për ta mbrojtur apo ta shitur atë, mbeten një mister që vazhdon të zgjojë interesin e gazetarëve dhe qytetarëve të shqetësuar për fatin e vendit të tyre. Opozita fërkon duart dhe nxehet në protesta që nga ballkoni. 

Dhe ja kërkesa për dorëheqje I vjen nga kush se priste nga miku i Ramës, Baton Haxhiu, ” Nëse ‘Lali’ në majë të skemave kriminale mendon se unë duhet ta kursej nga kërkesa dorëheqje edhe në kushte kur tërë të emëruarit e tij janë përfshirë në hetim mëse të merituar kriminal, e ka gabim tha ai pas një përplasje me Veliajn.

Kështu që, në këtë skenë të çuditshme ku politika dhe drejtësia ngërthehen si peri në qepallat, shfaqet një pyetje thelbësore: A ka shpëtim për këtë vend, apo është ai i dënuar të jetë protagonist i një telenovele korruptive deri në fund?  Ndërsa fëmijët kanë filluar të këndojnë një këngë të re : “Lal,i lali këtë s’fali” 

Dhe tani për ta mbyllur me shaka: Çfarë thotë një politikan nën hetim për Veliajn? “Nuk është se ai është nën hetim, është vetëm duke bërë një vëzhgim të thellë për të zbuluar se çfarë bën Veliaj me pushimet e tij! Mor Lal.”

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT