Satirë nga Rafael Floqi/
Imagjino skenën: Edi Rama, me një pallto të gjatë, qëndron në majë të malit Dajti duke shikuar poshtë mbi Tiranë dhe, për herë të parë në histori, mendon: “Pse të mos krijoj një shtet të ri këtu? Jo një shtet të zakonshëm, por një shtet bektashi! Kjo do t’i japë një kthesë të re kryeqytetit!”
Shumë njerëz do të thonin: “Ky është një shaka, apo jo?” Por me Ramën, nuk je kurrë i sigurt. Një ditë po ndalon lëvizjen e makinave në qytet për shkak të ndotjes, dhe të nesërmen po propozon që të mbjellim një pyll mbi Lanë. Tani, ai ka vendosur të sjellë një shtet të ri në mes të Tiranës! Një shtet brenda shtetit. Dhe jo, kjo nuk është ndonjë komedi absurde, është thjesht… realiteti i përditshëm në Shqipëri.
“Po mirë, për çfarë na duhet një shtet bektashi?” – pyet një qytetar i hutuar. “A kemi nevojë për më shumë burokraci? A do të kemi tani edhe një doganë për të kaluar nga njëra anë e Bulevardit tek tjetra?” Sigurisht, nuk mund të bësh një shaka pa e përmendur dhe këtë! Mos të harrojmë, shqiptarët mezi menaxhojnë një shtet, lëre më dy.
Por ajo që bën këtë situatë akoma më qesharake është se askush nuk e ka kërkuar këtë. As bektashinjtë nuk duket se kanë dëgjuar për këtë plan madhështor. Mbase ideja ka dalë nga ndonjë bisedë e natës vonë mes Ramës dhe kryegjyshit të bektashinjve, ndërsa pinin një gotë raki në një teqe.
Në një takim me diasporën shqiptare në New York, kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për idenë brilante të krijimit të një shteti bektashi brenda Tiranës. Kjo ide kaq e shkëlqyer, që padyshim askujt nuk ia kishte zënë mendja përpara, është për t’i dhënë status diplomatik një komuniteti që, sipas Ramës, është si “jetim”. Sigurisht, si çdo jetim, ky komunitet meriton një shtet të vetin në mes të kryeqytetit! Një shtet që do të shërbejë për të garantuar rrezatim… mbase edhe për të përmirësuar sinjalin e celularëve në zonë, kush e di!
Rama, me elokuencën e tij karakteristike, shpjegoi sesi komuniteti bektashi ka mbetur pa ndihmë ndërkombëtare. Ndërsa muslimanët, ortodoksët dhe katolikët kanë “përfaqësuesit” e tyre në çdo cep të botës, bektashinjtë qenkan si një komunitet që vetëm Shqipëria e ka për detyrë të shpëtojë. Po ç’t’i bësh, Rama ka vendosur që për të shpëtuar këtë thesar kombëtar dhe ndërkombëtar, do krijojë një “mikro-shtet” brenda shtetit. Mbase herën tjetër do shpallë pavarësinë e një lagjeje të Tiranës si “Republika e Të Pastrehëve”, me ambasada dhe dogana në çdo hyrje pallati!
Ndërkohë, Rama me modesti pyet: “Po ne, si do t’i garantojmë bektashinjtë për të ardhmen e tyre?” Siç duket, për të siguruar vazhdimësinë e tyre, një shtet është minimumi që mund të bëhet. Imagjinojeni! Bektashinjtë tani nuk do të kenë nevojë të shkollohen jashtë, sepse… me një shtet të vetin, të gjithë problemet zgjidhen vetvetiu. Po për çfarë na duhet të shqetësohemi? Do kemi shtet islamik brenda shteti islamik? Sigurisht, përveçse po krijojmë “diplomaci të lartë” në pronat e tyre!
Në fund të ditës, për Ramën, gjithçka është rregulluar. Çfarë më duhet unë ta pyes publikun, opozitën, apo ndonjë forcë tjetër politike? Vetëm mjafton një ide brilante dhe jeta do të jetë si një serial politik… i zhanrit satirë!
E gjitha kjo më kujton kur Musolini krijoi Vatikanin brenda Romës. Dallimi? Musolini, pavarësisht të gjitha gabimeve të tij, ishte në fuqi të plotë dhe po menaxhonte një nga vendet më të fuqishme të Evropës. Ndërkohë, Rama po përpiqet të menaxhojë një Shqipëri që herë pas here mezi di se në cilën anë të botës ndodhet.
Një ditë, Edi Rama zbret në New York dhe New York Times bën një artikull për shtetin bektashi. Një shqiptar kurioz pyet: “Kush pagoi për këtë artikull, more?”
Rama, me buzëqeshjen e tij të famshme, thotë: “Po kush tjetër? Soros! Si një Freud-ian ‘sleeper’, ai ishte aty që nga kohët e psikanalizës për të shpëtuar ndërgjegjen time!” Gjithkush ngeli duke pyetur veten nëse ishte më shumë çështje ndihme ose thjesht një ëndërr psikoanalitike
Po pse bota duhet të shqetësohet për një “shtet bektashi” në mes të Tiranës? Realisht, nuk duhet. Për botën, ky është thjesht një episod qesharak që mund të shtohet në arkivat e absurditeteve ballkanike. Për ne shqiptarët, është një tjetër episod në serialin e pafund të “Si të qeverisim në mënyrë sa më të pakuptimtë.
Lajmi se Edi Rama po përpiqet të krijojë një shtet sovran bektashian në Shqipëri ka bërë që edhe të parët bektash të Turqisë të dridhen me humor. Plani për këtë mini-Vatikan, i cili, sipas New York Times, do të mbulojë plot 270 hektarë të çmuara në periferi të Tiranës, duket se ka kapur si shqiptarët ashtu edhe bektashinjtë turq në befasi. Në fund të fundit, ç’është më e natyrshme sesa të kesh një shtet ku alkooli rrjedh lirshëm dhe kodi i veshjes ka vetëm një rregull: “vish ç’të duash!”
Shteti i ri do të quhet, me plot gojën, “Shteti Sovran i Rendit Bektashi,” por ndoshta emri më i mirë do të ishte “Republika e lirshme Rakisë dhe e veshjes.” Kjo qeveri e veçantë pritet të ketë kufijtë e vet, pasaportat dhe, për hir të zotit, një kabinet me Baba Modin në krye. Ky lider shpirtëror, Edmond Brahimaj, që tani do të njihet si “Ati i Madh i Relaksimit”, duket se është po aq i dedikuar për të qeverisur sa është për të shërbyer një gotë të mirë.
Por jo të gjithë janë të lumtur për këtë krijim të vogël. Bektashinjtë turq, të cilët me sa duket e marrin seriozisht filozofinë e tyre, janë të shokuar. “Bektashizmi dhe një shtet fetar? Kjo është si të përpiqesh të ngresh një kafene në një manastir!” ka thënë kryetari i Federatës Alevi-Bektashiane të Turqisë, Zeynel Abedin Koç. Ai ka shtuar se bektashizmi ka qenë gjithmonë për ndarjen e fesë nga shteti dhe se 115,000 bektashinjtë shqiptarë, që përfaqësojnë vetëm 5% të popullsisë, mund të kenë nevojë për një gotë rakie, por jo për një shtet të veçantë.
Dhe ndërkohë që dikush pyet: “A mund të mbijetojmë me këtë?”, përgjigja është e thjeshtë: Ndoshta. Por mos u habisni nëse një ditë, në mes të shëtitjes në Bulevard, do të ndaleni nga ndonjë “polic bektashi me uniformë jeshile ” që do t’ju kërkojë pasaportën për të kaluar në anën tjetër të Tiranës!
Shejtan budalla, shau një qytetar . Te shohim ku mbaron budallai dhe ku fillon shejtani.