• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria digjet, Tullaci krihet  – “Fluturon, fluturon… Canadair”

August 19, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi 

Resize the graphic to display the full text and complete figure

Shqipëria këtë verë nuk është thjesht “vendi i shqiponjave”, por vendi i zjarreve. 50 mijë hektarë pyje e tokë janë bërë hi nga janari deri sot, duke kaluar rekordin e vitit të kaluar, e ende kemi përpara muajin më të nxehtë. Një jetë njerëzore humbi në Gramsh, por ky është një detaj i vogël në skenarin ku protagonisti kryesor nuk është zjarrfikësi, por kryeministri i vendit, i ulur rehat në vilën luksoze të Dhërmiut, duke shkruar statuse për “lehaqenë” në vend që të shohë flakët që po i hanë vendin.

Ligji thotë se duhet të kemi një zjarrfikës për çdo 1,500 banorë dhe 14 zjarrfikës për stacion. Realiteti? Shqipëria ka 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe vetëm 0.9 makina për 10,000 banorë. Mjete të kohës së qepës, lopata e bidona, dhe pas “operacionit” djemtë e zjarrfikësit shtrihen të rraskapitur në asfalt, si ushtarë të braktisur pas beteje. Kamerat termike mungojnë, avionët zjarrfikës janë fantazi, dhe strategjia e vetme e qeverisë është: “Lëreni të digjet, pastaj bëjmë një foto nga ajri për Facebook.”

Ndërkohë, kryeministri – në vitin e 13-të të pushtetit – jo vetëm nuk mban përgjegjësi, por shan gazetarët dhe i përqesh qytetarët që kërkojnë llogari. Ai harron premtimin e 25 marsit 2025: “Këtë verë do të kemi dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për Shqipërinë.” Sot avionët nuk ekzistojnë, por gënjeshtrat po – dhe ato fluturojnë më shpejt se çdo helikopter i huazuar nga fqinjët.

Shqipëria është kthyer këtë verë në një furrë gjigante. 50 mijë hektarë tokë dhe pyje janë bërë hi, një jetë njerëzore është humbur në Gramsh, dhe në shumë zona tymi ka zëvendësuar ajrin. Por në bregdetin e Dhërmiut, lideri i kombit ka hapur një resort të ri të komunikimit publik: “Mirëmëngjesi me shezlong”.

Zjarrfikësit luftojnë me lopata, bidona dhe shishe plastike – arsenal i vitit 1978 – ndërkohë që ligji kërkon shumëfishin e forcave e pajisjeve që kemi. Kamerat termike? Luks. Avionët zjarrfikës? Përrallë. Dhe kur del pyetja: “Po premtimi i dy avionëve për këtë verë?”, vjen spektakli i ri veror i qeverisë – një lojë popullore që luhet direkt nga shezlongu:

Rama (si udhëheqës loje):
“Fluturon, fluturon… zog golashë?!”
Publiku: “Fluturooon!”

“Fluturon, fluturon… peshk shulaku?!”
Publiku: “Jo!”

“Fluturon, fluturon… Canadair?!”
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo, nuk fluturon, se edhe po të fluturonte, nuk do bënte punë!”

Dhe loja vazhdon derisa flakët të bëjnë punën e tyre. Dhe Rama pikturon i qetë…

Në mars të këtij viti, Rama tha me solemnitet:“Flota jonë ajrore do të ketë këtë verë dy avionë zjarrfikës në gatishmëri.”

Por gushti erdhi dhe avionët jo. Në vend të tyre, kemi krahasime filozofike me Greqinë: “Edhe ata kanë 77 avionë e digjen.” Pra, sipas kësaj logjike, më mirë mos të kemi fare avionë – se zjarri shuhet më shpejt me status në Facebook se me ujë nga ajri.

Ironia është se në gushtin e vitit 2012, opozitari Rama e përqeshte Berishën: “Shqipëria digjet, kryeministri krihet!”. Sot Shqipëria digjet, kryeministri krihet… por me krem kundër diellit, me krehër imagjinar dhe me një refren të ri: Fluturon, fluturon… Canadair? Jo! Nuk fluturon!

Çdo verë, skenari është i njëjtë: zero parandalim, reagim i vonuar, pajisje të pakta, ndihmë nga jashtë. E vetmja gjë që ndryshon është retorika. Dikur zjarret ishin armë politike kundër pushtetit, sot janë pretekst për të fyer qytetarët dhe për të bërë humor me tragjeditë.

Në Shqipërinë e vitit 2025, avionët zjarrfikës nuk fluturojnë. Fluturon vetëm propaganda. Dhe krehri i një kryeministri që, edhe në mes të tymit e hirit, di të luajë një lojë fëmijësh për të mos u marrë me punën që i takon.

Sepse ndërsa vendi digjet, Tullaci krihet… dhe pyetja e vetme që dëgjohet mbi zhurmën e flakëve është: Fluturon, fluturon… Canadair?
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo!”

Dhe vendi përcëllohet…

Filed Under: Fejton

Kategoritë e komentuesve në rrjetet sociale dhe ç’duhet të bëjmë me ta

August 19, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Të gjithë ata që përdorin rrjetet sociale duke postuar statuse, apo bëjnë komente gjithëfarësojsh, unë i ndaj në gjashtë kategori:

1. Ata që kanë nivel i ulët intelektual, që nuk kanë minimumin e formimit gjeneral dhe janë me IQ të ulët. Kanë avantazhin që facebook-u, instagram-i, tik-toku, u ka dhënë mundësinë të japin publikisht mendimin e tyre pas shpikjes së rrjetjeve sociale. Këta që deri dje e shumta shprehnin mendimet e tyre në klubin e fshatit, tani kanë një oqean mundësie që të gjitha budallallëqet i tyre ti lexojë e gjithë bota. Fatkeqësisht janë një kategori masive që e perceptojnë tastierën si një mrekulli. Kanë mendësinë që mjafton të shtypin butonat dhe fjalët e tyre janë mrekullia mbi tokë. Japin mendim për gjithçka edhe pse nuk dinë asgjë. Komentojnë për një ngjarje politike pa qenë fare të informuar. Komentojnë për Donald Trump-in si të bëhej fjalë për çobanin e fshatit. Japin mendim për filmin e fundit të Hollywood edhe pse “Titanic-un” e prodhuar në 1997 e panë për herë të parë në 2007. Japin mendim për librin e fundit best seller në Tiranë me arsyen se janë edhe ata autorë, sepse edhe ata kanë shkruar një libër, ndonjëse ai është për fshatin e tyre. Rrethohen nga të njëjtin nivel dhe mendojnë se të gjithë janë ashtu si ata. Por, nuk e dinë të shkretët se mendimi i tyre vlen po aq sa dikur në klubin e fshatit. Këta i shpërfill.

2. Ata që janë përherë të mllefosur. Shkruajnë, postojnë dhe komentojnë vetëm negativisht. Atë që nuk kanë arritur dot në jetë, mundohen ta kompesojnë duke shpërndarë në facebook energji negative. Nuk lënë faqe dhe profil pa komentuar me fjalë vulgare dhe të pista. Siç e thotë miku im Luan Laze për këta facebook-u është vendi ku shkruhet diagnoza. Për këta shtyp butonin block.

3. Ata që fshihen me profile false dhe ushtrojnë sportin më të pistë në botë: komentuesit e paidentifikuar. Pa elementët bazë të një burrërie, kjo kategori komenton, shan, shpif, bën ngatërrestarin, duke bërë lëmsh një dynja të tërë. Fatkeqësia shtohet kur më rezulton se shumica e këtyre jetojnë jashtë Shqipërisë dhe unë ende nuk e di arsyen përse. Sigurisht që ky stil është shndërruar një mani, por mjekët spikatër duhet të zbulojnë një diagnozë më preçize për ata. Për këta butoni block nuk mjafton.

4. Militantët e partive. Oh ç’janë ata! Majtas dhe djathtas, këta janë kategoria më e çuditshme dhe që shkaktojnë më shumë pasoja. Janë gati të hidhen në fyt përse në statuset e tua nuk lavdëron partinë e tyre dhe nuk godet me forcë kundërshtarët politikë. Është pikërisht kjo kategori që e shfaq më hapur polarizimin e shoqërisë sonë. Siç nuk e kuptojnë dot që nuk mund të kesh bindje si ata, ata nuk e konceptojnë dot gjithashtu që një njeri normal mund të ketë gjykime të ekuilibruara dhe kjo të jetë normale. Edhe një pyetje normale për një politikan këta e quajnë provokim të rëndë me pasoja për kombin. Megjithatë për këtë kategori duhet patur respekt sepse janë të sinqertë nën militantizmin e tyre. Let it be!

5. Ajo kategori e atyre që janë gjysmë të ditur. Të formuar në çdo aspekt përgjysmë, këta kanë arritur diçka në jetë, por jo gjithçka për të qenë të aftë të shprehin mendime të sakta dhe të qarta. Këtë status gjysmak përpiqen ta kompesojnë duke shkruar dhe komentuar disa herë mirë dhe disa herë negativisht sipas interesit që u vjen për mbarë. Kthehen në grafomanë dhe kanë vullnetin të japin mendim edhe pse nuk ua kërkon kush. Nuk e pyesin asnjëherë veten se çfarë përfaqësojnë dhe çfarë kanë bërë në jetë dhe më e rëndësishmja a vlen mendimi i tyre. Këta ose e ngrejnë dikë në qiell, ose e groposin shtatë pashë nën dhe. Këta më argëtojnë pa masë. Kjo kategori realisht meritojnë tu bësh një koment. Po një koment ama, jo më shumë. Se gjysma tjetër kushedi se çfarë pjell. Kur bëhen shumë, unë i përdor si elemente të rëndësishëm në studimet e mia.

6. Ata që bëjnë komente normale dhe dallohen nga mendimi i thellë dhe i qartë. Nuk para lavdërojnë, por kanë një sens debati dhe polemike falë një formimi të lartë gjeneral, të kompletuar për të cilat ke dëshirë ti lexosh. Statuset e tyre janë plotë dije, informacion, kulturë dhe është fat që prej tyre të marrësh vërejtje, kritika, lëre pastaj lavdërime që do ishte si një dekoratë në qafë. Janë aset në rrjetet sociale dhe është fat që i ke friends dhe komunikon me ta. I mbaj fort. Sa dëshirë kam që këta t’i intervistoj dhe t’i kem pjesë në emisioneve të mi!

Si përfundim, panorama e komentuesëve në rrjetet sociale i ngjan kësaj fotografie (Kortezi e Eljan Taninit) po shoqëroj këtë shkrim. Pastaj, është “klienti” ai që zgjedh ta lexojë, të vështrojë, të argëtohet, ta shpërfillë, apo edhe të blejë aty.

Filed Under: Fejton

Masakra e Mirditës

August 18, 2025 by s p

Kastriot Dervishi/

Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, në orën 16.30 të dielën e datës 7.8.1949 në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë.

Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.

Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafoi drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:

-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)

-84 të kategorisë së dytë (për dënime me heqje lirie)

-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).

Shehu kërkoi edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandoi që Gjykata e Lartë Ushtarake të vinte në Rrëshen më 12 gusht.

Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë. Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Të 26 të pandehurit u arrestuan më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë nga nënkolonel Bilibil Klosi, kapiten I Sotir Spiro, kapiten II Nonda Papuli, duke pasur pranë ndihmësprokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi u zhvillua i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuan (me përjashtim të njërit) “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. Me vendimin nr.98, datë 16.8.1949, 14 veta u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më i riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Praktika u mbyll shpejt dhe më 17 gusht vendimi u ekzekutua.

Filed Under: Fejton

Pse policët në anglisht thirren “cop” dhe lidhja me foljen shqipe “kap”

August 12, 2025 by s p

Studim socio-linguistik nga Rafael Floqi/

T’u thuash policëve “cops” në SHBA është një zakon që daton që nga shekulli XIX. Asnjë fjalë zhargoni për një profesion nuk e ka zëvendësuar aq shumë emrin origjinal të punës sa fjala “cop”. Fjala “cop”, (shqiptohet kap) përdoret si zhargon për “polic”, rrjedh nga folja angleze “to cop”, që do të thotë “të kapësh” ose “të arrestosh”. Kjo folje është dokumentuar që nga viti 1704 dhe besohet se vjen nga frëngjishtja e vjetër “caper” dhe latinishtja “capere”, që do të thotë “të kapësh” ose “të marrësh” . Me kalimin e kohës, “copper” u përdor për të përshkruar një polic, që më pas u shkurtua në “cop”. Ndërsa mediat dhe dokumentet zyrtare qëndrojnë te termi i gjatë “police officer” (oficer policie), shumica e njerëzve thonë shkurt “thirra cops,” “u ndalova nga një cop,” ose, nëse dita ishte me të vërtetë e trazuar, “u arratisa nga cops.”

Por si përfunduan oficerët e rendit të quhen “cops” dhe origjina PIE e fjalës.

Ka disa versione “të bukura” për origjinën e kësaj fjale që qarkullojnë, por fatkeqësisht asnjë nuk është e vërtetë. Jo, fjala “cop” nuk është akronim për Constable on Patrol (qëndrues në patrullë – “constable” që është termi britanik për policin). As nuk është shkurtim i copper, që lidhet me materialin prej bakri të përdorur dikur për stemat ose butonat e uniformave të policisë.

Origjina e fjalës angleze “cop”

Në SHBA, “cop” u bë termi më i përdorur, ndërsa në Britani dhe Australi mbeti popullor copper. Edhe pse zakonisht shihet si një fjalë neutrale – ndryshe nga pig (derr), që ka kuptime fyese – disa nuk e pëlqenin. Sipas Snopes, J. Edgar Hoover e urrente të quhej “top cop” kur ishte drejtor i FBI-së. Po, ekziston një lidhje interesante midis fjalës angleze “cop” dhe fjalës shqipe “kap”, të dyja të lidhura me konceptin e kapjes ose arrestimit, dhe që ndajnë një origjinë të përbashkët indoevropiane.

Origjina e fjalës shqipe “kap”

Fjala shqipe “kap” gjithashtu ka kuptimin “të kapësh” ose “të marrësh”. Ajo rrjedh nga proto-shqipja “*kapa”, e cila ka origjinën nga rrënja proto-indoevropiane “*kap”, që do të thotë “të kapësh” ose “të marrësh” . Kjo rrënjë është e përbashkët në shumë gjuhë indoevropiane, duke përfshirë latinishten “capere”, gjermanishten e vjetër “habjaną” dhe greqishten e lashtë “κάπτω” (káptō) .

Fjala shqipe bazë “kap” që ka të njëjtin shqiptim si në anglisht dhe ka rrënjë të qarta në fondin indoevropian, por udha e saj deri në formën e sotme ka kaluar nëpër ndikime të shumta gjuhësore dhe historike.

Shumë studiues e lidhin “kap” me një rrënjë të lashtë indoevropiane që ka kuptimin “të marrë, të zërë me dorë”. Disa kandidatët kryesorë janë: *kap- ose *kapə- (PIE – Proto-Indo-European) → kuptimi themelor “të marrë, të kapësh, të mbash”.

Nga kjo rrënjë kanë dalë: latinishtja capere (“të marrë, të kapësh”) frëngjishtja e vjetër caper, chaper (“kap, merr”) ; italishtja capire (“kuptoj”, fjalë që fillimisht lidhej me “kapjen mendore” kuptimin e një ideje); anglishtja capture (përmes frëngjishtes nga latinishtja); spanjishtja coger (nga e njëjta rrënjë latine).

Rruga e fjalës “kap” në shqip

Në shqip, fjala “kap” është pothuajse me të njëjtën formë si latinishtja capere në temën e saj themelore (cap-). Ky fjalë e hershme (para latinishtes së vonë), sepse ruan strukturën e thjeshtë njё rrokëshe kap- pa prapashtesa. Trashëgimi më e lashtë nga proto-ilirishtja me të njëjtën rrënjë PIE (*kap-), e përforcuar më pas nga ndikimi latin. Në këtë skenar, ilirishtja kishte tashmë një folje të ngjashme me kuptimin “zë, marr”, dhe latinishtja “capere” vetëm sa e konsolidoi formën.

Paralele në gjuhë të tjera indo-evropiane Latin: capere – “të marrësh vesh, të zësh” ;; Sanskrit: gabhasti (“kapje, dore” – rrënjë e ngjashme semantikisht) Greqisht e vjetër: καπτω (kaptō) – “marr, kap, gëlltit” Lituanisht: kãpti – “ta kapësh me gojë”; Gjermanishtja e vjetër: hafjan (kap, merr) – nga rrënjë tjetër por me kuptim të njëjtë.

Zhvillimi semantik në shqip

Në shqip, “kap” ka ruajtur kuptimin fizik bazë (“të marrë me dorë, të zësh”), por është zgjeruar edhe në: kap me mend – në kuptim figurativ “të kuptosh” ; kap shpejt – “reagoj shpejt”; kap në flagrancë – përdorim ligjor. Ky zgjerim kuptimi është i njëjtë me atë që ndodhi në latinisht (capere → “kuptoj”) dhe italisht (capire).

Gjuha proto-Indo-Europiane (PIE) nuk ishte një gjuhë monosilabike siç pretendojnë disa të ashtuquajtur gjuhëtarë facebuku,— rrënjët e saj themelore leksikore zakonisht ishin të formës (B)BZB(B), shpesh me zanore të plota ose të reduktuara. Rrënjë si *bher- (“të mbartësh”), *dʰewbʰ- (“thellë”) ose *ster- (“i ngurtë”) ishin kryesisht rrënjë monosilabike, por mund të zgjeroheshin me prapashtesa dhe mbaresa inflekcionale. Shumë fjalë PIE ishin kështu monosilabike në rrënjën e tyre, por u bënë polisilabike pasi u shtuan mbaresa ose parashtesa.

Gegërishtja tenton të ruajë disa grupe bashkëtingëlloresh dhe të zvogëlojë zanoret e patheksuara më agresivisht sesa toskërishtja. Shembull: Gegërishtja kryp “kripë” kundrejt toskërishtes kripë < latinishtja salem përmes një forme më të hershme. Kjo mund ta bëjë gegërishten të duket “më e vjetër” ose “më koncize” në numrin e rrokjeve, por kjo nuk është gjithmonë një mbijetesë e drejtpërdrejtë nga PIE — shpesh është njё erozion fonetik i mëvonshëm.

Ca fjalë për fjalën “polic”

Fjala angleze “police” rrjedh nga frëngjishtja e mesme (Middle French) police, që do të thotë “rend publik”, “administratë” ose “qeverisje”, e cila nga ana e saj vjen nga latinishtja politia, që do të thotë “administratë civile”. Kjo termologji gjurmohet deri tek greqishtja e lashtë πολιτεία (politeía), që do të thotë “qytetari”, “administratë” ose “polici civile”, dhe rrjedh nga fjala πόλις (pólis), që do të thotë “qytet”. Etym Online More Merriam-Webster.

Në përdorimin e hershëm anglez (rreth viteve 1530–1600), fjala “police” i referohej në mënyrë të gjerë rregullimit dhe kontrollit të komuniteteve – praktikisht është sinonim me policy (politikë) Etym Online Patricia Meredith. Me kalimin e kohës, veçanërisht në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XVIII, kuptimi u ngushtua duke filluar të përfshinte menaxhimin e rendit publik dhe zbatimin e ligjit, ndikim i cili erdhi kryesisht nga përdorimi në France Deri rreth viteve 1800–1810, fjala “police” filloi t’i referohej veçanërisht një force të organizuar civile, e ngarkuar me mbajtjen e rendit publik dhe parandalimin e krimit. Subjekti i parë në Angli që quhej “police” ishte Marine Police, themeluar në vitin 1798 për të mbrojtur mallrat në Portin e Londrës.

Ne shqip fjala polic, oficer policie ka hyre vonë. Në shqip, madje termi “milic” (ose “milici” në disa përdorime) dhe “polic” (ose “polici”) kanë dallime të qarta historike, strukturore dhe kontekstuale.

“Milic” / “Milicioner” vinte nga sistemi i ish-Jugosllavisë dhe periudha komuniste, ku administrata dhe strukturat e rendit ishin formatuar sipas modelit të “Milicisë” (srbo-kroatisht: milicija). Për shembull, në Kosovë gjatë komunizmit, përdornin tituj si milicioner, organ i punëve të brendshme, etj..

“Polic / Policia” është term modern, i cili është adopuar nga ndikimet perëndimore (italiane, angleze e amerikane). Në Shqipëri prej vitit 1913 u themelua “Policia e Shtetit” (State Police, Policia e Shtetit) si autoriteti kryesor i zbatimit të ligjit Wikipedia. Termi shqiptar “Policia e Shtetit” vjen prej direkt nga Polizia di Stato italiane. Milicia dhe Policia ishin struktura të epokës komuniste që nuk funksiononte vetëm si polici civile, por edhe për shtypje politike dhe ruajtje ideologjike. Në Shqipëri, në periudhën 1945–1991, ekzistonte “Policia Popullore” ishte pjesë e sistemit të brendshëm nën kontroll të ngushtë politik të regjimit komunist.

Po pse ka shumë fjalë zhargon pёr policët

Fjalët zhargon për policët në anglisht dhe në shqip janë të pafund, por vetëm disa terma kanë mbijetuar.

Në shqip , rrufjan – term i vjetër për autoritet të padëshiruar, rendori – nga “policia e rendit”, garda – në të kaluarën për trupat e mbretërisë, xhandar – përdorur gjatë Perandorisë Osmane për forcat e rendit, i plotfuqishëm, polici i lagjes, uniformat Blu, shqiponjat, etj. Në të folurin urban, sidomos në Tiranë, Durrës e Shkodër, fjala “kalec” përdoret për njё polic që bën punët e pista për dikë tjetër: “Ai është vetëm kaleci i shefit.”

Origjina e termit 12 në anglisht nuk është aq e qartë. Ky numër, i përdorur shpesh në hip-hop për policët, mund të lidhet me kodin radiofonik të policisë 10-12, që do të thotë se ka civilë të pranishëm ose të pritet për udhëzime të tjera. Me kalimin e kohës, komunitetet mund ta kenë shkurtuar në “12” për t’u paralajmëruar për praninë e policisë.

Origjina e termit 12 në anglisht nuk është aq e qartë. Ky numër, i përdorur shpesh në hip-hop për policët, mund të lidhet me kodin radiofonik të policisë 10-12, që do të thotë se ka civilë të pranishëm ose të pritet për udhëzime të tjera. Me kalimin e kohës, komunitetet mund ta kenë shkurtuar në “12” për t’u paralajmëruar për praninë e policisë.

Një tjetër teori thotë se një njësi narkotikësh në Atlanta kishte numra njësish që fillonin me 12, duke e lidhur kështu numrin me policinë. Terma të tjerë zhargoni për policët : Cop, Copper, Pig, 5-0, 12 , Fuzz, Boys in blue (djemtë në blu) , Po-po.

Një shembull është 5-0 (Five-0), që mendohet se vjen nga seriali policor “Hawaii Five-0” (1968–1980). Në serial, “Five-0” i referohej faktit që Hawaii ishte shteti i 50-të.

Humoristi i madh, Charlie Chaplin, e ngarkon figurën e policit si një simbol të dhunës së shtetit, dhe për këtë arsye në filmin e tij Police (1916) e portretizon atë si objekt humori. Kjo mënyrë për t’u tallur me ligjet apo ata që i zbatojnë ofron një mënyrë të sigurt dhe komike për të sfiduar autoritetin. Në filmin Police të vitit 1916, Chaplin luan rolin e një ish-fajtori i liruar nga burgu që përfshihet në situata komike me policinë dhe shoqërinë në përgjithësi shkakton humor, por fjala “cop” nuk është e tillë dhe s’ka konotacion negativ.

Edhe pse fjalët “cop” dhe “kap” janë fjalë në gjuhë të ndryshme, ato ndajnë një origjinë të përbashkët nga rrënja proto-indoevropiane “*kap-“, që lidhet me aktin e kapjes ose marrjes. Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimeve të ndryshme gjuhësore, disa koncepte bazë kanë mbetur të qëndrueshme në shumë gjuhë të familjes indoevropiane si shqipja dhe anglishtja.

Filed Under: Fejton

VRASJA E FJALËS SË LIRË…

August 10, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Rrethim dhe heshtje e detyruar

Mëngjesin e 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi godinën e Televizionit News24 dhe ndërpreu me forcë, pa asnjë paralajmërim, sinjalin e transmetimit. Një akt i paprecedent kundër medias së lirë. Punonjësit u penguan të hynin në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët u privuan nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend. “Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit,” deklaroi redaktorja Nisida Tufa, duke e cilësuar ngjarjen si precedent të rrezikshëm për shuarjen e zërave kritikë dhe kontrollin total mbi informacionin publik.

Goditja ndaj katër redaksive

Pa asnjë paralajmërim, policia kërkoi lirimin e ambienteve ku ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Në krye të operacionit ishte Ardi Veliu, si drejtues i shoqërisë “KAYO”, i cili pretendoi se godina i përket një kompanie prodhimi armësh. Ky është një veprim që shkel çdo standard demokratik dhe synon paralizimin e një prej grupeve mediatike më të fuqishme në hapësirën shqipfolëse.

Reagime nga gazetarët dhe organizatat

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkoi institucioneve të mos bllokojnë punën e gazetarëve dhe paralajmëroi se është “në alert” për lirinë e medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi ndërhyrjen si “alarm kombëtar” dhe “akt që cenon parimet themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes”. Rrjeti Safe Journalists Shqipëri denoncoi represionin, duke e quajtur pengim të ushtrimit të detyrës profesionale dhe kufizim të qasjes së gazetarëve në vendin e punës. Organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes kanë ngritur gjithashtu alarmin për rrezikun që këto veprime përbëjnë ndaj pavarësisë së medias.

35 vjet pas diktaturës – rikthim pas

Nga mbyllja e Agon Channel, bastisja e Lapsit dhe sekuestrimi i Tv Ora, sot kalojmë në rrethimin fizik të redaksive dhe ndalimin e hyrjes në punë. Ky nuk është incident – është projekt shtetëror për asgjësimin e medias së lirë.

Neni 22 garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën paraprake. Sot, Kushtetuta u shkel publikisht. Pamjet e këtij mëngjesi duken si nga Kili i Pinoçetit apo Venezuela e Maduros – jo nga një vend që kërkon të hyjë në BE.

Me qira, pa qira, “media pa za”

Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje për shfrytëzimin e pronës me nr. 10/304, Zona Kadastrale 8170, me sipërfaqe 15 mijë m², nga të cilat 5858 m² ndërtesë, të vlefshme deri në datën 09.05.2033, me vlerë mujore të qirasë 15 mijë euro. VKM-ja nr. 158/2025 që i ka kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a., 4 prona në Zonën Kadastrale 8170, në fakt nuk e përfshin pasurinë me nr. 10/304. Atëherë pse duhet që shoqëria “KAYO” sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, të nxjerrë nga godina gazetarët, të ndëpresë sinjalin dhe sekuestrojë pajisjet, ndërkohë që Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje në fuqi për pronën nr. 10/304, e cila nuk i është kaluar në pronësi shoqërisë “KAYO”?! Ka vetëm një përgjigje në fakt. Ky aksion nuk ka të bëjë me ligjshmërinë, marrëdhëniet kontraktuale, pronën shtetërore apo aktivitetin e shoqërisë KAYO, por synon censurën, mbylljen e gojës dhe shuarjen e zërit të gazetarëve të News24.

Policia shqiptare ka rrethuar këtë mëngjes godinën e Televizionit News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë. Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë lënë pa një prej zërave informues kryesorë.

Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj si për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi. Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një diktator “liberal”, ngjarja nuk

do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.

Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fal me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t’i shndërruar në altoparlantë të qeverisë. Drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.

Po ashtu, sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë – si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e një njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastrohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si “kazan”.

Sot ata, nesër ti

Media nuk është dekor i demokracisë; ajo është shtylla që e mban atë në këmbë. Kur media hesht ose mbyllet, qytetari humb fuqinë për të kontrolluar pushtetin. “Nëse humbim lirinë e shtypit, humbim lirinë e vendit.”, shkruante presidenti – Franklin D. Roosevelt.

Nëse nuk ngrihet solidaritet i pakufishëm nga gazetarët, shoqëria civile, opozita, mazhoranca dhe Brukseli – nesër çdo kritik ndaj “udhëheqësit” do të përfundojë me tre vite burg sipas projektit të ri penal.

“Liria e shtypit nuk është e rëndësishme për shtypin; ajo është jetike për demokracinë.”

Nëse sot pranohet që një televizioni t’i shuhet zëri për arsye politike, atëherë nesër mund të pranohet që edhe qytetarit t’i mbyllet goja për çdo kritikë.

Gjurmët po duken…

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT