• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Republika e pesë yjeve

July 16, 2026 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Në një vend të largët, ku çdo gjë matej me propagandë dhe çdo sukses shpallej historik, ndodhi një fatkeqësi kombëtare. Jo, nuk u shemb ndonjë urë. Nuk u fundos ndonjë anije. Nuk ra as sateliti i radhës. Ra… një yll. Jo nga qielli. Nga Google. Dhe ja ku nisi paniku. Në Pallatin e Madh të Vetëlavdërimit u mblodh menjëherë Këshilli i Sigurisë së Pesë Yjeve. Ministrat hynin me fytyra të zbehta, oligarkët mbanin telefonat në dorë duke rifreskuar faqet e bizneseve çdo pesë sekonda, ndërsa ekspertët e propagandës kërkonin me ngulm autorin e atentatit.

– Kush e hodhi yllin? – pyeti Kryezoti.

– Nuk e hodhi askush, Shkëlqesi… ia ulën.

Në sallë ra heshtja.

– Si… ia ulën?

– Me një klikim…

Në atë çast, një ministër pothuajse humbi ndjenjat.

Deri dje këta njerëz jetonin të lumtur. Çdo restorant ishte “më i miri në Ballkan”. Çdo hotel “më luksozi në Europë”. Çdo resort “mrekullia e tetë e botës”. Mjaftonte një prerje shiriti dhe televizionet shpallnin se kishte ardhur epoka e re.

Por askush nuk kishte menduar se armiku nuk do të vinte me tanke. Do të vinte me… një yll. Një yll i vetëm.

Ai yll i vogël kishte fuqi më të madhe se dhjetë konferenca shtypi. Policia u vu menjëherë në lëvizje.

Krimi ekonomik? Pret. Vjedhjet? Më vonë. Trafiku? Nesër. Por një koment në Google? Alarm kombëtar!

Në komisariate u krijua sektori më modern në historinë e shtetit. Drejtoria Kundër Yjeve. Hetuesit nuk numëronin më fishekë. Numëronin emoji.

Ekspertët nuk analizonin më gjurmë gishtash. Analizonin komente.

Laboratorët nuk kërkonin ADN. Kërkonin IP.

Një oficer raportonte krenar: – Kemi kapur një qytetar që shkroi “shërbim i dobët”.

Salla shpërtheu në duartrokitje.

– Hero! – tha shefi.

Një tjetër njoftoi: – Kemi identifikuar një grua që vendosi vetëm një yll.

– Arrestojeni menjëherë! Mund të jetë pjesë e organizatës ndërkombëtare “Fronti për Uljen e Vlerësimeve”.

Ndërkohë, oligarkët nuk flinin. Jo se u mungonte paraja. U mungonin yjet. Ata e kuptuan se miliona euro tenderë nuk blinin dot pesë yje në internet.

Sa tragjike!

Një pallat kushtonte 120 milionë euro. Një review kushtonte zero.

Dhe pikërisht ai falas po shkaktonte dhimbjen më të madhe. Në televizionet kombëtare filluan debatet.

Analisti i parë tha: – Një yll është sulm ndaj ekonomisë.

Analisti i dytë: – Një koment negativ cenon stabilitetin rajonal.

I treti shkoi edhe më larg. – Kjo është pjesë e luftës hibride.

Askush nuk pyeti pse një review kishte më shumë fuqi se dhjetë reklama qeveritare.

Pas disa ditësh u shfaq ideja më revolucionare. Të ndërtohej Ministria e Yjeve.

Ministri do të kishte detyrën të kontrollonte qiellin digjital. Çdo qytetar para se të shkruante një koment, do të merrte leje. Në formular do të pyetej: “Sa yje dëshironi të vendosni?”

Nëse përgjigjja ishte pesë…

“Miratohet.”

Nëse ishte katër…

“Kërkohet sqarim.”

Nëse ishte tre…

“Dyshohet për ndikim të huaj.”

Nëse ishte dy…

“Kontroll financiar.”

Nëse ishte një…

“Ju lutem prisni policinë.”

Propaganda nuk mbeti pas. Filluan të shfaqeshin reklama: “Pesë yje për Shqipërinë.”

“Pesë yje për zhvillimin.” “Pesë yje për lumturinë.”

Një fëmijë pyeti gjyshin: – Po nëse nuk më pëlqen? Gjyshi e mori mënjanë. – Mos e thuaj me zë të lartë. Thuaje vetëm në ëndërr.

Ndërkohë qytetarët zbuluan një sekret të madh. Në demokraci vota hidhet një herë në katër vjet. Në Google mund të shkruash sot.

Kjo i trembi shumë pushtetarët.

Ata e kuptuan se interneti nuk kishte komision numërimi. Nuk kishte kuti. Nuk kishte patronazhist. Nuk kishte administrator. Nuk kishte as komisioner partie.

Vetëm tastierë. Dhe ndërgjegje.

Një oligark organizoi mbledhje urgjente.

– Çfarë po ndodh?

Një këshilltar iu përgjigj:

– Populli nuk po blen më reklamën.

– Atëherë blejmë popull tjetër!

– Nuk gjendet në treg.

– Po yje?

– Edhe ato nuk shiten.

Në sallë pllakosi heshtja.

Ishte hera e parë që paratë nuk bindnin algoritmin. Në fund, Kryezoti doli para kamerave.

Ai deklaroi solemnisht: – Nuk kemi frikë nga askush.

Vetëm nga shpifja.

Gazetarët nuk pyetën.

Sepse e kishin kuptuar.

Në këtë republikë nuk e trembte opozita. As protesta. As ekonomia. As korrupsioni. As varfëria. Të gjitha këto mund të menaxhoheshin me konferenca shtypi.

Por një yll i vetëm…

Ai nuk negocionte.

Nuk blinte reklama.

Nuk merrte tender.

Nuk pranonte dekorata.

Nuk hynte në koalicion.

Nuk shikonte televizion.

Dhe, mbi të gjitha, nuk pyeste se kush ishte oligark e kush ministër.

Ai binte aty ku e çonte gishti i qytetarit. Prandaj pushteti nuk shpalli luftë kundër korrupsionit.

Shpalli luftë kundër… yllit.

Sepse e kuptoi se një ditë mund të ndodhte mrekullia më e madhe politike.

Qytetarët të mos kërkonin më pesë yje për qeverinë.

Por vetëm… një.

Dhe në atë çast, perandoria e ndërtuar mbi propagandë do të kuptonte se qielli nuk kontrollohet me urdhra policie.

Sepse yjet e vërtetë nuk ndriçojnë me dekret.

Ata ndizen ose shuhen nga besimi i njerëzve.

Dhe kur populli fillon të fikë yjet, as teleskopi i propagandës nuk arrin t’i bëjë të duken më të shndritshëm.

Filed Under: Fejton

KUR GURRA SHQIPTARE PUSHTON SANREMON

July 13, 2026 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Misioni i madh kulturor i Pëllumb Krrashit që bën bashkë 18 shtete në skenën e Sanremos, duke magjepsur publikun europian në lartësimin e vlerave kombëtare.

Nga Dibra e Tropoja në Sanremo, 27 qershor 2026

Një nismë jashtëzakonisht fisnike dhe me vlera të mëdha kombëtare! Është vërtet mbresëlënëse të shohësh se si z. Pëllumb Krrashi, me një përkushtim të pastër vullnetar dhe dashuri të madhe për rrënjët e tij, shndërrohet në një ambasador të kulturës sonë në zemër të Sanremos, qyteti magjik i luleve dhe i muzikës në bregdetin e Ligurias, që botërisht njihet si kryeqendra e festave në Itali.

Prej pesë vitesh, ky qytet i famshëm fqinj nuk flet vetëm italisht. Në skenat e tij, aty ku shpalosen vlerat më të fuqishme të kulturës europiane, jehona e tupanit, ngjyrat e ndezura të kostumografisë sonë dhe hapat ritmikë të valleve të të gjitha trevave shqiptare kanë krijuar një fole të ngrohtë identiteti e krenarie kombëtare. Ky festival nuk është vetëm një garë apo aktivitet i radhës, por një urë bashkimi mbarëshqiptar, një dritare ku Europa mund të admirojë pasurinë e pashtershme të gurrës sonë popullore.

PROFILI I NJË MISIONI KULTUROR DHE MECENATI TË PALODHUR

Kjo mrekulli artistike nuk ka ardhur rastësisht. Ajo mban vulën e një njeriu me zemër të madhe dhe atdhedashuri të pashuar. Pëllumb Ramazan Krrashi, i lindur më 6 mars 1983 në fshatin Arras të Dibrës, një zonë e njohur për traditat e saj të pasura dhe njerëzit punëtorë, është një djalë me një histori suksesi, për të cilën çdo bashkatdhetar do të ndihej krenar.

I rritur në kohët e vështira të tranzicionit, Pëllumbit iu desh të përballej herët me sfidat e jetës. Si vëllai i madh i familjes, ai mbajti mbi supe përgjegjësi që tejkalonin moshën e tij. Në vitet e para të demokracisë, si shumë moshatarë, tentoi largimin nga vendi për një të ardhme më të mirë. Pas disa përvojave sipërmarrëse mes Tiranës dhe Dibrës, prej vitit 2011 ai është emigrant rezident në Itali dhe Montekarlo. Falë shpirtit guximtar, vizionit dhe punës së palodhur, ai sot vlen si ai “guri i rëndë në vend të vet”, duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm si biznesmen në fushën e ndërtimit. Si pjesë e asaj diaspore të palodhur që ka plot 17 vite që kontribuon në shtetin fqinj, ai përfaqëson vlerat më të mira të integrimit dhe dinjitetit njerëzor.

Ai asnjëherë nuk heq dorë nga vendlindja, duke mbajtur të ndezur mallin dhe kontributin për vendin ku u rrit. Këtë lidhje të fortë ai e ka qëndisur edhe në fushën e sportit, si kontribues i hershëm i ekipit të futbollit në Arras, duke e kurorëzuar këtë pasion në vitin 2024, kur formoi zyrtarisht ekipin që mbledh rreth vetes rininë nën frymën e bukur “Futboll buzë Drinit”.

Ndonëse larg vendlindjes, ai asnjëherë nuk i shkëputi rrënjët; përkundrazi, e mori Dibrën dhe mbarë Shqiptarinë me vete. Pavarësisht se, tashmë, jetojmë në një kapitalizëm të mirëfilltë, ku sundon interesi dhe ndjenja egoiste, Pëllumbi, duke kaluar vetë vështirësi drejt rrugës së suksesit, me natyrën e tij humane dhe dëshirën për të ndihmuar njerëzit në nevojë, i ka mbështetur dhe u ka siguruar punësim shumë njerëzve të zonave të Dibrës.

Shpirti i tij human dhe bujar ka bërë që ai të jetë një krah mbështetës për bashkëpatriotët, duke ndihmuar shumë familje në nevojë. Dashurinë për njerëzit e tij z. Krrashi e tregon edhe në përditshmërinë e biznesit të tij, ku gati 70 për qind e ekipit të tij të punës janë bashkëfshatarët e tij, të cilëve u ka siguruar punësim dhe dinjitet, duke u bërë një shembull pozitiv për shumë familje që i janë drejtuar Italisë për një jetë më të mirë. Ky mision bamirësie ka kaluar edhe kufijtë e zakonshëm, pasi ai ka ndihmuar disa familje shqiptare për mjekime dhe kurime në spitalet e Italisë, duke u kthyer në një shpëtimtar në ditë të vështira.

Pavarësisht se kjo botë duket se është mjaft e ashpër dhe e vështirë për të mbijetuar, ka njerëz me shpirt e zemër bujare, me natyrë pozitive dhe dashamirëse që nuk i harrojnë rrënjët e tyre, përkundrazi kontribuojnë në të mirë dhe dobi të njerëzve që kanë nevojë. Urojmë të shtohen sa më shumë njerëz si Pëllumbi, i cili në veprimtarinë dhe ndihmën e tij nuk bën asnjë dallim politik, racor apo fetar.

Prej pesë vitesh, me një vullnet të admirueshëm, ai financon jo vetëm materialisht, por investon edhe shpirtërisht për të mbajtur gjallë këtë altar të traditës. Qëllimi i tij është sa fisnik aq edhe vizionar: që arti, kostumografia dhe vallet tona tradicionale të depërtojnë në zemrat e publikut europian, duke dëshmuar se shqiptarët janë bartës të një qytetërimi të lashtë e të pasur artistik.

Shtrirja gjeografike e këtij festivali madhështor ndërkombëtar përfshin plot 18 shtete, gjë që dëshmon për një gërshetim të fuqishëm të trupave artistike të diasporës dhe trevave amtare. Vlen të theksohet se jehona e këtij misioni ka prekur edhe maja të tjera të skenës europiane, siç ishte pjesëmarrja e suksesshme në Festivalin prestigjioz të Cannes në Francë, ku dinjiteti kulturor shqiptar u shpalos para elitës botërore.

Ky edicion u zhvillua në zonën e njohur “Piazza San Siro” në Sanremo, një pikëtakim kyç dhe një arenë festive ku folklori ynë gjeti hapësirën e merituar për t’u prezantuar magjishëm dhe me dinjitet. Për ditë me radhë, nën qiellin e Italisë u valëvitën flamujt tanë, u dëgjuan meloditë tona autoktone dhe u shpalosën me dinjitet vlerat tona unike.

“Kultura është pasaporta më e bukur e një kombi. Të shohësh vallet tona të lashta të kërcehen në Sanremo, do të thotë t’i dhurosh Europës pjesën më të pastër të shpirtit shqiptar”, shprehet me të drejtë ky misionar i traditës.

BASHKËPUNIMI DHE UDHËHEQJA ARTISTIKE

Një projekt i këtyre përmasave merr vlerë të jashtëzakonshme nga personalitetet që e udhëheqin. Ky sukses i madh ndërkombëtar mban nënshkrimin e një stafi të zgjedhur profesionistësh që garantojnë pastërtinë e trashëgimisë sonë shpirtërore:

Mice (Elmi) Duka: Drejtori i Pallatit të Kulturës në Dibër të Madhe, një emër me kontribut të rëndësishëm e të pashlyeshëm në jetën artistike dibrane. Ai sjell në këtë projekt peshën e traditës së pastër të kësaj treve, urtësinë dhe përvojën e pashtershme në udhëheqjen e jetës artistike dhe menaxhimin e vlerave tona mbarëkombëtare.

Azgan Haklaj dhe Adela Haklaj: Emra të mirënjohur të skenës, personalitete të menaxhimit kulturor dhe promovimit të vlerave kombëtare. Ata sjellin përvojën e tyre të çmuar në organizimin e festivaleve mbarëshqiptare dhe ruajtjen e identitetit tonë kulturor, duke ditur si t’i japin shkëlqim, përmasa të merituara dhe dimension kombëtar e ndërkombëtar çdo vlere të gurrës sonë popullore, për të nxjerrë kështu në dritë margaritarët tanë.

KCIMI I TROPOJËS: KUR KRENARIA E ALPEVE NDRIÇON SANREMON

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe; në këtë arenë të madhe të kulturës europiane, shpirti i shqiptarit shpërtheu përmes “Kcimit të Tropojës”, kësaj kryevepre të gdhendur tashmë në listën e trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kur tupanët rrahën nën qiellin e Sanremos, ajo që po ndodhte ishte një shpërthim i pastër shpirtëror, ku lartësitë e Alpeve tona u shpalosën me tërë madhështinë e tyre, duke e kthyer skenën në një altar të gjallë kulture e duke dëshmuar përpara botës forcën, dritën dhe lashtësinë e rrënjëve tona.

Kur dritat e skenës ndërkombëtare përndisin trashëgiminë tonë shpirtërore, çdo rrahje tupani kthehet në një trokitje krenarie. Në “FESTA DEI POPOLI”, përpara një publiku europian, kërcimi epik i Tropojës rrëmbeu të gjithë vëmendjen, duke u kthyer në kryefjalën e këtij edicioni.

Dinamizmi i vrullshëm por i disiplinuar, ritmi krenar e plot elegancë i Veriut, kostumet që shkëlqenin nën dritat e Sanremos dhe lëvizjet plot autoritet të kërcimtarëve tanë bënë që salla të shpërthente në duartrokitje të gjata e të pafundme. Ky interpretim pushtoi skenën, duke dëshmuar se folklori shqiptar flet me një gjuhë universale që nuk ka nevojë për përkthim; ai pushton drejtpërdrejt zemrat e kujtdo, si një pasuri e gjallë, e aftë për të magjepsur arenat më prestigjioze të botës. Kjo është pasaporta më e bukur që z. Krrashi dhe bashkëpunëtorët e tij po i dhurojnë Europës!

Ky sukses nuk shënon vetëm një moment duartrokitjeje, por triumfin e një stafi të palodhur që besoi fort te ky projekt madhor. Kur artistët tanë ngjitën në skenë forcën epike të Tropojës, aty po manifestohej historia, shpirti i pamposhtur dhe eleganca e gurrës sonë popullore, e cila rrëshqet si dritë përmes magjisë së artit.

NJË MODEL FRYMËZUES PËR TË ARDHMEN

Kjo është pikërisht magjia që ndodh kur shpirti dhe dinjiteti i traditës sonë pushtojnë skenat europiane! Përmes këtij organizimi madhështor, Piazza San Siro u kthye në një urë të madhe ku u bënë bashkë të gjitha trevat tona.

Ky triumf dëshmon se si diaspora jonë, e udhëhequr nga dëshira dhe vullneti i njerëzve si Pëllumb Krrashi, ky ambasador i palodhur i artit tonë, nuk e harron kurrë atdheun dhe piramidën e vlerave të vendlindjes. Përkundrazi, ai e merr me vete këtë pasuri shpirtërore për ta shpalosur përpara botës me dinjitet të plotë. Ai e “qëndis” atë në skenat më të bukura të Europës, duke lartësuar emrin e Shqipërisë dhe duke u kthyer në një model frymëzues se si ndërtohet dhe ndriçohet imazhi i kommit tonë në botë.

Filed Under: Fejton

PROTESTA E SHQIPTARËVE NË NEW-YORK CITY DHE LIGJI 7501 I NDARJES SË TOKAVE BUJQËSORE

July 8, 2026 by s p

(Ligji 7501: A mund të ketë ende drejtësi për pronarët e parë?)

Avni Alcani

Shkak për këtë shkrim u bë një fotografi e veçantë e vajzës sime, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dielën, më 28 qershor 2026, ajo mori pjesë në një protestë të organizuar nga një grup shqiptarësh në New York. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pankarta që mbante në duar, ku shkruhej në anglisht: “Abolish Law 7501 Now! Justice for the Original Land Owners!” (“Shfuqizoni ligjin 7501 tani! Drejtësi për pronarët e parë të tokës!”). Kjo pankartë më riktheu te një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar: çështja e pronësisë mbi tokën bujqësore.

Ligji nr. 7501, datë 19 korrik 1991, “Për Tokën”, u miratua në një periudhë të vështirë, me synimin për t’u dhënë shpejt tokë familjeve fshatare dhe për të nxitur prodhimin bujqësor. Megjithatë, ai nuk ua ktheu tokën pronarëve të para vitit 1945, por e ndau atë ndërmjet familjeve që banonin dhe punonin në fshat në kohën e miratimit të ligjit.

Në thelb, ligji u mbështet në parimin leninist se “toka i takon atij që e punon”, dhe jo pronarit të saj të ligjshëm. Për pasojë, ndërsa shumë familje morën tokat që kishin pasur dikur, të tjera përfituan prona që u përkisnin banorëve të larguar nga fshati, të cilët, për shkak se jetonin në qytet në vitin 1991, mbetën jashtë skemës së ndarjes.

Pasojat e këtij ligji vazhdojnë të ndihen edhe sot. Ai krijoi konflikte pronësie, copëzoi tokën bujqësore në parcela të vogla, solli pasiguri juridike me mijëra procese gjyqësore, pengoi investimet në bujqësi dhe nuk arriti të ndalonte braktisjen e fshatit. Sot një pjesë e konsiderueshme e këtyre tokave mbetet e papunuar, ndërsa shumë prej përfituesve jetojnë në qytete ose jashtë vendit.

Shpesh shtrohet pyetja: a mund të shfuqizohet sot ligji 7501?

Nga pikëpamja juridike, përgjigjja nuk është e thjeshtë. Ligji, si akt normativ, mund të ndryshohet ose të shfuqizohet për të ardhmen, por nuk mund të zhbëjë automatikisht marrëdhëniet juridike të krijuara gjatë më shumë se tre dekadave. Miliona parcela janë regjistruar, trashëguar, blerë, shitur ose përdorur si kolateral bankar. Siguria juridike, mbrojtja kushtetuese e pronës dhe praktika e gjykatave shqiptare e evropiane nuk lejojnë që këto marrëdhënie të prishen në mënyrë të përgjithshme.

Kjo nuk do të thotë se padrejtësitë nuk ekzistojnë. Përkundrazi, ato kërkojnë zgjidhje të drejta dhe të pranueshme.

Mendoj se ekzistojnë të paktën dy rrugë.

Së pari, shteti duhet të vendosë një taksë reale mbi tokën bujqësore, siç ndodh pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara. Një taksë e tillë do të nxiste përdorimin e tokës dhe do të dekurajonte mbajtjen e saj të papunuar për vite me radhë. Është e vështirë të mos shtrohet pyetja pse kjo nuk është bërë gjatë më shumë se tre dekadave të tranzicionit.

Së dyti, aty ku është e mundur, duhet të inkurajohet marrëveshja vullnetare ndërmjet përfituesve të ligjit 7501 dhe pronarëve të ligjshëm të mëparshëm. Në shumë raste toka nuk shfrytëzohet, ndërsa pronarët historikë vazhdojnë të kërkojnë atë që e konsiderojnë të drejtën e tyre.

Edhe familja ime është pjesë e kësaj historie. Nga gjyshi kemi trashëguar rreth 60 mijë metra katrorë tokë bujqësore. Prej më shumë se dhjetë vitesh kam kontaktuar me përfituesit e ligjit 7501, duke kërkuar mirëkuptim për kthimin e pronës. Fillimisht pati gatishmëri, por më pas gjithçka mbeti në heshtje. Disa u tërhoqën, të tjerë kërkuan pagesë për tokën që shteti ua kishte dhënë falas. Në fund, u detyrova të heq dorë.

Megjithatë, vajza ime, që jeton mijëra kilometra larg, vazhdon të besojë te drejtësia dhe te shteti ligjor. Me pankartën që mbante në duar ajo nuk kërkonte vetëm shfuqizimin e një ligji. Ajo kërkonte që Shqipëria të gjejë një mënyrë të drejtë për të pajtuar historinë me të drejtën, pa cenuar sigurinë juridike, por pa harruar as padrejtësitë që kanë mbetur ende pa një zgjidhje të drejtë.

Filed Under: Fejton

Ja se si romakët e para dymijë viteve shkruanin historinë në shkëmb dhe pavdekësi

July 7, 2026 by s p

E pabesueshme, por e vërtetë. Ti kthehesh dy mijëvjeçarë për t’i bërë pjesë e një ngjarjeje kulmore historike. Dalin nga shkëmbi zëra që heshtja i ka kyçur në gdhëndje. Dëgjohen britma dhe e frymshmja e jetëve të murosura pëshpërinë. Me daltë, djersë dhe durim, është shfletuar historia e një epopeje.

Fjala është formë dhe linja, është imazh dhe shëmbëllim.

Në vitin 113 pas Krishtit, Roma ngriti një kolonë prej mermeri, 29,5 metra të lartë, me një peshë që i kalonte 1.000 tonët, dhe më pas vendosi ta mbulonte çdo pëllëmbë të saj me rrëfimin e një lufte. Kolona e Trajanit u ndërtua pasi Roma mposhti dakët, në territorin që sot është Rumania. Por, në vend që të shkruanin një fjalim triumfi ose të ngrinin thjesht një statujë të perandorit, romakët e shndërruan të gjithë fushatën ushtarake në një histori gjigante që ngjitet në formë spirale rreth monumentit.

Në të janë gdhendur më shumë se 2.500 figura. Ushtarë që kalojnë lumenj. Ushtri që marshojnë nëpër pyje. Ura që ndërtohen. Kampe që ngrihen. Robër që merren peng. Të plagosur që marrin mjekim. Beteja, fjalime, flijime dhe Trajani që shfaqet vazhdimisht si njeriu që mban gjithçka nën kontroll. Nëse do të shpalosej brezi i relievit prej mermeri që mbështjell kolonën, ai do të arrinte një gjatësi prej afro 200 metrash.

Prandaj të jep ndjesinë e një filmi. Ka skena. Ka lëvizje. Ka qindra personazhe. Dhe çdo pjesë e tij është krijuar për të përcjellë një mesazh të vetëm. Roma fitoi, Roma ishte e organizuar dhe Trajani ishte arsyeja e këtij triumfi. Kjo kolonë prej 1.039 tonësh është e zbrazët në brendësi. Brenda saj ndodhet një shkallare spirale me 185 shkallë, që ngjitet përmes zemrës së mermerit deri në majë.

Ndaluni dhe mendoni për këtë për një çast. Romakët transportuan blloqe gjigante mermeri, i vendosën njëri mbi tjetrin deri në një lartësi prej gati 30 metrash, gdhendën një shkallare të tërë në qendër të kolonës dhe më pas mbështollën pjesën e jashtme me një rrëfim lufte aq të hollësishëm, sa njerëzit vazhdojnë ta “lexojnë” edhe pas afro dy mijë vjetësh.

Pas vdekjes së Trajanit, hiri i tij u vendos në bazën e kolonës. Kështu, kjo nuk ishte thjesht një vepër monumentale. Ishte njëherazi filmi i tij, fjalimi i tij i fitores dhe varri i tij, të mishëruara së bashku në një kolonë që edhe sot duket thuajse e pamundur.

Po, e pamundur, sepse sot kemi shkëmb por na mungojnë shpirtra që shndërrohen në dalta, na mungon etja për të qenë të dehur nga pëtjetësia, sepse e sotmja na ka zbrazur nga çdo hapësirë ku të ndezim yje.

Albert Vataj

Filed Under: Fejton

Kur betoni bëhet ideologji

July 3, 2026 by s p

Disa vende maten me kilometra katrorë. Disa vende maten me peshën që mbajnë në histori. Sazani i përket kategorisë së dytë. Kanali i Otrantos është porta e Adriatikut. Në Vlorë gjendet çelësi i saj.

Në hartë është një pikë e vogël. Në gjeopolitikë është porta jugore e Adriatikut. Në politikën shqiptare është pasqyra ku takohen lakmia, pushteti dhe frika. Të treja njëherësh, pa turp.

Thuhet se zhvillimi është gjithmonë lajm i mirë. Thuhet se çdo vinç është progres. Thuhet se çdo resort është mirëqenie. Thuhet se çdo kullë është modernitet.

Historia na mëson diçka tjetër. Jo çfarëdolloj betonizimi ndërton shtet. Ka edhe betonizim që mbulon gjurmë.

Krimi i organizuar nuk ka nevojë vetëm për porte dhe parajsa fiskale. Ka nevojë për institucione që nuk bëjnë pyetje. Ligje që shkruhen për investimin dhe jo për interesin publik.

Shqiptarët, nga i gjithë spektri ideologjik, liberalë, nacionalistë, ambientalistë dhe të majtë radikalë. Tiktoktistët dhe konspiracionistët bashkë, janë duke protestuar çdo mbrëmje. Ata nuk ndajnë të njëjtën ideologji, por ndajnë të njëjtin ndjesi. Atë të përjashtimit dhe braktisjes nga një elitë politike vetë-shërbyese dhe e shkëputur nga populli.

Kjo ndjesi nuk kufizohet vetëm ndaj opozitës formale parlamentare. Ajo shtrihet edhe ndaj të gjithë klasës politike. Në Shqipëri kemi pasur një administrim jo-transparent të pasurive publike dhe marrëveshje të favorshme vetëm për interesa të veçanta. Ngjarjet e fundit, nuk janë një rast i izoluar, por simbole më të fundit dhe më të dukshme të këtij modeli.

Problemi ynë nuk është më thjesht dhe vetëm korrupsioni. Identiteti ynë kombëtar po tjetërsohet. Shteti ka humbur aftësinë për të dalluar interesin kombëtar nga interesi privat. Një shtet që nuk dallon këto dyja, nuk qeveriset më. Ai thjesht administrohet si mundet, jo si duhet.

Ky nuk është më një debat për një ishull, një gadishull, një lagunë dhe një lumë. Ky është një debat për modelin e shtetit. Një shtet serioz nuk pyet vetëm sa do të investohet. Pyet kush investon? Pyet nga vijnë paratë? Pyet kush përfiton? Pyet çfarë humbet vendi kur “fiton” vetëm investitori?

Këto janë pyetjet që dallojnë një republikë nga një territor. Një shtet serioz nga një shtet qesharak. Çdo komb ka nevojë për njerëz kurajoz që dinë të thonë “jo”.

Shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit. Ata janë kundër idesë se zhvillimi mund të ndërtohet duke dobësuar ligjin, duke relativizuar interesin publik, duke heshtur përballë pyetjeve legjitime.

Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje. Matet me aftësinë e qytetarëve për t’i thënë pushtetit se jo gjithçka është në shitje. Ekziston a një humnerë midis një shteti që zhvillon territorin dhe një pushteti që shet territorin.

Në thelb të këtij zemërimi që po artikulohet në rrugë qëndron edhe një realitet ekonomik i pakontestueshëm. Shqipëria mbetet ende një vend i varfër, ku modeli i zhvillimit bazohet fort mbi ndërtimin dhe turizmin. Kjo ka prodhuar një pasuri të përqendruar në duart e një rrethi të ngushtë të lidhur me pushtetin. Shqiptarët e zakonshëm janë përjashtuar gjithnjë e më shumë nga përfitimet reale të kësaj rritjeje.

Në shumë raste, kostoja e këtij modeli është e dyfishtë. Nga njëra anë, çmimet e larta të jetesës dhe të turizmit e kanë bërë bregdetin një hapësirë gjithnjë e më të paarritshme për vetë shqiptarët. Nga ana tjetër, sektori i turizmit dhe ndërtimit po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e huaj me paga të ulëta. Ndërkohë një pjesë e madhe e shqiptarëve vazhdojnë që të emigrojnë drejt vendeve të BE-së në kërkim të të ardhurave më të larta.

Në këtë sfond ekonomik dhe social, perceptimi i korrupsionit endemik dhe i favorizimeve politike në menaxhimin e pasurive publike e ka thelluar më tej hendekun mes qytetarëve dhe kësaj elite politike. Debatet mbi çështjet e ndjeshme të drejtësisë dhe integritetit institucional, janë tregues të një problemi më të gjerë. Ato shpalosin modelin e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të ritmit të reformave të kërkuara në procesin e integrimit europian.

Protestat nuk janë thjesht reagim i izoluar, por shfaqje e një zhgënjimi të grumbulluar ndaj një modeli zhvillimi dhe qeverisjeje të mbyllur. Ky është dallimi që po vendoset sot. Jo vetëm në Sazan. Jo vetëm në Vjosë-Nartë. Por në vetë idenë se çfarë Shqipërie duam që t’u lëmë brezave që vijnë. Nuk duhet harruar asnjëherë se, ishujt nuk e tradhtojnë kurrë vendin e tyre. Njerëzit, ndonjëherë, po.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 126
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT