• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fat apo sukses?

July 3, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Nuk mund të ketë krijim nga asgjëja. Mrekullia nuk i dha njerëzimit Demokracinë, por, rruga e gjatë dhe e vështirë, si në lashtësi, edhe sot. Që nga Homeri (vitet 700 pes), ne vërejmë se perënditë dhe njerëzit merrnin vendime duke u mbledhur e kuvenduar në vende të caktuara, kuvende në shesh a në sallë. Por koncepti i parlamentit nuk shfaqet për herë të parë tek Homeri. por ekzistonte që në epokën e Trojës, dhe nga Troja, edhe më larg.

Ekzistojnë gjurmë të zjarrit 700.000 deri 1.000.000 vjet më parë në shpellën e Petralonës, ku u gjet edhe kafka 700.000 vjeçare e Arkantropit. Ka tregues të përdorimit të zjarrit nga njeriu para 1.7 milion vjetësh. Nuk është çudi që njeriu e kishte zbuluar atë, që kur zjarri u shfaq në natyrë. E mundshme është që zjarri të ishte zbuluar edhe më herët, kur njeriu rrëmbeu nga kurioziteti një degë që po digjej. Nëse pranojmë se zjarri ka qenë në shërbim të njeriut për gjithmonë, sa kohë do të duhej që shpikjet si qeramika, apo epokat e metaleve të fillonin?

Gjithashtu. 50.000 vjet më parë, Neandertalët mund të ndiznin një zjarr duke goditur gurin me gur për të krijuar shkëndija, fakt që i habit shkencëtarët, të cilët i kanë nënvlerësuar vazhdimisht njerëzit primitivë. Diodorus Siculus tregon për priftërinjtë egjiptianë:

“Kur një herë në mal bubullima goditi një pemë dhe pyllit aty pranë iu vu zjarri, Hephaestus gjatë dimrit u afrua dhe e shijoi shumë nxehtësinë. Dhe kur zjarri ishte gati të shuhej, ai e mbante atë duke i hedhur vazhdimisht dru, pastaj ftoi njerëz të tjerë të shijonin përfitimet që vinin prej tij”. Meqenëse ajo që shkaktoi zjarrin ishte bubullima, nuk mund të konsiderohet rastësi që në mitologji ishte Zeusi, perëndia, arma e të cilit ishte bubullima, ai që e ndëshkoi Prometeun që ua solli zjarrin njerëzve. Me sa duket, miti antik kodon një incident aktual, i cili përshkruhet i deshifruar në historinë e priftërinjve egjiptianë.

Fat apo sukses? Ashtu si shpikjet më të rëndësishme në historinë e njeriut, metalurgjia duket se ka ndodhur krejt rastësisht. Sipas pikëpamjeve mbizotëruese, shpikja e metaleve lidhet me zjarret e mëdha të pyjeve, konkretisht në vende me mineral bakri sipërfaqësor. Pas zjarreve në këto zona u formuan masa të forta bakri. Këtë pikëpamje e mbështet edhe Straboni. Pra, metalet dhe përpunimi i tyre mund të ishin zbuluar shumë më herët se krijimi i epokave.

A jemi vërtet më të zgjuar se njerëzit primitivë? Shkencëtarët besojnë se paraardhësit tanë gjuetarë-mbledhës kishin një tru më të madh se fermeri dhe rrjedhimisht më të madh se njeriu modern. Kjo është për shkak se ata duhej të bënin shumicën e gjërave vetë, të kishin një kujtesë të mirë dhe të ishin gjithmonë vigjilentë. Më vonë njerëzit, edhe për shkak të specializimit, bënë jetë më të thjeshtë. Kjo sjell në mendje ndryshimin midis njeriut në fshat dhe atij në qytet: fshatari merret vetëm me punët e bujqësisë dhe nuk interesohet për tema të tjera, ndërsa njeriu i qytetit ka një shpirt më të shqetësuar.

Edhe Cro Magnon, forma e hershme e njeriut modern gjatë periudhës 46.000 – 13.000 pes, kishte një tru më të madh se njeriu i sotëm; 1.514 centimetra kub krahasuar me 1.350 cm3 të njeriut. Kjo do të thotë që ose Cro-Magnon ishte më i zgjuar se ne, ose madhësia e trurit nuk është proporcional me inteligjencën.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për Teorinë e Përzgjedhjes Natyrore të Darvinit. Por nëse e kombinojmë këtë teori me faktin se katastrofat natyrore gjatë rrjedhës së historisë njerëzore prekën kryesisht grupet që kishin zhvilluar qytetërimin – siç shkruan Platoni te Critias –

“Njerëzit që mbijetuan pas çdo katastrofe ishin analfabetët dhe më pak të zhvilliar”.

Pra, ka shumë të ngjarë që ne të mos jemi njerëzit më të zgjuar që kanë ecur ndonjëherë në tokë.

Në jetë, faktori më i rëndësishëm është fati. Fati është ai që i bëri kushtet të favorshme në mënyrë që kërcimi teknologjik i tre shekujve të kaluar të ishte i realizueshëm. Me një paqëndrueshmëri klimatike ose gjeologjike në kohë të gabuar, ne mund të kishim qenë ende në Mesjetën feudale.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

Sardët

June 30, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në Sardenjë ekzistojnë struktura nurhage ose nuraxis, që e bëjnë të veçantë kulturën Nurhage të këtij ishulli. Sipas Oxford English Dictionary, etimologjia e fjalës është “e pasigurt dhe e diskutueshme”. Nuraxis sardinisht do të thotë grumbull gurësh ose zgavër, të ndërtuara rreth vitit 1200 pes në këtë ishull. Baza semite e arabishtes nur ‘drita, zjarri’ tani përgjithësisht refuzohet nga gjuhëtarêt. Fjala latine murus (‘mur’) mund të lidhet me *muraghe. Sidoqoftë, një teori e tillë është e diskutueshme mes gjuhëtarëve.

Një tjetër teori etimologjike sugjeron origjinën proto-baske me termin *nur (gur). Një shpjegim tjetër i mundshëm është se termi nuraghe erdhi nga emri i heroit mitologjik iberik Norax, dhe rrënja *nur do të ishte një përshtatje e rrënjës indo-evropiane *nor.

Fjala ndoshta lidhet me emrat Nurra, Nurri, Nurru (gurë), dhe me sardenian nurra (grumbull gurësh, zgavër në tokë) edhe pse këto kuptime janë të vështirë për t’u pajtuar, Gjithashu, në Tiranë nuk ka ndonjë studim nga albanologë me institut tashmë të mbyllur. Ndonjë në krye mendon se shqipja është çështje e zgjidhur dhe se instituti albanologjik nuk meriton të jetë.

Sardët e lashtë vërshuan nga lindja dhe u vendosën në ishullin që sot mban emrin e tyre. Disa thone se ata janë Shardanë (shigjetarë), një nga “popujt e detit” që sulmuan Egjiptin e lashtë në vitin 1100 pes.

Ideja e një elementi paleobalkanik brenda gjuhës sarde nuk është e re. Studiuesi më i madh i gjuhës sardineze, gjermani Max Leopold Wagner, e kishte shprehur këtë ide në studimin e tij të vitit 1933. Kohët e fundit idea e tij është ringjallur. Prof. Alberto G. Areddu nxjerr disa marrëdhënie midis botës paleosardine dhe asaj trako-ilire. Banorët e Shardanës, sipas interpretimeve të studiuesve, ishin me origjinë ilire. Ishte koha e vërshimit të popujve të detit, kur qytetërimi mikenas u shemb. Sardenët (Shudah sot), ishin nga fisi i Sardeatëve ose Ardiei, qyteti i Pelastave nga i cili vjen etnonimi i Pelaestinëve ose Pellazgëve. Gjatë trazirave ata u bashkuan me valën e refugjatëve ose ‘popujt e detit’ me synim për të shkuar në brigjet e Nilit. Por nuk mundën dhe një pjesë e tyre u vendos në Sardenjë e Korsikë.

Prof. Alberto G. Areddu, i universitetit të Genoas, thotë se studiuesit shqiptarë duhet të merren me ‘çështjen sarde’ për t’u siguruar që mund të identifikojnë bërthamën e përbashkët shqipe – sarde.

Gjithashtu, me daljen e fakteve dhe zbulimeve të reja, ndoshta ka ardhur koha që lashtësia ilire të rivlerësohet, siç ndodhi me popullsitë e tjera të lashta indoeuropiane thuajse të harruara (siç është rasti i sagës kelte).

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

DUKE KUJTUAR SHKRIMTARIN  ODHISE GRILLO, MIKUN E MADH TE FËMIJËVE

June 28, 2023 by s p

Ng Skifter Këlliçi/

Ishte pranverë e vitit 1959, kur u njoha me Odhise Grillon, student i vitit të fundit të fakultetit histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe në UT dhe po përgatitesha për provimet përfundimtare, kurse Odhiseja, ndonëse disa vjet më i madh se unë, ishte  student i vitit të dytë  i këtij fakulteti. Deri atëherë dija që  ende 17 vjeçar, ai  kishte nisur të punonte gazetar  në revistën “Hosteni” dhe kishte botuar  vjersha për fëmijë; kurse unë, i dhënë pas sportit, shkruaja në gazetën  “Sporti Popullor” dhe “Zeri i Rinisë”, ku kisha botuar edhe një tregim, ç’ështëe vërteta të dobët, dhe asgjë më shumë. Por nuk u bë letërsia që të na njihte. Shkak u bë lënda e gramatikës dhe sintaksës së  gjuhës shqipe, që e jepnin profesorët shumë të zotë, por dhe shumë të rreptë, Shaban  Demiraj dhe Stefan Prifti, ku unë dhe Emil Lafe, që më pa su bë nga gjuhëtarët e njohur, ishim nga më të mirët e kursit. Ndaj dhe  Odhiseja u njoh me mua dhe më kërkoi që ta ndihmoja në këto lëndë në të cilat nuk shkëlqente si në lëndët e leërsisë.

Dhe unë ashtu bëra. Por, pas marrjes së diplomës, kur fillova të punoja gazetar në Radio Tirana, takoheshim rallë, sepse të them të drejtën, nuk e ndiqja thuajse fare letërsinë për fëmijë. Mirëpo, në shtator të vitit 1964, kur kisha dy vjet që isha bërë  dajë,  mbeska  ime, krahas edukatoreve të kopështit dhe prindërve të saj,  nisi  të më kërkonte që edhe unë t’i tregoj… përralla. Dhe këtu më zuri fort ligsht sepse, jo vetëm kisha harruar përrallat  që më kishte treguar dikur gjyshja, por nuk kisha lexuar përralla që botoheshin në revista për fëmijë. Mirëpo e keqja ishte se mbeska kërkonte që, veç të tjerash  t’i rrëfeja edhe përrallat që i kisha rrefyer më parë. Por ngaqë ato ishin përralla të sajuara unë ia rrëfeja ndryshe, domethënë hiqja ose shtoja ngjarje të tjera, duke pandehur se kështu po e hidhja lumin; mirëpo mbeka më qortonte, sepse ajo mbante mend me hollësi rrëfimin e parë të kësaj ose asaj  përralle.

Ishte kjo arsyeja që unë u takova me Odhisenë, i cili, ndërkohë, ishte bërë nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë  për fëmijë. Dhe Odhiseja, fisnik dhe hokatar, ma qau hallin dhe jo   vetëm kaq, por më dhuroi dy nga librat për fëmijë që kishte botuar në atë kohë. Kështu që unë, jo vetëm kisha ç’t’i rrëfeja mbeskës dhe  vite më pas nipit,  për të ardhur te  fëmijët e vëllait dhe djalit tim në vite, nga libra të tillë  “Qukapiku”,”Xhepi i kungulleshës”, Pipiruqi mëson shkronjat”, novelën “Pushkë në bregdet”.

Me sa e sa  sa  vëllime të tjera sidomos me vjersha,  Odhise Grillo  ishte bërë nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë për fëmijë, madje dhe autor tekstesh të këngëve të njohura të kompozitorëve Agim  Prodani,  (“Kujtimet e studentit”, ”Vajza me trëndafil”, dhe Leonard Deda,( “Kur gjethet bien”) etj.  Ishte kjo edhe arsyeja që atij iu dha medadalja ”2000 millenium”nga Instituti Biografik  Ndërkombëtar i Amerikës, që akordohet për njerëz të shquar në fushën e letërsisë .

Pata rast të njihesha dhe më shumë me Odhise Grillon, kur krejt rasësisht edhe unë, u bëra shkrimtar për fëmijë. Dhe ja se si:

Në  shtator të vitit  1966, kur si pasojë e të ashtuquajturit “qarkullim kuadri”, nisa të punoja arsimtar në Berat, u njoha dhe më shumë me shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare,  që  edheai ishte caktuar  në Berat, por  si korrespondet i gazetës “Drita” . 

Një ditë me tha të lexoja novelën e tij ”Qyteti i  jugu”, me motive vetëjetëshkrimore që ishte botuar në revistën “Nëntori’. Në novelë, që më pas u bë shtrati i romanit të famshëm “Kronikë në gur”, siç dihet, realiteti i viteve të  Luftës së Dytë Botërore  rrëfehen nga një fëmijë i vogël, banor i një  qyteti jugor, që është “Gjirokastra”, me ngjarje shumë origjinale  dhe nivel shumë të lartë artistik.

 Meqë dhe unë kisha përjetuar ngjarje nga kjo periudhë së bashku me vëllanë tim binjak, Luanin, i ndikuar edhe nga kjo  vepër e Kadaresë, vendosa që të shkruaja një novelë.  Nëse në sfondin e ”Qytetit të Jugut” janë rrugët dhe shtëpitë gurta  gjirokastrite,  në sfondin e novelës sime ishin  muret dhe shtëpitë prej qerpiçi  të një mëhalle të Tiranës , ku kisha  kalur fëmijërinë. Dhe personazhe kryesore, dy binjakë, unë dhe vëllai im.
Pandeha se kisha shkruar nje vepër për të rritur si “Qyteti  i  jugut”, por në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e dërgova, më thanë se novela se  i përkiste letërsisë për fëmijë. Nuk u binda. Ia dashë Odhisesë ta lexonte . Ditë më vonë u takova me të dhe më përgëzoi se kisha   shkruar një vepër origjinale për fëmijë, ndërthurur, për herë të parë  në këtë gjini  edhe me ndeshje   futbolli që  zhvillonin fëmijët.

Nën titullin ”Kujtimet e mëhallës së vjetër”, kjo novelë botua  në vitin 1968 dhe për habinë time u prit mirë nga fëmijët. Jo vetëm kaq, por më pas Odhiseja i propozoi drejtorisë së  botimeve    në  Ministrinë e Arsimi t që ajo  të përfshihej si lexim jashtëshkollor. Dhe kështu ndodhi . “Kujtimet e mëhallës” së vjetër” që nga viti 1971 deri në vitin 1991 shërbeu  si lexim i tillë   për klasat e gjashta të shkollave tetëvjeçare.

Dhee jo vetëm kaq.

Kisha vënë re se Kadareja  disa nga personazhet e një romani i trajtonte dhe në një roman tjetër. I kërkova atij nëse dhe unë mund të veproja kështu . E quajti të natyrshme idenë time.  E miratoi këtë ide edhe Odhiseja. Kështu dy vëllezërit binjakë të novelës”Kujtimet e mëhallës së vjetër” tashmë u bënë personazhe të romanit të ri ri “Pas gjurmëve”, me ngjarje dramatiko-humoristiko -aventurore në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. 

    Në fund të vitit 1969 e dërgova për botim në Shtëpinë  Botuese ”Naim Frashëri” dhe   desha  që recensionin ta bënte Odhisea. Por me që ai ishte i ngarkuar me shumë punë, recensionin e bëri një kritik që ishte dhe shok imi. Dhe për habinë time, pa u takuar me mua, kur punoja ende arsimtar në Berat, ky shok e dërgoi recensionin  e tij në redaksinë e fëmijëve me të cilin hidhte poshtë krejtësisht romanin  tim ”Pas gjurmëve”. Mbeta i shushatur. Ua dhashë ta lexonin  dy shokëve shkrimtarë për fëmijë,  në Berat, të cilët nuk  arrinin  të gjenin se ku qëndronin të metat këtij romani. Atëherë kërkova ndihmën e Odhisesë që ishte i zënë  me dy dorëshkrime të tij.  I la mënjanë ato dhe pas disa ditësh u takuam në shtëpinë e tij. Më shpjegoi se duhej të hiqja krejtësisht  kreu ne parë të romanit,  i cili, sidoqë ngërthente  ngjarje  gazmore të  fëmijëve, nuk lidhej organikisht me ngjarjet kryesore që pasonin pra, siç tha ai,  ishin  “mish i  huaj” në roman. Më bëri edhe disa vërejtje të tjera.

    Pasi i ndreqa këto të meta të romanit, që m’u dukën të arsyeshme, ia dërgova  redaksisë së fëmijëve në “Naim Frashëri”.  Dhe pa kaluar mirë tri javë,  filloi  procesi i redaktimit të romanit. E pëqafova Odhisenë me shumë mirënjohje për  ndihmesën që më kishte dhënë për këtë roman, të cilin  pandeha se nuk do të shihte kurrë  dritën e botimit.

    Odhisea nuk u mjaftua me kaq. Kur në vitin 1972 Kinostudioja “Shqipëria e  Re” shpalli një konkurs  për skenarë filmash artistikë  dhe “Pas gjurëve”  u bë një  libër i këndshëm për fëmijët,  ai më dha mendimin që mbi motivet e  tij të shkruaja një skenar dhe ta paraqitja në këtë konkurs. E falenderova, por ngurrova t’i përvishesha kësaj punë të koklavitur, ku nuk kisha asnjë përvojë. Por Odhiseja nuk m’u nda. E shkrova skenarin dhe e paraqita në konkurs. Dhe u habita, kur skenari “Pas gjurmëve” fitoi çmimin e dytë .  Ai tërhoqi dhe vemendjen e Xhanfise Kekos   që, ndërkohë nga montazhire, ishtë bëre regjisore e disa filmave artistikë për fëmijë. Ajo më takoi dhe me përzemërsi më  bëri vërejtje, që më mërzitën , sepse m’u dukën shumë të vështira për t’u realizuar. 

Ndërkohë, Xhanfiseja u mor me skenarë të filmave të tjerë për fëmijë dhe kjo punë u harrua. Por nuk harroi  Odhiseja, që një ditë më takoi ne Klubin e Lidhjesë së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe me nxiti që vërejtjet e Xhanfisesë, të njëllojta  edhe vëretje të tij,  ishin plotësisht të mundshme për t’u ndrequr dhe kështu skenari do të bëhej shumë I goditur. 

Përsëri  ngurrova. Por  këtë radhë ishte Xhanfiseja që një ditë  më takoi   enkas  dhe më kërkoi të lexonte skenarin, tashmë thuajse të  harruar. E lexoi shpejt dhe më bëri disa sugjerime. Ia dorëzova pas disa javësh.  Kur e takova,  më tha se e kishte lexuar së bashku me Endrin, burrin e saj, regjisor i njohur dhe se tashmë do ta paraqiste atë  në këllishin artistik. Por e lexoi sërishmi Odhiseja që më dha disa ide të të tjera me interes. Kështu, edhe pas vërjetjeve të tjera të këshilit artistik, skenari u miratua, brenda vitit 1978 u xhirua dhe filmi po atë vit u shfaq  na sallat e kinemave të vendit tonë.

Në gusht  të vitit 1979  në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për  Fëmijë në Xhifoni,  (Itali),  ai u nderua me çmimin e tretë midis filmave nga 95 vendeve të botës, që shënoi kështu nje sukses në kinematografinë tonë . Më uruan miq dhe shokë. Natyrisht edhe Odhiseja.

Por ndihmesa e tij nuk përfundoi me kaq. 

Kaluan vite. Ndërkohë më kishte  bërë shumë përshypje jeta e Bilal Xhaferit, shkrimtar me origjinë   çame, me babanë të pushkatuar nga diktatura komuniste si nacionalist, që kishte sjellë si pasojë që ai të katandisej si punëtor me punë nga më të  rëndat. Sidoqoftë, kjo nuk e kishte penguar të merrej me letërsi; kishte nisur të botonte tregime dhe poezi në faqet e “Zërit të Rinisë “dhe gazetës “Drita”, duke  dëshmuar se po bëhej nga shkrimtarët më të njohur. Por me ashpërsimin luftës së klasave  në vitet 1967 e tutje, atij iu mohua e drejta për të botuar, duke përfshirë edhe romanin me temë historike nga periudha e Skëderbeut”  “Krasta Kraus’. Në këto rethana, u shtrëngua të arratisehj në Greqi  dhe që andej në Amerikë, dhe atje  të demaskonte regjimin komunist në  faqet e revistës  “Krahu I Shqiponjës’, e cila     me nismën e tij nisi  të  botohej në Cikago.

Ishte Odhisea që pasi lexoi një skicë-idenë një romani që mendoja të shkruaja mbi motivet e jetës së Bilal Xhaferit, e pasuroi  atë me  detaje të reja dhe kështu midis viteve 1997-1998 unë shkrova romanin “Vdekja është midis nesh”,  kushtuar Bilal Xhaferit,( hamendësohet  se ëshë vrarë nga Sigurimi i Shtetit, i cili  e ndiqte edhe në mërgimin e largët.

   Romanin e dorëzova në vjeshtë të vitit 1998 në Shtëpinë Botuese “Toena”. I bindur se ai  do të priste radhën që të futej  në procesin e redaktimit, u mora  vetëm me shkrime  që u botuan në gazetat e kohës. Dhe ja, e papritura e këdshme. Një pasdite dëgjoj të trokitura në derën e apartamentit tim. E hap dhe shoh Odhisenë të qeshur,  që futet me një  libër në duar. Ma zgjat  mua. Në ballinë lexoj ”Vdekja është midis nesh”, autor , Skifter Këlliçi. Në faqen e brendshme  të librit, redaktor  Odhise  Grillo!…Mbeta i stepur  nga kjo e papritur kaq e këndshme. E kishte marrë dorëshkrimin nga ”Toena” e kishte redaktuar dhe ja,  më sillte kopje të tij. “Të përgëzoj, – me tha. –  Kisha dhe disa vërejtje të vogla ,por i kam ndrequr vetë…sepse ti je shumë I ngarkuar.( Kisha fituar ndërkohë lotarinë amerikane dhe së bashku me gruan dhe djalin po merresha me dokumentacionin  e ngatërruar të kësaj pune).

Në fillim të viti 1999 ishte Odhiseja që në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve  organizoi një takim me shkrimtarë dhe pjesëtarë të Shoqatës “Camëria”,  për të promovuar  këtë roman. Më kujtohet së ndër të tjerë romanit i bënë analizë dhe shkrimtarët e njohur çamë  Qamil Buxheli,  Bedri Myftari dhe Odhiseja, duke e cilësuar si roman që pasqyronte me vërteësi artistike disa nga momentet e jetës së mundishme të Bilal Xhaferit. 

Në ditët e para të vitit 1999, u largova nga Shqipëria për në Amerikë. Por pasi u ndava i përmalluar edhe me Odhise Grillon. Por fati desh që më pas  ai të vinte në  Nju Jork, ku kishte të afërm të tij. E mora nga Bostoni disa herë në telefon, lamë të takoheshim  dhe të  shmalleshin, por ai befas u sëmur…Ishte goditur nga hemoragjia cerebrale. Arriti një çast që nuk mund të komunikonim. U nda nga nga jeta në Nju jork  në muajt e parë  të vitin 2003 me dëshirën që të varrosej në Vuno, ku kishte lindur 71 vjet më” përmbledhjen me përalla  “Hajduti me çizme”,  librin me vëzhgime “Panorama  letrare”, të gjtha për fëmijë.

I shkrova këto radhë, për të kujtuar këtë shkrimtar të rallë në leërsinë tonë për fëmijë, që, mbi të gjitha, veç talentit, ishte fisnik dhe dhe gatshëm  të  jepte gjithçka që kishte në zemër dhe shpirt, që krijimet e shokëve dhe miqve të tij  shkrimtarë të dilnin sa më të goditura, ashu siç  veproi me dhe me mua. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Skifter Kelliçi

Sot, përkujtojmë 79-vjetorin e masakrave ndaj popullsisë Çame

June 28, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit. Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij genocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpënguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjestarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944.

Filed Under: Fejton

“5 mesazhe Euroatlantike mbas lirimit të 3 policëve të FSK” !

June 27, 2023 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Edhe pse i vonuar, sigurisht dhe pa asnjë mëdyshje është një lajm shumë i mirë lirimi i 3 policëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës !

Nga ana tjetër, përfshi dhe përtej kësaj ngjarje, mbeten disa vlerësime, mësime të nxjerra si dhe 5 mesazhe Euroatlantike që do të duhet të mos harrohen kurrë nga të dy palët si dhe faktorët Euroatlantik në rajon:

Së pari, arrestimi brutal, ose për edhe më keq përqasja ose ndërsjellja si shtet terrorist (Koreja e Kim Jong-ut apo Rusia – Putiniste) në hapësirën ndërkufitare mes dy shteteve sovrane/Europiane do të inventarizohet shumë gjatë si: “një ngarje që e turpëron Beogradin Zyrtar” !

Së dyti, duke thënë këtë: “as e justifikojnë, as e nderojnë Prishtinën Zyrtare qëndrimet delirante, mungesa e kodit të mirënjohjes kombëtare/fisnike si dhe reagimet/masat e pakonsultuara me çlirimtarët dhe garantët e vërtet të sovranitetit (USA/NATO)”!

Së treti, e çmoj si kohëm e duhur për të “punuar edhe më shumë për paqen duke mbjellë, vaditur dhe selitur masat e mirëbesimit reciprok si dhe për t’ju rikthyer dialogut pa kushte mes dy vendeve sovrane (Serbisë dhe Kosovës)”. !

Së katërti, përtej kësaj ngjarje dhe përkundër riciklimit të klimës të konfliktit si dhe të shpërdorimit të Beogradit Zyrtar për interesat e Rusisë – Putiniste, 24 vjet nga çlirimi Kosovës besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën Euroatlantike edhe për 6 vendet e Ballkanit perëndimor.

Së pesti, po ashtu, mbas 24 vjet pamvarësi të Kosovës, besoj edhe me fortë se forcimi bashkëpunimit me USA/NATO/UK/EU: “mbetet ende me peshe kritike jo vetëm për ta çliruar nga pushtimi Serb në qershor 1999 por edhe për ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës si dhe interesat mbarëKombëtare të RSh/Kosovës.

Me këtë rast, ri-Konfirmoj që ashtu si në mbi 35 vjet i angazhuar në fushën e sigurisë kombëtare dhe NATO-s: “mbetem edhe më tej ushtar i përkushtuar dhe i përulur i Atdheut për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë”.

* Ekpert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut;

Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish:

Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT