• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë: Aktet e dhunës dhe sulmet mbi gazetarët në procesin raportues janë krim

July 2, 2026 by s p

Tiranë më 2 Korrik 2026/

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon çdo agresion verbal, e aq më tepër fizik ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave, madje dhe mbi automjetet e mediave në krye të detyrës te ndodhura, sot ne Tirane, gjate protestes se qytetareve.

Akte të tilla banditeske janë krim. Ato në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndërhyrja e protestuesve mbi mikrofonat me logo të reporterëve, ndaj kamerave të operatorëve dhe pjestareve te stafeve mediatike në krye të detyrës, janë veprime të dënueshme. Kushdo qofshin ata protestues, veprimet dhe aktet sulmuese të tyre ndaj reporterëve janë një arsye e plotë për të denoncuar dhe paditur ligjërisht.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon gjithë kolegëve të publikojnë dhe afishojnë, me zë dhe figurë, çdo agresion dhe agresor të tyre! UGSH kërkon nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë. Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të ushtrojnë autoritetin e tyre për garanci, siguri dhe të drejtë ushtrimi të profesionit për gazetarët dhe operatorët, pamvarësisht për cilën medie raportojnë.

Aktet e sotme janë veprime kriminale ndaj mediave dhe gazetarëve. UGSH vëren se gjatë të gjitha orëve dhe ditëve të protestave të realizuara në kryeqytet të gjithë reporterët, fotoreporterët dhe operatorët e mediave janë të identifikuar me dokumentat dhe simbolet profesionale. Mjafton ky detaj për të kuptuar dhe respektuar kushdo, paprekshmërinë dhe mbrojtjen e tyre.

UGSH u drejtohet posaçërisht të gjithë organizatorëve, të shpallur publikisht ose jo, se duhet të ushtrojnë dhe marrin përgjegjësinë e tyre për aktet rrugaçërore, veprimet dhe sulmet kriminale dhe sidomos pengimet dhe fyerjet, disa herë me grupe, që ka pasur ndaj reporterëve të mediave në detyrë, gjatë ditës së sotme.

Në të njëjtën kohë i drejtohemi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm, të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë, pasi në disa raste punonjës policie i kanë akuzuar reporterët dhe fotoreporterët se po punojnë për të huajt, ndërkohë që ata janë të identifikuar.

Ne kërkojmë prej jush që rastet e sotme të dhunimit të gazetarëve nga protestues dhe aq më tepër edhe nga punonjës piolicie, të vlerësohen me urgjencë dhe të bëhen objekt i gjykimit dhe vlerësimit ligjor.

UGSH vëren se dita e sotme me episodet e pazakonta agresive dhe dhunuese ndaj gazetarëve, ishte paralajmëruar prej organizatës sonë me deklarata të njëpasnjëshme, ku theksohej agresioni verbal në shtim nëpër rrjetet online dhe disa mediume ndaj gazetareve dhe mediave te ndryshme.

Dita e sotme shënon një rekord alarmant agresionesh fizike dhe kercenimesh ndaj lirise raportuese dhe integritetit fizik te gazetareve. Ky realitet kritik meriton të vlerësohet nga të gjithë aktorët, institucionet dhe protestuesit si një ditë e keqe për lirinë e ushtrimit të profesionit dhe raportimin e lirë ne hapesiren publike dhe ne terrenin politik dhe te demonstrimeve qytetare.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Fejton

Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun dhe albanologun e shquar Rexhep Qosja

June 25, 2026 by s p

Akademik Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik letrar dhe studiues i shquar i albanologjisë, lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi në një familje në një familje të njohur për traditën arsimdashëse dhe atdhetare.

Ai kreu studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964, dhe më pas u specializua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Karrierën akademike e zhvilloi si studiues dhe profesor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku për shumë vite ishte drejtor dhe një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike.

Në vitin 1971 mbrojti doktoraturën mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit, duke hapur një kapitull të ri në kritikën letrare shqiptare. Ai është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë, kritikë letrare, si dhe romane, drama dhe publicistikë, ndër të cilat spikasin veprat madhore: “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Krijimtaria e tij e gjerë e vendosi në radhën e mendimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX–XXI, duke u bërë një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe një mbrojtës i palodhur i identitetit kulturor e kombëtar shqiptar.

Akad. Qosja u nderua me tituj dhe çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” në vitin 2000. Akademiku, shkrimtari dhe kritiku i shquar letrar, Rexhep Qosja, u nda nga jeta më 23 prill 2026, në moshën 90-vjeçare. Ai la pas një thesar veprash madhore në albanologji dhe u përcoll në një ceremoni private, sipas amanetit të tij.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kujton sot në ditën e tij të lindjes me nderim akad. Rexhep Qosjen si një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të albanologjisë dhe kulturës sonë kombëtare.

www.akad.gov.al

Filed Under: Fejton

DIAMANTËT E FESTIVALIT

June 24, 2026 by s p

Ramazan Çeka/

Vogëlushët këngëtarë, gurë të çmuar në kurorën e “Diamond Fest”.

Festivali i Fëmijëve “Diamond Fest” në Kosovë finalizoi me sukses edicionin e tij të 13-të, një ngjarje ku kënga bashkoi fëmijët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ky festival i solli Prishtinës freskinë, ngjyrat dhe shijen e vërtetë të artit muzikor për fëmijë. Në skenën e ndritur të “Klan Arena”, nën përkujdesjen dhe drejtimin e palodhur të drejtoreshës, znj. Njomza Mezini, u shpalos një mozaik i mrekullueshëm zërash dhe emocionesh. Si një kurorë me lule shumëngjyrëshe, fëmijët e përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare debutuan me sukses, duke sjellë në këtë stinë verore aromën e bukur të krijimtarisë dhe talentit. Në prani të një publiku të jashtëzakonshëm, të pranishmit përjetuan një natë të paharrueshme plot energji dhe shkëlqim.

Gazmorë, të hareshëm e sportivë, artistët e vegjël vërshuan në tapetin e kuq e më pas në skenë, duke vrapuar nga të dyja anët e saj e duke krijuar imazhin e një kurore të gjallë e plot ngjyra, ashtu siç ishin edhe veshjet e tyre. Auditori i priti dhe i shoqëroi ata me duartrokitje e ovacione të zjarrta që nga fillimi e deri në fund të spektaklit. Skena, si çdo vit, ngjante me një bahçe të mbushur me zogj këngëtarë.

Ky sukses mbart edhe vulën e kompozitorëve, poetëve dhe mjeshtërve të muzikës, të cilët sollën krijimet e tyre më të mira artistike. Festivali dëshmoi profesionalizëm të lartë, duke synuar jo vetëm zbulimin e talenteve të reja, nga të cilët varet e ardhmja e trashëgimisë sonë kombëtare, por edhe trajtimin e temave që prekin botën dhe përjetimet e fëmijëve të sotëm.

Idetë dhe realizimet e tilla meritojnë vlerësimin më të lartë. Në këtë kontekst, “Diamond Fest” sa vjen e bëhet më madhështor, duke prekur majat e suksesit falë vëmendjes së pareshtur, përkrahjes dhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatores dhe themelueses së tij, znj. Njomza Mezini, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë, me një kontribut të çmuar në Prishtinë e mbarë Kosovën.

Për 13 vite me radhë, ky festival tashmë tradicional e ka kthyer Kosovën në një amfiteatër kulturor mbarëshqiptar. Performancat dhe vlerat kulturore jehojnë fuqishëm kudo, duke i përngjarë yjeve në qiellin e verës dhe duke e bërë Kosovën një pikëtakimi me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, të cilin çdokush do të ëndërronte ta shihte nga afër.

Por, nëse skena është vetëm njëra anë e medaljes, e veçanta e kësaj feste është se në ditën e shfaqjes e gjithë Prishtina shndërrohet në një skenë të madhe. Sheshet, trotuaret dhe mjediset e bukura të qytetit mbushen me gjallëri nga njerëz të të gjitha moshave. Fëmijët gëzojnë së bashku me prindërit e tyre, e veçanërisht me gjyshërit, që për disa çaste kthehen edhe vetë në fëmijë. Janë emocione të papërsëritshme, të cilat i përjetova edhe unë. Vera në këtë qytet nuk shqetësohet për motin; edhe nëse ka ndonjë rigë shiu, janë fëmijët si flutura dhe bilbila që e ngrohin dhe e gjallërojnë kryeqytetin.

Në këtë edicion u interpretuan 31 këngë të reja, që i dhuruan qytetit një atmosferë festive. Ishin 31 performanca të shkëlqyera të interpretuara nga fëmijë pothuajse moshatarë me vetë festivalin, me krijime të autorëve të njohur e të rinj nga Kosova e më gjerë, si dhe të kompozuara apo orkestruara nga mësuesit e tyre. Çdo gjë ishte perfekte, si vetë diamanti. Ky festival është vendi ku secili fëmijë shkëlqen me dritën e tij. Për realizimin e tij u angazhuan me sukses të gjithë dashamirësit e këngës: muzikantë, poetë, orkestrues dhe prindër.

Po i shkruaj këto radhë shumë i emocionuar. Informacioni për ju, të nderuar lexues, kalon në plan të dytë para ndjenjës që dua t’ju përcjell. Gjeografia e festivalit sivjet u pasurua edhe më tej, ku në skenë ushtoi magjishëm edhe zëri i Plavë-Gucisë. Ishte Eli Ahmetaj, këngëtarja e vogël 8-vjeçare, ajo që solli jehonën e vogëlushëve të Alpeve tona. Ajo u shndërrua në një dallandyshe të parë, duke dëshmuar se atje po rritet një brez i mrekullueshëm që zbukuron fidanishten e së ardhmes sonë.

Një kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja në këtë festival si autor, pasi kënga “Lule në Flamur”, me tekst e muzikë të krijuar nga unë dhe e orkestruar me mjeshtëri nga Andi Unaza, u interpretua me shumë nivel nga vogëlushja Eli Ahmetaj, e cila u vlerësua me Çmimin e Tretë.

Emocionet e mia u bënë edhe më të papërsëritshme kur e gjeta veten si anëtar të një jurie prestigjioze, të përbërë nga:

Prof. Dafina Smajli – Prishtinë

Prof. Ilir Latifi – Kumanovë

Prof. Rasim Gashi – Klinë

Teuta Bilçari (Tekstshkruese) – Berat

Ky ishte sa një vlerësim, aq edhe një përgjegjësi e madhe profesionale.

Ky edicion, që u mbyll nën aromën e zërave fëminorë, do të lërë mbresa të pashlyeshme për një kohë të gjatë në mbarë Kosovën e më gjerë, falë edhe pasqyrimit të kujdesshëm nga kamerat e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Në përfundim të garës, juria shpalli këto çmime kryesore:

Fituesja e edicionit të 13-të – Anila Mahmudi, me këngën “Revolucion”.

Vendi i Parë nga Juria: Malda Avdyli, me këngën “Ëndërr”.

Vendi i Parë Junior: Anja Syla, me këngën “Për nënën”.

Është krenari të shohim se në mbarë trojet shqiptare po rritet një brez i mrekullueshëm artistësh. Ky djep i artit muzikor vazhdon të përkundet me përkushtim dhe dashuri falë njerëzve që i shërbejnë me zemër, ndër ta edhe Njomza Mezini, së cilës i takon një meritë e veçantë për organizimin e këtij festivali të suksesshëm.

Urime të gjithë fituesve dhe çdo fëmije që ngjiti skenën, sepse secili prej tyre është një fitues në zemrat tona. “Diamond Fest” mbetet shtëpia e talenteve, vendi ku ëndrrat marrin jetë.

Filed Under: Fejton

Arti i largimit

June 17, 2026 by s p

Në mars të vitit 1809, Thomas Jefferson (Tomas Xheferson) u largua nga Shtëpia e Bardhë pas dy mandateve si President i Shteteve të Bashkuara. Nuk kërkoi një mandat të tretë. Nuk ndryshoi rregullat. Nuk deklaroi se kombi nuk mund të jetonte pa të. Përkundrazi. Ai e krahasoi largimin nga presidenca me lirimin nga burgu.

Një prej etërve themelues të Amerikës e shihte pushtetin si barrë. Jo si privilegj të përjetshëm. Jo si pronë personale. Jo si identitet. Kjo është diferenca midis themeluesve dhe sundimtarëve.

Themeluesit ndërtojnë institucione që mbijetojnë pa ta. Sundimtarët ndërtojnë sisteme që nuk funksionojnë pa praninë e tyre. Xheferson mezi priste që të kthehej në Monticello. Te librat. Te toka. Te jeta private. Ai besonte se një republikë mbijeton vetëm kur udhëheqësit e saj dinë që të largohen.

Demokracia nuk matet vetëm nga mënyra se si fitohet pushteti. Demokracia matet edhe nga mënyra se si hiqet dorë prej tij. Demokracia matet edhe nga mënyra sesi i dëgjon ata që e sfidojnë. Kjo është një nga pyetjet më të vështira të Shqipërisë së sotme.

Ne kemi mësuar të flasim për artin e marrjes së pushtetit. Por, kemi harruar që të flasim për artin e largimit prej tij. Në politikën shqiptare, largimi trajtohet si disfatë. Si poshtërim. Si fund karriere, jo si akt qytetarie. Prandaj këta tanët kapen pas karrigeve me një këmbëngulje sa qesharake po aq edhe dramatike.

Historia na tregon diçka tjetër. Burrështetasit e mëdhenj nuk mbahen mend sepse qëndruan gjatë në pushtet. Mbahen mend sepse e kuptuan momentin kur duhej të largoheshin. Një komb bëhet i lirë kur qytetarët nuk kanë frikë të flasin kundër pushtetit. Por demokracia piqet vërtet kur udhëheqësi nuk ka frikë të largohet. Xheferson e kuptoi këtë para më shumë se dy shekujsh. Ne ende po përpiqemi që ta mësojmë.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Fejton

DELIRANTËT, SHARLATANËT DHE HONXHO-BONXHOT

June 8, 2026 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi/

“Nuk kanë bërë prokopi popujt që udhëhiqen nga delirantë dhe sharlatanë”, deklaroi dje Edi Rama në Vlorë në mitingun e 35 -vjetorit të PS-së.

Dhe, për çudi, jam dakord me të.

Problemi fillon menjëherë pas kësaj. Sepse pyetja nuk është nëse delirantët dhe sharlatanët janë problem. Pyetja është: kush janë? Janë vallë protestuesit që prej një jave mbushin rrugët e Tiranës, duke kundërshtuar projekte që sipas tyre po betonizojnë bregdetin dhe po privatizojnë hapësirat publike?

Apo janë ata që shohin Tiranën dhe mendojnë se zgjidhja për një qytet ku mijëra apartamente qëndrojnë bosh është ndërtimi i një tjetër kulle 250 metra të lartë, ndoshta me një pistë helikopterësh në çati dhe me një emër anglisht që askush nuk e shqipton dot?

Ndoshta delirantë janë ata që besojnë se qyteti ka nevojë për më shumë pemë. Ose ata që mendojnë se lagjet duhen ndërtuar për njerëzit dhe jo për maketet 3D nga arkitektë të huaj.

Ose ndoshta jo.

Disa ditë më parë, kryeministri përdori edhe një term tjetër filozofik të nivelit të lartë: “honxho-bonxho”. Një koncept ende i paidentifikuar nga Akademia e Shkencave, por që me sa duket përfshin të gjithë ata që nuk bien dakord me qeverinë.

Në Shqipërinë e vitit 2026 duket se ekziston një rregull i thjeshtë: nëse proteston, je honxho-bonxho; nëse kundërshton, je delirant; nëse ngre pyetje, je sharlatan; ndërsa nëse duartroket, je qytetar model.

Por këtu lind një pyetje e bezdisshme.

A është delirant populli kur proteston? Qoftë dhe 500 mije edhe pse nuk është 800 mijë sa shuplakat e PS-së. Apo bëhet delirant vetëm kur proteston kundër pushtetit?

Sepse historia na mëson se pothuajse çdo protestë e madhe, para se të njihej si lëvizje qytetare, është quajtur fillimisht marrëzi, ekstremizëm, destabilizim, apo komplot.

Në fakt, paradoksi shqiptar është edhe më interesant. Për tridhjetë e pesë vjet kemi dëgjuar se populli është i mençur kur voton dhe i manipuluar kur proteston. Është sovrani kur fut fletën në kuti, por bëhet turmë sapo del në rrugë.

Ndërkohë, flamengoja e Zvërnecit po shndërrohet gradualisht në një simbol që shkon përtej një kauze lokale. Jo sepse flamengot kanë lexuar program politik, por sepse shumë qytetarë po projektojnë mbi atë protestë një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.

Megjithatë, ndryshe nga shumë vende të Europës Lindore që përjetuan lëvizje të fuqishme qytetare dhe ndryshime të thella politike, Shqipëria nuk ka njohur ende një revolucion demokratik që të tronditë themelet e sistemit dhe të prodhojë një elitë të re politike. Dhe kjo nuk ka ndodhur sepse kanë munguar arsyet.

Përkundrazi, korrupsioni, pabarazia, kapja e institucioneve, mungesa e besimit te politika dhe zhgënjimi i vazhdueshëm i qytetarëve kanë krijuar shpesh kushte të ngjashme me ato që në vende të tjera kanë ndezur revolta të mëdha demokratike. Por në Shqipëri zemërimi kolektiv ka gjetur zakonisht dy valvula shkarkimi: ose është përthithur dhe instrumentalizuar nga partitë e vjetra politike, të cilat kanë ditur ta kanalizojnë pakënaqësinë në interes të tyre, ose është shndërruar në valë emigracioni, duke bërë që shumë qytetarë të zgjedhin aeroportin në vend të sheshit. Kështu, energjia që në vende të tjera ka prodhuar ndryshim politik, tek ne shpesh është tretur mes militantizmit partiak dhe ikjes masive jashtë vendit.

Po sikur populli të mos jetë duke ndjekur një delirant, por të jetë thjesht i lodhur? Po sikur, për herë të parë pas shumë vitesh, zemërimi të mos ketë një lider të vetëm, një parti, një flamur politik apo një “shpëtimtar” të radhës? Në fund të fundit, një nga tiparet e protestave të kohëve moderne është se ato shpesh lindin përpara se të gjejnë udhëheqësit e tyre.

Ndoshta paradoksi më i madh i politikës shqiptare është se jemi mësuar aq shumë me idenë se çdo lëvizje duhet të ketë një “kokë”, sa nuk arrijmë të pranojmë se ndonjëherë njerëzit mund të dalin në rrugë edhe pa një dirigjent. Për një pjesë të klasës politike, një protestë pa lider është e pakuptueshme; dikush duhet të jetë pas saj, dikush duhet ta organizojë, dikush duhet ta manipulojë.

Kur një qytetar del në shesh dhe thotë “jo” – jo vendimeve të marra në errësirë, jo arrogancës së pushtetit, jo një klase politike që e sheh popullin vetëm si numër votash – ai nuk po sfidon shtetin. Përkundrazi, ai po ushtron të drejtën themelore që e bën shtetin demokratik.

Sepse në fund të fundit, qytetari nuk është armiku i shtetit. Qytetari është vetë burimi i legjitimitetit të tij. Ai nuk po e destabilizon shtetin; ai po i kujton atij se kujt i përket sovraniteti.

Por po sikur të mos ketë ende një lider?

Po sikur, në vend të një deliranti që udhëheq popullin, të kemi një popull që ende nuk ka vendosur kë të ndjekë?

Ndërsa Migjeni shkruante për “pleqninë e lënë në shenjtërinë e vet”, politika shqiptare duket se vazhdon të endet mes hijeve të së shkuarës. Nga njëra anë, një opozitë e plakur politikisht ashtu si lideri i saj Berisha qё ende kërkon recetat e vjetra të përplasjes, sikur koha e molotovëve dhe e barrikadave të ishte ende zgjidhja e problemeve të sotme. Por koha ka ndryshuar. Kjo nuk është më epoka e flakëve në asfalt, por e qytetarëve që dalin në rrugë me familjet e tyre, me fëmijët për dore, për të treguar se protesta nuk është dhunë, por pjesëmarrje. Janë prindër që sjellin fëmijët në shesh jo për t’u mësuar zemërimin, por për t’u mësuar guximin qytetar, që të mos kenë frikë as nga presioni i pushtetit, as nga ujëhedhësit, as nga etiketimet e shpejta që i shpallin “delirantë” ata që guxojnë të kundërshtojnë. Në fund, shoqëritë nuk ndryshojnë nga flakët e molotovëve, por nga brezat e rinj që mësojnë të flasin pa frikë.

Atëherë pyetja ndryshon krejtësisht. Nuk është më: “Kush është deliranti?” Pyetja bëhet: a po kërkon shoqëria shqiptare një alternativë të re, sepse nuk beson më as te delirantët e djeshëm dhe as te ata që i quajnë të tjerët delirantë sot?

Dhe kjo, për pushtetin, mund të jetë shumë më shqetësuese sesa prania e një lideri karizmatik. Sepse një protestë me lider mund të sulmohet, të diskreditohet ose të negociohet. Një pakënaqësi e shpërndarë në mijëra njerëz, pa një fytyrë të vetme dhe pa një komandë qendrore, është shumë më e vështirë të etiketohet si “delir”. Në fund të fundit, kur të gjithë quhen delirantë, lind dyshimi se ndoshta problemi nuk është më te populli.

Dhe këtu kthehemi te fjalia e kryeministrit.

“Nuk kanë bërë prokopi popujt që udhëhiqen nga delirantë dhe sharlatanë.”

E vërtetë.

Por po aq e vërtetë është se nuk kanë bërë prokopi as popujt ku çdo kritik quhet delirant, çdo protestues quhet honxho-bonxho dhe çdo kundërshtar shpallet armik i zhvillimit.

Prandaj ndoshta debati i vërtetë nuk është se a ka delirantë në Shqipëri.

Debati është: kush po flet për kë?

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 126
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT