• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS 

March 7, 2023 by s p

“7 Marsi” – Dita e Mësuesit

Me rastin e “7 Marsit” – Ditës së Mësuesit

Zgjimi i identitetit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes ndër shqiptarët në këtë periudhë ishte i lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtarinë politike dhe botuese, por edhe me përpjekjet për shkollë në gjuhën shqipe.

Të tria sferat kulturore në të cilat ndahej Shqipëria, kishin sjellë me vete sisteme të ndryshme shkollash fillore të huaja. Shqiptarët e fesë islame mund të shkonin vetëm në medresetë në gjuhën turke, ku mësohej teologji dhe arabishtja.

Shqiptarët e fesë katolike nuk kishin fare shkolla, para se të ngriheshin institucionet arsimore, që ishin kryesisht italiane, nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe përreth saj në mesin e shekullit XIX. Këtu bën pjesë edhe një shkollë françeskane e ngritur në vitin 1855 si dhe Kolegjia Papnore e hapur nga jezuitët më 1859. Këtyre duhet shtuar edhe Kolegji i Shën Françesko Saverit, i njohur me emrin Kolegja Saveriane, që u hap në Shkodër më 1877. Në fillim të shekullit XX ky institucion, i drejtuar nga jezuitët pati mbi 400 nxënës.

Shqiptarët e fesë ortodokse në jug të Shqipërisë kishin mundësi të hynin në shkollat me bazë gjuhën greke.

Pra, deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mësimi në Shqipëri jepej në gjuhë të huaja, rrethanë kjo që e bëri të pamundur shkollimin e masave të popullsisë.

Porta e Lartë i shihte arsimimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj gjithë Shqipërinë në padije dhe errësirë të thellë. Edhe ndonjë shkollë në gjuhën shqipe, që kishte mundur të hapej, ishte mbyllur menjëherë.

Edhe kisha ortodokse greke në Shqipërinë e jugut e shihte veprimtarinë kulturore shqiptare si rrezik për monopolin e saj mbi shkollën. Madje ajo kërcënonte me shkishërim cilindo që pranonte alfabetin shqip, e madje në raste të caktuara, për të ruajtur statusin e vet, nuk iu resht as vrasjeve.

Në këto kushte të rënda, ideologët e lëvizjes së zgjimit kombëtar të Rilindjes në fund të shekullit XIX ia kushtuan një pjesë të mirë të energjive të tyre luftës dhe përpjekjeve për shkollat në gjuhën shqipe. Vetëm nëpërmjet këtyre shkollave shqiptarët do të mund të mësonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre shqipe dhe do të kapërcenin prapambetjen e së kaluarës.

Lufta për shkolla në gjuhën shqipe ishte në të vërtetë një luftë e dyanshme, si kundër Portës së Lartë që e kishte nxjerrë shkollimin shqip jashtë ligjit, ashtu edhe kundër kishës ortodokse greke, e cila e ndiente se do të humbiste autoritetin e saj mbi grigjën shqiptare nëse lejohej shkollimi në gjuhën shqipe. Në këtë pikë Patrikana ortodokse dhe autoritet osmane në brigjet e Bosforit ishin në pajtim të plotë.

Një nga mësuesit e parë shqiptarë të periudhës së zgjimit kombëtar ishte Petro Nini Luarasi (1865-1911). Ky ishte në pararojë të lëvizjes për çeljen e shkollave shqipe. Një tjetër figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare është Papa Kristo Negovani (1875-1905), i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Më 12 shkurt 1905 u masakrua nga banditët e hierarkisë ortodokse greke, bashkë me pesë shqiptarë të tjerë, midis tyre eshë i vëllai.

Ndër edukatorë të tjerë të shquar shqiptarë të kësaj kohe është familja Qiriazi ose Kyrias nga Manastiri. Nga kjo familje shquhen Gjerasim Qiriazi (1858-1894), vëllai i tij Gjergj Qiriazi (1868-1912), motrat e tyre Sevasti Qiriazi – Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970).

Me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), Gjeraqimit iu dha mundësia të studiojë në kolegjin amerikan në Samokov të Bullgarisë. Në këtë kolegj ndoqi shkollimin edhe i vëllai Gjergji. Më 1908 Gjergji ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Naim Frashëri i dha mundësi Sevasti Qiriazi – Dakos të studionte në kolegjin amerikan me emër Robert College në Stamboll dhe të luante një roj veprues në arsimimin e femrave shqiptare. Ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Edhe Parashqevi Qiriazi, e njohur edhe me emrin Paraskevi D. Kirias studioi në Robert College në Stamboll. Mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.

Figurë e shquar e arsimit katolik në periudhën e Rilindjes qe Anton Xanoni (1862-1915). Njihej edhe me emrin Ndoc Zanoni. Në zgrip të shekullit ushtroi ndikim në zhvillimin e gegërishtes. Vjen nga një familje jezuite. Më 1883 kreu shkollimin në Valencia të Spanjës.

Mati Logoreci (1867-1941) ishte edukator dhe botues Në Monfalkone afër Triestes bëri shkollë për mësues. Më 1 maj 1889 hapi një shkollë në Prizren, e para shkollë shqipe në Kosovë.

Arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, nën kujdesin e Kultusprotektoratit, e drejtonte konsullata austro-hungareze.

*   *   *

Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri (1850-1904) dhe bilbili i gjuhës shqipe – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen, në emrin e Pandeli Sotirit (1843-1891) për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.

Pandeli Sotiri ishte veprimtar i shkollës shqipe, dëshmor i Rilindjes Kombëtare. Lindi në fshatin Selckë të Lunxhërisë (Gjirokastër). Në Normalen greke të Qestoratit pati mësues atdhetarin Koto Hoxhi (1824-1895) i cili u mësonte nxënësve fshehurazi shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri studimet e larta për mjekësi i kreu në Vjenë. Mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” (1879-1891) në Stamboll dhe u zgjodh anëtar i kryesisë s saj. Bashkë me publicistin rilindës Jani Vreto (1822-1900) ndihmoi për formimin e degëve të “Shoqërisë së Stambollit” në kolonitë shqiptare të Bukureshtit, të Egjiptit etj. Jani Vreto ishte adhurues i kulturës helene. Për këtë arsye Faik Konica (1875-1942) e quajti grekoman. Pandeli Sotiri drejtoi revistën kulturore, arsimore e letrare “Drita-Dituria” (1884-1885). Emri i tij është i lidhur ngushtë me shkollën e parë kombëtare shqipe Mësonjëtorja Shqipe e Korçës si drejtor i parë i saj dhe mësimdhënës i lëndëve: aritmetikë, histori, gjeografi, mësim natyre dhe gjuhë frënge. Ishte një ndër nismëtarët e themelimit të “Shoqërisë së Mësimit Shqip” (1888) në Korçë. U vra pabesisht në Stamboll nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare, nga agjentët grekomanë.

*   *   *

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS – Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ishte një shkollë fillore me fizionomi të plotë kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Shkolla u hap në kushtet e pushtimit osman, me nismën e një grupi rilindësish dhe me mbështetjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Mësimi jepej falas për nxënësit meshkuj dhe femra të çdo lloj besimi fetar apo shtrese shoqërore. Nxënësit mësonin shkrim e këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, aritmetikë, gjeografi dhe histori të botës dhe të Shqipërisë etj. Drejtuesit a saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar.

Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të mëmëdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.

Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887 veprimtari i Rilindjes Kombëtare, veçanërisht i arsimit në gjuhën shqipe Thimi Vasil Marko (Korçë, 1855 – Korçë, 1922) i shkruante publicistit Visar Dodanit (rreth v. 1857-1939) në Bukuresht: “Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që mbollëm këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Përpjekjet e faqezinjve grekomanë dështuan.”

Drejtuesit e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naimi e Samiu dhe që ishin shtypur e dërguar falas nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.

Përveç Pandeli Sotirit që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar si veprimtari i Rilindjes Kombëtare Thanas Sina (1859-1934), Petro Nini Luarasi (1865-1911), atdhetari i Rilindjes Kombëtare Naum Dhimitër Naçi (1871-1927) i njohur si Nuçi Naçi, veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar Thoma Avrami (1869-1943) etj. Th. Avrami, si delegat i Korçës, mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në vitet 1911-1912 drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës.

Në pranverë të vitit 1891, pas Pandeli Sotirit, drejtimin e shkollës shqipe në Korçë e mori Petro Nini Luarasi. Njëherazi, ai ndihmoi edhe financimin e shkollave të tjera në Shqipërinë e jugut. P. N. Luarasi ishte edhe zëvendëskryetar i kongresit të dytë të Manastirit, më 1-6 prill 1910, në të cilin u zgjodh përfundimisht debati për alfabetin e shqipes. Vdiq në Gostivisht më 17 gusht 1911. Sipas të dhënave të caktuara, e helmoi kleri grek, në bashkëpunim me xhandarët vendës.

*   *   *

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë vendit dhe u bë nxitje për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, Leskovik,  Ersekë, etj. Shkrimi shqip filloi të mësohej edhe në mjaft fshatra. Shkollën shqipe në Pogradec e hapi vëllai i Pandeli Sotirit – mësuesi Koço Sotiri (1847-1909) më 14 mars 1887. Më 1889, shkolla shqipe u hap edhe në Prizren.

Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes, qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj.

*   *   *

Po në këtë kohë u themelua në Korçë Shoqëria e Mësimit Shqip në krye me Alo Dishnicën. Kjo shoqëri kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e aktivistëve, të shpërndarë në krahina të ndryshme të Shqipërisë, për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve dhe për shtypjen e teksteve shkollore.

*   *   *

Kundër shkollës shqipe të Korçës shpërthyen valë të furishme kundërshtimi nga qarqet antishqiptare greke. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të autoriteteve osmane. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra dhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra më 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Por, atdhetarët shqiptarë, mbarë populli shqiptar, të etshëm për dritë e dituri, kurrë nuk u përulën para trysnisë së forcave obskurantiste mesjetare që synonin t’i mbanin shqiptarët në errësirë.

*   *   *

Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës veproi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë dhe pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe nga disa klerikë antikombëtarë. Në prag të shekullit XX ajo u bë me gjashtë klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë, u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirimin kombëtar, në rrugën e pandalshme të kombit shqiptar drejt integrimit në familjen perëndimore.

*   *   *

Shkolla e vashave në Korçë – Hapja e të parës shkollë shqipe, të njohur zyrtarisht, në Korçë më 1887, e frymëzoi Gjeraqimin dhe të motrat Sevasti e Parashqevi, të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900) dhe të misionarëve amerikanë e anglezë, ato morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetot 1991 hapën të parën shkollë shqiptare të vashave në Korçë.

Mësuese të para të kësaj shkolle ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, e lindur në Manastir, Polikseni Luarasi dhe Parashqevi Qiriazi. Polikseni Luarasi, e lindur në Korçë në vitin 1880, ishte e para mësuese që dilte nga bankat e shkollës së parë shqipe për vashat në Korçë. Njëherazi, ajo është edhe e para tipografe femër në Shqipëri.

*   *   *

Prej vitit 1960, “7 Marsi” festohet si ditë e mësuesve dhe e nxënësve, si përkujtim i themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Në këtë festë vlerësohen traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri, si veprimtarë dhe ndërtues aktivë të një shoqërie të përparuar. Kjo ditë festohet me nderim çdo vit në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.

Festohet pra në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ndër çamë. E feston edhe diaspora shqiptare në Evropë, në ShBA etj.

 Xhelal Zejneli

Filed Under: Fejton

Sa dhimbje ndiej nga larg…

February 28, 2023 by s p

Haris Vongli/

Mungesën time në vendin tim unë e shoh tek mediokriteti që ka plakosur atje. E di që i mungoj asaj pjese në zhdukje, asaj kategorie që s’bën kompromis me diktaturën dhe propagandën, me korrupsionin kancerogjen gjithpërfshirës; me ata që u dhëmb realiteti dhe e luftojnë atë.Shqipëria po shkatërrohet nga të vetit, zonja dhe zotërinj; po i bëni gropën, ca me vetëdije të plotë e ca pa busull, të tmerruar nga mjerimi dhe nevoja për bukë. Mungesën time e shoh tek heshtja patologjike e përfaqësuesve të brezit tim (se për brez tollonash s’dua të flas – fajtorë që lindën e rritën të papërgjegjshëm janë); ajo pjesë e brezit tim që ka mbetur në Shqipërinë tonë – politika e së cilës largoi tej më të aftit, më idealistët, ata me shpirtin e drejtësisë. Rrugët e botës janë të rënda, janë të mundimshme, janë pa diellin e shtëpisë tënde. Ju të kollarisur e ju të lënë në injorancë na dëbuat nga krahët e nënave. Si nuk ka një këshilltar (gjitholog) që të bëj kritikë, analizë-sintezë, opozitarizëm, të flasë realitetin? Po si mund të pranoni GJITHÇKA e mos ngrini pikëpyetje për DIÇKA – sado të vogël?! Ndërkombëtarë, organizata, fondacione, media, o shqiptarë, çfarë roli e misioni keni në jetë? Unë nuk bëj dot gjë më shumë se kaq, se ua kam lënë servilave punën, atë punën që po prodhon modelet më amfibe të politikës lokale e qëndrore; modelet më destruktive të politikbërjes, modelet më të shëmtuara e të pashpresë në shoqëri, arsim, ekonomi, media, mjeksi, kulturë, art, KUDO. Sa dhimbje ndiej nga larg. Nuk po e njoh më të mirën në vendin tim! Ju qofshi!

Filed Under: Fejton Tagged With: haris vongli

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 25, 2023 by s p

Filed Under: Fejton

DY VËSHTRIME TË PAPAJTUESHME TË BOTËS

February 24, 2023 by s p

Nga PAOLO VALENTINO/

Nëse tridhjetë viteve më parë do t’i kishim dhënë të drejtë Francis Fukuyamës, kur lajmëroi “fundin e Historisë”, atëherë sot do të duhej të thonim se Historia ka rifilluar. Nuk është kështu, natyrisht, sepse ajo nuk ka përfunduar kurrë. Por ajo që ndodhi dje, 21 shkurt 2023, në trekëndëshin Kiev-Varshavë-Moskë, qëndra e re e fateve evropiane, sigurisht I përket atyre që Stefan Zweig përcaktonte “çaste fatale”. Dy burra, dy fjalime, dy sisteme të papajtueshme ndërmjet tyre.

Për të parën herë që nga rënia e murit të Berlinit, një  ndryshim i kundërt e pa hapje fuqizohet plastiçisht ndërmjet dy fushave: asaj të Vëndeve demokratike nën udhëheqjen amerikane, në luftë për mbrojtjen e lirisë e së drejtës për vetëvendosje të çdo populli, dhe asaj të një Rusie rish-perandorake, që autokrati i saj e thërret në një luftë të gjatë të kthyer në qenësore, duke mbyllur çdo kanal të mbetur komunikimi, aq më pak të bashkëbisedimit me jashtë, duke ngritur urat kundër çdo ndikimi të Perëndimit armik e të degjeneruar.

Ndoshta duhet të ngjitemi para vdekjes së Stalinit, më 1953, për të gjetur në Kremlin gjurmët e një modeli të tillë, të zotëruar nga vullneti i thyerjes përfundimtare dhe paranojës strategjike, si ai i përvijëzuar dje nga Vladimir Putini në Gostini Dvor. E vërteta e përmbysur  për luftën e shpërthyer nga “Perëndimi i përbashkët” dhe elitat e tij, të vendosur njëherë e përgjithmonë të “likuidojnë Rusinë duke përdorur Ukrainën si kukull”, përbën parakushtin e një ripohimi të një stili të lashtë: “Në çështjen e mbrojtjes së Rusisë duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të mbrojtur të drejtën tonë historike e më të lartën: të drejtën për të qënë të fuqishëm”, ka thënë presidenti rus duke përsëritur Pjotër Stolipinin, kryeministrin e Nikollës së II mbas revolucionit të vitit 2005. Nuk ka hapësirë për dyshime apo mefshtësi, në këtë teoremë putiniane: mbi të gjitha “asnjë keqardhje” për oligarkët, që kanë humbur pasuritë miliardere në bankat ndërkombëtare e që mund të ringjallen vetëm nëse këthehen të investojnë në atdhe.

Goditja teatrale, pezullimi i pjesëmarrjes ruse në Traktatin New Start, që kufizon në 1500 raketat bërthamore të Moskës e të Washingtonit, arriti në fundin e 100 minutave të fjalimit të Putinit. Nuk ndryshon asgjë në gjëndjen aktuale, me kontrollet në arsenalet, në fakt të pezulluar më shumë se dy vite më parë, për shkak të pandemisë më parë e pastaj të padive të ndërsjellta ndërmjet Rusisë e Sh.B.A. për mos respektimin e zotimeve. Por është deri diku treguesi që epoka e kontrollit të armatimeve, e nisur nga koha e Brezhnjevit, është në grahmat e fundit. Është pothuaj e pamundur të mendohet për  bisedime për një tjetër traktat, Starti i Ri që mbaron përfundimisht më 2026, në zbrazësirën absolute të komunikimeve e besimit ndërmjet dy Vëndeve.

Në hapësirën e pak orëve, përpara kështjellës së Varshavës, Josef Bideni, ka përvijëzuar një tjetër vështrim të botës, të themeluar mbi mbrojtjen e lirisë e të demokracisë. Duke u kthyer nga Kievi, ka cituar Putinin vetëm një herë, duke mohuar me forcë që Perëndimi po kërkon të sulmojë apo të shkatërrojë Rusinë, duke kujtuar se ka qënë kryetari i Kremlinit që ka zgjedhur luftën. Presidenti amerikan këtë herë nuk e ka përcaktuar kriminel të luftës, por ka thënë qartë se “do të veprojmë kundër atyre që janë përgjegjës për luftën”. Mbi të gjitha Bideni ka dashur të luajë lojën e drejtuesit, duke dhënë përfytyresën e një Zeitgeisti (Shpirti kohës) të Perëndimit, sikur të dojë të sigurojë aleatët perëndimorë, të shqetësuar për qëndrueshmërinë në kohë të mbështetjes ushtarake, ekonomike e politike të Ukrainës, siç doli edhe mbas perdes së Konferencës së Mynihut.

Në të shkuarën e Historisë evropiane, përsëri të shënuar nga një thyerje e thellë e për çastin, e pashërueshme, Lindje-Perëndim, udhëtimi në Kiev e fjalimi në Varshavë të Jozef Bidenit nënvizojnë megjithatë barazpesha të reja gjeostrategjike, në të cilat qëndra e politikës evropiane të  Shteteve të Bashkuara tashmë është zhvendosur drejt Lindjes  dhe partnerët evropiano lindorë e veriorë të NATo-s kanë fituar një peshë më të madhe se sa kanë në vështrimin e botës së Vëndeve të Evropës karolinge. Nuk është e rastit që dje në kryeqytetin polak Bideni ka takuar drejtuesit e t’ashtuquajturit “Nëntë të Bukureshtit”, pra Bullgarinë, Estoninë, Rumaninë, Lituaninë, Letoninë, Poloninë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Janë këta tani kufiri i ri perëndimor, ashtu siç ishte Gjermania gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërsa Ukraina e lirë në luftën për liri e pavarësi ka tani popullaritetin e Berlinit Perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë.

Në errësirën e mesditës së çerek rrethit evropian përsëri prè e së shkuarës që rikthehet, përveç vendosmërisë dhe lidhjes, Perëndimi nuk duhet të harrojë të ngrejë shikimin mbi belegët e së ardhmes, në të cilët  nuk shquhet Rusia e prapambetur dhe e blinduar e Vladimir Putinit por Mbifuqia e re kineze. E të kërkojë barazpeshën e drejtë ndërmjet mbështetjes së domosdoshme për Kievin dhe nevojës për të shmangur që Pekini të njëjtësojë në aleancën me Moskën përparësinë e tij strategjike.

“Corriere della Sera” 22 shkurt 2023  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton

Thika

February 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/


Gjithçka rreth sicilianëve dhe shqiptarëve është e ngjashme. Është e mundur që Sikelët dhe Sikanët e epokës së hekurit të përbëheshin nga një popullsi ilire, e cila (si siç ndodhi me Mesapianët) kishte hyrë mes një popullsie vendase, paraindo-evropiane (“mesdhetare”).
Një teori, e paraqitur nga disa studiues, sugjeron se sicanët ishin emigrantë ilirë, të cilët fituan kontrollin e zonave të banuara më parë nga fise vendase.Romakët e konsideronin ‘sica’ si një armë të veçantë ilire. Arma kryesore përleshje e ilirëve ishte Sica.Sipas historianit John Wilkes:Edhe pse një shpatë e shkurtër e lakuar përdorej nga disa popuj rreth Mesdheut, romakët e konsideronin sica si një armë të veçantë ilire të përdorur nga ‘vrasësi’ i fshehtë (sicarius).Kjo fjalë ndoshta nga proto-shqipja tsika (nga shqipja thikë, “thikë”), nga rrënja proto-indo-evropianja ‘to sharpen’- (“për të mprehur”) ndoshta e ardhur nëpërmjet ilirishtes.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT